Sejdi Berisha: Lamtumirë shkrimet e mia...!
| E Diel, 14.08.2016, 04:34 PM |

Rilexime
Sejdi BERISHA:
E  S  E  
LAMTUMIRË SHKRIMET E MIA...!
      ...E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua.
    ...Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?!...
    ...Që nga ajo kohë, nëna më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!...
    ...Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin për jetë të nënës, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im...      
    ...Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb...
    ...Të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë, roman, tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst!...
    ...Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, i cili i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë...
    ...Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë dhe e bëj gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, për të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!...
    ...Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!...
1.
Ka ndodhur e ndodhë shpeshherë që njeriu të lindet në rrugë, në fushë, në arë, në livadh, edhe në shtëpi të huaj, edhe në karrocë, në anije, në tren e më rrallë edhe në aeroplan. Është e vërtetë kjo, por edhe karakteristikë me domethënie gjithfare. Duke i interpretuar gjërat e tilla, thurën thashetheme, intriga, drama e romane, e, edhe poezi, të cilat nuk shprehin vetëm ndijimin dhe brendinë shpirtërore, por janë edhe pasqyrë më reale dhe provokative e rrjedhave historike.
    E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua. Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?! Ndoshta, më mirë të kishte qenë e kundërta. Por, nejse. Kjo, le të jetë për koment, për shkrime e mendime që do të vijnë dikur më vonë, apo, hiq fare të mos jetë asgjë.
    Nëna, më kishte lindur, pra, tek i vëllai i saj, nën një çati të vjetër e të lodhur nga motet e ngjarjet, nën një trysni të jetës së babait tim, por edhe të forcës së nënës, e cila, duke qëndruar pip në këmbë më kishte nxjerrë në këtë botë. Në atë moment, sikur iu paska ndezur një dritë e fortë, e cila tërë ambientin për një çast e kishte shndërruar në lulishte parajse. Që nga ajo kohë, ajo më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!
    Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin për jetë të nënës, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im. Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb. Si të doni pedateni këtë problem, i cili mund t’iu provokojë e intrigojë për shumë gjëra, ndoshta edhe për të shkruar e për të hedhur diçka në letër edhe për shpirtin tuaj! Kjo, gjithnjë më ka frikësuar mbase edhe më ka bindur, se, nëse zogu nuk lindet në folenë e vet, atëherë, kjo do të shkaktojë dilema, indinjatë e probleme. Kështu, edhe pse asnjëherë nuk kam thënë dhe as nuk dua të them, por unë dhe familja ime kemi ngelur refugjatë në dheun e atdheun tonë...!
    Prandaj, me njëfarë ironie, sepse edhe ironia është virtyt i njeriut, disa gjërave më të dashura, me indinjatë e dhembje dua t’u them,... Por, jo. Dot nuk e them fjalën e fundit. Thuajeni ju nëse doni...! Më bëni nderë, nëse këtë obligim ma hiqni ju nga mendja e qafa. Dua t’u them, se, sa herë e kam dëgjuar fjalën “lamtumirë”, më ka therë zemra, mendja e shpirti. Kështu ka qenë gjithnjë: në fëmijëri, në rini, dikur, edhe tash! Fjalë që shqetëson e trazon është “lamtumira”, prandaj, dot në fjalorin tim me një mendje nuk e kam pasur. Phi,... të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë,... roman,... tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst. Për këtë, kësaj pjese të shkrimit i them, ama përgjithmonë i them, “lamtumirë”...!
    E di. Më kujtohet shumë mirë, kur isha shumë i vogël, dhe njëherë kur dola në rrugë me motrën time të madhe, kisha rastisur para një kamioni. Në vend që të skajohesha nga rruga, para tij vrapoja me sa fuqi që kisha dhe dot nuk ia lëshoja rrugën. Shoferi, tërë kohën e përdorte borinë, nuk ndalej me kamionin e tij dhe gjithnjë më afrohej por kujdesshëm. Dikur, vetvetiu, nuk di as si ta shpjegoj, u skajova dhe kamioni iku me një të qeshur idiotësie të shoferit. Pata thënë, si nuk më zuri ai far kamioni, që atëherë ishin makina të rralla, dhe kështu tërë jetën kisha udhëtuar me “tamabil”...!
2.
Vdekja e motrës së vogël këtu e pesëdhjetë e më shumë vjet më parë, si fëmijë, si duket ma ngacmoi talentin e lindur por ende të fjetur, për të menduar për shkrimin, për këndimin përmes vargut e poezisë, e cila gjë pastaj tërë jetën më rriti, më ngriti e më bëri të qëndrueshëm, më gëzoi e më rrënoi, më bëri rrugëtar e luftëtar të urtë e të butë, rebel e me plot dhembje, por edhe shumë të vendosur. Më bëri njeri, gjithnjë të shoqëruar dhe të dashuruar në rrugëtimin dhe dhembjen, të cilave gjëra ua di për faleminderit, sepse më kanë ushqyer me atë që jetën e ngacmojnë dhe i japin kuptim, por edhe krijojnë dilema, nebulozë, marri e tragjedi, mendim e filozofi, e që së bashku janë shkatërruesit e vet jetës dhe të vet njeriut.
   Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, që i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë. Shoqërues, që ëndrrën e bën përjetësi e përjetësinë ëndërr. Këto janë të gjitha ato, që, si të them, ia di për nderë vdekjes të sime motër. Edhe sot e kësaj dite e kam në shpirt motrën, të cilën atë botë sikur ma kishte vjedhur vdekja. Aq shumë e desha, aq shumë e dua edhe tani,... edhe pse, ndoshta e tërë kjo duket e pakuptimtë,... naive dhe bjerrakohësi.
    Po, e tërë kjo, çfarë më solli?!! Më solli shumë ngacmime, për ta sfiduar jetën. Më dhuroi bekimin për ndershmërinë dhe sinqeritetin, dhe, nëse mund të thuhet, këto veti e thesar, s’janë gjë pos thjeshtë naivitet dhe bjerrje nëpër gjemba e baltë, në të cilat, shpeshherë kam hasur e hasi edhe në mjaltë! Po, po. Kështu e ka jeta...
    Kështu, pas sa kohe, që më ka ikur motra; edhe përpara por edhe tash, ktheva tek varrezat që nuk ekzistojnë më, sepse, ne e kemi vergi të mos i ruajmë shenjat, gjurmët dhe dëshmitë tona ashtu si duhet, por, e di se pranë një lisi prej rrapi, atëherë e kishin shtrirë trupin e njomë të motrës sime për të fjetur përgjithmonë bashkë edhe me ëndrrat e saja fëmijërore. U drejtova kah lisi më i vjetër, të cilin e kishte vrarë koha dhe ishte plotë plasje e plasaritje, por që tani kishte një pamje madhështore, e cila komponohej me gungaçet e nyejve por edhe me shtrirjen e degëve të reja. U solla disa herë rreth tij, duke dashur ta bindi vetveten se aty do ta hasi frymën dhe së paku një shenjë të varrit të motrës, por, jo! Aty kishte vetëm shkurre dhe fier shtat hedhur, që sikur donin të më thoshin se me trupin e sime motër janë ushqyer dhe ushqehen edhe tani!
    Në këtë rreth dhembjeje e kërkimi, tek këmbët, sikur m’u mbi një qen, bubulak i vogël, i cili m’u  afrua dhe më shikonte ledhatueshëm duke ma lëvizur bishtin cubel, për të mu lutur për diçka, apo për të ma thënë ndonjë fjalë për vetveten e tij apo për lisin. Në atë ngarkesë, s’ia bëra mall fort tërë atë afërsi miqësore që ma ofroi qenushi, të cilën gjë ma shpërbleu me një të ngritur të këmbës dhe me shurrën që ia hodhi trungut të lisit plak.
    Me vdekjen e motrës, m’u përzien dhe përthurën të gjitha, dhe ashtu m’u bë se duke u larguar nga vendi ku ishte varrosur motra, e shqiptova fjalën “lamtumirë”, por shkrimi i ri ma ngacmonte provokimin i cili nxjerrke zjarr nga brendia ime. “Lamtumirë”?!... Po, pse lamtumirë,... po, edhe pse jo, lamtumirë?! Lamtumirë dhe lamtumirë, pra! Ani pse, edhe kjo do shpjegim, sepse, përbrenda dot nuk e gjej lamtumirën. Hej,... lamtumirë motra ime...!
3.
E kisha ëndërr dhe dëshirë shkollën-shkollimin, për dy arsye. E para. Ngase, babai im i përvuajtur gati si më ishte përkulur me lutje që të shkollohem. Për këtë, ma kishte ofruar tërë atë mundësinë e vet: kafshatën e bukës do ta heq nga goja vetëm e vetëm që të arrish të bëhesh dikush për vetveten, për familjen dhe shoqërinë. Kështu më kishte thënë, sepse, mjaft e kishte djegur atë, e kishte përcëlluar dhe regjur djersa me punën fizike që bënte, e cila gjë, edhe mua qysh në fëmijërinë e hershme, kishte filluar të më rëndonte por edhe të ma lëndonte shpirtin. Dhe e dyta. Që të mësoj, e kështu t’i dhuroj diçka popullit tim të përvuajtur.
    T’iu them të drejtën, e tërë kjo disi kaloi me telashe, me probleme e pengesa të natyrave të ndryshme, të cilat, sfidat m’i bënin barrikada, vetë njerëzit e kësaj toke! Gjatë tërë kësaj ecjeje, shkolla e mesme ishte kaptinë e veçantë. Krahas shkollimit, shpirti gjithnjë më rebelohej nga padrejtësitë të cilat m’u kishin bërë tunxh në zemër e zjarr në mendje. Pakëz e “tradhtova” babain për premtimet që i thashë më lartë, sepse, në shkollë çdo ditë një bust më dilte para dhe ma zinte frymën, kështu që një ditë e bëra copë e grimë. Këtë e bëra së bashku me shokun e bangës. Pasoi përjashtimi nga shkolla, pastaj lotët dhe dridhjet e babait për fatin tim, por edhe zotimi im sërish me betimin para plakut se do ta tejkaloj edhe këtë, e cila edhe u realizua ashtu.
    Dhe, erdha ku erdha. Ku jam edhe tani. Punova dhe mendja më thotë se arrita diçka. Shkrova e botova diçka, të cilat gjëra tani, sikur më duket se janë një hiq nga ajo çfarë kam dëshiruar t’ia dhuroj njeriut dhe kësaj toke...! Andaj, ja ku jam tani! Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë vetëm familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, që të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!
    Oh, sa më shtrëngon dhe më bën të fortë ky “naivitet”. Dhe, tani nuk e di deri ku kam arritur, në cilin dhe në çfarë stacioni. Në cilën rrugë dhe në cilin drejtim?! Por, një gjë e di. E di se, diku po shihet një fund, ku, edhe atje më pret dhembja e loti, por më pret edhe dashuria dhe lumturia, ashtu siç di t’i bashkoj e përjetoj unë, dhe të cilat gjithnjë kanë qenë dhe janë besnikë dhe bashkudhëtarë të mi. Edhe diçka. Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!
    Ky varg poezie, e ndjej, por edhe Zoti më thotë, qenka mbëltyer në mua si një lloj fidani, i cili gjithnjë do të mugullojë duke hedhur sythet e luleve, e,... luleve të pranverës... Për këtë arsye, i druaj kësaj se kurrë nuk do të ketë “lamtumirë”.  Po që se mund të ndodhte kjo, atëherë vargu do të hidhërohet dhe do të më provokojë e do të më detyrojë për vazhdimin e këndimit...! Por, çfarë më duhet edhe ky shkrim. Thjeshtë, tash çfarë më nevojiten shkrimet e mia?! Nëse do kush, le t’i konsiderojë apo t’i trajtojë si kujtim lodrash të shkronjave, si dhembje, e ndonjëherë si gënjeshtër loti, si lumturi apo trillim i së bukurës, edhe pse, edhe kështu, dikend do ta kënaqin, dikujt do t’ia ndezin zemrën, dikujt do t’ia shkrumbojnë shpirtin, e dikujt do t’i sjellin disponim për t’u zbrazur në gaz për marrinë e këtij vrapimi të pakuptimtë. Pra, edhe kështu, nëse doni, thuani! Dhe. Lamtumirë e lamtumirë...
4.
Të them të drejtën dhe sinqerisht, kur u lind djali im, kisha një lloj freskie shpirti dhe më dukej se më janë hapur dyer e rrugë të reja dhe më të ndritura të jetës. Ashtu edhe doli. Sepse, siç thotë populli, u gëzuan edhe lisat në bjeshkë, edhe zogjtë e malit, sikurse edhe dikur për mua. Por, veç kësaj, djali tani më shoqëronte si përgjegjësi për ta ndërtuar shëndetin dhe vullnetin e gatishmërinë e mendjes. Më bëhej se kjo tablo jete i ngjante asaj të babit tim me mua, kur është fjala tek mesazhi për ndërgjegjen dhe mësimin. Sfidë pas sfide e deri tek kurorëzimi i pjesës intelektuale të tim bir.
    Atë botë, në maturën e djalit më patën dalë nga brendia ca vargje për pjekurinë e tij, dhe pata thënë se tani e tutje rrobat kat dhe kravata i shkojnë për shtat djalit tim. Kështu u hapen rrugë edhe më të reja, të cilat më trokitnin në fjalën “lamtumirë”, por nuk e dija se kjo a kishte të bënte me mjerimin e mëtutjeshëm, me varfërinë, vuajtjet dhe me dhembjet, apo “lamtumira” më trokiste vetëm sa për të ma kujtuar për më vonë këtë fjalë, sa të dhembshme aq edhe të këndshme...!
Por, gjërat të përplasin, dhe ndonjëherë të plandosin. Pikërisht në ditëlindjen e vajzës sime, nipi, i biri i saj, fryti i parë i saj, e pëson në një fatkeqësi, tragjedi kjo e cila për disa muaj Yllin tim e solli në gjendje kome, mu atëherë kur përgatitej për t’i mësuar shkronjat e para. Prej atëherë, pasuan dilema dhe qëndresa, të cilat luftonin njëra-tjetrën, apo tentonin të bashkëjetonin. Çfarë kombinimi ky; rrëfimi për djalin dhe tregimi për nipin?! Sërish më troket fjala “lamtumirë”! Tash me frikën e ikjes së Yllit, i cili, më të vërtetë ishte Yll i familjes. Por, nganjëherë, kur e lexoja shpresën dhe bindjen e vajzës sime në fytyrën e saj për Yllin, atëherë fjala “lamtumirë” më trokiste në zemër e mendje për lamtumirën e vdekjes, për ikjen e saj nga ne...! Çfarë përzierje e “lamtumirës”... Ani,... lamtumirë dhe lamtumirë...!
5.
Disa miq të mi, me këmbëngulje kishin insistuar që të shënohet 40-vjetori i veprimtarisë sime krijuese. Dua t’u siguroj se nuk kisha dëshirë, sepse, një gjë e tillë do të më ngacmonte në shumë aspekte. Por, kjo u bë realitet, dhe ishte një perfomansë e eveniment që për një kohë të gjatë do të mbetet në kujtesën e gjithë atyre miqve dhe dashamirëve të mi e të kulturës që ishin prezent atë mbrëmje.
    Ani. Nga zemra e shpirti u falënderohem të gjithëve, të gjithë atyre që janë në mua e me mua, e të tillë ka shumë, shumë, shumë. U falënderohem edhe atyre që më duan shumë e në mënyra të ndryshme, atyre që më respektojnë dhe më çmojnë. U falënderohem edhe atyre që pa asnjë shkas më kanë zili (tek e fundit nuk e besoj se ka shkase dhe asnjë arsye për zili). U falënderohem të gjithë atyre që flasin me zjarrmi për mua dhe krijimtarinë time, edhe atyre (nëse ka) që tmerrësisht dhe verbërisht merren me intriga, me inate e të paqenët. I falënderoj edhe ata, të cilët në mënyrën e vet dhe për qejfin e teket e tyre kanë thënë e kanë mundur të flasin, të gjithë ata të cilët kanë menduar, mendojnë edhe do të mendojnë për mua dhe krijimtarinë e veprat e mia (pa marrë parasysh se çfarë e si mendojnë). Sepse, të gjitha këto që i përmenda, për mua janë gjëra shumë të çmueshme dhe të mëdha, me vlerë dhe domethënie të veçantë, edhe atëherë kur janë trill dhe hiq gjë...!
    Dhe, pas të gjitha këtyre, ai vargu im poetik, të cilin e kam përmendur disa herë edhe më lartë, e i cili është fshehur diku në qenien time e që dot nuk mund ta hasi, si larvë më shëtitë në mendje, për të më thënë diçka. Ani, le edhe të thotë lirisht çfarë të dojë, sepse, kam vendosur dhe kam vendosur për ta mos kënaqur kurrë vetveten, por, kësaj here, po,...! Do të them lamtumirë, sepse, edhe kjo fjalë, që pak kush e di dhe e vlerëson kështu, e ka vlerën, begatinë, mesazhin e madhështinë, por edhe dhembjen, e cila, as tash nuk dyshoj, ashtu sikurse edhe vargu im hajn apo i fshehur, nuk do të më zhgënjejë por do të më shoqërojë me dashurinë ndaj njeriut dhe të njeriut,... me dashurinë. Oh, sa kënaqësi!
    Ani. Do të pres, sepse gjithmonë kam pritur,... Por, megjithatë, në mos paça unë mundësi të them: lamtumirë shkrimet e mia, këtë, ua preferoj dhe u jap leje që ju ta bëni, apo ta shkruani, Ju. Sepse, besoni, sapo e përgatisë mendimin se si të them lamtumirë, ai vargu im poetik s’më lë ta bëjë një gjë të tillë! Po, pse more i uruar nuk më lejon ta them këtë fjalë kaq të rëndë, ka të bukur, pasi që unë kam vendosur pa fije hidhërimi, por me një porosi të them: lamtumirë shkrimet e mia...! Dhe shih, prapë: për lamtumirë jam unë këtu, e jo ti, më thotë vargu poetik, me të cilin, për herë të parë nuk u pajtova! Në këtë fund shkrimi, m’u kujtua dhe dot nuk më hiqet nga mendja një mik imi, është mjek i syve me profesion (me qëllim e thash, i syve e jo oftamolog), i cili njëherë më pat thënë: ia ke parë sherrin diturisë sate!
    Haj, more Zot, po ç’është kjo punë...?! Hajt, lam-tu,...! Pa e përfunduar mirë këtë fjalë, sërish dëgjoj zërin qortues të vargut poetik, i cili edhe tash më la kështu, zvarrë...                                        

ZSH - 07.09.2009

(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: