E premte, 19.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Editorial

Zëri i arsyes në shërbim të realitetit të Kosovës

E marte, 11.09.2007, 07:53 PM


COLADRI E DIPROJINT PËRKRAHIN VEPRIMTARIN NGA STUBLLA – ENGJËLL KOLIQI:

ZËRI I ARSYES NË SHËRBIM TË REALITETIT TË KOSOVËS

Engjëll Koliqi me Mark W. Atwood – prokurator në Qendrën Ndërkombëtare të Partnershipit Juridik “Sher Blackwell”, në Washington D.C.
Organozatorët e COLADRI (Conferência Latino-Americana de Direito e Relações Internacionais – Konferenca Latino-Amerikane e së Drejtës dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare) dhe drejtuesit e kompanisë DIPROJINT (Diplomacía e Projetos Internacionais – Diplomaci dhe Projekte Ndërkombëtare) i kanë mundësuar Profesor Koliqit takime me ambasadorë, ekspertë dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare, nga shumë vende. Përfaqësues të shumë universiteteve anekënd Brazilit i kanë kërkuar profesorit nga Kosova të mbaj ligjërata mbi realitetin historik dhe aktual të Kosovës dhe përgjithësisht të popullit shqiptar.

Shkruan: Caio WERNECK

Belo Horizonte, 11 shtator 2007. – Siç kemi informuar edhe më parë, në Konferencën e parë latino-amerikane të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare (COLADRI 2007), në kryeqytetin mineir Belo Horizonte, është përfaqësuar edhe Kosova – vendi më i vogël ballkanik, në pritje të njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror. Përfaqësuesi i Kosovës në këtë konferencë – Prof. Engjëll Koliqi, i ndihmuar dhe i përkrahur nga organizatorët e COLADRI-t – Prof. Dr. Roberto Luiz Silva – profesor i së drejtës ndërkombëtare e prorektor i Universitetit Federal të Minas Gerais-it (UFMG), në cilësinë e mbikëqyrësit kryesor dhe Diego Vasconcelos Valadares Neto, në cilësinë e ideatorit dhe të organizatorit kryesor dhe nga drejtueset e Ndërmarrjes Ndërmjetësuese për Diplomaci dhe Projekte Ndërkombëtare DIPROJINT – presidentes Dr Vera Lucia Alves Neves dhe drejtoresha e përgjithshme Esmeralda de Carvalho Castro, është takuar me shumë pjesëmarrës aktivë të konferencës – ambasadorë, ekspertë dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare, për të lobuar kështu mbi realitetin e Kosovës, në kërkim të njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror, nga bashkësia ndërkombëtare, deri në KS të OKB-së.

Engjëll Koliqi me operatorin e Shtëpisë së Produkcioneve Filmike “Supernova” – Carlos Mineiro dhe me drejtorin Carlos Henrique Ferreira
Ai, në të gjitha takimet – me përfaqësues të universiteteve të shumta braziliane dhe me ambasadorë, ekspertë e profesorë të së drejtës ndërkombëtare nga SHBA-të, India, nga Gana, Gjeorgjia, Bjellorusia, Kanada, nga Irani dhe nga Nigeria, ka trajtuar zhvillimet aktuale në procesin e vendosjes së statusit final të Kosovës. Në këto takime, nga të cilat pak më vështirë e kishte me përfaqësues të Ganës – Prof Koliqi i ka bindur të gjithë me argumentet historike, juridike, faktike e morale me realitetin e ri të Kosovës, në kërkim të njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror, si një identitet dhe etnitet i ri në Ballkanin e trazuar, si kompromis i fundit nga pala shqiptare. Me këto argumente ai i ka bindur bashkëbiseduesit se vendi i tij, me resurset e bukura njerëzore dhe natyrore, si një shtet i ri i dalë nga ky kompromis, do të jetë faktori kryesor i stabilitetit të rajonit ballkaniko-mesdhetar dhe do të shërbejë si shembull i mirë i zhvillimit të shteteve dhe të demokracive njerëzore. Që të gjithë e kanë shprehur bindjen se më në fund, edhe Moska zyrtare me komkpanitë e Putinit do të binden dhe do të jenë pjesë e kompromisit të bashkësisë ndërkombëtare, pas përfitimeve diplomatike e strategjike që do të kenë, dhe kjo çështje shumë e ndjeshme do të mbyllet së shpejti – sipas vlerësimeve, në mos jo në dhjetorin e këtij viti, më së largu në marsin e vitit të ardhshëm. Nga bisedimet me përfaqësuesit e vendeve të përmendura, që ka pasur këto ditë të konferencës Z. Koliqi, është kuptuar se të gjitha këto vende, veç Ganës, në rast të shpalljes unilaterale të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, janë të gatshëm ta njohin atë menjëherë.

Përfaqësuesit e Qendrës së Video Produkcionit “Supernova” – Carlos Henrique Ferreira e Carlos Mineiro i kanë kumtuar përfaqësuesit kosovar, se shtëpia e produkcionit të tyre, në bashkëpunim me televizionin publik të Minas Gerais-it “Rede Minas” kanë marrë autorizimin e Ministrisë së Kulturës, për xhirimin e filmit dokumentar “Engjëll Koliqi – Zëri i Kosovës”, në gjatësi prej 90 minutash, film ky që do të shfaqet në shumë festivale të filmit dokumentar.

Engjëll Koliqi me presidenten e DIPROJINT – Dr Vera Lucia Alves Neves dhe me prorektorin e UFMG – Prof Dr Roberto Luiz Silva
Profesorë dhe përfaqësues të shumë universiteteve braziliane e kanë ftuar profesorin nga Kosova për ligjërata mbi realitetin historik dhe aktual të vendit dhe popullit të tij, që do t’i fillojë të mërkurën e 11 shtatorit në Universitetin FUMEC, në Belo Horizonte. Mbikëqyrësi i kësaj konference – prorektori i Universitetit Federal të Minas Gerais-it – Prof Dr Roberto Luiz Silva, i ka dhënë atij dokumentacionin komplet të këtij universiteti, adresuar Universitetit të Prishtinës, për të filluar bashkëpunimin e rregullt në mes këtyre dy universiteteve publike. Grupe studjuesish dhe ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare, kanë shprehur interesimin për vizita të organizuara në Kosovë, për të mësuar realitetin e atjeshëm nga afër, për çka Z. Koliqi i ka falënderuar dhe i ka siguruar me garanci për mikpritje tradicionale shqiptare.
Duhet theksuar faktin se Prof Engjëlli, që të gjithë bashkëbiseduesve, si edhe të gjithë pjesëmarrësve, gjatë ligjëratës së tij, ua ka përcjellur përshëndetjet e Presidentit të Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu-t.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora