E shtune, 20.04.2024, 01:18 PM (GMT+1)

Mendime

Leksioni i 11 Shtatorit

E marte, 11.09.2007, 08:58 PM


Nga Av.Dr Bashkim Nikolla

11 shtator 2001. Ndodhem së bashku me një grup specialistësh ushtarakë të Pentagonit, duke pirë një kafe në "Rogner", pas përfundimit të një brifingu të radhës.

Papritur, Televizioni shqiptar ndërpreu transmetimet dhe dha lajmin e kobshëm sensacional:

"Goditen Kullat Binjake si dhe Pentagoni nga avionë të rrëmbyer nga terroristë", duke e shoqëruar njëkohësisht këtë lajm edhe me pamjet e tmerrshme filmike.

Na u pre kafeja në buzë.

Gjithë sa ishin në hollin e "Rognerit", shqiptarë e amerikanë, u drejtuam instinktivisht në një drejtim, tërë sy e veshë dhe tepër të tronditur tek pamjet televizive.

Amerika e bukur dhe e pasur ishte goditur në zemrën dhe krenarinë e saj.

Në krahun tim kisha një amerikan, i cili ishte me origjinë irlandez, ishte një ushtarak i fuqishëm trupgjatë dhe që tregonte më dukshëm se të tjerët shqetësimin dhe hidhërimin e tij për atë që kishte ndodhur.

Në intervale ritmike, ai u binte me grushtet e tij të fortë gjunjëve, duke shprehur kështu dëshpërimin dhe ngrihej pastaj gjysëm në këmbë dhe me dy grushtet lart sikur do të ndeshej nga çasti në çast me terroristët që kishin goditur aq egërsisht vendin e tij. Ai belbëzonte diçka nëpër dhëmbë, që i ngjante një betimi të vërtetë për t'u gjetur dhe ndëshkuar organizatorët e asaj gjëme dhe, njëkohësisht, herë pas here, pyeste vetëm me fjalët: "Si mundet!? Si mundet!?"...

Unë ndihesha i dëshpëruar, dhe mendja më shkoi tek e kaluara kur sa herë historia ka qenë e gatshme të flasë për ne shqiptarët, fati ynë është goditur keqas, në mënyrë fatale!...

Amerika goditej kur ende ne shqiptarët vazhdonim stë copëtuar në pesë shtete... Pra vërtet u godit Amerika, por njëherësh u godit dhe ëndrra jonë për bashkim kombëtar.

Grupi i specialistëve amerikanë përbëhej nga persona që origjinën e kishin nga vende të ndryshme të botës, por, mbi të gjitha, tek sytë e tyre lexohej dëshpërimi dhe vendosmëria për të përballuar këtë çast me kurajo, me devizën "Mbi të gjitha Amerika".

Bota më 11 shtator ndali frymëmarrjen, u godit psikologjikisht dhe pati marrje mendsh, por të parët ishin amerikanët që i treguan botës, se ata janë përsëri në këmbë dhe më të fortë se kurrë për t'u përballur me të keqen. Këtë ringritje unë pata rastin ta shikoja nga afër 10 muaj më vonë nga ngjarja e 11 shtatorit, gjatë një vizite pune në SHBA. Uashingtoni kudo rrezatonte sfidë ndaj terrorizmit të Bin Ladenit.

Qytetarët amerikanë ishin të vendosur për të fituar mbi të keqen. Këtë ne e konstatuam në Senat tek senatorët, në Kongres tek kongresmenët, në Pentagon tek ushtarakët dhe kudo tek qyetetarët që respektonin me përpikmëri të gjitha rregullat e vendosura për të mos u goditur në befasi nga terroristët.

Gjatë atyre ditëve unë pashë me sytë e mi madhështinë e popullit amerikan, kurajon për të ecur përpara, kuraja për t'u ndeshur e për ta mundur të keqen, krenaria për Flamurin dhe Amerikën dhe, mbi të gjitha thjeshtësinë e modestinë për t'i shërbyer vendit të tyre në çdo kohë me dashuri, me shpirt krijues, me punë në grup, duke u djegur për Amerikën me përkushtimin e tyre si i thonë si gruri. Kjo është forca që fiton mbi kamikazët e vdekjes.

Liria dhe demokracia është shkrirë tek zemra e çdo qytetari amerikan dhe çdo amerikan betohet: Për Amerikën!...

Kanë kaluar kaq vjet nga 11 shtatori i vitit 2001. Amerika është më e bukur, më e fortë dhe më e pasur se kurrë.

Ja vitet kaluan dhe ne shqiptarët pritëm të parin president të SHBA-së në Shqipërinë tonë. Duke ndjekur me emocione vizitën e Xhorxh Bushit në Tiranë dhe në Fushë -Krujë, pashë dhe thashë në mjedisin ku isha me miqtë e mi: Po neve shqiptarëve fati dhe Perëndia na do, po afrohet Moti i Madh me ndihmën e Amerikës së fuqishme. Po ne akoma do të vonojmë vetveten!?

Gjithësesi leksioni i 11 shtatorit për ne shqiptarët është i qartë. Të merremi me Shqipërinë seriozisht.Ajo e bukura e dheut pret shumë nga ne, Amerika është me ne, le të guxojmë sëbashku në udhën e lirisë dhe me siguri do t'ja arrijmë qëllimit..



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora