Tridhjetë vite Theçerizëm
| E Merkure, 23.09.2009, 08:18 AM |

Nga CARSTEN VOLKERY

“E dini, ka momente, ndoshta një herë në çdo tridhjetë vite, kur në politikë ndodh një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe shkundës”, i thoshte Kryeministri i Britanisë, Xhejms Kallagan njërit prej njerëzve të tij të besuar gjatë ditëve të fundit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1979. “Atëherë nuk ka më rëndësi se çfarë thua apo çfarë bën. Ka një ndryshim dhe zhvendosje të madhe në atë që publiku dëshiron dhe atë çfarë ai aprovon. Unë mendoj se tashmë jemi përballë një ndryshimi të tillë shkundës dhe ky është për zonjën Theçer”.

Që përpara se votuesit të shkonin në qendrat e votimit, Kallagan në mënyrë private pranoi se po largohej nga detyra. Mesazhi i “ndryshimit”, të paktën për të dukej se po sillte në pushtet udhëheqësen e opozitës konservatore, Margaret Theçer. Por ngjitja e saj në pushtet nuk ishte aspak aq e pandalshme se sa e bëri atë më vonë vetë Kallagan.

Vetëm disa muaj më herët, në verën e vitit 1978, karriera e Margaret Theçerit dukej se po merrte fund. Ekonomia britanike kish filluar të jepte shenja ringjalljeje. Inflacioni, i cili vetëm disa vite më parë kishte qenë në nivele 26.9 për qind tashmë ishte rikthyer sërish në njëshifror. Klima politike po përmirësohej ndjeshëm për Partinë Laburiste. Ajo filloi që të udhëheqë në sondazhe dhe në listën e politikanëve të preferuar në popull, Kallagani i moderuar e kish lënë shumë prapa Thecerin, e cila kishte një reputacion tashmë për ekstremizmin e saj.

“Dimri i pakënaqësisë”

Në fakt, gjërat dukeshin kaq mirë për laburistët, saqë Kryeministri nisi të mendojë që të thërriste zgjedhje të parakohshme për në vjeshtën e vitit 1978. Nëse ai do ta kish bërë, shkruan biografi i Theçerit, Xhon Kempbëll në librin e tij “Bija e Bakallit”, atëherë Theçer mund të kishte humbur dhe ditët e saj si gruaja në krye të konservatorëve britanikë mund të ishin të numëruara.

Por gjërat shkuan ndryshe.

Duke nisur të ndiejnë shqetësimin, konservatorët pajtuan agjencinë e reklamave Saatchi për të realizuar një poster. Në të shfaqej një radhë e gjatë punëtorësh të papunë me sloganin: “Laburistët nuk po punojnë”. Ishte një kujtesë për njerëzit se niveli i papunësisë, që numëronte ende 1.5 milionë vetë ishte gjithsesi shumë i lartë, jashtë normales. Vetëm pak postera u ngjitën lart në mure, por protestat e furishme të Partisë Laburiste garantonin që gjithnjë e më shumë njerëz do ta shihnin posterin. Kallagan ishte sërish në pozicion mbrojtës dhe ai hodhi poshtë planet e tij për zgjedhje të parakohshme.

Në dimrin që pasoi erdhi edhe shpërthimi i Theçerit. Do të bëhej i njohur për të gjithë si “dimri i pakënaqësisë” në Britaninë e Madhe. Në luftën e saj kundër inflacionit, qeveria vendosi një kufi prej pesë për qind për rritjen e pagave gjatë raundit të negocimit të pagës. Kompanitë që nuk do t’i përmbaheshin këtij limiti do të humbitnin kontratat e tyre publike.

Rregulli i pesë përqindëshit shkaktoi protesta dhe greva masive. Shoferë kamionësh, punonjës që merreshin me grumbullimin e plehrave të qyteteve dhe punonjës të spitaleve dolën nëpër rrugë. Edhe varrmihësit dolën në greva dhe protesta në Liverpul. Pikat e karburanteve dhe dyqanet mbetën pa njerëz për të punuar në ta, spitalet pranonin pacientë vetëm në raste emergjencash dhe sheshet publikë u mbushën plot me mbeturina. Për shumë javë në janarin e vitit 1979 në Britani mbizotëronte anarshia. Në 22 janar, sindikatat mbajtën “Ditën Kombëtare të Veprimit” dhe afro 1.5 milionë njerëz refuzuan të shkojnë në punë.

Kishte mbërritur momenti i Margaret Theçerit. Deri në atë kohë ajo nuk ishte ndier me vetëbesimin e mjaftueshëm për të sfiduar sindikatat. Ajo ishte një politikane shumë e kujdesshme, e cila ndihej e shqetësuar për shanset e saj elektoralë. Por tashmë, Theçer po nuhaste që publiku me siguri do të pranonte një ton më të ashpër. Ajo u paraqit si një udhëheqëse që ishte e gatshme, në emër të kombit, që të luftonte sindikalistët militantë. “Nëse dikush konfrontohet me liritë tona themelore, nëse dikush shkakton dëme dhe plagë ndaj të sëmurëve, o Zot, sigurisht që unë do t’u kundërvihem atyre”, deklaroi ajo në një fjalim radiofonik në 31 janar 1979.

Theçer goditi aty ku duhej. Shifrat e mbështetjes për të në sondazhe u rritën me shpejtësi, dhe shumë shpejt konservatorët e panë veten në një avantazh prej njëzetë për qind kundrejt laburistëve. Do të duheshin edhe tre muaj të tjerë përpara se të vinin zgjedhjet, dhe në javët e fundit laburistët nisën të fitojnë sërish terren. Por në ato ditë të janarit, Theçeri hodhi themelet vendimtarë për fitoren e saj në zgjedhje.

“Revolucioni Theçer”

Ishte një demonstrim i rrallë aftësie dhe paraqitjeje luftarake që bëri që ajo të fitojë nofkën “Attila the Hen” (Atila Pula, një lojë fjalësh me “Attila the Hun” – personazh i famshëm historik). Gjithçka bënte kontrast të thellë me qasjen e moderuar, enigmatike dhe të padepërtueshme që Margaret Theçer kishte pasur deri atëherë përpara popullit britanik. “Deri në majin e vitit 1979”, shkruan Xhon Kempbëll në biografinë e tij për Theçerin “asnjë koleg apo komentator nuk mund të ishte i sigurt se cila ishte Margaret Theçeri e vërtetë. Nuk është madje e sigurt as që ajo vetë e dinte këtë gjë”.

Edhe pas zgjedhjeve, të cilat konservatorët i fituan në 3 maj me 44 për qind të votave, “Thecerizmi”-t iu desh të kalonte pak kohë përpara se të lulëzonte. Lufta e Ishujve Falkland e vitit 1982 e shndërroi atë në një heroinë kombëtare. Vetëm pas përfundimit të saj ajo u ndie e fuqishme aq sa duhej për të çuar përpara filozofinë e saj të derregullimit. Ajo u shndërrua në një prej udhëheqëseve më të admiruara, por njëkohësisht edhe më të urryera të kombit.

Theçer tashmë mund të konsiderohet si themeluesja e Britanisë moderne. Të gjithë kryeministrat që nga koha kur ajo u largua nga detyra kanë qenë trashëgimtarë të Theçerit, mbi të gjithë Toni Bleri, i cili e ndryshoi Partinë Laburiste në mënyrë po aq radikale sa edhe Margaret Theçeri ndryshoi konservatorët në kohën e saj. “Triumfi i vërtetë i Theçerit është se transformoi jo vetëm një parti, por dy të tilla”, ka thënë Xhefrei Hau, ministër i Financave në qeverinë e parë të Theçerit gjatë festimeve të 80-vjetorit të saj.

Tani, Baronesha Theçer, në moshën 83-vjeçare vuan nga sëmundje mendore dhe shumë rrallë shfaqet në publik, e megjithatë vazhdon që të ndajë më dysh opinionin publik. Banorët e qytetit ku ajo jeton, Grantam, nuk kanë aspak interes të shfaqur për të ngritur një statujë për nder të bijës së tyre më të famshme.

Por, 30 vite pas fillimit të revolucionit, Theçer ka jetuar për të parë lavjerrësin tek kthehet pas. Sektori bankar që ajo çoi drejt privatizimit është shtetëzuar përsëri dhe borxhi publik ka arritur në nivele stratosferikë. Duket se Kallagani i ka formuluar saktësisht gjërat. Një tjetër ndryshim shkundës është duke ndodhur.

Në botën e Zonjës së Hekurt

Ajo ishte e para udhëheqëse grua e një partia të madhe politike në Perëndim; ajo ishte i vetmi person në shekullin 20 që fitoi tre palë zgjedhje të njëpasnjëshme në Britani; ishte Kryeministria më jetëgjatë e atij shekulli; u votua e 16 ndër personalitetet më të mëdhenj të Britanisë nga BBC; dhe historiani Frensis Beket e rendit si Numrin Një: “Kryeministrja më e mirë” nga 20 kryeministrat e shekullit 20!

Atëherë, çfarë përfaqëson ajo?

Mbi të gjitha, ajo ishte një politikane me bindje. Majtisti Toni Bler deklaronte në festën e 80-vjetorit të saj: “Zonja Theçer thoshte atë që mendonte dhe mendonte atë që thoshte. Dhe e bënte... ajo nuk bënte asgjë duke mashtruar. Të gjithë e dinin se çfarë donte të bënte ajo”.

“Qoftë përpara Kabinetit, apo qoftë në takimet më të ngushtë, Margaret, që dukej se i mjaftonin katër orë gjumë natën gjithnjë i bënte detyrat e saj të shtëpisë për temat e diskutimeve, a thua se po përgatitej të shkonte në provim”, shkruante kancelari Nigel Louson.

Çdo kryeministër ka stilin e vet të të punuarit. Thuhet se pasardhësi i saj, Xhon Mejxhër konsultohej shumë me këdo dhe kështu shumë pak gjëra vendoseshin. Kabineti britanik është i përbërë prej 22 apo më shumë individësh. Mund të bëhet kështu pak si gjë e rëndë për t’u drejtuar. Kryeministrja Theçer preferonte takime të vegjël me jo më shumë se dy apo tre individë. Zakonisht këta ishin Sekretari i Shtetit, që përfshihej në çdo temë, ministri më i ri plus ndonjë nëpunës i lartë civil.

Kujtimet e bashkëkohësve të saj ofrojnë shumë karakteristika. Ajo mund të ishte e sjellshme dhe e dashur. Mund të bëhej e paduruar. Mund të bëhej autoritare. Mund të bëhej e dhimbsur. Është e mundshme të shquash se si ka evoluar me kalimin e kohës sjellja e saj.

Si udhëheqëse e Partisë në vitin 1975, ajo ishte po aq e befasuar sa edhe gjithë të tjerët me rolin e ri që kish marrë. Si kryeministre, në vitin 1979 ajo ishte pakëz e frikësuar në detyrën e re. Ironikisht, ajo shpesh e përmendte “Qeverinë” si armikun e saj. E kish fjalën për kombinimin e çuditshëm të çrregullimit dhe vetëkënaqësisë që ishte në vetvete shteti britanik. Kryeministrat zakonisht e mbrojnë qeverinë. Ajo nuk ishte një kryeministre e zakonshme.

Pas fitores mbresëlënëse në Luftën e ishujve Falkland që u shoqërua nga shtypja e grevës së minatorëve, ajo ishte tashmë ritmin e saj, me besim të madh në aftësitë e veta dhe në instinktet që nuk e tradhtonin asnjëherë. “Nuk njoh askënd që të jetë ngjitur në majë pa punuar fort. Kjo është receta. Jo gjithmonë do të të ngjisë në majë, por gjithsesi do të të çojë shumë pranë”, thoshte ajo. Ky është zëri i saj autentik.

“Ajo për çfarë ka nevojë Britania është një Zonjë e Hekurt”, thoshte dikur ajo. Dhe këtë mori. Ajo ishte shpesh herë e vrazhdë me intelektualët majtistë të medias. “Unë nuk kam asnjë lloj meraku për të kaluarën time, siç keni ju komentatorët intelektualë në Jug Lindje. Kur je e zënë me punë, nuk ke kohë për merake. Paratë nuk të bien nga qielli. Ato duhet t’i fitosh këtu në Tokë”. Këto ishin ndjenja tipike të sajat. Nuk ishin zëri i asnjë fjalimshkruesi. “Politikat e mia janë të bazuara në gjëra me të cilat unë dhe miliona të tjerë si unë jemi rritur. Një ditë e ndershme pune për një pagë ditore të ndershme; jeto me atë çfarë ke; hiq diçka mënjanë për kohë të këqija; paguaji faturat në kohë; mbështet policinë”. Ajo thoshte gjithashtu “se për mua është interesante që ato gjëra që unë mësova në një qytet të vogël, në një shtëpi shumë modeste, janë pikërisht avantazhet që besoj se më bënë të fitoj zgjedhjet”. Intuita dhe ndjenjat e saj vërtetonin se Zonja e Hekurt ishte më pranë njerëzve se të gjithë rivalët e saj.

Këto ishin fjalime moralizues që shpesh herë provokonin tallje nga kundërshtarët apo nga kolegët e saj snobë brenda konservatorëve. “Çdo grua që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie do të jetë shumë pranë të kuptuarit të problemeve që kanë të bëjnë me drejtimin e një vendi”. Por këto lloj sentimentesh pavarësisht se shkaktonin të qeshura mes kundërshtarëve metropolitanë, gjenin jehonë tek elektorati.

Margaret Theçer fliste të vërteta. Ato ishin të vërteta të thjeshta, por ishin të një natyre të foluri të drejtpërdrejtë që nuk ish parë kurrë të dilte nga buzët e një kryeministri. “Askush nuk do të mbante mend samaritanin e mirë nëse ai do të kishte thjeshtë qëllime të mira. Ai kishte edhe shumë para”, thoshte ajo në një bisedë. Vërtetësia e kësaj ishte një shkundje për të gjithë ata që dëshironin që abstraksioni i madh me emrin “Shoqëri” të zgjidhte të gjithë problemet. Një prej thënieve të saj më të famshme ka qenë: “Nuk ekziston një gjë e tillë si shoqëria. Ka individë burra dhe gra dhe ka edhe familje”.

Kjo deklaratë dhe ndjenjë e shprehur kaq hapur zemëronte armiqtë e saj. Ideja e përgjegjësisë individuale dukej se binte ndesh me idenë e tyre që përmes fuqisë së përbashkët të popullit, me fjalë të tjera shtetit, në nivel kombëtar apo lokal duhej të administroheshin shumica e gjërave.

Por Theçer ishte në gjendje të bëhej edhe mrekullisht kaustike. Kur mësoi nga shumica e Kabinetit të saj se nuk mund të vazhdonte të ishte Kryeministre, ajo tha: “Tradhti me fytyrë të buzëqeshur”.

Për paraardhësin saj në drejtimin e konservatorëve ajo deklaronte: ‘Gjithmonë do të dua të shtrenjtin plakushin Ted, por në politikë më duhet të them se nuk ka simpatira”. Por ishte po aq e zonja edhe për të vënë në lojë. Për Nil Kinok, liderin e laburistëve ajo thoshte: “Si udhëheqës i opozitës ai arrinte të nxirrte pak kryet në sipërfaqe. Si kryeministër, me siguri që do të ishte fundosur”.

Ndonëse të gjithë politikanëve u duhet që të bëjnë kompromise, instinkti i saj e bënte që gjithmonë të ishte këmbëngulëse. “Ka ende njerëz në partinë time që besojnë në politikën e konsensusit. Unë i konsideroj ata si kuislingë, si tradhtarë. E kam me të vërtetë”, thoshte zonja që i kishte shumë të qartë kujtimet e viteve shtatëdhjetë: “Të kuroje sëmundjen britanike me socializmin ishte njësoj si të kurosh leuceminë me shushunjëza”.

Ndonjëherë ndodhte që ajo të shfaqej më shumë si Adam Smithi se sa edhe ai vetë, sidomos kur thoshte se “nuk mund të ketë liri nëse nuk ka liri ekonomike”. Një temë që e përsëriste shpesh ishte mosbesimi që kishte ndaj njerëzve të pasigurt, siç e përshkroi një herë presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bush. Ajo irritohej shumë nga përmbajtja për të fituar kohë: ‘Pothuajse të gjithë politikat që “shiten” tek publiku nga njerëz “praktikë” me baza “pragmatiste” në fund kanë rezultuar shumë jopraktike. Megjithatë, duket se ky fakt nuk i ka bërë asnjëherë dëm entuziazmit të tyre.

Margaret Thatcher nuk e duronte dot konsensusin që ajo mendonte se kishte varfëruar Britaninë: “Asnjë teori qeverisjeje nuk ka pasur ndonjëherë një testim më të shpejtë dhe një eksperimentim më të zgjatur në një shtet demokratik se sa “socializmi demokratik” në Mbretërinë e Bashkuar. E megjithatë, ishte një dështim mizerabël në të gjithë aspektet”.

Vetëm një person që ishte rritur në rreptësinë dhe racionimin e jetës së saj të hershme në një qeveri laburiste dhe që kish qenë ministre në periudhën e trembur e lemerisur të Eduard Hethit mund të tregohej kaq e paduruar me drojën në pushtet.

Një gjë që ndoshta do të lidhet përgjithmonë me Margaret Thecerin ishte një frazë në Konferencën e Partisë në kohën kur sondazhet e opinionit publik ishin kundër dhe çdo komentator priste një kthim mbrapsht të saj sa u përket politikave. “Kthehuni nëse doni: Kjo zonjë nuk ka ndërmend të kthehet”. Ishte një thumb i thjeshtë dhe i vockël, por ai fliste shumë për vendosmërinë e saj për të liberalizuar ekonominë dhe për të mos u rikthyer në politikat e meta që kishte trashëguar.

Dhe këtë e shprehu me një metaforë të gjallë”:

Ndonëse e lënduar nga humbja e udhëheqjes së partisë dhe postit të Kryeministres, Margaret Theçer ruajti një sens fatbardhësie të madhe: “Unë kam pasur privilegjin e mrekullueshëm të të qenurit në krye për njëmbëdhjetë vite e gjysmë, pothuajse dymbëdhjetë vite. Është më shumë se çdo President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ndërsa vajzës së saj i thoshte: “Karol, mendoj se vendi im në histori tashmë është i sigurt”.

Gazeta Metropol

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: