Sejdi Berisha: Piktura, si vulë e refleksion i vlerave historike dhe artistike
| E Premte, 30.10.2009, 07:44 PM |


P a m o r e

 
Në atelienë e piktorit, Idriz Berisha
 
Sejdi BERISHA:
 
PIKTURA, SI VULË E REFLEKSION I VLERAVE HISTORIKE DHE ARTISTIKE
 
Të thellohesh në analizat e vlerave artistike të krijuesit, shpesh ndodh që mund të dalësh nga kornizat mbase edhe nga binarët e përmbajtjes që autori prezanton, kështu që pastaj, atij ia atribuon edhe shumë veti e vlera artistike, të cilat as ai në krijimtarinë e vet nuk i ka vërejtur, por fuqishëm i janë përvjedhur përmes mesazhit piktural, përmes ngjyrave, konstruktimit, vijave dhe të ndërlidhjes së temës me veprën. Një konstatim i tillë është edhe shprehje dhe refleksion i peshës së mirëfilltë dhe i identitetit artistik, që pas vetes lë apo demonstron fuqishëm pjekurinë krijuese, imazhin, imagjinatën dhe përkryerjen e tërë asaj që e vë dhe e përjetëson në pëlhurë, në tablo të çfarëdo madhësie e dimensioni qofshin ato.
Këtë begati dhe privilegj të rrallë e hasim tek krijimtaria e piktorit akademik, Idriz Berisha, i cili thuaja se në secilin punim, në secilën pikturë, në secilën vepër, nuk ecën pa e thënë e portretizuar atë përjetimin e brendinë e tij shpirtërore, e cila shpesh i ngjanë mesazhit dhe ndijimit të thellë poetik. Pra, piktura bëhet poezi dhe varg i shprehur bukur e i thellë, i dalë nga brendia duke prezantuar koloritin e jetës, rrugëtimin e njeriut, dhembjet, periudhat dhe etapat historike si dhe thurjet e shthurjet, të cilat si biografi, lumturi e tragjikë, përbëjnë fondacionin dhe sfondin e përkryer artistik, që gjithnjë mbetët i pëlqyer, i preferuar dhe i afërt. Që shprehet si burim dhe inspirim, si provokim dhe protestë e mendjes, e individit dhe e kolektivitetit.
 
Ngjyrat dhe kompozicioni si fisnikëri e universit krijues
 
Krijimtaria e Idriz Berishës, nuk është as e rastit dhe as rutinore. Përkundrazi. Para se të prezantohet dhe finalizohet mirë në vorbullën e inspirimit të piktorit, ajo, gjithnjë e ka të kombinuar universin, shumëkuptimësinë, klithjet, etjet, e para se gjithash dashurinë për të bukurën, për lumturinë dhe për zërin e arsyes kurrë të heshtur. Mbi treqind krijime të këtij piktori, të cilat i gllabëroi flaka e luftës, sikur ato u shndërruan në forcë dhe feniks për ta dëshmuar edhe më shumë rebelimin e tij krijues, për ta ripërtëritur dhe vazhduar manifestimin e vlerave dhe të gjurmëve të jetës përmes brushës dhe ngjyrës. Për të ngulmuar për peshën krijuese, dhe kështu tani pikturat e tij, së bashku apo secilën veç e veç, sikur i shohim si një bibliotekë, si muze dhe etnografi, në të cilat shprehen veçoritë krijuese, të cilat kapin e rrahin tema me mesazhet e thellësive artistike, duke prezantuar kështu begatinë, koloritin dhe karakteristikat e vlerave shpirtërore, historike, socio-psikologjike dhe filozofike të njeriut dhe vendit që i takon piktori, Berisha.
Kështu, tek secila pikturë, tek secili cikël dhe vepër e këtij krijuesi të mirëfilltë të artit pamor, ngjyrat, koloriti i ndërtuar dhe i kompozuar kujdesshëm por edhe figurat e njeriut e të objekteve të tjera, janë thjeshtë kompaktësi karakteristike fragmentesh apo tërësish me vizionin e jetës, me çelësin e hapjes së portave dhe të rrugëve e të drejtimeve, mund të thuhet fondamentale drejtë dritës së diellit, që s’është gjë tjetër pos begati artistike e krijuese, i prezantimit të vlerave dhe të diskursit shpirtëror, të cilat, së bashku flasin, komentojnë e ndërtojnë qëndresën si lapidar përjetësie i tërë asaj që është thënë e mbetet për tu thënë nga mendja dhe zemra e njeriut.
 
Këtu edhe qëndron ajo fryma e gjallërimit, respektivisht, e tërë asaj që u jep shpirt pikturave dhe jetë tërësisë ciklike e të tablove, në të cilat thuajse mbërthehet nga një roman jete. Këto karakteristika figurative, I. Berisha i ka vënë dhe i ka unifikuar si tema, të cilat ligjërojnë lloj-llojshëm në fusha të ndryshme dhe në kuptimin shumëdimensional. Kjo formë e pikturimit gjithnjë e më shumë perfeksionon universin krijues, fisnikëron vlerat artistike, por edhe begaton meditimin respektativ dhe aktual të artdashësve. Në këtë aspekt, në formë të përkryer vërehet afiniteti i piktorit për të na prezantuar vlera me përformansë e cila bëhet refleksion i pozicioneve të forta tematike me pretekst të theksimit të rrugëtimit ngritje-rënie por të pathyeshëm e të pakthyeshëm të njeriut, nganjëherë edhe të zhurmshëm, i cili nuk kursehet duke filluar nga imagjinata, ëndrrat, gëzimi, dhembja, dhuna, historia, sakrifica dhe përjetësia.
 
Ankthi në pikturë për këngët e vonuara!
 
Për këtë arsye, krijimtaria e këtij piktori, përveç karakteristikave profesionale që ka, ajo shquhet, sepse në vetvete ngërthen shumëtemësinë, por gjithnjë duke qenë i kujdesshëm për të spikatur mesazhin aktual, të plotë dhe të çiltër, gjë kjo e cila vërehet në cikle, tablo dhe vepra si “frymë amësie”. Porosia e artistit nuk është vetëm thjeshtë testament, por ajo përshkohet dhe përcjellët me shumë atribute tjera artistike dhe filozofike, të cilat e ndërtojnë dhe e prezantojnë tërësinë e jetës. Me këtë formë të të pikturuarit, veprat e Idriz Berishës, lënë, apo mirë për të thënë, bëhen gjurmë historie, shndërrohen në pasqyrë të rrjedhave kohore të cilat ngritën në piedestalin “Përtej lartësisë”, siç mbanë titullin edhe piktura ku prezantohet dhe madhështohet figura e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Kjo, vepër, ndoshta mund të merret si nismë e mbarë, kurse si fanar po se po, për ciklin në të cilin do të prezantohet tërësia e fshehtësive shpirtërore të rrjedhave historike, e cila shndërrohet në një lloj almanaku, në të cilin vihet theksi në shprehjet artistike edhe për komentimin e lirë, nga shumë aspekte, por edhe të drejtë e të sinqertë, të veprave të këtij krijuesi impresiv dhe me temperament të veçantë meditativ. Kështu, ai na ofron “mërdhezjen” e përjetimit të kohërave e të pasqyrave si kompozicion, gurëzim e përjetim të të gjitha atyre shqetësimeve jo vetëm vetanake, të sekuencave e të begative të identitetit kombëtar. Janë këto gjëra të gërshetuara pashkëputshëm me begatinë e vlerave të theksuara pothuaj gjithnjë e më kompleksive në të gjitha veprat, të cilat disponojnë fuqinë e ngrohtësisë dhe specifikën e rrezatimit figurativ, metaforik dhe ndonjëherë edhe alegorik, por duke “implikuar” edhe vlerat e dialogut dhe të gjuhës së deskriptivitetit në art.
Ngjyrat, figurat, vijat dhe kompozimi, bukur e “palojnë” pikturën si finalizim të dritës, të këngës së re, rrugëtimit të bardhësive, por edhe të anktheve për këngët e moçme dhe të vonuara. Ndërkaq, kullat dhe thesari i veshjes kombëtare, të cilat prezantohen në forma e mënyra të ndryshme, shëmbëllejnë si vulë jete, si emblemë e domosdoshme e artit, i cili shpesh e gjithnjë, në gjuhën e vet, flet sa shumë vepra të shkruara, e ndonjëherë më shumë, më prekshëm dhe më fuqishëm.
Është karakteristikë se tek veprat e Idriz Berishës, të cilat me gjithë atë begatinë dhe klithjet shpirtërore që mbrumen edhe me elementet e mendimit filozofik, na provokojnë edhe ato çështjet me peshë amshimi, e të cilat lënë plagë e vragë tek njeriu. Ato i vërejmë si demonstrim të detyrueshëm por gjithnjë cilësor tek shumë vepra, në shumë piktura, si në ato “Kthimi”, “Dhembjet binjake”, “Testament”, “Porta e tmerrit” etj. Gjithashtu, pikturat nuk duken të qeta, dhe sikur ato kanë zjarrminë e mungesës së dëshmisë dhe të përjetimit të bollshëm aq sa ka dëshirë artisti. Për këtë, na bëhet se në tablo lënë gjurmë përpëlitjet e përplasjet shpirtërore si përshkallëzim i dëshirës për të nxituar për të treguar mirë e plotësisht fshehtësitë dhe fuqinë e ngjyrave, të cilat herë flasin, herë heshtin, herë dialogojnë e herë harlisen në pikturat e Berishës, duke krijuar ambient polemizues figurativ, gjëra këto të cilat kur kapen bukur, ato adhurohen dhe bëhen pjesë e përjetimit të secilit njeri. 
Të gjitha këto, padyshim se ky piktor gjatë rrugëtimit të tij krijues përpiqet t’i vë në piedestalin historik dhe kështu flet me gjuhën e studiuesit, sociologut, historianit, shkencëtarit dhe të kronistit. Kështu, në mënyrë intelektuale, jo vetëm se na ofron por edhe na “imponon” meditimin dhe komentimin, qoftë të lirë apo edhe institucional. Këtu, kujtoj se qëndron edhe ai gjakimi përmbajtjesor artistik si madhështi dhe si intrigim për debat, gjëra, të cilat padyshim se e begatojnë krijimtarinë artistike jo vetëm të këtij piktori. Ndërsa, vlerat artistike të tij i dëshmojnë edhe pesëmbëdhjetë ekspozita individuale dhe katërmbëdhjetë kolektive, disa prej të cilave janë organizuar dhe realizuar me sukses edhe në Shqipëri, Maqedoni, Gjermani dhe në Zvicër.


(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: