Besnik Dizdari: 102 humbje të Shqipërisë në Mesdhe dhe kriza jonë olimpike
| E Premte, 25.09.2009, 05:38 PM |

102 humbje të Shqipërisë në Mesdhe dhe kriza jonë olimpike

Nga Besnik Dizdari

“Imzoti nuk flitte shum, nuk ishte asish qi bërtasin “rrnoftë Shqipnija!” tue hangër e tue pi.”

Nga revista “Leka”, 1935, për Imzot Lazër Mjeden

Ka plot 57 ditë që janë mbyllur Lojërat e 16-ta të Mesdheut dhe askush nuk ka thënë një fjalë për to e rreth tyre. Ndonëse Shqipëria ka pësuar bukur 102 humbje, çka përbëjnë rekordin e humbjeve në historinë olimpike shumësportëshe të Shqipërisë. Sepse ajo ka marrë pjesë në plot 16 lloje sportesh – një rekord edhe ky!

Në Pescara 2009 Shqipëria ka humbur thuajse gjithkund. Ajo ka humbur pa mëshirë, thuajse përditë gjatë atyre 10 ditëve.

Shqipëria ka humbur në futboll dy ndeshjet e vetme të saj. Ka humbur 8 ndër 10 ndeshjet e saj në basketboll, ka humbur të katër ndeshjet në hendboll, ka humbur të 8 ndeshjet në volejboll. Ka humbur krejtësisht në atletikë të lehtë, ka humbur 1-5 në boks, ka humbur 0-5 në mundje, ka humbur 0-20 në pingpong! Në beach volley ka humbur 0-7. Në karate ka humbur 3-16, në xhudo 3-7, në qitje 1-4, në çiklizëm 2-3, në not 2-6, në gjimnastikë 1-6!

Të gjitha këto humbje “të frikshme”, kur i mbledhim na thonë se Shqipëria ka humbur 102 herë në Lojërat e 16-ta Mesdhetare Pescara 2009!

Asnjëherë më shumë se kaq.

1.

Në të vërtetë përimtimi ynë origjinal, që bëhet për herë të parë në mënyrën tonë gazetareske “olimpike”, nëse do të mund të përcakonim kësisoji, na thotë se Shqipëria është një humbëse e madhe shumësportëshe, kurrsesi e pafat, por një humbëse e parapërgatitur për humbjen, e vetëdijshme për humbjen, e mësuar me humbjen, indiferente me humbjen, e bashkëjetuar me humbjen. Deri aty sa asaj nuk i bëjnë asesi më përshtypje humbjet, nuk i dridhet buza prej humbjeve, nuk ia prishin humorin humbjet, nuk e trondisin aspak humbjet, madje humbjet nuk e cënojnë sado pak pushtetin e organizmave të sportit kombëtar, sport i cili duket se është më i dobët se kurr në histori. Ka të fortë vetëm pushtetin e tij, i dalë përmes zgjedhjeve sportive, ku shteti, pushteti apo qeveria prej kohësh, të frikësuar për shkak të padive që federatat sportive i bëjnë në organizmat ndërkombëtare sportive, tashmâ janë dorëzuar e nuk bëzajnë. Sot pushteti sportiv ndër ne, në të vërtetë gëzon lirinë më të çfrenuar në histori. Deri aty sa që edhe kur pëson 102 hujmbje në krejt ylberin shumngjyrësh olimpik të sporteve, kthehet duke qeshur, e madje duke deklaruar se “kësaj here dolëm më mirë se asnjëherë tjetër!?”

Nuk ka bërë llogarinë e 102 humbjeve, ndonëse e di bukur mirë se ato aty janë, përveçse në skenat e mjediseve sportive, edhe në protokollet e Pescara 2009.

Shqipëria ka humbur kudo. Ajo ka humbur thellë edhe në sportet ku qysh më 1987, në pjesëmarrjen e saj të parë, në Latakia të Sirisë, ka marrë medalje të arta, si në basketboll, por sidomos në volejboll e qitje. Në volejboll madje kësaj rradhe Shqipëria ka humbur më thellë se asnjëherë tjetër: 0-8! Ndryshe Turqi – Shqipëri 3-0, Bosnje Hercegovinë – Shqipëri 3-0, Spanjë – Shqipëri 3-0, Greqi – Shqipëri 3-0, Tunizi – Shqipëri 3-0, Mali i Zi – Shqipëri 3-0, deri dhe Algjeri – Shqipëri 3-2! Duke zënë vendin e parafundit për femra dhe të fundit për meshkuj! Çka do të thotë kjo 0-8? Do të thotë se 22 vjet më mbas, Shqipëria ka shkatërruar edhe sportin më cilësor të saj, volejbollin. Dhe për të kuptuar se çka kemi qenë, sidomos për të informuar paksa brezin e ri të sportdashëve shqiptarë, po shkëpus këto rradhë të vitit 1987 nga Arkivi im i Latakias Mesdhetare, kur isha i vetmi gazetar i pranishëm i Shqipërisë:

“…12 shtator 1987. Ora 9 e mëngjezit. Itali – Shqipëri. Me të drejtë u tha: “Kush fiton këte ndeshje, fiton medaljet e arta”. Dhe shtatlartat e reja italiane, ndër më të zgjedhurat, duken superiore ndaj volejbollisteve shqiptare. Mbrenda 18 minutave 15-11 për ta! Një fillim i keq për vajzat me fanelat e kuqe. Italianet gëzojnë. Iu duk se janë drejt fitores. Por mjafton një ndërrim fushe dhe skena të shndërrohet, mbi të gjitha në episodet e saj. Që nga ky çast skuadra shqiptare do t’ia fitonte zemrat spektatorëve të volejbollit në Latakia. Dhe 3 setet rradhazi që fitohen: 15-6, 15-9, 15-4! Fitorja ka vulën e gjuajtjeve të Tases, Murzakut, Babulit, dhe mbi të gjitha të Dukës. “E përgëzoj skuadrën shqiptare”, thotë trajneri i njohur italian Sergio Guerra, “e cila mendoj se do të luajë një rol të rëndësishëm në këte turne”. Në të vërtetë kështu do të ishte. Vijnë rradhazi edhe 4 fitore të tjera: 3-0 ndaj Turqisë, 3-1 ndaj Greqisë, 3-0 ndaj Libanit dhe Sirisë! Medaljet e arta zbukurojnë gjokset e volejbollisteve tona dhe pasurojnë historinë e volejbollit tonë në rang Kombëtareje që na mungon. Madje në gara olimpike, siç janë Lojërat e Mesdheut. “Shoh për herë të parë një skuadër shqiptare, e cila më habiti”, - thotë Zoutinen, sekretar i përgjithshëm i Federatës Botërore të Volejbollit. Mbas pak na nderojnë tingujt e Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe ngritja e flamurit tonë…”

Kemi qenë kështu 22 vjet më parë. Ndërsa tash 0-8! Dhe është fjala për volejbollin, më cilësorin e Shekullit XX për sportin shqiptar.

Jemi 22 vjet mbrapa?...

Latakian Shqipëria nuk e ka mbërritur ende: 3 medalje ari, 1 argjendi, 4 bronzi. Qysh nga Latakia 1987 dhe deri në këte Pescara 2009, Shqipëria nuk ia arriti të fitojë më asnjë medalje ari. Rënia është drastike. Vështroni tabelën tonë:

Edicioni

Ari Arg. Bro.

1987 Latakia 3 1 4

1991 Athina - 4 4

1993 Languedoc-R. - 2 -

1997 Bari 1 1 -

2001 Tuniz 0 1 0

2005 Almeria 0 2 4

2009 Pescara 2 4 0

Rënie, rënie, rënie!

102 humbje historike vetëm në Pescara 2009. Kudo! Futboll, basketboll, hendboll, volejboll, atletikë, boks, mundje, pingpong, beach volley, karate, xhudo, qitje, çiklizëm, not, gjimnastikë…

Dhe… Ka plot 57 ditë që janë mbyllur Lojërat e 16-ta të Mesdheut dhe askush nuk ka thënë një fjalë të vetme për to e rreth tyre. Ndonëse Shqipëria ka pësuar bukur 102 humbje, çka përbëjnë rekordin e humbjeve në historinë olimpike shumësportëshe të Shqipërisë. Dhe madje ka marrë pjesë në plot 16 lloje sportesh – një rekord edhe ky!

Këto këtu ishin rreshtat e parë të këtij shkrimi. Përsëritje e humbjes. Refreni i humbjes. “Poezia” lirike e humbjes!

2.

Mirëpo, papritmas mbërrin “il contrappunto”. Që tingëlloi përmes zërit të drejtuesve të KOKSH: “Kësaj here arritëm rezultate më të mira të të gjithë pjesëmarrjeve”.

Si është e mundur? Mos po flasim në erë ne? Mirëpo, humbjet janë plot 102. Atëherë?

Me folë me gjuhën e bilancit medaljer, Shqipëria nuk e ka arritur ende as Latakian 1987 të para 22 vjetëve, sepse ajo ende asnjëherë, as në Pescara 2009 nuk arriti të fitojë 3 medalje të arta sa çka fituar në Latakia 1987. Kësisoji, njerëzit e KOKSH kanë gabuar kur kanë thënë “kësaj here më mirë se asnjëherë tjetër”. Ndonëse e kanë një të drejtë: në Pescara 2009, Shqipëria e 102 humbjeve, çuditërisht ka arritur suksesin më të madh të 6 edicioneve të fundit të Lojërave të Mesdheut (përjashto Latakia ‘87). Si ka mundësi? Edhe sukses, edhe dështim i madh me 102 humbje?

Përgjigja është e thjeshtë megjithate. Në Pescara 2009 mbas plot 22 vjetëve, më në fund Shqipëria arrin të fitojë medaljet e para të arta, që mungonin qysh nga Latakia ‘87, kur ato i pat fituar volejbolli, basketbolli, qitja dhe peshëngritja. Ky pra është suksesi i madh përballë 102 humbjeve. Por është suksesi vetëm i një sporti, peshëngritjes “së mallkuar”, siç kemi nëntitulluar këte shkrim.

“E mallkuar” sepse ky sport, i cili sot është më i përparuari, nuk ka asnjë vend, bie fjala në Komitetin Olimpik Kombëtar të Shqipërisë nëse do të ligjërohen zgjedhjet e treta të kohëve të fundit. Kjo do të thotë se në KOKSH gjithçka mund të ketë, por peshëngritje, në kuptimin përfaqësues të saj asesi nuk ka. Eshtë njëlloj sikur në Komitetin Olimpik të Brazilit të mos ketë në kreun e tij asnjë vend përfaqësues sporti i futbollit. Apo që në Komitetin Olimpik të SHBA, të mos kenë asnjë vend përfaqësues sportet e basketbollit, të atletikës apo të notit e kështu me rradhë. Apo që në kreun e Komitetit Olimpik të Italisë të mos ketë asnjë vend sporti i futbollit.

Por do t’i rikthemi kësaj.

Le të qëndrojmë te pyetja: a duhet quajtur suksesi më i mirë në histori përfaqësimi i Shqipërisë në Pescara 2009, kur në 15 sporte ke pësuar 102 humbje dhe nderin e humbur ta ka shpëtuar një sport i vetëm? Nuk e di. Di vetëm se kriza sportive olimpike në Shqipëri tashmâ është e përmasave. Në të gjitha kahet nga ta marrësh: në rezulatet ndërkombëtare dhe kombëtare, në gjeografinë e shpërndarjes dhe zhvillimit të tyre, në cilësi dhe numra ushtruesish, e pse jo, sidomos në organizimin e federatave sportive kombëtare, të cilat përjetojnë brishtësinë e tyre më të dukshme në histori, të etura për t’u mbyllur në interesa vetjake, në vetvete pra, dhe po kryeforta për të mos bashkëpunuar me shtetin, pushtetin, qeverinë – bashkëpunim që organizmat ndërkombëtare të sporteve e quajnë parësor. Dhe ka ndodhur që qysh nga rënia e komunizmit, Shqipëria nuk ka ndërtuar asnjë objekt të ri sportiv! E vetmja edhe në këte humbje “sui generis”. Eshtë e vetmja që në 20 vjet nuk ka ndërtuar të paktën një stadium të ri, kur dihet se në ç’gjëndje i ka ekzistuesit, e kur dihet se me përjashtim të “Qemal Stafës” - vepër e fashizmit italian - të gjithë stadiumet e tjerë i ka ndërtuar Regjimi, me sa duket falë sentencës së njëanshme se “diktaturat nuk e bëjnë keq sportin”. Shqipëria sot nuk ka asnjë stadium apo pallat sporti që plotëson parametrat olimpike moderne. Kur bie fjala, duke qëndruar vetëm në Ballkan, në këto 20 vjet objektet e reja sportive të ndërtuar apo sapondërtuar janë të aq të shumtë. Shkoni këtu afër, në Malin e Zi, e vazhdoni në Bullgari e Rumani për të parë se çka ndodhur. Nuk mund të krahasohemi me askend.

Kësisoji, Pescara 2009 është “kapaku i florinit”, natyrisht në kuptimin e kundërt.

E megjithate 2 medalje ari dhe 4 argjendi. Emrat janë këto:

Romela Begaj, Erkand Qerimi në ar, dhe Briken Çalja, Ervis Tabaku, Romela Begaj, Erkand Qerimaj në argjend.

Të gjithë këta antipod i 102 humbjeve në 15 lloje të tjerë të sporteve, sepse janë medalje që i përkasin një sporti të vetëm: peshëngritjes. E pra, nëse ta ka shpëtuar nderin e humbur një sport i vetëm, kur ti ke humbur 102 herë në 15 sporte të tjerë, madje deri dhe në elitën tradicionale të sporteve tuaja kombëtare, ahere vetvetiu nuk mund të flasësh për suksese mirëfilli. Për hir të së drejtës do të duhej të shkruash me gërma të mëdha, ose të thërrasësh me sinqeritet: “Faleminderit peshëngritje!”. E mandej të ftosh në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar peshëngritësit me gjithë Federatën Shqiptare të Pesëhëngritjes, t’iu organizosh një pritje madhështore dhe të përsërisësh: “Faleminderit peshëngritje!”.

3.

Për të sjellë në vehte të kalamendunit kujtohemi ndërkaq të bëjmë këte bilanc të shpejtë:

60 medalje evropianobotërore për të rritur e të rinj i ka sjellë Shqipërisë peshëngritja vetëm në 7 vjetët e fundit. Prej këtyre janë 15 tituj të Kampionit të Europës dhe 11 të Nënkampionit të Europës. Dhe apogjeu: 2 tituj të Kampionit të Botës dhe 5 tituj të Nënkampionit të Botës. Kampion i Europës dhe i Botës, jo kampion i sheshit “21 Dhjetori” të Tiranës, që është ditëlindja e Stalinit dhe ku për fat ka selinë KOKSH.

Peshëngritja është sporti që ka shpëtuar nderin e ngushtuar të sportit kombëtar. E vetmja! Dhe çuditërisht është sporti “i mallkuar”. “I mallkuar” për interesa vetjake të pushtetit sportiv që na çuan në krizën olimpike të Shqipërisë (tre edicione zgjedhjesh ende të pakonfirmuara) që përjeton një kulm edhe pse ndokuj nuk i duket i tillë. Në fund të fundit, kjo u pa gjatë gjithë këtyre muajve me mënjanimin që i bëhet Esat Ademit, presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, i cili drejt me e thënë, mban një përgjegjësi të madhe për qëndrimin e tij në zgjedhjet e para të tri zgjedhjeve të fundit të njëmbasnjëshme të KOKSH, kur duke mos mundur të përmbajë veten, teksa papritmas pa se ndodhej në një sallë gati armiqësore ndaj tij, humbi kontrollin dhe doli jashtë natyrës së tij. Gjest i papranueshëm natyrisht, që për çudi ngjalli një gëzim të pamatë andej e këtej. Kujtoni epsodin e filmuar kur ai kërkonte të çlirohej prej duarve të bodigardëve, episod që për ditë të tana bëri xhiron e pandalshme televizive, të botuar ndërkaq me dhjetra herë në gazeta, të komentuar si fundi i botës e nuk di se çka. Dhe gjithçka në emër të etikës olimpike. Bukur! Mirëpo, etika olimpike u ruaka vetëm në anën e jashtme? Po prapaskenat, po grupazhet, po bodigardët e sallës, të cilët pengojnë deri dhe hyrjen e sportistëve olimpikë më në zë të Shqipërisë, një sallë olimpike madje, po manipulimet e mundshme (se edhe të tjerët nuk janë engjej, apo jo), a nuk kanë të bëjnë edhe të gjitha këto me etikën olimpike, madje shpesh herë shumë më tepër se sa qoftë dhe thyerja, e dënueshme doemos, e një kutie votimi?

Ndërkaq, vendimi në KOKSH apo s’di se në çfarë mbrapaskenash apo mbrapakuintash, disa çaste para zgjedhjeve të treta të tij për të përjashtuar presidentin e FSHP nga e drejta për të kandiduar për president i KOKSH, është një nga prishjet më të mëdha të etikës olimpike në Shqipëri.

Mësoni tash se çka ndodhur menjëherë mbas zgjedhjeve të çartuna për KOKSH dhe gjestit të papranueshëm të Ademit. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) e zgjodhi presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) anëtar të Komitetit Ekzekutiv të IWF. Kjo është një ngjarje paprecedent në historinë e sportit shqiptar: është absolutisht hera e parë në histori që një shqiptar zgjidhet në drejtimin e një Federate Sportive Botërore. Kjo ngjarje që ka kaluar pa asnjë jehonë në shtypin shqiptar, në TV e radio, e rrjedhimisht edhe në KOKSH, kuptohet se ka ndodhur për një arësye: sepse shtetet anëtare të IWF dhe vetë IWF (Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes) nuk kanë patur synim për të nderuar thjesht një individ, që është presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ajo ka dashur të nderojë peshëngritjen shqiptare, shpërthimin ndërkombëtar të saj, në Europë dhe në Botë, rritjen dhe fuqizmin e saj, ku natyrisht roli i presidentit të kësaj Federate Shqiptare të Peshëngritjes në fjalë, i cili ka modernizuar këte Federatë, duke e drejtuar mbrenda një kohe të shkurtër nga rënia në ngjitje, është tejet i rëndësishëm. Pa fetishizuar. Sepse rritja e peshëngritjes shqiptare këto vite të fundit, në rradhë të parë është një meritë e madhe e klubeve sportive të peshëngritjes, e trajnerëve kryeultë dhe punëshumë shqiptarë, dhe mbi të gjitha, e vetë peshëngritësve të talentuar dhe të një sakrifice të madhe të tyre, që me sa duket pak emocionon lëvizjen e sotme olimpike shqiptare.

Të pranosh dhe të krenohesh, madje me rezultatet shpëtimtare të peshëngritjes, dhe nga ana tjetër të konsiderosh “persona non grata” presidentin e saj në kandidimin e tij për kreun e KOKSH, vendim ky përveç të tjerave i pambështetur në asnjë regullore dhe ligj (e drejta e shéjtë për t’u zgjedhur, dihet që është thelbi i demokracisë dhe vetëm vota e fshehtë mund të të përjashtojë), kjo përbën një ndër arbitraritetet më të mëdha që ka ndodhur në lëvizjen e sotme olimpike shqiptare në krizë. Kujtoni se çka ngjau me futbollistin e famshëm Zinedine Zidane, kur ai si një vrasës goditi zemrën e futbollistit italian Materazzi gjatë Kupës së Botës 2006. Mbas kësaj ngjarjeje që bëri bujë në gjithë botën, një veprim çnjerëzor, siç u përcaktua, po mbrenda atij viti FIFA e vuri Zidane-n në krye të piedestalit të saj, duke i vënë permes një ceremonie madhështore në gjoks kurorën e futbollistit më të mirë të botës. Sepse kurr një gjest i vetëm, edhe pse jo etik, nuk mund të përnbysë një jetë të tanë të suksesit të madh.

Kohë më parë kemi shkruar për një kthesë për mirë që ka bërë lëvizja olimpike në Shqipëri përmes vetë gjallërimit të punëve të KOKSH, i cili sot me të vërtetë është një forum që ecën drejt pavarësisë së tij, i cili në këto vite të fundit është përpjekur për të luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe zhvillimin e lëvizjes olimpike në Shqipëri, çka nuk ka ndodhur më parë. Mirëpo, rënia papritmas në një krizë kësisoji, është tronditëse dhe po papritmas flet se gara për pushtet në gjirin e KOKSH, çuditërisht ka një gjallërim të ri.

Nuk po na pëlqen me u endë në një pyll të përsiatjeve politike të zhanrit. Mirëpo, nëse për vite njerëz të së majtës sundojnë organizmat sportive në Shqipëri, madje deri dhe me figura të Regjimit që iku, për fat të keq të dënuara për veprime shtypëse të atij Regjimi, të cilët e paskan të drejtën e votës e të zgjedhjes më parë se një president i sukseseve të mëdha të një Federate Sportive, atëhere çështja nuk mund të jetë as e thjeshtë, as e mbyllur, as e fituar.

Raportet e papranueshme gjeografike të një baraspeshe kombëtare sundojnë në kreun e gati të të gjitha Federatave sportive shqiptare, duke kulmuar edhe në KOKSH. Bie fjala, prej vitesh nuk gjëndet në kreun apo drejtimin e tij një përfaqësues i qytetit të Shkodrës, që ka themeluar jo vetëm sportet por dhe vetë lëvizjen olimpike shqiptare (kujto drejtuesit e parë themelues të saj për Shqipërinë, një Luigj Shala apo një Anton Mazreku). Po aq nuk gjëndet asnjë përfaqësues tipik i mirënjohur i Durrësit të shquar sportiv, i Korçës sportive, i Vlorës po sportive dhe për fat të keq as edhe një figurë e shquar e Sportklub Tiranës – themel kombëtar edhe i lëvizjes olimpike shqiptare tash e pakta 80 vjet, madje në të gjitha sportet! Dhe po kështu, nuk gjëndet midis kreut të KOKSH, as edhe një figurë e shquar e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Këto mungesa të papranueshme flasin po për një lokalizëm të zhanrit, jo vetëm gjeografik. Pse jo, deri edhe të kaheve të ideve e qëndrimeve politike që veç në mjediset e olimpizmit nuk iu takon të kenë vend. Ndodhemi kështu përpara një anomalie që forcës së një shpirti të vërtetë olimpik i takon ta mënjanojë po aq me forcë.

Mos valllë e ka gabim, bie fjala, Komiteti Olimpik Kombëtar Italian (CONI), i cili drejtohet nga Këshilli i tij Kombëtar, i përbërë nga presidenti i CONI-t, dhe të gjithë presidentët e të gjitha Federatave sportive të Italisë, nga sportistë dhe trajnerë të shquar më elitarë të Federatave kombëtare të sporteve përkatës si dhe nga përfaqësues të rajoneve kryesore territoriale të Italisë? Dhe mû prej këtij Këshilli suprem, del ajo që quhet “Giunta Nazionale”, mbrenda së cilës përsëri janë anëtarë krerët e Federatave kryesore sportive. Do të bënim një pyetje krejt të thjeshtë, elementare madje: si mund t’i marrë informacionet e përditshme të zhvillimit sportiv të vendit një Komitet Olimpik Kombëtar kur në Komitetin e tij Ekzekutiv ka vetëm një apo dy përfaqësues të Federatave sportive kombëtare dhe kur nuk ka asnjë përfaqësues të sporteve më të përhapur në vend (përshembull futbolli) apo dhe më të zhvilluar në vend (përshembull peshëngritja)? Dhe interesant! Ky lokalizim “par excellence” është po i përmasave të tilla thuajse në të gjitha kryesitë apo Komitetet Ekzekutive të Federatave sportive shqiptare!

Mëkat që vitet e fundit, Shqipëria si askush tjetër, zhduku Këshillin Kombëtar të Sporteve që me aq gjakim e përgjegjësi e themeluam, madje mû simbas stilit të shpikëses së saj, Anglisë, e cila i ka dhënë njerëzimit thuajse të gjithë sportet e sotme. Ishte një Këshill që bëhej një ndërlidhës me kuptim, përveçse një garant kombëtar, midis shtetit apo qeverisë dhe ruajtjes së lirisë dhe pavarësisë së organizmave, shoqatave, federatave sportive, të KOKSH dhe forcimit të atij bashkëpunimi që sot nuk ekziston në marrëdhëniet midis lëvizjes sportive apo olimpike dhe shtetit apo qeverive shqiptare.

102 humbjet e Pescara 2009 dhe medaljeve që dha peshëngritja atje, nuk përbëjnë një simbiozë mbijetese sportive. Përkundrazi, përbëjnë një antagonizëm. Dhe papritmas dashuria për flamurin e sportit kombëtar të duket si “ asish qi bërtasin “rrnoftë Shqipnija!” tue hangër e tue pi.”


(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: