E merkure, 24.04.2024, 09:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Penelope Cruz, mbretëresha e vërtetë e Spanjës

E diele, 16.08.2009, 08:24 AM


Nuk janë të shumta aktoret spanjolle rreth të tridhjetave që kanë famën dhe emrin e Penelope Cruz. Ka nga ata që e krahasojnë me një mbretëreshë të kinematografisë spanjolle, me një yll që vazhdon të shndrisë për lavdinë e saj dhe të vetë Spanjës

Por Cruz, karriera dhe fama e saj, nuk mund të kuptohen veçmas një figure tjetër po aq me emër në kinematografi, siç është regjisori Pedro Almadovar, mentori dhe dashamirësi më i madh i aktores. Çiftin e krahasojnë me Marlene Dietrich dhe regjisorin e mbështetësin e tij Josef von Sternberg. Historia kinematografike e Cruz nis që në vitet e adoleshencës. Imagjinoni një vajzë rreth të 18-ave, me një bukuri tipike mesdhetare, por shumë të ndrojtur, në studion e një kompanie të prodhimit të filmave në Spanjë. Ajo sapo ka marrë aprovimin për të luajtur rolin kryesor në filmin "Mosah e Lulusë" së regjisorit Bigas Luna. Ky regjisor dihet se është një nga më të famshmit e filmit erotik dhe përzgjedhja e tij është bërë sepse ai ka parë te vajza e re tipare mjaft të veçanta për personazhin që ai kërkon të sjellë në celuloid. Por për vetë vajzën, Penelopën, ky nuk është një lajm i mirë. Sigurisht që ajo synonte role të tjerë. Në fakt bukuria dhe karakteri i saj u zbuluan disa muaj para këtij lajmi nga Katerina Bayonas, shefja e një agjencie talentesh të reja në Madrid. Ajo ishte një kompani që i mbante dyert hapur për të gjithë talentet e rinj dhe të rinjtë që mendojnë se janë të tillë dhe përmes kësaj agjencie janë pikasur dhe lançuar mjaft aktorë e modele në botën e artit dhe atë të modës. Cruz ishte një nga aplikantet e vitit 1990 dhe për të treguar talentin e vet asaj iu desh që para një jurie të posaçme të interpretonte një pjesë nga filmi "Casablanca" nga Ingrid Bergman. Edhe pse interpretimi nuk ishte ai i duhuri, të gjithë e vunë re se kjo vajzë kishte vërtet diçka të mrekullueshme në lojën e saj, diçka që ishte shumë e veçantë. Për ta parë më mirë rastin e Cruz, ata i dhanë mundësinë e interpretimit të roleve të tjerë, me të cilët nxori në pah një energji të brendshme e një pasion interpretues të jashtëzakonshëm. Në këtë periudhë, Cruz, që ka lindur në Alcobendaz, një lagje në veri të Madridit në vitin 1974, ishte ende një nxënëse shkolle. Për të paguar mësimet e aktrimit asaj i duhej të merrte pjesë në disa sfilita dhe të bënte modelen. Ambicia e hershme e aktores ishte që të bëhej balerinë. Për këtë ajo studioi tre vjet për balet në Spanjë dhe më pas edhe balet klasik në Konservatorin Kombëtar. Megjithatë baleti nuk ishte dëshira e zemrës së Penelope, por e prindërve të saj. Vetë vajza thellë në zemër kishte dashur gjithmonë aktrimin. Në fillim ajo ishte shumë e ndrojtur dhe pa guxim, por të gjitha këto i tejkaloi shumë shpejt, duke e shtuar besimin në vetvete dhe duke bërë ç‘ishte e mundur për të realizuar ëndrrën e saj. Kur i ofruan mundësinë që të bëhej prezantuese në TV ajo pranoi për të vetmen arsye se një përvojë e tillë do ta bënte shumë familjare me kamerën. Më pas pranoi edhe disa role të vegjël në filma të ndryshëm, por ndërkohë që kërkonte projektet e mëdha, rolet e rëndësishme. Egoisti Bigas Luna, "djali plëngprishës" i kinematografisë spanjolle, siç e konsiderojnë, ishte një nga ata që këmbënguli ta kishte Cruz personazh kryesor në një nga filmat e tij me dritë të kuqe. Por Cruz ishte shumë e re për një rol të tillë, edhe pse bëhej fjalë për zgjimin seksual të vajzave adoleshente. Më pas ajo mori një rol tjerë të Lunas në një film të vitit 1992. Edhe në këtë rol, që nuk ishte qendror, mund të shohësh qartë se çfarë e bën këtë aktore të veçantë dhe të jashtëzakonshme, ndryshe nga të tjerat. Madje në atë film, një film tipik ///maçist, plot me skena nudo, Cruz u bëri përshtypje regjisorëve të ndryshëm jo për lakuriqësinë e saj, se sa për një karakter të veçantë që e shfaqte dhe menjëherë e krahasuan me të famshmen Audrey Hepburn. Te kjo aktore e re, por me shumë perspektivë, bëheshin bashkë sensualiteti i nxehtë me një ndjenjë eterike e të pakapshme. Pikërisht kjo përzierje unike tërhoqi menjëherë vëmendjen e mentorit të saj më të madh dhe njërit prej regjisorëve më të mëdhenj spanjollë dhe europianë, Pedro Almadovar. "Nëse u hedh një vështrim roleve që ajo ka luajtur me Almadovar, është një grua normale, por e vendosur në rrethana të jashtëzakonshme dhe jashtë kontrollit të saj. Ajo në të cilën vetë Almadovar është i interesuar dhe që ka çimentuar edhe marrëdhënien e të dyve, është ideja e mirësisë femërore. Normalisht është një mirësi mëmësie. Cruz mishëron atë cilësi që Almadovar çmonte më shumë te mamaja e tij. Ai nuk i gjeti ato më parë te gra të tjera, me të cilat ka punuar, të tilla si Carmen Maura apo Victoria Abril. "Në fëmijëri kam qenë gjatë gjithë kohës i rrethuar nga gra. Deri në moshën 10-vjeçare nuk i njihja meshkujt dhe nuk është se kisha vetëm imazhin e mamasë sime, por edhe atë të grave të tjera, fqinjave, mikeshave të mamasë", thotë Almadovar. Vetë Cruz e ka vënë re se sa fort ka qenë i lidhur me të ëmën Almadovar. "Ajo ishte një grua e zgjuar, me humor, me siguri me një shpirt artisti. Po të jesh i vëmendshëm atë e vë re në të gjitha filmat e Almadovar", thotë vetë aktorja. Këtu ka njëfarë ironie. Cruz, e parë nga Bigas Luna është një seks simbol, ndërkohë që në optikën e një tjetër regjisori ajo merr përmasat dhe ngjyrat e virgjëreshës Mari. "Nuk kam parë kurrë një regjisor që të dojë aktoren e tij në mënyrën që Pedro do Cruz", thotë një nga aktoret e tjera të famshme spanjolle për Almadovar dhe Cruz. Sipas saj, kjo nuk ka të bëjë fare me eksitimin apo joshjen, por me diçka që ka të bëjë me dashurinë e pastër, me pasionin dhe me lumturinë e të gjeturit të një mirësie të madhe mëmësore. Për vetë Almadovar ndjenja që ai ka për Cruz është diçka që i kapërcen kufijtë e karrierës. Ata kanë bashkëpunuar së bashku në 4 filma, që nuk është ndonjë numër i jashtëzakonshëm. Në të parin "Jeto shkurt", të vitit 1997, ajo kishte një rol të vogël, atë të një prostitute që lind fëmijën e saj në një autobus. Në filmin "Të gjithë përveç nënës sime" të vitit 1999, ajo interpreton një murgeshë të re që mbetet me barrë nga një transeksual. "Volver" 2006 i dha sipas të gjithë kritikës kinematografike, rolin e saj më të mirë dhe bashkëpunimin më të suksesshëm me Almadovar. Aty ajo luan rolin e një nëne, që për lumturinë dhe qetësinë e së bijës ishte gati të bënte çdo sakrificë. Spanja nuk ka "vuajtur" kurrë për aktore të bukura dhe të talentuara. Çështja është se Cruz i kaloi kufijtë e vendit të saj, duke u shndërruar në një yll ndërkombëtar, ndërkohë që koleget e saj nuk ia kanë dalë t‘i kalojnë kufijtë e Spanjës. Arsyeja e këtij suksesi përtej faktit se ajo ka bashkëpunuar me një nga regjisorët më të famshëm në botë është e pajisur me diçka e cila u mungon bashkëkombësve të saja. Ajo punon shumë, madje aq shumë, sa edhe është sëmurë nga të punuarit. Ashtu sikundër edhe një tjetër aktor i famshëm spanjoll, Javier Bardem, i vuri vetes qëllim që të arrinte një njohje ndërkombëtare të talentit të saj. Për këtë arriti që ta mësonte anglishten shumë shpejt dhe në mënyrë perfekte, sa të ngjante si një aktore amerikane dhe ishte e gatshme që hershëm të hidhej në tregun anglishtfolës. Në Spanjë, që në filmin e parë ajo fitoi popullaritet, ndërsa për sa u takon regjisorëve dhe producentëve të huaj, edhe ata ia vunë re menjëherë talentin, por nuk kishin aftësi që në fillim ta shfrytëzonin për atë çka ajo ishte me të vërtetë e talentuar. Studiot e Hollivudit për njëfarë kohe ushqyen iluzionin se ajo mund të ishte një Sophia Loren e ardhshme dhe kësisoj mund të përdorej në role të lehta gjysmë erotike, por shumë shpejt ajo e tregoi veten se ishte më tepër se një vajzuke me trup të bukur nga Mesdheu. Dhe këtë e bëri përmes roleve të tilla si "Mandolina e kapiten Korelit", "Hapi sytë" etj. Menjëherë pas këtyre performancave ajo u shndërrua në një artise të listës A, por me kalimin e kohës nisi që të bëhej e njohur më shumë për jetën e saj private se sa për filmat. Gjatë kësaj kohe shumëkush mendoi se ajo tashmë ishte shndërruar në një tjetër kukull të Hollivudit, që merrej më shumë me të dashurit, fustanet dhe jetën e natës se sa me profesionin. Ishte periudha kur u lidh me Tom Cruise, i sapodivorcuar nga bashkëshortja e tij, Kidman, në vitin 2001. Gjatë asaj kohe ajo u shndërrua në një aktore të urryer për publikun spanjoll, që priste shumë më tepër impenjim nga bashkatdhetarja. Dikur shtypi spanjoll e kishte adhuruar dhe mbështetur, ndërsa tani e gjithë ajo dashuri ishte shndërruar në të kundërtën e saj. Ky inat në radhë të parë i atribuohej sjelljeve pak mendjelehta të Cruz. Por kjo periudhë nuk zgjati shumë. Pas një endjeje ajo iu rikthye punës dhe nisi të tregonte se vlente vërtet dhe rifitoi edhe njëherë zemrat e fansave të dikurshëm. Në vitin 2004 luajti rolin e një gruaje analfabete italo-shqiptare, e abuzuar në fëmijëri nga i ati dhe e traumatizuar tërësisht. Bëhet fjalë për filmin e Sergio Castelito "Mos lëviz". Roli i saj ishte aq i vështirë dhe larg imazhit të jetës së saj reale në Hollivud, sa u duk sikur aktorja e kishte zgjedhur me qëllim që të "pastronte" imazhin e deriatëhershëm. Në këtë rol ajo është fizikisht e shfytyruar, e pistë, e pakrehur, me dhëmbë të prishura dhe tërësisht e shëmtuar e me trup të keq, por dashuria që i dha personazhit dhe profesionalizmi që ajo tregoi në këtë film janë me të vërtetë të jashtëzakonshme e mbresëlënëse. Për italianët ajo ishte një Giulietta Mazina, apo Anna Magnani e dytë. Pavarësisht rritjes në famë e pasuri, Cruz ka meritën e madhe se asnjëherë nuk është shndërruar në një aktore arrogante dhe të pasjellshme, apo të dashuruar me veten. Ajo ka një sens humori të jashtëzakonshëm dhe e merr jetën shumë lehtësisht, në kuptimin e mirë të fjalës. Përtej sheshit të xhirimit e reklamave shumëngjyrëshe ku shfaqet me veshje të shtrenjta dhe gjithë salltanet, Cruz është një nga ato vajzat e thjeshta që mund t‘i takosh në lagje, apo kudo. Ajo e adhuron familjen e saj dhe është me këmbë në tokë. Mund të quhet një aktore karriere, sepse ka thuajse 20 vjet në ekran, apo skenë. Kolegët flasin me shumë dashuri për zemrën e saj të mirë. Ajo është gjithmonë e gatshme që të ndihmojë dhe të inkurajojë të rinjtë për të ecur në rrugën e artit. Aktualisht vazhdon të punojë si në Europë, ashtu edhe me Hollivudin. Preferon projektet e vegjël, por me domethënie të madhe të shtëpive të vogla filmike, filma me pak para e me shumë zemër, por edhe ato ku fitohen miliona dollarë të studiove më të mëdha amerikane e me një audiencë botërore. Ajo është shumë punëtore e si pasojë mjaft prodhimtare. Gjithsej ka luajtur në 50 filma, nëse do të llogariten edhe ato ku ka luajtur role të vegjël dhe të dorës së tretë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora