E premte, 29.03.2024, 01:50 PM (GMT)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Parathënie & Gjaku i Sharraxhijve

E diele, 23.08.2009, 11:13 AM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

2009

Biblioteka
PUBLICISTIKË

Redaktor
SABIT JAHA

Realizimi kompjuterik
BASHKIM ZABËRGJA

P  A  R  A  T  H  Ë  N  I  E

Figura e mërgimtarit shqiptar me shekuj ka zënë vend në jetën dhe në krijimtarinë kombëtare, pasi mërgimi i formave të ndryshme ishte dhe mbeti pjesë përbërëse e kombit tonë. Kështu mërgimtari shqiptar, gjatë furtunave të shekujve, përjetoi mërgimin ushtarak, mërgimin politik dhe mërgimin ekonomik. Por historinë e mërgimtarit, me gjithë vuajtjet, rëniet e ngritjet, pakkush e shkroi ashtu si duhet. Mungesa e shkrimit bëri që mërgimtari shqiptar të mbetet i harruar, në fund të botës, atje ku e kishin dërguar valët e jetës.
Duke e parë vetë nga afër mërgimtarin shqiptar nëpër metropolet e Europës, të humbur në detin e madh të punës e të jetës, vendosa që herë-herë të bëj reportazhe, të cilat i botova në vitet e fundit. Tek pas botimit të tyre e pashë se njerëzit e prezantuar në ato reportazhe meritojnë të zënë vend në letrat shqipe, që ata të mos jenë të humbur, por edhe të shërbejnë si shembull të njerëzve të suksesshëm dhe atdhedashës. Kështu lindi ideja për përfshirjen e tyre në një libër. Por libri për mërgimtarët do të përfshinte me mijëra faqe. U ndala në një kënd të mërgatës. Me mërgimtarët nga Malësia e Sharrit, andej mbi Tetovë. Ata ishin nga më të vjetrit dhe nga më të suksesshmit. Ata ishin që me djersën e tyre mbajtën gjallë pjesën e kombi në rrëzat e Sharrit. Ishin ata që i rezistuan asimilimit. Ata qëndruan për vete dhe për të tjerët. Pra, tetovarët tanë, djersa e tyre bëri që të përballohej edhe një luftë e tmerrshme, si ishte ajo e Kosovës në fundshekullin e shkuar. Paratë e djersës së tetovarëve nuk vinin nëpër xhepa, por nëpër paketa e valixhe, drejt e në Kosovë, ku Serbia po e shtrëngonte shtypjen mbi shqiptarët. Shtëpitë e tyre të ndërtuara me mund u bënë streha më besnike për kosovarët, kur u bë dëbimi masiv me dhunë në vitin 1999.  Vargun e të mirave të tyre nuk e zë asnjë libër. Po unë thashë me vete se do ta nis një libër.
Dhe, suksesi e falënderimi u takon atyre. Libri po vjen në duart e lexuesve me personazhet që shënuan suksese.
Uroj që ky libër të jetë një gur themeltar për historinë e bujshme të mërgatës shqiptare përgjithësisht dhe asaj tetovare veçanërisht.
                        
Prishtinë, gusht 2009  
A u t o r i      

Murat ISAKU (1928-2005)
Murat ISAKU (1928-2005)
Murat ISAKU (1928-2005)


GJAKU I SHARRAXHIJVE

N'përroje pëllet murlani, dielli kollit gjak dhe retë
 i trishton
nga baxhat e fshatit - nëpër tym - përdridhet nji gjamë:
                     helm në sy kullon...
Ende pa zbardh drita - nji gjel me za t'marrun
 etshëm këndon, këndon,
por kanga e tij halle t'randa rrëfen - buzëve të thata
nji hije e unët shtegton
Sharraxhijt lotojnë, dënesin dhe ecin
e mbas tyne gjethet nji nga nji vdesin...
Mbas krodhes, qe, pa fat, sharraxhijt
n'vrap do t'lidhen edhe pak,
këputet nji shikim mbas shpine: nji mjegull
e derdhun që nga qielli e deri në prag...

Te blanë e përronit: pa mend e gojë çahen nga fisi
si flaka në flakë,
buzët dridhen në mall e duert e shtrëngojnë
sharrën në bark
Sharraxhijt lotojnë, dënesin dhe ecin
e në dritat e syve të dashtunit u vdesin...
Er' e trollit të djepit kalbet në gjak, përcëllon si flak'
ndoshta nën strehët e hueja - për zogjtë e malit
do t’bahen dark’...
0 sharraxhijt e mjerë, vëllaznit e mi - të gjallë e të vdekun
pa kunorë, -
kur, heu, kur do t'buzëqeshë fati juej, o vëllaznit
e mi të gjorë?!

Sharraxhijt lotojnë, dënesin dhe ecin
deri në vdekje krahët i shesin...
*      *      *
Trojeve të hueja, larg, larg shkojnë si tym -
të shamë e të gjorë,

sytë shterren nga dhimba e nga shpatullat katran
nji duhmë u shkon...
Kalbet mish i gjallë - në trollin akull vdekja vetmon
si kunorë,
vegimthi si në andërr t'arratisun, kujtimi
për plagën ngroht kullon.
Krahnorin si daltë e rreh dhe e shpon
dhe në prehnin e gjinisë së vet ulet e  pushon.
*      *      *
Lulëkuqet bulojnë në qerpikë - nji shtrëngatë
e rreh shpirtin me duhi,
por ata në varg ecin... ecin e vdesin.
Nji shuplakë dhe nji vorr diku i pret
Të nesërmen bagëtia gurët e njelmtë nga lotët etshëm
do t'i lëpijë
- Oh, s'e di, Zoti apo Dreqi qet gurë mbas tyne,
nga ashti langun ua qet


Nji nga nji i vret,
nji nga nji i tret...
*      *      *
N’vallen e moteve festë dasme për tjerët janë tjerrë
thesar në votër e gaz në buzë fëmijët kanë pasë,
por ty, o i shkretë, mish e thoj t’janë kalbë dimën e verë,
nji e pathanë n’gojë t’asht dergjë, nji brengë
n’gojë t’ka plasë.
Ke lind edhe atëherë kur votra ka pasë vetëm nji lasë
ke vdek edhe atëherë kur lakmi s’t’kanë pasë...
Oh, shumë vonë asht çelë abetarja jote –
nji unazë dhuratë,
shumë vonë, o sharraxhij, kur dasmat janë krye,
rrobet janë pre.
Kufijt e kohës tash nuk sharrohen me sharrë
si druj të thatë
e tharm i bukës sonë tani nuk zihet me dru e dhé.
Prandaj sharroje drunin e vjetër, rrëzoje fare përdhe
se diellin ta ka zanë si çadër, nafakën ta ka pre.

(1968)
                      


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora