Besim Muhadri: ‘’Romani për Kosovën’’apo libri i dëshmisë artistike
| E Hene, 26.10.2009, 11:36 AM |

“ROMANI PËR KOSOVËN” APO LIBRI I DËSHMISË ARTISTIKE

 

Sprovë për analizë të romanit “Romani për Kosovën”, të Zejnullah Rrahmanit


Nga: Besim Muhadri

 

Zejnullah Rrahmani (1952), njëri nga shkrimtarët më të përkushtuar të letërsisë moderne shqipe, një romansier i lindur, siç është cilësuar ai,  në letërsinë tonë është bërë i njohur për trajtime romansore të temës së lirisë, të vendit e të kombit. Romanet e tij si: “Sheshi i Unazës” (1978), “Udhëtimi arbdhetar “(1992) dhe “Romani për Kosovën” (2000), “janë romane në të cilët dominon një ligjërim i çuditshëm, ku situatat dramatike artikulohen me gjuhë lirike dhe një shqipe tepër të pasur e të studiuar”.

Tema e lirisë dhe  e mungesës së saj, tema efatit të intelektualit dhe atdhetarit njëkohësisht, apo edhe si tema të shkrira në një, janë pothuajse të përhershme në krijimtarinë romansore dhe tregimtare të Zejnullah Rrahmanit, të këtij krijuesi erudit dhe shumëdimensional. Mirëpo, te vepra e dhjetë e tij, përkatësisht te romani i katërt i tij,  Romani për Kosovën (“Faik Konica”, Prishtinë 2000), kërkimi i lirisë bëhet në një rrafsh konkret, prandaj dhe ka një dramacitet e tragjicitet të panjohur në romanet e tjera të këtij autori”<!--[if !supportFootnotes]-->[1]<!--[endif]-->. Qëllimi apo intenca e autorit megjithatë nuk ka ndryshuar, përveç se ngjarjet e trajtuara në këtë roman kanë “zbritur” në rrafshin real, për të treguar tërë ashpërsinë e një brutaliteti kohor dhe historik të një kohe të caktuar, të rënë mbi kurrizin dhe fytyrën e shqiptarëve, pjesë e të cilit etnitet është edhe vetë autori. Konkretësia e shfaqur në materialin romansor në romanin e Zejnullah Rrahmanit vjen po ashtu edhe gjatë përdorimit të toponimisë shqiptare, vende ku edhe zhvillohen ngjarjet. Vendet të cilat i hasim në romanin e Zejnullah Rrahmanit janë të njohura për ne, vende të cilat i kemi prekur dhe i prekim për çdo ditë, rrugët nëpër të cilat ecim, sheshet që shetisim, por edhe evenimente të tjera të realitetit shqiptar, që tashmë janë bërë pjesë përbërëse të prozës së Zejnullah Rrahmanit, të shtrirë brenda për brenda kopertinave të një vepreje siç është Romanai për Kosovën.

 

Mospërkufizimi i ngjarjeve dhe i kohës

 

Edhe pse autori veprën e tij e ka titulluar Romani për Kosovën, ai lirisht mund të quhej edhe Romani për shqiptarët, sepse ngjarjet e stisura në këtë roman nuk janë të përkufizuara vetëm e vetëm brendapërbrenda një territori të caktuar, siç është ta zëmë Kosova, prej nga edhe e ka marrë titullin vepra. Ngjarjet shtrihen dhe rrëshqasin sa në një vend, në vendin tjetër, personazhet po ashtu, ndërkaq, historia është (po ashtu) e ashpër dhe e njëjtë për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, në Prishtinë, Prizren, Shkup a Triranë.

Autori i romanit ka përdorur një përkufizim të kohës dhe ajo është koha e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht koha e futjes së Shqipërisë nën pushtimin italian. Është një kohë kur edhe Kosova bie nën këtë pushtim, apo pretektorat, ngase pushtimi i saj kishte ndodhur edhe më herët. Është koha kur të gjithë e dijmë se shqiptarët vuanin nën pushtimin e Mbretërisë jugosallve, përkatësisht të asaj serbe. Pushtimi apo ripushtimi i saj nga Italia ishte “mirëpritur”, apo ishte pritur me shumë gjakftohtësi nga shqiptarët e ngopur dhunë dhe robëri. Koha e pushtimit të Kosovës nga italianët, që është edhe në fokus të interesimit tematatik të romanit të Zejnullah Rrahmanit, është e njohur edhe si një kohë e bashkimit apo të ribashkimit të saj me Shqipërinë; kohë e hapjes së shkollave shqipe anekënd Kosovës dhe e dërgimit të mësuesve shqiptarë në Kosovë nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, që drejtohej nga Ernest Koliqi. Dërgimi i mësuesve dhe i misionarëve nga ana e Qeverisë Kuislinge, ishte një akt i pandodhur ndonjëherë në historinë e këtyre viseve, përkatësisht në historinë e Kosovës. Ardhja e mësuesve, apo e misionarëve të arsimit, qoftë të dërguar edhe nga një ministri kuislinge, ishte mirëpritur si një akt që tek shqiptarët e Kosovës ngjalli ndjejna dhe përjetime të ndryshme. Hapja e shkollave shqipe në mënyrë masive, por edhe përdorimi i flamurit kombëtar nuk kishte ndodhur ndohjëherë më parë në këto vise, prandaj ishte diçka e re, diçka që edhe mund mirëpritej nga njerëzit e stërlodhur nga robëria.

Por nuk është vetëm ky fokusi i interesimit të shkrimtarit në romanin e tij. Edhe pse trajton problemin e intelektualit dhe të misionarit, nëse mund ta quajmë kështu, në të shumtën e herave autori i kthehet historisë në mënyrë retrospektive, përmes së cilës lexuesi përballet me ngjarje dhe padrejtësi të shumta të ndodhura në kurriz të shqiptarëve dhe në kohë e situata të ndryshme. Sado që në romanin e Zejnullah Rrahmanit “ndeshen pasazhe brilante lirike, të njohura te ky autor, situime të veçanta groteske, transformime të habitshme figuruese të shqipes me një ngjyrim të kuptimit e të moralitetit autentik; madje dhe tekste të ngurtësuara mitologjike shqipe”<!--[if !supportFootnotes]-->[2]<!--[endif]-->, prapë se prapë kemi të bëjmë me një prozë të llojit të veçantë, shumë më konkrete dhe shumë më të “prekshme” ndoshta për lexuesin, gjë që ndoshta s’jemi mësuar ta hasim në romanet e mëparshme të tij. “Të gjitha këto perla shkrimore në këtë roman shtyhen anash nga fuqia e ngjarjes dhe forca e dëshmisë artistike. Do të thuhej që në këtë fazë autori ka kaluar nga dramatika e të thënës në dramatikën e ngjarjes”, do të shprehet në mes tjerash Sabri Hamiti.

 

Paraqitja e botës shqiptare në mënyrë të lakuriqësuar 

 

Por edhe pse të fiksuara e madje të shumëtrajtuara në romanin e Zejnullah Rrahmanit, ato nuk janë thelbi i kësaj proze. Konkretizimi i vendeve shqiptare pa figuruacion të errësuar dhe shpifje artistike, është shenjë e një konkretizimi të shfaqur të autorit, i cili këtë shfaqje të tij e bën si një protestë të mbajtur me vite në kujtesën e tij të stërmunduar. Në prozën e romanit të Rrahmanit hasim e rihasim vende të botës shqiptare, të cilat na paraqiten realë. Vende shqiptare me pamaje reale që të pushtojnë. Aty hasim apo takojmë emra njerëzish realë e konkretë, për të cilët kemi dëgjuar, por edhe i kemi parë. Thjeshtë aty kemi ngjarje që ende janë të gjalla në kujtesën tonë historike dhe atë të përditshme. Thënë thjeshtë, bota shqiptare, me të gjitha ato krajata jetësore e historike është dhënë në mënyrë të lakuriqësuar.  

A do të thotë kjo se kësaj radhe është fundosur fantazia krijuese e Zejnullah Rrahmanit, për t’u shpërfaqur në mënyrën e saj me të dukshme, që do të thotë me tërë konkretësinë e saj lakuriqe. Kjo që e themi në formë pyetje, lë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një prozë të këtij autori që ka evoluar në aspektin e paraqitjes apo në atë të shtrirjes dhe të komunikimit me lexuesin. “Kur e lexon romanin, menjëherë rrëshqet në jetë dhe ashtu i bartur në këtë fushë të tmerrshme të ngjarjeve e ndodhive bëhesh një pjesëmarrës, kurse procesi i krijimit të veprës si dhe i leximit të saj krijojnë së bashku një dëshmi të tmerrshme artistike”.<!--[if !supportFootnotes]-->[3]<!--[endif]-->  

 

Identifikimi i personalitetit

të intektualit dhe misionarit

 

“Romani për Kosovën” është roman i ngjarjes reale e transformuar në fat personal. Ahmet Zeqiri, personazhi kryesor i këtij romani është personal real, i cili ka jetuar në një kohë pesëdhjetë vjet para kohës së romanit si fatum letrar. Kjo e krijon paradoskin e kuptimit të këtij romani si roman personal...”<!--[if !supportFootnotes]-->[4]<!--[endif]-->

Kur jemi të kryepersonashi i romanit, Ahmet Zeqiri, duhet të themi se ai është një personifikim i intelektualit shqiptar, mbase të të gjitha kohërave, i cili mban në vetëdije njohjen mbi domosdonë e përfundimit tragjik dhe që vazhdon të jetë i njejtë me heronjtë e tragjedive të mëdha, që ecën drejt përfundimit të tij. Ashtu sukurse që është jeta e atdhetarëve në zgripcin e ekzistencës, ashtu është edhe çështja shqiptare në jetën e tyre. “Njeriu ilustrativ i Kosovës shkollohet në Shqipëri, për ta ndritur Kosovën dhe për të forcuar lidhjet shpirtërre, por për sa rritet forca e tij e ndikimit, për aq rritet rreziku i vetëshkatërrimit të tij, deri në përfundimin tragjik. Pra misionari vritet, për të mbetur misioni i pakryer”.<!--[if !supportFootnotes]-->[5]<!--[endif]-->

Zejnullah Rrahmani me Ahmet Zeqirin, jetën e tij si intelektual dhe si njeri atdhetar, ka identifikuar personalitetin e intelektualit dhe misionarit, që për çështje madhore, siç është fati i atdheut, që vë në rrezik edhe jetën, familjen dhe gjithçka. Madje edhe vetëflijohet. Vetëvrasja e protagonistit, në një moment të caktuar historik, është një enigmë, mbase e pasqaruar, por e nënkuptuar gjithsesi. Intelektuali ikën nga jeta, pa a kryer misionin, ndoshta në kohën kur kryerja e këtij misioni ishte e pamundur, apo ndoshta edhe për atë sepse ishin përzier konceptet dhe se në botën e këtij njeriu po shpërfaqej një koncept tjetër, që e kishte të vështirë ta pranonte. Shfaqja e rrethanave të reja historike në botë, prandaj edhe në botën shqiptare, ishte një realitet i pashmangshëm. Italia, Gjermania dhe aleatët e saj, ishin një realitet që luftohej nga bota. Në Shqipëri dhe Kosovë shfaqet komunizmi si një forcë kundër nazizmit dhe fashizmit. Ahmet Zeqiri, i dërguar në Kosovë, përkatësisht në Prizren, në cilësinë e kryerjes së misionit të përhapjes së arsimit në këtë trevë, është në dy mendje, ndonëse autori nuk e jep të plotë. Ai është një njeri që ballafaqohet me këtë realitet fund e krye. Ai këtu është më tepër i prezentuar si një misionar idealist, që vjen për të kryer një mision, por në ndërkohë në qëndrimin e tij shfaqet një pamje tjetër. Këtë pamjen tjetër shkrimtari e mban pak si të mjegulluar, nuk e jep, ndërsa Ahmet Zeqiri i jep fund jetës në një moment të caktuar dhe shkon në mënyrë të mistershme. Prandaj  ne pajtohemi me konstatimin se “e veçanta e kësaj aventure krijuese e identifikuese është se vepra nuk shkruhet më për të sqaruar idenë, por përshkruhet jeta me ndodhitë e veta, nga e cila përfitohet ideja”.<!--[if !supportFootnotes]-->[6]<!--[endif]-->

A është kjo një hezitim i shkrimtarit, apo një aventurë e kërkimit të tij letrar në krijimin e portretit të intelektualit atdhetar shqiptar, që doemos duhet të përfundojë në tragjedi, “duke mos pasur dalje nga kjo, i kushtëzuar njësoj ashtu dhe nga malicioziteti i të tjerëve, i të huajve, që përzihen në fatin e individit ilustrativ e të popullit të zakonshëm.<!--[if !supportFootnotes]-->[7]<!--[endif]-->.

Duke lexuar prozën “Romani për Kosovën” të  Z. Rrahmanit ne konstatojmë, ashtu sikurse edhe është konstatuar edhe më parë se ai nuk është më roman modern në vështrimin e periudhës letrare e të stilit, por roman bashkëkohor, që lidhet me kohën, me momentin, me komunikimin e saj, sado që me shtresime të veta retrospektive rrëshqet në të kaluarën, vetëm sa për të forcuar idetë e mëdha që dalin në të tashmen”.  Në këtë roman janë disa situata antologjike që japin shenjat tragjike që bëjnë të komunikojnë kohët e përseritura shqiptare, të cilat kur të lexohen si të tilla, që siç u tha edhe më lart i referohen kohës së Luftës së Dytë Botërore, atëherë mund të shfaqim një mendim se ato ngjarje dhe ato referenca kanë koinçidencë jo të rastësishme edhe me kohën kur është shkruar dhe po lexohet romani.

Kjo bën që romani në fjalë i Z. Rrahmanit të tingëllojë si një klithmë për aktualitetin shqiptar, veçanarësisht në Kosovë. Një roman për të sotmen, artikulim i ankthit shqitar dhe i përpjekjes së tij për liri dhe çlirim kombëtar. Heroi intelektual apo atdhetari shqiptar i romanit të Zejnullah Rrahmanit është një misionar i lirisë, i cili përjetoi situata të rënda të jetës dhe të veprimit, por që më në fund përfundoi tragjikisht. Vrasja apo vetëvrasja e këtij protagonisti të këtij romani, në këtë rast e Ahmet Zeqirit, është një vrasje enigmatike, por njëherësh edhe shumëkuptimore, sikurse edhe shumë vrasje të tjera të kësaj natyre të ndodhura në kohë dhe momente të caktuara të historisë. Heroi tragjik intelektual i Kosovës, siç e quan Sabri Hamiti, ndërsa vetë autori dëshiron ta quajë atdhetar shqiptar, është një atdhetar apo hero që bie viktimë e idealizmit të tij për një çështje madhore siç është liria e atdheut. Kjo liri nuk vjen pa sakrifikime dhe kurbane. Dhe sakrificat dhe kurbanet, fatkeqësisht  u takon të bëjnë vetëm idealistët.

 

 

 

 

Literatura

 

Zejnullah Rrahmani, Romani për Kosovën, Shtëpia Botuese “Faiuk Konica”, Prishtinë 2000.

Sabri Hamiti, Letërsia Bashkëkohore, vepra letrare 9 (kompleti i veprave),  SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2002.

Vehbi Miftari, Mes intrigës policore dhe dramës personale, “Zëri “, Prishtinë, 9 dhjetor 2000.

 

<!--[if !supportFootnotes]-->

<!--[endif]-->

<!--[if !supportFootnotes]-->[2]<!--[endif]--> Sabri Hamiti, vepra e cituar, f. 339.

<!--[if !supportFootnotes]-->[3]<!--[endif]--> Sabri Hamiti, vepra e cituar, f…..

<!--[if !supportFootnotes]-->[4]<!--[endif]--> Vehbi Miftari “Mes instrigës dhe dramës personale”, “Zëri” Prishtinë, 9 dhjetor 2000.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: