E enjte, 25.04.2024, 03:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Scarlett Johansson, Vejusha e zezë e Hollivudit

E diele, 16.08.2009, 08:37 AM


Ajo është një nga femrat më të bukura të Hollivudit, është imazhi i "Mango" dhe vejusha e zezë në filmin "Iron man II", ku luan rolin e spiunes Natasha Ronanoff

Ajo është një nga femrat më të bukura të Hollivudit, është imazhi i "Mango" dhe vejusha e zezë në filmin "Iron man II", ku luan rolin e spiunes Natasha Ronanoff. Besoj se të gjithë e keni kuptuar se bëhet fjalë për Scarlett Johansson, bukuroshen që për të interpretuar rolin e ri në film, iu desh të humbiste shtatë kilogramë. "Me një dietë të rreptë kam arritur të humbas shtatë kilogramë", ka deklaruar ajo. Por jo vetëm kaq, Scarlett është për momentin edhe një nga aktoret më të mira në Hollivud. Shumë mendojnë se ajo do të jetë edhe protagonistja në një film të ri që do të flasë për jetën e Merlin Monroe. Sa i përket bukurisë nuk kemi ç‘të themi. Para pak kohësh ajo u cilësua si gruaja më seksi në botë. Për shumë njerëz, kjo mund të mos jetë diçka e re, por për divën më të kërkuar të Hollivudit ishte momenti i radhës pozitiv dhe një sukses që nuk ndalet. Scarlett u kurorëzua si femra më seksi e planetit nga revista e meshkujve "Playboy", në një klasifikim me 24 bukuroshe. Ajo la pas emra si Jennifer Lopez, Angelina Jolie dhe Paris Hilton. Po sipas kësaj reviste, ajo përfaqëson "kulmin e bukurisë dhe sensualitetit" të një gruaje. Si çdo yll Hollivudi, edhe bukuroshja 25-vjeçare tregon për të metat dhe virtytet e saj. Një nga frikërat e saj më të mëdha janë fotografët, që përpiqet t‘i shmangë me çdo kusht. "Janë shumë restorante dhe zona që mundohem gjithnjë t‘i shmang. Kjo ndodh zakonisht kur jam në Nju Jork, sepse aty më pëlqen të dal dhe të shëtis kudo. Megjithatë, çdo gjë është në rregull me ta. Mendoj se duhet të përshtatesh. E di që është vërtet e tmerrshme dhe e vetmja mënyrë është të ndryshoj vendin ku jetoj, por jam e sigurt se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, ndaj më duhet të përshtatem. Cila është alternativa? Nuk dua të lëviz asgjëkundi, më pëlqen të rri në qytetin tim", tregon ajo. Është një moment i artë për Scarlett Johansson, që përveç karrierës së saj kinematografike, po koleksionon kopertina revistash dhe fushata publicitare gjithmonë e më shumë. "L‘Oreal Make-Up", fushata për Louis Vuitton dhe Calvin Klein për parfumin "Eternity Moment". Nga ana tjetër, Scarlett tregon se është një njeri që përkushtohet në punë. "Jam një person i përgjegjshëm në punë. Kam vite që merrem me këtë profesion dhe nuk jam ai tip personi që shkon në punë me rreth tri orë vonesë ose ndoshta nuk shkon fare. Nuk jam kështu. Megjithatë, kjo ka të bëjë me faktin se unë e kuptoj shumë mirë se të gjithë duhet të shkojmë në punë, edhe pse të gjithëve na pëlqen të flemë edhe disa orë më tepër, por çfarë të bësh?

Por jashtë pune nuk kam aq shumë përgjegjësi. Nuk është njëlloj si të kesh fëmijë. Jam e lirë, nuk duhet të mbaj asnjë me para, por në të njëjtën kohë duhet të kujdesem për veten. Ndoshta mamaja ime nuk është dakord me këtë. Nëna më thotë gjithnjë: "Vajza ime, ti je tamam fëmijë".

Ushqimi

Të preferuarat: Kroasantë, fruta të thata, kos dhe mjaltë në mëngjes, ndërsa për drekë patate të skuqura, peshk në zgarë dhe verë. Por, ajo nuk është e fiksuar pas tyre. "Kur jam e uritur ha gjithçka", thotë ajo. Edhe pse shumë e cilësojnë si një femër që të lë pa mend për bukurinë, Scarlett përpiqet të tregohet modeste. "Nuk mendoj se tiparet e mia janë tërësisht femërore. Po, kam buzë të trasha dhe flokë të gjatë e të bukur. Por merrni dikë tjetër, si për shembull Penelope Cruz, ajo është vërtet femër. Ka qerpikë, vetulla e sy të mrekullueshëm dhe duket shumë femërore. Kur ngrihem në mëngjes dhe nuk kam bërë make-up-in, si tani, më duket vetja si mashkull". Kur Johansson pozoi për një set fotografik për revistën "Parade" dy vjet më parë, fjalët e thëna nga fotografi Andre Ekles bënë xhiron e botës:

"Ne folëm për fotografinë në përgjithësi, për fotografët e tjerë me të cilët ajo ka punuar më parë. Po ashtu folëm edhe për fluturat e lulet që duhet të çoja në shtëpi për të zbukuruar dhomën e vajzës sime katërvjeçare. Gjithashtu i tregova asaj se në 20 vjet punë si fotograf, shumë subjekte nuk më kanë lënë që t‘i bëja fotot ashtu siç do të kisha dashur vërtet. Kur ne mbaruam, ajo na falënderoi dhe përshëndeti çdo person që kishte ndenjur me të në ato dy orë. Scarlett ishte aq e bukur sa të linte pa mend".

Veshjet

Janë një nga pikat e saj më të dobëta. Thotë se në shtëpi ka aq shumë fustane sa nuk mund t‘i numërojë dot. "Fustanet më pëlqejnë shumë. Me to ndihem femër dhe më komode se sa me xhinse. Kam shumë të tillë në shtëpinë time", rrëfen Scarlett. Në të vërtetë, ajo është edhe modelja për shumë firma të njohura, ndaj e ka shumë të lehtë që pjesën më të madhe të veshjeve t‘i sigurojë prej tyre. "Unë blej shumë rrallë veshje. Vetëm ndonjëherë kur më ka ngelur ndonjë gjë në mend. Miqtë e mi stilistë dhe shoqet e mia modele arrijnë që të më plotësojnë të gjitha nevojat në këtë fushë".

Make Up

"Zakonisht më pëlqen të bëj tualet të lehtë. Buzët thjesht me një shkëlqyes, ndërsa sytë me pak ngjyrë të errët. Fiksimi im qëndron te flokët. Gjithnjë dua t‘i kem në formë të përsosur. Nuk shkoj në asnjë vend pa shkuar më parë te parukieri im", përfundon ajo.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora