Sejdi Berisha: Poezia si zë i arsyes dhe fjalë amaneti
| E Marte, 24.11.2009, 06:26 PM |

Sejdi BERISHA:

POEZIA SI ZË I ARSYES DHE FJALË AMANETI

(Hekuran Halili “Unë-Njeriu”, poezi-botoi MILOSAO, Gjirokastër-2007)

Krijuesi, gjithnjë është udhëtar, mesazh, zë, simbolikë dhe qortim, të cilat së bashku shprehin ndijimin shpirtëror, që shtresohet flet-fletë si histori, e në vete mbanë tingëllimën e kambanës për ta sforcuar ndërgjegjen, dashurinë, mbamendjen dhe urtinë. E tërë kjo shtrohet e thuhet në forma e mënyra të ndryshme, duke filluar nga kënga, piktura dhe shkrimi. Ndërsa, poezia është ai fenomeni shpirtëror, e cila bëhet madhështi, etje e univers i këndimit me karakteristikat dhe veçoritë që njeriu i ka apo i bën pjesë të vetes, që të kthejnë apo të përkujtojnë periudhat dhe ecjet e tronditjet historike, dhembjet dhe gëzimet e njeriut. Këto gjëra, ta ngulitin mallin për të ndërtuar atë kullën e moralit dhe të madhështive shpirtërore, që vetëm përmes vargut mund të shprehen thekshëm dhe përvëlueshëm. Të gjitha këto karakteristika dhe veçanti i hasim në librin me poezi “Unë-Njeriu” të Hekuran Halilit, me një titull indikativ dhe domethënës.
Duke lexuar këtë vepër të këtij autori nga jugu i Shqipërisë e me rrënjë nga Çamëria, fillimisht na imponohet komentimi i vet titullit, i cili sikur është edhe përgjegjës por edhe detyrues i shprishjes dhe i analizimit të vetvetes, të vet njeriut, të historisë së tij, të tokës dhe të lashtësisë së saj. Fuqia artistike e të gjitha këtyre vjen përmes vargut dhe këndimit poetik me plotë energji, me vlera esteto-letrare, artistike dhe filozofike të autorit.

Vargu si detyrim i shprishjes së historisë dhe i analizimit të vetvetes

Kjo vepër, e cila fillon me poezinë “Unë-Njeriu” si prolog, por edhe autori, me vargjet e kësaj poeme sikur na detyrojnë që ta kuptojmë jetën e njeriut si kornizë e të gjitha atyre që njeriun e bëjnë edhe njeri, edhe histori, edhe dhembje, edhe gëzim, edhe këngë po se po! Por, këto, kapërthehen edhe me rrjedhat si një lloj itinerari, i cili na shpie në lëvizje si trenin që rrugë ka vetëm binarët e vet nga të cilët nuk mund të dilet, në të kundërtën shkaktohet fatkeqësi. Kjo mund të shpjegohet edhe si një lloj autobiografie e autorit, e zemrës dhe e shpirtit të tij.
Andaj, duke qenë kështu, përmes kësaj forme të vargëzimit, ai sikur na kushtëzon kujtesën për atdheun, duke na ofruar begatinë shprehëse por edhe atë të toponimeve, sigurisht për të mos u zvetënuar dhe shlyer emrat as të vendbanimeve, as të tokës dhe dheut, as të trevave e fshatrave, as të maleve e bjeshkëve, por as të vendbanimeve të lashta, të cilat janë rrënjët e truallit, rrënjët e atdheut, pra edhe të Çamërisë, e cila është histori që dot nuk zë vend pa u pa u puthitur mirë me njeriun e vet, me tokën mëmë. Sepse, “Do t’ju tregoj/Si lind bari e lulja/Kur pranvera fle me tokën/si lind dashuria/... si rilind kombi/kam nevojë t’ju tregoj/Ç’më grumbulloi shpirti/ndryshe do të pëlcas...”.
Ky këndim kaq i zjarrtë kështu e me elemente qortimi e të dhënie këshillash, poetin e dëshmon si krijues të denjë, edhe pse nuk ka bërë numër të madh veprash të botuara.
Hekuran Halili, në librin “Unë-Njeriu” të sajuar në gjashtë njësi ciklike, ka shprehur ndijimin në mënyrën më të mëvetësishme për, siç thotë ai “Njerëzit e mi” dhe në këtë mënyrë i ka përjetësuar vlerat e dashurisë për njeriun, duke filluar nga prindërit e vet, babai e nuja(nëna) dhe nga familja tjetër e ngushtë e tij. Vargjet e kushtuar këtyre figurave të dashura të tij e në këtë kopsht madhështor të poezisë; “Më erdhi babai.../Sonte do të fle pa ndërruar krah/Merakun, hallet, shqetësimet/Sikur i mblodhi ai për mua.../Më ka ardhë babai”, ose, “Ku ka në botë si nuja(nëna) ime/...Që deti dhe qielli i kanë zili sytë”, janë shprehje e ndijimit aq të fortë, të natyrshëm, janë aq të fuqishme, me dashuri e përkëdhelje, sa që prekin thellë dhe ngrehin lartë ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin si faktorë thelbësorë të njeriut. Këtë konstatim poeti e bë edhe më bindës me vargjet: “Sytë e nënës/faqe abetare/me fletë/që s’kanë mbarim”. Kjo është edhe ajo ngrohtësia dhe lartësia shprehëse që poezinë e shndërron në lapidar jete, e bën formë të rrugëtimit me mendimin e pastër dhe të çiltër, me zemrën e butë e të gjerë, të cilave, duke ua atribuuar edhe madhështitë e tjera që ua bashkangjet autori, ndërtohet dhe zbukurohet ai kopshti i ëndrrave dhe i synimeve të njeriut të mirëfilltë, i cili gjithnjë ka etje, dhembje, mall por edhe guxim që buzëqeshjen dhe lumturinë t’i vëllazërojë mbase edhe t’i pajtojë edhe me tablotë tjera të jetës, që janë dhe mund të janë tjetërfare, e si të tilla edhe pasqyrë e rrugëtimit aq të begatë por të mundimshëm të njeriut dhe shoqërisë përgjithësisht.
Për këtë, H. Halili, virtytin e njeriut sikur e bën mirësjellje dhe në të njëjtën kohë edhe lutje për këngën e lumtur, por edhe për flakjen e gjëmimit, gjë kjo e cila ka një histori pothuajse rrëqethëse tek ne. Andaj, të gjitha këto, padyshim se bindshëm shprehen si gjakim edhe në shumë poezi, si në “Sytë e nënës”, “Dashuri që s’shuhet”, “Bijës sime”, “Mall, mall sa një mal”, “Valës” etj: “...Unë jam det-Ti je dallgë/s’kemi ujë, por zemër e mall”, ose, “...Jemi det e jemi dallgë”. Përmes kësaj forme të vjershërimit, përcjellën shumë mesazhe për të pasur kujdes në çelikosjen e dashurisë ndaj njëri-tjetrit, ndaj njeriut përgjithësisht. Mirëpo, veç kësaj, H. Halili reflekton forcën e përjetimit dhe të ndijimit poetik me vlera kombëtare dhe njerëzore duke shprehur pasqyrimin e qëndresës dhe të dashurisë, si dy segmente që nganjëherë lexuesin e shpijnë për tu përballur në të njëjtën kohë edhe me historinë e gjeografinë, edhe me vetveten, si faktorë që njeriut nuk i kanë shkuar gjithnjë për shtat por edhe i kanë shkaktuar probleme dhe padrejtësi: “Unë dhe deti Jon/prej kohërash/këto brigje bëjmë...”. Në këtë mënyrë, poeti edhe e do edhe e këndon jo vetëm këngën e vet: “Kështu përherë kjo melodi/Nuk ka këngë të vetvetes!”.

Vetëdijesimi dhe mesazhi i qëlluar-faktorë të këndimit poetik

Duke pasur për bazë historinë dhe periudhat kohore nëpër të cilat ka kaluar populli dhe atdheu, poeti nuk përmbahet dot, dhe, pikërisht përmes vargut i vë në spikamë ndjenjat kombëtare, pastaj vlerat kulturore, shpirtërore, dhe, po pra, edhe historike. Në kapitullin “Këngët e vendit tim”, pozicionohet në faktorin e mbamendjes dhe të krenarisë për rolin e begatinë që ka njeriu i tokës, i vendit të tij, edhe pse, ai shpeshherë është shtypur dhe robëruar deri në zhbërje dhe zhdukje. Janë gjëra këto të cilat gjithnjë e më shumë e kanë thelluar dashurinë dhe fanatizmin e të qenmit dhe të përjetësisë.
“Kur dëgjojmë himnin e flamurit/Rritemi një pëllëmbë/Të vrarët luajnë vend”. Shih, sa fuqishëm jepet mesazhi duke lartësuar metaforën dhe domosdonë e komentimit të gjërave dhe rrethanave që janë kapitale, e që të ndërlidhin me gëzimin dhe hidhërimin për shpresën dhe qëndresën, për të cilat, pothuaj se secili njeri zgjeron shumësinë për gjërat e shenjta. Ndërsa, në këtë aspekt, Çamëria është kambana, është malli dhe krenaria, që ka zemër e shpirt, që ka histori e synim: “I vogël/E dija se Çamëria/Ishte diçka e shtrenjtë/Që nëna e mbante mbështjellë/Në shaminë e nusërisë”.
Vargjet e tilla, përveç që tingëllojnë bukur dhe kanë timbrin e thellësisë së përjetimit, ato shprehin edhe pasqyrën më reale të diçkaje që mungon dhe të etjes e dashurisë ndaj kësaj toke, ndaj këtij vendi, emri i të cilit kudo që gjendemi tingëllon zjarrmishëm si zë i arsyes dhe si porosi e amanet: “Çamëria nuk është më ëndërr/Tani çdo natë/Ndjej thirrjen e fisit tim të vjetër”!
Gjithë kjo, dëshmon se poeti nuk është vetëm ravijëzues i përjetimeve të çastit dhe të atyre shpirtërore, por ai është një kronist, nëse mund të thuhet kështu, dhe krijues i denjë, i cili përmes shprehjes poetike ngrit arsyen kombëtare mbase edhe humane, sepse, të kaluarës i kanë ngelur shumë gjëra të shkapërderdhura dhe gjithnjë të pa rehatuara jo vetëm si dëshmi historike por edhe si rrjedha njerëzore.
Se, poeti gjithmonë është në kërkim të së mirës dhe të madhërishmes, autori i kësaj vepre këtë e dëshmon duke na ofruar vargje për fatin e njeriut por edhe të atdheut jo rrallë të sakatosur. Në këtë mënyrë, ai vargjet sikur i himnizon duke “gërmuar” në zemrën e njeriut dhe në zemrën e tokës, prej nga i nxjerrë dhembjet dhe i zbulon plagët jo vetëm të vetvetes, siç është Çamëria: “Fjalë që dhemb/Zemër që rënkon.../Ju lutem/Kujdes kur e shqiptoni/Mos ma lëndoni....”!
Këto vargje por edhe shumë poezi të tjera, kanë një kronologji këndimi e cila nganjëherë, poetin edhe e frikëson për fatin në përgjithësi: “Fshatra të braktisura/Gjysmë çatishë rënë/Më prisnin.../Pashë Çamërinë...”.
Me gjithë nostalgjinë e autorit, vargjet shprehin edhe dronë për zhbërjen e gjërave, apo, e nxjerrë në shesh helmin dhe ligatinën që quhen braktisje, ikje! Këtë, autori e bën edhe më shumë të fuqishme, kur këndon për Kosovën dhe popullin e saj: “...Ka mall Kosova/Ka dhimbje Kosova/për ty-Çamëri”. Në këtë mënyrë, ndërlidhet edhe ëndrra e dashuria e kombit për të sjellë dritën e dritës në tërë horizontin dhe hapësirën gjithëkombëtare.
Hekuran Halili, pikë të veçantë të ndijimit shpirtëror pra e ka Çamërinë, fatin dhe historinë e saj, për këtë arsye edhe vargjet e kanë një ndërtim pikant arkitektural të cilat shprehin dendur zjarrminë, etjen por edhe pritjen, të cilat elemente, ëndërrohet se dikur do t’i takojnë vetëm të së kaluarës. Tek poezia “Ullinjtë e Çamërisë” hasim të veçantën e dashurisë dhe të shkrumbit për këtë vend: “Trungjet si njerëz/Që si det/Ullinjtë tanë të mirë/Që presin të zot”!
Në “Unë-Njeriu”, autori ka shtjelluar me përkushtim këngët e shpirtit, vlera dhe pesha e të cilave është një botë në vetvete, që mund të thuhet se është edhe shqetësim në rrugëtimin e mëtejmë individual dhe kolektiv. Të njëjtës natyrë thuaj se janë edhe poezitë në kapitullin “Kthim në Çamëri” dhe “Vendlindja ime Konispoli”.

Fanatizmi i qenësisë dhe i përjetësisë në poezi

Për asnjë moment, poeti nuk heq dorë nga vazhdimësia e ngritjes së zërit poetik për mallin që ka për vendlindjen dhe për atdheun, sa që, poezitë dhe vargjet shpeshherë i ngjajnë punës në ndërtimin e urës që bashkon çdo gjë, pa marrë parasysh se çfarë. Këtë, sikur më së miri e ka shkoqitur tek poezia “Stralli i Konispolit”: “Thanë se s’është gur/por gjoks djali/Thanë se gjaku i dha ngjyrë/gjak vatani”.
Përmes vargjeve, hasim në shumë toponime dhe në emrat e vendeve e të vendbanimeve, me çfarë, na sjellët ndërmend qortimi për të mos i harruar ato si një dëshmi historike, të cilat edhe këndohen, edhe shkruhen edhe do të shkruhen. Janë këto, si: Orla, Naita, Saraqindi, Qafa e Sqepurit, Bajamet dhe Përrenjtë e Konispolit etj.
Brenda librit është edhe kapitulli “Dashuritë e mia”. Në këtë pjesë të librit na prezantohet forma e qasjes tjetër e përjetimit të dashurisë jo vetëm si diçka klasike, por si një vlerë fondamentale e universit poetik, ku pasqyrohet intimja dhe mendimi shumë i ngrohtë për dashurinë edhe si dashuri, edhe si mall, edhe si dhembje, edhe si gëzim, por edhe si mburrje, sepse: “...Dashuria/për të gjithë/ e ka një emër/...Me te jetoj”.
Malli për tokën dhe për njeriun është si etja dhe uria, të cilat gjithnjë të bezdisin dhe përherë të detyrojnë ta kërkosh rrugën për tu ngopur, pra, ky mall të bën të kërkosh dhe shterosh çdo gjë, për tu plotësuar dëshira: “I kërkoj kraharorit ngrohtësi/të më falë për fjalët që kërkoj”. Kjo oshtinë poetike madhështon peshën e dallgëve të zemrës, si ato valët e detit që trimërojnë për historinë e fshehur, për historinë e tretur, për historinë e heshtur.
Krahas kësaj, pothuaj se në të gjitha njësitë ciklike, poeti e mishëron dashurinë me jetën, i cili mishërim gjeneron mall e dallgë për kohezionin dhe psherëtimat jo vetëm të shkrimtarit: “... O, syri i Kaltër/Ç’buron më shumë/lot apo ujë?!...”, të cilat shpijnë drejtë vlerave të qëndrueshme letrare por edhe të vlerave të njeriut shtegtar, i cili gjithnjë bredhë pas njerëzores, të bukurës dhe pas asaj që njeriun e bën faktor jete e kohe. Këto veçanti artistike i hasim tek shumë poezi, si:
“Pulëbardhat”, “Kur bie shi, “Shpirti im” etj.
Të gjitha këto, çfarë tjetër pos shqetësime, që janë krejtësisht normale, lexuesin e shpijnë edhe tek ndijimi për vetveten dhe për të tjerët. Në këtë aspekt, autori nuk krijon huti, siç ndodhë ndonjëherë tek disa poetë, por me “stinët” e shpirtit e mat kohën dhe krijon ditar jete me lutje që gjithkund të zë vend gëzimi dhe lumturia, të cilat, autori i konsideron edhe njëlloj perandorie shpirtërore.
Veç kësaj, ai, për ta luftuar ndrydhjen, padrejtësinë, lëndimin shpirtëror, nganjëherë e preferon heshtjen si metodë e të folurit më të qartë, e cila mund të jetë edhe qetësi e rreme e shpirtit. Ndërtimi i vargut dhe metafora e qëlluar, poetin e veçojnë edhe për shumë vlera të dëshmuara në poezi, ngase, ai nuk është asnjëherë pasiv por ka një tjetër lloj rebelimi, jo si rebelimet e zakonshme: “Shëtisja mes njerëzve/dhe isha vetëm/... Po, si?!”. Kalërimi poetik në këtë mënyrë, bëhet aq i mirëfilltë, mu sikur kur fëmija vë dorën në kraharorin e nënës dhe, duke e ledhatuar atë, sikur bën pelegrinazh nëpër labirintet e dashurisë dhe të dhembjes. Por, kjo ecje dhe këto shprehje, ndoshta, nganjëherë sikur e frikësojnë autorin se nuk do të arrijë t’i thotë, t’i prekë e t’i shijojë të gjitha: “Ah, sikur ta dija sa vite më kanë mbet/se njeriut të ngopet, i duhen tri jetë...”!
Libri “Unë-Njeriu” i H. Halilit, është një këndim i ngrohtë i dalë nga brendia e zemrës dhe shpirtit për faqet e historisë, për dhembjet nëpër periudha, për mallin e njeriut dhe të vet krijuesit. Është një këndim, që po ashtu shpreh nivelin artistik dhe dëshmon cilësinë krijuese dhe të shprehjes esteto-letrare dhe filozofike për Çamërinë dhe Kosovën,. Është këndim gjithnjë duke kërkuar lumturinë, buzëqeshjen dhe thellësinë e mendimit të bukur, duke kërkuar buzëqeshjen dhe lumturinë e shpirtit si shpërblim për ta arritur tërë atë që e preokupon dhe atë që e synon njeriu, edhe pse “kafaz s’bëhet dot gjithësia”. Andaj, ky libër është një strall me dritë të veçantë, por edhe një kontribut që begaton vlerat letrare dhe kulturore përgjithësisht.


(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: