Avzi Mustafa: Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi
| E Marte, 08.09.2009, 07:40 PM |

Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi
        (Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, 2008)
                     Botoi:Çabej ,Tetovë 2009

Libri u kushtohet viktimave: Fatmir Jakupit nga Kondova  i vrarë ditën e  zgjedhjeve lokale të vitit 2000 dhe Nasaer Ajvazit nga Haraçina e Shkupit i vrarë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Mahi Nesimi, ndonëse i diplomuar për shkenca politike, ai vite me radhë me shumë sukses e me mjaft çmime e ushtroi detyrën e gazetarit, ndërsa më vonë edhe të një politikani të suksesshëm dhe të pakompromistë me idealet e bindjet e tij politike. Pastaj kaloi edhe në diplomaci, duke e përfaqësuar vendin tonë në Republikën e Kroacisë, ku e kemi patjetër ta themi, po ashtu la gjurmë të lavdisë së punës së tij.
    Megjithatë, është bindje e të gjithëve, me çka kujtoj se pajtohet edhe vetë z. Nesimi, se ai do të mbetet për ne i njohur si gazetar, publicist e analist serioz i problemeve shoqërore dhe si promovues i denjë vlerave të mirëfillta demokratike shqiptare.
    Ai qysh në librin e tij të parë “Vorbullime shqiptare” e dëshmon veten si një autor me fokus të hollë të analizës, si një autor që di t’u qaset probleme, t’i analizojë ato dhe, madje, të japë zgjidhje për çështje të caktuara. Tamam siç duhet të jetë një njeri i formuar i letrave.
    Ndërkaq në këtë libër, që autori e ka titulluar “Vullneti i dhunuar – zgjedhjet parlamentare 2008” autori edhe një herë konform idealeve e bindjeve të tij, del në mbrojtje të së vërtetët së tij e cila, siç shihet, përkon po me atë të vërtetë të secilit intelektual të formuar e mendimtari të ndritur.
    Autori i këtij libri në fillim flet në mënyrë debutuese për probleme, si debati me figurën e presidentit aktual Branko Cërvekovski, por ai mjaft në detaje dhe me referenca përshkruan edhe momente që njerëzve mund t’u kenë dalë nga mendja, por që ai arrin t’i përjetësojë përmes këtij libri kaq analitik.
    Ashtu siç kuptohet edhe nga nëntitulli i librit, autori më së shumti është i shqetësuar për gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë para dhe pas zgjedhjeve të qershorit të 2008-tës. Ishin ato zgjedhje që për të gjithë neve lanë gjurmë të zeza në historinë tonë. Ato ishin një test jo vetëm i demokracisë sonë, por edhe i pasionit të skajshëm të disa pushtetarëve tanë, që në rrugën për pushtet nuk vënë as kufij humanë.
    Natyrisht këtë të gjithë ne e shikuan dhe kundruam prej anash, por autori Mahi Nesimi përmes këtij teksti arriti të na e sjellë në mënyrë mjaft ilustrative duke i përshkruar dhe cituar edhe seancat e mbledhjeve të mbajtura, duke dhënë komente për to, si dhe duke dhënë pasqyrë të zhvillimeve elektorale të këtyre zgjedhjeve famëkëqija.
    Autori, përveç qasjes përshkruese, analitike e komentuese që ua bën zhvillimeve politike te ne, ai arrin t’i mbledh të gjitha anketat e realizuar në procesin zgjedhor, që s’do mend se për aktorët e politikës nuk ishin krejt të pranueshme.
    Sigurisht këtu do të zë vend edhe samiti i dështuar i NATO-s dhe roli i shqiptarëve në to, por ai nuk i lë mangët edhe shpjegimet e arsyetimet për këtë gjendje, madje duke i përshkruar në detaje këto procese.  
    Autori në këtë libër, përveç këtyre analizave, bën edhe ca shqyrtime analitike të politikës shqiptare, duke u ndalur me theks të veçantë në shthurjen e partisë për Prosperitet Demokratik, e cila vërtet u bë, si thotë autori, “tragjikomedi” e politikës sonë në Maqedoni.
    Po ashtu autori arrin t’i komentojë me mjaft kompetencë edhe zhvillimet në PDSH, dështimet e fundit të kësaj partie, si dhe ardhjen e kësaj partie para greminës së shthurjes.
    Natyrisht në veprën e Mahiut zë vend edhe roli i medias në këto zgjedhje, si dhe roli i ndërkombëtarëve, falë pranisë së të cilëve si duket ky shtet mund të mençurohet dhe ta kuptojë se përgjegjësia e shtetit megjithatë është më serioze se që e mendojnë ata që sot e kanë pushtetin.
Marrë në përgjithësi, kujtoj se me këtë libër autori Mahi Nesimi ka bërë një vepër të mrekullueshme që s’do mend se ia ka bërë të pavdekshme jo vetëm dokumentet e të dhënat arkivore për zgjedhjet e 2008-tës, por ka dhënë edhe mjaft analiza e studime që do të jenë shumë të dobishme për profesorët e shkencave politike, për studentët, e sidomos për lidershipin tonë politik, i cili prej këtij teksti, nëse jo më tepër, së paku mund të marrë mësim se si nuk duhet vepruar partitë politike, cilat janë forma më dëshpëruese për demokracinë dhe, në anën tjetër, të kuptojë se çka është vlera e njëmendtë e shoqërive demokratike e të qytetëruara.  
    Prandaj konsiderojmë se ky libër i Mahi Nesimit paraqet një kontribut të çmuar studiues lidhur me studimin më të thellë të procesit të zgjedhjeve, me theks të posaçëm mbarëvajtjen e tyre brenda kampit politik shqiptar.
Studimi, mendojmë, do të shërbejë si një bazë solide e të dhënave të përpunuara lidhur me studimet në këtë lëmi që do të pasojnë edhe në të ardhmen.
Duke i dëshiruara autorit edhe më tej suksese në fushën e shkrimeve dhe analizave të këtilla, unë e falënderoj për këtë vepër dhe e lus që këtë rrugë ta vazhdojë edhe në të ardhmen me punime të tjera.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: