Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Del Piero: Juventus, tani duhet të fitosh

| E premte, 21.08.2009, 02:08 PM |


Nga Denis HAKANI

Kapiteni i bardhezinjve shpreson në një finale fantastike për sezonin e ri dhe "thumbon" Mourinjon

Ka ardhur momenti të fitojmë. Alesandro del Piero ka besim te skuadra e tij. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga fillimi i kampionatit, ai ka theksuar edhe një herë ambiciet e Juventusit: "Kemi entuziazëm, kemi dëshirë për të fituar, - ka thënë kapiteni bardhezi. - Duam një aventurë me një finale fantastike. Ambiciet tona janë të natyrshme, duam ta fillojmë mirë këtë sezon. Kur kam kaluar në Serinë B kam menduar për momentin, kur do të kthehesha të fitoja me Juventusin? Po mendoj për këtë gjë prej tre vitesh, nuk do të doja të mendohesha edhe për shumë". Amtosfera është ajo e duhura. Juvja ka dalë më e fortë nga merkato. Për shumë njerëz është i vetmi ekip që do të mund të pengojë Interin.


"Interi nuk ka humbur asgjë, përsa i përket cilësisë dhe alternativave që ka në ekip. Nuk e di se diferenca midis dy skuadrave është ngushtuar, përgjigjja do të vijë vetëm nga fusha", - ka shpjeguar Del Piero, që nuk ka dashur të bëjë premtime. "Secili nga ne do të fitojë. Nuk duhet të bëjmë premtime të veçanta, duhet vetëm të punojmë dhe të punojmë ditë për ditë, është rruga më e drejtë për t'u ndjekur në një sezon që parashikohet të jetë i gjatë dhe i mbushur me ndeshje", pohon Ale, duke mos bëëë premtime.


POLEMIKA Një sezon që ka nisur me një polemikë midis Mourinjos dhe Lipit. Edhe Del Piero, ashtu siç kanë bërë dhe Toti me Spaletin para tij, është rreshtuar në krah të trajnerit italian, duke pohuar: "Kur Lipi, vitin e kaluar, ka thënë se kampionatin do ta fitonte Interi, unë nuk jam ofenduar. Nuk kam parë asgjë të bujshme në këtë. Madje, shpresoj të mos gabohet edhe për këtë vit". Në lidhje me Mourinjon numri dhjetë i Juves ka thënë: "Eshtë shumë i aftë të ngarkojë me përgjegjësi të tjerët dhe t'i heqë këto nga Interi. Edhe kjo është një taktikë. E rëndësishme është të mos tërhiqesh në situata të tilla. E respektoj si trajner i Interit, por nuk më bën asnjë përshtypje".


NE DYSHIM PER TE PAREN - Takimi i parë në sezonin e ri ka vënë përballë Juventusit një skuadër që në letër duket e lehtë, Kievon. Por Del Piero nuk ka besim dhe nuk kërkon justifikime, pavarësisht mungesave të shumta në mesfushë: "Kievo është një skuadër shumë e mirë dhe vitin e kaluar, këtu në Torino, na ka shkaktuar shumë dhimbje. Vështirësitë janë bërë për t'u kaluar, nuk duhet të mendojmë për gabimet e bëra. Skuadra jonë ka gjithçka i nevojitet për t'i bërë ballë situatave të tilla. Nuk e di nëse i mungon akoma diçka Juves, përgjigjen për këtë do ta japë fusha". Problemet në kurriz, që nuk e kanë lënë të luajë në Trofeun Berluskoni, janë pothuajse të kaluara: "Kam pasur një mbingarkim. Tani ka mbetur pak dhimbje që duhet eleminuar. Ndihem më mirë, shpresoj të rekuperoj", - ka thënë Del Piero.
Shekulli