E enjte, 25.04.2024, 11:52 PM (GMT+1)

Mendime

Perspektiva e turbullt e luftës antikrim

E marte, 11.09.2007, 09:55 PM


Nga Pjerin Ndreu

Në retorikën e përditshme të politikanëve, medias, intelektualëve të fushave të ndryshme, vërehet të trajtohen, deri në hiperbolizim, shumë aspekte të jetës shoqërore shqiptare. Por fatkeqësisht rrallë vërehet të hulumtohet dhe debatohet mbi specifikat e krimit dhe shkaqet që e gjenerojnë atë, në kontekstin e realitetit tonë. Nuk ka vend që të mos tregojë vëmendje mbi fenomene të kriminalitetit, pasi është një problem social prezent në të gjitha shoqëritë, rrezikon seriozisht parametrat e zhvillimit shoqëror dhe të individit.

Të gjithë e dinë se edhe vende të konsoliduara demokratike janë vënë dhe gjenden në vështirësi në përballimin e grupeve dhe situatave kriminale. Për fatin e keq, krimi ka marrë përmasa të frikshme kudo në botë, është organizuar, vepron dhe është kthyer në një industri mjaft fitimprurëse, duke spikatur me një bashkëpunim ndërshtetëror më të fortë se mekanizmat dhe konferencat e ndryshme ndërkombëtare antikrim. Këto fenomene kanë ardhur vrullshëm dhe janë instaluar edhe në vendin tonë, bashkë me zhvillimet demokratike të filluara në vitin 1992.

Këtu dëgjohen rëndom politikanë, sidomos drejtues të Ministrisë së Brendshme, të dikurshëm apo të sotëm, që ngopin opinionin publik me kapardisje e deklarata publike në luftë kundër krimit, sikur shteti ka lindur dhe do të vdesë me ardhjen apo ikjen e tyre nga detyra. Publiku, natyrisht i lënë në injorancë (me dashje nga binomi politikë-krim) për realitetin e situatës kriminale dhe prognozave të krimit për të ardhmen, manipulohet dhe beson se krimi po merr goditjet e duhura. Në të vërtetë, në kohë të ndryshme qeverisëse ka pasur rezultate që janë inkurajuese, ka pasur dhe do ketë kriminelë dhe grupe kriminale që janë kapur, po kapen dhe do të kapen në të ardhmen, pavarësisht nga konteksti politik i qeverisjes. Por kurrsesi nuk mund të vlerësohet së është bërë nami dhe çdo gjë është vënë në kontroll.

Aq abuzive janë këto deklarime, që shkojnë deri atje sa një ish-ministër socialist deklaronte në injorancë totale në vitin 2004: "Lufta kundër korrupsionit në polici quhet e fituar dhe e përfunduar". Ndërsa një ish-ministër tjetër demokratikas, pasardhës i të parit, në një spot televiziv, në mënyrën më groteske thoshte: "Unë çlirova Shqipërinë nga bandat dhe krimi i organizuar". Të tillë drejtues janë fatkeqësi për këtë vend, sepse nuk dinë, nuk lexojnë ose e bëjnë me dashje, të nxitur nga ambientet kriminale që i suportojnë. Pra, kjo është pjesa e turpshme e trajtimit të problemeve të kriminalitetit, duke shmangur transparencën para publikut dhe deklarimin publikisht të shkaqeve dhe vështirësive që pjellin krim.

Kush ka dëgjuar deri më sot një analizë transparente të situatës kriminale, shkaqeve që prodhojnë krim dhe profilaksisë së frenimit të fenomeneve kriminale? Askush. Cila qeveri apo ministër i Brendshëm deri më sot nuk është mburrur se ka bërë hatanë kundër kriminelëve? Të gjithë të njëjtën retorikë bajate kanë përdorur, pavarësisht divergjencave politike dhe a thua se janë gatuar në të njëjtën kuzhinë. Në fakt, vërehet lehtë se krimi ka arritur të unifikojë qëndrimin dhe të nxjerrë politikanët tanë me të njëjtën maskë propagandistike para publikut.

Në diskutime me shumë njerëz të ditur, që e kuptojnë shumë mirë këtë realitet, kam vënë re se janë plotësisht koshient për çfarë ndodh, por nuk marrin përsipër të mbajnë qëndrim publik, për të vënë alarmin e një të ardhmeje akoma dhe më të pasigurt. Deklaratat publike për aspekte të luftës antikrim, demode dhe të paqarta, po sfumojnë mendimin profesional të juristëve, policëve, psikologëve, intelektualëve të fushave të ndryshme. Iniciativa e retorikës politike, në kurriz të mendimit teknicien, është më së miri dhe ajo që manipulon strategjitë antikrim, duke i futur në hulli të palexueshme dhe të pakuptueshme edhe për vetë ekspertët antikrim, të cilët për hir të së vërtetës, nuk janë pak, por nuk i pyet njeri.

Por pse e ardhmja e luftës antikrim duket e turbullt?

- Sepse zhvillimet postkomuniste janë shoqëruar me një ç‘organizim social të shoqërisë. Që në vitin 1920, e ashtuquajtura "Shkolla e Çikagos", (Shkolla Ekologjike), ç‘organizimin social e konsideronte si një erozion të influencës së institucioneve të shtetit mbi jetën e individit. Pra, humbja e kontrollit të institucioneve mbi aspekte të ndryshme shoqërore të komunitetit është shkak që sjell kaos social në jetën e përditshme, që natyrisht gjeneron kriminalitet. Në këtë këndvështrim, vërehet se vendi ynë ka probleme serioze. Probleme që vazhdojnë të jenë në harresë, si familja, shkolla, sistemi edukativ dhe argëtues, urbanizimi, papunësia, niveli ekonomik, forca e institucioneve shtetërore, korrupsioni, trajtimi i diferencuar i ligjit, moszbatimi i tij nga administrata e shtetit. Të gjitha këto dhe të tjera, që nuk i përmendëm, janë aspekte që reflektojnë dobësi dhe injorim të strukturave të shtetit në këndvështrimin e parandalimit të krimit.

- Sepse ky shtet dhe asnjë qeveri nuk ka hartuar akoma asnjë strategji antikrim, si ajo e sigurisë kombëtare, strategjinë e parandalimit të krimit, strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar etj. Për pasojë, lufta kundër krimit është e fragmentuar dhe jo bindëse, pasi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve që kanë detyrë dhe të tjera që mund të kontribuojnë është inekzistent. Harmonizimi i masave social-ekonomike me ato penale në parandalimin dhe goditjen e krimit janë larg konceptit bashkëkohor dhe nuk premtojnë të ardhme të suksesshme. P.sh. t‘i thuash një doganieri në doganë që ka përgjegjësi për trafikun e drogës, të merr për budalla. Në botën e zhvilluar janë pikërisht doganierët, që kanë përgjegjësinë kryesore në parandalimin e trafiqeve të drogës, pasi ata janë në kontakt fizik të drejtpërdrejtë me kontrollin dhe regjimin e import-eksportit të mallrave.

- Sepse akoma nuk ka një hartë të krimit dhe studime analitike mbi fenomene të krimit shqiptar postkomunist. Akoma bëhen reflektime mbi të dhënat e raporteve të huaja, që në të shumtën e herëve, nuk duket se pasqyrojnë realisht situatën kriminale në vend. Ekspertët kanë frikë të shprehen, për shkak të reagimit ndëshkues që mund të marrin nga politikanët, të cilët në publik shesin me shumicë produkte bajate suksesesh dhe konceptesh, që vetëm ata i dinë dhe askush tjetër nuk i bën dot. Ndërsa mburren se janë ulur vrasjet dhe është kapur më shumë drogë për një vit, harrojnë të deklarojnë se në vitin 2002 u raportonin diku te 5000-5500 ngjarje kriminale, ndërsa në vitin 2006, 9009 ngjarje, pra gati dyfishi. Në këtë kontekst, nuk mund të thuhet kurrsesi se niveli i sigurisë është në parametrat e kërkuar. Në kushtet e zhvillimeve demokratike, ka ardhur koha e dallimit të kriminalitetit në zonat rurale dhe urbane, për shkak të konteksteve të ndryshme social-ekonomike që gjenerojnë krim.

- Sepse administrata e lartë e shtetit është kampioni i shkeljes së ligjit. Janë vetë ata që bëjnë ligjet, pra, deputetët dhe të tjerë që drejtojnë në nivele të larta të administratës, që shkelin ditën për diell ligjet e shtetit, duke u bërë pjesa më torturuese për policët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Privilegjet e paligjshme që kërkojnë dhe mllefet që shprehin në raste të penalizmit të tyre apo të ndonjë të afërmi, janë të paskrupullta dhe vrasëse për pjesën tjetër të pambrojtur. Aleanca që ka krijuar në disa raste kjo kastë me pjesën e fuqishme të biznesit kriminal dhe ambiente të krimit të organizuar, kanë vënë në vështirësi proceset investiguese, që janë të destinuara të dështojnë pa filluar. Në të kundërt, autori i këtyre investigimeve apo hetimeve gjendet në rrugë i papunë.

- Sepse policët, prokurorët apo gjyqtarët ose duhet të jenë socialistë, që të punojnë në një qeverisje socialiste ose duhet të jenë demokratë që të punojnë në një qeveri demokrate. Që të jenë të depolitizuar nuk lejohet dhe as nuk kanë shans. Pra, duhet të hedhësh vallen që të thonë dhe jo atë të ligjit, përndryshe je armik, i korruptuar, joprofesional etj., etj.

- Sepse mund të kesh mbaruar shkollë për polic, por polic nuk lejohet të punosh. Se mund të jesh marangoz, zooteknik, veteriner, mësues, je i përshtatshëm, bile dhe për drejtor policie. Nuk ka asnjë problem që drejtori nuk është oficer policie edhe në vitin 2007, pavarësisht se aty ku drejton ai, nja 50 "trima" të quajtur lazaratas mbyllin policinë brenda dhe thyejnë e djegin çfarë të duan. Se këtu te ne mund të fitosh lekët si të duash dhe me çfarë të duash, mund të investosh si të të dojë qejfi dhe kur të dojë qejfi, pavarësisht nga destinacioni i pistë i parave që ke, madje bashkë me pastrimin e parave mund të gjendesh menjëherë i përfshirë në tavolinat e drekave dhe darkave të politikanëve të lartë, me nderin e madh të një investitori serioz...

Prandaj e ardhmja e luftës antikrim është e turbullt dhe me shanse të pakta. Ka edhe më, por kjo është pjesa që fshihet nga politikanët, të cilët qeverisin nëpërmjet shitjes së dokrrave me suksese imagjinare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora