E marte, 23.04.2024, 11:11 AM (GMT+1)

Faleminderit

Feride Papleka: Shuteriqi, studiues i zanafillave tona kulturore

E marte, 18.08.2009, 08:00 PM


Shuteriqi, studiues i zanafillave tona kulturore

 Një udhëtim nëpër disa stacione të universit të tij shkrimor

Nga Feride Papleka

Kërkuesi i burimeve

Dhimitër S. Shuteriqi është një ndër figurat më të mëdha të kulturës tonë kombëtare dhe një personalitet unik në historinë e letrave shqipe. Si një intelektual i vërtetë, ai e ka konsideruar kulturën si një fushë beteje dhe i ka pushtuar pothuajse të gjitha pozicionet e saj. Si historian letërsie dhe si kulturolog, ai është marrë me atë pjesë të traditës që shënon shkallën më të lartë të qytetërimit të një shoqërie, me shkrimin dhe me traditën letrare. Ajo pjesë e veprës së tij që ka të bëjë me origjinën kulturore, me identitetin tonë shpirtëror dhe mendor si popull dhe me historinë e letrave shqipe, është një tërësi që vjen në harmoni me krijimtarinë e tij letrare si shkrimtar.

Shkenca e historisë së shkrimit dhe të letërsisë hyri shpejt në jetën e tij si krijues. Që më 1947 kur botoi librin « Metrika shqipe », tekst për shkollat e mesme dhe për Institutin Pedagogjik që u hap më 1946, u duk se në letrat shqipe kishte lindur një studiues i ri. Ai kishte hartuar një vit më parë dy tekste të tjera shkollore për programin e Ministrisë së Arsimit, që u botuan si broshurë ; një antologji për letërsinë që e konceptoi të plotë, si nj tërësi, pa paragjykime klasore dhe një Folklor. Si tekste ato i plotësojnë thuajse të gjitha kriteret e botimeve moderne që bëheshin në Europë në atë kohë. Të futesh në universin e punës së tij shkrimore, e kupton që në fillim se ai shndërrohet dhe merr formën e përfytyrimit që kanë apostujt për zotin e plotfuqishëm.

Paradoks i çuditshëm : edhe pse anashkalohet për hir të konjukturave politike, Dhimitër S. Shuteriqi është pikë reference e patjetërsueshme për çdo historian të letërsisë. Pa kërkimet e tij studimore në fushë të shkrimit e të letrave shqipe, njohja dhe mendimi ynë do të ishin të cekëta dhe mbase në ndonjë temë nuk do të ekzistonin fare. Çfarë ka ndodhur mes djalit të ri që boton më 1933 poezinë e parë « Kosovë, tokë kreshnike », në gazetën « Constanza » të Rumanisë dhe autorit tashmë të formuar të librit postume « Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 », botuar më 2005 nga Akademia e Shkencave? Janë gati 70 vjet dhe rreth 110 libra në mes. Ka ardhur koha që të lexohet mirë Shuteriqi. Jo për atë. Po për ne. Që të përfitohet nga puna e tij e jashtëzakonshme. Misioni e tij thuajse hyjnor që krahas krijimit t’i përkushtohet edhe punës kërkimore dhe studimore, i bindur në rrënjët autoktone të kulturës shqipe, që është padyshim për çdo popull rruga kryesore e formimit të tij, e bën Shuteriqin të quhet Kërkuesi i Burimeve.

« Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 », 2006 (1965, 1976)

Shuteriqi në të vërtetë është nga ato personalitete, që quhen fat për kulturën e një populli. Shqetësimi për rrënjët e shkrimit shqip që është kultura jonë identitare, duket se është një motiv i madh krijues për veprën e tij. Shumë herët, që më 1950, ai përgatiti një bibliografi të shkrimeve të vjetra shqipe, të cilën e pasuroi, duke nxjerrë vit pas viti në dritë thesare të panjohura të shqipes së shkruar. Frut i kësaj pune plot pasion qe vepra « Shkrimet shqipe », që u botua në Tiranë më 1965 dhe u ribotua më 1976. Teksti i vitit 1976 u botua edhe në Prishtinë. Të dyja botimet kanë qenë të pasuruara me dokumente të reja dhe me shpjegime, por në librin e fundit që u botua postume kërkimet nuk mbeten më në vitin 1332, ato ngjiten deri më 879, kur në dokumentet mesjetare del i shkruar për herë të parë emri i famshëm Krujë. Këtu dëshmohet edhe njëherë qartë aventura e madhe kulturore e Shuteriqit. Viti 879 është një vit i largët e i panjohur gjer më tani, por që autori e nxjerr nga mjegullnaja e historisë dhe e afron në sytë tanë, duke e bërë të njohur me « Acta et diplomata res Albaniae » ( f. 31). Duke argumentuar ligjërimet e ndërprera nga misteret e historisë dhe duke krijuar një scripta continua që nga shekulli IX e deri në shekullin XIX, tekstet gdhenden në një realitet tjetër dhe transformohen në shenja të ngarkuara me kuptimet e shekullit XXI, në të cilin po ecim.

Ai hedh kështu një vështrim sinoptik mbi hershmërinë e shqipes së shkruar dhe zbulon dokumente me emra të shquar a të panjohur që e kanë përjetësuar shkrimin dhe veten në akte shkrimore, të cilat shfaqen në ditët tona si një program filmik i drejtpërdrejtë: « Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të Ditës gjyqit, qi i gjeta shkruom Atit shumë ncë ndershmit e ncë devotshmit frat Palit prej Hasit, të cijëtë, ende me do të tjera të nshtuome, disa herë tue i shkruom (…) hina për gjithë ditë nga pak tue shtuom, shkrova ende sa tjera kafshë, sa mujta, ncë tjera gjuhush tue i kthyem mbë gjuhë tonë ; e ndë e vonë, mbasi andej u dashë (nga viset e Kosovës e të Maqedonisë) erdhshë mbë Romë (më 1616) »,( f.132). Ky citim është nxjerrë nga një informacion që jep Pjetër Budi në « Të rekumenduom » të Doktrinës.

Kërkimet shkrimore të Shuteriqit vijnë duke u shtuar dhe njëkohësisht me to rritet kureshtja e lexuesit për të përshkuar viset nga ka kaluar gjuha shqipe. Monologu për autorë historikë sjell në tekst një trajtim bashkëkohës, duke i bërë hapësirat dhe të flasin me gjuhën e shkrimit. Aty analizohen dokumente me vlera të pakundërshtueshme dhe mbushin zbrazëtinë që kanë lënë kohërat e paorganizuara: « Arbanon », sipas Ana Komnena IV8 dhe XIII5, si thuhet edhe në Shqipërinë Mesjetare, p.sh. te Gjon Buzuku XVIII,IV : « gjithë popullinë e kërshtenë ndë Arbanit » (në Arbër, në Arbëri). Që më 1166 kjo trajtë del në vend, në emrin e peshkopit të Arbërit, « Lazaro episcopo Arbanesis » (AD I 93. Më 1208, princi i Arbrit quhet « Demetrio Arbanesi principi » (po aty 120), ,etj. Më 1621, Pjetër Budi ka përdorur trajtën me « ë » : « upeshkëpi ce Arbënit » (Speculum confes.3), trajtë që ka për t’u përgjithësuar, por pa u zhdukur trajta me « a » të cilën e dëgjojmë edhe sot tek emri i fshatit « Arbana » pranë Tiranës. Historikisht, së pari emri i popullit tonë del nën trajtën « Albanoi », më 1043 te historiani Bizantin Mihail Ataliati 9, 9, po kjo trajtë me « l » ka dalë që në shek.II te gjeografi aleksandrin, Ptolemeu, për fisin ilir « Albanoi » ; është po ajo trajtë siç e thoshin të huajt. Po që në shek. VI para erës sonë, gjeografi dhe historiani grek, Hekateu i Miletit, përdorte trajtën « Abroi » për një fis ilir të viseve tona, e metazuar, ajo është « Arbër »(f.32).

Gjatë kërkimeve atij i tërheq vëmendjen shumë koha e Skënderbeut me « kronikat »: « Në një letër të tij shumë të njohur italisht, që Skënderbeu i ka dërguar prej Kruje, më 30.XI.1460, princit të Tarantos Giovani Antonio Orsini, ai përmend Kronikat tona ». (f.69) […] «B. (Marino Bizzi, F. P.) e quan Gjergj Kastriotin « Aleksandër », duke përkthyer emrin e tij mysliman « Skënder », ashtu si bënin të krishterë të tjerë të kohës…Për këngët mbi Skënderbeun kanë shkruar më parë Antonius Sabellicus dhe Marin Barleti ; do të shkruajë më pas Frang Bardhi me të tjerë( f.147). Këtë shpjegim të dokumentuar jep ai e na shpie pastaj te shkrimi « Dëshmi për ekzistencën e këngëve mbi Skënderbeun në Lezhë, në vitin 1610 ».

Imazhet që të krijojnë këto tekste shkrimore janë të fuqishme: « Libri i P. Bogdanit « Cuneus prophetarum » i botuar së pari në Padovë më 1685, pasi qarkulloi përsëri më 1691, si bot. 2, në Venedik po me titullin e ri të sipërm, qarkulloi po atje, më 1702, si bot. 3, me të njëjtin titull të ri, me ndonjë ndryshim të rëndësishëm, nga i njëjti botues i Venedikut : « Per Girolamo Albrizzi. M.DCII. » ( f.227).

Një libër me kërkime për shkrimin shqip, është si një vizitë në një minierë ari. Eshtë e pamundur të mos ndiesh aty forcën dhe aftësinë e interpretimit e të mos përkulesh pastaj me nderim para atij njeriu që me vullnet të rrallë i është përkushtuar një pune të tillë me vlera kombëtare. Janë 312 njësi shkrimore dhe dokumente, për të cilat jepet një informacion i gjerë : « 247-249 (1774) Johann Thunmann / ordentlichen Lehrers der Beredsamkeit und Philosophie / der Universität zu alle…Leipzig…1774…Thunmanni argumentoi gjerë e me një metodê shkencore të saktë origjinën ilire të shqiptarëve. Suedez nga origjina, ai lindi në Thoresund më 23.VIII.1746. Vdiq i ri në Halle më 17.XII.1778. Shih S. Gashi. Kush ishte J.TH. ( gaz. « Fjala », Prishtinë 15.VI.1986), (f.307). Duke dashur të zgjidhë një enigmë, enigmën e datës kur ka filluar shkrimi i shqipes, autori zhvillon një anketë me kohërat. Në korrespondencën e tij gjenden gjurmë të këtij bashkëpunimi të heshtur e këmbëngulës. Megjithëse është një vepër e plotë shkencore, herë-herë ke përshtypjen se je përballë një jetëshkrimi të romanizuar për shqipen. Çdo interpretim bëhet duke u nisur nga dokumenti origjinal më i hershëm dhe plotësohet me burime të tjera, duke i dhënë tërë materialit një karakter polifonik. Kështu ai do t’ju shërbejë studiuesve dhe historianëve të rinj të kulturës si një tekst referencial i pazëvendësueshëm, si një modus operandi. Ky është libri më i çuditshëm që do të mbetet si një labirint i hapur për shkrimin shqip e që do të shërbejë si kurorë për korpusin e madh të veprës së Shuteriqit. Duke qenë një tekst që ai i është kthyer e rikthyer disa herë për pesëdhjetë vjet, mund të cilësohet edhe si libër i jetës.

« Nëpër shekuj letrarë », 1973

Ky libër përmbledh studimet e tij më të rëndësishme në fushën e letrave shqipe që nga viti 1949 e deri më 1969. Në një pasthënie të shkurtër Shuteriqi njofton lexuesin se ka mbledhur studimet « mbi folklorin dhe letërsinë shqipe, të botuara së pari në shtypin shkencor dhe në atë periodik[…] » (f.430). Libri hapet me artikullin që i ngjan një uverture madhështore « Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë » që mban datën 1949. Pastaj vazhdon me studime të tjera, mes të cilave mund të citojmë : Më i vjetri dokument i njohur mbi kulturën shqipe ; Dhaskal Todhri, Gramatika e Jan Vellarit ; Mbi disa çështje të letërsisë shqipe të Rilindjes Kombëtare ; Mbi jetën dhe veprën e Zef Serembes ; Naim Frashëri ; Historia e Skënderbeut » e Naim Frashërit ; Të dhëna të reja mbi jetën dhe krijimtarinë e Ndre Mjedës ; Andon Zako Çajupi ; Në vdekjen e Fan S. Nolit, që mban datën 1965. Edhe në këtë libër vihet analiza e thellë shkencore mbështetet mbi dokumente të plota dhe burime dokumentare. Për problemet që janë shterruar tezat përfundimtare, por autori përdor edhe hipotezat ose ide të hapura për t’u plotësuar në të ardhmen. Forca krahasuese e studimeve të Shuteriqit është një nga vlerat më të mëdha të historiografisë sonë letrare. Dijet e thella, interesat e përcaktuara dhe gjuha shkencore, e bëjnë librin « Nëpër shekuj letrarë » të parin e këtij lloji në letrat shqipe. Dendësi dokumentesh dhe tekstesh për të argumentuar një tezë të vetme ! Ky është një rast i papërsëritshëm në historinë e kulturës tonë. Po të marrim vetëm aparatin shkencor të shkrimit të parë, ai mbërrin shifrën 104. Por brenda çdo numri ka me dhjetëra mikrodokumente të tjera. Ja çfarë thuhet në shënimin me numër 86 e që është një shpjegues për lidhjen e këngëve arbëreshe me epikën greke : « Don F. J. Fernandez de Heredia, Chronique de la Morée au XIIIe et XIVe siécles, Genève 1885, fq.14, 23, përmend një Skurë zot të Koronit, Argosit dhe Naupulias, në vitet 1204-5. Zangari, fq. 58-77 jep dëshmi të ndryshme mbi fiset e kolonive arbëreshe të Kalabrisë në shek.XVI-XVIII. Emrat e fiseve Golë (Golem ?), Manisi (Maneshi ?), Peta dhe Skurra i gjejmë në Vakarico dhe Strigari që më 1543. Po këtë vit gjejmë Manisi dhe Strigari. Në Lungro nuk kishte nga këto fise asnjë më 1532. Po më 1561 atje gjejmë fisin Stratigo, origjinar nga Moreja, dhe më 1643 gjejmë edhe Frashina, Peta, Sgura ose Skura. Këto dëshmi duhet të na tregojnë se fiset Golem, Manesh, Frashin, Peta dhe Skura në Itali vajtën sidomos nga Moreja. Më 1543 këto familje i shohim të përhapen në shumë koloni arbëreshe të Kalabrisë » (f.53). Një studiues të tillë nuk do të ketë kultura dhe letërsia shqipe për shumë e shumë kohë.

« Gjurmime letrare », 1974

Shuteriqi i ka hapur kantjeret e punës që herët, prandaj ai boton brenda një kohe të shkurtër librin e dytë që është si një vazhdim i bashkëbisedimit shkencor me dokumentin. Të gjitha këto të çojnë te vazhdimësia, e cila lidhet me sistemin për të cilin flet Spinoza te « Traktati i intelektit ». Ai thotë se pa një sistem pune nuk ka veprimtari. Dhimitër S, Shuteriqi shkroi, prodhoi dhe konsumoi kulturë, gjurmoi burimet e kulturës sonë dhe u bë historiani i parë i letërsisë shqipe me përmasa të mëdha kombëtare, duke përshtatur një sistem pune të panjohur gjer atëherë në Shqipëri. Këtë libër ai e fillon sërish me një studim për këngët që i kushtohen Skënderbeut : Një variant kënge arbëreshe e pabotuar mbi Skënderbeun ; Në traditat e lashta të shkrimit të shqipes : një Brokard i ri - Marafioti; Jul Variboba ; Lavdia e De Radës ; Një version i parë i « Milosaos » dhe i « Serafinës » së De Radës ; Një rilindës arbëresh i orëve të para, Engjëll Bazile ; Një letër dhe gjashtë vjersha të Zef Serembes ; Lufta midis shqipes dhe greqishtes gjer në fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare ; Naum Veqilharxhi sipas disa të dhënave të Arkivit të Braileas ; Me rastin e një letre të Kristoforidhit të nëntorit 1883 ; Çajupi dhe « Vëllazëria » e shqiptarëve të Misirit ; Ndre Mjeda dhe Gustav Majeri ; Mihal Grameno ; Një vjershë e harruar e Fan S. Nolit « Fryn, moj erë » ; Me rastin e ribotimit të « Don Kishotit » ; Fan S. Noli ; Në 40 -vjetorin e shkrimeve të para të Nonda Bulkës etj. Dëshira për t’u marrë me studime letrare është kthyer në njëlloj fantazme te ai. Kjo duket qartë te shkrime që krijojnë njëlloj simetrie me tema të caktuara, për ta shndrruar pastaj ata në një mozaik, i cili mund të shihet në skaje të ndryshme.

« Autorë dhe tekste », 1977

Leximi ishte vërtet një lumturi për Shuteriqin. Në një nga ligjëratat e famshme për librin mbajtur para studentëve në Universitetin e Belgranos në Buenos Aires, shkrimtari i madh argjentinas, Jorge Luis Borges, e quan aktin e të lexuarit lumturi, duke e barazuar atë me lumturinë që të dhuron akti i krijimit dhe citon Emerson-in, eseist, poet dhe filozof amerikan i shekullit XIX, kur thotë se biblioteka është njëlloj kabineti magjik. Kështu e konsideronte edhe Shuteriqi bibliotekën. Ai ishte njohës i madh i librit në përgjithësi dhe i librit shqip në veçanti.

Si të ishte një udhëheqje shpirtërore, ky libër hapet përsëri me një studim të titulluar : Kënga e parë e njohur për Skënderbeun « Çastet e fundit të Skënderbeut » ; Figura e Skënderbeut bëhet një emër tërheqës në letërsi, në piturë, në skulpturë, madje edhe në muzikë. Pas Marin Barletit, thuajse të gjithë autorët e Rilindjes i kthehen figurës së Skënderbeut, dikush me një vepër të plotë e dikush me krijime të veçanta. Edhe tablotë e para në pikturë dhe në skulpturë kanë në qendër Skënderbeun ; Një vjershë anonime për Skënderbeun e shek. XVII; Në fillimet e folkloristikës shqiptare ; Në fillimet e njohura të shkrimit të shqipes ; Anëshkrimet mbi librin e Gjon Buzukut ; Takime të hershme shqiptare me kulturën progresiste të Evropës (Daniel Korteze) ; Alfabeti i vjetër origjinal i Gjirokastrës ; Françesk Avati ; Nikollë Keta dhe mendimi patriotik arbëresh në prag të Rilindjes sonë ; Duke ribotuar « Milosaon » ; Një përkthues i hershëm i Bajronit shqip (Luigj Petrasi) ; Duke kërkuar Seremben autentik ; Këngë të mbledhura nga Anastas Kullurioti ; Në kërkim të Çajupit, etj. Disa gjurmë faktesh fakt gjenden edhe në korrespondencën e tij. Libri është si një territor i frutshëm kërkimesh të gjata.

« Mbi Barletin dhe shkrime të tjera », 1979

Shuteriqi e fillon librin me shkrimin « Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar ». Kësaj çështjeje që mbeti dhe një ndër qëllimet më fisnike dhe me identitare të profilit të tij si studiues i letërsisë dhe shkrimtar ai do t’i kushtonte durim dhe pasion. Pastaj vjen Barleti, që si e thotë edhe titulli, zë vendin kryesor në libër. Ai e konsideron Marin Barletin si humanistin më të madh shqiptar në kryqëzim të shekujve XV dhe XVI. Libri madhor i tij « Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi » ( Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut), botuar në Romë, midis viteve 1508 dhe 1510 u bë burimi i parë dhe më i rëndësishëm për historinë e heroit legjendar të Krujës, që u bë pastaj prijësi më i famshëm i principatës së Arbrit. Fakti që Barleti ka bërë një punë disa vjeçare si historian i mirëfilltë, duke mbledhur dëshmi të bashkëkohësve e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, që ishin ende gjallë, shfrytëzimi i arkivave dhe ushtrimi ndaj teknikave të shkrimit si shkrimtar, i dha lëndë të rëndësishme Shuteriqit. Burimet e reja moderne i vërtetuan thuajse plotësisht periodizimet e jetës së Skënderbeut dhe kjo është një pikë e fortë e studimit. Barleti e përjetoi në Shkodër, në vendlindjen e tij, ende fëmijë rrethimin e parë osman, por në rrethimin e dytë më 1478 dhe 1479, mori pjesë si luftëtar me armë në dorë për mbrojtjen e qytetit. Ishte tetëmbëdhjetë vjeç. Pas rënies së Shkodrës që ishte edhe barrikada e fundit shqiptare në luftë kundër pushtimeve të ushtrive osmane, ai mori arratinë së bashku me ushtarët fundit të garnizonit mbrojtës. Shkoi në Venedik dhe jetoi si prift me mallin e pashuar të atdheut të pushtuar, si një atdhetar i vërtetë. Të parën vepër ai ia kushtoi Shkodrës, qytetit të tij të dashur dhe përshkroi qëndresën heroike gjatë rrethimit një vjeçar. Një histori dramatike e një lufte për jetë a vdekje të banorëve të një qyteti të rrethuar. E titulloi « De obsidione Scodrensi » (Rrethimi i Shkodrës). Njohuritë e autorit të Skënderbeut për humanizmin europian e bëjnë Shuteriqin ta konsiderojë veprën dhe idetë e saj si jehonë të fuqishme të kësaj rryme, e ta cilësojë pastaj si prirje të humanizmit shqiptar që s’mund të ndahet nga humanizmi italian. « Vepra e Barletit, thotë autori, ndihmoi që të bëhej një kapërcim i madh i dokumentuar nga kronikat mesjetare në një histori humaniste të shkruar Ka pastaj shkrime për « Mesharin » e Gjon Buzukut, për « Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë » e Sami Frashërit etj.

« Historia e Letërsisë Shqipe », 1983 (1955, 1959)

Ajo u shkrua tri herë : prej Dhimitër S. Shuteriqit më 1955 për shkollat e mesme ; prej një ekipi për universiteitn më 1959 ; prej një ekipi të Akademisë më 1983, nën drejtimin e Dhimitër S. Shuteriqit. Vepra synon të bëjë sintezën shkencore të rezultateve që janë arritur nga studimet tona. Dihet se më 1946 ai përgatiti një antologji për programin e Ministrisë së Arsimit, duke e konsideruar si një tekst të plotë, sepse letërsia e vërtetë nuk varet nga konjukturat politike. Kjo gjë në shtetet klasore është një gjë e pamundur, ndaj tekstit iu hoqën autorë që konsideroheshin ose bashkëpunëtorë të fashizmit ose kundërshtarë politikë.

Pavarësisht nga kjo teksti përfundimtar i përfshin mirë të gjitha periudhat zhvillimore të letërsisë shqipe, duke nisur me dokumentet e para të shqipes së shkruar, duke vazhduar me autorët e mëdhenj të letërsisë së vjetër shqipe, me autorët e letërsisë së Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë dhe të Realizmit Socialist. Lënda parashikonte një kapërcim të nevojave të programit, por gjithmonë pa shkelur kufijtë ideologjikë. Pjesët e zgjedhura shoqërohen me shpjegime fjalësh që hasen në çdo faqe. Autori duket një specialit i përkryer i fushës. Në përmbyllje të kapitujve gjindet një komentar, i cili për vepra të veçanta e çon lexuesin te burimi i lëndës, me të dhëna të tjera plotësuese. Por analiza e këtij teksti do të jetë objekt i një shkrimi të veçantë. Vetëm po citojmë se çfarë pune të mahnitshme bën Shuteriqi kur shpjegon dokumentet e para të shkrimit shqip. Të dhënat e tij të sakta e çojnë lexuesin drejt e te burimi. Bie fjala :

« Formula e pagëzimit (1462).

Nxjerrë nga faksimileja e botuar në revistën « Romania », Paris janar-prill 1926. Origjinali gjendet në bibliotekën Laurentiane të Firences, me këtë shënim katalogu : Ashburnham 1167. U zbulua nga dijetari rumun N. Jorga që e botoi në vëllimin IV të veprës së tij « Notes et extraits pour servir à l’histoire des croisades au XV-e siècle, Bukuresht 1915. »

Vepër e veprave

Gjatë studimeve, që bëhen mijëra e mijëra faqe kushtuar problemeve të ndryshme të shqipes së shkruar në dokumente dhe pastaj në vepra letrare madhore, sidomos gjatë mesjetës dhe Rilindjes Kombëtare e që përbëjnë në vetvete themele të sigurta të një letërsie, Shuteriqi grumbulloi materiale të shumta, me të cilat përpunoi një skedar. Janë rreth 35 mijë fashikuj të një cilësie dhe varieteti dokumentar, që i japin atij një shugurim tjetër postume, atë të një virtuozi në kërkimet shkencore të letrave shqipe. Po të marrim parasysh se gjatë baccaloreat-it, në vitin e fundit të liceut, para se të nisej për studime në Francë, në të parin artikull studimor të titulluar « Për drejtimet e reja letrare », që do të shënonte edhe hapin e tij të sigurt në rrjedhat e vështira të historisë së letërsisë, përdoren disa referenca, del se ai është marrë me studime tërë vitet e jetës së vet intelektuale. Skedari është një objekt i gjallë, një vepër shkencore e pafundme që vjen në ditët tona me një formë të lirë, natyrore, jo vetëm si punë shkencore e vetvetishme, por edhe si vepër krijuese që ka luajtur rol në përpunimin e shkrimtarit si studiues i librave e si qëmtues i dokumenteve të rëndësishme shkrimore. I dashuruar pas punës, besnik dhe egoist për të, me anë të këtij skedari Shuteriqi tregon se libri mbeti e vetmja përparësi e tij deri në fund të jetës. Kështu ato u shndërruan në një vepër më vete që i shtohet corpusit të veprës së këtij gjigandi të kulturës shqipe. Pavarësisht nga erërat ideologjike të kohërave, përkushtimi i Dhimitër S. Shuteriqit ndaj kulturës, dëshmon se krijuesi i vërtetë e gjen veten në çdo kohë dhe kudo qoftë. Pikërisht për emrat e përfolur me ose pa të drejtë e të « mallkuar » me heshtje para ‘90-ës si bie fjala Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Mitrush Kuteli e ndonjë tjetër, skedari është shumë i pasur, me komentarë letrarë që arrijnë deri në dyqind, treqind apo edhe katërqind fashikuj. Konkretisht dokumentet që flasin për gjuhën letrare shoqërohen me të gjitha të dhënat e duhura si : « F. Konica, 1897 / Albania, I, 1, A4 / « Ne s’kemi gjuhë të përbashkët, prandaj kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur të këqia për neve të mjerët….Eshtë nevoja të hedhim themelet e reja të gjuhës letrarishte » ; Duke shkruar për asimilimin e fjalëve të huaja në gjuhën shq.(ipe F.P.) Konica përmend një artikull të Guillaume Apollinaire « Lufta e fj.(alëve) frënge në Gjermani, bot.(uar) në « L’Européen », Albania, 1903, fq. 83-84-8F 1964, 3, 194 ». Te dokumentet që përmbledhin gjithçka që ka gjetur ai me interes për Pjetër Budin, mund të lexosh edhe shënime të tilla orientuese : « P. Budi, Petrota 75, 457 { « Budi savete scrivera una gramatica albanese ». Ose : « Buzuku-Buzulchi / Corporum Valentini, sagjio,30 (sp. A. Kelmendi në Kuvendin e I të St.(udimeve) ilire, T.(iranë) 1974, II, 145 ». Ose për Buzukun shënon edhe këtë gjë : « 1545-1563, Buzuku, Koncili i Trentit, 1555 zgjidhet papë Pin IV dhe zhv.(illohet) inkuizicioni ; 1556 vdes Loyola ». Ose : « Leka 1937 , Mjeda bën dy vjet të Meshtarisë në Laval të Francës e pak në Spanjë » etj. Në këtë pikë ne do të thoshim se ky është një zë i ri, një regjistër i veçantë i magjishëm që do të marrë çdo ditë një kuptim të madh, sepse aty janë zanafillat tona kulturore e letrare, ato të moçmet për të cilat romakët e lashtë kishin një kuptim të veçantë, duke i quajtur ato të reja. Gjërat për ta, thotë shkrimtari i shquar bashkëkohor francez Pascal Quignard, që e ka studjuar me imtësi historinë romake, sa më të moçme të duken, aq më të reja janë në të vërtetë. Kërkimi i burimeve ishte për Shuteriqin si uji jetëdhënës, e ndihmonte për të argumentuar e për t’i dhënë një shprehësi shkencore veprës së tij studimore. Por nga ana tjetër ajo i dha formë edhe një pune, e cila do të mbetej pasuri për brezat e studjuesve të ardhmë të letërsisë e të kulturës. Janë mijëra e mijëra skeda që presin dritën e jetës për t’u futur nëpër studimet e librat që do të vijnë. Si rrjedhim shënimet nëpër skeda u bënë një natyrë e dytë e punës së tij. Dhe prandaj ai herë pas here u nxit t’u jepte këtyre studimeve formën e një vepre shkencore. Duhet theksuar se skedat për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun përfshijnë pesë sirtarë duke përmbledhur në to edhe shënimet për : Arbër, Aranit, Marafiot, Rilindje, gjithmonë në funksion të figurës qendrore, Gjergjit dhe historisë së Shqipërisë, që nga origjinat. Skedat me këtë subjekt u bënë të panumërta dhe përfshinë në mënyrë të plotë periudhën e Skënderbeut e para tij, që më 1379 kur u zhvillua inkursioni i parë turk në tokat shqiptare. Duke parandier një rënie të shëndetit, më 1992, Shuteriqi hartoi një renditje më të saktë kronologjike të këtyre skedave dhe i shoqëroi me shpjegime që dëshmojnë se ai ishte një princ edhe në fushën e historisë. Dorëshkrimin e titulloi « Moti i madh », ashtu si e kishte quajtur njëqid e ca vjet më parë epokën e Skënderbeut, poeti i madh i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada. Sidoqoftë ai e kishte treguar që në vitet ’60 me botimet mjeshtërore për principatën e Arbrit dhe për Gjorg Golemin e Aranitët sesa shumë e interesonte historia e hershme e këtij trualli. Dorëshkrimi ndenji mbi tryezën e tij të punës, duke pritur plot katërmbëdhjetë vjet, derisa tre vjet pas vdekjes së tij, më 2006 e botoi shtëpia botuese « Dituria ». Në parathënien e asaj kohe e që është viti 1993, të shkruar jo më kot më 7 prill, ndër të tjera Shuteriqi shkruan : « Në këto vite të pleqërisë së shkuar, duke iu hakërritur sadokudo vetvetes përpara atij skedari, një ditë të vitit që kaloi thashë : Bëj një punë, tani në shkurtim të urëve, sistemoje këtë skedar e bëje gati për të ndërtuar kronologjikisht një libër me përmbledhjet e shënimet që ke nxjerrë ; bëhen dokumente shumë dhe autorë jo pak. Do të rijetosh, në këtë thyerje të ditës, madhështinë e diellit që bie. Diell qe Skënderbeu. Kush do t’i lexojë këto faqe, ka për të ndier si ti. Dhe mëse njërit mund t’i vlejë kjo punë për të shkruar për ato kohëra lavdie », ( fq.10).

Skedari i tij, një punë e gjatë, e shoqëruar me një pasion të mundimshëm pret që të « kolaudohet » e të shndërrohet në një instrument pune për historianët e letërsisë e të kulturës. Ai duhet të vendoset në Bibliotekën Kombëtare në sallën shkencore, pranë skedarëve shtetërorë të albanologjisë e të quhet « Skedari i Dhimitër S. Shuterqit », duke u bërë kështu pjesë e kulturës kombëtare, ashtu si edhe mbase qe ëndërruar nga autori në vitet e fundit të jetës . Ai e kishte shqetësim fatin e tij që mban brenda ditë dhe net pune të përkushtuar. Nëse Ministria e Kulturës do të ndërmerrte nismën për t’i shpënë te studiuesit, frutet e punë së tij, do t’i bëhej shërbimi më i thjeshtë punës së madhe të këtij punëtori të palodhur të letrave shqipe dhe një shërbim i madh kulturës sonë. Ashtu si rilindësit që krijuan Shqipëri, kur ajo nuk ekzistonte e mbi të frynin erërat mesjetare, ashtu edhe ai krijoi një vepër të plotë për Shqipërinë, për historinë e shkrimit dhe të kulturës së saj, në një kohë kur Shqipërisë nuk i përçmohej identiteti. Ndryshe nga shumë shkrimtarë dhe kritikë bashkëkohës, ai arriti të përvijonte një veçori të individualitetit të tij krijues, duke kapërcyer kufijtë intelektualë të shoqërisë në të cilën jetonte e duke krijuar një megadisiplinë. Dispozita universale e të menduarit, shkrimtarin e madh e paraprin në çdo punë, prandaj skedari i Shuteriqit mund të quhet me plot të drejtë Vepër e veprave.

Përfundime dhe ide

Kur njihesh me veprimtarinë e Dhimitër S. Shuteriqit gjithnjë i bën vetes pyetjen retorike : Ku e gjente, vallë, ai njeri kohën për t’u marrë njëherësh me shumë punë? Sepse përveç veprave shkencore, janë veprat e tij letrare : tregime, romane, poezi ; janë vizatimet që përbëjnë një fond prej 2000 portretesh ; janë leximet e panumërta ; janë ditaret dhe komentarët e shumtë. Kjo është enigma misterize që mbështjell dhe shoqëron njerëzit e mëdhenj, enigmë e cila nuk shpjegon dot përse ata kryejnë vepra që dalin jashtë mundësive dhe kohës që i jepet njeriut të zakonshëm në dispozicion. Shumësia e interesave të tij që në moshë të re dëshmonte se potenciali i tij intelektual ishte i madh. Librat e lënë në dorëshkrim, « Fjalori i Naim Frashërit » dhe « Fjalori parabuzukian », të cilat presin të botohen ashtu si librat « Moti i Madh » dhe jetëshkrimi për « Aranitët » që do të dalë së shpejti, vepra me kujtime « Fletë nga jeta ime », dy romane, me dhjetëra tregime që bëjnë një apo dy vëllime, ditare e dorëshkrime të tjera që mund të gjenden me kalimin e kohës, kur të njihet tërë trashëgimia e këtij kollosi të letrave shqipe, janë me të vërtetë një punë që nuk mund të përfytyrohet. Në këtë pikëshikim vepra e tij mbetet një « minierë fatlume » e kulturës sonë kombëtare. Sot brezat e rinj duhet të shohin me sy të kthjellët ato thesare që ndriçuan mendjen e atyre që përbëjnë shpirtin e kombit.

Puna me librin dhe dokumentin është pjesa e padukshme dhe më e vërtetë e veprimtarisë së Shuteriqit. Kërkimi i burimeve tona kulturore nuk lidhej me përditësinë, ajo ishte pjesë e asaj hapësire të epërme të kulturës që hyn në përjetësi. Prandaj shpesh ai është gjendur jashtë trazirave politike dhe ka vazhduar në heshtje atë punë që e shëndoshte shpirtërisht dhe e qetësonte mendërisht. Gjatë jetës së tij Dhimitri punoi me përkushtim prej rilindësi. I pyetur nga gazeta « Albania në lidhje me zhvlerësimin e shkrimtarëve të epokës komuniste, Ismail, Kadaré u shpreh : « Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet ne një « zë të vogël » pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që u përket dy kohërave. Përkushtimi i tij ndaj çështjeve madhore të kulturës deri në fund të jetës, mbeti si një urdhërim i madh shpirtëror me qëllime të larta.

Dhe meqë jemi një vit para 95-vjetorit të tij të lindjes e që do të ketë padyshim veprimtari përkujtimore festive, do të ishte mirë që nga instancat përkatëse të mendohej që emri i tij të përjetësohej me institucionin qëndror të librit, me Bibliotekën Kombëtare e cila duhet të mbajë përfundimisht emrin « Biblioteka Dhimitër S. Shuteriqi ». Ka ardhur koha të mendohet edhe për një shtëpi muze të Shuteriqit.

Askush si Shuteriqi nuk e kaloi nëpër duar librin e shkruar shqip dhe askush si ai nuk punoi për kulturën shqipe. Askush tjetër nuk e çmoi dhe nuk e ngriti librin në lartësitë e nderit. Vepra e tij do të mbetet një pikë referimi për të gjithë studiuesit e rinj të letrave shqipe

Me këtë veprim ne do të kryejmë një detyrim të madh atdhetar ndaj këtij « rilindësi të fundmë shqiptar », por edhe do të tregojmë se vlerësimi i personaliteteve të kulturës është çështje kombëtare dhe aspak çështje e ngushtë partish. Kombi dhe kultura qëndrojnë mbi partitë, mbi grupet dhe individët. Kombi dhe kultura e tij janë të përjetshme.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora