Fatmir Halimi: Vallja e yjeve dhe Vargjet e lira (Lasgush Poradeci dhe Migjeni)
| E Merkure, 16.12.2009, 10:59 PM |

Fatmir Halimi

VALLJA E YJEVE DHE VARGJET E LIRA

( L. PORADECI DHE MIGJENI )

 ( Ky punim i kushtohet poetit tonë modern Lasgush Poradecit në përkujtim të 110 vjetorit të lindjes së tij, duke e krahasuar po ashtu me poetin tonë tjeter modern Migjenin, ku të dy këta  për shumë çka në letërsinë shqipe janë të veçantë.)

        Vallja e Yjeve dhe Vargjet e lira

        Këta dy libra për shumë çka janë të veçantë në poezinë moderne shqipe, pasi që sjellin risi të paparë deri atëherë në letërsinë tonë. Tiparet veçuese të veprës Vallja e Yjeve janë; struktura gjuhësore, forma e përsusur, sistemi i ndërtimit te  veprës, përdorimi i figurave letrare sidomos i metaforës. Shumë më parë Aristoteli metaforën e quan mbretëreshë e tropeve stilistike, ndërsa e dimë që poezia është mbretëreshë e arteve, e kritiku dhe studiuesi ynë letrar S. Hamiti Lasgush Poradecin e vlerëson mbret të saj, mbret të poezisë në lëtërsinë shqipe. Po ashtu e veçantë është edhe në trajtimin e temave si mbi frymëzimin, mbi krijimin e botës dhe temën e dashurisë, e cila trajtohet gati në të gjitha ciklet e veprës, dhe me të drejtë disa studiues e quajnë poet i dashurisë.

        Ndërsa me Vargjet e lira të Migjenit, për herë të parë në letërsinë shqipe kemi vargje të çliruara nga konvencat e vjershërimit klasik. Pra, kemi thyrjen e vargjeve që nuk i përmbahet metrit letrar, sidomos rimës. Migjeni me Vargjet e lira është i veçantë edhe në trajtimin e temave. Derisa, te poetët e kohës së tij temë madhore në vargjet e tyre është tema e atdhedashurisë dhe ajo kombëtare, te Migjeni ajo preket fare pak. Por motivet për ndërtimin e poezisë së tij merren nga tablot e përditëshmërisë jetësore, ku si referues janë lypsat, të papunët, pijanecët, gruaja mjerane që e lind dhe e rritë fëmijën në skamje, dhe mjerimi bëhet trashëgimi e tyre, (Poema e mjerimit). Ai e çmitizon malsorin nga vyrtytet e larta etike e morale deri në thjeshtësi, (Recital i malsorit).

      Edhe pse këta dy libra janë shkruar në një periudhë të afërt kohore, Vallja e Yjeve 1933 dhe Vargjet e lira 1936 janë shumë të ndryshëm nga njëri tjetri. Te Vallja e Yjeve i kushtohet rëndësi të madhe fjalorit gjuhësor, të shprehurit figurative, strukturës dhe formës së poezisë, te Vargjet e lira të shprehurit gjuhësor është gati komunikim i përditëshmërisë, jo e mbuluar me figura stilistike dhe mosrespektim të formës dhe rimës;

Lasgushi:

Parëvera! Parëvera!

Po më çel në mes të gjirit-

Këto kopshte ku fryn era

Muar gjyrën e floririt.


Migjeni: Vuejta

 

Dalngadale po shof

Si jeta një nga një

Sejcilën ndjesi

Me tradhti

Po ma vulos.

       Ata kanë mendime të ndryshme edhe për frymëzimin. Lasgushi për tu frymëzuar niset nga sferat e mbrendshme shpirtërore krijuese, kurse Migjeni frymëzimin e lidhë me fatin e tij, me shenjat që ja dedikon rrethi dhe me angazhimin shoqëror të krijuesit;

Lasgushi: Rri mbështetur në tryezë

…s’është gjë: veç ylli vetë

Më s’më ndjek kraharuar

Unë shoh me gas të qetë

Këngëzënë e përvëluar.

 

Migjeni: Frumëzim’I pafat

 

Frymëzim’I em I pafat!

Shporru këtej! Nuk të due!

S’due hovet tueja të nalta

Rrok me njerëzit që rrok nata.

Dhe mendojmë se te Migjeni poezia është produkt i një frymëzimi që rrjedh nga një rrethanë konkrete, ndërsa te Lasgushi është e kundërta, sikur poeti është i vetëdijshëm se po të mbështetej në pika referuese të kohës, apo në momente konkretësie, poezia do të jetë e vlefshme për bashkëkohësit e tij, por jo edhe për gjeneratat dhe vendet e tjera. Për këtë Lasgushi ikë nga konkretësia dhe poezia e tij bëhet univerzalizuese, dhe me gjuhën e bukur, formën e përsosur ajo do t’i mbijetojë të gjiha kohërat.

          Vallja e Yjeve

           Veprën Vallja e Yjeve Lasgush Poradeci e botoi në Rumani (1933) nën përkujdesjen

Mitrush Kutelit. Poezitë e kësaj vepre sollën një ndjeshmëri të re në letërsinë shqipe, një kërkim të thellë gjuhësor e formal dhe një formë të paparë deri atëherë. Vallja e Yjeve ka këtë strukturë ciklike: I.( Në vend parafjale) Zog’i Qiellit, II.Vallja e Qiellit, III.Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V.Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë. Prandaj, poezia e Lasgushit, siç lexohet në njësitë e vogëla, duhet të lexohet në tërsinë e sistemit të vet poetic, shprehet kritiku S. Hamiti.

 Pra, te vepra poetike Vallja e Yjeve, ai krijoi një sistem të njënjëshëm poetik. Poezia e tij, për gjuhën e bukur shqipe, figurën origjinale, formën e re dhe ndjeshmërinë e re është e papërsëritshme e letërsinë tonë. Ajo nis me poezinë  Zog­’ i Qiejve, e cila fillon me vargjet:

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…

Do t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,

Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri:

Që në fillim kjo vjershë paraqet kodin poetik të tij, duke sjellë tek lexuesi mesazhin se poetit nuk i pëlqen më kënga e vjetër, por do të këndojë këngën e re dhe mallin e ri duke e nxjerrë nga fund i vetvetes. Poezia Zog’i Qiejve është një këngë për mënyrën e lindjes së poezisë dhe të ngritjes së saj deri në nivelin suprem të përjetësisë. Poezi e një rëndësie tjetër është vjersha Naim Frashërit, e cila nis me vargjet e Naimit, të vjershës së tij Fjalët e qirirt:

E ku shkruhen në kartë

                                                    Fjalët e gjuhës së zjarrtë

Këtu, Lasgushi i këndon poetit tonë të madh, atë e ngrit në piedestalin më të lartë, deri në adhurim të të shenjtit:

Sepse Hije-e shentëruar nër të gjallët sikur t’ishte…

…Sikur të ishte nër të gjallë, Ti, xhuraja dhembshurishte,

Ti rapsod që pranë shqipes dit’ e nat’ i llodhe ballët,

Për punën që bëri ai në lërimin e gjuhën shqipe, të cilën  e pasuroi në veprat e tij. Në të njëjtën kohë ndjen dhembje për vdekjen e tij, por edhe për njerëzit që sot e basdardojnë gjuhën, “Ndaj shëmton fjal’e të folur nga padija, nga nakari” këtë gjuhë: “yll’i vjershërisë! Verb i Perëndisë!”. Kurse frymëzimin që i vjen për të krijuar poezinë e përshkruan te vjersha Dremit Liqeri:

Në këtë ças perëndimor

Ndaj po më dehen sytë-e mi,

Kuptoj si shpirtin vjershëtor

M’a frymëzon një malli ri.

Pra, shkallët e përshkrimit janë shkallë të njohjes e të vetënjohjes. Po njohja më e thellë është njohja që mbështetet në kulturë, duke u njëjtësuar me rrenjët e kësaj kulture.

        Lasgushi përveç motivit patriotik, motivit për gjuhën, frymëzimin, ai i këndon edhe dashurisë, të cilat vjersha janë përmbledhur sidomos në ciklin Vallja e Yjeve. Dashuria është jo vetëm një emocion, por edhe fuqi themelore jetësore. Ai e këndon këtë ndjenjë si fuqi tokësore e qiellore. Por, thellësia e saj vrehet në botën njerëzore kur e dashura këndohet në nivel të bukurisë trupore e shpirtërore. Këndimi lasgushian i dashurisë shfaqet sidomos në lirikat personale. Atëherë tingullon i veçantë zëri i tij, figuracioni origjinal dhe variantet e ndryshme të ndjenjës së thellë. Titujt e këtyre lirikave; Syr’i fshehur, Vesë dashyrije, Erë trendeline, ç’dëgjoj me sy të trembur etj. nuk dalin si emërtime, por vetëm si një figurë e zgjedhur. Kështu titujt e vjershave të dashurisë në të vërtet janë figura, metafora. Të gjitha këto lirika marrin karakterin e varianteve të një teme, -dashurisë.

Mendime të rëndësishme të Lasgushit janë edhe ato mbi krijimin psikofizik të botës dhe të jetës të shprehura në poemin filozofik Vallja e përjetësisë. Motiv ky i bazuar edhe në librat biblik mbi krijimin e gjithësisë. Sipas Lasgushit, në këtë poemë, krijimi kalon nëpër pesë faza: Lënda dhe Jeta, Fryma dhe Qëllimi, Ndjenja dhe Njeriu, Njeriu dhe Zoti dhe Përjetësia. Kjo tregon se Lasgushi në veprën e tij poetike merret me problemet e ekzistencës së njeriut duke u ngrit në nivelin e poetit mendimtar shqiptar. Krejt në fund të veprës është vjersha Kur nuk ndjehesh fare mirë përmes të cilës, pra në formë te vargjeve Lasgushi shpreh mendimet dhe qëndrimin për thellësinë e kuptimit të poezive të tij, ku thotë se

Kujt s’j-u dhat’i rrahi mentë

Në shtëpi kush nuk u mbyll…

Nuku mund t’a dijë fare,

As që do të ndjejë dot

Ç’pruri kënga mendimtare

Me çdo varg prej pikash lot;

Këtu Poeti jep idenë se për ta kuptuar e shijuar poezinë e tij  njeriu duhet të mbyllet dhe të lexoi shumë, se kjo është një poezi e re, poezi mendimtare (filozofike) e  krijuar me mund të madh, ‘prej pikash lot’.

         Ylli figurë qendrore 

      Për shumë poetë qielli ka qenë sinonim i hapësirës, i kosmosit. Edhe pse në qiell lëvizin hëna dhe dielli, ato sikur janë të afërta me njeriun, poetin. Por trup qiellor për ta pushtuar, apo figurë për poetët e ëndërrimit kosmik ka qenë dhe mbetet ylli. Këtë figurë e ndeshim me një funksion shumë të ngarkuar poetik në veprën e L. Poradecit. Ylli i Lasgushit , si figurë qendrore e tij nuk është vetëm një symbol, në të përmblidhet një kuptim mbi jetën, ndoshta edhe vetë botëkuptimi i poetit.

Figura e yllit bartet gati në të gjitha ciklet e veprës Vallja e Yjeve. Duke e interpretuar figurën e yllit  në vallen e tij të hapësirës së paanë, mund të thuhet se poeti don ta humanizojë kosmosin, hapësirën, njerëzimin. Pra edhe kështu është një figurë e humanizuar që zë ‘fill me dashuri’, ‘plotë me jetë-e mall të valë’. Ky yll duke lëvizur në hapësirën e pakufijshme herë është ‘i lum’ e herë është ‘i mjerë’, i lum (lumtur) është ylli kur është plotë zjarr të dashurisë, e i mjerë kur i venitet dashuria, kur lodhet në këtë hapësirë të paanë për t’u afruar te tjetri.

       Dashuria, tema themelore 

        Në veprën Vallja e Yjeve tema themelore është dashuria, e cila përveç figurës së yllit plotësohet edhe me fjalët ( simbolet ) si: zjarr, mall, varr, flakë etj. Dashuria, kjo temë e përjetëshme njerëzore në veprën e Lasgushit projektohet në dy rrafshe kuptimi; në një anë si ndjenjë humanizuese,  si frymë lëvizëse e jetës, dhe në anën tjetër dashuria si fuqi e afrimit të Trimit me Vashën ( djalit me vajzën ). Tek tema e dashurisë, por edhe te temat e tjera Lasgushi përdor figurat e hapësirës ( largësia pakufi ), figurat e kohës pakufi (përjetësia). Në temën e dashurisë përveç këtyre përdor edhe figurat e kontrastit:

Dashuri-Heu! Mall I ri!

Dashuri! Këngë e durimit

Ti liri! Ti robëri!

Kontrasti ‘Ti liri| Ti robëri’ nuk përmbledh figura me kuptime që kundërshtohen, kemi të bëjmë me një shkrirje, me një figurë që shpreh një situatë.

      Pra, dashuria në poezinë e L. Poradecit  këndohet si një varrë që për të mbetur gjallë përditë e do nga një lëndim të ri, (dashuror). Është një ‘fshehtësi plot llaftari|plot ëmbëlsi vërerore!’, ndërsa vasha një qenie dhembshurisht e ëmbël.                                              

Kjo është një temë e përhershme e tij ashtu siç është krijimi poetik që nuk lidhet me moshën.

         Vargjet e lira

          Titulli i veprës ka kuptim të dyfisht, “Vargje të lira” në vështrimin e ndërtimit formal dhe “Vargje të lira” në vështrimin e lirisë tematike. Ky titull i kodifikua na del me mesazhin se autori po ndërtonte një poezi tjetër nga rrjedha e poezisë së  kohës. Kurse struktura e veprës me këta tituj: Parathanja e parathanjeve, si hyrje, Kangët e ringjalljes, Kangët e mjerimit, Kangët e perendimit, Kangë në vete, Kangët e rinisë dhe Kangët e fundit krijon një rend logjik e tematik të poezive. Rendi logjik i grupimit të vjershave në nivel të parë nxjerr në shesh temat themelore, kurse në nivelin tjetër të rrëfimit në vargje të historisë jetësore të autorit. Vargjet e lira në nivel të shprehjes e të figurës nisen me një hov të figuruar, mandej shpesh shpjegohet figura për të dëshmuar një emocionalitet që nuk do të shpjegohet kurrë i plotë.

      Karakteristikë e Migjenit  në këto vargje është shkëputja e vetëdijshme nga trajtat formale e tematike të poezisë shqipe të kohës. Gati askund nuk duket tema atdhetare ose kombëtare. E kaluara preket vetëm si reflektim në aktualen, por jo temë e veçantë. Temë zotëruese e poezisë së tij bëhet tema shoqërore e kohës. Këtu trajtohen motivet edhe për fëmijërinë virgjine, djalërinë e vullnetit për të ndryshuar botën (gjendjen), gratë mjerane, burri mjeran  dhe motivin përfundimtar vdekjen. Në ciklin e Kangëve të mjerimit zotëron një frymë e thellë e pesimizmit dhe një thirrje për kapërcimin e saj. Duke u nisur nga Poema e mjerimit,del si një kurorë poetike e kësaj tematike:

Kur sheh ftyra të zbehta dhe sy të jeshilta,

Që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert’e mpita

Edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin

Të tanë jetën e vet derisa të vdesin,

ku përshkruhen me trajta fort reale lypsat, pijanecët, të papunët e frytet e mjerimit. Në këngët e tjera këto motive thellohen si të veçanta; Baladë qytetse, Lagja e varfur, Melodi e këputur, Rima e tretun, Fragment etj. Në të gjitha këto vjersha pamjet dhe fatet e njerëzve në skamje e mjerim përshkruhen me një realizëm deri në lakuriqësi;

Hije…jo!_ por nji grue

Me ftyrë të zbeht dhe me sy

Të zëz si jeta e saj

Me buzë të vyshkuna në val

Me plagë në gjoks e stolisur,

Me veshje e me shpirt e grisur

(Baladë qytetse)

Duke paraqitur me shenja shumë reale pamjen e jashtme të gruas mjerane shihet qart edhe bota shpirtërore e saj, “me veshje e shpirt të grisur”. Këngët e këtij cikli përmbajnë një ndjeshmëri të thellë autoriale, që mbrrin deri në shkallën e bashkëvuajtjes në mjerim. Poeti i lodhur në provën e vet të mjerimit emocional me të humburit krijon një dalje të re. Kjo dalje është jashtë reales, pra në krijimi i Trajtave të mbinjeriut në të ardhmen, një qenie symbol me një grusht granit, një sfinks pa zemër e pa ndjenja, një rrufe që lufton e fiton, " që s’i duen humbjet prore, duen ngadhnjim", janë poezi të cilat shprehin sado pak një optimizëm.

       Përpos temave shoqërore të kohës, temë që zë një vend të rëndësishëm është edhe tema e dhembjes personale:

O kangët që fleni reliket e mija

Q’ende s’keni prekun as një zemër të huej

 Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija

Unë-djepi I juej; ndoshta vorri I juej.

(Kangët e pakëndueme)

Këto vargje shprehin qart dhembjen e autorit për vjershat e tij, duke aluduar në vdekje, pasi që ishte shëndetlig dhe vuante nga smundja e mushkërive (tuberkulozi), e cila ishte e pashërueshme për kohën. Po ashtu kishte frikë se këto vargje nuk do të ‘prekun as një zemër të huej’e do të mbeten vetëm brenda për brenda autorit; ‘unë-djepi i juej, ndoshta vorri i juej’, që edhe mund t’i marrte me vete. Pra, ai kishte një dëshirë të flaktë ta shihte veprën të botuar. Pos kësaj këngët për dhembjen personale intensifikohen në ciklin e fundit të veprës, Kangët e fundit me gjasë të shkruara gjatë qëndrimit të tij në spitalin Torre Peliçe të Torinos (Itali) më 1937. Këtu vetmia, mungesa, braktisja, vuajtja, dashuria e padashuruar, pritja, kërkesa, etj., janë vetëm disa nga fjalët që e përbëjnë këtë cikël, më sakt janë fryma e fundit e autorit. Këta tituj të vjershave Një natë pa gjumë, Vuejta, Kanga që s’kuptohet, Vetmia përbejnë miniaturën e rrethanave të fundit të jetës së tij, të cilat përshkruajnë gjendjen shpirtërore që shfaqet edhe në pamjen e jashtme, ku paraqesin nivelin më tragjik, dhembjen fizike me dhembjen shpirtërore. Autori me nota shumë melankolike, këtë e paraqet në vjershën Vuajtja:

Ka do ditë

Që po shof  fare mirë

Se si nga vuejtja syt’  po më madhohen,

Nëpër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen

E si buzëqeshja m’asht e hidhun…

           Vargjet e lira, reagim i fort emocional

             Përmbledhja e poezive Vargjet e lira u botua më 1936, po libri u ndalua nga qarkullimi dhe për të gjallët e autorit nuk ra në duart e lexuesve. Kjo u arritë tek në vitin 1944, që iu shtuan edhe poezitë  e shkruara në ditët e fundit të jetës së tij, Kangët e fundit. Migjeni krijimtarinë e tij e kishte filluar si maturant duke botuar ndonjë vjershë apo shkrim të përshtypjeve të tija mbi veprat e lexuara në revistat e kohes, dhe mund të thuhet se ishte një zë i veçantë në letrat shqipe. Ai ishte një krijues i zhytur tërsisht emocionalisht në kohën e vet. Arti i tij, në fakt është një reagim i fort emocional ndaj fenomeneve e pamjeve të përditshme të botës shqiptare. Vargjet e lira janë refleks i gjendjes së rëndë ekonomike, shoqërore dhe morale të kohës në të cilën jetoi poeti, shprehje e krizës që zotëronte në atdheun e tij, por edhe në Evropën e viteve ’30 të shekullit XX. Poezitë e tij shprehin qëndrim kritik ndaj kohës së vet, për ta përmbysur të vjetrën; “idhujt pa krena” që ngriten pranë shtëpive përdhese, “minaret dhe kumbanaret”, “që shpojnë qiellin me qesendi” (Blasfemi) dhe malin alegorik “që s’bëzanë” (Recital i malsorit). Poezinë e Vargjeve të lira e karakterizon koncepti i ri i vargut, i shprehjes poetike dhe sidomos rima, ritmi e intonacioni i veçantë artistik. Vargu i tij është varg i liruar nga konvencat  klasike të vjershërimit sidomos nga metri e rima, dhe  në lirikën shqipe kemi për herë të parë vargje të lira, të çliruara nga këto rregulla.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: