E hene, 14.10.2019, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Denzel Uashington, njeriu që sfidon Apokalipsin

E diele, 16.08.2009, 08:09 AM


Aktori 54-vjeçar rrëfen gjithçka rreth prapaskenave të filmit të tij të ri, "The Book of Eli", një "western" fantastiko-shkencor

Frika më e madhe e njerëzimit mbetet gjithmonë e njëjta, të paktën në kinema: shpërthimi bërthamor që mund t‘i japë fund jetës në planetin tonë, ashtu siç e njohim ne sot. Në dramën fantastiko-shkencore "The Book of Eli", që aktori amerikan Denzel Uashington nuk ka shumë që e ka përfunduar së xhiruari dhe që mendohet se do të dalë në dhjetor, ndodh një shpërthim i rrezikshëm që shkatërron njerëzimin dhe Amerika kthehet në një dimension të egër të "Far West". Në këtë vend, të mbushur me ankth, një njeri i vetmuar, Eli (Denzel Uashington) ndërmerr një udhëtim që do të zgjasë 30 vjet me misionin e vetëm që të shpëtojë një "libër të shenjtë" mitik, i cili përmban sekretin për të shmangur zhdukjen e qenieve njerëzore. Identiteti i "Librit të Elit" nga titulli qëndron i mbështjellë me mister: por që nga hyrja sugjerohet se ky shpërthim nuklear është shkaktuar nga tensione fetar, duke e bërë gati spektatorin të njohë Biblën. Denzel Uashington, në moshën 54-vjeçare dhe me dy çmime "Oskar" të fituara në karrierë, një nga aktorët më të respektuar në Hollivud, për herë të parë punon me dy vëllezërit regjisorë të kinemasë amerikane, Albert dhe Allen Hughes. Filmi ka kushtuar 70 milionë dollarë. Përveç Uashington, që ashtu siç i ka ndodhur shpesh në karrierë, fsheh fytyrën pas një truku që e plak dhe veshjeve që e transformojnë, qëndrojnë edhe Gary Oldman, në rolin e hakmarrësit të Elit, i keqi që bën gjithçka për ta marrë librin dhe bukuroshja Mila Kunis, në rolin vajzës që ndjek dhe ndihmon Elin në misionin e tij të dëshpëruar. Ja se ç‘tregon Uashington në një pauzë pune në periferinë e Albuquerque në Nju Meksiko.

Ju jeni bërë i famshëm për kujdesin dhe vëmendjen me të cilin zgjidhni filmat. Çfarë ju ka tërhequr më shumë në këtë projekt?

Historia ishte tërheqëse dhe unë nuk kisha menduar të luaja kurrë filma të tillë në jetë. Jam i krishterë, jam besimtar, një njeri fetar dhe tematika e filmit më preku thellë. Besimi mund të të shpëtojë dhe mund të të shkatërrojë njëkohësisht. Të gjithë ata që besojnë e dinë shumë mirë këtë. Kam folur gjatë me djalin tim të madh dhe ai më bindi përfundimisht që t‘i thosha po vëllezërve Hughes. Filmi do të më ndihmonte të praktikoja artet marciale dhe të isha në formë të mirë fizike. Kisha vërtet nevojë pas shëndetit që mora me filmin "Pelham 123".

Domethënë pranuat për gjendjen fizike dhe për besimin?

Jo vetëm për këto. Ishte një sfidë të interpretoja në një rol krejtësisht i ri në llojin e tij. Një "western" fantastiko-shkencor, një "katastrofë" shpirtërore, me një protagonist aventuror dhe një histori dashurie që mund varfërinë ku është zhytur planeti. Duhet të shtoj ndonjë gjë tjetër?

A mund të na tregoni paksa për pasionin tuaj të ri për artet marciale?

Janë gjysma tjetër e spiritualitetit fetar. Bashkimi i përsosur i mendjes dhe trupit, zemrës dhe shpirtit. Është një disiplinë që e kam dashur shumë që kur një miku im stërvitej me Bruce Lee. E kush prej nesh nuk ka qenë një fans i Bruce Lee. Edhe im bir i adhuron artet marciale dhe më në fund arrita të ndaj një pjesë të profesionit tim si aktor me familjen. Deri më sot e kisha mbajtur të ndarë kinemanë nga familja. Jam një baba me kohën e vjetër, tradicional dhe i kushtuar tërësisht familjes. Jam patriark.

E konsideroni realist skenarin e filmit "Libri i Elit".

Uroj vërtet që të mos e zbuloj kurrë. Është një ankth që më torturon që nga kohët e krijimit dhe që nga shkatërrimi i Hiroshimës dhe Nagasakit. Më dridhet mishi kur mendoj se sot edhe talebanët janë shumë afër bërthamoreve, për të mos folur për Iranin dhe Korenë e Veriut. Pas shumë vitesh përpjekjeje ndërkombëtare për çarmatim, fantazma e bombës nis të shfaqet sërish. Le ta lëmë që ta tregojë kinemaja, gjithë këtë, realist apo jo.

A mund të na e përshkruani pak personazhin tuaj, atë të Elit dhe Gary Oldman-it?

Skenari i paraqet si dy prej burrave më të vjetër që kanë arritur të mbijetojnë. Për këtë arsye i kam flokët kaq të thinjura dhe jam trukuar për t‘u dukur shumë herë më i vjetër se ç‘jam në moshë. Në fakt, nuk e konsideroj veten shumë të ri... Eli është një vetmitar, një njeri pa kohë, që duhet të mësojë të ndërveprojë me individët e tjerë pas shumë vitesh izolim. Është një mision për llogari të Zotit. Kur shpërthen bomba atomike, Eli është 17 vjeç, një shitës i thjeshtë në supermerkato dhe që atëherë duhet të jetojë si një kafshë e braktisur në shkretëtirë. Është një njeri normal, të cilit i është dhënë një detyrë e jashtëzakonshme. Oldman, duke bërë njeriun e keq, me siguri që argëtohet më shumë se unë, një njeri i mirë që përpiqet të shpëtojë botën. Edhe John Travolta te "Pelham", që lunte rolin e një krimineli, u argëtua më shumë se unë. Herën tjetër e kam vendosur që do luaj një rol negativ: është më e lehtë, të jep më shumë liri dhe më pak stres.

Filmi tregon se konfliktet fetare kanë qenë nyja që çuan në shpërthimin e luftës bërthamore. Çfarë mendoni?

Kam folur me priftin e kishës ku unë shkoj në Nju Jork: për të jemi të gjithë besimtarë dhe pavarësisht nëse janë të krishterë, hebrenj apo myslimanë. Në botë nuk ekziston ndonjë individ që nuk ka lindur brenda një tradite fetare. I vetmi shpëtim është mundësia për të përfaqësuar fetë e ndryshme në harmoni. Për mua edhe një ateist është besimtar. Duhet të jemi tolerantë, të tregojmë solidaritet, por, për t‘ia arritur këtij qëllimi, duhet një njeri i vërtetë. Nuk e mohoj që e ndiej veten të kuptueshëm. Por a do të arrijmë të bëhemi të gjithë kështu. Kjo është dilema për të cilën flet "Eli" dhe ajo për të cilën flas shpesh me gruan dhe fëmijët e mi, si shumë njerëz të mirë në botë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT