E premte, 19.04.2024, 10:07 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Një kërkim historik i kulturës së Notit modern në Shqipëri

E diele, 16.08.2009, 11:29 AM


Një kërkim historik i kulturës së Notit modern në Shqipëri

Nga Besnik Dizdari

I.

Duket e rëndë, por është e vërtetë: në Shqipërinë e sotme mungon kultura e sportit të notit modern. Si prolog të gjithë kësaj historie po jap faktin më domethënës: Shqipëria është e vetmja midis 54 shteteve të Evropës e cila nuk ka një pishinë olimpike të notit modern! Ndonëse pishina të vogla, të mesme, apo turistike, pishina hoteliere apo vilash ka më shumë se asnjëherë tjetër në historinë e saj. I mungon pishina olimpike! Eshtë sikur të mos kishte asnjë stadium me fushë futbolli, pistë atletike dhe tribunë për spektatorët.

Ndonëse si themelim, sportin e notit ajo e ka ndër më të vjetrit…

X X X

Historia e notit për njerëzimin në të vërtetë është një prehistori. Më 1933-35, arkeologu hungarez Lásló Almásy zbuloi në Egjipt heroglife që i përkisnin mijëvjeçarit të pestë para Erës së Re, ku dukeshin figura njerëzore duke notuar, në një lloj stili të lirë madje. Popuj të tjerë antikë, etruskët, grekët, romakët i kushtonin një rëndësi të madhe notit për edukimin fzik të fëmijëve të tyre. Në Japoni noti njihet qysh në vitin 36 para Erës së Re. Japonia është vendi i cili në Shekullin XVII e përfshiu notin si mësim në shkollë. Vonë, më 1538, në Gjermani, humanisti Nikolaus Winmann në të famshmin dialog “Colymbetes, sive de arte natandi dialogues”, arrin të përshkruajë deri dhe stilin e bretkocës dhe të shpinës. Si sport mirëfilli, noti lindi në Angli më 1837 me organizimin e garave të para të vërteta nën kujdesin e “National Swimming Society” të sapothemeluar. Ndërkaq, më 1858, në Melburn, u zhvillua gara e parë ndërkombëtare në 100 jard. Por, ashtu si pothuajse për të gjithë sportet e tjerë, edhe për notin janë anglezët ata të cilët më 1869, duke krijuar federatën e parë sportive, përfshijnë në te edhe notin, duke u krijuar kështu klubet (shoqëritë) e para të notit. Më 1880 ata krijojnë “Amateur Swimming Association” nën anëtarësinë e të cilit janë 300 klube noti. Mû prej këtij organizmi do të lindë dhe ideja e kalimit të La Manshit me not, kalim i parë i të cilit realizohet më 24 gusht 1875 nga i quajtur Matthew Web. Ai noton pa ndalë për bukur 21 orë e 45 minuta në 61 kilometra të tanë, duke mbetur për 36 vjet i vetmi kalues i La Manshit.

Ky është noti dhe lindja e tij spektakolare, sot i sunduar nga Federata Ndërkombëtare e Notit (Federation Internationale de Natation - FINA) themeluar më19 korrik 1908 në “Manchester Hotel” të Londrës prej tetë shteteve (Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Britani e Madhe, Hungari dhe Suedi), anëtare e së cilës qysh më 1933 - çka duhet verifikuar - është edhe Shqipëria…

*

78 V J E T M E P A R E, M E 1931, Shqipëria Mbretërore ka guxuar të organizojë, natyrisht në kushte tejet të vështira dhe në det të hapur, Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Notit, organizim pionieristik që deri më sot askush nuk e ka vlerësuar ndër ne, ndonëse rrënjët e notit modern modest shqiptar janë aty, te ky vit 1931. Më parë, më 1929, Shqipëria kishte organizuar Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Atletikës, më 1930 Kampionatin e 1-rë të Futbollit dhe më 1931 këte të Notit.

E ndërsa kujton se Shqipëria kishte vetëm 7 vjet shtet të organizuar, nxitja mbretërore për kah sportet i bën nder të madh historisë sonë kombëtare, sepse kjo kulturë sportive, që sapo kishte vënë bazat e saj përmes edukimit fizik në shkollë, tash, përmes veprimtarive kombëtare duhej përçuar në jetën shoqërore, ashtu siç bënin prej vitesh shtetet më të përparuar të Evropës. Ndonëse, drejt me e thënë (interesant si shfaqet kjo shkrirje gjuhësore e paskajores së gegnishtes me tosknishten: “e thënë), Shqipëria nuk zotëronte as kushtet më fillestare për ndërmarrje kësisoji. Megjithate, guximi i pionierëve të vitit 1931, edhe në këte rast të habit.

Tregimi ynë për Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Notit, i përimtuar për herë të parë në këte shkrim, mû në këte vit 2009 të Shekullit XXI, përmes asaj që e quajtëm “pjesëmarrja masive e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Notit “Roma 2009””, thuajse të mahnit mû për guximin. Asnjë traditë, asnjë pishinë, qoftë dhe modeste, asnjë instruktor të mirëfilltë noti, asnjë trajner kësisoji të rangut. E, doemos, mjete modeste, mungesë e tanë përvoje. E megjithate papritmas, historia nis e shkruan faqen e saj të parë edhe për notin, kur tashmâ, të paktën nga pikëpamja organizative kampionatet kombëtare të atletikës së lehtë dhe të futbollit, kishin marrë udhë. Duke i qëndruar mbrenda vitit 1931, ky Kampionat i 1-rë i Notit iu hyn në mes si një risi javëve interesante të dy Kampionateve të dy sporteve të tjerë. Më 5 korrik kishte përfunduar Kampionati i 3-të Kombëtar i Futbollit, më 23 gusht starton ky i Notit dhe mbas pak, më 31 gusht 1931 ai i 3-të i Atletikës së Lehtë. Eshtë një verë e gjitha sportive kjo e vitit 1931, që shtang shqiptarët, sidomos durrsakët kur kujton se disa ditë më parë, në javorin 28 qershor – 5 korrik 1931, Teuta e tyre ishte bërë për herë të parë Nënkampione e Shqipërisë në futboll, duke iu dorëzuar SK Tiranës së pambërritshme në dy ndeshjet dramatike të Shekullit për Shqipërinë: 1-1 në Shallvare dhe për fat, 0-3 në Durrës! Qyteti i Detit dhe i Amfiteatrit antik që asokohe ende nuk ishte zbuluar, do ta gjente megjithate ngushëllimin e kësaj humbjeje te Kampionati befasues i parë për notin shqiptar…

Ngjarja e re daton më 23 gusht 1931. Durrës. Më saktë në molon e Durrësit. Kjo është data e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Notit në Shqipëri. Shtypi i kohës njofton:

“Të dielën, 23 gusht, ora 5 e mbrëmbjes u zhvillua në molon e Durrësit, Kampionati Kombëtar i Notit me një sukses fare të shkëlqyer, para një shumice të madhe populli midis të cilëve shquheshin Princërit e N. e tyre Hysen e Esad që ndanë çmimet në fituesit”.

Eshtë një Kampionat që zhvillohet mbrenda një mbasditeje të vetme, por është një themelim. I zhvilluar në vetëm katër gara, ky Kampionat i parë që tërheq kureshtjen e pamatë të gjithë qytetit bregdetar, përveç të tjerave, përbën veprimtarinë e parë sportive që i dha Durrësit titullin e parë të Kampionit Kombëtar në historinë e sporteve shqiptare. Në atë 23 agusht 1931 nis sundimi i gjatë durrsak në sportin e notit. Nuk mëtojmë në këte syzim historikoproblematik tonin, të përshkohemi në notin shqiptar të Mbasluftës, por vetëm në këte të viteve ’30, kur Mbretëria do të zhvillojë, jo pak por plot 7 Kampionate Kombëtare të Notit, të cilët kanë vetëm një fitues: Sportklub Teutën e Durrësit.

Kemi mundur të zbulojmë kampionët e parë të Shqipërisë në këte sport, tre nga katër prej të cilëve janë të Teutës së Durrësit:

Në 100 metra stil i lirë fiton Taq Dafa i Teutës, një figurë e hershme karizmatike e sportit shqiptar, fitoret e të cilit nuk do të ndalnin. Dafa fiton në një duel me bashkëqytetarin e tij Sulejman Goga dhe vendi i tretë bëhet pronë e Sulejman Toptanit të Sportklub Tiranës.

Në 200 metra stil i lirë përsëri Durrësi, kësaj here falë notarit të tij Nikolla Jukano, i cili ndiqet nga nënkampioni Muharrem Toptani i SK Tiranës dhe i treti që është Sezai Agolli i Shoqërisë Sportive Vlora.

Në 400 metra stil i lirë, kampioni ynë i parë kombëtar bëhet Todi Dhami i Dragojt të Pogradecit, dhe në vend të dytë e të tretë Mustafa Haçku i Teutës dhe Izedin Llusi i Vlorës.

Në 1000 metra kampion është Spiro Goga i Teutës, në vend të dytë Nikolla Jukano po i Teutës dhe i treti Muharrrem Toptani i SK Tiranës.

Ai duket si një duel midis durrsakëve dhe toptanasve të Tiranës, por me Vlorën dhe Pogradecin, qysh në ditën e tij të themelimit noti kryqëzon shpatat sportive në kahe perëndimorë dhe lindorë të Shqipërisë. Çudia është se mungon Shkodra, ajo që shpejt do të shfaqej edhe në skenën e notit. Natyrisht pa guxuar asesi të prekë sundimin e Durrësit. Ndërkaq, teknikisht gjithçka të duket modeste dhe e vogël. Flasin për këte edhe rezultatet pionieristike të arritura, tre prej të cilëve, mbas një hulumtimi jo pak të lodhshshëm, mundëm t’i gjenim: 1’36”4 në 100 metra, 3’7”4 në 200 metra, 9’ 5” në 400 metra. Vetëm kaq ka mjaftuar për ta shndëruar në festë të madhe mbasditen e largët durrsake të 23 gushtit 1931.

Ajo ishte një Shqipëri që kërkonte të kapërcente feudalizmin për të prekë shpejt oksidentalizmin, siç thuhej. Revista e njohur franceze “Revue International” i kushtonte ato dit një shkrim të gjatë kësaj Shqipërie “të panjohur”, duke theksuar se:

“Zhvillimi i Shqipnisë po bahet i vazhdueshëm dhe po ecën në kushte nga më të ndihmueshmit e ma trimnues… Sot Shqipnia po ecën ndaj rrugën e formimit të nji ndërgjegjeje kombëtare, e sigurueme plotësisht me indipendencën e rifitueme të sajën…”

Sporti dhe edukimi fizik bënin pjesë në këte zhvillim të hapave të parë, madje edhe të vetë një ndërgjegjeje kombëtare, qoftë edhe përmes sportit. Papritmas, edhe sporti i notit po bëhej pjesë e një katërsheje që sapo hynte në traditën e njinjisimit, vetvetësisë (identitetit) kombëtare: futbolli-atletika-çiklizmi-noti!

Krahas botimit të këtij shkrimi të “Revue International”, të bën përshtypje se diku aty pranë tij botohet lajmi që thotë se Shoqëria Kombëtare “Gruaja shqiptare” e kryesuar prej nënkryetares Emine Toptani dhe sekretares Parashqevi Qirjazi sapo qe kthyer prej “udhëtimit në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të biseduar dhe propaganduar nxjerrjen nga errësira të gruas shqiptare”. Pak më tej njoftohet se në largësinë Nartë – Vlorë, kishin guxuar të zhvillonin “një garë të madhe të automobilave”. Në Korçë kishin guxuar edhe ata në mënyrën e pasionin e tyre të zhvillonin një kampionat të papamë futbolli midis fshatrave të Korçës me sistemin shkuarje e ardhje: Drenova – Polena 3-0, Voskopoja – Dishnica 2-0, Boboshtica – Mborja 1-1…

Po a e trajtojmë në të vërtetë ne sot edhe sportin si forcë të këtij njinjisimi kombëtar?...

*

N G J A R J A I S H T E “V E T E M” N J E: Shqipëria kishte themeluar Kampionatin Kombëtar të Notit. Në librin e posaçëm “10 vjet Mbretni (1928-1938) të shtatorit 1938, gjej këte përcaktim emblematik për notin:

“Noti ka marrë nji zhvillim të math në të gjithë botën. Notin shumë kompetenta e quejnë sportin ideal. Tur kuptue randësin e tij, Federata “Vllaznia Shqiptare” âsht mundue që t’a perhapë sa mâ tepër në vendin t’onë. Për një qëllim të tillë organizon çdo vjetë kampjonatin kombtar të notit që zhvillohet në Durrës. Në kët kampjonat marrin pjesë të gjitha qytetet shqiptare, ku ka mundësi të praktikohet sporti i notit. Ditët e kampjonatit të notit janë nji festë e madhe dhe fort e bukur për Durrësin. Shqiptarët e kanë shumë në qejf kët lloj sporti dhe e shprehin krejt qartazi enthuziamin e tyre për te…”.

Në gjithë këte stil datuar 71 vjet më parë, në thelb gjen një ide që nuk të duket arkaike as sot: etjen për ta zhvilluar edhe në Shqipëri këte sport të vjetër sa njerëzimi.

Mbretëria shqiptare, siç thamë, organizoi me një ndalesë të vetme (1935) 7 kampionate kombëtare të notit: 1931, 1932, 1933, 1934, 1936, 1937, 1938, të fituara të gjitha nga Teuta e Durrësit. Dhe del se noti i rri pranë sportit më popullor në Shqipëri, futbollit, duke qenë se të dy këta, futbolli dhe noti, janë dy sportet që kanë zhvilluar më shumë kampionate kombëtare të Paraluftës: nga 7 kampionate secili. Çka e vë këte sport të një nobiliteti olimpik - e për te sot nuk shkruan e gati as nuk flet askush në Shqipëri - në dy sportet më themelues dhe më përfaqësues në historinë sportive kombëtare.

Nuk ka dyshim se mbas simbolikës të të parit, atij të vitit 1931, dy nga kampionatet më me përmbajtje prej këtyre të shtatëve janë ato të viteve 1934 dhe 1938. Më 1934 Shqipëria madje arrin deri aty sa të organizojë edhe kampionatin kombëtar të juniorëve, ndonëse nuk mund të thuhet se rritja e rezultateve përbën një hop. Vërtet që kemi të bëjmë me një rritje, por thjesht me një rritje graduale (shkallë - shkallë).

Kampionati i 4-t Kombëtar është zhvilluar më 26 gusht 1934 dhe ai shquhet për një pjesëmarrje më masive dhe një organizim të shkëlqyer për kohën në të gjitha kahet që ta marrësh. Bie fjala, çdo notar ka “një kësulë me numrin e shkruar”, çdo notar “duhet të jetë i federuar paraprakisht”, dhe “duhet të jetë nënshtetas shqiptar”. Duken si gjëra të vogla, mirëpo nuk mund të harrojmë se ishim në vitin 1934, jo 2009!

Kampionati ka një Juri të kryesuar prej Kolonel Aqif Përmetit, shef i seksionit “Djelmënia Shqiptare”dhe ka si sekretarë Hysen Çela e Telemak Nushi. Ndërsa anëtarët e kësaj Jurie janë emra të tillë si Hajdar Jakupi, Eqrem Stërmasi, Ymer Sharra, Besim Qorri dhe Irfan Tërshana – pothuajse të gjithë pedagogë universitarë të edukimit fizik në Shqipëri. Ndër të parët në histori.

E diela e 26 gushtit 1934 është një ditë vërtet e rrallë. Në “Molon e Re” të Durrësit siç njoftohet, janë të pranishëm “Princeshat Myzejen e Adile, princat, suita, anëtarë të kabinetit, trupi diplomatik”. Ekipet parakalojnë para tribunës së improvizuar ku ndodhet patronesha e sporteve, princesha Myzejen. Ekzekutohet Himni Kombëtar. Dhe mandej garat, që doemos janë gjithnjë nën sundimin e Teutës së Durrësit, ndonëse më në fund ka mbërritur dhe Shkodra. Por që nuk ia arrin të bëjë thuajse asgjë përballë forcës durrsake.

Kështu, Taq Dafa nuk ka rival në 100 e 1000 metrat. Po ta linin do t’i kishte fituar të gjitha garat, por rregullorja e rreptë e pedagogëve të mësipërm tashmâ lejonte pjesëmarrje vetëm në dy gara për çdo notar, jo më tepër.

Në 100 metra Dafa lë në vend të dytë e të tretë bashkëqytetarin e tij Tom Gjiri dhe Marjan Skanjetin e Shkodrës. Për autorin e këtyre rradhëve, dhe besoj se jo vetëm për te, befasia përmblidhet në garën e 100 metrave. Këtu Taq Dafa i famshëm triumfon ndaj Nënkampionit të ri Lin Shestani të Shkodrës, duke lënë në vendin e tretë një djalë 18-vjeçar nga Berati me emrin e panjohur Jusuf Vrioni! Qofsha i gabuar po kjo duhet të jetë ngjitja e vetme e derisotme e Beratit në podiumin “olimpik” shqiptar, nëse mund të krahasoja kësisoji, në një Kampionat Kombëtar të Notit.

Eshtë Jusuf Vrioni, prej librit të kujtimeve të të cilit, një margaritar i vogël i librave të kujtimeve në shqipet (botuar më parë në Francë), kam marrë thënien emblematike për kreun e këtij shkimi, thënie që bart vetvetiu edhe arësyen apo shkakun e botimit të trajtimit kësisoji përkujtues të këtij shkrimi. I ri, tepër i ri, as 18 vjeç, Vrioni i 75 vjetëve më parë, ai që do të bëhej përkthyesi i madh dhe për ne ndër përfaqësuesit më nobël të një aristokracie apo fisi të vjetër shqiptar, e kishte mësuar notin garues në pishinat e Parisit, ndonëse nuk mund të thuash se përballë tenisit dhe hokejt, ky polisportist shqiptar i stilit evropianoperëndimor të kohës, e kishte parësor notin. Do t’i ndërpritej edhe ky pasion kur 12 vjet më vonë, mû në një ditë të madhe sportive të Tiranës, kur ndërsa po bëhej gati të shkonte në stadium për të ndjekur ndeshjen historike Shqipëria – Jugosllavia (1946), do t’i vinin prangat mû në krye të rrugës që të çonte te Stadiumi Kombëtar. Ishim ende larg për të mbërritur te këputja e ëndërrave të këtij notari “par excellence” të Kampionatit tonë datuar 1934, por Jusuf Vrioni i bën nder edhe historisë së sportit kombëtar…

Duke iu rikthyer ndërkaq garave, Kampionati gjithnjë ruan befasi. E, nëse në 200 metra përmes një dueli të ashpër me Hysen Minarollin e Pogradecit dhe Nikolla Jokanon e Durrësit të tij, fiton Tom Gjiri, ndoshta figura më historike e sportit të Durrësit të kohës së Mbretërisë, por edhe ndër vite të Mbasluftës, sidomos si futbollisti e trajner i madh jo vetëm për Durrësin, në 400 metrat stil i lirë, unë shtang përpara një emri që më tingëllon tejet popullor: Osman Rexha. A ishte ky berberi i famshëm i Mbasluftës, ai i cili kishte fituar të drejtën e palëvizshme të vëjë në bisht të lahutës me humorin e tij të pangjâshëm, jetën shoqërore të periudhës komuniste? Kisha një zgjidhje për ta vërtetuar. Mjaftonte një telefonatë mikut Nazmi Maxhuni në Durrës, futbollist i mirënjohur i viteve ’60, i cili tash, me seriozitetin thuajse të një gazetari më konfirmon gjithçka. Osman Rexha – emblemë e ironisë së hollë të “indiferencës” durrsake - është kështu Kampioni Kombëtar i Shqipërisë në 400 metrat e Kampionatit të 4-t të Notit, këte të vitit 1934. Do të fitonte duke i bërë një përmirësim të dukshëm shifrave të mëparshme dhe përmes një epërsie të pa mëdyshje ndaj Nikolla Jokanos po të Durrësit dhe të Hamdi Mujës të Shkodrës.

Kampionati i Notit 1934 kishte fituar vërtet gjeografinë e tij, por nuk kishte mundur të cënonte sado pak sundimin e fuqishëm të Teutës së Durrësit, edhe pse sapo kishte mbërritur Shkodra, e cila kishte shpikur për Shqipërinë e pakta tre sportet më të mëdhenj: futbollin, çiklizmin dhe atletikën. Mirëpo, në “Molon e re” të Durrësit katër ekipet më të mira qenë dënuar të renditeshin të mposhtur prej durrsakëve kësisoji pa mëshirë: Durrësi 54 pikë, Shkodra 7, Pogradeci 5, Berati 2!

Për Beratin ishin 2 pikët e Jusuf Vrionit…


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora