Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Identiteti shqiptar

| E marte, 11.09.2007, 07:18 PM |


Nga Dorian Kociu

Në poemën epike “Odisea” të Homerit, ka një pasazh interesant që meriton vëmendje. Kur Odiseja gjendet i zënë në kurth në shpellën e Polifemit, i pyetur nga ai se kush është, për të mos zbuluar identitetin e vet, kthen përgjigje se është “Askushi”. Natyrisht, që Odiseja e dinte shumë mirë se kush ishte dhe po kështu, po aq e qartë do të ishte dhe për të tjerët se ç’përfaqësonte heroi i Trojës nëse shqiptonte emrin e tij. Problemi në të vërtetë nuk qëndron kur persona të veçantë ngatërrojnë identitetin e tyre, as kur për një arsye apo tjetër duan të identifikohen me një identitet të rremë, por kur ky ambiguitet shtrihet në rrafshin kombëtar, ashtu siç na ka ndodhur shpesh ne shqiptarëve në histori, atëherë kthehet në një “nyje gordiane” që kërkon zgjidhje.
Si çdo “nyje gordiane” që është e koklavitur, por dhe që zgjidhjen e ka po aty para nesh, përpara se t’i biem shkurt duke “e prerë me shpatë”, duhet të analizojmë se si arritëm të ngatërrohemi deri në atë pikë. Përpara se të tjerët të na thërrasin me një emër apo të vetëquhemi si të tillë, ne duhet të kemi të qartë se kush jemi, dhe nga vijmë. Në këtë kuadër, memoria kolektive historike luan një rol shumë të madh në formimin e identitetit të një kombi. Nuk përjashtohen raste si ai i Zvicrës, kur “harresa kolektive” ka shërbyer më shumë për forcimin e identitetit kombëtar sesa kujtesa, duke harruar qëllimisht se vetëm një vit më parë se të formohej Konfederata Zvicerane, kishte pasur një luftë civile midis kantoneve që çoi në krijimin e konfederatës. Shqiptarët, në dallim nga rasti i Zvicrës, ashtu si dhe gjithë kombet e tjera të Ballkanit, zgjodhën kujtesën historike për të formuar identitetin e tyre kombëtar. Gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare, ata zgjodhën si simbol të zgjimit të tyre kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe rrjedhimisht një nga armiqtë e tyre dhe shtetin turk, që kishte ndërprerë ecjen normale së Shqipërisë sikundër ana e tjetër të Adriatikut.

Një përpjekje titanike filloi nga ana e rilindësve, për të “zgjuar” një komb që flinte në dafinat e identiteteve të rrema. Si rezultat i ndarjes fetare, shqiptarët duke mos pasur dhe shkollë kombëtare e gjenin veten sa turq, grekë apo latinë e sllavë, sipas riteve fetare që ushtronin. Problemin më të madh që pati shteti turk në Ballkan nuk e kishte me popullsitë e krishtera të vendeve fqinjë pasi atyre, duke i konsideruar si të huaja, kur erdhi kalbja e perandorisë e pati më të lehtë për t’iu njohur pavarësinë shpeshherë dhe në kurriz të tokave shqiptare, por me Shqipërinë, ku popullsia përbënte pothuajse dy të tretat myslimane, që ishte dhe besimi zyrtar i Perandorisë. Shqiptarëve, Porta e Lartë u mohoi çdo përpjekje për t’u afirmuar si komb, duke mos u lejuar zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së tyre madje as administrimin e vilajeteve shqiptare në një të vetëm. Kjo luftë e heshtur dhe e ndyrë, që shpesh here pretendohej se bëhej dhe në emër të ruajtjes së “identitetit” të shqiptarëve nga fqinjët dhe që fatkeqësisht zë vend tek-tuk në shkrimet e disa studiuesve tanë, bëhej ne fakt në emër të ruajtjes së perandorisë. Porta e Lartë kërkonte të sanksiononte përjetë edhe pushtimin territorial, duke e kthyer vendin tonë në një “Turqizë të vogël”, pasi kish arritur më parë atë shpirtëror, nëpërmjet fesë dhe kulturës lindore. Mohimi i arsimimit në gjuhën kombëtare nxiti fenomenin e njohur të “grekomanëve”-shqiptarëve, që duke mos gjetur mundësinë për t’u arsimuar në gjuhën e mëmës, arsimoheshin në greqisht dhe që Patriakana mundohej t’u blinte shpirtin. Ky ishte një nga “peshqeshet” e shumta të politikave shkombëtarizuese që turqit ndiqnin ndaj shqiptarëve.

Janë të shumta rastet në historinë e afërt të shqiptarëve kur Porta e Lartë veproi kundër interesave tyre. Kështu p.sh., në tratativat që bëheshin me Greqinë në prag të luftërave ballkanike, diplomatët turq propozonin zgjerim territorial të Greqisë në Epir dhe në këmbim dëshironin të mbanin ishujt e Egjeut për të sanksionuar hegjemoninë e tyre në rajon. Po kaq lehtë Porta e Lartë, në prag të rënies së saj agonuese i copëtoi në katër vilajetet shqiptare, nga tre që ishin, duke marrë si kriter bazë besimin fetar dhe jo kombësinë. I dyshimtë mbetet fakti se si këto ushtri të dobëta turke, që ishin shpartalluar aq lehtë në luftërat ballkanike nga ushtritë e vogla ballkanike, dy vjet më vonë mbrojtën heroikisht Galipolin në Gadishullin e Azisë së Vogël, nga sulmet e ushtrive moderne anglo-franceze.

Duke vlerësuar këto fakte dhe shumë të tjera që gjenden në arkiva, të bëra dhe publike si rasti i marrëveshjeve për ndërrimin e popullsive midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë apo Greqisë dhe Turqisë, të cilat kanë dëmtuar strukturën etnike të trojeve shqiptare, tingëllojnë të çuditshme referencat që dëgjohen herë pas here në disa qarqe studiuesish se “ushtari turk nuk ka qenë i njëjtë me andartin grek dhe çetnikun serb”, apo për “vëllazërinë e pandarë turko-shqiptare”. “Akraballëku”-kushurillëku shqiptaro-turk siç e vlerëson me të drejtë politikani dhe studiuesi shqiptar Arbën Xhaferri, vetëm sa dëmton identitetin tonë dhe i jep rrugë spekulimeve të ndryshme rreth kombit dhe çështjes shqiptare. Fati i Shqipërisë është shkëputur me kohë nga ai i Turqisë, përpos “nën thundrën e përdhunës” kanë qenë bashkë për një periudhë të caktuar dhe në perspektivën e vet evropiane, Shqipëria ka nevojë të riforcojë lidhjet e vjetra me Evropën, pasi përbën një nga truajt e vjetër ku qytetërimi evropian ka filluar. Ne duhet të ndihemi njëlloj të irrituar kur ngrihet flamuri turk nëpër festa, po aq sa ndihemi të irrituar kur ngrihet flamuri grek apo serb. Raste të tilla, siç qe skena e synetllëkut masiv në një fshat të Librazhdit, që përveç simbolikës fetare që duhet respektuar valëviteshin dhe flamujt turq, të kujtonte mbledhjet e jeniçerëve- gjakut tonë të shprishur që ushqente ushtritë otomane, duken të papranueshëm për identitetin tonë kombëtar. Këtë dilemë e zgjidhën rilindësit tanë, të cilët pa përjashtim orientuan Shqipërinë e shekullit të XIX drejt Evropës, dhe s’kemi pse ne brezi i tretë i tyre në shekullin e XXI ta kemi.

Lidhjet historike krijohen mbi bazën e njëjtë të origjinës dhe të besimit fetar, por përderisa shqiptarët nuk kanë të përbashkët me turqit origjinën dhe e kanë bërë zgjidhjen tyre instinktivisht që në vitin 1912, kur Faik Konica shkruante në një artikull drejtuar myslimanëve shqiptarë, se “myslimanët shqiptarë duhet të ishin të afërt dhe sinqerisht të bashkuar me të krishterët” për të formuar kombin shqiptar dhe më pas i këshillonte që “ta mbanin fenë Islame, por në të njëjtën kohë të largoheshin nga e keqja politike që vinte prej saj: identifikimi nga të huajt i shqiptarit mysliman me turkun”, s’kanë pse të identifikojnë vetveten me lidhje historike të paqëndrueshme. Koha tregoi se shqiptarët i bënë të vetat këto gjykime në vigjilje të shtetit të tyre dhe koha, si gjykatësi më i mirë, e ka treguar se ky ka qenë një nga gjykimet më të urta që shqiptarët kanë ndërmarrë në jetën e tyre politike si komb.