Gjeniu i sportit Marçelo Lipi
| E Enjte, 24.09.2009, 11:31 AM |

E ka nisur karrierën duke mbledhur figurat e futbollistëve të famshëm të asaj kohe, derisa u bë vetë një figurë e albumeve të futbollistëve, ndërkohë që tani është trajneri i kombëtares kampione bote. "Ndonjëherë dukem shumë i mërzitur, por në fushë ndihe

Gjithçka ka nisur nga një gur, një gur shumë domethënës që e tërhiqte zvarrë nga shkolla në shtëpi. "E gjuaja me të jashtmen nga brenda, me majë dhe finte. Ndonjëherë ishte ndonjë kanoçe bosh, një top prej letre ose ndonjë bërthamë pjeshke. Më shoqëronte mua dhe miqtë e mi, ishte një aksion që dukej se nuk mbaronte asnjëherë, sepse instinkti i njeriut është të gjuajë, e madje jo vetëm kaq: gjuhet për ta çuar topin, gurin, kanoçen ose bërthamën e pjeshkës në një pikë precize. Pra gjuhet dhe luhet për të bërë gol". Marçelo Lipi është ulur në një bar. Sapo ka siguruar kualifikimin për Botërorin 2010, i cili do të zhvillohet pas 9 muajsh në Afrikën e Jugut, ku Lipi do të mbrojë titullin e fituar në vitin 2006. "Topin e parë nuk arrij ta kujtoj, por di që kishim shumë dhe ishin të ndryshëm, pothuajse të gjithë prej gome. Sigurisht që kur i rishikoj më duken interesantë, por jo se më pëlqenin edhe aq shumë. Ishin mjaft të fortë dhe të vështirë për t‘u kontrolluar. I kontrollonim me majë, por mendoj se me këtë mënyrë të gjithë janë të aftë. Unë isha i gjatë dhe shumë i zoti në gjuajtjet me kokë, por ato topa aq të rëndë dhe të lidhur me një lidhëse këpucësh, që në momentin kur i godisje të linin shenja në fytyrë. Gjithsesi, ishin shenja që kalonin shpejt. Ne jetonim me ato topa".

Shtëpia e Marçelos është e lartë, ngjyrë jeshile dhe të gjitha dritaret janë me pamje nga deti. Ai e viziton shpesh, që të lë të kuptosh se vazhdon të jetë atje. "Nuk arrij dot të jetoj pa detin. Çdo ditë qëndroj një orë pranë tij. Është çështje fiziologjike, më pëlqen ta ndiej të më përshkruajë trupin, të zhytem brenda tij, ta nuhas, të shkoj te moli, të rri pranë peshkatarëve apo edhe në barkë". Djaloshi që dikur gjuante çdo gurë që i dilte përpara, imagjinonte sikur plazhi ishte stadiumi. "Gjatë dimrit luanim në pyll, ndërsa në verë në rërë, si brazilianët, çdo ditë. Gjatë ditëve të "Kupës së Karnavaleve" shkonim të ndiqnim skuadrat në grumbullimet e tyre, futbollistët dhe magazinierët, për të marrë ndonjë varëse çelësash a ndonjë stemë të skuadrave. Mezi e prisnim këtë eveniment. Ashtu si në kohën tonë, edhe sot shoh shumë dashuri. Shoh talentin e të rinjve tanë: nuk është e vërtetë që brezi i ri ka vetëm muskuj. Unë jam munduar të ndërthur brezat, të bashkoj të renë me të vjetrën, nuk i përjashtoj për antipati dhe nuk i thërras për mirënjohje. Nëse një lojtar i vjetër ka talent, pra vlen nuk është më ‘i vjetër‘". Por a është ende futbolli një vend për të çuar fëmijët? "Sigurisht që po. Janë të shumtë mësuesit e sportit që e bëjnë çdo ditë këtë punë me pasion dhe u duan të mirën të gjithë këtyre fëmijëve. Fëmijët duhet të bëjnë sport me shpirt skuadre, ku të mësohet të flitet me ‘ne‘ dhe jo me ‘unë‘. Ndonjëherë kur flas me ndonjë person përpiqem të kuptoj se ka bërë sport kolektiv apo individual gjatë fëmijërisë".

Për momentin trajneri italian ka vendosur të bëjë disa ditë pushim pranë detit, ndërkohë që është në pritje të mbërritjes së dimrit. "Kur lëviz me biçikletë mendoj shumë. Vizitoj shtëpitë ku kam banuar. Në njërën prej tyre është ende saraçineska e garazhit ku ndodhej dera e shtëpisë. Aty i mblidhja figurat e futbollistëve. Kisha edhe Pizzaballa-n, por për fat të keq më humbi. Nuk e gjeta më. Kur u bëra edhe unë figurë, kuptova se ëndrra më ishte bërë realitet dhe ndihesha shumë me fat. Ndonjëherë në kutinë time postare gjej ndonjë zarf: është i ndonjë tifozi që shpërndan figurat e vjetra ‘Panini‘, me fytyrën e Marçelo Lipit mbrojtës".

Koha ecën shumë ngadalë, por është vetëm përshtypja, ashtu si këto dallgë që përplasen në bregun e detit. Disa këmbë të vogla lënë gjurmë, por ato fshihen menjëherë nga shkuma e dallgëve që u kalon sipër. "Nuk mendoja kurrë se do të bëhesha kaq i zoti. Në shkollë nuk mësoja shumë dhe nuk besoja se bëja para. Prindërit e mi kishin një pastiçeri dhe unë isha shumë i zoti për të bërë zbukurime. Gjithashtu shpërndaja porositë me biçikletë. Them se edhe sot mund ta bëj këtë gjë. Nuk kishim shumë para, por na mjaftonin. Mua më ka shkuar për mrekulli. E rëndësishme është që fëmijët e mi gëzojnë shëndet të plotë. Mendoj se kam mbetur një njeri i thjeshtë, kam të njëjtët miq, nuk kërkoj shumë nga jeta. Të ardhmen e shoh po kështu, por shpresoj të jem mirë me shëndet. Do të vazhdoj ta vizitoj detin, të lëviz me biçikletë, të kujdesem për familjen time dhe nipin tim të shtrenjtë".

Por cili është kufiri maksimal për Lipin?

"Maksimumi është një kufi mendor, në realitet nuk ekziston. Ekziston vetëm sfida e radhës. E di që është shumë e vështirë ta rifitojmë kupën, por unë jam rikthyer për të jetuar edhe një herë ato emocione së bashku me djemtë. Më vjen keq kur dëgjoj të flasin për mua si një konservator, sepse kjo nuk është aspak e vërtetë".

Cili është virtyti më i çmuar për Lipin?

"Mendoj se respekti për të tjerët është gjëja më e rëndësishme. Për njerëzit që gëzojnë këtë virtyt, ndoshta ekziston vetëm besimi. Ndonjëherë dukem shumë i mërzitur, por në fushë ndihem i lumtur. Nëse mendoj për ato që më kanë ndodhur, mund të them vetëm faleminderit, pasi e kam shndërruar ëndrrën në profesion dhe ajo ëndërr tani është e gjithë jeta ime".

Gazeta Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: