E shtune, 05.12.2020, 02:59 AM (GMT)

Reportazh

COLADRI 2007 - Duartrokitje frenetike përfaqesuesit të Kosovës

E hene, 10.09.2007, 04:26 PM


NË KONFERENCËN LATINO-AMERIKANE TË SË DREJTËS DHE TË MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE, NË MESIN E 42 VENDEVE NGA TË GJITHA KONTINENTET U PËRFAQËSUA EDHE KOSOVA

Prof. Engjëll Koliqi

Sesioni kushtuar Kosovës, që ishte në program në pasditën e së shtunës, ka zgjatur afër dy orë e gjysmë. Përkrah ligjëruesit nga Kosova – Prof. Engjëll Koliqi, bashkë me profesoreshën e nderuar Vera Lucia Alves Neves (që në këtë manifestim ndërkombëtar të politikës dhe të diplomacisë botërore e thërrisnin edhe Verushka e Kosovës), ishte edhe organizatori kryesor i COLADRI-t (Conferência Latino-Americana de Direito e Relações Internacionais) – prorektori i Universitetit Federal të Minas Geraisit (UFMG)– Prof. Dr. Roberto Luiz Silva. Sesioni kushtuar Kosovës, mrekullisht, është mbajtur në Sallën “Afonso Pena” – sallë e privilegjuar, ku nuk mbahen ligjërata, ku bëhet mbrojtja e tezave për titull akademik në Fakultetin Juridik të Universitetit Federal të Minas Gerais-it (UFMG).

Shkruan: Caio WERNECK

Belo Horizonte, 10 shtator 2007. – Në COLADRI 2007, (Conferência Latino-Americana de Direito e Relações Internacionais – Konferenca Latino-Amerikane e së Drejtës dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare), që sivjet për herë të parë e me premtimin që të jetë tradicionale, në çdo vit, e kanë organizuar mrekullueshëm dhe për çdo lakmi fakultet juridike të Universitetit Federal të Minas Gerais-it, të Universitetit FUMEC dhe të universiteteteve të tjera braziliane, në mesin e 42 vendeve nga pesë kontinentet e botës, është përfaqësuar edhe Kovova – vendi më i vogël  ballkanik, në pritje të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror. Kosova në këtë konferencë ndërkombëtare është përfaqësuar nga Prof. Engjëll Koliqi, i cili edhepse profesor i pedagogjisë, ka ligjëruar me një mjeshtri të kulluar mbi të drejtën ndërkombëtare – humane dhe humanitare të Kosovës dhe të popullit të saj, për një status stabil, për të qenë të pavarur dhe sovran në tokën e vet.
Sesioni për Kosovën, në pasditën e së shtunës së 8 shtatorit, është mbajtur në Sallën “Afonso Pena”, ku nuk lejohen ligjërata, por vetëm tubime solemne dhe mbrojtja e tezave për tituj akademikë. Kështu i është bërë një nder dhe respekt i madh Kosovës dhe profesor Engjëll Koliqit, i cili ka ligjëruar në këtë sallë speciale, i ndjekur me një vëmendje të jashtëzakonshme, nga profesorë e ekspertë të së drejtës ndërkombëtare të popujve, nga studentë dhe pjesëmarrës të tjerë të Konferencës, të ardhur nga të katër anët e Brazilit dhe nga shumë vende amerikane e të kontinenteve të tjera.  Profesor Koliqi, në fillim të ligjëratës së tij ka shprehur keqardhjen për pamundësinë e ardhjes së ekspertit të kësaj lëmie - Akademik Esat Stavileci-t (për mungesë të mjeteve financiare për udhëtim). A që në fillim ka kërkuar falje për lëshime eventuale, duke thënë se është profesor i pedagogjisë, mirëpo ligjërata e tij është vlerësuar shumë lartë nga të pranishmit, të cilët e kanë krahasuar atë me ekspertë të rryer të rrafshit të së drejtës ndërkombëtare të popujve.

Ligjëratën e tij, profesori nga Kosova e kishte titulluar kështu: “Dardania Antike – Kosova e Re, atdheu im n’udhëkryq interesesh dhe e drejta ndërkombëtare e popullit tim për liri dhe sovranitet në tokën e vet”. Duke bërë një sheti nëpër histori – nga shekulli në shekull, ligjëruesi nga Kosova ka sjellë argumentet shkencore që flasin për lashtësinë mbi tremijëvjeçare të Dardanisë, respektivisht të Kosovës, që nga mbi 110 mijë kilometra katrorë (km²), sot ka një sipërfaqe prej vetëm 10.887 km². Ai pastaj ka thënë se toka e tij, me një sipërfaqe të vogël dhe kombi i tij numerikisht i vogël, i kanë dhuruar botës personalitete shumë të rëndësishme (perandorë, papë e shenjtër të mëdhenj), duke shprehur bindjen se nga ky popull do të dalin edhe personalitete të tjera e nga toka e Kosovës, në bashkëpunim edhe me miqtë ndërkombëtarë, do të nxirren shumë xehe të vlefshme, që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës atje, por edhe në kuadër dhe hapsirë të globalizmit botëror. Nga personalitetet e pavdekshme nga ato treva, që i kanë shërbyer njerëzimit mbarë, Z. Koliqi ka veçuar këta:
• Shën Konstantini – Perandor i Madh i Romës (Bir i Tokës Dardane), i cili me dekretin mbi lirinë e besimit ka legaliztuar aktin e parë të demokracisë njerëzore në botë.
• Shën Niketë Daredani – autori i Hymnit të Kishës Univerzale “TE DEUM”, që edhe sot këndohet në mbarë botën katolike.
• Të shtatë papët e origjinës iliro-shqiptare, që nga Papa Shën Eleuteri e deri te Papa Klementi XI.
• Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prijësi i parë mbarëshqiptar, i cili për 25 vjet i zhvilloi dhe i fitoi 25 beteja kundër turqve dhe ka mbrojtur kështu mbarë krishterimin europian, për çka nga papët e atëhershëm është quajtur Atlet i Krishtit.
• Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze (Bija Kosovare, Nëna e Botës Mbarë e Shenjtëresha e Dashurisë), e lindur në Shkup, kur ishte kryeqytet i Kosovës (tash kryeqytet i Maqedonisë).

Profesor Koliqi, duke bërë një përshkrim të mirë të gjitha fazave historike të Dardanisë, respektivisht Kosovës, ka hedhur dritë me argumente historike mbi të drejtën ndërkombëtare të popullit të tij për liri, pavarësi dhe sovranitet të plotë mbi tokën e vet. Ai gjithashtu ka parashtruar edhe të gjitha pasuritë njerëzore dhe natyrore të vendit të tij, me mundësitë reale për të qenë një vend i zhvilluar dhe i vlefshëm, si shembull i mirë për mirëqenien paqësore dhe materiale në rajonin e Ballkanit dhe të Europës Juglindore. Edhe gjatë diktaturës, nën regjimin beogradas të ish Jugosllavisë, që nga viti 1974 – ka theksuar Koliqi – Kosova ka qenë subjekt kostitutiv i Federatës Jugoslave, me kushtetutë, qeveri, presidencë e  parlament. Gjatë asaj periudhe dy herë përfaqësuesi i Kosovës (shqiptar) ka qenë edhe president i Jugosllavisë. Mbas vitit 1981, kur shqiptarët e Kosovës kërkuan të drejtat e tyre kombëtare dhe njerëzore, që vazhdimisht shkileshin nga regjimi shtypës i Beogradit, atje u dërguan forca të mëdha policore e ushtarake, me ç’rast janë burgosur e dënuar mbi 12 mijë shqiptarë dhe janë trajtuar në polici mbi 700 mijë (pothuajse e gjithë popullata e moshës madhore. Në vitet 1998 e 1999 – ka theksuar profesori – hordhitë serbiane, që tashmë kishin arritur në shkallën e gjenocidit, në luftën e pakuptimshme në Kosovë kanë vrarë e masakruar mbi 15 mijë njerëz të pafajshëm, kanë deportuar mbi një milion banorë dhe kanë shkatërruar mbi 300 mijë shtëpi dhe ndërtesa. U dasht ndërhyrja ndërkombëtare dhe pas një lufte nga ajri e forcate të NATOS, për plot 78 ditë, kryekrimineli Millosheviq u dorëzua, duke nënshkruar të ashtuquajturën Marrëveshje të Kumanovës, më 10 qershor 1999, me ç’rast u hapën dyert e protektoratit ndërkombëtar për Kosovën, që me Rezolutën 1244 i largoi menjëherë trupat ushtarake e policore të Serbisë nga Kosova dhe u vendosën forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO e një administratë ndërkombëtare – UNMIK, me kryeadministratorin, si emisar special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Mbas bisedimeve të dështuara mes Prishtinës e Beogradit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe argumentet historike dhe të realitetit aktual, i dërguari special për Statusin e Kosovës – Z. Marti Ahtisaari ka propozuar një pako speciale, ku parasheh një pavarësi të mbikëqyrur nga BE, me një prani të lehtë ushtarake e civile dhe me disa të drejta të privilegjuara për minoritetet. Pala kosovare e ka pranuar këtë si kompris të fundit, sepse e drejta jonë historike na lejon edhe bashkimin kombëtar me Shqipërinë dhe me trojet tjera të shkëputura, që për interese të ndryshme e kanë lejuar fuqitë e kohës, në fillim të shekullit XX. Tash, me kërcënimet e Rusisë, po zhvillohen bisedime shtesë, por sigurisht që do të jenë të dështuara, sepse tashmë të gjithë i dijnë qëndrimet absurde të autoriteteve të Beogradit, që assesi të pajtohen me realitetin e ri – ka përfunduar Koliqi, duke paraqitur edhe argumente për pjesëmarrjen aktive të makinerisë luftarake ruse, që Putin i kishte dërguar si ndihmë Millosheviqit për të ushtruar gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës, argumente këtoi që do të shërbenin edhe për inkriminiminn e Kremlinit dhe të Putinit në Gjykaton Ndërkombëtare të Hagës.
Në përfundim të ligjëratës, të gjithë të pranishmit janë ngritur në këmbë, me një breshëri duartrokitjesh frenetike, që ka zgjatur disa minuta. Kjo situatë ka ngjallur emocione të mëdha në Sallën e privilegjuar “Afonso Pena”. Për solidaritetin e veçantë ndaj Kosovës në këtë konferencë, flet edhe fakti se vetë mbikëqyrësi i Konferencës – profesori i së drejtës ndërkombëtare e prorektor i UFMG – Prof. Dr. Roberto Luiz Silva, bashkë me profesoreshën e nderuar e presidente e kompanisë DIPROJINT (Diplomaci e Projekte Intrnacionale) – Vera Lucia Alves Neves, kanë shoqëruar profesorin nga Kosova, gjatë ligjëratës shumë të vlefshme të tij. Për lidhjet e para dhe fillimin e bashkëpunimit të frytshëm mes Brazilit e Kosovës ka folur profesoresha Vera Lucia, me shumë pasion dhe emocione, derisa edhe është quajtur Verushka e Kosovës. Në fund profesor Koliqit i janë bërë shumë kërkesa për ligjërata nëpër universitetet braziliane, lidhur me këtë temë shumë të ndjeshme në botë, duke i uruar një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë.

Foto te tjera nga Sesioni kushtuar Kosovës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora