Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III)
| E Marte, 22.12.2009, 10:46 PM |

Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha


Prezantimi i tipareve të gruas shqiptare tek të huajt

 

Shtypi i ilegales që botohej në Kosovë por edhe jashtë saj, i kushtonte rëndësi të madhe prezantimit të denjë të gruas në përgjithësi e në veçanti asaj shqiptare. Gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, në çdo numër të saj gati-gati çdo herë i kushtonte nga një faqe për luftën, angazhimin e gruas shqiptare në luftërat për liri e pavarësi.

Veç autorëve shqiptar që i kënduan gruas shqiptare, për të shkruan edhe shumë autor të huaj, të cilët kishin arritur në përfundime të përbashkëta  se populli shqiptar është një nga kombet më të bukur nga pikëpamja fizike, madje ndonjë prej këtyre udhëtarëve shkencëtarë i quante shqiptarët si “kombësinë ndoshta më të bukur të “Turqisë Perëndimore”[1]. Në punimin “Krah për krah me burrin në luftën për liri”, autori Ligor Mile, shkruante se një shkencëtar i huaj kishte thënë për gruan shqiptare se gratë që nxjerrin në dritë burra të pamposhtur dhe trupmëdhenj dallohen gjithashtu për forcën e organizimit të tyre edhe për thjeshtësinë e zakoneve  të tyre... Ato ndajnë me burrat punët, udhëtimet dhe rreziqet e tyre”. Ndërsa një udhëtar francezë i mesit të viteve 30 të shekullit të 19-të, pasi u njohë me popullsinë e trevës së Tomorit, erdhi në përfundim se “Midis luftëtarëve të Tomorit dhe midis grave  të tyre gjendën më shumë se një model për një Apollon dhe për një Venus”[2]

Duke u marr me vlerat shpirtërore të popullit shqiptarë, autorë bashkëkohorë qenë të një mendimi se “krenaria kombëtare shfaqet edhe në fjalët më të vogla të shqiptarëve , në gjestet e tyre, në ecjen e tyre të lehtë. Guximin e kanë që nga lindja e qysh në vogëli, ata janë qitës  të shkëlqyer. Një nga gjeografët më të njohur evropianë të viteve  70 të shekullit të 19-të i përshkruante  shqiptarët si “të dalluar  për finesën e shpirtit, për qartësinë e mendimit  dhe për forcën e karakterit”[3] shkruan gjeografi i huaj.

Gjatë lëvizjes kryengritëse, që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na dëshmon se në malësitë e lira “gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët  e luftëtarëve”, “se  “gratë qenë të ngjeshura me armë, të veshura  ushtarakisht” duhet dalluar sidomos gratë në Shqipërinë e Sipërme.

Duhet cekur se gruaja shqiptare në asnjë periudhë kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së gruas në luftërat për liri janë të shumta, sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Ky patriotizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që veshën rrobat partizane dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë LANÇ[4].   

Edhe pse kishte përfunduar Lufta e  Dytë Botërore, burrat e gratë e Kosovës nuk u kënaqen me gjendjen ekzistuese. Ata gjetën forma e mënyra që ti kundërvihen okupuesit të “ri”. Gratë shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë me formimin e UÇK-së, dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftërave për liri.

 

Prezantimi i poezive në faqet e gazetës

 

Në faqen 15, të gazetës zënë vend edhe disa poezi të Ndoc Gjetës. Thënë të drejtën Për Ndoc Gjetën  nuk më ka rënë të lexoja, andaj edhe nuk e dijë se a është ndonjë emër i vërtet apo ndonjë pseudonim i dikujt. Autori prezantohet me tri poezi që kryesisht kanë karakter atdhetar siç janë : “Më kishin ardhur njerëzit”, “Gjyshit” dhe poezia “Unë shtëpinë e kam te fjala “shok””. Në poezinë “Gjyshit” autori na paraqet fatin e kombit shqiptar që nëpër vite u përndjek, u zhduk, porse megjithatë nuk ia arritën qëllimit. Poeti këndon se poçes ka nevojë, ai është në gjendje që :Gjakun tim te udha e jetës/ pika-pika e piftë dheu/gjithsaherë ti thahet buza, gjithsaherë ta marrë etja/ e iu bëftë shëndet e gëzim/ u bëftë lule, gjeth e bar/ u bëftë rrita e Shqipërisë,/ zë fëmije ndër pelena”[5], përfundon autori duke e mbyll poezinë me vargje dëshirore.

 

Vazhdon rrugën e informimit të drejt, numri 2 (dy) i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

 

Numri 2 (dy), i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, botohet pas dy muajve, po ashtu duke e ruajtur fizionominë si në aspektin teknik, po ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Botohet në letër A-4, me një teknik duke u shtypur fillimisht në makinë shkrimi, e më vonë duke u shumëzuar në shaptilograf. Materia e përfshirë në të është nga më të ndryshmet si nga fusha politike, ekonomike, arsimore e lëmi të tjera që ishin me interes për mërgatën shqiptare që jetonte e vepronte në mërgim.

Sikurse edhe numri i parë, për moto kishte thënien e njëjtë  “Me penë dhe pushkë...”, veç kësaj, gazeta  ka në ballinë edhe një pjesë shkrimi të marr nga Arben Puto ku thuhej se     “ Në kundërshtim  të hapët me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive  vendëse, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra si Rrafshi i Dukagjinit , Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni. Më tepër se gjysma e popullsisë së vendit dënohej të ndërronte zgjedhën e vjetër turke me një zgjedhë të re, atë të Serbisë dhe të Malit të Zi”[6].

Numri i kushtohet festave të nëntorit, duke iu uruar të gjithë lexuesve “Gëzuar festat e Nëntorit”. Në ballinë është edhe një vizatim që portretizohen tre luftëtar.

Gazeta si zakonisht fillon me shkrimet të cilat trajtojnë jetën e rëndë e të robëruar të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

 

Arrestimet e burgosjet e shqiptarëve

 

Në faqen e dytë të gazetës, prezantohet një shkrim “Jo ngushëllime, po urim”, në të cilin nuk figuron kurrfarë emri autorësh. Si shkas të shkrimit , autori i panjohur shtjellon ngjarjet e fundit politike dhe arrestime që organizohen ndaj shqiptarëve. Në fillim të shkrimit, jepen të dhëna se si është dënuar dhe është gjobitur Millovan Gjillasi nga pushtetarët e atëhershëm. Ndërsa në pjesën e dytë të shkrimit, autori na dëften se si është dënuar atdhetari Adem Demaçi.  Ai shkruan se “Është një “plebej” shqiptar, i cili po dënohet qe tri herë me burg të rëndë. Një herë pesë, pastaj dy herë nga pesëmbëdhjetë  vjet! Tamam aq sa të mos e shohë kurrë diellin me sy! Madje pa nxjerrë kurrfarë gazete si  “Çasovnik-un” që e kishte nxjerr Millovan Gjillasi. Anomali, pyet autori i shkrimit, dhe përgjigjej me –Jo[7]. Historia na kishte mësuar se okupuesi në çdo kohë dhe në çdo periudhë mllefin e vet e shprehte sidomos ndaj atyre që iu kishte frikën. Andaj edhe vazhdon në shkrimin se : Dënimet më të rënda një shtet i ka për njerëzit që paraqesin rrezikun më të madh për atë shtet.[8] Për të vazhduar se UDB-eja i ka llogarit e veta, shumë të qarta: dënimet sa më të rënda për patriotët  shqiptarë, izolimin total të familjeve të këtyre patriotëve , presionin politik edhe mbi rrethin e ngushtë e të gjerë të tyre... A ka fakte më të mira që të na mbushin mendjen se, për Serbinë hegjemoniste, pika neuralgjike jemi pikërisht ne, shqiptarët. Dhe a duhet të na dëshpëroi e të na trembë kjo gjë, apo të na bëjë çdo ditë më të lumtur e më të fortë, se kështu po i afrohemi realizimit të aspiratave tona shekullore[9]. Nga kjo del se njëherë e mirë të gjithë shqiptarët kudo që janë, e kanë të qartë se liria e një populli nuk fitohet pa gjak dhe pa sakrifica.

Autori me pseudonimin Lul Ndreu (Jusuf Gërvalla), na jep të dhëna që janë alarmuese, se UDB-eja jugosllave kishte marr hapa tronditës ndaj shqiptarëve, duke arrestuar dhe dënuar për hiq gjë shumë të rinj shqiptarë. Me 10 qershor të këtij viti (1980, S.K-B), “Rilindja” mori leje të nxirrte emrat e një grupi prej 8 vetash : Shefqet Jashari[10], Ramadan Pllana[11], Avdi Kelmendi[12], Abdyl Lahu[13], Isa Demaj[14], Sylejman Qyqalla[15], Skender Jashari[16] dhe Hysen Gërvalla[17]- që Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dha dënime 3-8 vjet burg të rëndë për “vepër penale  të propagandës dhe bashkim me qëllim të veprimtarisë armiqësore “. Një muaj më vonë po kjo gazetë solli edhe lajmin nga Gjyqi i Qarkut në Shkup, i cili për të njëjtën “vepër” kishte dënuar me 3-6 vjet burg të rëndë Gani Sylajn[18], Muharrem Shalanin[19] dhe Haxhi Maliqin[20]. As te grupi i parë e as te grupi i dytë (dhe as te afro 2000 të burgosurit e tjerë politikë  shqiptarë, që i burgosi vjet UDB-eja), nuk janë kapur materiale armiqësore të dënueshme  me ligjet ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkrua  edhe vetë Jugosllavia në Helsinki, para disa vjetësh. Të burgosurit në fjalë janë privuar lirie vetëm për deklarata  verbale ose shkresa unike apo të shumëzuara me dorë e makinë shkrimi-dhe kjo gjë është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.[21]

Historikisht dihej se Jugosllavia gjatë gjithë pushtetit dhe shtetit sa ekzistoi burgjet e saja ishin të mbushura me shqiptarë. Andaj, jo rastësisht e dënuan Adem Demaqin, simbolin e rezistencës shqiptare.

Në shkrimin e Lul Ndreut, supozojmë se është Jusuf Gërvalla, jepen të dhëna të bollshme për arrestimin dhe dënimin e Adem Demaçit. Në tekst thuhej se Gjyqi jugosllav e ka dënuar tri herë me burg të rëndë, luftëtarin më të paepur kosovar për idealin kombëtar dhe njerëzor në Kosovën e pasluftës (pas vitit 1945, shënim i S.K-B): më 1958, me pesë vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur  3; më 1964 me 15 vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur 10 vjet; dhe më 1975 po me 15 vjet burg të rëndë, nga të cilat i kanë ngelur edhe 10 vjet... Të tri herët është dënuar për “vepër  armiqësore  kundër popullit dhe shtetit”. Në gjykimin e fundit, në shtator 1975, patrioti i ynë pat deklaruar haptas, pa hezitim dhe me domethënie të thellë: “Megjithëqë... plotësisht i pafajshëm, unë gjithmonë kam qenë dhe kurdoherë kam për të qenë- deri në vdekje- për idealin kombëtar e njerëzor; dënimi që po më bëhet mua është dënim për bindje dhe mendime, e jo për vepër, dhe kjo gjë është, me sa di unë kundër ligjit dhe në kundërshtim  me të gjitha normat ligjore ndërkombëtare e njerëzore[22], autori mbyll të dhënat për Adem Demaçin.

 

Festimi i ditës së flamurit 


Në numrin e dytë të gazetës, redaksia nëpër mes faqeve të saj, të gjithë shqiptarëve i’u uron festën e flamurit, duke e dhënë edhe një historikë të saj. Pas 62 –vjetësh, përsëri populli shqiptarë këtë festë e festojnë në dy mënyra të ndryshme. Në Shqipëri (në shtetin politik), festa shënohet në mënyrë transparente, dhe duke evidencuar rezultatet e arritura të vendit, ndërsa, Kosova dhe vendet tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, shënojmë lavdin e të parëve tanë, që tokën mëmë e ulëm me gjakun e tyre të shtrenjtë  po të pakursyer, dhe mjerimin e sotëm kush nën robërinë e egër të pushtuesve sllavë e grekë dhe kush në udhën e madhe të kurbetit në dhera të huaja[23], thuhej në shkrimin “Gëzuar Nëntori”, në faqen 3 të saj.

Viti 1980, siç dihej ishte viti i fundit kur bëheshin përgatitjet e mëdha për pranverën shqiptare të ’81-shit. Në këtë shkrim edhe bëhet përshkrimi i situatës politike që mbretëronte në këtë kohë. Kështu shkruan gazeta: Ne shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tona të tjera brenda Jugosllavisë, këtë nëntor po e shënojmë në një skamje e mjerim të madh, ku jemi katandisur në saje të një politike kolonialiste të pushtuesve jugosllavë, me lot ndër sy qajmë vuajtjet e motrave dhe të vëllezërve tanë, që lëngojnë në burgjet e armikut gjakësor, por dhembja jonë është dhembje krenare, sepse ata nuk e kursyen rinin e tyre, por u hodhën në luftë të guximshme për realizimin e aspiratave  tona shekullore për bashkimin e tokave shqiptare dhe për shembjen e rendit  antipopullor e anti shqiptar në Jugosllavi[24] përfundon autori, duke shpresuar se në të ardhmen dhe festat tjera kombëtare do i festojmë s’bashku me shtetin amë-Shqipërinë.

 

Fytyrë e kthyer nga Shqipëria

 

Si në çdo  gazet ilegale po ashtu edhe në “Lajmëtarin e lirisë”, vend i dukshëm i kushtohet Shqipërisë dhe të arriturave të saja. Duhet përmendur se në faqen e tretë të gazetës është shkrimi “Me sy e zemër nga nëna Shqipëri”. Autori shkruan për Shqipërinë dhe për rrugën e mundimshme të saj. Zhvillimet si në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë e shumë lëmi të tjera e bëjnë autorin e shkrimit që të fascinohej me të arriturat e shtetit amë. Autori duke mos e ditur realitetin e shtetit lavdëron të mirat e komunizmit që lulëzon në çdo cep të Shqipërisë. Në shkrim jepen tradhtitë e shumta që i bëhen popullit shqiptar duke filluar që nga koha e Skënderbeut të madh, të tradhtive të më vonshme që i bëjnë konferencat ndërkombëtare e deri te viti 1945, që i bënë Jugosllavia, Rusia e Kina, por shton se megjithatë, populli shqiptarë ia doli mban pa u përkulur e nënshtruar asnjë dashakeqi. Sido që të jetë, Shqipëria është Shqipëri, nëna dhe babai i ynë, i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën.

Për një moment, autori i shkrimit ndalet dhe prezanton të dhënat për shqiptarët që janë okupuar nga Jugosllavia, ai thotë se:” Deri sa ne na kanë zhdukur pasivisht si “ballistë” dhe deri sa kemi duruar urie; deri sa ne kemi shikuar me sedër të vrarë kombëtare si zbret dhe si na ndalohet flamuri shqiptar me të cilin i kishim çliruar tokat tona; deri sa nga vatrat tona  të dashura na kanë dëbuar me tortura e shantazhe; me një fjalë, gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet më të egra të gjenocidit nga ana e social-shovinistëve titistë, i vetmi satisfakcion për ne ka qenë forcimi dhe zhvillimi i mbarë Shqipërisë mëmë dhe denoncimi nga ana e  saj i të zezave  të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë. Dhe në vend të ndjenjës së braktisjes nga Shqipëria mëmë, qenien tonë e mbushi ndjenja e fuqishme  se nuk jemi vetëm dhe ka kush na del zot, ka kush davarit mjegullën, me të cilën titistët menduan ta mbështillnin historinë tonë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve.[25] Dhe vërtet, ishte për të gjithë shqiptarët një satisfakcion i mirë se ne kishim shtetin amë e cila angazhohej dhe luftonte atje ku mundte dhe duke e pasur parasysh ndikimin e saj në botë, çdo herë dhe në çdo kohë bëri atë që mundi duke mos kursyer asgjë nga vetja.

 

Shkrime me karakter optimist

 

Në faqen 4 e 5 të gazetës janë edhe ca shkrime që në vete ngërthejnë tone optimiste si shkrimi “Kohët ndërrojnë fatlumnisht”. Autori shton në shkrim se vetëm i padituri dhe kopuku[26], thënë me një fjalë mendojnë se koha nuk ndryshon, ndërsa e vërteta është krejt tjetër, ngase askush dhe nga asnjë njeri nuk mund të ndalet dielli kur të vijë mëngjesi për të aguar, po aq më tepër është për të ardhur keq, se si disa miop mendojnë se lirinë që e kanë uzurpuar nuk do të mund kurrë t’iu kthehej atyre që e meritojnë atë. Autori më 1980 mendonte e shkruante se një ditë do të vijë liria, dhe vërtet trimat e trimëreshat shqiptare e sollën atë, edhe me sakrifica por ata kishin bërë benë dhe se ishin të vetëdijshëm se liria fitohet me gjak e jo me llafe te kota.  

Edhe shkrimi “Njeriu në qendër gjithçkaje” i kushtohet avancimeve të shumta në Shqipëri duke pasur protagonistin kryesor shkrimtarin dhe publicistin e madh francezë, prof. Rober Eskarpin, i cili më 1980, kishte qëndrua disa ditë për vizitë në Shqipëri. Shkrimtari Robert kishte ngelur i mahnitur me të arriturat e shteti shqiptar dhe ajo që i kishte pëlqyer më së tepërmi ishin fjalët e një malësori, i cili i kishte thënë se shteti shqiptar në qendër të çdo gjëje e ka njeriun. Dhe shton profesori se :”Kur ky fshatar shqiptar thoshte se njeriu është në qendër të gjithçkaje, ai e vinte atë fizikisht, me të gjithë pushtetin, dëshirat, trupin e tij, botën e tij të brendshme, që t’i lejonte atij të hapte aty një vend për kohën e jetës së tij, dhe jo për ti siguruar atij me disa fjalime  metaforike përjetësinë e kotë të një shpirti të patjetërsueshëm...[27] . Ky shkrim është i huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit”.

Në këtë faqe është edhe një poezi nga një poet turk, Tahsin Saraç: “Shqiponjë me zemër të bardhë”. Poezia është e shkruar me 2 qershor 1980, në qytetin e Shkodrës. Poeti turk i frymëzuar  nga ajo që kishte parë e shijuar, frymëzohej dhe shkruan këtë poezi. Duke shpreh dashurin e madhe për shtetin shqiptarë, në vargje shkruan: Dashurova/ njerëzit të thellë  si ujërat e nëndheshme/ të ndjeshëm/ të thjeshtë/ krenar/ zemërimi i tyre është si bubullimë e qiellit/ ndërsa dashuria e tyre si turfullimë e një fluture/ ... Dashurova/ vështrimin tënd/ në zemërim dy grykë të një pushke/ në buzëqeshje një tufë lule”[28], shprehet autori.

Në faqen e pestë shkruhet për librin e Enver Hoxhës “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, që u botua më 1980, në Tiranë. Po ashtu në faqen e 8-të ndodhej shkrimi  i marr nga V.I. Lenini “Situata Revolucionare”. Ndërsa “Kronika e lajmëtarit”, ndodhet në faqen e gjashtë të gazetës  ku në mënyrë të dendur jepen ngjarjet që ndodhin në botë, por që prezantohen në mënyrë informative.

Shkrimi “Dokumenti i gatishmërisë”, shkruan për situatën tejet tensionuese që mbretëron në këta muaj në Kosovë. Aty thuhej se pas një ndeshjeje futbolli, gati-gati erdhi edhe te shpërthimi i demonstratave të përgjithshme popullore. Populli shqiptarë asnjëherë nuk do të harrojë vitin 1968 dhe demonstrata studentore, po vallë? pyet autori i shkrimit se vendi dhe preteksti i tyre mund të jetë i pakuptimtë në dukje të parë: reagim për një padrejtësi sportive në fushën e futbollit. Por, duhet të jesh fare jashtë realitetit shoqëror kosovar, nëse çështjen e kufizon në këtë mënyrë. Edhe fizikisht, demonstratat kaluan jashtë fushës së sportit, u përhapën në rrugët e Prishtinë dhe zgjatën deri natën vonë. Vallë, një padrejtësi e thjeshtë sportive  mund t’i shtynte qytetarët tanë që “tërbimin” e tyre ta derdhnin mbi çdo automjet, të madh a të vogël, që nuk kishte targë të Krahinës sonë?! A s’i përkujtojnë autobusët dhe veturat e përmbysura, demonstratat e 1968-ës?!.[29] Me këtë rast kërkon autori i shkrimit që ilegalja shqiptare që e ka marr përsipër që ti shtyjë proceset përpara dhe duhet të bëjë kujdes, dhe të ketë çdo gjë nën kontroll se s’ka revolucion pa popullin dhe s’ka popull jo revolucionar.  Gjithçka varet nga kushtet objektive , në të cilat do të shpërthejë ose jo revolucioni[30]. Ndërsa sa i përket situatës në Kosovë ajo është e stër-ngarkuar me elektricizëm të fuqishëm revolucionar. Duke përfunduar shkrimin autori anonim thotë se “Për revolucionarin e vërtet është e qartë se shkarkimi i këtij elektrizimi do të bëhej më me vend e më me efekt po të kishte udhëheqës të denjë revolucionar, që do të viheshin në ballë të masave të revoltuara për t’u prirë atyre kah fronti i shenjët i çlirimit të tokave stërgjyshore dhe i bashkimit me Atdheun tonë të lirë, Shqipërinë Socialiste[31]” përmbyllet teksti.

Petraq Risto, në këtë numër prezantohet me një cikël poezish “Vargje për Revolucionin” të përbërë nga tri poezi: Vargje për revolucionin, Superfuqitë; dhe Kronik polake. Në formë vargjesh poeti polak paraqet realitetin në vendin e tij duke thënë se : Varshava/ Gdansku/ Balltiku/ marrin ngjyrën e gjakut/ Punëtorët e revoltuar/ shtrëngojnë radhët/ Jerosheviqi çmendet, bërtet:/ Sus, heshtni, sus/ Po çmimet ngrihen me shpejtësi/dhe punëtori ndjen dhembje/ ngre zërin pa frikë/ Tërbohet Sejmi polak...[32]” duke shtuar se gjithçka në botë mund eksportosh por për revolucionin është një pikëpyetje e madhe.



[1] Krah për krah me burrin në luftën për liri, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980. f, 14.

[2] Po aty

[3] Po aty.

[4] Po aty. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Gratë shqiptare për çështjen kombëtare, Rilindja (fejton)…

[5] Ndoc Gjetja, Gjyshit, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 15.

[6] Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 2, Tetor-nëntor 1980, (ballinë)

[7] Jo ngushëllime, po urim, Lajmëtari i lirisë, viti I, nr. 2. Tetor-nëntor 1980, f, 2.

[8] Po aty.

[9] Lajmëtari i Lirisë, Viti I.  nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 2.

[10] Shefqet Qerim Jashari,  përkthyes, (1944), Strofc, 25.05.1980, neni 136/1  LPJ.  ( 8 vjet burg )

[11] Ramadan Islam Pllana, student, (1947), Shtitaricë, 25.05.1980, neni 136/ 1 LPJ.   (7 vjet burg )       

[12] Avdi Daut Kelmendi, ( 1951 ), Ribar, 25.05.1980,  neni 133/ 1 LPJ.                     (5 vjet burg ) 

[13] Abdyl Elez Lahu, referent, ( 1944 ), Gllamnik, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.      ( 4 vjet burg )   

[14] Isa Musa Demaj, profesor, (1946), Shkrel, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.             ( 4 vjet burg )  

[15] Sylejman R. Qyqalla, punëtor, (1954 ), Bellaqevc, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ.  (4 vjet burg )      

[16] Skender M. Jashari, punëtor, ( 1954 ), Prishtinë, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.   ( 3 vjet burg )

[17] Hysen  B. Gërvalla, bujk, (1941), Dubovik, 25.05.1980,  neni 133/ 1 LPJ.  ( 3 vjet burg )                        

[18] Gani Sylaj, profesor, (1952), Kizhnarekë, 21.12. 1979, dënohet në Shkup me 6 vjet burg të rëndë. Më 1981, pasi se ishte zbuluar organizata OMLK-së, në të cilën kishte qenë i angazhuar, ai përsëri nxirret para gjyqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe i shqiptojnë dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë.

[19] Muharrem Shaljani, nga Likova e Kumanovës, po ashtu me 21 dhjetor Gjykata e Qarkut në Shkup e dënon me 5 vite burg të rëndë.

[20] Haxhi Maliqi, po ashtu nga fshati Likovë e Kumanovës, po ashtu kjo gjykatë e dënon me 3 vite burg të rëndë.

[21] Punim i cituar, Jo ngushëllim,…, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr, 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 2 .

[22] Po aty.

[23] Gëzuar Nëntori, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.

[24] Gëzuar Nëntori, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.

[25] Me sy e zemër nga nëna Shqipëri, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 3.

[26] Kohët ndërrojnë fatlumnisht, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 4.

[27] Njeriu në qendër gjithçkaje, Lajmëtari i Lirisë, Viti, I. nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 4.

[28] Tahsin Saraç, Shqiponjë me zemër të bardhë, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2, Tetor- Nëntor 1980, f, 4.

[29] Dokumenti i gatishmërisë, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 2. Tetor-Nëntor 1980, f, 6.

[30] Po aty.

[31] Po aty.

[32] Petraq Risto, Vargje për Revolucionin, Lajmëtari i Lirisë, Viti, I. nr. 2, Tetor-Nëntor 1980, f, 6.




(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: