E enjte, 25.04.2024, 06:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Vikena Kamenica: Sekreti im në Austri

E shtune, 22.08.2009, 01:05 PM


Mes një konkurrence të egër, ajo la pas talentet e ndërkombëtarëve. Mezosoprano e TKOB-së, Vikena Kamenica, kurorëzoi çmimin e parë për interpretimin e këngëve satirike nga Bernstein, pjesë të operetës “Candide”, pikërisht në vendlindjen e kompozitorit të famshëm, Moxart. Ndonëse para një përgjegjësie të madhe, si përfaqësuese e një shteti, pra Shqipërisë, ka preferuar të “riskojë”. Tashmë në pasaportën e saj artistike janë shtuar edhe dy çmime të tjera. E për t’i arritur ato, Kamenica shfrytëzoi një sekret, të cilin e rrëfen për “standard”... E pikërisht kjo ishte cilësia që i dha pikët maksimale këngëtares së re, që i dha botës një leksion të mirë se Shqipëria nuk është e vogël. Kamenica ka fituar çmim të parë në kuadrin e koncertit-konkurs me temë “Humor, shaka dhe ironi në muzikë”, në këtë “stil” të ri të interpretimit muzikor që është quajtur ndryshe edhe “New Music”

Intervistoi: Suela Furriku

Vikena, sapo jeni kthyer nga Austria bashkë me dy çmime vlerësuese për ju si mezosoprano. Si ndiheni?

Për mua është një kënaqësi e madhe që arrita të triumfoja me këto dy çmime. Është një vlerësim i marrë nga një staf shumë i kualifikuar prej shumë vitesh, të cilët kanë qenë para zërave nga më të mirë të vendeve të huaja. Kundrejt kandidatëve në evenimentet në Austri e ndjeva veten shumë të konkurruar, jo se nuk kisha besim tek vetja, pasi në të kundërt askush nuk mund të hedhë as edhe një hap jashtë territorit të tij. Kisha shumë besim tek aftësitë e mia.

Ishin shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme prezent në konkurs, flasim për natën kur ju morët çmimin e parë. Cilin prej tyre e cilësove si konkurrentin më të fortë?

Të gjithë ishin të përgatitur, kishte shumë konkurrencë, por gjithsesi mund të them se konkurrenti më i fortë ishte këngëtari austriak, i cili mori çmimin e dytë. Ishte një bass bariton shumë i këndshëm, një mik shumë i mirë. Po ashtu, si konkurrente të fortë mund të cilësoj edhe një kanadeze, një angleze, spanjolle etj.

Pasi evidentove këtë lloj potence në skenë, sa e frikësuar u ndjeve?

Jo, nuk u frikësova aspak. Thjeshtë mendova të jap maksimumin dhe të krijoj imazhin e një figure të mirë. Kjo ishte metoda që ndoqa, gjë që më ndihmoi për të arritur këtu ku jam.

Çfarë domethënie ka çmimi i parë për ju?

Më jep një besim shumë të fortë në vendosjen e karaktereve dhe të roleve që do të marr përsipër në projektet vijuese. Po ashtu e shikoj si një stimul të fortë për të kryer më mirë punën time. Çmimi është pengesë e një monotonie të caktuar artistike që në Shqipëri jo rrallë ndodh.

Përfaqësuat Shqipërinë në konkurs. Kush mendoni se doli më e fituar, ju apo Shqipëria?

Të dyja njëkohësisht. Nuk mund të them se cila doli më e fituar, sepse në fund të fundit fjalia prezantuese fillonte me “mezosopranon shqiptare”. Normalisht të gjithë kishin ardhur për të përfaqësuar vendet e tyre dhe e njëjta gjë ndodhte me çdo personazh tjetër. Kështu që patjetër që Shqipëria doli e fituar.

Ku do t’ju çojë ky çmim?

Do të më çojë përpara, pa dyshim. Kritika kishte bërë krahasime të forta për mua që kishin një domethënie të madhe.

Na e përshkruani pak momentin kur ju kënduat gjatë konkurrimit...

Kur mësova se isha nga fundi i konkurrimit para se të mbyllej nata finale, pashë që niveli ishte shumë i lartë. Inkurajoja vetveten për të dhënë më të mirën e mundshme për të qenë në vëmendjen e publikut. Është një moment që çdo artist e kërkon, të jetë në vëmendjen e të gjithëve. Mbaj mend që dola në skenë pa emocione. E shijova të gjithë pjesën që këndova dhe pa frikë mund të them se çelësi i suksesit pikërisht ky ishte. Pra gjithçka e kam bërë në mënyrë spontane. Një nga opinionet që më ka mbetur në mendje në lidhje me performancën time ishte spontaniteti skenik. Çdo lëvizje vinte në mënyrë shumë natyrale, aspak e shtirur. Isha shumë e qetë, gjë që nuk më karakterizoi shumë në konkursin tjetër ku fitova çmimin e dytë.

Pse ndodhi kjo?

Sepse vetëm ideja që unë isha në një konkurs më dha një lloj emocioni që ndoshta më ndrydhi paksa në vetvete. Edhe këtu konkurrenca ishte shumë e fortë, kur unë këndova “Carmen”.

Si u gjendët pranë konkurseve në Salsburg, në vendlindjen e kompozitorit të famshëm Moxart?

Përzgjedhja e përfaqësuesve ishte shumë e veçantë. Për dy javë leksione që ne merrnim, në të njëjtën kohë është do të selektoheshim. Nga 15 persona që çdo studio kishte dërguar nuk mund të konkurronin më shumë se 2-3 persona si përfaqësues të një studioje. Ishte pedagogu ai që bënte përzgjedhjen. Pedagogu që rastisi ishte hera e parë që e takoja. Ai pati thjesht një afeksion nga puna ime, për të më përzgjedhur pikërisht mua më pas. Nga ana tjetër vetë stafi përzgjedhës vinte në mënyrë shumë civile për të përzgjedhur kandidatët. Me pak fjalë, aty janë realizuar të gjitha fazat e një konkursi, por në një mënyrë shumë më të qetë dhe komode për pretendentët. Krejt papritur na njoftuan se cilët prej nesh ishin të përzgjedhurit në të dy aktivitetet e mësipërme.

Ju keni marrë shumë çmime si këngëtare, mezosoprano. Si ndikojnë çmimet tek një artist, e stimulojnë atë apo e “dembelosin”?

Jo, absolutisht nuk e dembelosnin. Përkundrazi është një përgjegjësi shumë e madhe në sensin për të vazhduar ende më shumë përpara. Kjo për faktin që atë çmim, pasi e merr duhet edhe forca për ta mbajtur atë lloj niveli. Stimulimi artistik është i jashtëzakonshëm.

Gjatë kohës që ishit në Austri, a morët oferta për të nënshkruar ndonjë kontratë?

Këto janë çështje për të cilat nuk mund të flitet në këtë periudhë. Normalisht çdo konkurs i tillë ka edhe këtë lloj komoditeti.

Miqësi të reja krijuat?

Po, krijova shumë miqësi të reja. U njoha me shumë artistë, pedagogë të cilët nuk hezituan për të më dhënë urimet dhe komplimentet e tyre kundrejt meje. Shpresën, mirësinë që të ndiqnin akoma edhe më shumë karrierën time.

A ju pyesnin për Shqipërinë?

Po, më kanë pyetur shumë këngëtarë për Shqipërinë. Sigurisht, që unë u shpreha mirëseardhjen në Shqipëri, duke u thënë se dera do të jetë e hapur gjithnjë për ta. Kështu unë u bëra të ditur se ne jemi një popull shumë miqësor. Veç kësaj, edhe unë jam një natyrë shumë sociale dhe gjithnjë më ka karakterizuar tipi ideal për të krijuar miqësi.

Si do të mund ta përkufizoni zërin tuaj?

Unë kam zërin e nënës sime dhe temperamentin e babit tim. jam mezosoprano e lartë, kryesisht për rolet e karakterit.

Si mbani në formë zërin?

Puna e përditshme në teatër, kujdesia nga klima e ftohtë, e sigurisht nuk abuzoj asnjëherë me zërin tim. Teatri është “palestra” e vokalit ku shpalos vepra e stile të ndryshme teksa i këndojmë. Drejtori Ciko është treguar shumë i kujdesshëm po ashtu për t’i ofruar jashtë mase publikut, edhe vepra që nuk janë vënë asnjëherë në skenën tonë.

Për çfarë do donit të përmendeshit në historinë e muzikës?

Skena më jep shumë liri. Emocionet më mbërthejnë para se të dal në skenë, ndërsa kur paraqitem para publikut harroj gjithçka. Ky është një virtyt që më pëlqen tek vetja ime. Për këtë cilësi do të pëlqente të përmendesha në historinë e muzikës klasike në Shqipëri.

Disku që dëgjoni më shpesh në shtëpi, në makinë...?

Janë shumë disqe që dëgjoj. Disqe të veçanta nuk mund të përmend sepse ato i dëgjoj në momente të caktuara. Di t’i ndërroj shpesh duke u nisur edhe nga puna që unë bëj, pra meqë prezantohem me versione të ndryshme si të veprave, ashtu edhe të materialeve.

Veç autorëve klasikë, çfarë rryme tjetër muzikore preferoni të dëgjoni?

Më pëlqen shumë jazz-i. E trajtoj si një dashuri të madhe, ose ndonjë pop i këndshëm, apo R&B që mund të ketë ndërthurje të bukur. Tangon e dëgjoj shumë, shpesh herë edhe pjesë me pak temperament siç janë këngët spanjolle.


(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora