Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV)
| E Diel, 27.12.2009, 07:56 PM |

Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha


Vendi meritor i Eqrem Çabejit të madh

 

Në një faqe e gjysmë tekst, gazeta i kushton vend meritor figurës poliedrike të profesorit të nderuar Eqrem Çabejit të madh.  Autori “Drini”, shkruan gjerë e gjatë për jetën dhe veprën shkencore të vet profesorit. Në mes tjerash ai thotë se “ Vdekja e këtij biri të shtrenjtë të kombit tonë u prit me pikëllim të madh edhe në Kosovë, si në të gjitha trevat shqiptare. Shumë punonjës të shkencës e të arsimit, studentë e të tjerë, e kanë pasur fatin e bardhë t’ia lexojnë t’ia studiojnë veprën, po edhe të njihen personalisht me profesorin e nderuar, i cili vinte në mesin tonë që të përgatiste studentët për punë shkencore në fushën e studimeve albanologjike.[1] Autori vazhdon të shkruaj për dhembjen dhe humbjen e madhe që përjetoi bota akademike dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin.

Të dhënat biografike për profesorin fillojnë me lindjen e profesorit në Gjirokastër, në gusht të vitit 1908. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm dhe studimet e larta i vazhdoi në Austri. Në Gracë e në Vjenë i dëgjoi ligjëratat e Paul Kreçmerit dhe të Norber Joklit, dy nga gjuhëtarët më të shquar të asaj kohe. Pas kësaj i pajisur me dije kthehej në vendlindje dhe filloi me zell të madh punën shkencore për një gjysmë shekulli rresht[2]. Në vijim të shkrimit autori jep të dhëna të bollshme për veprimtarin shkencore dhe për librat e shkrimet që patën jehonë në vend dhe jashtë tij. Shkruan për kontributin e pa krahasueshëm që e dha në ngritjen dhe shkollimin e kuadrove arsimore të Shqipërisë. Për punën e madhe që bëni në fushën e gjuhësisë, me hapjen e Akademisë së Shkencave, profesor Qabeji zgjidhet anëtar i rregullt i saj. Ndërkaq, instituti më i lartë shkencor i vendit e zgjodhi anëtar të Presidiumit. Për rezultatet e jashtëzakonshme  në fushën e shkencave albanologjike dhe për kontributin e çmueshëm në fushën e arsimit kombëtar para e pas çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPS të Shqipërisë i dha prof. Qabejit titullin e lartë Mësues i Popullit.

Autori “Drini”, vazhdon më tej duke shtuar se rezultatet shkencore nga rrafshet e gjuhësisë, profesor Qabeji i kumtoi, përveç se në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në atë të Prishtinës a në ndonjë universitet tjetër të Evropës-edhe në shumë kongrese të shkallës ndërkombëtare . Punimet e tij janë botuar në një varg publikimesh shkencore të vendit dhe të botës së jashtme  dhe ato janë përkthyer e janë aprovuar nga gjuhëtarët më eminent të mjediseve të ndryshme të Evropës”[3] Dhe si gjithkund në tokat shqiptare, vdekja e profesor Eqrem Qabejit u prit me dhembje, për të cilën në vazhdim autori “Drini”, konstaton se vdekja e profesor Qabejit na la pa njërin nga kokat më të ndritura dhe figurat më të mëdha të shkencës sonë kombëtare. Dhe ne mbesim të pikëlluar për mungesën e tij. Por, për jetë do të përulemi me nderime e dashuri para trashëgimisë kolosale kulturore që na la ky vigan i dijes dhe para kujtimit të personalitetit të tij të ndritur[4] përmbyll shkrimin autori.

 

Krahasimet mitologjike me realitetin

 

Në shkrimin “Mashtrimi i madh i ramzesianëve të vegjël”, autori L. Ndreu, shkruan për mashtrimet e shumta që iu bëhen popullit shqiptar si nga pushtetarët e shtetit sllav po ashtu edhe nga pushtetarët shqiptar të asaj kohe. Të gjitha këto farsa politike të shtetit të quajtur Jugosllavi, krahasohen me politikën e vitit 1296 para e.s. kur kremtoi faraoni egjiptian Ramzesi i II fitoren mbi hititë, i urdhëroi  që beteja, e cila gjëja se i paskësh sjell nam atij të përjetësohej me epe dhe monumente madhështore. Dhe autori i këtij shkrimi shkruan se  po mbaj vesh pak më me kujdes, Në Beograd, Kralevë, Titograd, Shkup... do të dëgjosh fragmente gjëmash për Kosovën , e cila po i përballon serbizimit dhe po kërcënohet me shkëputje dhe bashkim me vendin e vet amë, Shqipërinë[5]. Në vijim autori përmend Desanka Maksimoviqin një marionetë e konsumuar e cila me dhembje çirret duke pyetur se pse nënat serbe nuk lindin më 9 jugoviq që ata ta serbizonin Kosovën. Por, mendojë se për popullin shqiptar nuk është e panjohur kjo klithje ngase edhe më herët kishin trumbetuar e këlthitur edhe shumë shkencëtar të sojit alla çubrilloviqiane si Jovan Cvijiqi, Ivo Andriqi, J.Duqiqi, I. Laliqi, D. Çosiqi e shumë e shumë të tjerë, që u angazhuan me mish e me shpirt për të bërë serbizimin e Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi. Të gjithë ata u angazhuan që të gjejnë mënyra , metoda dhe mjete për të bërë ç’kombëtarizimin e shqiptarëve  dhe në mënyrë permanente përdorën metoda gjenocidale për mbi ta, vetëm e vetëm që ti detyronin ata që të shkonin sa më larg nga trojet e tyre stërgjyshore.

Në vitet e tetëdhjeta, të shekullit 20, propaganda jugosllave e sidomos ajo serbe ishte shumë më e organizuar dhe në formë të orkestruar punohej në të, që situata politike, ekonomike e arsimore në Kosovë të paraqitej sa më stabile dhe më e qetë. Detyroheshin politikanët shqiptar që të dilnin në popull dhe të flisnin se në Kosovë populli është i kënaqur, dhe se çdo gjë ecën sipas rrjedhës së dëshiruar. Autori i shkrimit thotë se në një fjalim M. Bakalli numrin e të burgosurve politik shqiptar prej 2.000 vetave e prezanton në vetëm 50 veta, kurse anëtarët e lëvizjes ilegale patriotike shqiptare të gjithë i quan informbyroist[6] e çka jo tjetër. Politika jugosllave gjatë kësaj periudhe ishte e tillë se për çdo gjë e sidomos informimi shkonin aq larg sa çdo gjë shqiptare dezinformohej. Dhe, nuk ishte aspak çudi, kur nga numri i 2000 i të burgosurve shkohej në 50 veta, e tërë kjo kishte edhe prapavijën e saj. Nga qarqet politike jugosllave nuk ishte i rastësishëm edhe urdhri siç e quan autori: urdhri i parë :Burgos! I dyti: Shkruaj! I treti : Shlyej dhe prapë shkruaj. Mbi të gjitha –krasit, më të majtë e më të djathtë. Autori pyet vet dhe përsëri përgjigjej vet, se nuk e dijë a e kanë të qartë zotërinjtë udbashë se me krasitje vetëm sa shpejtohej rrita, madje rrita e mbar. Me një mënyrë kështu ndodhë edhe me ne shqiptarët, sa më shumë krasitkemi e futemi nëpër burgje, ne jemi edhe më të fuqishëm dhe sa vije numri i aktivistëve e veprimtarëve shtohej  në organizatat atdhetare.

 

Politika dezinformuese e Beogradit

 

Po ashtu edhe në shkrimin “PASHIQI-HOTI (paralele), jepen paralele në mes Nikolla Pashiqit dhe Beqir Hotit. Më 1979, në Kosovë policia jugosllave kishte arrestuar e burgosur shumë të rinj shqiptarë. Mirëpo, atdhetaret shqiptar nuk po rrinin duarkryq. Në vendet ku arrestoheshin të rinjtë tanë fshati ose qyteti të nesërmen zbardhej me trakte. Në këtë mënyrë  atdhetarët i tregonin pushtetarëve jugosllav se ata janë të distancuar nga ata dhe një ditë kur do të vij koha ata nuk do të harrojnë për torturat që bëheshin nga ana e tyre. Udbashët, në mënyrë permanente punonin që në Kosovë të ruanin gjendjen ekzistuese, fundja thoshte një udbash, po qe nevoja do të ecim mbi kufoma të shqiptarëve dhe ndërrim të situatës nuk do të ketë. Më 1980, pushtetarët kishin hetuar se diçka po lëvizte, diçka po përgatitej, andaj dhe morën masat e “duhura”, duke shtuar rojet gjithandej ku jetonin shqiptarët. Rojet u vunë në universitet, në shkolla, në fabrike, në institucione shtetërore e shoqërore e ku jo tjetër. Agjentët e UDB-es, sidomos kontrollonin dhe vëzhgonin familjarët e të burgosurve politik, duke u munduar që në këtë mënyrë bënin edhe izolimin total të familjeve të tyre nga rrethi dhe të tjerët.

Edhe pse pushtetarët e udbashët kishin marr të gjitha këto masa, rinia shqiptare ishte e gatshme për sakrifica. Dhe ç’ndodhte me ta, mu aty ky ishte shtua përgjimi e përcjellja e agjentëve, mu aty rinia liridashëse mori shumë aksione duke shpërndarë, trakte dhe duke thirrur popullin se gjendja e robëruar nuk durohej më, duke shkruar parulla në vende frekuentuese. Bie fjala, cek autori i shkrimit, në fshatrat në afërsi të Dubovikut dhe në Dubovik (katund në afërsi të Pejës), ku ishte burgosur patrioti Hysen Gërvalla), traktet e afishet shpërndaheshin pa e pritur njëra tjetrën mu para hundëve të njerëzve të pushtetit[7].

Duke i parë të gjitha këto që kishte ndërmarr rinia përparimtare, udbashët kishin “gjet”, një formë të “re” të ndëshkimit. Filluan një aksion të paparë për të arrestuar sa më shumë të rinj. Fillimisht i merrnin natën e ditën, i burgosnin duke iu montuar lloj-lloj gjërash që ata nuk kishin lidhje me to. Pastaj i arrestonin dhe me ditë të tëra i mbanin në hetuesi. Dhe siç dihej, gjatë hetuesisë përdornin torturat më shtazarake ndaj tyre. Bile, disa nga ata të arrestuar nuk dilnin fare nga ato dyer të hekurta, e të tjerëve iu kurdisnin procese të montuara politike dhe i dënonin me vite marramendëse burgu. Veç këtyre që i përmenda më lart, pushteti dhe UDB-ja jugosllave kishte edhe një “dhunti” të jashtëzakonshme të cilën e përdorte më shpesh se çdo gjë. Rrena ishte modeli dhe forma më e preferuar që e përdornin pa pikën e turpit.  Kur u binden se nuk mund ta ndalin një rini të tërë për mos të bërë vepra atdhetare, ata shkuan aq larg sa filluan ta mohonin veprën e tyre, duke thënë se disa fëmijë të pakujdesshëm  po shpërndajnë trakte e afishe ose tjetra  duke lançuar të pavërtetën tjetër duke thënë se  populli shqiptarë është i kënaqur në Jugosllavi, por se serbet e malazezët, me qëllim po shpërndajnë trakte vetëm e vetëm që ti rëndojnë komshit e tyre shqiptar. Dhe vërtet duhet besuar në këto fjalë boshe e pa mbulesë.

Popullata e pakënaqur me gjendjen që mbretëronte, në ditën e dytë të vdekjes së Titos, në fshatin Raushi kishte ndodhur edhe kjo: Në Raushiq u grisën fotografit e Titos dhe flamuri i urryer i okupatorit. Edhe pse policia u turr që ti gjente aktorët, por më kot, ata nuk ishin pak, ishte i tërë populli që i griste ato dhe i tërë populli i mbronte veprimtarët. Pushtetarët, do të vendosin që ta mbulojnë dhe ta fshehin të vërtetën nga populli. Atyre nuk iu mungonin shërbëtoret që t’iu vinin në ndihmë. Dhe në këtë mënyrë autori i shkrimit shkruan se si e angazhojnë B. H. Në bashkësitë lokale dhe në aktivet e LK, të shpallte në popull se si aksionin në fjalë e kishin kryer serbët[8]. Populli shqiptar ishte krenar për punën e të rinjve që bënin, në shikim të parë të urtë por çdo shqiptar në ndërdijen e tij e dinte të vërtetën, se baballarët e tyre iu kishin lënë amanet, se edhe dhurata që vije nga serbet ka një rrezik në vete. Për shqiptarët e urtë një histori e tillë nuk ishte e panjohur, se edhe Jugosllavia e vjetër kurdiste situata të ndërlikuara. Ndërsente bandat çetnike të digjnin lagje  qytetesh dhe fshatra shqiptare, e në anën tjetër shpallte se ato  djegie i kanë bërë shqiptarët. Pastaj organet e pushtetit  gjoja ndërhynin  në gjithë këtë marifet, dhe intervenimi i tyre kishte një rezultat: torturimin e shqiptarëve  në mënyrën më të egër. Ashtu sot qeveria e Titos në Beograd e sheh të domosdoshme  (njëherë për njëherë) jo të flasë për aksione  të shqiptarëve, se në atë mënyrë do të popullarizoheshin në popull aksionet dhe lufta e rinisë përparimtare dhe e keqja do të merrte përmasa më të mëdha , po përkundrazi, ta fsheh çdo punë  në drejtimin patriotik të shqiptarëve[9], konkludon autori i shkrimit.

 

Gjendja e rëndë ekonomike, në faqet e gazetës

 

Shkrimi “Gjendja e rëndë në ekonomin e Kosovës” është një shkrim që është huazuar nga shtypi revolucionar kosovar, nga gazeta ilegale që botohej në Kosovë “Liria”. Gazeta “Liria”[10], shkrimet i botonte pa emra dhe pa pseudonime, andaj edhe ky shkrim që po e prezantojmë është pa emër, por në librin e parë të “Shtypit ilegal në Kosovë...” autori është i zbuluar dhe se shkrimin e kishte shkruar Berat Luzha. Duke u bërë analiza e situatës, me një fjalë autori vjen në përfundim se shkaktar i gjendjes së mjerueshme ekonomike në Kosovë është robëria e Kosovës nga Jugosllavia. Shteti okupues me qëllime të caktuara nuk investon në Kosovë, në ekonomin që do kishte domethënie për shqiptarët. Në mënyrën më të vrazhdë pasurit kosovare shfrytëzohen dhe bartën jashtë kufijve të Kosovës, duke e shkretuar dhe duke e sjellë në buzë gremine popullin shqiptar. Kosova gjendet si një zonë tregu për shitjen e mallrave të gatshme industriale  nga republikat e Jugosllavisë. Rreth 70% të tregtisë të Kosovës e mbajnë mbi 200 firma  tregtare të jugosllave më me shumë se  600 njësi  tregtare, 200 prej të cilave  vetëm në Prishtinë. Ndërmarrjet e republikave  jugosllave nuk kanë kurrfarë pengese  për shitjen e mallrave të tyre në Kosovë, ndërsa mallrat e pakta kosovare vështirë gjejnë vend në tregjet jugosllave, bile edhe në tregun kosovar, jo vetëm për shkak të konkurrencës së egër, por edhe nga pengesat administrative. Në këtë mënyrë shumë ndërmarrje kosovare punojnë me kapacitet të përgjysmuar ose i kanë mbushur  depot me mallra  stoqe, duke i shtuar edhe me humbje.[11] Por shton autori i shkrimit se më 1980, nuk ndodhnin pengesa administrative kur ishte në pyetje lënda e parë minerare që nxirreshin nga “Trepça”, “Kosova”, Novobërda, Kishnica, Hajvalia, Goleshi, Deva, Volljaka, Karaçeva, Strezovci, Babushi e në vende të ndryshme anë e këndë Kosovës.

Padrejtësitë nuk ndodhnin vetëm në tregtinë e brendshme, por të gjitha këto kishin kaluar dhe ishin bërë dukuri në sistemin jugosllav. Deri sa në Jugosllavi vitin e kaluar (1979, shënimi S.K-B), iu dhanë ndërmarrjeve  1.188 pëlqime për tregti të jashtme, në Kosovë u dhanë vetëm 5 sosh. Tregtia e jashtme e Kosovës, e cila bëhet në të shumtën me ndërmjetësimin e ndërmarrjeve  jashtë Kosove, vitin e kaluar kishte një deficit prej 3 miliardë dinarësh, ose dy fish më shumë se një viti më parë. Importi , që u rrit për 67 %, ishte dy fish më  i madh se eksporti , ndërsa vetëm gjatë gjashtëmujorit të par të këtij viti (1980, shënimi S.K-B), , përkundër masave  të kufizimit, u rrit për 34%. Vlera e eksportit mbulonte vetëm 50% të vlerës së importit.[12]

Duke u nisur nga të dhënat statistikore, dhe nga vet shkrimet që i publikonte gazeta e përditshme “Rilindja”, autori konstatonte se papunësia ishte njëri ndër faktorët kyç që e prekte rëndë dhe ndikonte në mënyrë negative popullatën shqiptare. Papunësia e madhe ndikonte që njerëzit e aftë për punë të merrnin në sy rrugën e kurbetit, që me vite e vite ishte një plagë e hapur e shqiptarëve. Autori thotë se të aftë për punë Kosova kishte mbi 52% të popullatës (rreth 800 mijë veta), por të zërë në punë në të ashtuquajtura në sektorin shoqëror ka vetëm rreth 168 mijë veta. Më tepër se 700 mijë vetë kërkojnë punë nëpër entet e punës, po numri i të papunëve  është shumë më i madh, sepse shumica e tyre  as që paraqiten  fare në këto farë entesh. Shkalla e zënies në punë e popullsisë së Kosovës është më shumë se katër herë më e ultë se sa ajo në Slloveni[13].

Edhe pse trumbetohej se në Jugosllavi respektohej struktura kombëtare, ajo ishte farsë e kulluar. Si çdo kund në vendet e punës dhe në pranimin e punëtorëve, diskriminimi kombëtar ishte shumë i hapur dhe as që mundoheshin pushtetarët që ta fshihnin. As struktura nacionale e punonjësve  nuk ishte në proporcion  të drejt me strukturën nacionale të popullsisë. Vetëm 62% të punonjësve ishin shqiptarë, kurse serbët dhe malazezët jo më pak se 32,4%. Kjo mospërputhje do të ishte  shumë më e madhe  po të analizohej  struktura  e atyre  që punojnë  nëpër zyra dhe vende udhëheqëse.[14] Populli shqiptarë është i vetëdijshëm dhe ka njohuri të bollshme pse po ndodhin këto, por edhe i mban shpresa se një ditë kupa do të mbushet e pastaj në një mënyrë apo tjetër do të zbrazet, por pasojat e saja do i ndjen mbi të gjitha pushtetarët e Beogradit. Më kot mundohej që të bëhej propagandë e organizuar se pse në Kosovë ekziston një gjendje e tillë kaotike, duke arsyetuar se pse ekziston një gjendje e tillë. Gënjeshtrave dhe kësaj propagande të pështirë në Kosovë nuk i besoi njeri. Populli i Kosovës  po shihte  gjithnjë e më qartë  se shkaktari i vërtet  i kësaj gjendjeje  është kriza  e thellë politike , ekonomike e shoqërore  që po e brenë nga themelet regjimin e Titos dhe shtypja e shfrytëzimi  i egër kolonial  që po ushtrohej mbi ta. Ai po e kuptonte gjithashtu  se e vetmja rrugë për të dal nga kjo gjendje  është lufta  e pa kompromis kundër regjimit jugosllav dhe tradhtarëve shqiptarë[15], e mbyll analizën autori i gazetës “Liria”.

 

Prezantim i denjë i gruas shqiptare në burgjet jugosllave

 

Gruaja shqiptare edhe një herë është temë trajtimi në faqet e gazetës “Lajmëtari i Lirisë”. Kësaj radhe shikuar historikisht, gruan shqiptare e gjejmë të pandashme nga burrat në luftërat për liri dhe pavarësi. Gruan shqiptare në çdo kohë dhe në çdo periudhë e gjejmë aktive krahë për krah me burrat, por vitet dhe dekadat e fundit të shekullit njëzetë, ajo ishte aktive si në frontin e dijes ashtu edhe në frontin e rezistencës. Ishte aktive dhe merrte pjesë në të gjitha organizatat e grupet ilegale që vepronin në Kosovë por edhe jashtë saj. Mori pjesë aktive në demonstrata, por atë e gjejmë edhe pjesëtare të proceseve gjyqësore, por edhe të arrestuar. E gjejmë të torturuar e stoike por edhe të dënuar me vite të shumta burgu.

Për angazhimin dhe burgosjen e gruas shqiptare flet edhe shkrimi i huazuar nga gazeta “Bashkimi”[16], me titull “Ik, o natë, po këndon agimi”. Autori i shkrimit trajton jetën e gruas (70 vetave), që ndodhen në burgun e Mitrovicës. Dhe habit fakti se në burgjet jugosllave, aty dhe vetëm aty respektohet barazia gjinore, bile një numër i konsideruar i tyre thyen rekordin ndër shtete ballkanike për përfaqësimin e tyre në radhët e të burgosurve.

Shqiptarja kosovare, thotë autori, e cila deri më dje ishte në terrin e plotë të padijes, kurse sot  ka zënë të ecë fare natyrshëm në tribunat më të larta shkencore  e kulturore, e kuptoi përfundimisht  se duhet të dal  kudo krah për krah me të vëllanë, me të shoqin dhe të birin, në të gjitha frontet dhe më qëndrimin e patundshëm: Një komb unik shqiptar- një shtet unik! Ky akt i burgosjes  masive  edhe të femrës shqiptare  në Jugosllavi, tregon qartë se kanë rënë  përfundimisht në ujë gjithë kombinacionet  e fëlliqura  jugosllave (që nga viti 1912 e këtej), të cilat shkollimin  e femrës shqiptare e shihnin  si një nga mjetet e rëndësishme për ç’kombtarizimin  e shqiptarëve. E si të mos dështonin , pasi penat e mprehta, që pushteti i Jugosllavisë së vjetër dhe ky i Titos i kishin angazhuar të bënin hulumtime  e projekte shkencore  për asimilimin  dhe shfarosjen  e shqiptarëve, nuk kishin parashikuar dot që do të vinte  dita që femra shqiptare  e Kosovës, e mbrojtur nga një brumë fisnik, në vend që të përqafoi kuazi emancipimin  jugosllav, shkollimin e vet e pa si një detyrë të shenjët , të cilën duhet vënë në shërbim të popullit dhe të çlirimit social e nacional,[17] na dëften autori.

Ajo që e shqetëson më së shumti pushtetin jugosllav, është jo vetëm angazhimi i burrave në jetën ilegale patriotike, por është edhe ndihmesa shumë e madhe që e japin gratë shqiptare në ilegale. Dëshmia më e mirë për shëndetin politik, social e nacional të shqiptares në Kosovë sot është inkuadrimi gjithnjë e më i madh  dhe drejtpërdrejt në lëvizjen  e gjerë për çlirimin social e nacional të shqiptarëve  nga Jugosllavia  dhe bashkimin e tyre  me vendin amë-Shqipërinë. Dhe ky akt i saj bëhet më madhështor kur e dimë se gjithë përpjekjet nacional-shoviniste  të pushtetit  jugosllav ishin përqendruar në degjenerimin, përkatësisht në apolitizmin e rinisë kosovare. Veçanërisht qëndrimi ndaj femrës sonë ishte i tillë që asaj i ofronte  mundësi të shfrenuara për shfrime instinktesh të ultë  pa kurrfarë përgjegjësie  shoqërore, mundësi që krijonin një bazë të fortë amoraliteti total, për degjenerimin, që do tu epte  dorë projekteve shtetërore jugosllave për asimilimin e shqiptarëve.[18] Për të vazhduar më tej se gruaja shqiptare si dëshmitare e kohës, e kuptoi drejt pse ishim të ndarë me shtetin amë,  pse burgoseshin e vriteshin vëllezërit, burri e djemtë e saj vetëm pse kërkonin liri e bashkim që ishim ndarë padrejtësisht. Ajo pa hezituar u fut në radhët e ilegales, duke iu ndihmuar në organizimet e tyre. Bile në shumë raste gratë ishin ato që kryenin shumë punë pa u vërejtur fare nga udbashët. Ato bartnin postën për ilegalet, bartnin ushqime, por bartnin edhe armatimin për të cilën ilegalistët kishin aq shumë nevojë.

Ndërsa burgjet për gratë shqiptare ishin histori në vete, por edhe aty u treguan të forta dhe i përballuan çdo torture. Me indinjatë të thellë[19] shkruante autori për torturat që i bëhen sot kosovares në burgjet  jugosllave, po me zemër të gufuar për aktin e saj të ndritshëm historik të inkuadrimit  direkt në çështjen e madhe  të lirisë, i falënderohemi, nënës, motrës, gruas shqiptare që na e forcoi krahun e luftës dhe jemi të bindur se qysh sot mund t’ia themi të gjithë së bashku këngës: Ik, o natë, po këndon agimi...[20], dhe vërtetë vitet në vijim e dëshmuan se gruaja shqiptare ishte njëri ndër faktorët që e mundi armikun shumë shekullor.

 

Nga shtypi i huaj

 

Në faqet e gazetës, veç shkrimeve që i shkruanin autorët shqiptar, por për hir të situatës së rëndë politike ishin të detyruar që të fshiheshin prapa emrave të imagjinuar ose prapa pseudonimeve që i merrnin vet, dhe që për to dinin një grup i vogël njerëzish, në gazetë ndodhte shpesh që kah fundi i saj mund të hasësh edhe në shkrimet që ishin të marra nga shtypi i huaj, në të cilat bëhej fjalë për situatën në Kosovë.

Në këtë faqe mund të gjesh shkrime nga gazetat e ndryshme botërore siç ishte shkrimi “Për një grusht dollarë”, e huazuar nga Buletini Financiar i Londrës. Në mes tjerash në të shkruanin se funksionarët  më të lartë të Jugosllavisë momentalisht gjenden në disa kryeqytete të Evropës  perëndimore, e do të shkojnë edhe në Tokio, me shpresë se kanë për të mbledhur  një ndihmë  prej tre miliardësh dollarë. Qeveria jugosllave ka bërë një strategji  paushallë për këtë fushat të lypjes së kredive. SHBA, Gjermania Perëndimore, Franca, Japonia, dhe Lindja e Mesme – për të gjitha këto  vende veç e veç Beogradi  ka përcaktuar shumën e kredisë që pret prej tyre[21]  shkruan gazeta.

Ndërsa në shkrimin “Burgosjet masive në Kosovë”, marr nga gazeta kroate “Hërvatski List” që botohej nga emigracioni kroat në Suedi, thuhej se : Gazetari gjerman Rullman informon në të përjavshmen e tij “Ost- Dienset” se në Kosovë janë bërë burgosje masive të shqiptarëve  në të gjitha qendrat e rëndësishme  si Prishtinë, Mitrovicë, Vuçitërnë, Prizren,  Gjakovë, Gjilan etj. [22] Për të informuar opinionin e gjerë gjerman se  Pushteti jugosllav i mbajti sekret këto burgosje, por kur lajmi arriti në shtypin e huaj, “Politika” e Beogradit mori urdhër të shkruante se janë burgosur vetëm 50 shqiptarë, që do të dilnin para gjyqit. Por, ky numër nuk është pesëdhjetë, veçse dy mijë, dhe të burgosurit janë akuzuar për “kominformizëm” dhe irredentizëm (lëvizje çlirimtare). Duke shkruar për kominformizmin, “Politika”, pretendonte ta zbusë jehonën e lajmeve sensacionale në perëndim, po e vërteta është se të burgosurit janë të akuzuar për lëvizje çlirimtare. Pjesa e tyre  më e madhe  janë intelektual, punonjës të fakultetit, të shkollave të mesme etj.

Kjo dëshmon se lëvizja çlirimtare për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar po zgjerohet me hov të madh. Por, mjafton edhe vetëm  kjo aferë politike që qeverisë së re  jugosllave t’i dalin kokëçarje të mëdha[23], shkruan gazeta kroate “Hrvatski List” në Suedi.

            Në vazhdim komenton  gazeta “Lajmëtari i Lirisë” se burgosjet sensacionale të shqiptarëve  në Kosovë, gjithashtu edhe në viset të tjera, madje edhe në Serbin e ngushtë, në B e H dhe në Kroaci, tregojnë se qeveria e re po ndihet e pasigurt pas Titos. Në Mitrovicë është burgosur një klasë e tërë nxënësish, bashkë me profesorët. Që të gjithë këta janë shqiptarë të rinj, gjë që ka rëndësi të madhe! Në Kroaci burgosin për një fjalë goje lidhur me gjendjen politike. Të gjitha ndërtesat shtetërore dhe ndërmarrjet industriale janë ruajtur me kujdestari e me ushtri. Të gjitha këto të lënë me përshtypjen e pasigurisë, gjë që e kanë vërejtur edhe të huajt; vetëm një pjesë e madhe korrespodentësh dhe gazetarësh të prishtë nuk e vërejtën[24], komenton gazeta.

            Ndërsa gazeta “Amnsty International” në shkrimin “Jugosllavia dhe të drejtat e njeriut”, shkruan se mospërfillja e të drejtave të njeriut në Jugosllavi bie mbi kurrizin e disa grupeve  të caktuara. Grupe të rëndësishme përbëjnë nacionalistët  e Kroacisë dhe ata të Kosovës. Me këtë rast duhet  të kemi parasysh se në Jugosllavi ka një dallim  të madh mes veriut dhe jugut... Në republikën e Kroacisë, si më parë, ka forca që kërkojnë  të drejtën historike për një “Kroaci  të pavarur” me gjuhë dhe kulturë të veten, dhe ato forca  i kundërvihen centralizmit të Beogradit. Kundër këtyre forcave , që dalin më pak në pah pas spastrimeve  të vitit  1971, ndërmerren masa rigoroze  dhe ata burgosen me të madhe. Punëtorët kroat në botën e jashtme , të cilët gjoja mbajnë kontakte  me emigracionin kroat, kur kthehen në Jugosllavi nxirren para gjyqit...[25].

Ndërsa më vonë po e njëjta gazetë tërheq paralelen se në të njëjtën situatë ndoshta edhe më të rëndë janë shqiptaret në Kosovë. Në vazhdim ajo shkruan se një nacionalizëm i llojit tjetër  shfaqet në Kosovë. Nacionalistët shqiptarë kërkojnë bashkim me Shqipërinë, Titon e konsiderojnë diktator, këta janë kryesisht nxënës dhe studentë. Ndaj tyre tani së voni është ndërmarrë një valë e madhe burgimesh, të burgosurit më së shpeshti dërgohen  në burgjet jashtë Kosovës...[26]

            Sikurse në vitet e më hershme por edhe në vitet e më vonshme se u dëshmua se më tepër se gjithkund në Ballkan ishte e nevojshme  një stabilitet politik për hir se ishte në interes edhe të perëndimit, politikanët evropian nuk donin ta qortonin Jugosllavin për këtë mospërfillje të të drejtave të njeriut ose të protestonin kundër praktikës së kidnapimeve  nga ana e UDB-es, e për të gjitha këto perëndimi kishte njohuri të mjaftueshme se çfarë po ndodhte me popullin shqiptar dhe me të tjerët në Jugosllavi.

            Duke analizuar me radhë shkrimet e shtypit të huaj, hasa edhe në një shkrim që më tërhoqi vëmendje, ndërsa këtë e kishte botuar gazeta e emigracionit kroatë “Hërvatski List”, me titull “Kundërthënie shqiptare”. Në pika të shkurtra paraqet kundërthëniet shqiptare që mbretërojnë në emigracionin shqiptar. Disa grupe e shoqata që janë formuar në vitet para të pas LDB-së, kanë orientime properëndimore e djathtiste dhe punojnë në dëm të Shqipërisë socialiste. Gazeta na ofron si shembull se Mbreti Lekë në eksil paskësh përgatitur gjatë kësaj vere (1980), një invazion mbi Shqipërinë për ta rrëzuar Enver Hoxhën dhe komunizmin në Shqipëri (me siguri edhe Shqipërinë)....Ai sikur shumë shqiptarë të tjerë, nuk sheh se me një politik të tillë aq të keqe do të bëhej aleat i Beogradit dhe do ta shtynte Kosovën shqiptare edhe më shumë në prangat e Beogradit,[27] për të vazhduar më tej se deri sa të jetë në fuqi kjo politikë:të bësh sehir sesi Serbia e terrorizon dhe e ç’faros Kosovën shqiptare, dhe në anën tjetër  të përpiqesh të shembësh Shqipërinë... Beogradi do të ketë te emigracioni shqiptarë aleatin më të mirë për pacifizmin e Kosovës[28], përmbyll shkrimin gazeta e emigracionit kroat.

            Duhet shtuar se grupi tjetër që përkrahte Shqipërinë Socialiste, dhe luftonte okupimin serb ishte gjenerata më e re, e cila e shtyrë nga dhuna e terrori kishte marr rrugët e kurbetit dhe ishte vendosur diku në shtetet e perëndimit. Të ndikuar nga demokracia dhe të motivuar që Kosovën sa më parë ta shohin të lirë, ata kishin marrë mbi vetëm detyrën e organizmit të shqiptarëve në emigracion dhe me të drejt thoshte atdhetari Jusuf Gërvalla se neve shqiptarëve dhe Kosova nuk ka nevojë për disa zëra të ngritur, por ka nevojë për një zë të fuqishëm, dhe koha e dëshmoi se e tërë kjo ishte një thënie që ndoshta edhe sot kemi nevojë që të gjithë shqiptarët kudo që jemi ti artikulojmë dëshirat tona në një kërkesë të përbashkët.

                   

Vazhdon botimi i i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, nr. 3

 

Qysh në  numrin e parë të gazetës ishte bërë njoftimi nga ana e redaksisë së gazetës se kjo gazetë do të dal njëherë në dy muaj. Kështu edhe numri i tretë i saj doli në muajt janar-shkurt të vitit 1981. Sikurse edhe dy numrat e mëhershëm, gazeta kishte të njëjtën teknik dhe po ashtu vazhdoi të nxirrej nga vëllezërit Gërvalla. Kishte të njëjtin format dhe trajtonte temat e nxehta politike të shqiptarëve dhe tokat shqiptare. Ishte e botuar në format A-4, dhe kishte po ashtu moto sikurse edhe numrat tjerë të saj “Me penë dhe me pushkë...”, që për kohën kur botohej që edhe penda e edhe pushka ishin shumë të nevojshme për shqiptarët e okupuar.



[1] Vdiq vigani i dijes shqiptare, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2.  Tetor-Nëntor 1980, f, 7.

[2] Po aty.

[3] Po aty, f. 8.

[4] Po aty.

[5] Mashtrimi i madh i ramzesëve të vegjël, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 9

[6] Po aty.

[7] PASHIQI-HOTI (paralele), Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980. f, 11

[8] Po aty.

[9] Po aty.

[10] Gazeta “Liria” ishte organ informative i organizatës së OMLK-së, e cila vepronte në Kosovë por kishte degën e vet edhe në diasporë. Si organ filloi të botohej në vitin 1981-1982, dhe u botuan gjithsej në gjashtë numra. Të gjitha shkrimet që botoheshin në të shkruheshin pa emra të autorëve dhe pa pseudonime. Kryeredaktor i saj ka qenë atdhetari i njohur Mehmet Hajrizi.

[11] Gjendja e rendë në ekonominë e Kosovës, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor,  1980, f, 12.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] Po aty.

[15] Po aty, f, 13.

[16] Gazeta “Bashkimi”, ishte organ i organizatës ilegale atdhetare “Fronti i Kuqë” që botohej në diasporë. Këtë gazetë e nxirrte atdhetari i njohur Ibrahim Kelmendi. Ai njëherë ishte edhe kryeredaktor i saj.  Ajo doli gjatë viteve 1979-1981, në pesë numra.

[17] Ik, o natë, po këndon agimi, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 13.

[18] Po aty.

[19] Po aty, f, 14.

[20] Po aty.

[21] Për një grusht dollarë, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 15.

[22] Burgosje masive në Kosovë , Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 15.

[23] Në këtë mënyrë në vitin 1980, komentonte ngjarjet dhe burgosjet e intelektualëve në Kosovë gazeta “Hërvatski List”, në Suedi.

[24] Punim i cituar “Burgosje…”, f, 15.

[25] Gazeta “Amnesty International”, 1980.

[26] Jugosllavia dhe të drejtat e njeriut, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor, 1980, f, 15.

[27] Hërvatski List, Suedi, 1980.

[28] Kundërthënie shqiptare, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 16.




(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: