Avzi Mustafa: Reformat e shkollës evropiane kërkojnë edhe ligje evropiane
| E Enjte, 17.09.2009, 09:30 PM |

REFORMAT E SHKOLLËS EVROPIANE KËRKOJNË EDHE LIGJE EVROPIANE

    Kur bëhet fjalë për reformën shkollore duhet t’i kemi parasysh dy anë. Në një anë janë normat pedagogjike, kurse në anën tjetër politika shtetërore.

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
    
Shkollimi është njëri ndër faktorët më kryesorë të mbijetesës dhe të perspektivës së një kombi. Çdo komb i civilizuar arsimit dhe edukimit i jep përparësi edhe në situata të krizave politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Unë nuk dua që në këtë punim ta bëj ndonjë analizë të gjendjes së mëparshme, sepse mendoj se faza e tanzicionit duhet të ketë kaluar më.
    Tani kur vendi ynë po aspiron dhe kërkon me këmbëngulje një zhvillim demokratik dhe modern për t’u integruar ne familjen evropiane, lind domosdoshmëria e diskutimit të problemeve që sot i ka Maqedonia edhe përkundër revitalizimit ekonomik, ngase arsimi mbeten një ndër “shpëtimtarët” që mund që ta nxjerrin shtetin nga depresioni. Arsimi formal dhe joformal në momentin e tanishëm kalon në përfshirje radikale, madje mund të thuhet më radikale se rikonstruimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore.
    Evidentimi i problemeve dhe parashtrimi i rrugëzgjidhjeve të tyre nga këndi institucional janë më se të domosdoshme, por kurrsesi të mjaftueshme, për një strategji të qëndrueshme. Aq më tepër që te ne, për arsye lëvizjesh dhe emërimesh të shpeshta, herë-herë edhe për motive të qarta politike, nuk është bërë me ndonjë strategji më të gjerë, shumë të thellë. Ai nuk është studiuar nga këndvështrime të ndryshme. Madje nuk është bërë as edhe një dialog i hapur e i argumentuar i problemeve dhe alternative të ndryshme të cilat sado pak çojnë deri evidentimi dhe zgjidhja e problemeve të kësaj fushe.
Nisur nga faktet e thjeshta, sot po ndeshemi me shumë probleme. Edhe pse ato na duken si të vogla, ato janë indikatorë për probleme dhe barriera të realizimit të rrugës evropiane. Edhe pse nuk kemi të dhëna konkrete, unë do të ndalen vetëm në ato probleme që vërehen edhe nga studiuesit e arsimit, prindërit, si dhe të gjithë interesuarit të kësaj problematike.  
 Parashtrohen pyetjet: Pse bie numri i nxënësve, por jo edhe i arsimtarëve?; Pse shkollën e braktisin nxënësit? Këtyre pyetjeve sikur nuk duam t’u japin përgjigje. Arsyetimi mbetet në reformat që i bën shteti, por nuk i shohin faktorët e tjerë, si ai i arsyes ekonomike nën presionin e fortë të dukurive sociale, mangësitë e theksuara të mjedisit shkollor, efikasiteti i ulët i mësimit, përqindja e nxënësve që nuk e përfundojnë arsimin e detyruar, gjatë mësimit nxënësit nuk janë në gjendje ta fitojnë minimumin e njohurive etj.
    Ky konstatim është më se evident, sepse njohuritë e nxënësve vit pas viti po ulen. Mungojnë njohuritë dhe shprehitë e bazuara në mendimin e pavarur të nxënësve. Në anën tjetër kërkohet vetëm disiplinë në klasë që nxënësit të jenë objekt mësimi duke dëgjuar mësuesin dhe duke iu përmbajtur librit. Edukimi artistik dhe formimi praktik mbetet vetëm komponent formal.
    Për t’u inkuadruar në familjen e madhe arsimore evropiane dhe që nesër të bëhemi konkurrent në tregun e përbashkët, para së gjithash duhet të zhvillohet ndenja e vërtetë për punë, të sigurohet pushtetet për nxënësit, si dhe për kuadrin mësimor, të kërkohen që të arrihen standardet si për nxënësit, ashtu edhe për arsimtarët. Standardet kërkojnë që nxënësit të dinë, të thonë e të bëjnë ndryshe nga programi i cili jep vetëm temat. Standardet gjithsesi duhet të qëndrojnë në një shkallë më të lartë se programet.
Për t’u realizuar këto synime, hasim shumë barriera, sepse këtu kemi të bëjmë me dy anë të të njëjtit problem. Në një anë kemi normat pedagogjike që duhet t’i respektojmë për të arritur qëllimet e parapara, kurse nga ana tjetër kemi politikën shtetërore.
Nëse kemi synime të vërteta për të hyrë në Evropë së pari duhet të shtohet buxheti i shtetit në këtë sferë dhe të gjitha ligjet të adaptohen në bazë të ligjeve të Bashkimit Evropiane. Edhe pse reformat në përgjithësi janë të mira, por nëse ajo behet me shpejtësi, ato mund t’i sjellin dëm gjithë shoqërisë.
Shkollat duhet të pajisen në mënyrën më bashkëkohore. Klima mësimore, që të jetë në nivel, ajo kërkon klasë më të vogla dhe kondita më të mira. Shkollës tonë i mungojnë shumëçka: i mungojnë shkollat si objekte, por i mungojnë edhe pajisjet. Në bazë të ligjit të tanishëm shumë shkolla punojnë me një numër të vogël nxënësish, bile në Maqedoninë Lindore edhe vetëm 2-3 nxënës, kurse në disa shkolla në Maqedoninë Perëndimore klasat, sidomos ato të mesmet, janë edhe me 35-40 nxënës. Ndërkaq shkollat evropiane janë me klasa me numër të vogël nxënësish. Atje klasa numëron minimum 18 dhe maksimum 25 nxënës. Ky numër nxënësish nëpër klasa siguron punë në grupe dhe disiplinë të duhur. Aty ku ka më shumë nxënës, nuk ka as disiplinë e as punë kreative. Te nuk ka lëndë të mirëfillta zgjedhore, por nxënësit janë vënë në mes të alternativave për këtë apo atë lëndë. Në shkollat tona qartë shihet një jofleksibilitet dhe mungesë e lëndëve zgjedhore. Flitet për lëndë zgjedhore, ndërsa në realitet flasim për lëndë alternative, siç është rasti me mësimbesimin ose historinë e religjioneve, edukimin politeknik etj.
Reformë nuk do të thotë të shtosh lëndë mësimore, por t’u japish nxënësve mundësi që të zgjedhin me qëllim që të angazhohen në atë lëmi që do ta mësojnë e ta studiojnë. Kështu siç është ky menaxhimi është shumë i dobët dhe i varfër, ndërsa mos njohja e aftësive të nxënësve i largon ata nga puna e tyre krijuese etj. Në shkollat nuk punohet me objektiva të qarta.
Shkollat punojnë me dy e më shumë ndërrime, kurse nxënësit mbesin në shkollë deri në orët e vona.
As programet mësimore nuk janë në harmoni me fuqitë psikik-fizike të nxënësve. Nuk është gjetur baraspesha e vërtetë e asaj që duhet të mësohet si njohuri, si shkathtësi dhe shprehi. Nuk ka klasa të specializuara. E gjithë reforma, nëse mund të themi se kemi ndonjë reformë, mbetet që ato të jenë më shumë kozmetike. Këtë e them sepse nuk ka ende kritere, sepse çdo kush mund të mbarojë ndonjë shkollë ose fakultet, por përsëri mbeten injorantë. Sepse sot njeriu “i arsimuar” i cili nuk dinë për Big-bengun ose automekaniku që nuk dinë për alterantorin, ndërsa posedon diplomë, ai praktikisht është i paarsimuar.
Shkollat profesionale në fakt janë një version i shkurtuar i gjimnazeve; ato nuk e realizojnë atë që kenë për qëllim si shkolla profesionale, duke e shtuar anë praktike.
Shkollat e tanishme paraqesin një konglomerat të njohurive të ndryshme dhe duket se ato nuk japin njohuri aq sa duhet për nxënësit që mund të mësojnë. Njohuritë që përsëriten nga lëndët e ndryshme pa zgjedhje nuk u mundësojnë atyre që ta mësojnë atë që e duan. Ende nuk mund të ndërrohen metodat e mësimit, sepse mësuesi ende nuk është në gjendje ta ndërrojë mendimin. Dhe,  deri sa të vijmë deri tek ajo ku shkolla të behet një vend mësimi, e jo vend i pranisë së nxënësit, duke ia mbushur kokën me fakte, formula e rregulla, ku nxënësi duhet ato t’i memorojë dhe t’i reprodukojë, por jo që të munden të thonë edhe mendimet e pavarura të tyre. Reforma në këso rastesh sjell huti.
Edhe pse flasim me gojën plot për ndryshime ne ende nuk mundemi ta reformojmë orën mësimit si formën themelore të organizimit të punës.. Ende ora ka mbetur  ajo orë që e dha Komenski që në shekullin 17., në suazat e veta kohore shumë të kufizuara. Do të themi se kemi bërë reformë atëherë kur ora do të duket si një punëtori, ku nxënësi duhet të jetë aktiv dhe të marrë pjesë në diskutime. Tani shkolla bashkëkohore në procesin e mësimdhënies, gjegjësisht në orën e mësimit, kërkon që një problematikë që trajtohet, të jetë kufizuar, nxënësve t’u kërkohet ta zgjidhin problemin tepër të përcaktuar dhe intelektual. Për ta realizuar këtë detyrë kaq të rëndësishme, për të mos krijuar mbingarkesë e për të mos “e vrarë” motivin dhe zellin e nxënësit, duhet edhe kuadër arsimor të përgatitur nivel të përsosur në institucionet përkatëse.
Për të realizuar këtë detyrë në institucionet për aftësimin e mësuesve nuk kemi selektim të mësuesve, sidomos motivim e tyre. Në këto institucione regjistrohen ata studentë që nuk kanë mundësi të studiojnë në ndonjë fakultet tjetër dhe shansi i fundit është fakulteti i mësuesisë.
Gjeja e parë dhe e rëndësishme është që mësuesi së pari ta njohë klasën., por në trajtimin e temave dhe përmbajtjeve mësimore ai duhet edhe ta ndjejë veten të lirë në trajtimin e materialit. Edhe pse me të madhe thuhet se gjatë reformave përfshihen të dy faktorët didaktikë të procesit mësimor, siç vërehet në praktikë, shumë pak i kushtohet kujdes reformimit të kuadrit mësimor.
Edhe në dokumentin e “Programit nacionale për zhvillimi e arsimit në R.M. për periudhën 2005-2015” si një prej objektivave kryesore parashihet aftësimi i mësuesve dhe definimi i standardëve për trajnimin e arsimtarëve për të fituar kompetenca që duhet t’i posedojnë për ta fituar “licencën”e punës.
Reforma arsimore, edhe pse është e shkruar dhe kërkon implementimin e saj, ajo në praktikë nuk funksionon. Për mosrealizimin e saj një pjesë e fajit u mbetet universiteteve dhe byrove për perfeksionim profesional. Këtu shpesh po ndeshemi me mendime e me duele të mospajtimeve ndërmjet mësuesve të vjetër dhe të rinjve. Edhe pse këto që i përmendëm nuk janë risi, por ato përbëjnë një sintezë të një përvoje. E diskutueshme është se një pjesë e kuadrit është ende me shkolla të mesme dhe të larta, një pjesë janë me fakultete, por pa dituri të mjaftueshme pedagogjike dhe pa njohuri informatike-komunikative dhe teknologjike, pa mekanizmat për sigurimin e kualitetit dhe pa formimin e qendrës shtetërore të vlerësimit.
Shkollat evropiane janë më humane dhe më konkrete për nxënësit. Ndërkaq sa u përket shkollave të sistemit të ish-bllokut socialist ato e kanë vështirë që edhe sot e kësaj dite mësuesit dhe profesorët të heqin dorë nga pushteti mbi nxënësit, ndërsa institucionet shkollore ende udhëhiqen sipas logjikës së “rezistencës së vogël”. Nxënësit tani janë më të ngarkuar edhe me peshë mbi 50% më tepër se nxënësit në shteteve perëndimore, duke mbajtur në krah një peshë mbi 20 kilogramë për çdo ditë, kurse gjatë tetë viteve është llogaritur se nxënësit me librat, fletoret e rekuizitat sportive dhe mjetet e tjera mbajnë deri në 17 tonelata peshë.
Ne jemi mësuar të themi se reformë shkollore është ajo që bëjmë në ndryshimin e plan-programeve mësimore. Reforma ka të bëjë edhe me ndërtimin e objekteve shkollore, por edhe me kushtet higjienike. Te ne në shkollat rurale mbi 70 % nuk posedojnë nyje sanitare, si dhe mjete të tjera shkollore, si banka, karrige, rrjet kompjuterik etj.
Reformat në arsim janë proces i gjatë. Kalimi prej të vjetrës në të renë paraqet një vakum, ku shkolla na paraqet pasqyrën e vërtetë të shoqërisë, ku duket se cilësia e arsimit ka rënë dukshëm, aty fabrikohen vetëm diploma e nuk fitohet dituri e njohuri, aty nuk ka disiplinë në mësim, ndërsa ana edukative aspak nuk është komponent i arsimit etj. Gjithashtu nuk kemi kontinuitet në aprovimin dhe harmonizimin e ligjeve të hallkave mësimore, andaj edhe nuk mund të flasim për një sistem arsimor unik. Tani në këtë moment, kur reformat nuk janë kryer, por po bëhet përpjekje që të ndryshohet diçka, kjo shkon në dëm të nxënësve të mirë. Sepse, shumë gjëra kanë filluar dhe shumë gjera kanë ngelë në gjysmë, e disa s’kanë filluar aspak. Klima që dominon në shkollat tona nuk të jep mundësi shumë për ndryshime të mëdha, sepse ende nuk e kemi koncepte të drejta dhe përgatitje të duhur për ndryshime të mëdha.  
Çka duhet të ndërmerret si preventivë që reformat të parapëlqehen dhe të fillohet të zbatohen duke i flakur të gjitha ato përvoja që nuk sjellin përparim.
1.    Të mos largohemi shumë nga tradita, sepse tradita e shkollimit në vendin tonë dallon nga tradita evropiane
2.    Të normalizohet sistemi arsimor i arsimit fillor dhe të mesëm;
3.    Të formohet një këshill nacional me ekspertë nga lëmi i arsimit;
4.    Të formohen organe profesionale që do ta ndjekin situatën nga afër duke dhënë këshilla profesionale
5.    Të jepet strategjia e qartë
6.    Financimi
7.    Matura shtetërore si kusht për fakultet
9. Evaluim i jashtëm dhe i brendshëm etj.
Kështu, duke u mbështetur mbi hallkat e sistemit mësimor, duke filluar prej atij fillor dhe të mesëm, me synim që t’i ndjekin edhe studimet e larta, mbetet një bazë shumë e dobët nga arsimi fillor e pastaj i mesëm. Çdoherë do të përplasemi duke e hedhur fajin nga një hallkë në hallkën tjetër të sistemit arsimor, por reforma kërkon që përgjegjësitë e ndryshme të shpërndahen mbi bazën e bashkëpunimit të niveleve të ndryshme arsimore, në planifikimin e veprimtarive të ndryshme qendrore dhe lokale të shërbimit të përmasimit të situatës arsimore.


(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: