E premte, 19.04.2024, 03:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Frederik Ndoci: Gruaja më la pas 17 vjetësh. 'Jam lesbike'

E shtune, 22.08.2009, 12:37 PM


Frederik Ndoci dhe ish-bashkeshortja, Aida
Frederik Ndoci dhe ish-bashkeshortja, Aida
Nga
Entela Resuli

Tre dekadat e këngëtarit dhe aktorit me karrierën dhe emigrim. Një vajzë "Miss Kalifornia" dhe një qen mik të ngushtë. "Bomba" e jetës, kur pas 17 vjetësh martese, gruaja më tha: "Jam lesbike". Një histori jete për t'u bërë film.

Shoku më i mirë tani është qeni i tij, Pupi. Një çantë e zezë, e cila i përkul trupin në një krah, ka brenda lap-topin, që nuk përmban gjë tjetër, veçse poezi dhe këngë, dy dashuritë e përjetshme të Frederik Ndocit. Këngëtari dhe aktori i viteve '80-të, me një zë të kthjellët, të cilin e ruan edhe sot e kësaj dite, tashmë jeton mes Shqipërisë dhe Amerikës. E takojmë në një nga baret e qeta të Tiranës. Aty kupton se me një shkodran nuk e ke të vështirë të flasësh. Nga ana tjetër, të bien në sy edhe shumë detaje të tjera, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e Frederikut. Sa lart ngjitesh në sukseset që ka arritur Ndoci, aq edhe poshtë zbret në zhgënjimet që ka pësuar në jetën e tij familjare. Kjo i ka rrënjët herët, që në fillimet e krijimit të familjes, ku ai rrëfen se partia e martoi me detyrim, për shkak të njollës në biografi. Dhe pas shumë peripecive, në vitet 1990 vjen largimi nga Shqipëria, puna në Itali dhe më pas gjetja e vetes në Amerikë dhe rigjetja e vetes në profesionin e këngëtarit. Por, nuk përfundon me kaq. Sapo gjithçka rregullohet dhe jetën ia kishin zbukuruar dy vajza, një deklaratë "bombë" e ardhur nga e bashkëshortja e atëhershme, trazon ujërat në jetën e tij.

Sipas Frederikut, pas 17 vjetësh martesë, ajo (gruaja) i kërkon atij divorcin, duke nxjerrë si pretendim se kishte gjetur lumturinë e vërtetë dhe se ishte dashuruar me një femër, me të cilën donte të martohej. Zhgënjimi nuk ishte i pakët, megjithatë jeta për të vazhdon. Një dashuri tjetër me Aidën, një këngëtare kori në Amerikë, lind në jetën e tij. Edhe kjo pati një fund të shkurtër. Pas 10 vjetësh martesë ata nuk janë më bashkë. Në një intervistë për Sh2-shin, Frederik Ndoci rrëfen dashuritë e tij. Një jetë mes suksesit dhe zhgënjimit. Tashmë i rikthyer në Shqipëri, duket se ka gjetur qetësinë me njerëz që e duan dhe e respektojnë për punën që ka bërë dhe për vlerat e tij si artist. Një tjetër fakt interesant është edhe vajza e tij, Klea Ndoci. Klea ka hyrë tek 10 femrat më të bukura të Kalifornisë. Misteret e jetës së Ndocit, vijnë në këtë intervistë.

Frederik, përveç se këndoni, jeni dhe një shkrues i mirë poezish, keni gati dhe një libër...


Libri ka kohë që është gati, po ende nuk janë pjekur kushtet. Dëshira ime është që ta nxjerr me esetë e personaliteteve dhe njerëzve që njohin Frederikun.

Kur ke filluar të krijosh poezitë e para?

Libri ka nja 40 vjet që nuk ka dalë (qesh). Poezitë e mia kanë filluar që në adoleshencë. Vazhdoj të shkruaj përsëri, pavarësisht se tani matem dy herë, sepse në atë kohë nuk kisha bojë, tani e kam shumë të lehtë, por gjërat që i kërkon vetes janë më cilësore.

Cili është stili që lëvroni më tepër në krijimtarinë tuaj?

Varet. Po t'i shohësh, stili është herë i lirë e herë me një rimë të brendshme. Mua më pëlqen më tepër hermetikja, rima e brendshme. Shkruaj përsëri për gjëra që më godasin, që më vrasin mendjen dhe syrin. Ajo që spikat më shumë është dashuria. Poezia është ajo që të fton të hysh në dashuri. Në qoftë se shkruan një poezi për një fenomen negativ, ka edhe dashuri brenda.

I ke kushtuar dikujt ndonjë poezi?

Gjithmonë është dikush pas poezisë. Edhe Robison Kruzo, sikur të kishte lindur në atë ishull, atij i mungon ajo që do dhe gjithmonë do t'i këndonte asaj. Poezia, në një mënyrë apo një tjetër është mbyllja e atij ankthi që të lë takimi deri në takimin tjetër. Gjithmonë e ka njeriu një ankth. Më i tmerrshmi është ai që, askush nuk e di kur vejnë në këtë jetë dhe nuk e di kur shkon.

Çfarë të frymëzon që të marrësh lapsin dhe letrën?

Dikur ulesha me idenë se do të bëja një poezi. Pastaj rrija me orë të tëra çfarë poezie do të bëja, kur isha fëmijë. Kur je fëmijë i ke të gjithë pranë: mamanë, babanë, nënën, motrën, ke një qen. Ajo që të mungon është molla e ndaluar. Këtu fillon ngacmimi i parë. Me kalimin e kohës, këtyre ideve pa formë vjen momenti që t'i firmosh, kështu është edhe poezia.

Cila është ajo gjë që të ka munduar më shumë dhe ti i je rrëfyer poezisë?

Po gjithmonë perëndimi i dashurive, lindja e tyre. Gjithmonë besojmë në dashurinë e përjetshme, gjë që nuk është e vërtetë. S'ka lumturi të përjetshme, hapësira është e përjetshme.

Ua ke trashëguar fëmijëve dellin e artistit, është ndonjëri prej tyre këngëtar apo aktor?

Kam dy vajza, e vogla ka marrë pjesë në një sfilatë për "Miss Kalifornia", është zgjedhur në 10 më të mirat, është shumë kinge. Ka lindur në Amerikë. Nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri, për arsye nga më të ndryshme. Ato nuk rrinë me mua, rrinë me nënën e tyre, e cila ka zgjedhur një mënyrë tjetër jetese. Ajo është me rrymat, është me atë që ka firmosur Kryeministri tani. Kam kohë që nuk e kam takuar vajzën, po flasim vazhdimisht në telefon. Vajza e madhe është e martuar, rri në Los Anxhelos, ka mbaruar universitetin, është shumë e lumtur.

Mund të na tregoni pak për "rrymën" e bashkëshortes suaj. Kur u kujtua ajo që nuk pëlqente meshkujt po femrat?

Shumë vonë, pas 17 vjetësh martesë. Jam martuar në vitin 1983. Gjatë kohës që kemi qenë bashkë, kemi pasur shumë herë divergjenca, po nuk ma priste mendja që do ishte e asaj fushe. Megjithëse e shihja që nuk ishte shumë femër. Marrëdhëniet tona nuk kanë qenë fort mira, sepse ne realisht na martoi partia, nuk u martuam vetë. Por, gjithsesi, kishim krijuar një lloj afeksioni dhe ishim bërë një familje, çdo gjë vazhdonte normalisht. Në vitin 1997 ajo më tha që nuk ishte më për mua dhe se kishte gjetur dashurinë e vërtetë. Ishte dashuruar me një grua të martuar, e cila u nda me burrin e vet dhe u martuan të dyja. Kjo është një nga gjërat më të dhimbshme që më ka ndodhur në jetë dhe më ka prekur shumë.

Ju më parë nuk ju kishte shkuar ndonjëherë mendja të divorcoheshit nga gruaja juaj?

Jemi larguar nja 6-7 herë nga njëri-tjetri. Hera e parë ka qenë për një letër anonime, e cila ishte me nënshkrimin e gruas sime dhe më quante mua armik të popullit. Pas kësaj letre me hoqën nga opera. Më pezulluan të gjitha aktivitetet artistike. Gjithçka m'u shkatërrua nën këmbë. Vitet '80-të kanë qenë të vështira për mua.

Në vitet 1990-të, ju jeni larguar nga Shqipëria, si ka vijuar jeta juaj jashtë shtetit?

Është e vërtetë. Në vitin 1990-të u largova për herë të parë në Itali, ku aty fillova të punoja punë të rëndomta, si gjithë të tjerët, gjithçka filloi nga a-ja. Mora të gjithë familjen, më pas shkova në Amerikë, Kalifornia e më pas New York.
Pas ndarjes nga bashkëshortja e parë, njoha Aidën, me të cilën kam kënduar edhe përfaqësuar Shqipërinë në Evrovizion. Jetuam shumë të lumtur 10 vjet. Sa erdhëm në Shqipëri, diçka ndodhi mes nesh dhe ne nuk u gjendëm më bashkë. Me Aidën jemi ende të martuar me letra, por nuk jetojmë më bashkë prej tre vjetësh.

Jeni ndjerë ndonjëherë keq, bosh, për gjërat që ju kanë ndodhur?

Shumë herë, sidomos në rastin e parë. Mbaj mend që kam shkuar një herë në kishë dhe vetëm qaja, pasi përfundova dhe hapa sytë gjeta përtokë në kishë një letër të vogël të bardhë. Në të ishte shkruar në anglisht: "Lëre zotin tënd të marrë hak për armiqtë e tu". Nga kjo kuptova shumë gjëra dhe iu riktheva jetës normale. Unë kisha shumë gjëra për t'u dhënë njerëzve, të afërmeve të mi, por edhe vetes. Veten e kam në 3 mijë këngëtarët më të mirë amerikanë. Kam hyrë në historinë e xhazit, në historinë e muzikës amerikane.

Pse u ktheve në Shqipëri?

Këtu edhe të duan njerëzit, edhe të respektojnë, edhe je më afër realitetit. Lë diçka më të bukur, më të prekshme, më konkrete. Prindërit i kam në Gjermani.

Tani jetoni vetëm?

Për momentin është babi në Shqipëri.

Përveçse jeni këngëtar, keni luajtur edhe filma, si jeni ndjerë në aktrim?

Kam luajtur gjithsej 6 filma. Jam ndjerë shumë mirë edhe është një nga gjinitë e mia të preferuara. Në ato vite nuk më kanë munguar as flirtet me vajzat me aktoret e filmit. Një nga ato, për të cilën kam ndjerë vërtetë, ishte "Alma" emri në rol i aktores te filmi, "Edhe kështu edhe ashtu". Kam pas një flirt real me Almën. Një dashuri që ndoshta do të zgjaste shumë, po ishte një njeri tretë që na u fut në mes dhe asgjë nga dashuria jonë nuk u konkretizua. Ajo tashmë ka jetën e saj, është martuar. Jeta ima është një novelë, e cila do të ishte shumë e suksesshme po të bëhej film apo libër, se po ta jetoje në jetën reale, është e dhimbshme. Ka pas shumë përfundime tragjike

Je i zhgënjyer nga dashuria, jeta?

Normal, jam njeri dhe jam i zhgënjyer, të gjithë njerëzit përjetojnë zhgënjime.

Cili është miku juaj më i mirë?

Miku më i mirë imi, ai që më dëgjon vazhdimisht dhe nuk më kthen përgjigje, që nuk më ngacmon, është qeni.

******

Shqiptarja Klea Ndoci, në 10 më të bukurat e Kalifornisë

Klea Ndoci, vajza e këngëtarit Frederik Ndoci, është përzgjedhur në 10 vajzat më të bukurat të Kalifornisë. Në një konkurs që është bërë në këtë vend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo është përzgjedhur nga juria e konkursit të bukurisë si një nga vajzat më simpatike. Mes shumë amerikaneve, ajo ka merituar këtë përzgjedhje për shkak të bukurisë së saj të ëmbël. Ka gjak shqiptar, dhe, edhe pse nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri, ajo nuk e mohon asnjëherë këtë. Madje, në shpinën e saj ka bërë si tatuazh një shqiponjë, me të cilën identifikon origjinën e vetes. Klea ka lindur në Amerikë dhe nuk di shqip. Për shkak të divorcit të prindërve, ajo jeton larg të atit, megjithëse flasin shpesh me telefon apo nëpërmjet internetit.

Mes filmit dhe realitetit!

Frederik Ndoci ka luajtur gjithsej 6 filma artistikë, mes të cilëve më i suksesshme është ai me titull "Edhe kështu edhe ashtu". Për Ndocin këta nuk kanë qenë thjeshtë përmbushja e rolit në ato filma, por kanë shkuar ca më tutje. Histori dhe flirte pa fund dashurie, për të cilat ai ndjen pendesë edhe sot që nuk i ka çuar deri në fund.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora