E enjte, 28.03.2024, 10:43 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Giovanni Armillotta: Kryeziu, Lushta, Boriçi e Llambi

E hene, 31.03.2008, 08:18 PM


Kryeziu, Lushta, Boriçi e Llambi

Nga Giovanni Armillotta

Riza Lushta
Riza Lushta (1916-97), lindur në Mitrovicë, sulmues; i ardhur në Serie A nga Sportklub  Tirana; Kampion i Shqipërisë në vitet 1934, 1936, 1937 dhe 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-39. Debutimi në Serien A më 07/01/1940: Bari-Venezia 3-0 (java XIV)

Naim Kryeziu (1918), lindur në Gjakovë, sulmues; i ardhur nga Sportklub Tirana; Kampion i Shqipërisë në vitin 1939; fitues i Kupës së Shqipërisë 1938-39. Debutimi në Serien A më 10/03/1940: Roma-Bari 4-2 (java XXII, në skuadrën e Barit luante Lushta: ishte i pari "derby" shqiptar; Lushta shënon për Barin golin e barazimit 1-1 që ishte edhe goli i tij i parë)

Naim Kryeziu
Naim Kryeziu dhe Riza Lushta kanë qenë, padyshim, futbollistët shqiptarë më të mëdhenj nga mesi i viteve Tridhjetë deri në gjysmën e dytë të viteve Dyzet. Ata bënë emër jo vetëm me titullin e Kampionit të Italisë fituar nga Kryeziu me Romën më 14 qeshor 1942, apo me Kupën e Italisë (28 qershor 1942) fituar nga Lushta, i vetëm kundër Milanos (kështu quhej atëherë) falë tre golave të tij në përsëritjen e ndeshjes në Torino (4-1) pas rezultatit 1-1 të ndeshjes me gjithë shtesat në Milano, shtatë ditë më parë. Renditja më e mirë në Serien A ka qenë në edicionin 1942-43 kur arriti i treti me Juventusin. Duhet kujtuar që në nëntor të vitit 1940, Lushta u thirr për stërvitje edhe nga Kombëtarja italiane, asokohe dy herë kampione e botës, për ndeshjen miqësore kundër Hungarisë të 1 dhjetorit (1-1); por Vittorio Pozzo mori urdhër të mos e rreshtonte mes të thirrurve për arsye politike, duke qenë se Shqipëria ishte një vend në Bashkim Personal me Italinë në luftë. Në vitin 1946 Ludovik 'Vik' Jakova, zëvendëstrajner i Kombëtares shqiptare të futbollit në krijim e sipër, erdhi dy herë në Itali për të bindur Kryeziun dhe Lushtën të luanin në edicionin e VIII të Kampionatit Ballkanik. Për detyrime kontraktuale me Romën e Napolin dy lojtarët nuk mundën të pranonin, megjithatë Kombëtarja shqiptare e fitoi manifestimin e parë europian mes Kombëtareve të pasluftës. Dy shqiptarët kanë qenë në fushë deri në vitin 1954. Lushta fitoi kreun e renditjes së golashënuesve të Kupës së Italisë 1941-42 me tetë gola (shënoi edhe një tjetër gol për Juventusin në Kupën e Italisë 1942-43); po në vitin 1942 u rendit i katërti ndër golashënuesit më të mirë dhe i pari ndër të huajt. Kam zbuluar që Lushta ka shënuar edhe 5 gola të tjerë në po aq ndeshje gjatë Kampionatit të luftës, 1944, gola që janë njësoj të vlefshëm për statistikat e Juventusit (shiko: http://www.juventusstory.it/). Lushta me Juventusin ka shënuar, gjithsej, 56 gola në 95 ndeshje: 42 në Serien A, 5 në turneun e luftës dhe 9 në Kupën e Italisë. Mesatarja e lartë e shënimit, (0,589 gola për ndeshje) e rendit atë në vend të tretë mes gjithë sulmuesve të huaj të Juventusit që kanë shënuar më shumë se 50 gola, dhe në vend të katërt në renditjen absolute (shih tabelën) Emrin e Lushtës mban sot stadiumi i Mitrovicës. Ndërsa Kryeziu u bë trajner profesionist i kategorisë së parë: zëvendëstrajner i Romës nga viti 1962 deri më 1965 dhe titullar për gjashtë muaj në edicionin 1963-64, para se të mbërrinte spanjolli Luis Mirò; periudhë e mjaftueshme që Kryeziu të përgatiste skuadrën që do të fitonte Kupën e Italisë. Sot Kryeziu është në Panteonin e lojtarëve më të famshëm të Romës. Emrin e tij mban sot stadiumi i Gjakovës. Shqiptari i tretë i atyre viteve ka qenë i madhi Loro Boriçi, shok skuadre i lacialit Silvio Piola, kampion bote. Në vitin 1946 Boriçi ishte kapiteni i Shqipërisë që fitoi Kampionatin Ballkanik. Kombëtarja drejtohej nga trajneri Ljubisa Brocic, i cili në 1957-58 fitoi Serien A me Juventusin. Për Boriçin nuk po zgjatem pasi ai është i famshëm nga Roma deri në Pekin ku ka qenë edhe europiani i parë që ka drejtuar Kombëtaren kineze.

Sllave Llambi
Sllave Llambi (1919-85), lindur në Tiranë, i lirë; vjen nga Sportklub Tirana; Kampion i Shqipërisë: me Tiranën në vitet 1937 dhe 1939; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946. Debutimi në Kupën e Italisë Serie A/B më 13/09/1942: Fanfulla-Savona 6-1 (Turni I)

Loro Boriçi (1922-84), lindur në Shkodër, qendërfushor; i ardhur nga Vllaznia Shkodër; Kampion i Shqipërisë: me Vllazninë në vitet 1940 dhe 1945; me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin në vitet 1948 dhe 1949; fitues i Kampionatit VIII Ballkanik në vitin 1946 (kapiten).

Rasti i çuditshëm" i Sllave Llambit

Loro Boriçi
Sllave Llambi shpesh nuk përmendet si një nga futbollistët shqiptarë i Series A italiane, përpara Luftës II botërore. Duke konsultuar "Almanacco Illustrato del Calcio 2005" të Paninit të Modenas, në fakt, arrihet në përfundimin se Llambi nuk ka luajtur asnjë ndeshje as me Bolonjën e as me Interin. Kështu, gjatë atyre dy edicioneve ai ka qenë një rezerve që nuk ka luajtur as edhe një ndeshje. Por, kujdes! Megjithëse rezervë, ishte me Bolonjën në edicionin 1940-41, ndaj edhe ka qenë pikërisht ai, Sllave Llambi, - akoma më herët se Kryeziu - i pari shqiptar Kampion i Italisë!!! Meqë quhesh Kampion i Italisë edhe nëse nuk ke luajtur në asnjë ndeshje, mjafton të jesh i pranishëm ndër grupin e lojtarëve të skuadrës kampione. Por jo vetëm kaq! Ai që - sipas Bimo Fakjes - "ka qenë centërhalfi më i mirë i Shqipërisë, e përkthyer në të sotmen, do të thotë mesfushori mbrojtës më universal", luajti me skuadrën Fanfulla të Lodit në Kupën e Italisë 1942-43 kupë e hapur ndaj të gjitha skuadravetë Series A dhe B (më 13 shtator: Fanfulla-Savona 6-1 dhe 20 shtator '42: Triestina-Fanfulla 3-0). Për arsyet e mësipërme, në nder të madhështisë së tij dhe me lejen e mikut tim prej 20 vjetësh, Besnik Dizdarit, do të propozoja që Sllave Llambi - në 20- vjetorin e vdekjes së tij - të futet "in honoris post mortem titulo" në grupin e gjashtë lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur në Serien A të Kampionatit Italian të futbollit.
Kur u kthye në atdhe, Llambi ka qenë një nga protagonistët e Kombëtares në Kampionatin e Ballkanit 1946. Pas tre vjetësh ka qenë, ndoshta, i pari lojtartrajner i një kombëtareje në botë; Shqipëria në Bukuresht (1-1), Varshavë (1-2) dhe Sofje (0-0).
Së fundi, në kujtim të përgatitjes së tij atletike të shumanshme dua të përmend edhe faktin që ai ka zënë vendin e gjashtë në Kërcimin së larti, me rekordin kombëtar 1,75 m në Kampionatet Ballkanike të Atletikës së Lehtë të viti 1938 në Beograd. Pas këtyre kampionëve, u desh të kalonin mëse 50 vjet që në Serie A të të vinin dy shqiptarë të tjerë: Erjon Bogdani dhe Igli Tare.

PËRFAQËSUESJA SHQIPTARE KA EKZISTUAR PARA THEMELIMIT TË FEDERATËS KOMBËTARE TË FUTBOLLIT?

Revista "Corriere dello Sport-Stadio" e sotme lind si një e përtremuajshme më 20 tetor 1924 në Bolonjë, nismë e një grupi të apasionuarish të kryesuar nga Leonardo Arpinati, figurë e fashizmit bolonjez, dhe nga Alberto Madel, aviator së bashku me D'Annunzion në sulmin ajror mbi Vjenë, e më parë qendërsulmuesi Interit. Në vitin 1927 shndërrohet në "Il Littoriale", dhe transferon selinë në Romë. Më 9 qershor 1944, thuajse një vit nga rënia e regjimit fashist, revista riquhet "Corriere dello sport" dhe në vitin 1977 bashkohet me bolonjezen "Stadio". Gjatë kërkimeve të mia mbi futbollin shqiptar, kam gjetur një artikull të shkurtër në "Il Littorale" të 11 tetorit 1929, që është me vlerë historike për dy arsye të ndryshme. Ai dëshmon, me kronikën e ndeshjes Rumani-Jugosllavi 2-1 të 6 tetorit të atij viti, hapjen e edicionit të parë Kampionateve Ballkanike të kombëtareve. Çështja më e rëndësishme, dhe që ende nuk përcillet nga statistikat vjetore, është fakti që edhe Shqipëria ishte e regjistruar, edhe pse nuk mori pjesë në Kampionat: tërheqja e një kombëtareje nga një turne ndërkombëtar nuk është ndonjë lajm edhe aq i bujshëm. Por vlera e jashtëzakonshme e zbulimit qëndron në faktin që Shqipëria, të paktën formalisht, kishte një skuadër Kombëtare në letër, akoma më herët se të formohej edhe vetë "Federata Shqiptare e Futbollit". Siç dihet nga të gjithë, data e krijimit të FShF është 6 qershori 1930, dhe regjistrimi i saj në FIFA është bërë në Kongresin e Stokholmës 12-16 qershor 1932; ndërsa UEFA u krijua në vitin 1954 dhe Shqipëria ka qenë një nga anëtarët themelues të saj. g.a.

Torino, June 28th, 1942: Juventus Torino-Milan 4-1; ndeshja e kthimit e finales se kupes se Italise; ne kete ndeshje Riza Lushta shenoi 3 gola; Riza Lushta eshte i pari lart - djathtas

Riza Lushta - Statistika

Naim Kryeziu - Statistika

Sllave Llambi - Statistika

Loro Borici - Statistika


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora