E shtune, 20.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Demi Moore: Jeta ime, një përrallë

E diele, 16.08.2009, 08:17 AM


Vite më parë ishte e fiksuar pas dietës dhe palestrës, ndërsa sot ka pranuar ta dojë veten ashtu siç është. Disa kohë u zhduk fare nga skena e Hollivudit, për t‘u kthyer sërish me filma të rinj dhe si modele për shumë fushata publicitare për bukurinë. Nga një martesë e dështuar, tashmë jeton me një bashkëshort që nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë. Kjo është përralla e Demi Moore që, ashtu siç tregon ajo, nuk do të donte kurrë ta imagjinonte me një fund jo të lumtur. Zonja Kutcher ngrihet nga kolltuku ku është ulur, ngre paksa fustanin e zi dhe tregon gjunjët. "Ju duket sikur kam bërë operacion plastik edhe te gjunjët? Kur e lexova në gazeta mendova: çfarë ideje e çuditshme. Sepse, nëse do të më duhej të zgjidhja, nuk do të bëja gjunjët, por ndonjë gjë tjetër. Në fund të fundit, të gjithë kemi pjesë te vetja me të cilat nuk ndihemi të kënaqur. Atëherë mendova: mos ka ndonjë gjë që nuk shkon me gjunjët e mi". Jo, ndihem e lumtur kështu siç jam.

Edhe ju jeni me idenë që 40-vjeçaret duhet të duken si 30?

Jam akoma më keq. Mendoj se 60-vjeçaret duhet të duken si 40, ndërsa këto të fundit si 20. Sot është rritur mosha mesatare e të jetuarit, pra njerëzit jetojnë më gjatë, bëjnë fëmijë më vonë, por, mbi të gjitha, kanë mësuar të kujdesen për veten. Ndërkaq ka ndryshuar krejtësisht koncepti që kemi pasur për moshën biologjike. Gjyshja ime, kur ishte 40 vjeçe, kishte të njëjtin "look" dhe vishte të njëjtat rroba siç e kujtoj kur ishte 70 vjeç. Sot, fatmirësisht, kemi në dorë lirinë për të mos u plakur, të tregohemi krejt ndryshe nga mosha që kemi vërtet. Kemi mundësinë e artë të tregojmë atë që duam, jo atë që jemi.

Ju dhe ish-bashkëshorti, Bruce Willis, keni qenë pak përpara çiftit Brad Pitt-Angelina Jolie, një shembull i çifteve të përsosura të Hollivudit. Tani ju dhe Ashton vazhdoni të jeni dyfish në qendër të vëmendjes. Si i jetoni këto përvoja?

Keq, sepse është shumë herë më keq se sa nga koha kur jetoja me Bruce. Edhe sot, për të hyrë këtu (në hotelin "Four Seasons" në Beverly Hills) m‘u desh të kaloja nga dera e shërbimit, sepse jashtë ishin gjithë paparacët e TMZ-së, një prej faqeve më agresive të internetit. Kjo puna e thashethemeve është shndërruar në një makth të vërtetë për ne. Nuk arrijmë të bëjmë dot asgjë pa u ndjekur nga ata. Madje, as në supermarket nuk mundemi të shkojmë dot. Për mua është një biznes gjakpirës. Për shembull, merrni Britney Spears-in. Në njëfarë kohe, ajo vajzë e gjorë, kishte vërtet probleme, por si mund të bëhej më mirë nëse sa herë që dilte nga shtëpia e ndiqnin 20 ose 30 makina me paparacë për të gjuajtur se ku shkonte.

Në një pikë të caktuar të karrierës suaj, ju u zhdukët nga qarkullimi dhe shkuat me vajzat tuaja në Idaho. U fshehët nga sulmet e shtypit?

Po, edhe nga kjo. Më akuzonin se fitoja shumë. Ishte absurditet. Një burri nuk do t‘ia thoshin kurrë. Pastaj ishin edhe këto legjendat metropolitane për mua që thoshin se isha një divë kapriçioze që qarkulloja me 20 asistentë. Një film i mi, që nuk dua as t‘ia kujtoj titullin, ishte një katastrofë. Më parë isha e mbytur me një lum akuzash të ekzagjeruara dhe të padrejta. Për këtë arsye vendosa të largohem për ca kohë dhe të vendosja rregull në jetën time. M‘u desh kohë që të bëja paqe me botën e shou biznesit. Në atë periudhë tranzicioni ndodhi divorci dhe dhimbja për vdekjen e nënës. Por pas shiut, gjithmonë del dielli. U ktheva në kinema dhe njoha Ashton. Këtu filloi edhe përralla ime. Një histori e mrekullueshme që më largoi dhimbjet që kisha dhe më shtyu me dëshirë drejt një martese të dytë.

Në kaq shumë harmoni që keni arritur, nuk e ndjeni mungesën e një fëmije nga Ashton?

Kemi folur edhe për këtë dhe na pëlqen shumë, sepse kemi idenë dhe dëshirën për një familje të madhe. Të shohim. Ka ende kohë. Ashton vazhdon të jetë një djalë i thjeshtë dhe shumë i dashur me të gjithë. Sipas thënieve të miqve të fëmijërisë, edhe pse ka mbushur 31 vjeç, është ai djali i dikurshëm që e do familjen dhe ka lidhje të forta me të afërmit, të cilët ndodhen në Ioua, ndaj kërkon të ketë fëmijë dhe familje të vetën

Nuk e mendoni fare, apo nuk ju bën përshtypje që të dy keni 15 vjet diferencë?

Jo më. Nëse në të kaluarën dikush do më kishte thënë se do të doja dhe do të më donte një burrë kaq shumë më i ri se unë në moshë, nuk do ta kisha besuar. E në fakt, tani që e provova, e di që funksionon. Pastaj dashuria nuk njeh moshë. Mund të kesh edhe 35 vjet diferencë dhe sërish je i lumtur dhe i dashuruar.

Si shkoni ju të dy?

Në jetën e përditshme, Ashton ndonjëherë e ka të vështirë të jetë një burrë i përgjegjshëm. Ndonjëherë vazhdon të jetë ende djaloshi i parritur. Unë nxehem shpesh dhe i tërheq vëmendjen, duke i kujtuar se nuk është më i vogël e se duhet të piqet. Për shembull, si atëherë kur publikoi videon time thuajse të zhveshur në "Twitter". Nuk mund ta imagjinoni se sa u nxeha. Edhe ne, si çdo çift, zihemi. E para gjë për të cilën bëjmë fjalë është moda: mua më pëlqen të jem elegante, ndërsa Ashton nuk mund të heqë dorë kurrë nga xhinset. Gjithsesi, mes nesh ka shumë mirëkuptim dhe admirim për njëri-tjetrin. I respektojmë vendimet tona. Vetëm kështu mund të mbahet identiteti i vërtetë i një lidhjeje".

Ju jeni rregulluar mirë, ndërsa Bruce po kalon nga një e dashur te tjetra. Duket sikur nuk e ka gjetur ende dashurinë e vërtetë?...

Jam e sigurt se kur të jetë gati do ta gjejë edhe ai. Për këtë jam e sigurt. Pastaj Bruce është një njeri i mrekullueshëm. Mjafton ta njohësh dhe ta duash.

I ruani ende lidhjet me të?

Sigurisht. Takohemi shpesh për dreka apo darka të gjithë. Jemi një familje e madhe dhe kujdesemi që asnjërit të mos i ndodhë gjë keqe. Pastaj ai është babai i fëmijëve të mi dhe njeriu me të cilin kam ndenjur për shumë vite me radhë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora