Kalosh Çeliku: Kokat e huaja në qafë
| E Enjte, 29.10.2009, 07:54 PM |

KOKAT E HUAJA NË QAFË

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

         Populli shqiptar gjatë ndryshimeve demokratike në IRJ të Maqedonisë ka bërë gabim historik, kur fatin e tij ua la në dorë kalorësve të arratisur, intelektualëve të rrejshëm, kulturofagëve, gjysmanalfabetëve e matrapazëve, që e shitën për interesa personale, për një karrige, për një vend pune, për një banesë. Gabim ky, të cilin e pagoi dhe e paguan edhe me vënien e kufujve të rinj në trojet tona etnike, me shkatrrimin e arsimit, me sakatimin e kulturës shqiptare dhe me paralizimin e mjeteve të informacionit pa kritere publicistike, që monizmi i bëni gazetarë nga rruga. Vite me radhë të çirresh nëpër stadium, foltore e tryeza të rrumbullakta për demokraci, rrokesh fytas para kamerave televizive për gjuhën shqipe, për dy orë flamur në Teatrin e Kombësive, Fakultet Pedagogjik, Universitet të Tetovës, kur partitë e tjera politike sllavomaqedonase kanë bërë e bëjnë luftë për pushtet, janë si fitoret e Don Kishotit kundër mullinjve të erës. Është punë tjetër ajo pse Don Kishoti, kur e hedhin fletët e turbinës bythekrye, ngritet përsëri t’i vazhdojë betejat e tij të përgjakshme vetëm e vetëm për Dylqinenë e Tobozës, ky “demokrat” yni ende përpëlitet, i këndon serenatë nga foltorja nën dritare.

         Sançot tanë hipur mbi gomar (mjetet e informacionit në IRJ të Maqedonisë) u shërbejnë me besnikëri, duke shpresuar se pas gjithë këtyre betejave të përgjakshme do t’i presë më në fund shpërblimi (një okë drith). Prandaj, edhe nuk duhet të habitet askush, se gjatë gjithë këtyre vrapimeve maratonike kanë defiluar në paradë si arushë me dajre të njëjtit individë nga monizmi, e njëjta kope me zgjebe. Kurrë nuk e ke dëgjuar edhe zërin tjetër, rrugën pas Çukës, po sa zëra të çjerrë e pa shpirt, ngritur lugetër mes varreve. E kanë ngritur zërin, i kanë ngushtuar radhët e tyre me të njëjtat metoda komuniste, mundohen të t’i mbyllin dyert e dritaret, i skuqin sytë: ai që nuk mendon si ne, është kundër nesh. Vështirë e ke t’u shpëtosh nga duart këtyre kalorësve të arratisur, të pajtohesh me ta sot, kur nuk je pajtuar dje dhe nuk do të pajtohesh as nesër, ngase e kanë shaluar Kalin e bardhë me një këmbë të thyer, gjithë ditën e gjatë e freskojnë veten me birra nën hijen e Rrapit te Shatërvani, e pas teravive luajnë shah e bilardo nëpër çajtore. T’i shohësh fytyrat e tyre të “përgjakura” për liri e barazi kombëtare rrugëve të Qytetit, se si përshëndetën, përqafohen, puthen e krenohen, të vjen të vjellësh, t’i nxjerrësh zorrët, aq sa nuk të hahet buka disa ditë me radhë.

         Natën vonë, kur të gjithë flenë, e ndezin televizorin, e veshin këmishën e bardhë gjer në fund të këmbëve, i vënë kravatat dhe e hapin derën. Ti mendon se do të dalin në rrugë, në kopsht ose në mesin e luleve, por jo, ata i kanë rënë kryefshehur moçalit. Pasi janë larë mirë e mirë mes atyre krimbave, kanë dalë në foltore. I kanë vënë syzet, i kanë nxjerrë tespihet kuqezi dhe janë shtrirë në livadh t’i luten Allahut. Matanë Bit-Pazarit, njëri nga ta ia thotë edhe një ilahije, gjunjëzohet mbi qilima. Ngrihet. Përsëri gjunjëzohet. Në fund pas lutjeve, kur ngrihet, e rrethojnë gazetarët me tespihe në dorë. Sallamadia, zonja e rëndë e lirisë dhe e bukurisë, ua hap krah më krah edhe dritaren. E ata, pasi kishin luftuar mjaft me shpatën e Skënderbeut, tash e krahasojnë veten me hazreti Isanë, kur fluturoi nga minarja e xhamisë, shkuan haxhi në Mekë...

         Vështirë është t’u besohet edhe këtyre rreshtave, zvarritjeve të butakëve nëpër pluhur mes këtij bërlloku që vozitet me vite nëpër karrocat e Bita-Pazarit. Koha me siguri do ta thotë fjalën e vet një ditë, do të na mbulojë me lule ose përsëri me bërllok. Asgjë në këtë botë nuk na mbetet pa paguar sot ose nesër. Ne kemi bërë mëkate, nuk e meritojmë Xhenetin, e a do të na e hapin derën e Xhehenemit ose do të na lidhin si qen pas derës, edhe këtë nuk e di, ngase “demokratët”  e sotëm kam frikë mos shkojnë edhe atje para nesh dhe, derisa të shkojmë ne, ata më do ta kenë shuar zjarrin...

         Pasardhësit tanë? Pasardhësit tanë do të na mallkojnë, që i lamë në mes të rrugës. Njëzetë vjet me radhë, në vend të barazisë së plotë kombëtare në IRJ të Maqedonisë, librave, emisioneve kulturore, orëve letrare, pjesëve teatrore, u shitëm demagogji. Nuk i qitëm matanë lumit, poi  lamë në mes të hurdhës. Një numër, nëpërmjet agjencive turistike, i dëbuam edhe nga Atdheu. Ndodhë edhe të na shajnë për pazarllëqe, tradhti, por ne nuk do t’i dëgjojmë nënë ata gurë.

        Nesër, ku ta dish, ndodh të na dalë gjumi, nuk do të ecim rrugëve me koka të huaja në qafë...



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: