Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II)
| E Diel, 20.12.2009, 07:56 PM |

Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”


Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

 

Numri i parë i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, befasi e këndshme për mërgimtarët

 

Gazetat si “Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë” dhe “Liria”, nuk ishin gazetat e para që botoheshin në perëndim, porse ishin gazetat e vetme që sollën një frymë të re në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi e në veçanti të shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që kishin ngelur nën Jugosllavi.

Për herë të parë në këto gazeta filluan të botoheshin shkrime analitike të argumentuara me të dhëna shkencore, botoheshin polemika të ndryshme me shkencëtar të ndryshëm sllav të cilët u mundoheshin për ta shtrembëruar të vërtetën për shqiptarët dhe Kosovën. Në të mund të lexosh shumë tema të cilat gjerë më atëherë opinioni i gjerë nuk i kishte ditur dhe nuk kishte pasur rast ti lexonte. Në mënyrë të argumentuar u prezantonin politika, ekonomia, arsimi, kultura, si dhe tema të ndryshme nga shkencat e ndryshme po ashtu edhe me fakte e statistika shkruhej për dhunën, terrorin, të burgosurit, të arrestuarit, shkruhej edhe për ushtarët e vrarë që ktheheshin në arkivole nga ushtria serbe.

Në të gjitha gazetat mund të hasësh gati-gati moto të ngjashme të tyre në të cilat ishte lufta e pa kompromis për çlirim dhe bashkim kombëtar. Për gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, nuk kishte gjë më të rëndësishme se sa për atdheun e robëruar të luftohej me pushkë dhe me pendë për liri dhe bashkim me vendin amë, Shqipërinë.[1]

Revistës i paraprin punimi “Perditio tua, Israel, ex te”, që në bazë të hulumtimeve që kam bërë në shumë vende thuhej se këtë punim e ka shkruar Jusuf Gërvalla, por para se të bëja analizën e këtij punimi, do të ndalesha, në fjalën përfundimtare të Jusuf Gërvallës që e jep për vetë numrin e parë të revistës, “Dy fjalë për numrin e parë të “Lajmëtarit të Lirisë’”, përfshin arsyet, shkaqet, platformën dhe qëllimet pse kanë vendosur që të botonin këtë gazetë. Në shkrim thuhej se “Kemi nderin që në kushte jashtëzakonisht të vështira  të ilegalitetit, të dalim para lexuesit shqiptar me një revistë të përdymuajshme revolucionare, që e kemi emëruar “Lajmëtari i Lirisë”. Shpresojmë se nëpërmjet këtij organi do t’ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave  revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim me vendin amë, Shqipërinë[2], thoshte redaksia e gazetës.

Ata shpresonin se në këtë mënyrë do të plotësonin edhe një detyrë. Informimin e drejt e llogariteshin si një dimension të luftës së përgjithshme ndaj okupuesit. Se me anën e informimit do të godasin dhe do të demaskojnë botërisht armikun shekullor, qeverinë shoviniste e antishqiptare të Beogradit dhe në një mënyrë do të sensibilizojnë luftën e drejtë të ilegales shqiptare që për qëllim kishte çlirimin e pjesës së robëruar të atdheut nga okupimi jugosllav.

Në Gazetën “Lajmëtari i lirisë” shkruanin se gazeta është e hapur për të gjithë ata të cilët kanë ide dhe veprojnë për të mirën e kombit dhe për çlirimin e tij. Për redaksinë e gazetës nuk ishte e rëndësishme se nga cila anë vijnë idetë nga ilegalet, gjysmë ilegalet apo edhe nga vet legalet, tani për tani e rëndësishme ishte lirimi i tokave shqiptare të okupuara nën Jugosllavi[3].

Për platformën e gazetës shkruanin se ata, përfaqësonin vijën politike kombëtare-marksiste, por lidhur me ideologjinë marksiste, këto gazeta ishin marksiste vetëm aq sa mos të binin në kundërshtim me Tiranën zyrtare. Duke u nisur nga kjo, të gjitha organizatat dhe grupimet politike (mbi pesëdhjetë sosh), e ndiqnin këtë rrugë.

Gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, vinte në të dhënat shumë interesante se armiku i ynë shekullor, qeveria e Beogradit, për të dëmtuar luftën tonë të drejtë, e cila mund të arrihet vetëm duke përfillur idenë e një revolucioni të përgjithshëm[4], shpik dhe propagandon gjithçka vetëm e vetëm për ta zbehur luftën dhe angazhimin e shqiptarëve për liri e pavarësi. Duke u nisur nga këto të dhëna, redaksia e gazetës, mendon se për ta kryer këtë luftë dezinformative për shqiptarët, thonë se do ia lënë këtë punë që ta kryej vet gazeta me një informim të drejt dhe të sinqertë.

 

Historiku i robërisë

 

Në shkrimin “Perditio tua, Osrael, ex te”, në të cilin  nuk figuron as emër e mbiemër të autorit, porse as pseudonim (në gazetë të gjitha shkrimet janë të shkruara pa emrin e autorit, por nuk kanë as pseudonime, përveç shkrimeve që i marrin nga autorët shqiptar, nga Shqipëria). Në bazë të disa shkrimeve të mëhershme thuhej se këtë shkrim e ka shkruar Jusuf Gërvalla si dhe shumë shkrime të tjera e aty-këtu ka botuar edhe Bardhosh Gërvalla.

Autori Jusuf Gërvalla fillon me “Kosova, (por termi Kosovë është me fusnotë, dhe shpjegohet në këtë mënyrë “Që nga pushtimi jugosllav, ne shqiptaret kemi quajtur me fjalën Kosovë të gjitha tokat shqiptare, që kanë hyrë nën okupimin jugosllav”) pas daljes nga robëria pesëshekullore  turke, e cila u zëvendësua me një robëri edhe më të rëndë- atë sllave, në kohën kur Shqipëria e sotme  fitoi pavarësinë, më 1912, u nda në katër të ashtuquajtura  banovina.. Kjo ndarje kishte qëllime kryekëput politike dhe shërbente për t’i mbajtur sa më lehtë në zotërim shqiptarët e papërkulshëm, kurse katër banovinat u përgjigjën katër regjioneve, brenda të cilave është mbërthyer edhe sot populli shqiptarë në viset e robëruara nga Jugosllavia e Titosë: Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi.[5] Në vazhdim, elaborohen të gjitha masat shtetërore që kishin ndërmarr që sa më shumë shqiptar të ikin nga trojet e veta të natyrshme. Dhuna, terrori, shpërnguljet në masë, djegia e fshatrave dhe e qyteteve shqiptare të gjitha këto kishin vetëm një qëllim realizimin e planit shtetëror jugosllav për shfarosjen apo edhe asimilimin e plotë të shqiptarëve, të cilët atëbotë qenë bërë prag i pakapërcyeshëm për daljen e Serbisë në Detin Adriatik dhe përgjithësisht për apetitet pansllave të monarkive të Serbisë dhe të Malit të Zi, më vonë Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

Në shkrim jepen e shpjegohen gjerë e gjatë periudhat historike, duke mos lënë anash asnjë kohë e cila ishte e rëndësishme për shqiptarët. Për lexuesin e rëndomtë janë  sinjifikative të dhënat e tilla ngase nuk ishin mësuar që të lexonin diçka të tillë dhe duke i quajtur të gjitha gjerat me emrin e vërtet.

Jusuf Gërvalla analizonte dendur periudhën pas vitit 1912 duke kaluar në kohën kur formohet Mbretëria e SKS-së e deri tek formimi i shtetit Jugosllav (1945). Por, thekson autori, se edhe pse evoluuan sistemet, ndryshuan kufijtë, u ndërruan udhëheqësit, u sollën shumë vendime , u mbajtën shumë konferenca lidhur me zgjidhjen e problemeve të popujve e shteteve, megjithatë, asnjë sistem e pushtetar jugosllav nuk hoqën dorë nga aspiratat shoviniste ndaj popullit shqiptar. Të gjitha udhëheqësit merrnin mbi vete kultivimin dhe barazinë e kombeve dhe të kombësive që jetonin në Jugosllavi, se kështu edhe kërkohej nga rregullat në shkallë ndërkombëtare. Porse Jugosllavia në çdo periudhë dhe në çdo kohë në mënyrën më dinake i shkelte të gjitha normat the i thyente të gjitha rregullat, duke i paraqitur para botës se populli shqiptar që jeton në Jugosllavi i gëzon të gjitha të drejtat si ato njerëzore po ashtu edhe ato shtetërore.

Rëndësi të veçantë dhe permanente pushteti jugosllav i kushtonte kultivimit të propagandës antishqiptare, që ishte armë e fuqishme në duart e pushtetarëve. Dihej se shqiptarët gjatë të gjitha periudhave në Jugosllavin socialiste nuk kishte mjete të pavarura që në mënyrë të drejtë të informonte opinionin kombëtar si dhe atë ndërkombëtar, andaj edhe ishte krejt e natyrshme që dezinformata arrinte edhe qëllimin e vet optimal. Opinionit të gjerë i mungonin informatat e vërteta për historikun e okupimit të shqiptarëve në Jugosllavi, aktualisht, thoshte autori për opinionin mesatar jugosllav dhe botëror, që manipulon me informatat elementare dhe fare të cekëta lidhur me Jugosllavinë, në këtë pjesë të Ballkanit , përkatësisht në këtë shtet, ose nuk ka fare shqiptarë, ose ata përbëjnë një pakicë të parëndësishme, që nuk meriton kushedi se çfarë kujdesi. Në rastet më fatlume, një pjesë e opinionit të tillë e di përafërsisht numrin e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve politikë jugosllavë, por nuk e di se këta shqiptar jetojnë në tokat e veta të pushtuara nga Jugosllavia dhe mendon se Jugosllavia ka bërë shumë për realizimin e të drejtave të tyre nacionale, sociale dhe ekonomike.[6] E keqja nuk ka kufi thoshte populli dhe vërtetë, politika sllave kishte shkuar aq larg sa qëllimet e veta ekspansioniste i mbështillte e i kamuflonte sa edhe numrin e popullsisë shqiptare e pat ndarë e copëtuar në disa terme të pakuptimta si mysliman, torbesh, turq e shumë popullsi të tjera që kombi shqiptar as në imagjinatën më fantastike nuk i kishte menduar. Qëllimi i krejt saj dihej, edhe më tej ishte dhe mbeti zvogëlimi i numrit të popullsisë shqiptare, uzurpimi i pasurive të shumta tokësore , maskimi i kompaktësisë etnike shqiptare në të gjitha viset e tyre, me qëllim të përvetësimit të të gjitha të mirave për të bindur opinionin ndërkombëtar se Kosova është tokë serbe, që synimi ishte që ajo të jetë sa më e largët e më të pakapshme  të drejtën historike e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe për jetesë në kuadër të shtetit unik shqiptarë.

Autori duke mos i harruar për asnjë çast vendimet e Konferencës së Bujanit, ai kërkon me këmbëngulje që tokave shqiptare t’iu kthehet e drejta e nëpërkëmbur, duke thënë se “Duke u nisur nga lufta jonë e drejtë, sepse ndryshe s’ka si cilësohet lufta për mbrojtjen e tokave të tua dhe të interesave jetike të popullit tendë; si dhe pjesëmarrja aktive e përhershme e shqiptarëve  të Kosovës në vlimet e përgjithshme  të historisë së Shqipërisë për ruajtjen  e tokave  dhe të popullit nga copëtimet e ndryshme barbare; pastaj, me vetëdije të lartë se qeveria titiste e Beogradit, meriton tek e fundit edhe urrejtjen e popujve jugosllav, që lëngon mos më keq nën këmbën e shovinizmit serb, është e natyrshme që ne, revolucionarët kosovar të ndahemi diametralisht me mendime nga kjo qeveri dhe nga ky shtet..[7] Duke analizuar veprimtarin atdhetare ilegale të shqiptarëve në tokat shqiptare nën okupimin jugosllav, autori thekson se për këtë të drejtë luftojnë dhe kurrë nuk ndalën bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli në pesëdhjetë organizata e grupime ilegale që veprojnë në Kosovë e më gjerë. Në shkrim thuhej se nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e gjerë më tani (1980), nëpër burgjet dhe kazamatet serbe gati-gati banorë të përhershëm me shumicë zakonisht janë shqiptarët.

Për anëtarët e organizatave ilegale shqiptare, autori akuzon propagandën që bënë shtypi i vendit si gazetat, radio dhe televizioni. Po ashtu një theks të veçantë e drejton kah gjyqësia jugosllave e cila pa pikën e ndërgjegjes të rinjtë shqiptar të cilët kërkojnë të drejtat e veta legjitime i akuzojnë dhe i dënojnë me vite të shumta burgu. Cekën shumë nene të Ligjit Penal të Jugosllavisë, të cilat veprimtarin e ilegales përparimtare e dënojnë “Për vepër penale të propagandës dhe të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore kundër popullit dhe shtetit”, vërtet shtrohet dhe të imponohet pyetja se në emër të cilit popull dhe në emër të cilit shtet dënoheshin shqiptarët. Në emër të kujt u dënuan atdhetarët: Shefqet Jashari[8], Ramadan Pllana[9], Avdi Kelmendi[10], Abdyl Lahu[11], Isa Demaj[12], Sylejman Qyqalla[13], Skënder Jashari[14], Hysen Gërvalla[15], Ibrahim Shala[16], Asllan Loshi, Ruzhdi Saramati e shumë e shumë të tjerë që numërojnë mbi dymijë e më tepër të burgosur politikë shqiptarë. Autori nga këta të burgosur por edha nga rinia shqiptare pret se nuk do të rrijë duarkryq dhe se robërisë shpejt do i vij fundi. Andaj me të drejtë ai edhe përdori thënien si titull të shkrimit: “Perditio tua, Israel, ex te”[17]

 

Viktima dhe vartësia e tij nga xhelati

 

Në një shkrim tjetër të titulluar “Viktima që glorifikon xhelatin e vet”, autori e që supozohet se është atdhetari i njohur Jusuf Gërvalla, i cili dialogon me një pushtetar shqiptar për gazetën e përditshme “Rilindja”. Punimi fillon me fjalët “Besoj se e lexon “Rilindjen”. E ke të vetmen gazetë të përditshme  në gjuhën tënde, në pjesën e robëruar të Shqipërisë.[18] Në shkrim elaborohet dhe jepen pjesë të shkrimeve që i prezanton “Rilindja në faqet e saja. Thënë ndryshe, autori klithë në këtë shkrim, kur me fakte na dëshmon se çfarë shkruan gazeta në faqet e saja, megjithëse shpesh na prezanton shkrimet fyese për popullin shqiptar. Autori porosit se edhe pse është e tillë ne duhet ta lexojmë gazetën “Rilindja”, ngase nuk kemi tjetër dhe se megjithatë diçka kuptojmë nga ajo. Herë-herë në pikë të dëshirimit, shkruan se “Ti e ke ditur që “Rilindja” është organ i LSPP të Kosovës, LSPP e Kosovës degë e LSPP të Jugosllavisë; LSPP e Jugosllavisë shpikje e pakripë e klikës titiste, klika titiste mashë e shovinizmit dhe e hegjemonisë të lig serb... e kështu me radhë, deri te pansllavizmi i mykur![19]

Autori, është i habitur, me prezantimin e shkrimeve të padenja që i boton gazeta. Është për tu habitur se në faqet e gazetës, për 35 vjet , ajo nxori  në faqet e saja, më së paku 12.775 herë në faqen e parë fotografin e Titos, dhe ironia ishte edhe më e madhe, kur kjo gazetë po ashtu edhe më tepër se botimin e fotografisë e ka shkruar se “Tito, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë e vetme”, dhe kjo thënie komentohet në mënyrën më të mirë të mundshme duke e analizuar me logjikën e shëndosh të atdhetarit, se xhelati mundet me qenë e kaluar dhe e tashmja por, si guxon të quhet e ardhmja e jonë, deri sa ne krahasohemi me viktimat e një pushteti. Viktima mundet me pas të kaluar dhe të tashme, por si mundemi të gjykojmë pa fijen e turpit se edhe në të ardhmen mundemi ta duam xhelatin.

Shtypi legal që botohej në ato vite në Kosovë, sipas autorit të shkrimit, nuk kishte as guximin qytetar e as kombëtar që të ballafaqohej me problemet të cilat vërtet e mundonin popullin shqiptar, dhe në mënyrë të denjë ti prezantonte ato. Duhet thënë si në çdo fushë të jetës së shqiptarit, e aq më tepër në lëmin e informimit, apo më mirë të themi në fushën e dezinformimit, politika jugosllave kishte vënë një sitë të hekurt dhe nuk lejonte të rridhnin informata që nuk i shkonin për qejfi pushtetarëve. Edhe pse gazeta “Rilindja” u deshtë të ishte gazetë që duhej të informonte për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, sportive e çka jo tjetër, ajo me apo pa dashje opinionin e gjerë e informonte me problemet efemere që e shqetësonin njeriun e nënqiellit tonë. Ta zëmë  se më 27 prill 1980, gazeta shkruante këtë artikull me titull “Urdhëroni parmenda”, titull, se jo mahi, fundi i shekullit 20, në Kosovë shkruhej për suksesin e madh të shitjes së parmendës. Dhe shtrohej pyetja duhet lexuar gazetën vetëm e vetëm se duhet të lexohet, apo duhet bërë diçka për të ndryshuar këtë situatë të amullt në informimin tonë. 

 

Prezantimi i “Pushtetit Popullor” në faqet e gazetës

 

Në një mënyrë tjetër, ndoshta më të thjeshtuar dhe më të kapshme për popullin , autori i shkrimit “Konjugacionet e një pushteti “popullor”, na ofron të dhëna të rëndësishme se si dhe në çfarë mënyre pushteti “popullor” e tregon fytyrën e vet. Në shkrim merren shumë shembuj se si sillen pushtetarët në momente e situata të caktuara. Ta zëmë se, kur fletë për këngën e kënduar në konviktet  e studentëve me 4 maj 1980. Kënga ishte rinore, dhe plotë gjallëri, por ç’ndodhi më vonë, merrni me mend vetëm për një këngë të kënduar, rrethohet konvikti me forca të mëdha policore, dhe arrestohen studentët këngëtar, vetëm e vetëm se ajo ditë ishte ditë zie, në Jugosllavi, e ç’faj kishin studentët që kënduan këngën e Azem Bejtës e të Idriz Seferit ta zëmë.

Ose ta zëmë, se shqiptari dënohej edhe për hiq gjë, si rasti i një fshatar nga Deçani kishte pyetur për Jovankën ( gruaja e Josip Broz Titos), se ku ishte, dhe kishte kohë që  nuk dukej në televizion. Organet e ndjekjes kishin dëgjuar për këtë bisedë, dhe e arrestojnë fshatarin me arsye se kishte veprua kundër shtetit dhe popullit.

Fytyrën e vërtet, pushteti jugosllav e kishte tregua edhe në një rast, kur në Prishtinë ishte luajtur një lojë sportive që ishte luajtur në mes ekipit të basketbollit të Tiranës  dhe të një ekipi vendor, pas se masa e të rinjve kishte brohoritur duke përkrahur ekipin nga Tirana, policët që përcillnin ndeshjen ishin çartur dhe kishin arrestuar shumë të rinj shqiptar,arsyeja ishte se ata kishin anuar për ekipin nga Tirana, dhe absurdi nuk kishte skaj, se pushtetarët jugosllavë mendonin se mund të dirigjonin edhe në këtë drejtim se kënd duhesh ta simpatizosh e kënd jo.

Autori na sjell edhe një  ngjarje tjetër e cila dëshmon për ndërhyrjen e policisë në konviktet e studentëve. Përsëri bëhej fjalë për guximin e studentëve që këndonin për qejfin e tyre. Edhe pse ditët e zisë për vdekjen e Titos kishin përfunduar, për policin ishte ende e ndalueshme që në konviktet e studentëve të dëgjohej kënga. Okupuesi gjithçka duronte, porse këngën tek rinia kosovare nuk e merrte dot me mend. Andaj mu kjo ishte shkaktare që një ditë të ngrohët vere, policia mori “Mundin” dhe bllokoi të gjitha dalje- ardhjet në konviktet e studentëve. “Kjo s’ishte hera e parë që pushteti i policisë “popullore” po rrekej të manifestohej në tërë “madhështinë” e vet mbi të rinjtë e pafajshëm, që s’duan t’ia dinë  se qenka e ndaluar të këndohet shqip. Mirëpo durimi ka kufi. Dhe studentët, që kanë edhe ata “njëfarë” force, me të cilën i brumos ndjenja se do të bëhen bartës të të mirave të jetës, në një të ardhme të afërt, kishin ngulur këmbë që ta manifestonin edhe ata hovin e tyre të pandashëm”[20]. Autori i këtij shkrimi, analizon reagimin e studentëve dhe guximin e tyre, duke profetizuar, se ndoshta mu në këtë mënyrë fillon “një lojë” e re për trojet tona. Duke paralajmëruar popullin shqiptarë se pika e durimit kishte arritur kulmin dhe gjithsesi duhej të shpërthej, por kur se ende nuk dihej, por autori i shkrimit paralajmëronte diçka ... me anën e këtij shkrimi.

 

Denjësisht prezantoheshin heronjtë e kombit

 

Në faqen 5 (pesë), të gazetës, prezantohej “Shqipja e maleve-Bajram Curri”, e shkruar nga Profesor Stefanaq Pollo.  Dihej se në Kosovë, në ato vite nuk ishte fortë e dëshirueshme që të shkruhej për figurat e ndritura të historisë kombëtare, andaj shkrimi për këtë hero dëshmonte qartë se populli shqiptarë asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë i kënaqur me copëtimin e tokave të veta. Andaj, Bajram Curri ishte njëra ndër figurat e shquara të popullit që u takonte dy periudhave  të rëndësishme historike-periudhës së fundit të luftës për liri e pavarësi nga zgjedha osmane  dhe asaj të luftës  për vetëvendosjen e rendit demokratik në Shqipërinë e pavarur. Në të dyja këto periudha  emri i këtij heroi  të bjeshkëve  shqiptare u bë flamur , simbol i patriotizmit  të flakët popullor dhe i vendosmërisë së paepur në përleshjet me armiqtë  e jashtëm e të brendshëm të atdheut, ndërsa vepra e tij- një gur graniti në themelet e Shqipërisë së pavarur[21]” shkruante profesor Stefanaq Pollo duke e ngritur lart luftën dhe angazhimin e tij për çlirim kombëtar.

Gazeta “Lajmëtari i Lirisë’”, siç e cekëm edhe më lart, karakterizohej me punimet kryesisht që kishin karakter kombëtar. Në faqet e saja mund të gjesh punimet nga më të ndryshmet. Në faqen e gjashtë të gazetës hasim edhe në një punim “Rekuiem për një monark”, (që shkruhet me rastin e vdekjes së monstrumit revizionist, J.B. Tito, këtij armiku të përbetuar të popullit shqiptar). Shkrimi nuk ka emër e as mbiemër të autorit, por është interesant se në këtë gazetë nuk praktikohej që të përdoreshin as pseudonimet. Sipas Kadri Rexhës,  në librin “Fati i luleve...”, ai thotë se edhe këtë shkrim e ka shkruar Jusuf Gërvalla.[22] Punimi ishte i ndarë në pesë nëntituj: 1. Kush ma zuri diellin, ia zënët thera shpirtin, 2. Dy datëlindje- dy ditëvdekje, 3. Dy emra, shumë fytyra, 4. Dy e dy bëjnë- 10 muaj me ajër të pastër! dhe 5. A mbahet shpirti me kulumbria?. Është për tu veçuar se autori i shkrimit është largpamës dhe shumë vizionar, në njëfarë mënyre, na dëften, e që  ngjarjet e më vonshme na bindin se atë që kishte shkruar autori i paraprinin ngjarjeve të vitit 1981. Me dhembje pyet autori tani pasi vdiq Titua, çfarë do të ndodhë me shqiptaret, apo do të ndjekim rrugën e Titos, siç trumbetonin disa renegat të tij. Por është i bindur se “kështu nuk na mëson historia  dhe tradita luftarake  e popullit tonë; a na mësojnë kështu rrugët revolucionare  të popullit tonë dhe të popujve të botës, që kanë hequr qafe  përbindësh shumë më të mëdhenj se titizmi, i cili i ka të cektë rrënjët”[23] shkruan në pjesën e fundit të shkrimit.

Në vazhdim të gazetës, po ashtu është shkrimi tjetër i radhës, i quajtur “Renegati” ( Prolegomenë për historianin, zhvillimin dhe perspektivën e dështakut më të madh të fisit njerëzor). Edhe ky shkrim është i ndarë në dymbëdhjetë pjesë më të vogla që përfshihet kryesisht historiku, zhvillimi, dhe perspektiva e renegatit. Autori në fillim të shkrimit, na tregon se çka do të thotë fjala renegat: se “ndër fjalorë, renegatin e gjejmë te shkronja r me këtë shpjegim përkatës: renegati vjen nga lat. Renëgate (re...+ ne-gare- me mohue) dhe shënon njeriun që ka ndërrua mendje, bindjen e përparshme, dhe ka dal në taborin kundërshtar, në taborin e armikut; ai është edhe i arratisur, dezertor, përçarës, tradhtar, pjellë e keqe, kopil...[24]. Për të vazhduar më tej autori se renegatin e gjejmë kryesisht  në të gjitha paralelet dhe meridianët e planetit Tokë. Sidomos në gji vendesh dhe popujsh të pushtuar e të kolonizuar,[25] konkludon autori. 

Në pjesën “Ekologjia e renegatit”, autori përshkruan se në çfarë vendesh e zona kultivohet renegati. Zhvillimin e renegatit, autori e përshkruan si në ekuacionin e filozofisë së ujkut , dhijes dhe lakrës. Për të ekzistuar ujku, duhet të zhduket dhia, dhe për të jetuar dhia duhet të zhduket lakra. Dhe sipas të gjitha gjasave renegati na del dhe luan rolin e pykës , që gjithmonë shërben për të çarë trupin e palës së dobët, të viktimës. Autori me një sens prej krijuesi e përshkruan se çfarë klime duhet të dominojë për të gjalluar renegati. Pasiguria, injoranca, pështjellimi, anarkia, altruizmi i inskenuar, përçarja, analfabetizmi, tradhtia dhe të gjitha ato sherre që mbillen, piqen e korrën për ngut, pa e pritur njëra-tjetrën[26] thotë autori.

Në pjesën “Format e ekzistencës së renegatit” si dhe në pjesën “Përkufizimi i qenies së renegatit”, prezantohet renegati se çfarë është në gjendje që të bëjë dhe se nuk është fare e rëndësishme se kënd dëmton dhe shkatërron.

Në pjesën e katërt, nën a), përshkruhet “Plani metafiziko-mistik” i renegatit, të cilin autori e paraqet se të gjitha doktrinat fetare  e kanë evidencuar ekzistencën e shpirtit të lig, i cili jeton në shpirtin e njerëzve që për qëllim kanë joshjen e njerëzve nga rruga e drejtë në atë të ligën,  dhe thotë se me një fjalë këta quhen edhe “hafije” dhe vet zoti atyre iu ka caktuar vendin më të keq në rrathët e ferrit. Po ndryshe nga fryma e ligë mistike, renegati e ha bukën dhe, si të tillë, edhe renegatin e ha plumbi. (Po të ketë kush ia jep)[27]

Në nën pjesët: b) Plani antropologjik; c), Plani zoologjik; ç),Plani botanik;d),Plani i sendeve dhe objekteve, përshkruhet në vija të trasha se si duket, vepron dhe asgjëson sojin e vet renegati.

Ndërsa në pjesët: “Shumimi i renegatit” dhe “Përfaqësuesi i renegatit”, autori thotë se tereni më i përshtatshëm për ta janë tokat shqiptare të okupuara dhe se renegatet për interesa meskine janë në gjendje që edhe shpirtin t’i shesin djallit vetëm e vetëm për ti gëzua ca të mira, që në një afat më të gjatë kohor janë të pështira dhe të turpshme. Dhe në pjesën e  fundit “Perspektiva e renegatit për ekzistencë”, autori thotë në mënyrë të prerë se renegati e ka jetën e shkurtër dhe ajo jetë zakonisht zhvillohet nga një hark kohor sa zgjatë nata. Me lajmërimin e parë të rrezeve të diellit, ai zhduket. Autori, njerëzit-Renegat i quan se janë insekte të një kombi dhe jetën e bëjnë prej insekti. Për këto insekte nuk ekzistojnë mëngjeset, mesditat, mbrëmjet, për to nuk ekziston kohë tjetër veç muzgut, ku ata lindin dhe vdesin”[28]

Një shkrim tjetër “Kthimi i birit plëngprishës” (Ëndërr në tri pamje)[29], autori shkruan për një ëndërr të vetën, që e shpjegon se këto mrekulli ndodhin vetëm në ëndërr. Ëndrra ka të bëjë me figurën dhe personalitetin e një politikani shqiptar i cili në kohën kur u shkrua ky tekst ishte anëtar i KQ të LKJ-së. Në vazhdim shkruan autori anonim se kishte ëndërruar se anëtari i Komitetit..., në vend që të shkonte dhe ta përfaqësonte PKJ në një Kongres të partive Komuniste evropiane, udhëheqësi shqiptar paraqitet në Berlin për të kërkuar azil politik. Duke dëshmuar hapur se shqiptarët në Jugosllavinë “Komunist”, janë të robëruar dhe të okupuar. Dëshmon se ata nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe për çdo ditë torturohen e masakrohen nga ana e policisë.

Këtë ëndërr, autori e shkruan në gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, çka është e vërteta, kështu kishte dëshirua dhe kishte pas qejf autori të kishte ndodhur, por realiteti ishte pak më ndryshe në Kosovë. Pushtetarët jugosllav, edhe në Kosovë kishin gjetur veglat e tyre, të cilët pa hezituar se a po vuante populli apo ishte i robëruar ata shikonin interesat e vockla të tyre, duke mos qarë kokën për të drejtat që kishin mundur ti kishin dhe ti gëzonin shqiptaret në tokat e tyre.

Në faqen 9 (nëntë) të gazetës, është e botuar edhe një poezi e shkrimtarit të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako Çajupit, e botuar më 1905. Poezia “Malli i Shqipërisë”, i kushtohej mërgatës shqiptare dhe grave të cilat  fillikat vetëm bëjnë punët e rënda si në shtëpi, por edhe në fushë dhe askush nuk e qanë kokën për to. Herë-herë, poetit nga punët që bëjnë në fushë dhe të leckosura me kokën për poshtë, nga larg as nuk dallohen se çka janë: “Me ca petka vëra-vëra/ u çuditçë kur i pashë/ me kokë poshtë të tëra/- ç’janë këto kafshë?- thashë”[30]. Kështu thotë poeti, por më vonë edhe e shpjegon pse ndodhë kështu, burrat shqiptarë jo se nuk i duan gratë e tyre, por në një mënyrë janë të detyruar për të siguruar kafshatën e bukës që të marrin botën në sy dhe të shkojnë në kurbet.

Në rreshtat e mëvonshëm, arsyeton poeti: “Burrat vetëm ju lanë/ dhe rripën ndë dhe të huaj/ ata më keq nga ju janë/ se ju rroni ndë vend tuaj”[31]. Në bazë të rreshtave që na prezantohen poeti e ndjen rëndë plagën e mërgimit, andaj edhe vije në përfundim se vërtet gratë vuajnë e mundohen duke punuar, por bile jetojnë në tokën e shtëpitë e veta, ndërsa burrat rropatën në kurbet  duke pasur mall për çdo gjë që ka aromë vendlindjeje.

 

Ndërhyrja e PKJ-së në punët e brendshme të PKSH-së  

 

Në shkrimin “Ndërhyrja brutale e udhëheqjes së PK Jugosllave në punët e brendshme të PKSH”, redaksia e gazetës  ka huazuar një pjesë shkrimi nga libri “Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë”. Në këtë pjesë paraqitet lindja e konfliktit në mes PKJ dhe PKSH-së, dhe aspiratat gllabëruese të Jugosllavisë ndaj tokave shqiptare.  Theks të veçantë në këtë tekst i jepet Plenumit II të Komitetit Qendror të PKSH ose ndryshe i njohur si Plenumi i Beratit, i mbajtur me 23 nëntor 1943. Në vija të përgjithshme jepen vizitat e shumta dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të PKSH-së, që i bëjnë delegacionet e shumta të PKJ-së. Vlen të përmendet vizita e Svetozar Vukmanoviq- Tempo në verë të vitit 1943, që llogaritej se ishte njëri ndër udhëheqësit kryesor të PKJ-së i cili në Shqipëri kishte ardhur me mision të posaçëm për të krijuar “Shtabin Ballkanik”, Në këtë rast në mënyrë të hapur kishte paditur në mënyrë të palejueshme dhe të padrejtë Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë për qëndrim oportunist ndaj “Ballit Kombëtar”. Kjo shpifje trashanike bëhej me qëllim të caktuar që të krijohej mendimi se gjoja KQ e PKSH nuk ishte në gjendje të drejtonte në mënyrë të pavarur, se ai nuk mund të mos gabonte rëndë pa marrë direktiva nga “udhëheqja me përvojë” e Partisë Komuniste të Jugosllavisë[32]. Ardhja e Tempos në Shqipëri dhe ndërhyrja e tij në punët e brendshme të PKSH nuk ishte e vetmja.

Për të arritur qëllimet e veta KQ i PKJ-së, kishte dërguar me mision special Velimir Stojniqin, në cilësi të shefit të misionit ushtarak jugosllav dhe të ndërlidhësit midis PKJ dhe PKSH-së. Velimir Stojniqi, me akuzat dhe sulmet që i bëri PKSH-së nuk ngeli mbrapa nga paraardhësi i tij. Përfaqësuesi jugosllav e errësoi krejt veprimtarinë e këshillave nacional-çlirimtare, të ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të komisarëve  politikë dhe kërkoi që ushtria të pajisej me një “kokë të fortë politike” e me një “komandë të fortë ushtarake”. Në mënyrë të posaçme ai u përqendrua  në marrëdhëniet jugosllave-shqiptare mbi bazën e “vëllazërimit ballkanik”. “Shqipëria ,- deklaroi Velimir Stojniqi,- nuk mund të ndërtoi ekonominë dhe të zhvillohet në mënyrë të pavarur, ajo është një kafshatë e vogël për imperializmin”, prandaj nuk ka tjetër rrugë veçse që të lidhet me Jugosllavinë në një konfederatë, bile edhe më tutje[33]. Megjithatë, komploti që ishte përgatitur me aq kujdes në PKJ, konstaton autori se nuk pati sukses për arsye se populli dhe uniteti i treguar tek shumica e anëtarëve të KQ të PKSH-së, u tregua e pjekur dhe e vendosur në rrugën e mëvetësisë.



[1] Po aty.

[2] Dy  fjalë për numrin e pare të “Lajmëtarit të Lirisë”, “Lajmëtari i Lirisë’”, Viti I, nr. 1, gusht 1980.

[3] Po aty.

[4] Po aty.

[5] Perditio tua, Israel, ex te, Lajmëtari i Lirisë, viti I. nr. 1. gusht 1980, f, 1.

[6] Po aty. Duhet përmendur ngjarjet e vitit 1918, kur politika Jugosllave me dhunë popullonte zonat kufitare me popullatë serbe vetëm e vetëm për të krijuar bindjen se ato toka janë serbe dhe në to jeton populli serb. Për këtë dukuri kanë shkruar shumë autor si nga shqiptarët po ashtu edhe shumë përshkrues të huaj që  kanë hetuar në teren.

[7] Po aty, f, 2.

[8] Shefqet Qerim Jashari,  përkthyes, (1944), Strofc, 25.05.1980, neni 136/1  LPJ.  ( 8 vjet burg )

[9] Ramadan Islam Pllana, student, (1947), Shtitaricë, 25.05.1980, neni 136/ 1 LPJ.   (7 vjet burg )     

[10] Avdi Daut Kelmendi, ( 1951 ), Ribar, 25.05.1980,  neni 133/ 1 LPJ.                     (5 vjet burg )    

[11] Abdyl Elez Lahu, referent, ( 1944 ), Gllamnik, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.      ( 4 vjet burg )

[12] Isa Musa Demaj, profesor, (1946), Shkrel, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.             ( 4 vjet burg )

[13] Sylejman R. Qyqalla, punëtor, (1954 ), Bellaqevc, 25.05.1980, neni 133/ 1 LPJ.  (4 vjet burg )     

[14] Skender M. Jashari, punëtor, ( 1954 ), Prishtinë, 25.05.1980, neni 133/ 1  LPJ.   ( 3 vjet burg )

[15] Hysen  B. Gërvalla, bujk, (1941), Dubovik, 25.05.1980,  neni 133/ 1 LPJ.           ( 3 vjet burg )                       

[16] Ibrahim I.Shala, nxënës, (1960), Mushtisht, 25.05.1980,  neni 136/ 1,114 LPJ.    ( 5 vjet burg )

[17] “Humbja jote , Izrael, përmbi ty”; pra vetë e ke fajin për shkatërrimin tënd, Lajmëtari i Lirisë, Viti. I, nr. 1, gusht 1980, f, 2.

[18] Viktima që glorifikon xhelatin e vet, Lajmëtari i Lirisë’, viti I, nr. 1. gusht 1980, f, 2.

[19] Po aty.

[20] Konjugacionet e një pushteti “popullor”, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1,  gusht 1980, f, 4

[21] Prof. Stefanaq Pollo, Shqipja e maleve-Bajram Curri, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. gusht 1980, f, 5.

[22] Kadri Rexha, Fati i luleve , Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Prishtinë, 1993, f, 165.

[23] Rekuiem për një monark (Më rastin e vdekjes së monstrumit revizionist J.B. Tito, këtij armiku të përbetuar të popullit shqiptarë), Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1, gusht 1980.

[24] Renegati (Prolegomenë për historiatin, zhvillimin dhe perspektivën e dështakut më të madh të fisit njerëzor). – prejardhja dhe shtrirja e renegatit, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. gusht 1980, f, 8.

[25] Prejardhja dhe shtrirja e renegatit, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 8.

[26] Ekologjia e renegatit, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 8.

[27] A),Plani metafizioko-mistik, po aty.

[28] Perspektiva e renegatit për ekzistencë, Lajmëtari i Lirisë, Viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 9.

[29] Kthimi i birit plëngprishës (Ëndërr në tri pamje), Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 9.

[30] Malli i Shqipërisë, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1, Gusht 1980, f, 10.

[31] Andon Zako Çajupi, Lindi ne Sheper te Zagorisë me 1866. Ne Nivan beri një pjese te shkollës se mesme, te cilat i plotësoi ne një lice francez ne Egjipt, ku jetonte i ati. Me 1887, Çajupi shkoi ne Zvicër. Atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit te drejtësisë. Ne Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një fare kohe si avokat. Nga fundi i shek XIX mori pjese gjallërisht ne lëvizjen patriotike shqiptare. Me 1909 botoi shkrimin e njohur "Klubi i Selanikut", një pamflet dërmues kundër armiqve te brendshëm te lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flakte dhe qëndrimi i prere ndaj pushtuesve te huaj e nxorën Çajupin ne krye te patrioteve qe vepronin ne Egjipt. Me 1919 u zgjodh kryetari i shoqërisë "Vëllazëria" me qendër ne Kajro. Qe frymëzuesi dhe njeri nga hartuesit e memorandumit qe shqiptaret e Egjiptit i dërguan Konferencës se Paqes me 1919 ne mbrojtje te tërësisë territoriale te Shqipërisë. Me 1920 themeloi "Shoqërinë e Miqve". Pothuaj ne te njëjtën kohe me veprimtarinë atdhetare Çajupi u mor dhe me letërsinë. Me 1902 botoi librin "Baba Tomori" nja nga veprat me te shquara te letërsisë se Rilindjes, komedinë e njohur "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër". . Disa nga krijimet e tij me te shquara patriotike janë: "Mëmëdheu", "Shqiptar", "Ç’jemi?..., Ku kemi lere?", "Vaj", "Besa-besën", "Atdheu dhe Dashuria", etj te tjera vjersha me teme shoqërore janë: "Fshati im", "Kurbeti", "Fyelli i bariut", Misiri", "Varfëria dhe Liria" etj. Ne historinë e letërsisë shqiptare, Çajupi është dalluar dhe si dramaturg. Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash qe botoi ne "Baba Tomori", me 1921 botoi "Përralla te zgjedhura te vjershëtarit te madh La Fontenit". Me 1922 u botua "Lulet e Hindit" përmbledhje me vjersha te poeteve indiane. Çajupi vdiq me 1930.

[32] Ndërhyrja brutale e udhëheqjes së PK Jugosllave në punët e brendshme të PKSH, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980, f, 12.

[33] Po aty, f, 13.




(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: