Fotaq Andrea: Nderim për trimat francezë që prehen në varrezë të Korçës
| E Merkure, 11.11.2009, 07:22 PM |

90 vjet më parë

Për kauzën e Shqipërisë, nderim për trimat francezë
që prehen në varrezë të Korçës

Nga Fotaq ANDREA
 
Në janar 1922, shkrimtarja zvicerane Hélène Pittard, e njohur me pseudonimin letrar Noëlle Roger, do botonte në revistën “Foi et Vie” një skicë të bukur letrare nga Shqipëria, titulluar “Varreza franceze e Korçës”. Vetë ky titull është në vetvete sa i thjeshtë, aq edhe domethënës, tek mbart madhështi nderimi dhe respekti për martirët francezë në vendin tonë, gjatë periudhës 1916-1919. Me tone prekëse, dhe me një forcë të veçantë pene, plot realizëm e romantizëm, autorja - e cila vinte tashmë për herë të dytë në Shqipëri, pasi kishte vizituar Shkodrën më 1914 -, e përshkruan, që në fillim, varrezën franceze mes një perëndimi të përflakur, të praruar e kuqëluar, që e shkëlqen dhe shpërthen krejt peizazhin e fushës së Korçës rrethuar nga vargmale hijerënda e të ashpra.
Mahnitur nga bukuri e mjedisit rrethues, por edhe nga qetësi e paqtë e vetë varrezës, vizitorja e pazakontë, e shoqja e shkencëtarit dhe antropologut të shquar Eugène Pittard - që ka shkruar me simpati për shqiptarët -, ardhur që nga malet madhështore të Zvicrës, rri e ngul vështrimin mbi atë peizazh gjigand, shtjellur pa fund, nga majat e mprehta të Ostrovicës gjer te masivet e rënda ku mbështetet Koritza plakë. Fishkëllimë e erës, që rreh lehtë petalet e luleve të egra, lartohet ëmbël, gjithë melodiozitet, nga fyejt e kallamishtës së liqenit të Maliqit. Madhështi natyre, shfaqur e përplotë, dhe pleksur me vetë madhështinë e varrezës franceze të Korçës! Prehen aty, në gji të saj, eshtrat e bijve të shtrenjtë që ranë për Francën, “MORTS POUR LA FRANCE”, siç e thotë thjesht, por fisnikërisht, ajo frazë lapidar katërfjalëshe.
Ky mbishkrim gjithë mirënjohje të thellë patriotike haset ngado, në Francë e jashtë saj, në nderim solemn për bijtë e saj rënë në luftë, për lavdi të Francës, Francës së shkëlqimeve historike dhe legjendare. E ndesh atë në çdo pllakat, lapidar e përmendore, por edhe në çdo qendër historike që mbart gjurmën e gjakut të ushtarit a gjeneralit frëng, të njeriut të thjeshtë të qëndresës historike franceze.
Nëntëqind kryqe të drunjtë vijojnë në rreshta të pafundë, me emra  e data shkruar me të zezë. Madhështi e vdekjes i ka bërë të gjithë tok, dhe krejt varreza i shfaqet autores si një përmendore e vërtetë nderimi për ata që ishin mbrujtur me një ideal të vetëm: gjithnjë lart emrin dhe lavdinë e Francës! Një gur monolit, përmendore natyrore shkëputur nga shkëmbishtë e vendit të shqipeve, mbart mbi vete atë mbishkrim të bukur: “Aux braves, morts pour leur patrie. 1916-1919.” (Për trimat që ranë për atdheun e tyre).
Vetëm tre vjet u deshën për të populluar atë varrezë, parcelë franceze përkrah parcelës serbe e shqiptare. Aty vetë vdekja ka bashkuar e vëllazëruar tashmë në gji të mëmëdheut tonë ushtarin e thjeshtë serb, frëng e shqiptar. Lartohet që andej thirrja internacionaliste e autores paqedashëse për vëllazërim popujsh edhe në jetë!
Ajo çapitet lehtë përgjatë heshtjes së varreve, tek lëçit emrat e të rënëve francezë që “tingëllojnë aq çuditshëm mbi tokën e Shqipërisë”. Vdekja e shuar i ka marrë të tërë nën kosë të plumbave apo nën kosë të epidemisë fatale gripale. Janë emra të nderuar edhe për vetë shqiptarët. Ja, emri i infermieres së palodhur De Goutière, emri i togerit Ernest Siegfrid. “Ç’kujtim të bukur që ai ka lënë në Korçë! shkruan me entuziazëm autorja. Tërë zërat bëhen një në respekt ndaj tij, bëhen të dashur e të ngrohtë tek shprehin admirimin për të, tek përkujtojnë përkushtimin dhe zellin e tij, talentin që kishte si organizator dhe që i bëri tërë ato shërbime kauzës së Shqipërisë. Ja, ky prehet larg të vetëve, por kurrë nuk do harrohet!”
Atë çast, në tërë atë heshtje të madhërishme që mbart vdekja e shenjtë e ushtarakut frëng, veç kur lartohet vajtimi me ligje i një nëne shqiptare, si simbol i Nënës Shqipëri, vaji i së cilës mbush nekropolin paqësor duke përfaqësuar vajtimin dhe gjunjëzimin para varreve të krejt nënave të largëta franceze. Ato vijnë aty, nëpërmjet saj, për bijtë e tyre rënë madhërishëm përgjatë gjithë rrugës Pogradec-Korçë, por edhe në vetë qytetin e Pogradecit dhe buzë Ohridës me mjellmat lasgushiane, ku hasen, ku këtu, ku atje, shtëpizat e prehjes së eshtrave të ushtarit frëng.
Por nuk është thjesht madhështi e vdekjes që ngjall nderim dhe respekt te shkrimtarja zvicerane, mbrujtur me ndjenjë të thellë humanizmi. Është mbi të gjitha fisnikëria e vetë kësaj vdekjeje, që tërheq vëmendjen e Zonjës Pittard. Sepse, në ato vite të turbullta të Luftës së Parë Botërore - kur Shqipëri e dobët dhe e viktimizuar, e sapodalë nga shpërgënjtë e shtetit të ri, do shndërrohej pashmangshmërisht në shesh betejash dhe përplasje interesash të shteteve të ndryshme -, misioni i ushtrisë franceze në Shqipëri, në atë pjesë jugore të saj, do të bëhej burim i madh shprese e drite për vetë të ardhmen e çështjes shqiptare. Duhej mbrojtur e ruajtur me çdo kusht, i pacenuar as edhe një thua, trualli shqiptar, Korça shqiptare, Vlora e Saranda shqiptare! Përmbi dhe përtej lakmive shoviniste serbe, greke e italiane! Ja qëllimi e misioni fisnik i trupave ushtarake franceze në Shqipëri, komanduar nga gjenerali i lavdishëm Sarrail.
Me largpamësi e internacionalizëm, në kohë turbullirash të ethshme botërore, ai nuk do mungonte të thyente në ndonjë rast edhe urdhrat e eprorëve të vet për të mbrojtur ushtarakisht Korçën e Pogradecin, “për të penguar, siç thotë Noëlle Roger, infiltrimet agjenturore gjermane dhe komunikimin e tyre me Greqinë e mbretit Kostandin”. Lypsej të ndaleshin intrigat greke, djegia, rrënimi dhe braktisja e fshatrave të tëra shqiptare, lypsej t’i jepej fund rrëmujës e trazirës, të vendosej rendi e qetësia në krejt zonën e Korçës, duke iu përgjigjur kësisoj edhe vetë dëshirës së parisë dhe popullsisë së Korçës. Ky mision fisnik francez për të mos lëshuar as edhe një grimë toke nga trualli i shenjtë shqiptar, për të kontrolluar gjendjen - në atë Korçë ku gëlonin intrigat ballkanase, ku ishin më aktivë se kurrë andartët e ruajalistët grekë për të shtënë në dorë qytetin dhe rrethinat e tij, dhe ku vriteshin barbarisht, me dorë të ftohtë, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji me shokë – shfaqet, çuditërisht, në historinë shqiptare si misioni i parë ndërkombëtar paqeruajtës, pikërisht në zjarrin përvëlues të Luftës së parë botërore, këtu e nëntëdhjetë vjet më parë.
Dhe nuk do mungonin me këtë rast masat praktike për realizimin e këtij misioni kaq fisnik ndërkombëtar nga ana e trupave ushtarake franceze në Shqipëri. Shumë shpejt, koloneli Descours, i ngarkuar nga gjenerali francez, do krijonte administratën autonome të kufijve shqiptarë, duke gjetur në çast mbështetjen e trupave vullnetare shqiptare për t’u bashkuar me trupat e Republikës franceze. Gjendja ishte dëshpëruese për fatet e vendit, dhe ato do luftonin heroikisht përkrah vëllezërve të tyre francezë. Gjaku i përbashkët shqiptaro-francez do lante kështu fushat, kodrat dhe malet e zonës jugore të Korçës, duke larguar trupat austro-bullgare nga lartësitë që sundojnë liqen të Ohrit, dhe duke u vënë ruajalistëve grekë të Kostandinit, dhe më pas lakmive të Venizellosit, kufirin te thana e përtej qafë Thanës!
Shumë vite më vonë, Elisabeth e Jean-Paul Champseix, në librin e tyre “Kronika shqiptare”, 1990, duke shkruar për marrëdhëniet historike Francë-Shqipëri, do nxirrnin në pah themelimin e “Republikës së Korçës” në ato vite, me funksionarë shqiptarë, me xhandërmari shqiptare dhe gjuhë zyrtare shqipen, ku do valëvitej i lirë flamuri shqiptar, kravatuar nga shiriti trengjyrësh francez, gjë që do t’i bënte të pakënaqur gjithë fqinjët ballkanikë, veçanërisht italianët e grekët.
Por, duke u kthyer te autorja zvicerane e kohës, Noëlle Roger, shohim se si ajo vë në dukje një tjetër veçanti sublime të asaj periudhe: rolin e francezëve në Shqipëri dhe veçanërisht në Korçë, për emancipimin mbi të gjitha të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Ishin pikërisht francezët në atë Korçë të qytetëruar, të pastër e me rrugë të sistemuara, me njerëz të kulturuar - që kishin qejf ta shihnin e ta  “pagëzonin” Korçën e tyre si “Parisin e vogël”-,  që jo vetëm do shpërndanin grurë e misër për popullsinë e uritur, katandisur në gjendje dramatike, por do hapnin edhe fronte pune për ndërtim e sistemim rrugësh. Do të ishte vetë ushtria franceze që do jepte shembullin për çelje tokash të reja dhe kultivim të tyre, për pyllëzim të djerrinave malore e kodrinore, për studim shkencor të tokës dhe inventarizim të pasurive të saj. E, në mënyrë të veçantë, në atë kohë të turbullt, do lartoheshin e do fuqizoheshin kapacitetet intelektuale shqiptare për administrim autonom e të pavarur, do çeleshin mbi dyqind shkolla fshatrave të rrënuara shqiptare, do merrte hov arsimi dhe nuk do vononte të çelte dyert e veta Liceu i famshëm i Korçës, që shpejt do shndërrohej në fidanishte të intelektualëve shqiptarë, të atyre kapaciteteve dhe kuadrove të ardhshme, mbrujtur me kulturë franceze të përparuar, që do t’i bënin vite të tëra shërbime të mëdha atdheut shqiptar në lëmin shoqëror, politik, kulturor, arsimor e shkencor.  
Në tërë këtë vepër të madhe emancipimi të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, dhe veçanërisht asaj korçare, shkrimtarja fisnike zvicerane do të veçonte e nderonte togerin Siegfried, që punonte me ngulm e dashuri, në frymë të ngushtë bashkëpunimi me administratën e qytetit. Ajo nuk mungon të vërë në dukje se ushtarakët francezë morën tërësisht anën e popullit shqiptar, bënë të tyren kauzën e tij për pavarësi e liri, në dëm të orekseve dhe lakmive të fqinjëve ballknikë që shihnin jugun shqiptar t’u shpëtonte përfundimisht nga duart. Dhe në qershor 1920, kur detashmenti francez do largohej nga kufijtë shqiptarë, krejt popullsia, në mënyrë spontane, do mobilizohej për ruajtjen e kufijve të shenjtë, duke e shpallur Korçën zonë të lirë, me flamurin shqiptar të Skënderbeut valëvitur, dhe duke u bashkuar me qeverinë e re demokratike të Tiranës. Në këtë mënyrë, thotë Noëlle Roger “u realizua bashkimi i Shqipërisë... Me ikjen e trupave franceze, thekson ajo, gjendja në zonën e Korçës ishte krejt e përmirësuar, me rrugë, spitale, shkolla dhe në arkë 2,5 milionë franga. Mbi të gjitha, ishin shtuar tashmë shpresat e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë, për punë, rend e progres”.
E mbi tërë këto, ne, nga ana jonë do thoshim se ishte kalitur, në zjarrin e luftës, të një lufte jo dosido, por të vetë Luftës së Parë botërore, miqësia e përjetshme shqiptaro-franceze: ajo miqësi që zë fill që me anzhuinët dhe këngët e Rolanit, ku përmenden trojet shqiptare të shekullit XI e gjer te nobelisti francez i paqes senatori D’Estournelle de Constant dhe miku i madh i shqiptarëve i të gjitha kohërave, deputeti Justin Godard, i cili, me rreth 2000 faqe shkrime dhe forcën e dashurisë së tij për popullin shqiptar mbrojti në vitet 20 të shekullit të kaluar të drejtat themelore të popullit shqiptar, për liri, pavarësi dhe dinjitet në arenën ndërkombëtare. Dëshmon për këtë, në mënyrë të përmbledhur, edhe antologjia voluminoze e autorit të këtij shkrimi “Pena të arta franceze për shqiptarët, 1332-2007”, ku përfshihen rreth 150 autorë francezë të të gjitha kohërave, nga poeti kombëtar francez Ronsard e Apolineri i madh, deri te Montenj, Volter, Hygo, Lamartin, Balzak, Dyma, Shatobriand, Jursënar, Kushner, Druon, etj. etj. të cilët ngrejë lart, me penën e tyre të fuqishme virtytin, dinjitetin, krenarinë dhe fisnikërinë shqiptare në shekuj. Ndaj dhe korifejtë e letërsisë dhe kulturës franceze, personalitetet e shquara historike të këtij vendi të dashur të Francës, që i janë përkushtuar historikisht çështjes shqiptare meritojnë në mendjet dhe zemrat e mbarë popullit tonë të lashtë, vlerësimin dhe nderimin e tij të përjetshëm.     


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: