Moxhi: Ja cilët dhe pse e rrënuan Juvetusin
| E Hene, 31.08.2009, 08:21 AM |

Si u përgatit kurthi pas vdekjes së Umberto Agnellit, pasuesit të fundit mes të mëdhenjve të familjes

E vërteta e Calciopolit, lufta e ndyrë për kontrollin e "Zonjës së Vjetër"

Duhej penguar mundësia që Andrea Agnelli të ngjitej në pushtet tek Juve. Pinjolli i Umberto mund ta kish errësuar lehtësisht ngjitjen FIAT të Yaki dhe u arrit të flakej në Seria B nderi i Zonjës së Vjetër, boll që të largohej dyshja Moggi & Giraudo, sponsorë të mëdhenj të Andrea dhe padronë të skuadrës "Giraudo dhe Moggi, një 'rrezik' për John" është kapitulli i 30-të i librit të pabotuar ndonjëherë të Gigi Moncalvo, një kapitull që ndihmon të kuptohen motivet sipas të cilave këta të dy nuk mund të largoheshin në mënyrë kaq të thjeshtë. Pse-ja ishte nevoja për të goditur Giraudo edhe mediatikisht.

Për 12 vjet me radhë struktura Giraudo - Moggi - Bettega ka mbetur e pandryshuar dhe ka përfaqësuar ekipin e drejtuesve më të përgatitur të futbollit modern. Umberto e kish dashur dhe bërë në mënyrë që Juventus të ishte kaq e fortë dhe e mirëorganizuar jo vetëm pse e donte shumë, por edhe pse imagjinonte se një qëndrueshmëri dhe strukturim i tillë, në momentin në të cilin djali i tij do t'i merrte drejtimin, do t'i mundësonte Andreas që të mund ta menaxhonte me qetësi. Pas vdekjes së Umberto, në respektim të besnikërisë dhe të mirënjohjes ndaj tij, Giraudo fillon të përgatisë terrenin për hyrjen e Andreas.

Juventus është edhe një pasion i djalit të ri të Doktorit dhe vejushës, Allegra Caracciolo. Pasja e një Agnelli të ri në krye të shoqërisë është e rëndësishme: Andrea mban mbiemrin e shtëpisë, është djali i Umberto, është tifoz i Juve, është i ri dhe inteligjent, ka kryer studime të shkëlqyera, gëzon vlerësim dhe konsideratë, është njeriu i duhur për t'i dhënë vazhdueshmëri dinastisë që e ka lidhur gjithmonë emrin e saj me atë të Juve. Zgjedhja është e padiskutueshme, por lëvizjet e para të Giraudo janë shumë të matura. I njeh mirë ekuilibret delikate, mbi të cilat qëndrojnë degët e ndryshme të familjes dhe parashikon kundërgoditjet dhe zilitë që mund të ngjallë një ngjitje tepër e befasishme e Andrea.

Projekti, lidhur me të cilin Moggi është dakord, parashikon që djaloshi të futet në shoqëri gradualisht qysh nga viti 2005 dhe që më pas, duke filluar nga viti 2006, të marrë mbi vete role gjithnjë e më të spikatura. Giraudo është i vetëdijshëm se nuk ka asgjë më të mirë se sporti si pedanë lëshimi dhe pasarelë për një menaxher të ri për t'u nxjerrë në orbitë. Luca di Montezemelo dhe mënyra e tij për ta përdorur Ferrarin si vitrinë është prova se sporti, veçanërisht nëpërmjet "markave" të famshme, mund të hapë perspektiva shumë të gjera në çdo fushë. Imazhi i Andrea mund të "rritet" shumë falë Juventusit edhe pse Giraudo dhe Moggi do të dinë ta çojnë skuadrën drejt sukseseve të mëdha pa ju kërkuar aksionistëve të FIAT-it apo familjes që të hapin portofolin për të financuar skuadrën. Mbi të gjitha, do t'i garantojnë Andrea mundësinë që t'i marrë përsipër të gjitha meritat, ndërsa ata do të jenë të gatshëm të shërbejnë si rrufepritëse në rast nevoje. Një Juve prej faqeje të parë do t'i lejojë djaloshit Agnelli që të konsiderohet krijuesi i fitoreve dhe i administrimit të mirë, i sukseseve dhe i fatit, dhe ta bëjnë idhullin e 14 milion tifozëve që në çdo anë të botës ndjekin Juventus. Ideja është e përkryer, por është dikush, në prapaskenë, që e nuhat, i shikon perspektivat, nuk e bind dhe kështu që fillon të lëvizë për ta penguar dhe ndaluar.

Moggi kujton se, sapo ka marrë vesh lajmin e vdekjes së Umberto, pati këtë ndjesi: "Papritmas jam ndjerë më i vetmuar. Pa ombrellë, pa një dritë. Fillimisht Avokati, më pas Doktori: Juve nuk do të ishte më e njëjta, por edhe ne nuk do të ishim më të tillë". Vdekja e Umberto nuk lë jetim vetëm Giraudo, Moggi dhe Juventus, por krijon në brendësi të të gjithë Grupit një boshllëk pushteti që duhet mbushur sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndarja nga jeta e Umberto përfaqëson fundin e brezit të vëllezërve Agnelli dhe, nëqoftëse nuk kishte dyshime, pas vdekjes së Gianni, se Umberto do të ishte pasuesi i tij në drejtimin e grupit, tani ka shumë vende që duhen mbushur. Nuk janë më në dispozicion emra të brezit të Gianni dhe të Umberto, duke qenë motrat jashtë loje. Vendimi për të synuar mbi John, siç e kemi parë, tashmë ishte marrë.

Dikush i ka shpejtuar afatet dhe ka punuar në këtë drejtim edhe duke e shpejtuar situatën pa respektuar "procedurat" e nevojshme familjare. Kështu, ai që ndodhet në pedant i gatshëm për të dalë në orbitë është vetëm John. Asgjë nuk duhet ta pengojë këtë projekt. Çfarëdo fërkimi, i madh apo i vogël, i drejtpërdrejtë apo jo, që do paraqitet në rrugën e lidershipi të John duhet të zhduket me vendosmëri maksimale. Është e qartë se një hyrje eventuale në skenë e Andrea, për më tepër me avantazhin e padiskutueshëm e mbiemrit Agnelli në kundërshtim me kushëririn, i krijon shqetësime të konsiderueshme të gjithë operacionit, edhe pse bëhet fjalë "vetëm" për Juventus. Duhet ndaluar që popullariteti që brenda pak vitesh me siguri do të kishte arritur Andrea falë futbollit, ta projektojë edhe drejt posteve të larta në brendësi të Grupit.

Nuk ka dyshime se Andrea, nën hullinë e Juventus, do të mund të bëhej një "konkurrent" potencial i John, një pengesë në rrugën e ngjitjes drejt pushtetit, duke krijuar një dualizëm të rrezikshëm në të cilin të dy të rinjtë e brezit të katërt do të duhej të bënin hesapet me njëri tjetrin. Veç të tjerash njëri, Andrea, do të kishte pasur avantazhin e padiskutueshëm që të mund të mbështetej mbi dy karta më rëndësi vendimtare: popullaritetin dhe mbështetjen e miliona njerëzve dhe një imazh të lidhur me një aktivitet si Juventus dhe futbolli, sigurisht më popullore, më "simpatike" dhe më imediate nga sa nuk janë IFIL, IFI, FIAT.

Regjizorët e operacionit "John" nuk mund të lejojnë absolutisht që ai mbi të cilin kanë vendosur të synojnë të gjejë një pengesë të ngjashme në rrugën e tij. Ja kështu që për të bllokuar ngjitjen e Andrea apo edhe vetëm daljen e tij në fushë, duhen goditur dhe eliminuar të dy njerëzit që kanë menduar për të dhe që do të donin ta lëshonin në orbitë: Giraudo dhe Moggi. Duhet gjetur mënyra për t'i eliminuar. Kjo mënyrë ekziston dhe është fryt i përputhjes së kombinuar të disa rrethanave që realizohen falë kontributit të drejtpërdrejtë ose jo, të vullnetshëm ose jo, të një serie personazhesh që me titull të ndryshëm shfaqen në ndodhi apo i qëndrojnë në prapaskenë, shumë prej të cilëve bëhen në mënyrë të pavullnetshme dhe pa e imagjinuar elementë të këtij operacioni. Prokurori Giuseppe Guariniello i Torinos. Presidenti, Franco Carraro. Presidenti i Lega Calcio, Adriano Galliani. Presidenti i Inter, Massimo Moratti. Drejtori i Përgjithshëm zikaltër, Giacionto Facchetti. Presidenti i Pirelli, Telecom dhe njëkohësisht aksionist i Inter, Marco Tronchetti Provera, dhe "Tiger team" i spiunazhit telefonik të Telecom (Tavaroli, Cipriani, Ghioni). Profesor Guido Rossi. Ish-Prokurori i Milano, Francesco Saverio Borrelli me cilësinë e tij të re si Kreu i Zyrës së Hetimeve të Federcalcio. Luca di Montezemolo. Franzo Grande Stevens. Avokati Cesare Zaccone i Torino. Drejtorët e nja të paktën katër gazetave dhe shumë njerëz të tjerë akoma.

Natyrisht, nuk ka asnjë "akuzë" ndaj këtyre njerëzve. Nëqoftëse doktor Guariniello ka kryer hetime gjyqësore lidhur me Juventus ka vendosur për këtë arsye përgjues telefonikë në telefonat e Giraudo dhe Moggi, kjo nuk do të thotë se ai e ka bërë këtë për të lehtësuar ngjitjen e John në krye të grupit FIAT apo për të "hequr qafe" Andrea Agnelli. E njëjta vlen edhe për disa prej njerëzve që kemi përmendur dhe që kishin qëllime krejt të ndryshme, ama në fund puna, aktiviteti, informacionet, vendimet e njërës palë dhe tjetrës apo sjellja e tyre e adoptuar në një të kaluar të afërme apo të largët, janë përdorur nga "regis acentrale" për të ngritur në këmbë operacionin dhe për ta përfunduar atë.

Për të ndaluar Andrea Agnelli për t'u ngjitur në majat e Juventus, për të "hequr qafe" Giraudo e Moggi, duhet që t'i bëhet keq patjetër vetë Juventus, për një kohë të shkurtër. Është një "dëm kolateral" i pashmangshëm, një efekt "zjarri mik", një e keqe e domosdoshme dhe e kalkuluar, pa të cilën nuk mund të bëhet. Nga ky këndvështrim, origjina e historisë së "Calciopoli" merr një dritë të re dhe shumë fakte, të cilat mund të duken të pashpjegueshëm, bëhen më pak misteriozë nëse mendohet se cili ishte rezultati final që synonte Torino. Si gjithmonë, doktor Guariniello ka bërë detyrën e tij dhe nuk ka abuzuar as me rolin, as me tagrat e tij në momentin në të cilin ka vendosur të vazhdojë të mbajë nën kontroll telefonat e Moggi dhe Giraudo në përfundim të hetimit lidhur me përdorimin e supozuar të substancave të ndaluara nga ana e disa futbollistëve juventinë. Procesi ka përfunduar pozitivisht për Juventus, por doktor Guariniello kish mbajtur të hapur një degë tjetër të atij hetimi dhe vendosur kontrolle dhe aktivitete hetimore të reja.

Nga këto përgjime të reja nuk dilte asgjë penalisht e rëndësishme, por prokurori kish vendosur që t'i transmetonte ato tek Federazione Gioco Calcio me qëllim që të verifikohej nëse nga ato letra dilnin rastësisht shkelje të rregullave sportive. Franco Carraro, President i FIGC-së, mbajti për një kohë të gjatë në sirtarin e tij një sasi të madhe përgjimesh të ardhura nga Torino. Pastaj, papritmas, vendosi që t'i nxjerrë. Pse dhe me nxitjen e kujt? Qysh nga ai çast formohet topi i dëborës që brenda një kohe të shkurtër do të bëhet ortek. Ndodhi gjithçka. Regjia gazetareske dhe distilimi i përditshëm i lajmeve. Proceset sportive. Kërkesa e pabesueshme e avokatit të Juventus për ta dënuar skuadrën në Serie B. Heqja dorë e vetë shoqërisë për të bërë ankimim në TAR pa "kontraktuar" kushte më të mirë (si anullimi i rënies nga kategoria, duke pranuar një penalizim të fortë, si Milan dhe Fiorentina). Shitja e disa lojtarëve të çmuar (si Ibrahimoviç apo Vieira) një konkurrenti të drejtpërdrejtë si Interi me një çmim qesharak, shoqëruar me falenderimet e drejtuesve juventinë. Titujt e hequr në tavolinë dhe të dhëna Inter (që i ka marrë dhe i ka festuar) pikërisht nga një ish-këshilltar i administratës së tij (Guido Rossi). Punësimi i vetë Guido Rossi në grupin FIAT për konsulencë me përfitimin e disa miliona eurove. Përfshirja e munguar ligjore një ndodhi e Franzo Grande Stevens, që ishte Presidenti i atij Juventus të "përfolur". Shpëtimi i Milan dhe i Fiorentina nga Serie B (shenjë e qartë se duhej të goditej vetëm Juve). Zbulimi i shumë manipulimeve në përgjime. "Fama" e kujt i kishte realizuar dhe vënë në dispozicion që figuron i përfshirë në hetime të rëndësishme penale.

Operacioni i spiunazhit i kryer nga një shoqëri që kryesohej nga një tjetër drejtues pikërisht i Interit. "Ujdia" e Juventusit edhe pse drejtësia sportive nuk ka zbuluar asnjë "krim". Një proces, në Napoli, që nuk sjell asgjë. Prokuroria kampane, e cila në vend që të merret me plehrat dhe Kamorrën, përdor njerëz dhe mjete hetimore për "Calciopoli" dhe shumë gjëra të tjera akoma, me një pikë të palëvizshme: Juventus është e dëmtuara më e madhe, Moggi e Giraudo largohen. Domethënë, ajo që Giraudo kishte nuhatur në përfundim të sezonit 2004 - 2005 ("Luciano, ky është fillimi i fundit"), verifikohet me përpikmëri. Moggi kujton se i është përgjigjur se nuk e kuptonte, Juve po fitonte gjithçka, gjërat ecnin mirë, por Giraudo ishte i errësuar në fytyrë dhe pesimist për të ardhmen. Çfarë po ndodhte? Çfarë do të ndodhte? Moggi nuk kishte të njëjtin tip antenash si Giraudo në brendësi të galaktikës FIAT për të mbledhur zëra dhe sinjale apo për të nuhatur atmosferën. Por edhe në "botën e vogël" të tij, Moggi e kupton se diçka nuk shkon, se ka një ftohtësi të caktuar, se askush nuk bashkëpunon më ashtu siç duhet.

Në librin e tij, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Juventus tregon përmbajtjen e një telefonate me Lapo Elkann, duke bërë këtë hyrje: "Do t'ju duket banale, por më shumë se çdo diskutim tjetër mund të vlejë kjo bisedë". Është 4 shkurti i 2005, Moggi i telefonon Lapo dhe e pyet nëse mund ta takojë sa më shpejt të jetë e mundur "për të shkëmbyer dy llafe". Lapo kërkon që të fitojë dhe në fund, i zënë ngushtë, "kujtohet" se disa ditë më pas do të jetë në Palermo pikërisht me rastin e ndeshjes së kampionatit të Juventus, për të dorëzuar një Y me ngjyrë të kuqe qendërsulmuesit Luca Toni.

Të dy vendosin që të takohen në hotelin ku ndodhet skuadra, në "Villa Igiea", Moggi ngre problemin që është krijuar për makinat e përfaqësimit. "Papritmas krijoheshin vështirësi në rritje edhe për gjërat e vogla. Makinat e përfaqësimit për lojtarët ose punonjësit e shoqërisë, por edhe për t'u bërë favore të vogla njerëzve funksionalë në punën tonë, duhej të ishin gjëra automatike për një kompani të madhe. Kurse në atë periudhë lodheshim për të bërë gjithçka, për të pasur çdo gjë. Nuk po flasim pastaj për paratë për merkaton e lojtarëve: rubinete të mbyllur. Fatmirësisht, kemi arritur ta menaxhojmë Juven pa nevojën e ndërhyrjeve të jashtme të aksionistëve referues, përndryshe do të kishte pasur probleme. Sulmet e brendshme dhe të jashtme qenë që çke me atë punë. Vetmia jonë ishte e dukshme".

I pari që foli, si gjithmonë, është Lapo: "Bëri ironi të rënda lidhur me ne në intervista të ndryshme. Tha se 'tek Juve duhet qeshur më shumë', nuk e fshehu asnjëherë antipatinë e tij për triadën. Nuk do ta prisnim kurrë një goditje të tillë kaq të ulët, për më tepër në publik". Por problemet e vërteta nuk qenë as makinat, as daljet e Lapo. "Kanë ndodhur gjëra edhe më të mëdha, kujton Moggi. Trashëgimtarët e Avokatit dhe ata të Doktor Umberto nuk qenë dukshëm në sintoni lidhur me zgjedhjet dhe asetet e ardhshme të grupit. Ndoshta unë jam shtypur nga kjo luftë. Në fakt, është shumë i çuditshëm qëndrimi i mbajtur nga Juventus shoqëri, por edhe nga pronësia, përpara, gjatë dhe pas shpërthimit të këtij skandali, i vërtetë apo i supozuar qoftë.

Në shoqëri (president i së cilës, të mos e harrojmë, ishte Franzo Grande Stevens, sigurisht shumë brenda gjërave të pallatit të drejtësisë së Torino, shënimi im.) qenë në korrent të hetimit ndaj nesh të hapur nga gjykatësit torinezë dhe të përgjimeve telefonike, të cilave u qemë nënshtruar si unë, ashtu dhe Giraudo.

Gjithçka ishte arkivuar në seli penale, por dosja me përgjimet i ishte dërguar për dijeni drejtësisë sportive të Federcalcio. Unë nuk kam ndërhyrë asnjëherë mbi Carraro apo mbi gjykatësit, as Giraudo. Sikur të kishim pasur të gjithë pushtetin që tani duan të bëjnë të besohet, ato letra do të ishin asgjësuar. Në të vërtetë askush nuk është interesuar dhe aq shumë. Të gjithë kemi vazhduar të telefonojmë pa mister. Në disa raste bile në mënyrë të gëzueshme. Qemë absolutisht të qetë se nuk kishim bërë asgjë të keqe apo të çuditshme. I kemi vazhduar bashkëbisedimet tona në ambientin e topit, pa i kërkuar ndihma apo sondo kurrkujt.

Nga ana tjetër, kërkesa e arkivimit e 19 korrikut 2005 e firmosur nga Guariniello që na shfajësonte totalisht, fliste edhe shumë shumë qartë, siç lexohet në konkluzionet e gjykatësit: "Nga katër ndeshje kampionati të luajtura me përgjimet në vazhdim, për tre nuk janë regjistruar komente të ndonjë lloji të përshtatshëm për të mbështetur hipotezën e krimit, ndërkohë janë regjistruar bisedime domethënëse midis të gjithë protagonistëve të mashtrimit sportiv të supozuar, por nga ato jo vetëm që nuk nxirren për verifikime me hipotezën hetimore, por ka edhe elemente prove kundërt".

Ja çfarë është shkruar, veç të tjerash, në vendim. "Domethënë, nuk bënin gjë prej gjëje". Përpara kësaj të vjen të pyesësh: është e mundur që Presidenti i Juventus, i atij Juventus, domethënë Grande Stevens nuk i njihte këto hollësira? Pse nuk ka bërë asgjë për ta shpëtuar Juventus? Pse nuk ka hedhur në lojë të gjithë dijen e tij të jurisprudencës, autoritetin e tij, peshën e tij për të shpëtuar Juve? E mundur që boll për të sakrifikuar Giraudo e Moggi dhe mundësinë që Andrea Agnelli të ngjitej në pushtet tek Juventus, është flakur tej edhe nderi, respektueshmëria, prestigji i skuadrës bardhezi dhe i miliona tifozëve të saj? "Askush, vazhdon Moggi, nuk është preokupuar se mos ajo pako me letra të mund të dilte në ndonjë vend dhe ta diskreditonte Juventus. Përkundrazi, gazeta që i ka botuar e para përgjimet e plota dhe ndoshta më shumë se çdo tjetër i ka dhënë ngjyrë negative kësaj ndodhie, ka qenë pikërisht 'La Stampa' dhe fushata kundër Juventus është orkestruar nga 'Gazzetta dello Sport', gazeta tjetër ku merrte pjesë familja".

Kjo është një e dhënë tjetër domethënëse që deponon në favor të tezës, sipas së cilës drejtuesit e Grupit, duke mos luajtur gishtin për ta mbyllur valën e baltës kundër Juve dhe duke mos i lejuar një mbrojtje të përshtatshme shoqërisë, në njëfarë mënyre mund të kishin qenë në dijeni të operacionit në zhvillim dhe, në disa aspekte, nuk u kish ardhur keq për rezultatet që do të sillte në dëm të Giraudo dhe Moggi. Në fakt, a është e mendueshme që Grupi i cili kontrollon "La Stampa" dhe është, bile në atë moment ishte, aksionisti kryesor dhe më me "peshë" i "RCS Mediagroup", shtëpisë botuese të "Corriere della Sera" dhe të "Gazzetta dello Sport", nuk e ka lëvizur gishtin për t'u tërhequr veshin drejtorëve për një "respekt" më të madh ndaj Zonjës së Vjetër?

Është e mundur që drejtorë dhe gazetarë gjithmonë shumë të vëmendshëm për të mos hyrë në konflikt me pronësinë dhe interesat në sektorë të ndryshëm të aktivitetit, në këtë rast kanë ecur kaq gjatë sipas qejfit pa e pasur sigurinë se në Torino kjo linjë pëlqehej? Moggi futet në zemër të problemit dhe, shumë i vetëdijshëm se për të shkatërruar atë dhe Giraudo do të duhej të shkatërrohej edhe Juventus e të merrej kontrolli absolut, shton, duke hapur një skenar të ri: "Edhe sikur Treshja të kishte kryer krime të rënda, një shoqëri e kuotuar në bursë gjithsesi duhej t'i mbrojë gjithmonë menaxherët e saj. Në mos tjetër, për të mos shkatërruar të mirat e saj, kapitalin e saj, imazhin e saj. Kurse edhe pa prova, edhe pa letra, me vendime që priteshin të merreshin, jemi shkarkuar sikur të kishim pasur murtajën. Kam pasur ndjesinë e fortë nga disa gjëra, se plani ishte pikërisht ky: të nxirreshin jashtë loje Giraudo, Bettega dhe Moggi, të kushtojë sa të kushtojë".

Deri në këtë pikë, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Juve nuk ka folur asnjëherë me John, por nuk duhet lutur gjatë për të zbuluar një tregues tjetër: "Edhe John Elkann, thotë ai, na ka shkarkuar menjëherë. Të dielën, datë 7 maj 2006, Juventus ka luajtur në shtëpi kundër Palermos. Ishte ndeshja e parë pas botimit të telefonatave, skandali po egërsohej, por pa konture të qarta. Megjithatë, djaloshi John ka thënë i vendosur se "pronësia do t'i jetë afër skuadrës dhe trajnerit". Tashmë të varrosurit Giraudo e Moggi Juve-s i kanë dhuruar 12 vjet jetë. Moggi zbulon një tjetër imtësi domethënëse, që sigurisht nuk deponon në favor të John përsa u përket metodave të përdorura në Torino për të "shkarkuar" ndonjë: "Gjatë atyre ditëve askush nuk më ka telefonuar dhe jo vetëm për të më qëndruar pranë, por as edhe për të më kërkuar shpjegime, për të pasur versionin tim të fakteve. Besoj se do të kishte qenë e natyrshme. Edhe një fëmije që gabon, përpara ndëshkimit i kërkohet një justifikim. Kurse Moggi, jo. Ndëshkim. I dënuar. I hedhur poshtë. I fshirë". Në atë rast, shpjegon ai, John tha: "I kemi kuptuar problemet kur gazetat kanë botuar përgjimet. Qenë probleme të rënda. Aty kemi kuptuar se menaxhmenti Juve ishte sjellë në mënyrë jokorrekte. Kështu, kemi reaguar me vendosmëri për të dalë nga kriza. Nuk ka qenë e vështirë. Përkundrazi, ka qenë e thjeshtë marrja e vendimit, e vështirë për t'u vënë në praktikë. Një reagim radikal, pasi edhe përgjegjësia ishte e madhe.

Kanë mbërritur kështu penalizime të rëndë, por kishte diferencë midis asaj të fituar nga djemtë në fushë dhe asaj të bërë nga menaxhmenti. Tani ka një rinovim total të drejtuesve. Ne si pronësi vazhdojmë ta ndjekim çështjen, hetimet e reja, por mund të garantoj se nuk do të gjejnë asgjë që nuk shkon mirë në menaxhmentin aktual. Juve mbetet Juve me historinë e shkëlqyer të saj". Atëhere është plotësisht e vërtetë hipoteza jonë e fillimit? Nëqoftëse John ishte përfituesi i parë dhe kryesor nga "pengimi" ië kushëririt të tij Andrea dhe nëqoftëse ky objektiv mund të arrihej duke bllokuar të dy drejtuesit e Juve që do të kishin mundur të vinin Andrea në altar, pse vallë John duhet të kishte problem për Giraudo dhe Moggi? Pse vallë duhej të "mbronte" Juven dhe, për pasojë, edhe ata të dy? Pse vallë duhej të shkaktonte autogol duke hedhur në erë ambiciet e veta dhe perspektivat e veta duke hyrë në garë me kushëririn e frikshëm dhe që i kishte frikën?

Moggi pa e kuptuar i lehtëson gjërat dhe demonstron se nuk e njeh këtë "plan" ose ndoshta e kupton se nuk ka forcat e mjaftueshme dhe të nevojshme për ta kundërshtuar. Menjëherë pas ndeshjes së fundit të kampionatit, menjëherë pas titullit të radhës, më 14 maj 2006 në Bari, jep dorëheqjen nga të gjitha postet tek Juventus, përfshi karriken e këshillit administrativ. E bën "për të shmangur shqetësime të mëtejshme, për ta lënë të lirë pronësinë, për respekt ndaj Juventus dhe tifozëve të saj".

Tani që e ka kuptuar sesi kanë ecur vërtet gjërat thotë se nuk do ta ribënte. Mendonte se me atë gjest të tij do t'u lejonte avokatëve që të mbronin më mirë shoqërinë dhe të siguroheshin dënime sportive më pak të rrepta, por pasi ka parë atë që ka ndodhur, mënyrën si është mbrojtur Juve apo më mirë mënyrës sesi Juve i ka dhënë udhëzime avokatit të vet, Moggi është i bindur se sakrifica e tij nuk ka shkuar kot: "Qëndrimi i avokatit Zaccone lë dyshime. Si ka mundësi që një avokat mbrojtës pranon dhe i pohon të gjitha fajet e klientit të tij? Edhe përpara një kufome akoma të ngrohtë, me armën e krimit në dorë, ka që kërkojnë të mohohet çdo faj. Pronësia e Juves jo, ka pranuar gjithçka që kontestohej nga drejtësia sportive e ngutur pa e ditur as dhe çfarë pranonte. Akoma përpara proceseve. Dukshëm që vendimi për të pranuar gjithçka ishte një linjë e rënë dakord. Ndoshta dikush në brendësi të familjes kishte frikë se mos fusnim në dorë shoqërinë? Ndoshta i frikësoheshin aftësisë financiare të Giraudo dhe autoritetin tonë ndaj miliona tifozëve?".

"Nganjëherë, thotë Moggi, kam përshtypjen se një konvergjencë e çuditshme interesash ka favorizuar atë që më ka ndodhur mua dhe Juventus. Ishte dikush që i shikonte me sy të keq sukseset tona, të tjerë që i frikësoheshin stërfuqisë ekonomike bardhezi, por ndoshta ka edhe diçka më të madhe dhe më të rëndësishme. Unë nga financa kuptoj pak, nga bursa akoma më pak. E vështirë të kuptohen disa mekanizma financiarë, por një gjë është e qartë: pas vdekjes së Doktor Umberto gjërat dhe ekuilibri në brendësi të familjes Agnelli kanë ndryshuar thellësisht. Kam shumë defekte, por besoj se e kam dhuntinë e nuhatjes.

Kisha nuhatur se nuk pëlqeheshim më si më parë, se sukseset tona priteshin me buzëqeshje me dhëmbë shtrënguar. Treshja e zgjedhur nga Doktor Umberto për të rithemeluar Juve në vitin 1994 pa të, pa mbrojtjen e tij, ka përfunduar në vorbull. Pastaj, Giraudo e kish menaxhuar Sestriere për llogari të Doktorit. Nuk ishte një menaxher dosido, por strategu financiar i vejushës donna Allegra Caracciolo dhe i të birit Andrea, trashëgimtarë të Umberto Agnelli. Me pak fjalë, një situatë e komplikuar midis trashëgimisë, pasurive financiare, luftërave për suksesion dhe pushtet midis dy degëve të familjes në të cilat nuk kam hyrë asnjëherë, por nga të cilat kam ndjerë të vijë një erë e fortë kundra".

Si gjithmonë në këto momente, ka dhe që bashkon biznesin me kënaqësinë dhe përfiton nga situata. Luciao Moggi në librin e tij shkon në zemër të problemit dhe flet për aksione, para, plusvalenca: "Sipas një studimit të "Il Sole-24Ore", të botuar edhe në librin "Inchiesta su Calciopoli" të Mario Pasta dhe Mario Sironi, dy studiues të ekonomisë dhe të drejtësisë, në muajt pak përpara skandalit ka pasur një gërmim në bursë të aksioneve të Juventus me vëllime shkëmbimi 10 herë më të larta ndaj mesatares të 14 muajve të mëparshëm. Më kanë bërë me dijë, shton Moggi, se në janar të 2006 aksionet bardhezi qenë të kuotuara rreth 1.30 euro, ndërsa pikërisht në atë periudhë, midis marsit, prillit dhe majit, vlera është rritur në 2.46 euro: pothuajse dyfishuar. Vetëm rastësi? Koinçidencë? Misteri këtu bëhet pastërtisht ekonomik: po i mendoj vërtet të gjitha", vëren Moggi dhe lëshon një sinjal tjetër përsa i përket Inter dhe Moratit, Telecom dhe Trochetti Provera: "Nëqoftëse do të vëmë gjithçka nën lente zmadhuese, prapa fashikujve, ndjekjeve dhe përgjimeve ilegale të aferës Telecom janë edhe njerëz të shërbimeve sekrete të përfunduar në burg. Këtu ishte në lojë një fuqi sportive që ndërthurej me fuqinë ekonomike. Kishte personazhe për t'u mbajtur nën kontroll, aktivitete për t'u monitoruar. Edhe shitjet e Viera e Ibrahimoviç tek Inter më janë dukur të çuditshme, të ngutura, pothuajse të pilotuara. Një ditë korriku 2006, nuk e kujtoj datën, isha nën çadrën e plazhit të Follonica kur më telefonon prokurori i Ibrahimoviç për të më thënë se kish mbyllur një punë me Milan. Por Juve donte t'ia shiste lojtarin Interit me çdo kusht, nuk dëgjonte arsye, ndoshta për motive dhe strategji tregu të thjeshta. Ndoshta, por ndërkohë jam akoma këtu që pyes: Pse?".

Me kalimin e kohës, herë pas here dalin tregues të tjerë kuptimplotë. Për shembull, është Presidenti i Inter që zbulon lidhur me Ibrahimoviç dhe Vieira: "Jo vetëm na i dhanë me çmim të mirë, por na falenderuan nga zemra...". ndoshta ishte një gjest mirënjohjeje pse kish dhënë një "kontribut" në dosjen dhe në përgjimet e dobishme për të hequr qafe Giraudo dhe Moggi? Papritmas, ndodh edhe që në dhjetor 2007, President i FIFA-s (Fédération Internationale de Football Association), Joseph Blatter jep nga Zyrihu një intervistë për ANSA-n ku zbulon një hollësi të paditur lidhur me Calciopoli: "Besoj se tani ka kaluar mjaft kohë sa të mund të flas. Kur shpërtheu skandali, në vitin 2006, Luca di Montezemolo luajti një rol shumë të rëndësishëm moderatori. Është në pjesën më të madhe meritë e tij nëse Juventus nuk ju drejtua gjykatave të zakonshme civile pas sanksioneve pasuese të skandalit".

Por çfarë hyn këtu Montezemolo? Në një intervistë për "Panorama", ish-shefi i security Telecom, Giuliano Tavaroli, tregon se "gjatë "fushatës elektorale" për presidencën e Confindustria, u preokupua për të mbrojtur kandidatin favorit nga sulmet eventuale të një grupi industrialistësh kundër zgjedhjes së tij". Ja cilat qenë dhe sa të "përzemërta" qenë raportet midis Montezemolo dhe Tronchetti Provera dhe sa ka mundësi janë pasqyruar edhe në botën e futbollit. Të gjitha koinçidenca?".

Puçi i verës 2006 ka prodhuar këto rezultate: John Elkann ka prishur gentlemen agreement midis vëllezërve Gianni dhe Umberto, ka larguar drejtuesit e Juventus përpara çdo procesi dhe vendimi, praktikisht i ka hequr kushëririt të vet Andrea mundësinë për të drejtuar Juventus, ka vënë nën kontroll klubin duke ia besuar një presidenti, Giovanni Cobolli Gigli, i quajtur nga tifozët si "katastrofa më e madhe juventine nga kohërat e Luca Cordero di Montezemolo". Gjendja shpirtërore e shumë miliona tifozëve juventinë ilustrohet në përsosmëri në parathënie nga Christian Rocca, juventin i pasionuar dhe gazetar i "Il Foglio", i cili ka vënë në shënjestër njeriun e zgjedhur nga John, Gianluigi Gabetti dhe Grande Stevens (sot president honorifik i Juventus): "Është një president i një skuadre italiane futbolli që nuk di sesa tituj kanë fituar djemtë e tij dhe që nuk arrin t'i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë fare. Kësaj: Sa kampionate ka fituar Juventus? 27, 28 apo 29? (For the record: janë 27 për frekuentuesit e tribunave jugore, 28 për Italinë e mesme, 29 për këdo që kupton nga futbolli). Kurse presidenti i Juventus nuk di të përgjigjet ose, më mirë akoma, nuk do të përgjigjet. Ka mundësi, nuk mund të përgjigjet. Në dokumentat zyrtare, përfshi faqen internetore të Juventus, ka shkruar 27. Përpara selisë ka hequr saksinë e kuqe që tregonte numrin "28". Në autobusin e shërbimit, yjet e trofeve janë dy më pak. Nëpër intervista, nganjëherë thotë se janë 27, nganjëherë se janë 28. Në raste të tjera ankohet që askush nuk do t'ia kthejë kurrë ato dy tituj të vjedhur, një gjë e natyrshme duke qenë se nuk i ka kërkuar që t'i kthehen.

Duke i qëndruar gazetës së familjes "La Stampa", Cobolli Gigli deri e ka duartrokitur me bindje kur i është komunikuar se kupa e titullit që Lega i ka dorëzuar Juventus në vitin 2006 ishte më false, se ajo e vërteta që po ia dorëzonin në tavolinë Moratit. Domethënë, ishte nga kohërat e Luca Cordero di Montezemolo që tek Juventus nuk ndodhte një katastrofë si ardhja e Giovanni Cobolli. Presidenti është një njeri elegant, sigurisht i hijshëm, i sjellshëm si pak të tjerë, domethënë saktësisht e kundër e asaj që do t'i shërbente një skuadre futbolli që në momentin e ardhjes së vet kishte në dispozicion formacionin më të fortë të 15 viteve të fundit, përfshi 9 midis kampionëve dhe nënkampionëve të botës, plus fituesin e Topit të Artë, Nedved dhe lojtarin më të mirë në qarkullim, atë Ibrahimoviç që i vetëm ka fituar disa kampionate, të cilëve u jep rëndësi vetëm një gazetë rozë që ndodhet në tavolinat e bareve të sportit. Kjo skuadër e mrekullueshme nuk është më. Cobolli e ka çmontuar. Nga menaxher i ardhur nga shpërndarja e madhe, ka shpërndarë dy kampionë tek Real, dy tek Barcelona, dy tek Fiorentina dhe dy tek "mbajtësit e titujve të të tjerëve", duke i forcuar të gjithë dhe duke dobësuar vetëm shoqërinë që përfaqëson.

Për një qime, shumë simpatikut Cobolli nuk i ka dalë të shiste edhe Buffon, Camoranesi dhe Trezeguet, por për ta ka akoma kohë. Sigurisht që Juve do të binte nga kategoria, por drama e Cobolli është se Juventus nuk ka shkuar në Serie B prej fajeve të menaxhimit të vjetër Giraudo-Moggi, domethënë të Umberto Agnelli, duke parë se akuzat janë hedhur poshtë si në proceset sportive, ashtu dhe në ato penale (nuk ka pasur asnjë ndeshje të trukuar, asnjë shorte të manipuluar, asnjë dënim me kartelë të shënjestruar dhe arbitrat janë liruar nga akuzat). Juventus ishte në Serie B pse pronësia e tij, dega Gianni Agnelli, ka vendosur për motive të paqarta që të mos mbrohet dhe të flakë tej njerëzit e padëshirueshëm të degës Umberto. Askush nuk do të arrinte më mirë se Cobolli që t'i hiqte qafe siç ka ditur të bëjë ai. Juventus cobollian ka kërkuar që të bjerë nga kategoria, qoftë edhe me penalizim të fortë dhe pavarësisht se nuk kishte asnjë "letër" provë siç kish shkruar prokuroria e Torino-s duke kërkuar arkivimin e hetimeve. Pastaj ka hequr dorë nga TAR-i dhe nga TAS-i, së fundi ndaj çdo instrumenti tjetër edhe simbolik për të theksuar se Juventus ata tituj i kish fituar në mënyrë të merituar në fushën e lojës. Cobolli pothuajse nuk qëndron, të ngjall edhe mëshirë, ndoshta do ta meritonte një çmim, problemi i tij është se gëzon një kredibiliteti të barabartë me numrin e titujve të fituar nga Moratti", konkludon Christian Rocca.

Tifozët e akuzojnë John për shumë gjëra: "Ka marrë ose nuk ka penguar vendime dhe qëndrime të thuash pak të diskutueshëm në formë dhe në përmbajtje. Përveç largimit preventiv të Treshes, është dalluar për deklarime tejet dëmtuese për dinjitetin dhe pasionin e tifozëve, duke njollosur në fakt punën e kryer nga drejtuesit e zgjedhur personalisht nga xhaxhai i tij Umberto. Ka ulur kokën gjatë të gjithë aferës "Calciopoli", duke shmangur në mënyrë të fajshme që të harxhojë qoftë edhe një shprehje të vetme ngushëlllimi për tifozët e prekur. Ka pësuar presionet e gjysmës së Italisë për të hequr dorë nga ankimimi në TAR, duke e lënë veten të bindet nga Montezemolo, që më pas u falenderua publikisht nga Presidenti i FIFA-s, Blatter. Ka vënë në postet drejtuese të shoqërisë njerëz që duken të papërshtatshëm nga pikëpamja profesionale dhe e sjelljes për të mbajtur markën e Juventus, duke e ngadalësuar në fakt kthimin në ekselencë". Tifozët janë të gjithë për Andrea: "Menjëherë pas 'Calciopoli', djaloshi i ka pranuar me stil vendimet e marra nga drejtuesit e IFIL. Një zgjedhje e vështirë për një si ai - dhe si babai dhe nëna e tij, shumë tifoze, që jetonte dhe jeton për atë fanellë bardhezi. Një zgjedhje e detyruar nga kujtimi i toneve të moderuara dhe përkushtimi absolut që kish marrë nga i jati. Ama një zgjedhje që ka shkaktuar tek ai dhe tek nëna e tij, Donna Allegra Caracciolo, një dëshpërim të thellë që akoma sot i mban larg nga stadiumi. Donna Allegra ushqen një pasion të shfrenuar për ngjyrat bardhezi, ka vuajtur dhe po vuan për fatet e skuadrës dhe për fyerjet që u dashur të pësojnë të gjithë tifozët. Me Andrea deri dy vjet më parë frekuentonte pareshtur skuadrën dhe drejtuesit, si gjatë stërvitjeve, ashtu dhe në stadium, ku nuk mungonte pothuajse kurrë.

Kush është i vëmendshëm ndaj fakteve juventine nuk ka sesi të mos e ketë vënë re se figura karizmatike dhe elegante e Donna Allegra dhe ajo e qeshur dhe dashamirëse e Andrea prej kohësh mungojnë nga skena e ndodhive bardhezi. Stili Agnelli imponon që çfarëdo lloj zgjedhjeje apo diskutimi, edhe më i komplikuari, të bëhet larg prozhektorëve dhe duke ruajtur para çdo gjëje tjetër imazhin e familjes. Kështu që nuk duhet të ketë qenë e lehtë për Andrea që të përtypë largimin e Treshes, me të cilën ishte i lidhur jo vetëm nga pikëpamja njerëzore, por edhe pse ata menaxherë përfaqësonin akoma një zgjedhje të babait të tij Umberto. Shumë njerëz, sidomos midis tifozëve, pyesin se cilat do të jenë lëvizjet e ardhshme. Nëse do të heqë dorë apo jo përfundimisht për t'u ngjitur në postin komandues për të cilin ishte paracaktuar. Nëse një ditë do të flasë apo jo duke treguar atë që ka ndodhur. Por edhe zgjedhja e heshtjes gjatë këtyre viteve ka bërë që të rritet në imagjinatën një kolektive një kaleidoskop hipotezash, konikuturash, skenarësh. Si ai që e përshkruan të gatshëm të bëhet presidenti i një Juventus jashtë orbitës FIAT dhe IFIL".

Tifozët i kanë shkruar kohët e fundit: "Ne që e duam Juventus në mënyrë të çmendur, si ju, jemi të sigurtë se po përgatitet për të një e ardhme emocionuese. Kështu që na pëlqen të shpresojmë se një ditë jo të largët ju mund të ktheheni për të shëtitur mbi barin e një stadiumi të ri, duke mbajtur në krahun tuaj miqtë e babait tuaj, Giraudo dhe Moggi para të gjithëve, dhe të mund të admirohen ato fanella që e kanë bërë historinë e futbollit të vibrojë në garën e kampionëve që e veshin, por edhe të gëzohen për atë yll të tretë që më së fundi djemtë tanë do të na kenë dhuruar".

Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD


(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: