E enjte, 25.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Kah po ia mbajmë?

E diele, 16.08.2009, 04:12 PM


Kah po ia mbajmë?

E megjithatë, ka disa parime dhe vlera universale të cilat i përqafojmë në përpjekjet tona për të mos e lënë Historinë në vetminë e llahtarshme të së Keqes. Jemi këtu, në kohën tonë, pikërisht për këtë.

Nga Arben Idrizi

Muaj më parë ndava mendjen të përktheja një pasthënie të romanit Underground të Harumi Murakami-t për t’ia dhënë lexuesit të revistës “MM” (që sapo ka dalë në qarkullim). Ishte një reagim, apo të themi, kisha një arsye (pakëz ndoshta personale e pakëz shoqërore – sado që këtë të dytën e them më me druajtje), për ta bërë këtë që përndryshe s’do ta kisha bërë. Pasthënia në fjalë qëndron në vete si një ese i mrekullueshëm, por natyrisht jo për këtë edhe shterues, rreth ca problemeve, siç janë disa veprime të dhunshme të kulteve, sekteve, etj.

S’do mend, shqetësime të kësaj natyre tashmë kemi edhe ne. Edhe ne, pra, jemi potencialisht në vagonin e vendeve që përballen e do të përballen me dhunën e ekstremizmit fetar, përkatësisht islam.

Çfarë e bën të fuqishëm dhe përgjithësisht të qëndrueshëm esenë e Murakami-t është një pyetje esenciale, në dukje e thjeshtë po në fakt bukur komplekse. Cila është historia (tregimi) që ne ia kundërvëmë historisë së “atyre”?

Sigurisht, tregimi i dhunës kundër dhunës (edhe pse më i praktikuari, kurdo e kudo) nuk është i preferueshëm në një botë të ëndrrave, shpresave dhe përpjekjeve për paqe, dashuri, mirëkuptim, tolerancë, rend demokratik.

Edhe kur një tregim rezulton i dhunshëm, nga cilado anë, ai në parim dhe në zanafillë zakonisht është i mbështjellë nga një referencë (propagandistike ose të besueshme) themelore humane. I premton masës një të ardhme më të mirë, në këtë ose në atë botë – duke i ofruar në mbështetje parime e vlera që i konsideron më të avancuarat. E megjithatë, zakonisht, mëton t’ia arrijë qëllimit për “ne” edhe me dhunën, si mjet të përkohshëm ose të domosdoshëm, por që në të vërtetë mbetet në fuqi më gjatë. Për këtë i jep vetes gjithmonë një arsye (leje): hyjnore, kombëtare, njerëzore, etj.

Kjo është karakteristikë edhe për religjionet që arrijnë qëllimin, edhe për çarjet që krijohen brenda tyre në forma kultesh, sektesh a grupimesh të tjera, të cilat në vijim thirrën në një fondament të tërësisë, i cili duhet ruajtur i paprekur. Kjo po ashtu është karakteristikë edhe për lëvizjet politike, shoqërore, kulturore; revolucionet, etj. Edhe këtu pastaj mund të pasojnë çarje të atilla, në formë lëvizjesh më të vogla, që po ashtu thirren në një fondament të një ideali, i cili duhet ruajtur i paprekur, të cilin përfaqësuesit dhe masa e kanë “tradhtuar” dhe të cilin tash duhet ta rikthejnë në fuqi “ata”. Tregimi i “tyre” është më joshës për momentin, andaj edhe më shpërthyes, në çdo kuptim të fjalës.

Në shoqërinë tonë e kemi këtë fenomen. Në kampin religjioz (islam), kemi çarjen që përfaqësohet nga ekstremistët islamë. Në kampin politik kemi njëfarë çarjeje (sado e papërcaktuar dhe konfuze), jo aq të frikshme dhe të vendosur sa e para, që paraqet Lëvizja “Vetëvendosje”; ose siç do të mund të paraqisnin ato formacione (ndoshta fantazmë) militare, të cilat i njohim nga komunikatat e tyre virtuale apo nga grafitet nëpër mure e tabela aty-këtu.
Të sqarojmë për çdo rast se çfarë ngjet me ekstremizmin islam shkon më larg (në kohë dhe gjithsesi në hapësirë) se ajo që zakonisht ngjet me një sekt, kult, veprimi dhe mundësitë e të cilit janë më të kufizuara, e po ashtu ndoshta edhe qëllimi.

Tregimi “ynë” i “përgjithshëm” politik megjithatë, në dukje, mbahet i fuqishëm dhe ka mbështetjen e pranueshme. Tentojmë të ndërtojmë një shtet laik e demokratik, me një angazhim të momentit për t’u integruar në BE apo në struktura të tjera më të gjera politike, ekonomike e ushtarake dhe këtu konsensusi shoqëror është i pamohueshëm. Përveç atyre çarjeve që e kundërshtojnë në mënyrat e tyre tipike: ekstremistët islamë (e ndoshta edhe “të moderuarit” – edhe kur s’e thonë këtë) sigurisht se nuk e duan një shtet laik; çarja në kampin politik rrah çekanin e padurimit dhe mohimit të arritjeve mbi pjesën e “ndarë” të territorit pas luftës së fundit, e një pjesë e tyre edhe bile mbi pjesën tjetër të ndarë më herët.

Kur ekstremistët fetarë s’e duan një shtet laik është vetëm një pjesë e problemit. Kur s’e pranojnë as mënyrën e praktikën religjioze të “vëllezërve” dhe religjionin e kulturën e Tjetrit – është pjesa tjetër e problemit, që e kulmon Problemin. Në këtë Problem ndeshim ne. Jo që ka lindur ndër ne, por është bartur ndër ne në një mënyrë pothuajse të pabesueshme dhe aq të shpejtë sa na ka zënë fjetur. Për këtë edhe pasojat janë e do të jenë më të rënda për vetë shoqërinë në tërësi, atë fetare dhe atë laike. Në atë depërtim, mund të besojmë, në mungesë studimesh sociologjike, ka ndikuar periudha menjëherë pas luftës: gjendja e rëndë politike, ekonomike, kulturore, psikologjike, shpirtërore. E shfrytëzuar natyrisht me mjeshtri nga përfaqësuesit dhe ithtarët e atij ekstremizmi jashtë vendit, e me përkrahjen e atyre brenda vendit që ishin të gatshëm t’i ndihin dhe t’i ndjekin besnikërisht në atë ideologji. Viktimat e tyre (ithtarët që u besojnë verbërisht) vijnë më pas në hierarkinë e zhvillimeve.

Jam shumë i vetëdijshëm se këto janë konstatime vetëm sipërfaqësore.

Të rikthehemi te Murakami. Ideja e tij, do të thosha paksa e vagullt, është që të ofrohet një tregim i ri. Por, them, pikërisht këtu futemi në telashe. Sepse mohimi, ndoshta në kuptimin e nevojës së tejkalimit, i tregimit “tonë” “të vjetër” na vë në kontradiktë vetë ne. Sidomos përderisa s’do ta kemi kohën e nevojshme për tregimin “tonë” (të shumicës, të mbështetur në një buonsens) të ri më të pranueshëm se ai i “atyre”, ekstremistëve, që në radhën e vet paraqitet si ri dhe për t’u imponuar po ashtu.

A është problemi te tregimi “ynë” jobindës për atë pjesë të kredhur te çarja apo te vetë natyra e qenies që “ata” përfaqësojnë? Pse nga një fragment shoqërie nuk pranohet tregimi i “përgjithshëm”?

Ndoshta vërtet historia “jonë” është me shumë të meta, të cilat ne s’i njohim ose mbase edhe i injorojmë, i ballafaqojmë me neglizhencë.
Reagimi i shtetit (laik), (këtu si një organ thjesht i rendit) – dihet. Ai e ruan veten edhe pa zgjedhur mjete dhe me çdo kusht. Do të thotë i lufton pa mëshirë të gjitha ekstremizmat. Politike e fetare. Më shumë se reflektiv dhe pritës është pragmatik dhe reagues (instinktiv).

Ndoshta shqetësimet tona janë të tepërta. Ndoshta gjërat ndjekin rrjedhën e tyre të natyrshme të domosdoshme a të paracaktuar, që disi po ashtu do të thotë edhe se fiton ai që është më i fortë në kohën e vet, për t’ia lënë vendin dikur atij që do të vijë më i fortë për kohën e vet. Një pasndjekje e pashmangshme e gjërave, ideve, sistemeve, rendeve. E megjithatë, ka disa parime dhe vlera universale të cilat i përqafojmë në përpjekjet tona për të mos e lënë Historinë në vetminë e llahtarshme të së Keqes. Jemi këtu, në kohën tonë, pikërisht për këtë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora