E marte, 23.04.2024, 09:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Një kapitull i historisë së Becit të Dushkajës

E diele, 25.04.2010, 09:58 PM


NJË KAPITULL I HISTORISË SË BECIT  TË DUSHKAJËS

 

SHKRUAN: PROF. SKËNDER R. HOXHA

 

     Katundi Bec i Dushkajës

    

     Fshati Bec gjendet në pjesën qendrore të Rrafshit të Dukagjinit e pikërisht në regjionin etnogjeografik të quajtur  D u s h k a j ë. Kemi shkruar edhe më parë se Dushkaja karakterizohet me numër të madh kodrash, sukash, fushëgropash dhe luginash të gjera e të mbuluara me pyje të vogla e të mëdha me  d u s h k, për çka ky rajon herët e vonë u quajt Dushkajë.

     Njëri ndër katundet më të mëdha të Dushkajës është edhe Beci, i cili shtrihet nja pesë kilometra larg Gjakovës, në krahun verilindor të saj. Gjakovën e ka edhe si qendër administrative, arsimore e kulturore. Ky vendbanim shtrihet në një fushëgropë përmes së cilës bie një lumë i vogël që e quajnë Përroni.1) Kodrat përreth katundit Bec ishin të mveshura me pyje, mirëpo me zhvillimet që bëhen në bujqësinë e kësaj ane, pjesa më e madhe e tyre janë çelur dhe shndërruar në tokë pune, e që kryesisht janë vreshta.

     Katundi Bec përkufizohet me katundet: Sapot – në perëndim, Zhdrellë dhe Rashkoc – në veriperëndim dhe veri, Cërmjan – verilindje, Meqe – lindje, Doblibare e Vraniq – juglindje dhe me Lugun e Bunarit – në jug dhe jugperëndim.

     Ky katund  sikur ndahet në dy pjesë të mëdha: Beci i Epër dhe Beci i Poshtëm. Ndërkaq, banorët e këtushëm janë të fisit Berishë, me përjashtim të një familjeje të fisit Thaç dhe një familje e fisit Krasniqe. Popullata shqiptare janë të dy konfesioneve: disa të besimit islam e disa të besimit katolik. Në Bec, jetojnë shqiptarët, por, për një kohë ka pasur disa serbë e malazias (kolonë) dhe të tjerë.

     Në vendin e quajtur Livadhet e Mëdha ka gjurmë të qeramikës, tullave, gypave të botës etj. që dëshmohet se ishte i banuar mjaft herët. Po ashtu edhe në pjesën e epërme të fshatit, janë gjetur disa pjesë të qelqit karakteristik me dimensione të mëdha. Ekziston Lisi i Malokut, shumë i vjetër.

     Të dhënat në terren thonë se ky katund gjithmonë është quajtur me këtë emër, por nuk dinë diçka rreth prejardhjes së emrit Bec. Kemi vërejtur se gjakovarët Becit i thonë Byc. Gjithashtu, në Gjakovë një familje mban patronimin Byci, gjë që është karakteristikë jo e rrallë për familjet që lëvizin nga një vend në tjetrin, të marrin llagapin e emrit të vendbanimit nga kah kanë ardhur. Edhe nëpër vise të tjera gjejmë patronimin familjar Beci (Bahri Beci etj.) që është llagap sipas emrit të katundit prej të cilit janë shpërngulur të parët e tyre, në këtë rast – Becit. Se a është emri i Becit të sotëm Ben?a, që e gjetëm në në De?anske hrisovulje të vitit 1330 (më tej: DH), nuk e dimë; ndërkaq në DRSSH është shënuar Beçi, për të cilin S. Pulaha thotë: sot Beci, në veri të Gjakovës.2)  

     Profesor Çabej thotë se patronimi Byci gjendet në Kosovë, dhe e kishte afruar atë me fjalën bic, duke i dhënë më tej shpjegimin për byc “njeriu i shkurtër e i trashë” 3), ndërsa, në krahinë të Ulqinit Bec po e përdorkan për: fatos, trim i fortë; kreshnik. Bec i vërtetë.4),  fjalë këto nga të cilat, me plot arsye, mund të kërkohet etimologjia e emrit të katundit Bec. Shih për këtë, edhe më e drejtë na duket të jetë që emri i katundit Bec të ketë mbetur sipas antroponimit të botës shtazore bec, që e ka edhe FGJSSH, - BEC-i për “Qengj i vogël. Bec i bardhë. Kullosin becat5) etj., fjalë kjo që ka afërsi më të madhe fonetike me trajtat e hershme Ben?a e veçanërisht Beçi që i gjetëm në defterët mesjetarë.

    Në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 me emrin Beçi me 14 shtëpi, 7 beqarë e 3 të veja.

 

 

     Lëvizja Kaçake dhe becjanët

 

     Lëvizja Kaçake si formë e luftës për çlirimin kombëtar, si dihet, daton që nga shekulli i XVI, kundër pushtimit osman. (…) Gjatë kohës ajo merr formën e organizimit politiko-ushtarak … dhe karakter të luftës për çlirimin kombëtar. (…)

     Formën e plotë të organizimit politiko-ushtarak e merr në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur çetat e ndara kaçake hynë nën ombrellën e kryesisë së Lidhjes dhe u shndërrua në ushtri popullore shqiptare…6) Kështu kishte ndodhur edhe në Becin e atëhershëm, kur disa bij të tij kishin rrokur armët, ishin dalë në mal për të luftuar për liri dhe çlirim kombëtar. Iu kishin bashkangjitur Lëvizjes Kaçake, fillimisht kundër turkut, pastaj kundër serbo-malazezve e armiqve të tjerë që si ujqit ishin vërsulur kundër shqiptarëve dhe trojeve të tyre. … Dhe, në ato rrethana, në vitet e fundit të shekullit IXX dhe gjysmën e parë të shek. XX, Qel Shabani, Maxhun Nimani, Rexhep Zeneli, e pastaj një brez tjetër atdhetarësh nga Beci, i dolën zot atdheut, atëherë kur atdheu e kombi shqiptar përjetonte orë të liga. Ata, me armë në dorë, bashkë me shumë burra të tjerë, bashkëvepruan dhe luftuan me turk e me shkja. Shumë prej tyre edhe u sakrifikuan, por vepra e tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Për ta dhe për veprën e tyre u këndua me lahutë e me çifteli nëpër kullat tona, u shkrua (së voni, sepse nuk është guxuar), u fol dhe flitet edhe sot me krenari, edhe pse, në një të kaluar jo fort të largët, për ta, kishte edhe kundërzëra… Mirëpo, sadoqë të jetë shkruar për ta, mendojmë se të dhëna për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të tyre, më së miri zënë vend këtu në këtë fejton për katundin Bec të Dushkajës, ku është vendlindja dhe vendprehja e tyre.    

 

     QEL SHABANI E MAXHUN NIMANI TË BECIT

     BURRA TË PUSHKËS E TË KUVENDIT

 

     Në mesin e një numri të madh të burrave të shquar në periudhën e pas Lidhjes së Prizrenit (1878), Në Dushkajë, më shumë janë cilësuar dy personalitete nga Beci: Qel Shabani dhe Maxhun Nimani. Ata kanë qenë edhe kushërinj, edhe kanë bashkëpunuar ngushtësisht njëri me tjetrin. Kanë pasur virtyte të larta jetësore dhe e kanë pasur të ngritur në nivel vetëdijen kombëtare. Qel Shabani dhe Maxhun Nimani, janë popullarizuar veçanërisht pas luftës kundër Shemsi Pashës, e cila filloi në Junik dhe përfundoi në Sukë të Babajt.

     Qel Shabani një kohë të gjatë i ka takuar çetës kaçake të Hazir Sylë Kurpalit, trim i dëgjuar i Malësisë së Gjakovës, i cilia aso kohe ishte me vendbanim  në fshatin Radoniq të Dushkajës. Kjo çetë ishte formuar qysh në vitin 1903. Kaçakët e kësaj çete morën pjesë në shumë aksione lokale dhe në kryengritjet e armatosura të viteve 1908 – 1910. Kësaj çete i ka takuar edhe vëllai më i ri i Hazirit, Bajram Syla, po ashtu trim i dëgjuar. Pas vdekjes së Hazirit, Qeli i ka takuar çetës së Bajram Sylës. Kohë pas kohe Qeli ka bashkëvepruar edhe me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Zymer Fazlinë, Mon Avdinë, Avdi Sylë Kurpalin (i vrarë në Pejë në përleshje me forcat turke në kohën e Hyrrjetit), Idriz Jahën e Smolicës, Jahë Salihun e Babajve të Bokës etj.7)

    Pra,Fshati Bec kishte edhe më herët burra dhe prijës për çështjen kobmëtare. Një ndër ta ishte edhe Maxhun Nimani i Becit, pa të cilin rrallëherë është mbajtur ndonjë log burrash në të cilin është kuvenduar për çështje kombëtare, për aksione luftarake kundër pushtuesve etj. Maxhun Nimani ishte njeri i cili shpeshherë është ndeshur me kundërshtarë të vendit të tij e me të papritura të ndryshme, mirëpo me mendjen e mprehtë që kishte, çdoherë iu dilte matanë. Ky burrë, Qel Shabanin, qysh në moshë të re, e mori pas vete dhe e bëri krahun e djathtë të vetin, duke qenë çdokund së bashku, derisa Maxhun Nimani u moshua. Kështu, Qeli qysh në moshë të re ishte kyçur dhe kalitur me ndjenja atdhedashëse, ndaj edhe nuk e pati vështirë të kyçet në radhët e burrave të dheut…

    Maxhun Nimani ishte më tepër burrë odash, ndërsa Qeli iu dha më shumë malit dhe luftës për lirinë e vendit. Ndërsa Qeli, gjatë kësaj kohe u njoh me shumë burra të këtij dheu me të cilët e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Ai mori pjesë në shumë luftëra anekënd trojeve shqiptare, sin ë Shkup, Anamoravë, Carralevë, Mal të Zi, Sanxhak, Pejë, Lug të Baranit, Gjakovë, e ku jo? Qeli, bashkë me shokët e tij, në Mal të Zi morën disa orë muri në kishë, të cilat i sollën në Kosovë. Qela me shokë e sulmuan Xhafer Tajarin dhe ushtarët e tij të cilët kërkonin haraq nga fshatrat e Lugut të Baranit. Qela ishte edhe në Luftën e Pejës, ku i ka kallë kazermat e ushtrisë turke. Qela ishte edhe kur në vendin e quajtur Kungjat e Trakaniqit u sulmuan qadrat e ushtrisë turke dhe në atë betejë mbetët i vrarë Sokol Basha, i po të njëjtës familje me Qelin… Ndaj, Qel Shabani I Becit, gjyshi im,  ishte burrë në zë, trim dhe atdhetar i cili nuk kurseu ashgjë nga vetja për vendin e tij… Për të shkruhet në gazeta e libra edhe në ditët e sotit, ku po përmend vetëm disa autorë që shkruan për të, si: Vehap Shita, Liman Rushiti, Faton Mehmetaj, Niman Muçaj etj. …”8)  

     Qel Shabani u lind në vitin 1881 në fshatin Bec të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Periudha kohore në të cilën jetoi dhe veproi, ishte periudha e përpjekjeve e sakrificave sublime të popullit tonë. Në moshë fare të re, në kuadër të çetave kaçake çlirimtare që vepronin në rajonin e Dushkajës e më gjerë, u inkuadrua, në luftë kundër pushtuesve turq, e më pastaj, për gati një gjysmë shekulli, kundër pushtuesve serbomalazez, duke i ra pash me pash atdheut në përpjekje, luftëra e beteja për çlirim,  nga pushtuesit…, sa në Dushkajë, sa në Lug të Baranit, sa në Carralevë, san ë Qafë të Diellit, sa në Qafë të Prushit, sa në, sa në Rekë e Malësi, sa në Vlorë, sa në Shkodër, sa në Podgoricë, sa në Nokshiq, sa në Plavë e Guci, sa në Pazar të Ri… Gati tërë jetën e kaloi me armë në dorë. Ishte i dënuar me vdekje nga Qeveria Osmane. Një kohë të gjatë të jetës e kaloi edhe nëpër miq e shokë të fisit, sikurse edhe shumë prej tyre që qëndruan herë pas here, varësisht prej rrethanave të kohës, në familjen e Qel Shabanit, në Bec të Dushkajës 9)

     Veprimtaria atdhetare e Qel Shabanit të Becit kishte filluar që në moshë të re të tij. Mori pjesë në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, si: në Besëlidhjet e Verrave të Llukës (1903 – 1910), në Luftën e Sukës, në kryengreitjet e viteve 1908 – 1910, në Luftën e Behocit, në Betejën e Carralevës, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Kuvendin e Junikut, në Zonën Neutrale të Junikut etj. Do të jetë aktiv edhe në luftërat e zhvilluara kundër okupatorëve serbo-malazez për mbrojtjen e territoreve etnike gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. … Ai, pati fatin të njihej, të luftojë e veprojë përkrah figurave më të ndritura të kombit të asaj periudhe, si: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Hazir Sylë Kurpali, Bajram Sylë Kurpali, Selim Mula, Bajram Daklani, Sadik Ramë Gjurgjeviku, Dedë Gjo Luli, Maxhun Nimani i Becit, Hysen Curri, Azem Bejta, Rexhë Ali Pozhari, Ramë Binaku, Mehmet Agë Rashkoci, Demë Ali Pozhari, Ali Bajraktari e dhjeta atdhetarë të tjerë të cilët bënë emër e lanë nam me qëndresën dhe luftën e zhvilluar për liri.10)

     Në luftën kundër ushtrisë osmane të komanduar nga Shemsi Pasha, që u zhvillua në Sukë të Babajt (kupto: në Sukë të Babaj Lloçit, komuna e Deçanit – sqarim yni), morën pjesë shumë fshatra të këtyre anëve, …, ndër ta ishin edhe Maxhun Nimani e Qel Shabani nga Beci.11) Për ta sulmuar Sukën, ku ishte Shtabi Osman, ishte formuar Këshilli Luftarak në përbërje nga luftëtarë më të regjur, pleq të mençur dhe njerëzit me eksperiencë në këtë drejtim. Vendimin e këtij Këshilli Luftarak, e kishte paraqitur mjaft bukur edhe kënga popullore:

    “Çou Maxhun, more Ali*,

    ju mei marrë do suhari,

    nëpër Rekë me bo devri.

    Katërdhjetë jan zgjedhë dai

    s’i kanë shokët n’ni ordi,

    ata Sukën e kanë msy…”

 

  *) Fjala është për Maxhun Nimanin e Becit dhe Ali Mehmetin e Pozharit.

 

    Pastaj rapsodi shpreh edhe dhembjen e udhëheqësve për luftëtarët e vrarë në atë betejë:

  “Bon Maxhuni: i mjeri u’ i’mjeri,

   Haj medet si m’met asqeri,

   Zo qu bo Ali Mehmeti,

   Ra n’Skivjan vetë i treti.

   Tek mydyrri vajti xhevapi,

   Shkoi xhevapi me buri,

   Thotë Maxhuni: more Shemsi

   S’koka knoë si n’Rumeli,

   Po k’tu I thonë cok Rekë e Malësi”.

 

   “Kryengritësit e çetës së Hazir Sylës, në mesin e të cilëve edhe Qel Shabani, morën pjesë në ekspeditën që e organizoi Bajram Curri në Qafë të Prushit në qershor të vitit 1909, kundër trupave ushtarake osmane që i komandonte Xhavit Pasha.”12)

     Maxhun Nimanin e Becit, përveç që ishte i pandashëm me Qel Shabanin e me burra të tjerë të Lëvizjes,  e gjejmë të ketë marrë pjesë në një kuvend – Besëlidhje te Verrat e Llukës, më 1910, ku thuhet: Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues të parisë së Kosovës, njerëz të afirmuar të kombit shqiptar dhe të verifikuar si patriotë të kulluar, të kalitur ndër beteja, si: Isa Boletini, Sylejman Agë Botusha i Gashit, Bajram Curri i Krasniqes, Bejlerët e Pejës, Zenel Begu e Nevzat Begu, Maxhun Nimani i Becit, prijës i Merturit, Zenel Sejda e Halil Sadiki të Rakocit, Idriz Hoxhë Botusha, Kadri Curri i Vranocit, Shaqë Avdia e Kajtaz Ahmeti nga Vokshi.13), ku më tej thuhet se fillimisht kësaj Besëlidhjeje i dhanë përkrahje të madhe edhe përfaqësuesit e çetës së Ramë Binakut të Dashinocit, si: Zhuj Avdyli, Selim Rama, Kadri Curri, Mehmet Gjoni, Qel Shabani etj.14)

    Ndërkaq, në Betejën e Carralevës (maj 1910), Qel Shabani, jo vetëm që mori pjesë, por luftoi e qëndroi heroikisht gjatë gjithë kohës sa zgjati beteja, për çka dëshmojnë dëshmitarë të shumtë … Pas përfundimit të betejës, Bajram Sylë Kurpalin që ishte plagosur rëndë në Betejën e Carralevës, Qeli e kishte tërhequr nga beteja trupin gjysmë të vdekur të Bajramit, e më pas e kishte bartur me kali.15)

    Komitat në vazhdimësi organizonin aksione, kuvende e beteja, në të cilat dalloheshin për kontributin e tyre edhe Maxhun Nimani e Qel Shabani të Becit. “Aksionet tona çdo ditë e më tepër bëheshin më të përsosura dhe më të rrezikshme për askerin turk, duke luftuar pandërprerë që është për t’u përmendur lufta e Pejës kundër Xhevdet Pashës kur i kemi kallë kërshllatat – kazermat, me të cilin rast Qel Shabani i Becit e ka bartur teneqen me gaz dhe ua ka shti flakën kërshllatave – kasarmave…”16)  Për këtë, i biri i Qelit, Brahimi, evokon kujtimin se: - Baba o kanë i dënum disa herë nga shteti turk i asaj kohe. Bile, kur i ka kallë kasarnet e ushtrisë turke në Pejë, e kanë dënu me varje. Për këtë ja kishin pas pru ni pllakë pej llastre, të shkrume turqisht, e ja kishin pas gozhdu në nil is që e kishim pasë midis aborrit, ish kanë nil is i madh… Mixha Halit e kish pas hekë tinza atë pllakë dhe e kish pas çu te Hoxha në Xhami të Rodoniqit me e lexue se shka po thot’, se veç Hoxha kish pas ditë me lexu turqisht. Kur e kish pa lexu Hoxha, i ka thanë: Halit, thuj Qelit ruju mos bjer në dorë se koke i dënum me varje kur të nxinesh. Kur u kthy mixha, apet e gozhdon atë pllakë qysh o kanë në lis, e i çon fjalë vllaut t’vet, Qelit, që të kenë kujdes kur te doket kah shpia.17)

” Në mal të Becit më kujtohet kur Bajram Curri e ka çue 1 sandëk fyshek dhe 22 zubana të pambukit – jelekë, për me i veshë.18)

    Gjatë vitit 1910 çetat kaçake përballen me forca të shumta osmane, ndaj edhe një pjesë e mirë e kryengritësve u detyrua të kalonte për strehim në Mal të Zi. Pasi që për këtë strehim ishte arritur një marrëveshje, kah fundi i nëntorit në Podgoricë u strehuan këta emigrantë të kësaj ane: Arif Vata, Zhuj Avdyli të fshatit Dashinoc, Shaban Sadiku, Zef Kola, Idriz Beka të fshatit Ratishë (Deçan), Rexhë Mehmeti, Hajdar Kameri nga fshati Lëbushë (Deçan), Maxhun Nimani, Sadik Maxhuni të fshatit Bec të Dushkajës si dhe Selim Ukshini nga fshati Rashiq (Barani i Pejës), …19)  

     Për Maxhun Nimanin e Becit, Shaban Qazimi ruan kujtimin se: “Maxhun Nimani ishte prijës dhe organizator i rezistencës gjithëkombëtare në Dukagjin dhe troje të tjera etnike shqiptare kundër pushtuesve të huaj. Ai vdiq më 1938”.   

     Hazir Syla, Qel Shabani, Isuf Musa, Ramë Binaku, Musë Hyseni i Gërgocit, Mehmet Agë Rashkoci e luftëtarë të tjerë, gjatë viteve 1909 – 1910 ishin ndeshur shpesh me forcat serbomalazeze, madje Haziri e Qeli njiheshin edhe si njerëz që i kishin marrë si trofe lufte “katër kumonët”, të cilat këndohen në këngë edhe sot e kësaj dite. Prandaj, si të tillë, atyre jo vetëm që nuk iu lejua strehimi në Mal të Zi, por edhe ishin në listat e personave të kërkuar.20)  Për këtë rast ende mbajnë në kujtesë disa të dhëna pasrendësit e Qelit, respektivisht i biri i tij Brahimi, i cili gjatë një bisede thotë: - Kam shumë sene me thanë për babën dhe për Hazir Sylë Kurpalin, këtë luftëtar të madh, të cilët nuk i kish pas da as nata as dita. Shumë sene mi ka tregu mixha Halit për babën se kah a kanë e shka ka ba… Qel Shabani, baba jëm, me disa shokë, në Shekullar të Malit të Zi e kishin thy kishën dhe nëpër sobat e saj i kishin marrë sahatat të cilët ishin të vjerrë në mure. Këta sahata i kishin “qallgiat” të cilat rrehnin kur binte ora, se me të rrehmet e tyne kallxojshin se sa asht ora. Këta, ni sahat e kishin pas lanë në Pejë, nja në Gjakovë, e nja thonë si ja kanë çue Pashës në Stamoll. … Baba o kanë besimtar i madh i Teqes së Madhe në Gjakovë, e për këtë sahatin e ka vnue te Teqja e Madhe në ni copë ledinë që ish kanë para Teqes, puna si ky sahat me’i  shërbye Teqes për vaktitë e saj. Por, ai nuk kishte harruar se: Sheh Shefqeti i Teqes së Madhe o kanë burrë i madh e trim. Ish kan’ bo shok e mik me komitë. Shumë herë  i ka majtë n’konak e u ka dhanë bukë. Dikur, vitet e vona, ata që ishin metë gjallë pej kaçakve, shehi i strehojke, i mshefke, se kta kishin ra në gjak dhe me komunista. … Kur ndrroi jetë Sheh Shefqeti, komunistët nuk kishin lanë të varroset në Teqe të Madhe dhe si dënim për atë se kishte strehu komitën, e detyruan familjen e tij që ta varrosin jasht’ qytetit.21) Për atë kohë, nga kujtesa e saj nuk lë pa shkëputur diçka edhe nënë Fatimja, gruaja e Brahimit (reja e Qel Shabanit), duke treguar një rast që lidhet me vëllain e Qelit, Halitin: E, moj nanë – mixha (kupto: Haliti – vëllai i Qelit, i cili nuk kishte pasur fëmijë – sqarim yni.) e ka pas maru ni drrasë te dera e aborrot, ku rrike e pushojke. Isha shku ni her mi thirrë me hangër buk, e po e ni tuj knu për të vëllanë, për Qelin, ku kanga thojke: Zo kush hini n’kish majpari – Tre t’malsorë e Qel Shabani, … dhe e tha krejt këngën… Pastaj: - Mixha na kallxojke shumë për vlla t’vetin… Për Hazir Sylën thojke se Haziri a hi i pari në kishë. E përmenke edhe ni hoxhë pej Strellcit, ni mulla Musën… Kan’ nejtë kta shumë n’shpi tonë… 22)

     Për t’iu shmangur kurthave të armikut apo ndonjë tradhtie a mohi të mundshëm, përdorej strategji e taktikë informative në mes të kaçakut dhe  pjesëtarëve të familjes së tij. Të përmendim rastin e vënies së shënjave nëpër fushë: “M’kujtohet kur thojke mixha se shumë herë unë e kam pshtu Qelin. E kishin pas ba se te Vau i Kojsisë ja ngulshin ni hu, midis vaut, thojke mixha, se kur vike Qeli e gjâjke hunin e ngulun në Va – vike, e kur nuk e gjajke hunin e ngulun në va – ai e dike që jemi të rrethum e nuk kemi mujtë me dalë e mi ngul hunin ku duhet…”23

    Në këtë periudhë, Qel Shabani merr pjesë edhe në Luftën e Moraçës, ku morën pjesë edhe Maxhun Nimani i Becit, Ali Mehmeti i Pozharit, Selim Syla i Llukës, Zenel Sejda i Rakocit, Osman Aga i Rashkocit etj.24)    Ishin këto vite të lëvizjeve, aksioneve, betejave dhe përplasjeve të mëdha që ndodhin nëpër tyrojet shqiptare. Perandoria Osmane sikur numëronte ditët e fundit të shtrirjes së pushtetit të vet në këtë pjesë të Ballkanit. Synimet pushtuese të armiqve serbosllavë, italianë, gregë, po edhe të tjerëve, ndaj tokave shqiptare, sa vishin e shtoheshin dhe ishin bërë realitet i hidhur. Karshi të gjitha këtyre, përpjekjet e krerëve dhe patriotëve të popullit për shpalljen e shtetit shqiptar të mosvarur ishin bërë çështja më madhore e sublime…

       

     Becjani Qel Shabani në aktin e Shpalljes së Pavarësisë…

   

     Ka një rëndësi të veçantë të nënvizohet së bëcjani Qel Shabani, kishte marrë pjesë në aktin ë Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, mbase, për shumëkënd e panjohur deri më tash. Mirëpo, për këtë dëshmojnë burime të shkruara dhe gojore: Qel Shabani ishte në mesin e 400 luftëtarëve kosovarë, të cilët në krye me Isa Boletinin, si përfaqësues të Kosovës, që tashmë ishte pushtuar nga ushtritë e Aleancës Ballkanike, u nisën për në Vlorë. Me plagë të pambyllura, të cilat i kullonin gjak dhe qelb, Bajram Sylë Kurpali e shoqëron Isa Boletinin me shokë për në Vlorë në Ditën e Flamurit, meqë i njihte rrugët më mirë se luftëtarët tjerë kosovarë.

     Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë historike, së bashku me Qel Shabanin e Becit, morën pjesë edhe Ali Mehmeti i Pozharit, Ramë Binaku i Dashinocit, Tahir Selimi i Llukës, Isuf Bardhoshi i Isniqit, Hazir Laha etj. Më pas morën pjesë aktive në kuadër të forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.25)

   Bajram Sylë Kurpali, vëllai i Hazirit, ka qëndruar një kohë të gjatë në Bec te Qel Shabani. Ai, bashkë me Qelin, kishte qenë pjesëmarrës edhe në Luftën e Deçiqit, pastaj në Shkodër më 1912 – 1913, si pjesëmarrës i luftës për mbrojtjen e Shkodrës, të cilën e udhëheqte Hasan Riza Pasha.26)

  

     Politika shfarosëse serbo-malazeze dhe Beci         

     Rrethanat që ishin krijuar në atë kohë të copëtimit të trojeve shqiptare, veprimtaria atdhetare e krerëve shqiptarë, aksionet e parreshtura të pjesëtarëve të Lëvizjes Kaçake që u përmenden më sipër etj., bënin që pushtuesit të përdornin të gjitha mjetet dhe format poshtëruese, deri te politika gjenocidale e shfarosëse ndaj shqiptarëve. Ndër më te egrat, padushim, ishte ajo serbo-malazeze, ku krimet i bënte me pretekste nga më të ndryshmet…

     Mali i Zi, përveç krimeve gjenocidale që bëri gjatë Luftës së Parë Ballkanike, deri në muajin mars të vitit 1913, në rrethin e Gjakovës, konvertoi mbi 1.703 shqiptarë në besimin ortodoks (…). Të gjitha ata që kundërshtonin vriteshin…27) |

     Me pretekste të tilla u ndoqën, u maltretuan, u përsekutuan, u vranë e masakruan edhe shumë becjanë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX. Kështu, me pretekst të ndërrimit të feve, të kërkimit të armëve, të mbajtjes së kaçakëve, e veçmas për shkak të veprimtarisë së atdhetarëve: Maxhun Nimani e Qel Shabani, po edhe të disa të tjerëve nga Beci: në fillim të vitit 1913, thuhet në janar, u vranë te Tyrbja e Becit: Smajl Ahmeti (vjeç 48), Prelë Bajrami (vjeç 31), Rexhë Bezera (nga Zhdrella), Tahir Hoxha. Njerëzit aty i kishin lidhur për gardhi. I kishin keqtrajtuar në mënyrën më barbare. Në traditë të Becit kemi gjetur të ruhen kujtime të hidhura për atë kohë…  “… Në vitin 1913 i kishin vra disa njerëz në Bec, te Tyrbja e Becit, për të futur frikë te populli. Në atë rast i kishin vrarë: Rexhë Bezerën, Prelë Bajramin, Tahir Hoxhën, Smajl Ahmetin… Është ndjekur edhe Dul Sadiku për ta vrarë, por ky ishte strehuar nëpër miq. Po ashtu, në atë kohë, e kishin torturuar edhe Sadik Shabanin …”.28)

 “… Në fillim të vitit 1913 në Bec u vranë: Rexhë Bezera, Prelë Bajrami, Smajl Ahmeti, një djalë i Çaktahirve, për shkak se kishin dashtë me ua ndërruar fenë me dhunë. Njerëzit i kishin majtë lidhur për gardh të Maxhun Nimanit. Edhe ata që i kanë lëshu, ishin të shkatërruar. Familja e Delikolve ishin kan’ ikë për Shipni, sepse ardhja e Savë Batarës ishte e frikshme…”29)

     Vrasjet dhe torturat më çnjerëzore që iu bëheshin shqiparëve në atë kohë, ishin bërë sinonim përditshmërie makabre…

     “Në kohën e Savë Batares, në vitin 1912 – 1913, për gardh të Maxhun Nimanit i kishin lidhur dhe maltretuar disa veta, ndër ta edhe Nikë Martinin…”30)

     Ndërkaq, ndonjë kujtim lidhet drejtpërsëdrejti me vrasjen e anëtarit të familjes: “… Thojshin se mixha jem, Smajl Ahmeti i Becit, ishte atdhetar. Bashkëpunonte me prijësit e Lëvizjes Kombëtare dhe ishte pengesë për regjimin e atëhershëm serbo-malazez. Për këtë arsye, në vitin 1913, forcat armike ia kishin rrethuar shtëpinë e tij dhe e kanë zënë të gjallë. Më pas e kishin pushkatuar te Tyrbja e Becit…” 31) 

      Kështu ndodhte në Kosovë, kur shqiptarët jo vetëm që humbnin jetën dhe familjen por ishin të rrezikuar për të humbur edhe identitetin kombëtar. Dhunës duhej përgjigjur me kundërdhunë… Qel Shabanit e  Maxhun Nimanit iu bë krah edhe Rexhep Zeneli i Becit. Në të vërtetë, ky iu bë krah atyre që ishin kundër pushtuesve, u bë krah i çështjes kombëtare. Rexhepi, pasi vret 2 xhandarë serbë, në vitin 1919, kishte dalë në mal, atje ku i kishte shokët e idealit kombëtar. Në raste të tilla organet e pushtetit okupator në mënyra të ndryshme maltretonin familjet e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Për të, djali i vëllait të tij, Xhaferi, ruan do kujtime: “ … Rexhep Zeneli i Becit ishte i angazhuar në veprimtari kundër pushtuesve të asaj kohe. Ai, më 1919 i vret 2 xhandarrë serbë ngase iu kishin kërcënuar pse nuk i kishte përshëndetur. Pasi i vret xhandarr’t, Rexhepi ishte arratisur në mal. Iu kishte bashkangjitur Lëvizjes Kaçake. Për shkak të veprimtarisë së Rexhepit, familja jonë ishte e përndjekur. Një kohë kishin jetuar në Krumë (Shqipëri). Pas kthimit në Kosovë, prapë kishin vazhduar represaljet ndaj familjes sonë. Tregojshin edhe për ni koçak tjetër, për Ramë Isufin e Becit, si shkojke me Rexhipin…”32)

   Sipas një burimi shkrimor ku është dhënë REGJISTRI I KAÇAKËVE TË QARKUT TË KOSOVËS TË SHPALLUR NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME TË MSKS MË 29 JANAR 1922, NR. 2057, në REGJISTRIN E KAÇAKËVE TË RRETHIT TË GJAKOVËS – 1921, në numrin rendor 44 është emri i Rexhep Zenelit nga Beci, viti i shpalljes – 1918, familja – 7, mosha 28. Ndërsa nën numrin 45 është Ejup Ademi nga Beci, viti i shpalljes -1918, familja – 10, mosha - 27. 33) Ky Regjistër (për kaçakët e Rrethit të Gjakovës – sqarim yni) mbaron me nr. 97, i sajuar nga MPB, më 10 prill 1921, nr. 1227.34)  Për Ejup Ademin, në Bec nuk gjrtëm të dine . Mbase mund të jetë ndonjë gabim në emër apo mbiemër?. Po ashtu nuk dinë as për vitlindjen e Rexhep Zenelit (për shkak të humbjes dhe djegies së dokumenteve personale), por nga shënimet e Regjistrit të sipërpërmendur mund të konstatohet se viti i lindjes së Rexhep Zenelit të Becit mund të ketë qenë 1990. (SRH.)

     “Në pranverë të vitit 1921 i kishin vrarë 4 xhandarë serbë në një dugajë (afër kooperativës së sotme të Becit). Vrasjen e kishin kryer ni komitë pej katër vetësh (të përte Drinit), të ndihmuar nga Ramë Isufi, Rexhep Zeneli nga Beci e shikë të tjerë… Thuhet se ishte qershori i vitit 1921. Pushteti i atëhershëm e kishte thirrur Osman Agën për t’i parë xhandarrët e vrarë. Adem Haxhia (prej divanhanës së kullës së Ramë Isufit) i tha Osman Ag’s: Ik, se po të vrasin xhandarrët dhe Osman Aga ish kan’ ikë…”35)   

     “Kallxojke gjyshja: - Ju çojsha bukë djalit (Rexhepit), Azem Galic’s, Isuf Musës Pozharit, e tjerve, në Lug t’Qerretit, e kur nuk i gjajsha atu, jau virsha bukën n’lis se qashtu ishim marrë vesh, e edhe ata e dishin…”36) Ndërkaq, sipas një dokumenti, në listën e shqiptarëve të paraparë për likuidim në Rrethin e Gjakovës, ishin edhe “Rexhep Zena (kupto: Rexhep Zeneli – sqarim yni) dhe Shut Ademi nga Beci”37)  

    …Në vitin 1921 na e kishin marrë tokën, për shkak të Rexhepit. Familja jonë ishin kan’ shku te daja i Rexhepit, te Mehmet Alia i Dujakës, në mbikëqyrje të tij. Tokën tonë si na e morën, mas do kohe, jemi detyru prapë ta blejmë. Mixha, Rexhepi, ish kanë edhe në Neutralin e Junikut…”38)

     Nga viti në vit, veprimtaria e atdhetarëve të Becit nuk pushon, por krahas kësaj becjanët paguanin edhe tagrin e dhembshëm. Kështu, në vitin 1927, në male të Pograxhës së Klinës, duket i rrethuar tradhtisht, vritet nga xhandarmëria serbiane Rexhep Zeneli nga Beci. Ky ishte i arratisur, si i rebeluar kundër pushtuesve dhe se në vitin 1919 kishte vrarë 2 xhandarë serbë. Në momente të fundit të jetës, thuhet se, armët ia kishte lënë Ramë Isufit, bashkëfshatarit dhe bashkëluftëtarit të tij…

      “Mbaj mend si tregojshin se Ramë Isufi i Becit, bashkë me Rexhepin tonë ishin kan’ shku në Pogragjë të komunës së Klinës, në vitin 1927, ndoshta për të kryer ndonjë punë të Lëvizjes, apo për t’u fshehur atje ? I kishin pas hetu dhe i rrethojnë, në mal, xhandarmëria serbe. Tregojshin se kishin pas ba luftë, të pabarabartë, afër 48 orë. Mixha me këtë Ramën e kishin pas vra “narednikin” – komandantin, një xhandar serb dhe tre shqiptarë vullnetarë që ishin kanë në formacion të xhanarrve. Këtu ishte vrarë edhe Rexhep Zeneli i Becit dhe aty bëhet varrimi i tij. Kur ish kan’ vra Rexhepi, ia kish pas dhanë pushkë e allti Ram’s, e i kish pas thanë si nuk muj me lujtë pej ktuhit. … Edhe mas kti rasti kishim pasë probleme. Familja jonë, ni kohë të gjatë nuk kishin pas guxu me u lajmëru si familje e Rexhepit, për arsye se kërkonin të hakmerren familjet e atyne “shqiptarëve – vullnetarë” në forcat serbe që i kishin vra Rexhepi e Rama”39)

     Becjanët vazhdojnë të mos pajtohen kurrë me okupatorët dhe me armiqtë e popullit shqiptar. Të shtrënguar nga represaljet e vazhueshme, ndjekjet, fushatat kolonizuese etj., në Bec irnosja bëhej gjithnjë e më e madhe. Brezave të Maxhun Nimanit e Qel Shabanit, Rexhep Zenelit e ndonjë tjetri nga Beci, iu bëhen krah dhe ua vazhdojnë namin brezi i lindur në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX, si: Isuf Musa, Metush Rrusta, Prëkë Shabani, Bajram Musa, Dervish Myrta e shumë të tjerë…, të cilët, kush me pushkë, kush me mençuri, kush me bujari etj. lanë emra në historinë e Becit të asaj kohe. Në anë tjetër, për organet e pushtetit okupues të atëherëshëm, becjanët ishin bërë jo vetëm halë në sy, por rebelues e kundërshtarë të njëmendtë të tyre... Ndaj të rnjve me përcaktime të tilla ushtroheshin përcjellje të lëvizjeve, ndërmerreshin masa të ndryshme duke i maltretuar e torturuar, deri në atë masë sa të shtrëngoheshin të dilnin në mal, e ndonjë edhe të braktiste vendlindjen…

    “ … Në vitin 1927 kishin pas nisë torturimet ndaj të rinjve: Metush Rrustës, Selman Bajrushit e disa të tjerëve nga Beci, me pretekste të ndryshme, sidomos ndaj atyre prej të cilëve pushteti iatëhershëm frikësohej se do të rrezikohen nga ta. Diku kah viti 1929 torturat kishin arritur kulminacionin, saqë njëri nga shokët më të ngushtë të babës Metush, Selman Bajrushi i thotë se unë jam kah du me ikë me familje për në Shqipëri, e a po vjen edhe ti?. Baba i kish pas thanë – jo, kurse ai e kish pas kalu kufinin dhe sot e atë ditë familja e tij jetojnë në Rrushbull të Durrësit… Pas pak kohe (kah viti 1930), thuhet me kërkesën e tij, baba i bashkangjitet Mehmet Agë Rashkocit, i cili ishte kryetar komune në Bec, si truproje e tij dhe kishin qenë të pandashëm edhe në veprimtari atdhetare… E di që në shtëpinë tonë kishin ndenjur atdhetarë të njohur: Azem Bejta disa herë kishte pushuar këtu kur ka shkuar për në Shqipëri, pastaj Mehmet Agë Rashkoci, Mehmet Agë Berisha, Demë Ali Pozhari, profesori Ymer Berisha, Ramë Binaku etj…

     Një komision nga Beci shkon në Beograd

     Vjen faza e viteve 1939 –’40, kur bëhet marrja totale e tokave të shqiptarëve nga Agrari, për t’iu dhënë kolonëve. Ish kan’ ba edhe një destabilizim edhe më i madh, ku revolta e shqiptarëve ishte shumë e theksuar. Nuk e di se si Mehmet Aga e kish pas marrë iniciativën me një boshnjak, Spaha prej Sarajeve, ministër për pakica në Qeverinë e Serbisë dhe formojnë një grup, sigurisht në nivel të komunës së Becit,  në përbërje: Mehmet Aga i Rashkocit, Hysen Hasani i Skifjanit, Xhemë Sadria i Cërmjanit, Metush Rrusta i Becit (baba) edhe ni tjetër që s’më kujtohet emri, shkojnë në Beograd për t’u ankuar për toka… Në atë kohë, në ato trazira rreth tokave, kur ky grup (si komision) ishte në Beograd, në Gërgoc vritet Rrustem Tafa (vëllai i Kadri Tafës), për shkak të tokës… Për këtë vrasje, “dellovogja” nëpunësi i komunës së Becit, e lajmëron Mehmet Agën, i cili, siç thashë, ishte në Beograd… Lidhur me këtë rast, ministri Spaha kishte thënë: se të ma sjellin me shkrim se çka ka ndodhur! Ata e kthejnë Metushin prej Beogradit në Bec dhe e merr me shkrim prej nëpunësit, në zarf të mbyllur dhe e çon në Beograd… Spaha e kish pas hapë letrën në prezencë të tyre, ku tregoheshin rrahjet, maltretimet dhe vrasjet që po ndodhin në Kosovë për shkak të Reformës Agrare… Thojshin se ato biseda që i banë atje kanë pasë efekt, sepse ishte zbutur pak situate…40)   

   “…Gjyshi im, Bajram Avdyli, ka jetuar në Bec. Babai im, Avdyl Bajrami, disa herë më ka treguar për babain e tij (gjyshin tim) se si ai ishte punëtor, ishte trim e atdhetar. Po ashtu më tregonte se në raste të rrezikshme, familjes sonë i kishte ndihmuar Sylë Smajli i Becit. Gjyshi, në momente të caktuara kishte bashkëpunuar edhe me familjen e Kryezive nga Gjakova, duke bërë lëvizjet nga Gjakova – në Shkodër…” 41)  

    Në vitin 1938 ndërron jetë strategu e burri i kuvendeve Maxhun Nimani, me ç’rast Beci mbetët pa birin e saj të urtë e trim, kurse Qel Shabanit i thehet një krah i fortë, e në anë tjetër i mbetët barrë më e madhe për të çuar përpara çështjen nacionale.

   

    Thyerja e magazinës

    dhe Masakra e Becit në vitin 1941

     Në vitin 1941, për shkak të thyerjes së magazinës së armëve, ushtria serbe vrau 16 banorë dhe i ka djegur 35 shtëpi të fshatit Bec. Në këtë fshat nga ushtria serbe u masakruan tri nëna të reja dhe prej tyre njëra me fëmijë në gji.42) Në hulumtim të këtij burimi shkrimor, në terren kemi mësuar se: - Në prill të vitit 1941, pas thyerjes së Magazinës së armëve, në Bec kishte ndodhur masakër. Barbaria çetnike serbo-malazeze, e tërbuar nga ky guxim i shqiparëve,  kishte vrarë: Halil Isufin (vjeç 25), më parë e kishin masakruar me bajoneta e pastaj vrarë, Bajram (Kamer) Isufin (vjeç 14), Sadik Maxhunin (i biri i Maxhun Nimanit), Musë Tahirin me të birin Nimanin, Pren Mhillin, Imer Zymerin (plak rom) dhe 1 plakë rome, Bajram Avdylin, Qel Binakun, Hate Halilin me dy rejat: Zade Halilin dhe Hyreshahe Halilin. Në këtë rast ishte ndjekur edhe Brahim Rrusta, ku thuhet se disa plumba ia kishin shpuar rrobat.Thuhet se në këtë masakër gjithsej janë vrarë e masakruar 16 veta, (dëgjohet të thonë edhe 21 veta?), por informatorët nuk ua mbajnë mend emrat të tjerëve, mund të kenë qenë ndonjë mysafirë, thonë ata (?). Vrasja e këtyre 16 vetave në Bec të Dushkajës, gjithandej njihet dhe ruhet në kujtesë si Masakra e Becit.

     Prilli i thyer i Becit…  

    “Magazina e Becit u thy më 7 prill 1941. Të parët që e thyen Magazinën ishin becjanët: Musë Zeneli, Ukë Zymeri dhe Fazli Ahmeti. Në atë magazinë kishte armë, municion e shumë gjana të tjera… Tregojshin se ishin kan’ kthy ni grup çetnik’sh në Beck u kishin vra e masakru: Halil Isufin, Bajram Isufin, Sadik Maxhunin, Musë Tahirin me t’birin – Nimanin, Hate Halilin me dy rejat: Zaden dhe Hyreshahen, Djalin e Pjeter Ukës, Bajram Avdylin, Qel Binakun, Imer Zymeri,  jë plak rom…

    Në këtë masakër kishin marrë pjesë edhe kolonët serbë e malazez, ndër të cilët ishte dalluar Brank Haxhiqi. Këtë e ka dëshmuar edhe gjyshja jeme e cila e kish pas lutë Brankun  që t’na lujë shtëpinë mos me na e kallë, kurse Branku ju kish pa përgjegj: - Edhe nëse pshtojnë të gjitha shtëpitë, shtëpia juaj nuk do të shpëtojë.”43)

   “Në prill të vitit 1941 u thy Magazina e Becit. Ni brigadë serbe ish kan’ nisë për Shipni. Ni “vod” i saj ish kan’ kthy dhe e bâjnë Masakrën e Becit. Në masakër morën pjesë edhe serbët lokal – kolonista, ku dallohej Brank Haxhiqi.” 44)

    “Kjo masakër ishte bërë në fshatin tonë pas thyerjes së Magazinës së armatimit në Bec, ku u vranë 21 veta, ndër të cilët kishte qenë edhe baba im, Qel Binaku. Thuhet se në mesin e të vrarëve ka pasur edhe musafirë…

    Baba, Qel Binaku, ishte vrarë nga shovenistët serbo-malazez në prill të vitit 1941, në Masakrën e becit. Vrasjet i kanë bâ një grup diku prej 32 vetash serbë e malazez. Ata na e kanë djegur edhe shtëpinë…” 45)

      “… Prill i vitit 1941. Thanë u çu Serbia. U ba thymja e Magazin’s Becit, ku roje ish kanë Qazim Zheli i Rakocit, i cili i lejoi popullin me e thy magazinën. U kthyen serbët dhe bënë masakra. Të vrarë ishin shumë. Më kujtohet si a vra edhe Pren Mhilli, te Shpati i Tabes në Bec. Vrasjet isshin kan’ ndihmuar edhe nga kolonisti Brank Haxhiqi. Kryetar komunje asht kanë Mehmet Aga i Rashkocit. Atë e ndërruan me Millosh Fatiqin, kolon malazez. 46)  

     “Në vitin 1941 janë kthyer çetnikët në Bec. Burrat, shumica, ishin kan’ ikur. Disa që ishin mbetur në katund, si p.sh. Halil Isufi ish kan’ i himë në ujë, në Prru të Becit, i mshefun. Kur i sheh çetnikët duke ia threë me bajoneta djalin e vëllait, Bajramin, s’ka mujtë me duru po ka dalë. Atëherë i kanë pushkatuar të dytë dhe aty i kanë varret, në breg të Përronit. Shumicën e të vrarëve në Masakër të Becit i kishin pas varrosur baba im, Ali Bajrushi dhe Qerim Meta i Kodralisë…” – kujtim i Hasan Bajrushit (1934) nga Beci.

     “Magazinën e Becit i pari e ka thyer Haxhi Avdyli i Hoxhajve të Cërmjanit (1888 – 1966, ku pasi e kshte çarmatosur rojen, e kishte ndjekur deri përte kodrës dhe kishta marrë 5 – 6 pushkë me municion dhe i alarmon Becin dhe Cërmjanin që të plaçkisin magazinën… Pas kësaj, kishin pasuar represaljet dhe kishte nodhur masakra ku janë vrarë këta njerëz: Musë Tahiri (vjeç 65), i biri i tij Niman M. Tahiri (vjeç 18), Sadik Maxhuni (vjeç 60), Bajram Avdyli (vjeç 70), Halil Isufi (vjeç 40), Bajram (Kamer) Isufi (vjeç 16), dy gra të Manhalilve, Çakë Tahiri (vjeç 63), _________Mhill Uka (vjeç 20), Rrahman __________? (rrogëtar i Ukë Myrtës), Imer Zymeri (vjeç 65), maxhup, Fate Zymeri (gruaja e Imerit).”47)  Sipas këtij varianti të listës së të vrarëve në masakrën e Becit, me disa mangësi e shpërputhje vitesh të lindjeve, jepen emrat e 13 vetave.     

     Masakrohet nëna me fëmijën në gji!

     Shembulli më rrëqethës e poshtërues i kësaj masakre, padyshim, ishte edhe vrasja e masakrimi i tri grave të Manhalilve të Becit: Hate Idrizaj - Halili (1870), gruaja e Halil Alisë, bijë Botushe dhe rejave të saj Zade Sylaj – Halili (1916) dhe Hyreshahes (1910). Zadja ishte gruaja e Sadik Halilit, bijë e Nivokazit; Hyreshahi – gruaja e Zeqë Halilit, nëna e Ademit të sotëm (1936), i cili di shumë pak për atë rast tragjik, ndërsa Ajna e vogël (vajzë e Hyreshahit) kishte qenë përgjini. Hyreshahi ishte bijë Brovine. Vajza e Hyreshahit, Ajna, që kur iu vra e ëma ishte foshnje, vdiq më 2006, duke qenë e sëmurë psiqikisht gjatë gjithë jetës, nga pasojat e asaj masakre… Thuhet se këto gra janë vrarë nëpër dhoma e oborr të shtëpisë së tyre, kur ishin duke nxjerrë tesha e gjësende të tjera nga shtëpia, për të mos iu djegur, meqë kishin vërejtur se fshati po digjej…

     (Kujtime të pasrendësve…)

     “… Ajna, motra jëme, âsht kânë përgjini atëherë kur u ba masakra n’Bec. Kjo vdiq sivjet, më 2006 dhe deri në vdekje a kanë e smutë, me pasoja psiqike… E Hata ish kanë smut, ratë ish kanë. Rejat e saj: Zadja, gruja e mixh’s dhe Hyreshahi, nâna jëme, ishin kanë tuj qitë teshat jashtë pej shpie, mos me ju djegë… Ishin kan’ ardhë shkiet – çetnikë me vullnetarë me na kallë shpinë dhe i kan’ masakru gratë… ” 48)

 Elez (Bajram) Halili (1951), i Manhalilve të Becit, ruan kujtimin e treguar nga gjyshja e tij: - Gjyshja, Zelfija, më 1941, kur ndodh masakra, ish kanë me këto dy kunatat si janë vra. E kanë djegë shtëpinë… Mashkujt ishin kanë të ikur… Gratë i pushkatojnë. Zelfija ish kan’ ikë dhe shpëton… Thonë si këto gra i ka varrosur Musë Sadiku i Zhdrellës, mas disa ditve…

“Atë ditë kur i kishin pas vrarë gjyshin tim, Musë Tahirin me të birin Nimanin, baba im, Isuf Musa, nuk ish kanë në shtëpi, ish kanë diku jashtë katundit… Kur baba asht ardhë në shtëpi, babën e vet e kishte gjetur të vrarë, para dyerve të aborrit, ku edhe sot e ka vorrin… Baba, shpesh m’kallëzonte për vëllazën të vet, për Nimanin dhe  për Bajramin… Më tregonte edhe për rastin e vrasjes së babës së tij, Musës dhe vëllait të tij, Nimanit, në Masakrën e Becit të vitit 1941… ” – (Kujtim i Smajl (Isuf) Musës (1955), dhënë autorit më 11.I.2007, në Bec.)

“Pas thyerjes së Magazinës së Becit, në prill të vitit 1941 u bë masakra në Bec, ku nga familja jonë ishin vrarë: Halil Isufi, 25 vjeçar dhe Bajram (Kamer) Isufi, 14 vjeçar. Edhe sot e kësaj dite varrezat e tyre i kemi në oborr të shtëpisë sonë. Më pas familja jonë ishte e diskriminuar nga pushteti serb…”49) 

   “Edhe Sadik Maxhuni, i biri i Maxhun Nimanit, e ndiqte rrugën e babait të tij… Duke bërë rezistencë, u vra në vitin 1941, mu para derës së shtëpisë. E vranë bandat çetnike…”50)

      Në vitin 1941, pas thyerjes së Magazinës së Becit, në këtë fshat ishte bërë masakër në njerëz si dhe djegia e shtëpive.Ggjyshi im, Bajrami, ishte i vendosur për të mbrojtur pragun e shtëpisë, por, aty në mbrojtje të shtëpisë vritet nga çetnikët serbë, në prill të vitit 1941. Pas disa ditësh e kishte varrosur djali i tij, Avdyli…51)  

     Më 14 deri më 18 prill 1941 Komanda e Trupave të Metohisë urdhëroi disa njësi ushtarake që të digjen disa fshatra, si: Beci, Gërgoci, Radoniqi, Janoshi dhe u vranë disa shqiptarë. Kështu, në vitin 1941 Beci digjet për herë të dytë. Herën e parë ishte djegur në vitin 1921.52)    Mirëpo, në vitin 1941, kur na erdhi momenti, ne becjanët, nga shumë revolta, dogjëm dhe shkatërruam disa shtëpi të kolonistëve serbë e malazez që i kishin ndërtuar në tokat tona të okupuara…53)

    

     Inkuadrimi i becjanëve në Ballin Kombëtar

     Pas të gjitha këtyre që kishin ndodhur dhe ndodhnin në Bec të Dushkajës, njerëzve iu kishte bërë e pamundur të jetohej në trojet e tyre. Veçanërisht masakra e vitit 1941, po edhe ndjekjet e vrasjet e tjera që do të ndodhin më pas, ndikuan që becjanët edhe më tepër të angazhohen në lëvizjet kombëtare, e në këtë kohë, më tepër përmendet Balli Kombëtar. Hysen (Qel) Binaku (1932) nga Beci, thotë se pas vdekjes së babës, Qelit dhe djegies së shtëpisë, vëllai i Qelit, axha im, Ali Binaku ishte inkuadruar në Ballin Kombëtar, së bashku me Xhemë Sadrinë e Cërmjanit (i cili kishte qenë udhëheqës), Rrustem Delinë e Becit, Martin Lucën e Lugbunarit e të tjerë… Ndërsa i biri i Isuf Musës, Rama, tregon se: Tregojnë se pasi babës tim, Isuf Musës, në Masakrën e Becit të vitit 1941 iu kishin vrarë baba dhe vëllai (Musë Tahiri e Niman Musa), ishte dalë në mal dhe iu kishte bashkangjitur çetave… Baba kishte bashkëpunuar me Selim Qelin, Metush Rrustën, Metë Zeqën, Qazim Sadikun, Rrustem Binakun, etj. nga Beci… Ndërkaq, Xhafer Zeneli mban mend se: Isuf Musa i Becit gjithmonë asht kan’ nderi i katundit, punëtor i mirë e i nershëm, mikpritës e bujar. Kur kisha rast me nejtë me njerëz të katuneve tjera, gjithmonë më pytshin për Isufin… “Isuf Musa i Becit ka qenë burrë i ndershëm e përparimtar për atë kohë. Ka qenë mikpritës e i der’s bujare. N’krejt Berishë nuk ka pasë burrë ma t’mirë. Gjithmonë rrinte e shoqërohej me njerëz të lëvizjeve kombëtare, me krerë e parsim të kohës… Shumë i njoftun âsht kânë edhe Metush Rrusta i Becit. Ai asht kanë “panurr” -  truproje e Mehmet Agës. Me ta âsht kânë i lidhun edhe Qerim Meta i Kodralisë së Rashkocit…”- (kujton Ramiz (Ukë) Hoxha (1924) nga Cërmjani, i cili jeton në Shqiponjë të Dushkajës, dhënë autorit më 17.XII.2006, në Shqiponjë).                  

     Nga kujtesa që ruhet në traditë të Becit mësuam se nga Beci kishin bashkëpunuar dhe vepruar në Ballin Kombëtar: Musë Sadiku, Dulë Sadiku, Prëkë Shabani, Mhill Ndou, Ukë Sokoli, Hajdar Jupa, Rrustem Delia, Din Mehmeti, Dervish Myrta, Ali Binaku, Isuf Musa, Fazli Ahmeti, Ukë Azllani, Dervish Isufi, Rexhep Zeneli, Bajram Musa, Ramë Isufi etj. …

    

     Vrasjet, arrestimet, burgosjet, diskriminimet, lëçitjet,

     por edhe aksionet e becjanëve…

    

     Fuqia e tiranit mund t’i lidhë duart, por kurrë zemrën dhe dinjitetin.

                                                                                                                   (Shiler)

     Në vitet dyzet të shekullit XX djemtë e Becit vazhdojnë të gjejnë forma të luftojnë kundër pushtuesve. Dëshmohet se për veprimtari kundër regjimeve të atëhershme të jenë vrarë shumë burra të Becit, të ketë pasur arrestime, diskriminime, maltretime, lëçitje etj.

… Të shkëpusim këtu një pjesë të kujtimeve të Ali Tafës: Din Mehmeti i Becit ka qenë polic i komunës së Becit të asaj kohe. Me zhbërjen e ish-Jugosllavisë, kyçet në krahun e ushtrisë gjermane “SS” në Batalion të gjakovës… Për Dinën flitet se është vrarë në Bjeshkë të Junikut. Po në këtë formacion ishin edhe Hajdar Jupë Hajdari nga Beci, ku në të njëjtën kohë edhe janë vrarë. … Në vitin 1942 një grup prej rreth 150 vetëve iu ka bashkangjitur trupave gjermane për dëbimin e malazezëve, ku kishin shkuar duke i ndjekur deri në Shekullar. Në këtë grup, më kujtohet se thojshin nga Beci janë kanë: Zeqë Isafi, Metush Rrusta, pastaj Qerim Meta prej Kodralie, Niman Halili prej Netici, Adem Aga e Mehmet Aga prej Rrashkoci, Xhem Sadria e Dervish Bajrushi prej Cërmjani.

     “Në vitet 1942 – 1943 jemi armatosur nga italianët unë dhe disa shokë. Në Pejë jemi ndarë në dy drejtime të ndryshme. Në Rozhajë jemi takuar me Ali Binakun e Becit, Ndue Pjetrën e Sapotit e disa të tjerë… rrëfen plaku i urtë Musë Sadik Turku (1915) nga Zhdrella, fshat afër Becit. Kurse viti 1943 Becit i kishte marrë edhe një bir të shtrenjtë. Në vitin 1943, në fshatin Lypavec të Hasit, ishte vrarë Bajram Musa, si ballist që ishte – ruhet në kujtesë të pleqve të Becit. Për këtë, Xhafer Musë Zeneli (1933) thotë: “Bajram Musa i Becit ishte ballist. U vra në vitin 1943 në katundin Lypavec (Has). E kanë vra partizanët se luftojshin kundër tyre”.  “N’at’ kohë, a asht kanë 13 vjeç, a sa asht kanë, nuk e di. Ky ish kanë vëllau ma i vogël. Me ni grup ish kan’ nisë mixha Bajaram për Shipni. Kah janë shku për në Shipni, pa e kalu kufinin, afër ni prroni ishin kan’ ran ë pritë. Janë hi n’prru, e ather’ kish pas krisë pushk’t e pritës së çetnikve. Aty ish kan’ plagosë mixha nga dora e zezë barbare. Tregojshin si n’atë pritë ish kanë Vllajk Vujoviqi, kolonist nga Beci.” – mban në kujtesë nipi i Bajram Musës, Smajl (Isuf) Musa (1955), nga Beci. – Ndërsa në vitin 1943, në dimër, - vazhdon rrëfimin Ali Tafa, përsëri një grup prej disa vetave kanë marrë pjesë në një aksion për ndjekjen e komunistëve nga Shqipëria, në bashkëpunim me oficerë e ushtarë gjermanë. Në këtë grup nga Beci ishin: Metush Rrusta, Zeqë Isafi; Niman Halili e Haxhi Xhemajli prej Netici dhe shumë të tjerë nga fshatra të Dushkajës. Ky aksion kishte filluar në dhjetor të vitit 1943 dhe zgjat deri në mars të vitit 1944… Ndërkaq, baba, Metush Rrusta, në korrik të vitit 1944 papritmas sëmuret rëndë dhe mbetët, gati për një vit, i palëvizshëm, ku pushon edhe aktiviteti i tij në kuadër të grupit… “Ma vonë u vranë Hajdar Jupa, Din Mehmeti, Dervish Myrta nga Beci” – mban në kujtim Mark (Metë) Hasani (1934) nga Beci.

      Në tetor të vitit 1944, në fshatin Gërçinë të Hasit ishte vrarë, nga forcat partizane, Rrustem Delia (vjeç 31) dhe ishte plagosur Ali Binaku (vjeç 44). Në Gjakovë u vra Dervish Myrta. Po në këtë kohë, në Luftën e Dytë Botërore ishte vrarë Ahmet Rrustemi nga Beci. Edhe për këto vrasje, ndonëse aty-këtu të dhënat janë të zbehta, becjanët ruajnë diçka në kujtesë: “Din Mehmeti ka qenë atdhetar. Ka dhënë kontribut deri në rënien e tij, më 1944, në Koshare, ku e ka edhe varrin… Atëherë ishte “panurr” – truproje në komune të Becit. Ishte edhe bashkëpunëtor i Mehmet Agë Rashkocit. Ka qenë i angazhuar në luftë kundër partizanëve. Kur e kishte parë se partizanët janë shkie dhe do të mbetën këtu, ua kishte kthyer pushkën dhe si shumë të tjerë luftoi kundër tyre. Atë ditë si ishte vrarë në Koshare, me të kishin qenë Shaban Hajdari e Islam Brahimi i Becit dhe Qerim Meta i Kodralisë së Rashkocit… Në këtë kohë, nga gjermanët ishte zënë rob Mic (Brahim) Maxhuni, i cili, si rob lufte, kishte bërë 4 vjet burg në Gjermani…” – na shkëput nga kujtimet e tij Hasan (Ali) Bajrushi (1934) nga Beci.  

    “Ali Binaku i Becit bashkë me Xhemë Sadrinë e Cërmjanit (udhëheqës), Rrustem Delinë e Becit, Martin Lucën e Lugbunarit etj., pjesëtarë të Ballit Kombëtar, të gjithë të armatosur, në tetor të vitit 1944, ranë në pritë të çetniko-partizanëve në fshatin Gërqinë (Has). Nga 19 që kishin qenë, 16 ishin vrarë në vend. Martin Luca kishte vdekur rrugës nga plagët e marra, ndërsa Xhemë Sadria e Ali Binaku kishin shpëtuar. Xhema, më vonë, dënohet me vdekje nga Gjuqi Partizan (serb), ndërsa axha, Ali Binaku, i kishte shpëtuar rastit të përmendur dhe vdes me plumba në trup, në vitin 1985”.54)

     Për rënien e Dervish Myrtës së Becit, bashkëfshatari i tij Xhafer Zeneli, sikur t’i kishte ende të freskëta zhvillimet e asaj kohe thotë: “Dervish Myrta a vra më 1944 në Gjakovë. Atë ditë si u vra Dervish Myrta asht ardhë Demë Ali Pozhari me nja 50-60 vetë në Sukë të Qerimit. Gjakovën e patën marrë partizanët krejt, veç mahallën e Qerimit jo, e në atë pjesë janë metë të rrethumë Dervish Myrta, Mehmet Agë Berisha (prefekt i Rrethit të Gjakovës, aslin e ka prej Babaj Bokës). Grupi i Demë Alisë e ka msy rrethimin. Dervishi me të tjerë, tuj dalë pej rrethimit asht vra pej partizanëve. Qel Shabanit i tregojnë si â vra Dervishi. Ai e kapërcy prronin, Llukacin dhe e ka marrë n’krah. Masandej e kanë marrë dhe e kanë varrosë te Tyrbja e Becit”. Me këtë rrëfim sikur ndërlidhet edhe një tjetër: “Ish koha kur u çu Italia. Disa policë të Duçës (Musolinit) ende kishin metë në Gjakovë. Edhe unë isha në uniformë policie. Dolëm afër prronit, Llukacit, ku e pashë një njeri që e bajke nja tjetër në shpinë, tuj shku në drejtim të Qerimit. Ushtria gjermane patrullonte, e në atë moment, ni ushtar gjerman ma bani: - “partizano – a”? për ata të dy dhe e drejtoi armën për t’i vrarë, se i kishin shumë mërzi partizanët. Unë i thashë: - No partizano – dhe nuk i vrau. Zoti e unë si qillova aty, ata pshtunë pa i vra gjermani. Nuk kam ditë se ai njeri në shpinë a asht i vramë a i plagosun. Kur masandej shkova në Cërmjan njeva si ish kanë vra Dervish Myrta i Becit dhe ai si e kish pasë Dervishin e dekun tuj e bajtë në shpinë, ish kanë Qel Shabani…”55) “Dervish Myrta a kanë polic, thojshin. A vra më 1944 te Kulla e Begit në Qerim, në Gjakovë. A kanë n’grup me Xhem’ Sadrinë e Cërmjanit e me Mehmet Agën e Rashkocit… I ka lânë 2 çika. E ka vorrin te Tyrbja e Becit…”56) “Dervish Myrtën në vitin 1944 e kishin vrarë partizanët te Mullini i Maculës, në të dalë të Gjakovës”57). Siç përmendëm edhe më sipër, në Luftën e Dytë Botërore kishte rënë edhe Ahmet Rrustemi i Becit. Më vonë ishte shpallur dëshmor dhe emrin e tij e mban edhe sot Shkolla Fillore e Becit. Për këtë, nipi i tij, Qerim Avdyl Musa (1966), ka pak fjalë: - Axha im, Ahmet (Qerim) Rrustemi është vrarë në Luftën e Dytë Botërore dhe është shpallur dëshmor. Emrin e tij: Ahmet Rrustemi e mban shkolla fillore në fshatin tonë – Bec.

     Për zhvillimet dramatike të kësaj periudhe, Ali Tafa thotë se: OZN-a ka burgosur Qel Shabanin dhe Kolë Ukë Martinin e Becit, në burg të Gjakovës, në “Rrugën e Shkive”. Thuhet se dikush iu ka ndihmuar dhe kanë dalë nga burgu… Ndërkaq, Xhafer Zeneli kujton se: Man Halili âsht kânë miftar katuni në Bec. Tri herë e kanë rreh xhandarrmëria sebosllave për shkak të majtjes së kaçakëve, pse po ju jepni bukë? etj… “Mixha, Man Halili, ish kânë edhe miftar katuni. E kishin pas rreh hyqymeti disa herë për punë të katunit…” – thotë Adem Zeqë Halili nga Beci, më 19.XII.2006, në Bec.    

     Fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945 ishte i tmerrshëm për forcat nacionaliste kombëtare… Vrasje, djegie, masakrime në masë kudo… Si shumë bashkëluftëtarë të tij, Qel Shabani në fund të vitit 1944, bashkë me Kolë Ukën e Becit, burgoset nga OZN-a dhe dërgohen në burgun famëkeq të Gjakovës, që aso kohe gjendej në “Rrugën e Shkijeve”. Në burgun e Gjakovës u bënë arrestime në masë. Aty ishin burgosur edhe 60 anëtarë të familjes së Mehmet Agë Rashkocit, 50 anëtarë të familjes së Demë Ali Pozharit, familja e Ejup Binakut, Xhafer Shehut, familja e Sylëmustafëve, Mehmet Vokshi, familjet e Janoshve, gruaja e Shaban Zenelit të Skivjanit e familje të tjera. (…) Në atë kohë, Qel Shabani i shpëton ekzekutimit në burgun e Gjakovës ne saje të ndihmës së një partizani, të cilit Qeli i kishte ndihmuar gjatë vitit 1944, dhe vet të dytin e kishte liruar nga burgu dhe e kishte përcjellë për në Shqipëri. Siç duket, këtë të mirë ai nuk e kishte harrua, por edhe të bijtë e Qelit i kishin dhënë një sasi të konsiderueshme parash (lira) për t’ua shpëtuar babën. Ai fshahurazi ia hapë derën e burgut Qel Shabanit dhe i thotë të ikë. Mirëpo, Qeli ia kthen se nuk shkon pa shoqin me të cilin ishte burgosur. E merr edhe atë me vete. Kështu, Qeli bashkë me Ukë Kolën e Becit, arrijnë t’i shpëtojnë ekzekutimit në burgun famëkeq të Gjakovës. Prej andej Qel Shabani kalon ilegalisht në Shqipëri, në fshatin Letaj të Hasit, te Bajram Sylë Kurpali, ku qëndron një vit, e më vonë kthehet në Bec.58)

     Marsi i vitit 1945 sjell edhe tmerrin e paparë – Masakrën e Tivarit. Siç bën të ditur historiografia: “Partia Komuniste e Jugosllave projektoi dhe realizoli jo vetëm Masakrën e Hereçit, por edhe një krim tjetër të shëmtuar, Masakra e Tivarit, mars 1945…, ku brenda dy netëve u vranë në fillim, barbarisht 1670 shqiptarë të pafajshëm nga 4989 të rinj shqiptarë që u vranë pabesisht nga të katër anët nën breshërinë e pamëshirshme të plumbave. Ishin të rinj nga Drenica, Mitrovica, Podujeva, Prishtina, Kaçaniku, Gjakova, Rugova, Prizreni, që shteti i Titos i dërgonte drejt vdekjes. Kolona e pafundme e zbathur, e zhveshur, e çarmatosur dhe e komanduar nga oficerët komunistë serbo-malazez, kaloi  në itinerarin Prizren – Kukës – Pukë – Bushat – Shkodër – Hani i Hotit – Tivar, e tradhtuar dhe e sulmuar prej forcave komuniste nga të dy anët e kufirit, u godit për aty ku ishte parashikuar masakra asgjësuese”59)… Edhe në këtë rrugëtim mortor morën pjesë becjanët: Ali Bajrushi, Ali Miftari, Metë Zeqa, Sali Mani, që kishin mbijetuar Masakrën e Tivarit, por, mbase, mund të ketë pasur edhe të tjerë…

     Metushin Donin ta likuidonin tradhtisht

     Edhe vitet në vijim kanë kujtimet e hidhura: Metush Rrusta, pasi shërohet, (1945) detyrohet të arratiset në Shqipëri… Ndërkaq, “pushteti i atëhershëm serbë na e konfiskon pasurinë, misrin dhe bereqetet e tjera, marrin çdo gjë që gjejnë në shtëpi dhe i çojnë në depo që e kishin bërë në shtëpi të Dervish Bajrushit… Baba kthehet nga Shqipëria dhe arrestohet e burgoset dy herë… Babai im, Metush Rrustë Tafa (1910), është arrestuar në janar të vitit 1947. E arrestuan OZN-a me pretekst se “Je duke e mbajtur Mehmet Agë Rashkocin”. Së pari e kanë mbajtur 35 ditë në burg, në Gjakovë. Nga torturat e kishin dobësuar dhe sjellë në 35 kilogramë peshë. Kur ka dalë nga burgu nuk kishte mundur as të ecë, por e kish pas marrë Ali Zeqa dhe e ka pru në shtëpi. … Diku pas 7 – 8 muajsh, në të njëjtin vit, prapë janë munduar ta vrasin tradhtisht, duke e thirrur: hajde këtu, hajde atje, por baba nuk endej vetëm. Më në fund e thërreth edhe Millan Rakoviqi (atëherë sekretar i komunës së Becit) dhe i thotë: “me shku në Stanicë të milicisë së Cërmjanit se janë kah të thërrasin do shokë…” Baba i kish pas thanë se nuk shkoj pa m’lidhë ose pa ma dhanë ni përcjellës. Diku kah ora 9 të mbrëmjes ia dha Muzli Isufin (kurir i komunës) që ta përcjellë babën deri në milici të Cërmjanit. Në këtë rast, kur janë dalë te Prroni i Becit, Muzlia i ka thanë bab’s: - A je kah e din se ku je kah shkon? Baba i ka thanë – po, e di. Ai i ka thanë: - N’daq me ikë – ik!, e unë qes pushkë e bërtas: ou, kape, kape, e ti ik kah të mundesh! (Kurrë nuk ja harrojmë këtë të mirë…). Baba iu kish pas përgjigjur: - faliminers se nuk muj puna e familjes dhe kështu e vazhdojnë rrugën për në Cërmjan. E kalojnë pritën e parë të organizuar te Ura e Qerretit …,  shpëton edhe nga 3 oficerët e policisë që e pritnin në oborr të Stacionit të policisë në Cërmjan…, shpëton edhe kur e çojnë ta pushkatojnë te Vorret e Kodralisë, gjithnjë duke e pyetur për Mehmet Agën… Kur i ndëgjojnë do të lehura të qenve, oficerët kujtojnë mos është Mehmet Aga me kaçakë, e po e zënë, e bab’s i thonë shko e flej te Qerim Meta në Kodrali deri në natje e shko në shpi!... Pas dy-tri javësh vjen policia prapë dhe e zënë në shtëpi. E marrin, e çojnë në Gjakovë. Në atë kohë, kryeshef i UDB-së së Gjakovës ishte famëkeqi Jovo Bajati. Pas nja 4-5 ditësh e kishin çuar në Deçan, me qëllim që ta likuidonin. Gjatë torturave ia impononin të pranojë fajin dhe se ka qenë ballist… Kështu, prapë e sjellin në burg në Gjakovë dhe pas nja 5 muaj e gjysmë torturash e vuajtjesh e lëshojnë nga burgu…

     Kur e morën babën për herë të fundit dhe kur u burgos, familjen tonë e dëbojnë nga shtëpia dhe e çojnë te kushëriri, te Jup Hajdari, prej tetorit të vitit 1946 deri në prill të vitit 1947, ndërsa shtëpinë tonë e shndërruan në burg, ku rrishin ushtria, oficerë të sigurimit etj.,  të cilët rrahnin e maltretonin njerëz, kryesisht nga fshatra të Dushkajës e të tjera përreth…”60)  “… Baba ishte mbështetës i lëvizjeve atdhetare. Gjithmonë, babë e babgjysh janë kanë kundër pushtuesve… Tri herë na u kish pas djegur kulla. Për shkak të veprimtarisë së tyre, shpesh edhe na kishin përjashtuar…” – kujton Demë (Isuf) Musa (1941) nga Beci.

     Në vitin 1947, Ukë (Sokol) Ndoja (1916) është vrarë në burgun e Nishit dhe atje ka mbetur, - tregon e bija e Ukës, File (Ukë) Sokoli (1940).  Për Ukë Ndojën në traditë të Becit gjetëm të ketë dilema e paqartësi rreth burgosjes së tij po edhe rreth asaj se a e kanë vrarë në burg apo ka vdekur natyrshëm (?). Megjithatë, po paraqesim një kujtim të Mark (Metë) Hasanit (1934) nga Beci: “Në vitin 1945 u burgos Ukë (Sokol) Ndoja, sepse bashkë me disa të tjerë, kishin shkuar si vullnetarë për të ndalur bugarin (kupto: bulgarët – sçarim yni), në Novak të Prizrenit, ku kishte shumë kolonistë sllavë. Ata luftuan dy ditë dhe u kthyen. Atëherë, për këtë arsye, Ukën, Prëkë Shabanin e disa të tjerë i burgosën. Uka vdiq në në vitin 1947 në Burgun e Nishit dhe atje ka mbetur. Edhe Prëkë Shabani, i burgosur në Pejë, kur ish kanë thye burgu në Kullë të Sheremetit, sigurisht se është vrarë, por asnjëherë s’është ditur gjë për të?...”

     Kumti i vitit 1949 për Becin do të ishte: më 7 korrik, në moshën 68 vjeçare, në shtëpinë e tij në Bec, ndërron jetë Qel Shabani, pa iu përmbushur ëndrra e shumëpritur për liri e bashkim të atdheut, të cilës ia kushtoi shumicën e viteve të jetës…

     Si formë tjetër diskriminuese dhe përçarëse ndër shqiptarë pushteti aktual përdorte edhe “përjashtimin” apo ”lëçitjen” e individëve e në raste më të shpeshta familjet e tëra. Kjo formë e presionit në radhë të parë kishte për qëllim mosdurimin e një jete të tillë të izoluar që do të përfundonte me shpërngulje, e në anë tjetër të nxisë ngatërresa dhe urrejtje të vëllazërive brendashqiptare. “Pas vdekjes së babës Qel, ne na shtohet zullumi edhe më shumë si djem të ballistit. Unë i kisha edhe dy vëllezër më të mëdhenj se unë, Selimin e Shabanin. Më 1953 na përjashtojnë (leçitin) duke na mbajtur në arrest shtëpie dhe në kontroll të vazhdueshëm. Shabanin e burgosin në burgun famëkeq në Hereç, ndërsa Selimin e maltretojnë në Breg të Drinit, kur bora ishte deri në gju. Sa herë e kanë burgosë, herë bacën Lim e herë bacën Ban. Shumë kemi hekë pej UDB-së jugosllave…”61) Për këtë dukuri, Xhafer Zenelit nga Beci i kujtohet se: Në vitin 1953, nga pushteti i atëhershëm, jemi përjashtuar (lëçitur): familja jonë, familja e Selim Qelit, e Ukë Myrtës, e Dervish Bajrushit dhe e Musë Zenelit. Këta ishin të detyruar të lajmërohen kohë pas kohe në stacion të policisë… Ndërkaq, Smajl (Isuf) Musa thotë: - "E kishin pas maltretuar babën , në kohën e Mirk Iliqit, famëkeq… Dy ditë e dy net e kishin pas mbajtur në bodrum të Stacionit të policisë së Cërmjanit. Pas dy ditëve, pas mesnate, ish kanë dimër me borë shumë, e kanë nxjerrë babën, po edhe disa të tjerë, i kanë lidhur për pemë dhe i kanë rrahur e maltretuar. Maltretimet kanë vazhduar dhe çdo lëvizje të babës e kanë përcjellë…”   

   

     Beci ishte edhe qendër komunale          

    

     Beci një kohë ka qenë edhe qendër komunale, ku detyrën e kryetarit e kanë ushtruar Mehmet Agë Rashkoci (më se dhjetë vjet, në Mbretërinë SKS, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore – kohës së Shqipërisë Etnike), Hysen Bajraktari i Junikut (dy-tre muaj, në vitin 1942), Ndue Përlleshi i emëruar me urdhër të Ministrisë së Tiranës, në fund të vitit 1942, etj. 62); Ndërsa Xhafer Zenelit nga Beci i kujtohet se: Në kohë të Serbisë, para 1941-tës, kryetarë të komunës në Bec kanë qenë: Dedë Grimci (Geci) i Janoshit, pastaj Mehmet Agë Rashkoci, Ndue Përlleshi, Hysen Bajraktari i Junikut, Qazim Sadiku i Becit (në vitin 1947), Tun Marku i Lleshve të Vraniqit, Marka Kolë Bala i Becit, Bajram Selman Kurhaski i Cërmjanit.   

 

________________

Referencat:

1) Prroni, gjatë rrjedhës së tij, i bie për së gjati dhe e ndante në dysh fushën pjellore të fshatit Radoniq, i cili shtrihej në këtë fushëgropë. Ky përrua niset nga disa burime në vendin Lluga e Keqe në territor të Kodralisë së Pozharit dhe burimet në Kodër të Dodës së Irzniqit (komuna e Deçanit), te mikrotoponimi (më tej: mikrotop.) Mullini i Haxhi Shabanit, dhe duke ardhur prej veriperëndimit kah jugu, i shtohen edhe burime të të dy Ratishave të Dushkajës e kështu me radhë. Prej andej vjen luginës nëpër katundet Ratishi i Epër, Ratishi i Ulët, (këtu derdhet në Liqenin e Radoniqit), Rakoc, Radoniq, e i bie Dushkajës teposhtë nëpër Zhdrellë, Bec, Vraniq, Doblibare dhe në territor të Doblibares derdhet në Drinin e Bardhë. Pjesa e këtij përroi që bie nëpër territor të një katundi, është pronë e atij katundi dhe mbi këtë bazë ka marrë edhe emërtimet, si p.sh.: Prroni i  Ratishit, Prroni i Radoniqit, Prroni i Becit, Prroni i Vraniqit… etj.

2) Pavle  I v i ? – Milica G r k o v i ?, De?anske Hrisovulje,Novi sad, 1976, f. I – 233, II – 43; Selami P u l a h a, Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, i vitit 1485, Tiranë, 1974, f. 130.

3) Eqrem Ç a b e j, Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë,      1876, f. 222.

4) Ibrahim G o ç i, Material leksikor nga krahinat, Gjuha shqipe, 3, 1989, Instituti Albanologjik i Prishtinës (më tej – IAP), Prishtinë, 1989, f. 86.

5) FGJSSH, Rilindja, Prishtinë, 1961, f. 120. Në FGJSSH janë edhe fjalët Bic, -i m.sh. –a –at, krahin. 1. Gic, derrkuc, Bic i egër (i butë) 2. Qen i zi me trup të vogël etj., f. 139; si dhe Byc, -i m.sh. –a –at. Elbth, kath.

6) Prof. dr. Liman R u s h i t i, Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003, f. 5.

7) F. M e h m e t a j, Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare, Anatema, Prishtinë, 2006, f. 87, 88.

8) Kujtime nga Halit Shabani, nip i Qel Shabanit të Becit, të cilat, siç thotë ky vetë, i kishte dëgjuar dikur nga: plaku Halit Shabani, vëlla i Qelit (për të cilin ka qenë i falur), Selim Qeli (djalë i Qelit), Shaban Qeli – djalë i Qelit (baba i vërtetë i tij), Gjyle (Llolluni) Shabani (nëna e tij), si dhe nga shkrime të autorëve të ndryshëm. Ky informator yni, Halit Shabani, sqaron edhe këtë: “Unë e mbaj emrin e vëllait të Qelit, pra të Halitit, për të cilin kam qenë i falur. Kur isha në moshën 14 vjeçare ai ndërroi jetë. Ai ka jetuar afro 100 vjet, andaj si nga ky, ashtu edhe nga të tjerët, kam mësuar shumë gjëra për veprimtarinë e gjyshit Qel .

9) Faton M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 11, 12.

10) F. M e h m e t a j, vep. cit., …, f. 16.

11) F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 21.

12) F. M e h m e t a j, vep. cit., … , f. 27.

13) Skënder Luarasi, Isa Boletini, monografi, Prishtinë, 1972, cituar në monografinë Qel Shabani i Becit…, të F. M e h m e t a j t, Prishtinë, 2006, f. 34.

14) F. M e h m e t a j, vep.cit., … , f. 36.

15) Sipas deklaratës së Isa Kurtajt (Kurpali), djalit të vëllait të Bajram Sylë Kurpalit, sipas kujtimeve të bajram Sylës, dhënë Halit Shabanit nga Beci, më 21.7.2002, në Krumë të Hasit, shih: F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 50.

16) Prof dr. Liman R u s h i t i, Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003, f. 239, që i referohet një  deklarate të Himë Ibish Lybeniqit, në moshën 101 vjeçare, dhënë më 23 prill 1979.

17) Nga një bisedë me Brahim Qelin, djalin e Qel Shabanit të Becit, të cilën e bëri nipi i tij, Haliti, dhënë autorit më 3.X.2006, në Gjakovë.

18) Prof. dr. Liman R u s h i t i, vep. cit., … , f. 241.

19) F. M e h m e t a j, vep.cit., … , f. 55.

20) Faton M e h m e t a j, vep.cit., … , f. 56, që i referohet deklaratës së Halit Shabanit nga Beci.

21) Nga një bisedë me Brahim Qelin, djalin e Qel Shabanit të Becit, të cilën e bëri nipi i tij, Haliti, dhënë autorit më 3.X.2006, në Gjakovë.

22) Po nga ajo bisëdë

23) Po nga ajo bisedë

24) F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 91.

25)  F. M e h m e t a j, vep,cit., …, f. 82 – 83.

26)  F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 97. 

27) Dr. Lush C u l a j, Shqiptarët në gjysmën e pare të shekullit XX, Instituti Albanologjik I Prishtinës, Prishtinë, 2005, f.  84.

28) Kallëzim i Musë Sadikut (1915) nga Zhdrella (fshat afër Becit), plak i urtë, i cili di shkrim-lexim, më 20.IX.2006, në Zhdrellë.

29) Kallëzim i Mark (Metë) Hasanit (1934) nga Beci, dhënë autorit më 26.IX.2006, në shtëpinë e tij në Bec, e ku ishin edhe Gani Binaku dhe Muharrem Musa nga Beci.

30) Kallëzim i Ukë Myrtës (1910) dhe Dervish Jusufit (1903) nga Beci, dhënë Halit Jusufit, arsimtar nga Beci, në vitin 1995, e ky i fundit ia  dha autorit më 19.XII.2006, në Bec.

31)  Kallëzim i Smajl (Ukë) Ahmetit (1939) nga Beci, nip i të vrarit, dhënë më 17.IX.2006, në Bec.

32) Kujtim i Xhafer (Musë) Z e n e l i t (1933), për axhën e tij, Rexhepin, dhënë autorit më 26.IX.2006, në shtëpinë e tij, në Bec.

33) Prof. dr. Liman R u s h i t i, Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003, f. 325.

34) Po aty, …, f. 327.

35) Kujtim i Ukë Myrtës (1910) dhe Dervish Jusufit (1903) nga Beci, dhënë Halit Jusufit … në shtator të vitit 1995, ndërsa ky i fundit ia dha autorit më 19.XII.2006, në Bec.

36) Kujtim i Xhaferit…, dhënë autorit më 19.XII.2006, në Bec.

37)  Dr. Hakif B a j r a m i, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me slave 1945 - 1948.

38) Nga kujtimet e Xhafer Zenelit…, 26.IX.2006, në Bec.

39)  Nga kujtimet e Xhafer Zenelit…26.IX.2006, në Bec.

40) Kujtim i Ali (Metush) Tafës (1933), i biri i Metush Rrustës nga Beci, dhënë autorit më 26.XII.2006, në Pejë.

41) Kujtim i Enver (Avdyl) Berishës (1947), me prejardhje nga Beci, që jeton në Gjakovë, dhënë Gani Binakut e Muharrem Musës nga Beci, më 25.IX.2006, e këta të fundit ia dhaë autorit më 19.XII.2006, në Bec.

42) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës, Gjakova, Prishtinë, 2005, f. 101.

43) Kujtim i Xhafer (Musë) Zenelit (1933) nga Beci, dhënë autorit më 26.IX.2006, në shtëpinë e tij në Bec, ku ishin edhe Gani Binaku e Muharrem Musa nga Beci.

44) Kallëzim i Musë (Sadik) Turkut (1915) nga Zhdrella, dhënë Gani Binakut e Muharrem Musës nga Beci, më 20.IX.2006, në Zhdrellë.

45) Kujtim i Hysen (Qel) Binakut (1932), i biri i të vrarit, Qel Binakut, dhënë më 14.IX.2006, në Bec.

46) Kujtim: Mark (Metë) Hasani (1934) nga Beci, dhënë autorit më 26.IX.2006, në shtëpinë e tij në Bec, ku ishin edhe Gani Binaku e Muharrem Musa nga Beci.

47) Kujtim i Ukë Myrtës (1910) dhe Dervish Jusufit (1903) nga Beci, dhënë Halit Jusufit, në vitin 1995, ndërsa ky i fundit ia dha autorit më 19.XII.2006, në Bec.

48) Kujtim i Adem (Zeqë) Halilit (1936) nga Beci, dhënë autorit më 19.XII.2006, në shtëpinë e tij në Bec.

49) Kujtime nga Miftar Isufi (1949) nga Beci, dhënë më 23.IX.2006, në Bec.

50) Kujtim i Shaban Qazim Maxhunit nga Beci, dhënë autorit më 26.IX.2006, në shtëpinë e tij në Bec.

51)  Kujtim: Enver (Avdyl) Berisha (1947), që jeton në Gjakovë, dhënë më 25.IX.2006.

52)  Kujtim i Ukë Myrtës (1910) dhe Dervish Jusufit (1903) nga Beci, dhënë Halit Jusufit (1949), arsimtar nga Beci, në shtator të vitit 1995, ndërsa ky i fundit ia dha autorit më 19.XII.2006, në Bec.

53)  Kujtim i Xhafer Zenelit nga Beci…, dhënë autorit më 26.IX.2006, në Bec.

54) Kujtim i Hysen (Qel) Binakut (1932) nga Beci, dhënë më 14.IX.2006, në Bec.

55) Kujtim i Ramiz (Ukë) Hoxhës (1924) nga Cërmjani, jeton në Shqiponjë të Dushkajës, dhënë autorit më 17.XII.2006, në Shqiponjë.

56) Kujtim i Fetnete Deva – Murtezaja, gruaja e dervish Ismetit të Becit, dhënë autorit më 19.XII.2006, në Bec.

57) F. M e h m e t a j, vep. cit., …, f. 124.

58) F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f.123, 125, 126.

59) Masakra e Hereçit dhe e Tivarit, Bujku, Prishtinë, 13 korrik 1996, f. 20.)

60) Rrëfim i Ali (Metush) Tafës (1933) nga Beci, dhënë autorit më 19.XII.2006, në Bec dhe më 26.XII.2006, në Pejë.

61) Deklaratë e Brahim Qel Shabanit nga fshati Bec, shih: F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 127.

62) F. M e h m e t a j, vep.cit., …, f. 15 – 16.



(Vota: 45 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora