Sejdi Berisha: Pasqyrë e rrugëtimit historik të arsimit
| E Marte, 06.10.2009, 07:08 PM |

R e c e n s i o n

Sejdi BERISHA:

PASQYRË E RRUGËTIMIT HISTORIK TË ARSIMIT

(Shyqri Pajaziti, Murat Morina dhe Mr. Musa Nushi: “Portretizimi i veteranëve të arsimit në komunën e Pejës 1941-1965, Pejë-2009)

Në shumë fusha kemi bërë përpjekje por edhe kemi arritur shumë duke shkruar e botuar libra dhe materiale të nduarduarta, por një materie e tillë akoma mungon dhe se rrjedhave dhe rrugëtimit tonë historik ende nevojitet për t’u hedhur dritë ashtu si edhe fakteve dhe ngjarjeve, të cilat janë të struktura mbase mund të thuhet edhe të ngulfatura nga errësira politike, nga dilemat dhe boshllëku e papërgjegjësia historike, shkencore e studiuese që na ka përcjellë.
Portretizimi i mbi pesëqind e dhjetë veteranëve të arsimit që nga viti 1941, është dëshmi përmes së cilës përpiqet të thuhet, të ndriçohet dhe të shpjegohet arsimimi i asaj periudhe jo vetëm në komunën e Pejës.
Ky libër le të jetë së paku një pasqyrë dhe një përpjekje për t’i dhënë dritë të plotë dhe gjithnjë me meritë, arsimimit dhe punës e veprave të gjithë atyre që u angazhuan për këtë çështje të pa kompensueshme dhe të shenjtë.

Biografitë e shkurtra si faktografi e rrjedhave të arsimimit

Libri “Portretizimi i veteranëve të arsimit të shkollave në komunën e Pejës 1941-1965”, autorë të të cilit janë Shyqri Pajaziti, Murat Morina dhe Mr. Musa Nushi, në shikim të parë duket si një dokument provizor, i cili vë në spikamë vetëm numër emrash të mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe të pishtarëve të tjerë të arsimit. Por, në fakt, është një dokument aq i qëlluar dhe provokues për shumë gjëra, të cilat duhet të zënë vend në letrat e dokumentet tjerë, si një faktografi që duhet të cytë krijues, publicistë, shkrimtarë, pedagogë, mendimtarë, historianë, kronistë e shkencëtarë për të bërë hulumtime gjithnjë e më shumë, për të grumbulluar fakte, të dhëna e dëshmi jo vetëm për arsimin, jo vetëm për vlerat shpirtërore dhe kulturore.
Ngase, edhe pse, ne, në shumë fusha kemi bërë përpjekje por edhe kemi arritur shumë duke shkruar e botuar libra dhe materiale të nduarduarta, një materie e tillë akoma mungon dhe se rrjedhave dhe rrugëtimit tonë historik ende nevojitet për t’u hedhur dritë ashtu si edhe fakteve dhe ngjarjeve, të cilat janë të struktura mbase mund të thuhet edhe të ngulfatura nga errësira politike, nga dilemat dhe boshllëku e papërgjegjësia historike, shkencore e studiuese që na ka përcjellë.
Në librin “Portretizimi i veteranëve të arsimit të shkollave në komunën e Pejës 1941-1965”, kemi një pasqyrë për punën e mbi pesëqind e dhjetë veteranëve të arsimit që nga viti 1941, pra, që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, e cila kohë përpiqet të thuhet, të ndriçohet dhe të shpjegohet më shumë përmes biografive dhe autobiografive të shkurtra, dhe, ndoshta shpesh edhe me shënime modeste, jo të bollshme, jo të hollësishme dhe të pa sistemuara profesionalisht. Dhe, vet përpjekja për të prezantuar një regjistër të tërë emrash të veteranëve të arsimit nga rajoni i Pejës dhe më gjerë, sikur na zgjon kureshtjen por edhe përgjegjësinë, për ndërgjegjësim dhe për begatimin e dëshmive e të tablove biografike e historike, të cilat sforcojnë përkushtimin jo vetëm edukativo-arsimor, por edhe sensin e pasurimit të vlerave historiografike, të cilat i krijojnë ndërlidhjet dokumentare të të gjitha fushave dhe lëvizjeve brendapërbrenda kombit. Andaj, nëse sado në mënyrë modeste apo sipërfaqësore analizojmë këtë vepër, dhe nëse atë e vëmë në rrafshin e tendencave të ngjarjeve historike, atëherë, edhe pse nuk është thënë, mund të nxjerrim dhe të komentojmë materialin si mesazh, se nga veprat siç është kjo, del kërkesa për begatimin dhe angazhimin hulumtues e historiko-shkencor, jo vetëm për arsimimin, por edhe për spektrin e gjerë të zhvillimit shoqëror përmes shkrimeve të cilat ndriçojnë sekuenca, ngjarje e rrjedha të tjera.

Potenciali kadrovik, shprehje e qëndresës për identitetin kombëtar dhe kulturor

Kjo armatë veteranësh dhe punëtorësh të arsimit të përjetësuar në këtë libër, pos tjerash dhe para se gjithash dëshmon potencialin, rëndësinë dhe përkushtimin e kombit për krijimin dhe begatimin e mendjes e të intelektit të vetvetes, gjëra këto, të cilat pastaj kanë rezultuar e rezultojnë edhe sot me kalitjen dhe ngritjen e qindra e qindra kuadrove në fusha e lëmenj të ndryshëm, të cilat i kanë dhënë impuls zhvillimit shoqëror, ekonomik, kulturor dhe kombëtar, e që kanë rezultuar edhe me themelimin e shumë e shumë institucioneve me peshë e karakter historik, qoftë në nivel lokal, rajonal por edhe në shkallë kombëtare.
Pra, ky libër nuk është vetëm sa për t’i kujtuar këto figura, por karvani i tyre, e të cilat kuadro nuk ka mundur t’i pengojë as kufiri artificial i trojeve shqiptare, është zë dhe mesazh që qartë tregon edhe për gjëra e lëvizje të tjera brendapërbrenda kombit dhe tokave shqiptare. Këtu qëndron edhe roli i një prej segmenteve fundamentale të rrjedhave historike, e, përbrenda tyre edhe ai i komentimit të qëndresës, të ndrydhjeve e të padrejtësive, të shtrembërive historike dhe të trysnive politike, të cilat përkundër reprezaljeve nga më të ndryshmet, nuk munden ta mposhtin vendosmërinë për t’i ruajtur e çuar përpara vlerat kombëtare, e bashkë me to edhe ato shpirtërore, kulturore dhe arsimore.
Shumë nga veteranët që janë radhitur në këtë libër si përpjekje monografike, dje dhe sot, me veprat e tyre shquhen si emra e figura me influencë, e që me kontributin e tyre janë emblemë e shumë rrjedhave dhe të arriturave në fushat e ndryshme të jetës qoftë politike, arsimore, kulturore e shkencore. Kjo, do të thotë, se Peja ishte dhe mbetët qendër me potenciale të mëdha dhe karakteristike intelektuale. Ishte edhe promotor i zhvillimit të shumë ngjarjeve, të shumë proceseve politike dhe shoqërore, ndërsa, të kulturës, po se po! Andaj, të dhënat e shtruara këtu, ia rrisin vlerën këtij libri gjithnjë si pretekst për të bërë punë edhe më me peshë historike dhe shkencore në të ardhmen.

Shënimet jo vetëm tentim për një monografi por edhe guxim për t’i përjetësuar vlerat arsimore

Dihet mirëfilli, se të shkruash vepra të kësaj natyre, nuk është edhe shumë e preferueshme, sepse, është shumë dhe krejt e natyrshme se shumë të dhëna mund të ngelin jashtë, apo, është e pamundshme të përfshihen të gjithë ata që ishin kyçur në procesin më të shenjtë, në procesin e arsimimit. Por, megjithatë, ky libër le të jetë së paku një pasqyrë dhe një përpjekje për t’i dhënë dritë të plotë dhe gjithnjë me meritë, arsimimit dhe punës e veprave të gjithë atyre që u angazhuan për këtë çështje të pa kompensueshme dhe të shenjtë.
Në monografinë “Zejtarët e Pejës”, të cilën e pata botuar këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë, kam thënë: “...Me siguri se do të ketë mangësi, por do të bëj përpjekje që ky libër të jetë një pasqyrë e zejtarisë pejane, e cila do të xiglojë e provokojë edhe për gjëra të tjera që të nxirën në letër... Më kanë nxitur edhe më shumë për këtë ndërmarrje dilemat e shumë njerëzve se gjëja kësaj pune nuk duhet dhe nuk mund t’i hyhet. Kështu, shpesh jemi mësuar të veprojmë, sepse, na mungon eksperienca, na mungon edhe vullneti, na mungon guximi,... dhe, pse të mos e shtroj këtë sofër në libër ashtu siç është, e pasur dhe e varfër me shënime, të cilat do t’i begatojnë e madhështojnë me dëshmitë e tyre njerëzit e gjallë, të cilëve, nëpër damarët e gjakut u ka kaluar më shumë se njëherë koekzistenca individuale, kolektive dhe kombëtare...”!
Andaj, kështu le të jetë mendimi im edhe për këtë libër, sepse, edhe sot e kësaj dite, na nevojiten edhe shumë e shumë vepra, libra e dëshmi, sado modeste qofshin ato. Ngase, ne, akoma jemi përgjegjës për të punuar në dokumentimin e vetvetes dhe të historisë e të vlerave tona kombëtare, për të cilat duhet të njoftohet edhe bota. Këtë nevojë e dëshmojnë shumë gjëra, e, që këto ditë ishte edhe rasti i Enciklopedisë së Maqedonisë!


(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: