Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Brad Pitt, njeriu që fshihet pas një telenovele

| E diele, 16.08.2009, 07:14 AM |


Brad Pitt ka shpesh dhembje koke. Zakonisht kur ajo i fillon preferon të pijë lëng portokalli e të kafshojë buzët, sepse nuk dëshiron të përdorë qetësues. Tashmë nuk është më ai djaloshi me sy të kaltër e të çiltër, me një këmishë xhinsi, si në filmin e famshëm "Thelma & Louise". Ai është një burrë i pjekur 45 vjeç dhe veshja e tij është shumë ndryshe nga ajo e Brad-it djaloshar. Vazhdon të jetë sportiv e shpesh vesh edhe xhinse, por përdor shumë syzet e diellit dhe rrobat shik. Edhe në këtë moshë duket shumë i hijshëm, madje gjithnjë e më tepër. Kur qëndron vonë për të punuar, pi shumë kafe. Aktualisht është duke punuar në një rol të vështirë të një regjisori të famshëm, kreativ e tekanjoz njëherazi, Quentin Tarantino "Inglourious Basterds". Ai, sikundër të gjithë filmat e tjerë të dalë nga dora e Tarantino-s, është një përzierje e satirës së zezë me dhunën dhe pritet që të jetë shumë i përfolur, diskutuar dhe kritikuar për arsye nga më të ndryshmet. Veç kësaj që përbën sferën profesionale, Pitt ka edhe atë personale, lidhjen e Jolie, fëmijëve të shumtë të një familjeje shumëngjyrëshe dhe peshën për të mbajtur mbi supe famën e të qenit i famshëm e me një partnere të tillë, si dhe atë të thashethemeve që kanë shoqëruar lidhjen e tyre që nga dita e parë e bërjes publike. Shpesh ata janë akuzuar se, përtej dashurisë që shfaqin në publik, në jetën private nuk e durojnë dot njëri-tjetrin. Në raste dyshimesh, titujt e revistave janë bombastike dhe ndonjëherë vërtet tronditëse. Kur e pyesin se si është e vërteta, apo çfarë komenti ka për të bërë ndaj shkrimeve të tilla, gjithnjë u shmanget përgjigjeve. Njerëzit që punojnë me të, stafi i tij, vazhdojnë të rrëfejnë vazhdimisht të njëjtën histori të bukur, të një djali të mbarë e të mirë, aktori të talentuar e me këmbë në tokë, që është shumë i ekuilibruar në jetën profesionale dhe personale. Ata vazhdojnë ta mohojnë faktin se Brad-i dhe Angelina është një telenovelë e përmasave globale që, në radhë të parë është krijuar për të bërë miliona, për aktorët e saj kryesorë dhe më pas edhe për turmën e njerëzve që përfitojnë nga "shitja" e një produkti të tillë. Temat e zakonshme të kësaj telenovele janë pakënaqësia e Brad-it për të vazhduar jetën me Jolie, malli që e ka marrë për ish-bashkëshorten, Aniston, inati i Angelina-s për Brad-in që pi ndonjëherë shumë alkool, sepse ndihet i palumtur, ikja e Jolie nga shtëpia në një hotel e të tjera si këto. Por Brad-i vazhdon të shfaqet shumë i qetë e jashtëzakonisht i sjellshëm. Sigurisht që ka dijeni për gjithçka që shkruhet e diskutohet rreth tij, por thotë se ai dhe Angelina nuk marrin pjesë në këtë botë trillimesh për jetën e tyre personale: "Është një fenomen që vazhdon të gjenerojë histori pas historish, por që nuk ka të bëjë aspak me ne, edhe pse gjithçka sillet rreth nesh. Kur isha më i ri, i kam marrë shumë personalisht thashetheme të tilla dhe kam pasur raste kur kam reaguar keq ndaj tyre, por tani i quaj të kota". Ajo çka është e vërtetë është fakti që Pitt ka qenë i martuar me një tjetër aktore shumë të preferuar dhe të famshme amerikane, Xhennifer Aniston dhe martesa e tyre zgjati pesë vjet. Por në vitin 2004, Brad-i u ndodh para Jolie në filmin "Zoti dhe Zonja Smith". Me siguri që mes tyre pati shumë kimi gjatë orëve të xhirimit dhe kjo kaloi edhe në jetën private dhe brenda disa muajsh, ai i dha fund martesës me Aniston. Divorci ndodhi në vitin 2005 dhe që nga ajo kohë nisi i ashtuquajturi fenomeni "Bradxhelina". Pitt dhe Jolie nuk janë martuar ende, edhe pse në një intervistë të saj, aktorja tha se ishte e sigurt që një ditë do të martohej dhe se martesa nuk ishte thjesht një copë letër. Sigurisht që Jolie ka pasur një jetë shumë ekstravagante dhe jo të zakonshme. Një martesë të çuditshme dhe pasionante me një kolegun e saj aktor, marrëdhënie biseksuale dhe nuk ka të bëjë fare me një njeri si Pitt që, me gjithë bukurinë dhe famën, nuk është shquar kurrë si një "playboy". Pitt është rritur në Misuri, me nënën, motrën dhe vëllain. I ati ishte shef i një kompanie kamionësh, pra ishte një familje e shtresës së mesme. Ai kishte gjithmonë pamjen e një djali të lumtur dhe të qetë. Ky imazh është më i natyrshëm ende për Pitt, krahasuar me atë të një burri që ka përkrah një nga gratë më të bukura të planetit. Çifti është në lëvizje të përhershme. Kanë tri shtëpi në Kaliforni, në jug të Francës dhe në Nju Orleans dhe ndoshta edhe një tjetër në Kamboxhia. Qëndrimin me fëmijët e bëjnë me turne. Kur njëri është larg për xhirim, tjetri është gjithnjë me fëmijët. Kjo do të thotë që një pjesë të mirë të kohës janë larg njëri-tjetrit. Aktualisht njëri është në Berlin, kurse tjetri në Nju Jork për filma të ndryshëm. Por një stil i tillë i jetës, edhe pse ndihmohet nga lehtësitë që të japin paratë, është shumë i lodhshëm. Pitt ngulmon se për ta është stili i jetesës që u pëlqen, sepse janë gjithmonë në një mjedis të ri, me njerëz dhe me filma të rinj, edhe se për fëmijët është mirë që të shëtisin në vende të ndryshme dhe të krijojnë përvojat e tyre. Ai pretendon se nuk lexon asnjë revistë që përhap thashetheme për ta dhe kur ndonjë nga fëmijët sheh prindërit në kopertinë, u shpjegon atyre se mami dhe babi janë aktorë dhe se dalja në revista është pjesë e punës. "Ne ende po përpiqemi që të negociojmë për atë çka duhet t‘u themi fëmijëve kur na bëjnë pyetje të çuditshme. Për ta është e çuditshme të na shohin në TV dhe nëpër revista e gazeta dhe, mbi të gjitha, është e çuditshme që të fotografohen në çdo hap të jetës së tyre. Ndonjëherë mendojmë se mos do të ishte më mirë që t‘u jepnim një jetë të qetë dhe larg dritave të skenës e vëmendjes, por kjo do të thoshte që të hiqnim dorë nga profesioni dhe të dy e dimë se sa e vështirë do të ishte kjo për momentin, për shkak të pasionit që kemi për aktrimin. Nga ana tjetër i dhurojmë fëmijëve dhe njëri-tjetrit shumë ditë të bukura me shëtitje, udhëtime çlodhëse apo lojëra. Kjo është një kohë shumë e bukur, aspak e qetë. Gjithmonë e zhurmshme, por jashtëzakonisht e bukur dhe mbresëlënëse. Sigurisht që kjo është një jetë krejtësisht e ndryshme me fëmijërinë e vetë Pitt me lojërat e tij në tenis e not. Para se të bëhej i famshëm, ai punonte si shofer. Sipas thashethemeve, një pjesë e madhe e klientëve ishin punonjës të klubeve të natës. Ai ishte një djalë i qetë dhe i bukur, që po përpiqej që të bënte përpara në rrugën e jetës. Po ta shohësh sot me vëmendje, edhe pse ndryshimet janë të mëdha si në veshje, ashtu edhe në qëndrim, është e pamundur që të mos vësh re një pamje ende prej djaloshari, të cilën Pitt e demonstron hera-herës, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme. Kur e pyet për Berlinin, qytetin në të cilin ai aktualisht po xhiron filmin e fundit, përgjigjet se ky është një qytet fantastik, që ka birrë të mirë. Birra i ka pëlqyer që në fëmijëri dhe vazhdon që ta pëlqejë edhe sot. Për filmin dhe punën me Tarantinon, ai thotë: "Kur impenjohesh në një film me Tarantinon duhet të përgatitesh për në udhëtim me shumë të papritura dhe për punën me një regjisor që është i saktë deri në detaje, madje janë detajet ato që i interesojnë më shumë se skenat masive". I pyetur për projektet e së ardhmes, që nuk kanë të bëjnë me botën e kinemasë, Brad fillimisht reagon me një lloj tjetërsimi të tipareve dhe të qëndrimit. Ai thotë se, nuk ka dhuntitë e mikut të tij, Clooney, për të marrë pjesë në nisma politike, por është i dhënë pas bamirësisë dhe projekteve që përmirësojnë jetën e njerëzve. Brad ka kontribuar në një projekt për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga uragani "Katrina" në Nju Orleans, në një nga lagjet më të varfra të tij. "Në fund të këtij viti do të kemi 100 shtëpi të reja të rindërtuara dhe të ndërtuara nga e para dhe ato nuk do të jenë vetëm të reja, por edhe të pajisura me sisteme ekologjike ngrohëse dhe me një projekt shumë më të këndshëm dhe më komode se shtëpitë e zakonshme e tradicionale në Amerikë. Shtëpitë do të kenë impiante diellore, të cilat do t‘u kursejnë familjeve shpenzimet e larta të elektricitetit. Askush nuk ka dyshim për qëllimet dhe sinqeritetin e Pitt dhe ai tashmë ka mësuar që të qenit i famshëm ka anët e tij të këqija, por edhe të mira, sepse po ta përdorësh siç duhet imazhin, mund të ndikosh për mbledhje fondesh për çështje bamirësie, apo edhe për zgjidhje konfliktesh. Të dy së bashku kanë vendosur që paratë e marra nga shitja e fotove të binjakëve të tyre, tashëm një vjeç, do t‘i përdorin për çështje bamirësie. Edhe më parë, çifti ka bërë të tilla dhurata. Me fotot e lindjes, me të cilat fituan 14 milionë dollarë, ata u bënë dhurata të mbijetuarve nga tërmeti i Kinës, të mbijetuarve nga përmbytjet në Pakistan, çuan para në llogarinë e shumë qendrave të studimit dhe kërkimit për gjetjen e kurave për sëmundje të ndryshme. Ata kanë edhe një fondacion të tyrin që merret me këto dhurime dhe me financimin e projekteve të ndryshme. Shuma para të tyre kanë shkuar edhe në Darfur, Çad, në organizata si "Mjekët pa Kufij" etj. Vetëm gjatë vitit të kaluar ata kanë dhuruar 8 milionë dollarë për çështje të ndryshme bamirësie. Zgjedhjet e tij profesionale janë të ndryshme, të bukura dhe shumë të vështira ndonjëherë. Janë të paharrueshme rolet e tij te "Thelma & Louise", "Zeven", "Rasti kurioz i Benxhamin Button" që është edhe suksesi i fundit. Projekti i ardhshëm është "Pema e jetës" me regjisorin Terrence Malick. "Më tërheqin pa masë misteret dhe ekstremet dhe jam gjithnjë në kërkim të kufijve të rinj, dimensioneve të reja në interpretim dhe kam fatin e mirë që të kem disa skenarë të mrekullueshëm, që e kanë të garantuar jo vetëm suksesin, por edhe kënaqësinë e punës". Sa për projektin me Tarantinon, ai është shumë interesant, por ai nuk mund të tregojë më shumë për filmin. Po e ardhmja çfarë do të sjellë. Pitt thotë se e sheh veten të përfshirë në pasionet aktuale si familja, puna e bamirësisë dhe produksioni. Kompania e tij "Plani B" ka një sërë filmash të suksesshëm e të famshëm që i kanë dhënë shumë dorë për të bërë të tjerë. Ai mendon se aktorët e vjetër, si ai, duhet pak nga pak t‘ua lënë vendin të rinjve, që kanë më shumë nevoja për t‘u shprehur e për hapësira të reja. Megjithatë për sa i përket aktrimit, vështirë se e sheh veten të mënjanuar plotësisht prej tij. Ndoshta do të fillojë të mendohet për largimin kur të marrë një "Oskar".
G. Shqip