Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V)
| E Hene, 28.12.2009, 08:37 PM |

Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha


UDB-eja, “uron “ mërgimtarët për vitin e ri

 

Ishte viti i dytë që botohej gazeta, viti 1981. Kosova ziente nga brenda. Atdhetarët e parandienin dhe punonin me të madhe për këtë. Andaj, jo rastësisht në faqen e parë të saj është vu artikulli “ Kështu na “uron” UDB-ja vitin e ri”. Autori anonim shkrimin e shkruan pasi se mërgimtarët tonë vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Por, pushtetarët mendonin ndryshe, dhe mu këto festa i shfrytëzuan që sa më shumë shqiptar të torturonin dhe ti merrnin në biseda informative. Një gjë të tillë tmerri e llahtari e përjetoi edhe vet atdhetari Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës. Ai ishte një burrë trim dhe i gatshëm për sakrifica. Atje larg në kurbet e kishte djeg malli për prindërit e familjen e tij, edhe pse e dinte se çfarë situate e rëndë po mbretëronte në Kosovë, megjithatë kishte vendosur që të vinte në shtëpi, bile pak të çmallej me të dashurit e vet. Qëllim i mirë ishte nga ana e Hysen Gegës, por edhe udbashët kishin qëllimet e tyre, dhe se një kohë të gjatë ishin përgatitur si ta fusnin Hysenin në rrjetin e tyre.

Pasi se ishte çmallur me familjaret, mërgimtari ynë takon edhe shokët me të cilët kishte evokuar kujtimet për një kohë që kishte mungua. Festa ishte kalua si kurrë më mirë në jetë, por udbashët as atë natë nuk kishin fjetur, por ishin kujdesur që në mëngjesin e hershëm të vitit të ri ta “befasonin” dhe t’ia “uronin” vitin e ri Hysen Gegës. Aty nga ora tre e mëngjesit ishte rrethuar shtëpia e Qazim Gegës. Me një tog të madh policësh të armatosur gjerë në dhëmbë. Nga udhëheqësi i togut u kërkua që të dorëzohej Hysen Gega, duke e quajtur “armikun e popullit”, dhe shtrohet pyetja athua vallë vërtet ishte Hysen Gega armik i popullit të vet? Si mund të ndodhte një gjë e tillë. Armiku i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar ishte polici që çirrej, dhe kërkonte me çdo kusht për ta burgosur djalin shqiptarë.

Në tmerrin e natës së ftohët, policia hulumtoi çdo skutë të shtëpisë dhe në fund para tytave të pushkëve kishte vënë babin dhe gruan e Hysenit. Iu treguan se janë të rrethuar dhe se kishin ardhur për ta arrestuar Hysenin në emër të popullit. Pas zhurmës e tollovisë së krijuar, Hyseni zgjohet nga gjumi dhe kur shef babën dhe gruan para tytave të pushkëve, tmerrohet. “Në emër të popullit” i bërtiti polici, “Hysen Gega je i arrestuar”[1] Pa u trembur aspak, Hysen Gega përgjigjej:Cilit popull??? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka mallkime e ankime populli, jo për mua. Ia lidhin duart dhe e fusin në kampanjollën e mavitë. Me dhunë e futën në veturë, ndërsa nga atje u dëgjua zëri i fuqishëm i Hysen Gegës i cili thërriste ma sa fuqi që kishte : Rroftë Shqipëria, rroftë populli shqiptar, poshtë titizmi, poshtë shërbëtoret e okupatorit, dhe në anën tjetër të shtëpisë britma e vëllait Danushit theu heshtjen e natës duke thirrur sa mundi: Rroftë Shqipëria, rroftë populli i bashkuar shqiptar, dhe policia nuk hezitoi për ta arrestuar edhe vëllanë e Hysenit.

Në këtë shkrim redaksia e saj atje nga mërgimi i qonte urimet më të mira Hysen Gegës duke i thënë se Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar , po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gegaj dhe ty Danush, dhe atyre mijëra  djemve  të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe, që këtej  po jua përcjellim edhe sihariqin , se populli po bëhet gati  për t’iu marrë  ju hakun. Po, po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe,.[2]  shkruan redaksia e gazetës

Po ashtu në këtë faqe, redaksia jep edhe një informacion të rëndësishëm për lëvizjen ilegale shqiptare duke i informuar se :Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare ku, UDB-a të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur  egërsisht. Me një tërbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit  të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, pushteti jugosllavë po orvatet të zhbijnë çdo filiz të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial nga ana e shovinistëve  të Beogradit[3]. Për të shprehur më vonë indinjatën e thellë dhe duke e njoftuar opinionin e gjerë se përveç vëllezërve Hysen e Danush Gegaj, kohëve të fundit u arrestuan  për veprimtari “armiqësore kundër popullit e shtetit “ do të thotë për veprimtari patriotike. Edhe këta persona: Hasan Ukëhaxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s’ia dimë emrin etj.[4] Informonte shtypi i diasporës.

 

Mërgimtarët tanë festonin ditën e pavarësisë

 

Në një shkrim të gazetës “Më të fortë se kurdoherë”, shkruhej për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve tanë që ndodheshin në mërgim jashtë vendit shqiptar. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare.  Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.

Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili fillonte me këto fjalë: Vëllezër të dashur!

Gjithçka te ky dhe, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet për rreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohët. Në qoftë se  ndonjëherë  edhe ndodhë  të na hetojnë pran, atëherë,  pranin tonë e ndiejnë si pranin e një lecke  të hedhur në rrugën e madhe,[5] dhe vërtet a ka ma trishtuese dhe me plot dhembje se sa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikoj në rrjedhat e atij vendi, kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e ditës së pavarësisë.

Pastaj, autori iu dëften të pranishmëve se si historia na la me gishta në gojë dhe në bisht popujsh të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin  e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona  deshëm  dhe jetën në shtetin e përbashkët  kombëtare; atë që gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej motesh. Por, në vend që të sendërtohej  kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e  mjerim . Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit[6] Dhe vërtet, me të drejtë thotë autori i shkrimit se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti; të na i prej rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat që për vatan  e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le”[7]

Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare si në diasporë po ashtu edhe në Kosovë.

 

Konferenca e Bujanit, në faqet e “Rilindjes”

 

Në të njëjtën faqe ( 3), të gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, jepet njoftimi se si gazeta “Rilindja” në vigjilje të Vitit të Ri , në rubrikën e saj “Në ditën e sotme”, na njoftonte: “Në Bunjaj ( më 1943) filloi puna tri ditësh  e Konferencës  së Parë Krahinore të Këshillave  Nacionalçlirimtare  të Kosovës dhe Metohisë. Në prezencën e  51 delegatëve  nga të gjitha rrethet  e Kosovës e të Metohisë , u zgjodh Këshilli i Parë Nacionalçlirimtar krahinor, u caktuan detyrat e tij dhe iu bë proklamata popujve të K e M, që ta intensifikojnë luftën kundër okupatorit fashist”[8], por, në vazhdim të njoftimit nuk jepet se çfarë kishte në atë proklamatë. Me asnjë fjalë nuk njoftohej populli për përmbajtjen e Rezolutës së Konferencës, ku thuhej se :”Populli shqiptar, i cili me shekuj luftoi për çlirimin  dhe krijimin e shtetit të vet kombëtar, si dhe pjesa e trojeve  shqiptare  dhe pjesa e popullit shqiptar që pat mbetur  jashtë kufijve  shtetëror shqiptarë, me çlirimin nga pushtuesit (fashistë, do ti realizojnë aspiratat e veta  dhe do ti bashkëngjiten  shtetit amë –Shqipërisë...[9]   

Autori i shkrimit mendon se kjo informatë e lëshuar në faqet e “Rilindjes”, ishte një provokim i lig i vullnetit të popullit tonë, i cili u çua në luftë ngadhënjimtare kundër fashizmit , i çliroi tokat e veta dhe u erdhi në ndihmë  edhe popujve e  të Jugosllavisë. Sepse , fuqitë aleate  në Luftën e Dytë Botërore dhe Jugosllavia , të cilat e kishin  nënshkruar Rezolutën e përmendur të Konferencës së Bunjajt, madje në cilësinë e garantuesve  për realizimin  e saj, e shkelën atë  si të ishte  fjala për një marrëveshje të parëndësishme  tregtare, e jo për vullnetin e një populli të tërë, të shumëvuajtur,[10] konstaton autori i shkrimit.

 

Rinia shqiptare, Rini revolucionare

 

Në shkrimin “Rini shqiptare, Rini revolucionare”, më me ëndje do të thosha se është një shkrim i shkruar në formë afishe, që i drejtohet rinis shqiptare të Kosovës dhe të viseve tjera të banuara me shqiptar në Jugosllavi. Autori me një gjuhë tjetër rinin shqiptare të Kosovës e quan edhe pararoja e popullit shqiptar, dhe kjo pararojë nëpër mes të këtij shkrimi fton  në luftë  për çlirimin e tokave  tona të shtrenjta  nga kthetrat e kralëve të rinj jugosllavë. Lufta e popullit tonë për pavarësi nuk ka pushuar kurrë asnjëherë  ndër shekuj. Populli ynë dhe rinia e jonë heroike luftojnë dhe do të luftojnë  deri në çlirimin  e të gjitha  territoreve  nga shovinistët  jugosllavë. Dhe për të ecur drejt kësaj rruge  të shenjët,  sot  duhet t’ia caktojmë vetes  detyrat që kërkojnë prej nesh zgjidhje[11] dhe vazhdon autori të përgjigjej se si e vetmja rrugë, qëllim dhe detyrë e rinisë sonë liridashëse është edukimi edukativo-politikë dhe përgatitja  e të brinjëve shqiptar për luftë nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera  të robëruara nga klika shoviniste e Titos.

Duke i numëruar të gjitha luftërat dhe të gjitha fitoret, autori i shkrimit na prezanton tradhtinë e madhe që na bënë jugosllavët më 1945, por edhe më vonë se si udbashët na përcillnin hapa pas hapi dhe shkonin aq larg sa na ndalonin që në mënyrë legale të dëgjonim Radio-Tiranën dhe të lexonim shtypin dhe literaturën që botohej atje. Autori merr si shembull se si në kohën e fashizmit  nuk lejonte  të dëgjoheshin në radio emisionet e aleatëve, që informonin  për gjendjen në frontet e ndryshme antifashiste. UDB-ja jugosllave  nuk lejon  sot (1981), të dëgjohet radioja  e të vetmit  vend socialist në botë, Radio Tirana.... Por, mashtrohen këta zotërinj. Siç janë mashtruar të gjithë armiqtë  e vjetër e të rinj përpara qëndresës sonë këmbëngule kundër vlerave   dhe frymës së huaj. Rinia jonë nuk trembet kurrë nga dredhitë dhe presionet e tyre. Trimërinë dhe guximin  i kemi të trashëguara brez pas brezi, kurse qëllimi i madh që kemi përpara , na bënë edhe më të pathyeshëm[12]

Qëllimi i autorit është që të na dëftej se për ti realizuar aspiratat tona, lypset guxim, trimëri, vigjilencë, vendosmëri dhe sakrificë. E këto virtyte nuk i kanë munguar kurrë popullit dhe rinisë sonë. Lufta kundër armikut shekullor shkon krah për krah me luftën kundër shfaqjeve  e dukurive të huaja, që paraqitën  në mesin tonë.. Indiferentizmi, pasivizmi, heshtja, ngurrimi- nuk kanë vend në luftën tonë[13]. Shkrimi i lartpërmendur, më tepër i ngjanë një afishe të shpërndarë në popull se sa një shkrimi gazetaresk, por që flet dhe analizon dendur historinë e popullit shqiptar në tërësi.

 

Kurthet dhe hendeqet e pushtetit

 

Për kurthet dhe hendeqet e pushtetit jugosllav, flet shkrimi në vijim “Kurthet dhe hendeqet”, por që nuk i dihet autori. Herë-herë më befason e dhëna se duke lexuar dhe analizuar shkrimet e kësaj gazete, në shkrime nuk hasi në emra dhe as në pseudonime të autorëve, dhe pyes veten, pse ky shtyp i botuar jashtë Kosove, dhe dihej se shkrimet i bënin mërgimtarët tanë, që shumica nga ata edhe kishin kërkuar azil politik, pse nuk i kanë shkruar emrat ose, pse nuk kanë shkruar me pseudonime, siç kanë bërë ilegalistët e organizatave të mëhershme ilegale.

Është e ditur se udbashet nuk vepronin vetëm në Kosovë e Jugosllavi, por kishte shumë nga ata që vepronin dhe hetonin shqiptarët që punonin kundër Jugosllavisë edhe jashtë vendi. Ishte krejt e kuptueshme, se hetuesit që gjurmonin veprimtarët, nuk u kënaqnin vetëm me masat e marra ndaj atyre, por siç dihej edhe nga shumë raste, ata për aktivitetin e tyre jashtë merrnin masa ndëshkuese edhe ndaj familjarëve që jetonin në Kosovë, dhe besoj se kjo ishte edhe arsyeja që në faqet e shumta të këtij shtypi mungojnë emrat dhe pseudonimet, vetëm se, për ti identifikuar shkrimet tani, është me shumë vështirësi.

Në shkrimin “Kurthet dhe hendeqet”, autori shkruan për veprimet e paramenduara që i bëjnë pushtetarët ndaj popullit të pafajshëm shqiptar, dhe asgjë e re do të thosha, se për kurthe, krime, shantazhe, burgosje, tortura, hendeqe, populli jonë i okupuar dhe nën pushtetin jugosllav të gjitha këto marifetllëqe i pati me bollëk. Veç këtyre kurtheve ata punuan edhe në aspektin ligjor dhe të gjitha ato padrejtësi i legjitimoi dhe i futi në sistem. Si çdo pushtues dhe si çdo klikë antipopullore , edhe regjimi i Beogradit është përpjekur  e përpiqet ta përjetësojë pushtetin e vet. Pos të tjerash edhe me dispozitat ligjore . Korrekte në dukje të parë, këto dispozita, në thelb  përmbajnë nene e klauzola të atilla , që kanë për qëllim realizimin e aspiratave më të erra  antipopullore, antikombëtare dhe antiklasore. Këto dispozita  janë ato që përligjin diskriminimin social e nacional të disa popullsive , varfërimin dhe shtypjen  gjithnjë më të madhe  të një pale  dhe pasurimin  e privilegjet gjithnjë më të mëdha  të një pale tjetër, në kurriz të së parës.[14]

Herët a vonë shkruan autori i shkrimit se pushtuesit dhe klika antipopullore do të gremisen atje ku ua kanë bërë vendin historia dhe popujt e shtypur. Këtij mallkimi nuk do të mund ti bëjë bisht  as Jugosllavia titiste. Ajo vërtet ka kurdisur  shumë leqe dhe ka hapur  shumë llagëme  për punonjësit dhe popujt e shtypur, që të mbajtur me forcën e dhunës brenda kufijve administrativo-politik të këtij shteti social-shovinist, do të shtrëngohen  t’i japin shumë e shumë zor për ta hequr  qafën nga laku. Megjithatë për çdo ditë po bëhet më e qartë se këta popuj do të mbesin edhe më tej ata që janë- të përjetshëm, kurse në kurthet e në hendeqet e kurdisura për ta do të bjerë vetë kreatura e regjimit antipopullor jugosllav, në krye me hegjemonizmin serb, e me shovinizmin malazez e maqedonas,[15] thotë autori i shkrimit.

I tërë shkrimi i kushtohej një dispozite kushtetuese e cila u shkaktonte telashe të mëdha krerëve  shoviniste të Beogradit. Fjala ishte për dispozitën mbi statusin të ashtuquajtura  territor të papërzier në pikëpamje nacionale. Një status të tillë, sipas dispozitës në fjalë, e gëzojnë ato tersi administrativo-politike të federatës (ato republika dhe krahina), në të cilat popullsia e një kombësie  përbënë mbi 80% të popullsisë së përgjithshme.

Në kohën që kjo dispozitë  u ngjit e bëri vend  në Kushtetutë, nuk ekzistonte frika  se statusin  e territorit kombëtarisht të papërzier mund ta gëzonin një ditë edhe ato regjione ku kjo gjë ishte e padëshirueshme  për shovinistët sllavë.[16]

Pushtetarët e Beogradit ishin shumë të bindur se me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare i kishin kryer punët. Tokat shqiptare i kishin copëtuar në tri republika dhe Kosovën e kishte aneksuar R. E Serbisë. Në Kosovë nuk ndërtohej ndonjë fabrikë apo industri e rëndë. Situata e rëndë politike dhe kushtet e vështira për jetë kishin ndikuar dukshëm që ata të shpërnguleshin si për Anadoll po ashtu edhe në vendet tjera perëndimore. Derisa shqiptarët shpërnguleshin, në tokat e tyre sillnin kolonë sllavë dhe i ngulitnin aty me kushte shumë të favorshme për jetesë. Atyre iu siguronin tokë e shtëpi, i punësonin e shumë favore tjera. Ndërsa për shqiptarët  kishte punë  vetëm në ato punishte  të domosdoshme , ku nxirreshin lëndët e para dhe pasurit e tjera të mëdha  të shqiptarëve , që merrnin rrugën e Beogradit. Popullsia shqiptare  shtypej në pikëpamje  sociale e nacionale , ekonomike e politike ;mbi të ushtrohej terrori  i egër politik dhe presioni i vazhdueshëm , që duhej të zbrazej  fare nga elementi  autokton shqiptar dhe, e mbushur me elementin ardhacak sllavë, të ndërronte rrënjësisht fizionominë etnike dhe nga krahina shqiptare, të bëhej një krahinë sllave.[17] Por, llogarit e Beogradit, ishin pa mbulesë. Çka ndodhi me trojet shqiptare. Ishte ajo nëna shqiptare që e mundi Qubrilloviqin por edhe okupatorin. Nataliteti shqiptar në vitet në vijim u shtua dukshëm, ndërsa atdhetarët e shumtë në trojet tona formuan dhe organizuan shumë organizata ilegale, të cilat në mënyrë permanente informonin popullin për qëllimet e armikut dhe synimet e tija ekspansioniste.

 

Gazeta “Rilindja” në thumb të kritikes

 

Në shumë shkrime të “Lajmëtarit të Lirisë”, kam hasur se, dendur kritikohet politika redaktuese e saj. Kritikohen shkrimet, herë-herë edhe gazetarët, por në të shumtën e rasteve kritikohet politika e redaksisë, që shkruan në mënyrë të padrejtë për ngjarjet dhe situatën politike në Kosovë.

Në vazhdën e këtyre shkrimeve, është edhe shkrimi “Një variant leximi”, që edhe këtij i mungon emri i autorit. Me një mënyrë, shkrimi i “Lajmëtarit...” e vë në lojë dhe karikon dukshëm me shkrimin që e kishte bërë gazetari i “Rilindjes”, (Ç.I). “Gazeta “Rilindja”, thotë autori i shkrimit të “Lajmëtarit...” mund të lexohet edhe mbrapsht, ngase asgjë nuk humb. Se në këtë gazetë (“Rilindja”), jepen aq shumë të pavërteta  sa për njohësit e mirë të situatës në ekonomin kosovare, i kap tmerri. Në shkrimin e gazetës “Rilindja”, gazetari lavdëron me të madhe të arriturat e minatorëve dhe të ardhurat që vijën nga shitja e xehes. Do të kishte qenë vërtet shkëlqyeshëm po të ishte kështu, por gazeta ilegale që botohej në atë kohë në Gjermani, “Lajmëtari...” i kundërvihej kësaj të dhëne. Me argumente shkruan se, “Trepça” është e detyruar t’i shes’ prodhimet e veta  vetëm në tregun e brendshëm-me çmime deri në 20 herë më të ultë se çmimet në tregun botëror, ndërkohë që çmimet e hekurit, çelikut dhe të bakrit të prodhuar jashtë Kosove, po në tregun e brendshëm jugosllav, janë shumë më të larta se ato në tregun botëror, përkatësisht 124, 72, dhe 27,5%, vetëm për shkak të diskriminimit me anë të çmimeve  të ultë, gjatë vitit 1978 kjo minierë gjigante  pati mbi 300 miliardë dinarë humbje; gazetari i “Rilindjes” do të mund të lexonte së paku në “Kohë të lirë, deri sa çlodhet nga referatet e LSPP-së edhe revistën “Economia”[18], porosit  autori i shkrimit.



[1] Kështu na “uron” UDB-ja Vitin e Ri, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 1.

[2] Po aty.

[3] Informatë e redaksisë, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 1.

[4] Po aty.

[5] Më të forte se kurdoherë, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr 1. Janar-Shkurt 1981, f, 2.

[6] Po aty.

[7] Po aty.

[8] Gazeta “Rilindja”, dhjetor 1980.

[9] Rezoluta e Konferencës së Bujanit (31 dhjetor, 1943-1,2 janar 1944).

[10] Një provokim i lig i vullnetit të popullit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 3.

[11] Rini shqiptare, Rini revolucionare! Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 4

[12] Po aty, f, 6.

[13] Po aty.

[14] Kurthet dhe hendeqet, Lajmëtari i Lirisë,Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 7.

[15] Po aty.

[16] Po aty.

[17] Po aty.

[18] Një variant leximi, Lajmëtari i Lirisë, Viti II. Nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 7.





(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: