Besnik Dizdari: 85 vjet sport kombëtar: Shuk Radoja, Rrok Radoja, Luigj Radoja, Renato Radoja, Terezina Radoja!
| E Merkure, 04.11.2009, 06:50 PM |

85 vjet sport kombëtar: Shuk Radoja, Rrok Radoja, Luigj Radoja, Renato Radoja, Terezina Radoja!

Nga Besnik Dizdari

1.

Edhe kësaj here më del titulli i gjatë. S’kam çka të bëj. Titulli është dritarja e një shkrimi. Dhe një dritare e madhe jep më fort dritë. Më ktheu Renato Radoja, edhe një herë mbas pesë vjetëve tek historia e tij. Më ktheu sot, te 70-vjetori i lindjes së tij, jo thjesht për të rikujtuar një prej historive më të ndritshme të basketbollit shqiptar. Më ktheu edhe te risia befasuese që ka Radoja i madh te ky vit i 70-vjetorit të tij. Ai është shpallur Kampion Kombëtar! Natyrisht si trajner. Dhe në mos gabojsha, ky është rasti i parë në historinë e sportit shqiptar që një 70-vjeçar shpallet Kampion i Shqipërisë. Në të vërtetë, Renato ka dhe një risi tjetër në këte 2009: presidenti i Repubikës Bamir Topi i ka dhënë atij titullin e lartë “Mjeshtër i madh i punës”.

Duket kësisoji, se në 70 vjetorin e tij, Renato Radojën e kanë nderuar fort. Mirëpo, po ka kaq më duket se ai ka nderuar edhe veten. E ndërkaq, ai duhet të ketë edhe një përvjetor tjetër në këte 2009. Ai ka plot 55 vjet që në një mënyrë ose tjetër nuk e lëshon topin e basketbollit prej duarve, ndoshta qysh më 1954 ose 1955, kur “pionierit” Renato Radoja, një njeri me emrin Ernest Halepiani, për çudi një futbollist i mirënjohur, e po kaq dhe trajner e instruktor i shquar i edukatës fizike e sporteve me një kontribut të përmasave, i ka treguar djaloshit në të largëtin vit 1953 e 1954, “ABC-në e basketbollit”. Nuk mund të ketë në historinë e sportit shqiptar një të dytë si Radoja i ynë, i cili për 55 vjet nuk i është ndarë fushës së basketbollit dhe i cili nuk e ka lëshuar prej duarve topin e basketbollit. Sepse sidoqë të mendoni, duhet të bindeni se ky mjeshtër i madh i një virtuoziteti, edhe sot demostron, po aq sa flet e tregon për basketbollin.

Renato Radoja në këte vit 2009 është shpallur Kampion i Shqipërisë me ekipin e tij të të rejave “Shkodra Basket”, një emër i themeluar prej Korab Llazanit me shokë vite më parë. Një emër i ri edhe si ekip në historinë e sportit shqiptar, kur risitë janë krejt të rralla. Radoja ka vite që i është kthyer basketbollit të femrave, por intensiteti i tij në këto tre vjetët e fundit (2006-2009), është tejet origjinal. Ai ka fituar këto vite (duke patur bashkëtrajnere një virtuoze të basketbollit shqiptar të femrave, Xhuli Shetanin), dy kupa në Hercegnovi të Malit të Zi, shtet i cili në basketboll mund t’i mësojë shumë Shqipërisë. Ndërkaq, sivjet Radoja është shpallur Kampion i Shqipërisë duke shënuar ekipi i vajzave të tij mesatarisht 102 pikë për ndeshje dhe duke pësuar mesatarisht vetëm 46 pikë për ndeshje. Shtatlarta, elegante, këto vajza emrat e të cilave janë I.Dashja, F.Borova, P.Memcaj, O.Basha, M.Mustafa, E.Xhanaj, A.Dashja, S.Hajdari, K.Haxhaja, E. Hallunaj, O.Marku, për fat nuk kanë zënë vendin e merituar në të ashtuquajturin publicitet të basketbollit, sepse ky nuk ekziston në Shqipëri, por këto vajza nuk ka arritur t’i bëjë të njohura as gazetaria sportive shqiptare, sepse tashmâ ky zhanër i fjalës së shkruar nuk merret me sportet e tjerë përveç futbollit.

Kam ndejë këto dit me Renaton. Po ai portret i një modestie që e ka pjesë të nobilitetit të tij edhe familjar të hershëm të një fisnikërie shkodrane që vjen prej thellësisë së qytetarisë së Qytetit të Veriut. Po ai vështrim i një mirësie të rrallë. Po ajo buzëqeshje e sinqertë. Dhe natyrisht, po ajo dhimbje e gjakim për basketbollin, të cilit i ka blatuar jetën e tij. Eshtë një dhimbje “sui generis”, të cilën megjithate ai arrin ta mposhtë. E mposhtë duke vazhduar për 55 vjet me rradhë të jetë çdo javë aty ku një fat që mbërrin si prej një hyjnije, ia detyron: të jetë mû në fushën e basketbollit, me topin e basketbollit ndër duar.

E vështroj me vemendje protagonistin tonë. Përjashto thijat e flokëve, thuajse është po ai i një kohe, asnjë rrudhë në fytyrë, paksa më i shëndoshur doemos, por gjithçka në gjallërinë e një kohe. Nga larg të duket po ai, basketbollisti i madh, i cili kalonte rrugëve të Tiranës e Shkodrës – dy qytete që lidhin në një jetën e tij legjendare sportive për Shqipërinë - po ai fizik i papërkulur, i shkathët e dinamik, në thjeshtësinë e një portreti që pasqyron vetëm një dëshirë: të vazhdojë me basketbollin, pa u penguar, duke u përkrahur, duke u nxitur, duke u kuptuar. Vetëm kaq.

Këtu mbase është edhe kuptimi “sportiv”, nëse mund të thonim kështu, i 70-vjetorit të këtij njeriu të jashtëzakonshëm në vokacionin e tij, rinia sportive e të cilit në një mënyrë ose një tjetër, nuk ndal as në moshën 70-vjeçare…

Ai është gjithnjë aty, si një monument i gjallë i historisë gjithsesi modeste të sportit shqiptar, por së cilës ai i dha tone të larta, jashtë caqeve e mundësive po modeste që ky sport pati. Renato Radoja nuk është bërë sportist. Ai ka lindur sportist. Një sportist qysh fëmijë, të cilin shkolla shqiptare e edukimit fizik, ndonëse pa shumë përvojë, e latoi, e përpunoi, e udhëhoqi. I përkryer ai u bë vetë. Brezi i ri me siguri nuk e di se në Shqipëri një njeri me emrin Renato Radoja, është i pari i cili e ka shndërruar lojën me topin e basketbollit në art. Askush tjetër para tij nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Dhe kur e bëri ai, atëherë të gjithë vrapuan mbas tij, ta imitonin, t’ia “vidhnin” artin, t’ia përvetësonin, në fund të fundit, të nxitonin për të shkuar mbas tij. Ai nuk u trondit kësisoj. Me zemërgjërsi ai ua blatoi atyre artin e tij.

2.

Ai ka ardhur në basketbollin shqiptar diçka përtej mesit të viteve ’50, kur kjo lojë relativisht e re sapo njihte zhvillimin e saj të ri, duke vënë baza vërtet moderne. Dhe ka shpërthyer. Ai ka qenë nga ata basketbollistë, të cilët nuk zbulohen prej trajnerëve, por që zbulojnë vetveten, dhe që i detyrojnë trajnerët të mësojnë basketbollin për të drejtuar një Renato Radojë. Historia e sporteve kudo në botë na tregon se ka patur raste kur një njeri i vetëm, ka çelur një rrugë të re që është bërë shkollë. Në Shqipëri, në rastin e basketbollit këte e ka bërë Renato Radoja. Ai ka krijuar në mënyrën më të natyrshme “shkollën Radoja” të basketbollit. Ai ka qenë një lojtar “fundor”, siç i thonim asokohe organizatorit të ndeshjes ose “play-maker”, siç i thonë sot. Diçka rreth të 180 centimetrave shtatlartësi, Radoja nuk qe as i vogël e as shtatshkurtër. Muskujt i tij kanë qenë të zgjatueshem tejet, falë një elaticiteti të papamë, mbi të cilën mbahej një shpejtësi marramendëse jo vetëm e vrapimit dhe e driblimit, por dhe e gjuajtjes së menjëhershme nga çdo pozicion, e larmisë së saj të pafund, një lloj shpejtësie e një sinkronizimi të jashtzakonshëm, një shpejtësi e vendimit, e realizimit, shpejtësi e befasisë dhe e krijimit. Kur një herë Partizani shkoi në Kinë për ndeshjet e të ashtuquajturave “Ushtrive Mike”, thonë se Allaçaçan i Bashkimit Sovjetik që konsiderohej fundori më i mirë i botës, në një çast gjatë lojës u step kur pa se si ky shqiptar i panjohur e zhdukte topin nga mbrapa dhe mandej e përçonte “fshehtas” drejtëpërsëdrejti në kosh!

Katër kanë qenë gjuajtjet e Radojës: ato nga distancat e mesme, siç thuhet, ato shpërthyese pas driblimeve të papërmbajtëshme, dhe ato dinake poshtë tabelës, kur shtatlartët shpesh nuk nuhatnin fatet e topave të tyre si dhe gjuajtjet e lira të një saktësie dhe elegance të klasit të parë. Dhe i rrëmbente Radoja! Ndërsa për ato që sot i thonë “assist”, Radoja është shpikësi shqiptar. Teknika e tij e pagabueshme gjente rrugët më të lira të pasimit, i shndërronte në më të lehtat. Qendra i kishte sytë tej, teksa ai harkonte në të dyja anët e fushës, me një lëvizje të larmishme, racionale, të shpërthimeve dhe të ndalesave të menjëhershme në vend, të kërcimeve prej të cilëve lindnin pikët e shënuara prej të tjerëve, ndërkohë që ai vetë kurr nuk ndahej pa rreth 15-20 pikë.

Renato Radoja – “biondini i hijshëm i basketbollit” - ka qenë Numri 1 i basketbollit shqiptar për gati 15 vjet dhe e pakta për një dekadë ai nuk mund të zëvëndësohej prej askuj. Ndeshjet ishin në duart e tij, e kjo nuk do të thotë se të tjerët - bie fjala, ajo pesëshe magjike për ne, e 17 Nëntorit të atëhershëm: Radoja, Shehu, Golemi, Guraziu, Bumçi – të ishte në mëshirën e Radojës. Jo, ajo vetëm se sundohej prej tij. Në këte pesëshe të parë në historinë e basketbollit shqiptar që dha ndryshimin e mënyrës së lojës ndër ne, ose më mirë me thënë, në këte pesëshe që i dha shpejtësinë e parë basketbollit shqiptar, Renato Radoja qe themeluesi.

Brezi i ri nuk e di që Renato Radoja është shpallur nga një juri ndërkombëtare si “basketbollisti më i mirë” i Kampionatit Ballkanik të Basketbollit, i vetmi Kampionat kësisoji i zhvilluar në Tiranë, më 1965. Kur kampione qe Jugosllavia – Nënkampione e Botës me Raznatovic, Cvetkovic Tvërdic, Skanski, të cilët ishin basketbollistët më të mirë të Botës! Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se i ç’përmasave qe ky protagonist dhe në një farë mënyre, ky shkrim duhet të marrë fund këtu.

Megjithate, nuk mund të rri pa treguar edhe diçka më tepër. Që Radoja ka qenë Kampion i Shqipërisë me tre klubet më të mëdhenj të basketbollit shqiptar, 17 Nëntorin e Tiranës, Partizanin dhe Vllazninë e Shkodrës, të cilën ai e bëri për herë të parë Kampione të Shqipërisë. Po më shumë se kaq, në këta tre klube, ai ka thelluar rrënjë të shkollës së tij unikale. Shtojmë edhe faktin historik se Renato Radoja së bashku me shokët e tij Muhamet Përmeti, Vaso Shaka, Bujar Shehu, Agim Lahi, Kosta Papa, Ferdinand Qirici e Zyhdi Çoba të drejtuar prej trajnerit historik të basketbollit shqiptar, Fehti Borova, i kanë sjellë Shqipërisë medaljen e parë të artë në sportin e basketbollit: Helsinki, 1962, Turneu botëror i rinisë e studentëve.

3.

Kam përmendur shpesh në shkrime Stadiumin e Lojërave me dorë “Studenti”, që përfaqëson një prej monumenteve të sportit kombëtar, i cili në fund të viteve ‘50 dhe deri në mesin e atyre ’60, ka luajtur rolin më të madh për ta ngritur e përforcuar basketbollin shqiptar. Ne, spektatorët e parë të tij, kemi përjetuar me sytë tonë rritjen e pazakontë të këtij sporti në këte amfiteatër historik të sporteve “në natyrë”, ku në çdo ndeshje kanë qenë shpesh deri dhe në 4000 shikues! Dy herë më shumë se sa çka vijnë sot në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për një ndeshje të Kampionatit Kombëtar të futbollit! E kam thënë në faqet e kësaj gazete se fusha është po aty, në përmasat e saj ku sa herë që kaloj, shkoi nëpër mënd episode të pafund. Dhe ku ende fusha dhe relievi e Tribunës së “Studentit” janë thuajse po ato! Tash ai është një park lojërash për fëmijë, diçka fisnike, po vetvetiu edhe disi ironike, kur mendon se ai ka qenë arena më serioze e sportit të të rriturve. Rasti më ngjason disi me gjestin e regjimit komunist, i cili për ta poshtëruar Parlamentin e Republikës së parë dhe të Mbretërisë, e shndërroi në Teatër Kukllash…Të paktën te Këndi i Rrugës së Elbasanit të vihej një pllakë me mbishkrimin: “Këtu është themeluar basketbolli modern në Shqipëri”, për të mos shtuar se mund të shkruhet po aq: “Këtu Renato Radoja i parapriu themelimit të basketbollit modern në Shqipëri”.

Protagonisti ynë nuk e pati problem kur basketbolli hyri në sallë, sepse ishte ende i ri, 25 vjeç djalë. Ai e sundonte topin si pak kush edhe në fushën me dhé të kuqe, shpesh të lagur me ujë dhe ishte e çuditëshme se si ia arrinte që në atë shpejtësi të gjente “tokën e thatë” për të mos iu tronditur sado pak ky driblim. Në parketin modern të pallatit, tash ai qe virtuozi i papërmbajtshëm i një elegance për përvetësimin a “rrëmbimin” e së cilës vrapuan të gjithë të tjerët.

Renato Radoja ka qenë një portret madhështor i karakterit të lartë sportiv. Ky njeri, i cili gjithçka kërkonte ta bënte vetëm bukur, qe i një basketbolli të një pastërtie të paimagjinueshme, të një etike që buronte prej një mjeshtrie të rrallë basketbolli. Ai e vuante humbjen tejet, ndonëse nuk mbahet mënd që mbas mbarimit të saj, ai të mos e përqafonte fitimtarin duke qenë një interpretues i madh i gjestit kavaleresk të sportit. Në fytyrë i shihej vuajtja e humbjes, të cilën ai e përjetonte fort, po kjo kurr nuk ia mpakte forcat për të qenë mbas një jave edhe më i fortë, edhe më elegant, edhe më virtuoz, edhe më modern. Ishte një artist i sportit, i basketbollit.

Ata që e kanë ndjekur basketbollin në vitet ’50 dhe sidomos ’60, e dijnë fort mirë se të gjithë përcaktimet e mjeshtrisë së lartë ndërkombëtare, vinin prej emrit të tij. Ai qe një mbret i asaj fushe të vogël, 30 me 15 metra, por e një mbretërie të madhe; një mbret shqiptar i basketbollit, i cili me skeptrin e tij vezullues për mbi një dekadë ka rrezatuar gëzime të pamata, të përjavëshme madje, për rininë në fushat dhe pallatet e basketbollit.

I kam patur shokë, miq apo personazhe shkrimesh basketbollistët bashkëlojtarë të Radojës: Fatmir Mekën, Luan Shatkun, Dhimitër Papën, Boris Bumçin, Kosta Papën, Petrit Osmanin, Skender Osmanin, Bujar Golemin, Filip Guraziun. Po dhe tre trajnerët e mëdhenj që punuan me te: Feti Borova, Esat Haxhi, Astrit Greva. Biseda e diskutime të pafund. Ka patur një rivalitet të madh basketbolli asokohe në Shqipëri. Dhe është e çuditëshme, po sido që të vinte puna, emri “Renato” ishte zanafilla, vazhdimi, fundi dhe thelbi i bisedave tona. Ne e kuptonim më së miri këte sinjifikativ. Sepse Radoja ishte baza, ishte prijësi, shpirti dhe zemra e lojës. Ishte gëzimi i parë i basketbollit. Dhe nuk duhet harruar se Shqipëria kishte shumë pak gëzime asokohe dhe protagonisti ynë e bënte të ëndrronte rininë sportive të pafat të Shqipërisë…

Gati pesëmbëdhjetë vjet më parë, më 1995, kam organizuar në faqet e “Sportit Shqiptar” anketën e basketbollistit shqiptar të shekullit dhe ka dalë kjo renditje: Agim FAGU, Renato RADOJA, Gazmend ÇAÇI, Vaso SHAKA, Bujar SHEHU. Nuk e diskutoj dhe as nuk është synimi i këtij shkrimi të bëj një ndreqje në histori rreth këtyre basketbollistëve gjigandë për Shqipërinë. Historia është aty, dhe Radoja është po aty - sundues i një mbirenditjeje: “farkëtuesi i madh i basketbollit modern në Shqipëri”, përcaktim vetjak i imi, duke perifrazuar titullin e librit të famshëm biografikokritik “Ezra Pound – farkëtuesi i madh i poezisë moderne” të Humphrey Carpenter. Sepse Radoja, përveç të tjerave, qe dhe një poet i basketbollit.

Para pak vitesh kur në një ndeshje veteranësh në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” e ripashë në fushën e basketbollit, përjetova ruajtjen prej tij të po atij stili, të po asaj figure, të po atij basketbolli, të po asaj teknike virtuoze, e pse jo, të po asaj gjuajtjeje të një plasticiteti krejt origjinal, ndonëse gjithçka tashmâ qe në miniaturë.

4.

Nuk është rastësi që për këte shkrim kam përzgjedhur këto gjashtë foto. Kam pasur një qëllim. Kam dashur të kujtoj se Renato Radoja është përveç të tjerave themeli dhe lartësia e një familjeje apo fisi të rrallë sportiv. Ai është bazamenti dhe vazhdimësia e këtij trungu sportiv krejt origjinal, i cili ia ka arritë ta ruajë me besnikëri këte prirje, këte force, duke e skalitë mû ai këte histori, siç dhe e patë deri këtu. Kësisoji, pa dashur dalim te një përvjetor tjetër, te përvjetori i 85 vjetëve sport kombëtar të Radojave, qysh nga viti 1925 që kulmon me vitin 1929, sa për të fiksuar atë vit themelimi të madh që i dha Shqipërisë Kampionatin e parë Kombëtar në një lloj sporti, atë të atletikës së lehtë që ne e shpalosëm muajin e fundit në faqet e “TemA”-s. Emrat janë Rrok Radoja e Luigj Radoja - dy axhat e Renatos; Shuk Radoja, baba i Renatos; Renato Radoja dora vetë dhe Terezina Radoja motra e Renatos, për të mos gjurmuar për të “zbuluar” edhe ndonjë Radojë tjetër, ndoshta jo dhe aq episodikë as ata. Dhe e gjithë kjo pesëshe, në një farë mënyre është Kampione e Shqipërisë. Kahu i ndryshuar, papritmas ngjau me vëllanë e tyre, Robert Radojën, i cili nuk bë sportist apo basketbollist, por pianist e muzikant i rangut, por duke mbetur edhe ai në dhuntinë e një interpretimi që dilte po prej duarve të një krijimi gjithashtu virtuoz.

Foto më e vjetër prej këtyre është ajo çiklistike që i përket vitit 1925. I treti nga e djathta në këmbë është Rrok Radoja – pjesëmarrës i Rrethit të parë Çiklistik të Shqipërisë që siç e kam vërtetuar në Kongresin Botëror të Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit (UCI), qysh më 1991, është i pari për amatorët në Europë. Rrok Radoja është ndër çiklistët pjesëmarrës të atij rrethi që vazhdon t’i bëjë nder të madh historisë së Shqipërisë. Ai është në radhën historike të këtyre pionierëve të çiklizmit shqiptar: fituesi Jonuz Gjylbegu, Rudolf Gurashi, Fadil Ulqinaku, Lem e Lec Koliqi, Halit Giolemi, Ali Haveriku, Agostin Rasha, Rrok Ndoja, Elez Maha, Qazim Mesi, Minir Begeja, Pashuk Tushaj, Lorenc Ndreka… Së bashku me këta qytetarë të klasit të parë të Shkodrës, edhe ky sportist i parë i Radojave, Rrok Radoja, është një prej themeluesve më të shquar nën udhëheqjen e një pionieri të paharrueshëm të sportit kombëtar, me emrin Palok Nika. I dhuruan Shqipërisë evenimentin sportiv më të parë dhe më të madh të kohës. Foto e jonë e 84 vjetëve më parë e tregon pak a shumë rëndësinë e ngjarjes, teksa paraqet pritjen zyrtare të çiklistëve në Tiranë me praninë e senatorit Halit Rroji, Ministrit të mbrendshëm Cena Beg Kryeziu dhe Drejtorit të përgjithshëm të Arësimit Pertef Pogoni.

Mbrapa fotos së Luigj Radojës, gjej ndërkaq, të shkruar këto fjalë:

“Luigj Radoja në kapërcime – lojtar shumë i talentuem e klasik i lojës së futbollit të Shkodrës Vllaznija”.

Për fat, e kam personazh te “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”. Interesant është se këto fjalë futbollistike shkruhen në mbrambulesën e një fotoje ku Luigj Radoja është duke marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Atletikës së lehtë, me 5 shtator 1930 në Shallvaren e Tiranës. Luigji është një prej themeluesve të Kampionatit të parë Kombëtar të futbollit, sulmues i krahut i Vllaznisë e cila doli në fushën e lojës qysh ditën e parë të këtij themelimi të prillit të vitit 1930: Hajro Llukacevic, Nush Luka, Hil Staka, Muhamet Halili, Shaqo Llukaçevië, Ali Paçrami, Qazim Dervishi, Paç Koliqi, Rexhep Krasniqi, Shefqet Keçiçi, Luigj Radoja. Çfarë emrash për ata që e dijnë mirë këte histori! Midis të cilëve juristë e profesora të shquar. Luigj Radoja është titullar i klasit të parë të 11-shit shkodran deri një ditë të vitit 1934 kur papritmas shtypi njoftonte se në ndeshjen e 24 majit 1934, atë Skenderbeu – Bashkimi Shkodran, shkodranëve iu mungojnë tre lojarë: Luigj Radoja, Gjon Kiri e Hil Staka sepse shkojnë studentë në Itali”!

Në gjithë këto vite Luigj Radoja, është njëkohësisht edhe atlet i Kampionatit Kombëtar të Mbretëreshës së sporteve. Në fillim në atë të juniorëve dhe më1931 dhe 1932 është gjithnjë midis tre të parëve në garat e 100 e 200 metra për të rritur në duele me emrat më të shquar të kohës, një Sander Krajë e Fet Dizdar, një Luigj Shalë, Ahmet Ashike e Llazar Miha.

Mandej baba Shuk, Shuk Radoja - një ndër sportistët themelues më të shquar të Vllaznisë dhe Shqipërisë së Mbretërisë. Dy herë kampion kombëtar në garën pararendëse të çekiçit, hudhje e topit me dorezë. Kësisoji, Shuk Radojën mund ta quajmë themelues ndër të parët shqiptarë të garës së kësaj disipline olimpike, çekiçit të parë madje. Përveçse rekordmeni, ai është dy herë Kampion i Shqipërisë më 1930 dhe 1931 në këte garë. Tituj dhe rekorde që do t’ia dorëzojë dy emrave të shquar. Së pari Vasil Konomit më 1932 – atij i cili më 1958 kur sapo dilte në fushën e lojës Renato Shuk Radoja, do të bëhej presidenti i parë i Komitetit Olimpik Shqiptar. Një vit më vonë Shuk Radoja është përsëri Nënkampion, në duel me as më pak e as më shumë, por me “një farë” Ibrahim Kodra, i cili do të bëhej një nga piktorët më të shquar modernë të Europës!

Me Shuk Radojën mbaron historia e parë e “dinastisë” sportive Radoja. Për të mbërritur te Renato, e bashkë me te edhe te Terezina Radoja – basketbolliste e shquar e 17 Nëntorit të Tiranës me Kombëtaren e Shqipërisë. Eshtë bashkëshorte e Astrit Grevës, e vërejmë ndërkaq një “ndërhyrje” kuptimplote në historinë e Radojave, prej një protagonisti të madh të basketbollit shqiptar, Astrit Greva – njeriu që pati fatin të drejtonte në ndeshje të pashlyeshme dy të pazëndsueshëm sot e kësaj dite të basketbollit shqiptar, Renato Radojën dhe Agim Fagun, po dhe të tjerë të pafund, deri në ndeshje befasuese në Kupa të Europës. Gjithçka e futur në arkiv, e mveshur me një koracë “fanatike” të një harrese shembullore, për çudi të kohës së sotme!

Duke iu kthyer fotos së dy bijve të Shuk Radojës, që po botojmë, ajo i përket vitit 1961, ku këta “kundërshtarë” shpallen në të njëjtën ditë Kampionë të Shqipërisë: Terezina me 17 Nëntorin dhe Renato me Partizanin.

Nuk po vazhdoj më me këte histori sportive të basketbollit ku nëse protagonisti është një: 70-vjeçari Renato Radoja, nuk mund të them kurrsesi se personazhet e tjerë të nëntë dekadave sport të Radojave, janë të dorës së dytë. Në të vërtetë, pesëshja Shuk Radoja – Rrok Radoja - Luigj Radoja – Renato Radoja – Terezina Radoja në fund të fundit përfaqëson një traditë mirëfilli të sportit shqiptar, mbrenda së cilës bazament dhe vazhdimësi emblematike është Renato Radoja, i cili ia ka arritë ta ruajë me besnikëri këte prirje, këte force, duke e skalitë mû ai këte histori, siç dhe e patë deri këtu dhe të cilën e bashkoi për herë të pare ky shkrim.

Rrugëve të Shkodrës mund ta takosh Renato Radojën në thjeshtësinë e vet të pafjalë, në fizionominë e tij karakteristike, të qeshur, e të një shikimi prej të cilit buron një nobilitet, një modesti që veç ai e pati edhe kur mijëra vetë nuk i ndalnin duartrokitjet kur ai shpaloste artin e tij, prijës dhe farkëtues i madh i basketbollit modern në Shqipëri. Në këte 70-vjetor të lindjes së tij ai u bë përsëri Kampion i Shqipërisë, siç e treguam. Ashtu si dikur. Ndoshta përsëri edhe nesër…

TemA

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: