Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hasan Hasani: Kurorë sonetike (Cikël poetik)

| E shtune, 15.08.2009, 01:35 PM |


Hasan Hasani
Hasan HASANI (Cikël poetik: Kurorë sonetike)

 

POETIT TË BJESHKËVE TË NEMUNA

 

                                                  Din Mehmetit

 

I. (Djep druri)

 

Dridhje drite – Rini diellore

Shkruajnë poezinë e një poezie,

Sytë shkrepin dashuri qiellore

N’parmakë agimesh bëjnë hije.

 

Në trollin e Bjeshkëve të Nemuna

Kërkoj Zeqë Shpatin o Bacalok,

Buzë rrugëve-këngëve të gdhendura

Më malin e nënëlokeve digjem tok.

 

Gjervavica ka ngritë kokën lart

N’mes të Dukagjinit zemërndarë

Rroshkun e fyellit brezave bart.

 

E sot në djep druri jam çmallur

Malësoren gjibardhë duke parë –

Ike nga vdekja Heshtje e kallur!

 

 

II. (Tufë rrezesh)

 

Ike nga vdekja Heshtje e kallur

Me tufën e rrezeve ndër bjeshkë,

Jeta lindjet e vona ka kallur –

Ulërimën e ujkonjave në kreshtrë.

 

Sa herë t’shoh n’mua rrjedh malli

Zërin thekshëm ta dëgjoj n’breg,

“Burri s’vdes (jo) për së gjalli

Pa i gjetë vetvetes (një) shteg!”*

 

Karvane bjeshkëtarësh po zbresin

“Të ngarkuem me teshë e koteshë”

Gjurmë në shpirt poeti mbesin!

 

Ag e terr noton rreze diellore

Me rrëbeshe e fërfëlliza ndeshë –

Nëpër tymra fjalë engjëllore!

 

 

 

III. (Kulla djep yjesh)

 

 

Nëpër tymra fjalë engjëllore

Përbirohen Dridhjet e dritës,

Kullë e lashtë djep yjesh prore

Loton ëndrrën e dashur t’mikes!

 

Hije e plangut ç’më ngacmon

Si gjarpër guri në gji futur,

Këngë rapsodi më trimëron –

“Një sharki me tela t’këputur!”

 

Heu Din Mehmeti i Mehmet Dinit

Në Qershizë lart loti të rigon –

Atje t’pret Zogëz e Dukagjinit!

 

N’ëndërr-zhgjëndërr i përmendur

Gji i bardhë nën këmishë gufon –

Mall ndër tela këngë e çmendur!

 

 

IV. (Buzë e plasur)

 

Mall ndër tela këngë e çmendur

Buzë e plasur n’gjak e rime,

N’vargonj shekujsh loje e endur

“Krismë është jeta e vdekja ime!”

 

Për gjuhë e tokë, për nder e fis

“Kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet”,

Në Gjeravicë zbardhon një plis

Që përbuzë dhe tall përndjekjet.

 

Në palcë t’gurit vret vetëtima

N’milenium bisht ndërkëmbë –

Thyen qafën n’thellësi-bubullima.

 

Mos u harrofshin për jetë e mot

Fati ynë ndër shekuj nëpërkëmbë –

Edhe Gunaci po çmallet Bacalok!

 

 

 

 

V. (Vdekje kurrë)

 

 

Edhe Gunaci po çmallet Bacalok

Për jetën e amshuar s’mbeti gjë,

Kodër e thinjur mbush jetën sot –

“Kur kishim këngë nuk kishim zë!”

 

Herët vure gjoksin – u bë kushtrim

Grindje rrokjesh, këngë-legjendë,

“Një legjendë është populli im!” –

Fjalë e zjarrit ndër zemra gdhendë!

 

As vdekje kurrë as këngë dimërore

Rojet e dritës epitafin shkruan

Me copëzat e fjalëve ashtërore...

 

O Zot, n’tokën tonë s’jemi t’huaj

Hijet e kacavjerrura na dënuan –

Hej, Fatin tim nuk e nënshkruaj!

 

 

VI. (Mallkim gjaku)

 

 

Hej, Fatin tim nuk e nënshkruaj

Kot krekosesh gjuhë shkrumuar,

Ku mbet Iliria plakë, më thuaj?

Erë temjani e mykur, e mallkuar!

 

Buzëplasur pritëm gjahun te shtegu

Fijet e shpirtit hoje të endura,

As nuk “mbetëm kodër pas bregu”

As nuk “mbetëm fshisa të nemura”.

 

Ndërgjegje t’vrara na udhërrëfyen

Shekuj e shekuj përballë stuhish

Thnegla t’kuqe dheu mishin gërryen.

 

Unazës territ u përbiruam Bacalok

Harbuar bjeshkësh dhe duhish –

Mallkim gjaku jeta jonë ad-hok!

 

 

 

VII. (Avull i zi)

 

 

Mallkim gjaku jeta jonë ad-hok

Oj Kosovë, o zog dielli gjak;

Avull i zi i del kobures n’shok’ –

Muza sonte n’fyt ma vu një lak!

 

Në brendi të kokës erërat lehin

Si bisha t’uritura në ngordhinë,

Me erë temjani barinjtë e zi dehin

Atje ku duhet treguar mjeshtrin.

 

Maten jetërat – vdekjet nuserojnë

N’Pashtrik, Koshare, Prekaz, Reçak –

Buzëqumështorët erërat shalojnë!

 

Në mos asgjë, qebesa, me thuaj

Armikun ta shkyesh e ka hak –

E bëj vdekjen Kosovë nuk druaj!

 

 

VIII. (Pakëz ëndërr)

 

 

E bëj vdekjen Kosovë nuk druaj

Pakëz ëndërr pakëz zhgjëndërr,

Jam gjak yti kurrë pjellë e huaj

Ushtar Dukagjini, bletëz, kandërr!

 

Këndon përherë këndon gjaku im

Lindur-vdekur n’grykë të pushkës,

“Jeta vdekjen e mund në dyluftim”

Mbi krahë shkrepash ik zogu fushës.

 

Të gjallë dolem prej sketerrës

Fjala rrënjë lëshoi n’thellësi

Mes nesh s’ka vend gjemb i ferrës!

 

Melodi e këputur iku me fyell

Ç’sjell për ne milenium i ri –

Tash as në tokë dhe as në qiell!

 

 

 

IX. (Kohë e brishtë)

 

 

Tash as në tokë dhe as në qiell

Bishat e bardha ngarendin tok,

Po hyjmë në dimër pa diell

Shikime lemeritëse ecin trok.

 

Krenar shkele të shtatëdhjetat

Tok me heronj dhe heroina,

Djemt tanë s’i njohën tatëpjetat

“Se kënga s’këndohet pa trima!”

 

Dukagjini të mban plis mbi sy

Atëherë e sot damar i dritës –

“Vajtoret derdhen lot edhe për ty!”

 

Kohë e brishtë gjurmë e pragut

Rrufeja vret në pikë të ditës –

Dronë s’ia kemi Orës as Agut!

 

 

X. (Shi i zi)

 

 

Dronë s’ia kemi Orës as Agut

O Din Mehmeti gjaku qorton,

Kuaj trojanë hingëllojnë s’largut

Shi i zi ujëra fekale kundërmon.

 

Maskat e zeza dolen nga krimi

E bënë vetëvrasje në hamullore,

Vetveten egërsisht e han krimbi –

“E kënaqur kafsha e zezë njerëzore!”

 

Një zog ëndrrash n’zemër murosë

Nga fëmijëri mbetur në shkrep –

Vesh e zhvesh koha e zgjebosë...

 

Malësorët të patën ujë dhe miell

Duke përkundur fëmijët në djep –

Idhull Dukagjini – Zog e Diell!

 

 

 

 

XI. (Kullë Ajfeli)

 

 

 Idhull Dukagjini – Zog e Diell

Se lumturia na u bë mashtrim,

Kohëra e shekuj, retë në qiell

U ngritën kundër nesh miku im.

 

Tymra të zeza kudo mbi çardak

Histerikët u derdhen si lumë,

“Legjendat e mia pikojnë gjak” –

Porosi nga t’rënët kemi shumë.

 

Ofshamet e fëmijëve sypërlotur

Shalla rreth qafe për çdo zemër

N’panteon t’pavdeksisë murosur.

 

Muret e mendjes egërsia shpon

Por n’Kullë Ajfeli krijove emër –

Në krahë shkrepash Gjak që vlon.

 

 

 

XII. (Gjak që vlon)

 

 

Në krahë shkrepash Gjak që vlon

Verë dhe dimër të ndrit një yll,

Klithje toke qiellin përvëlon

“Do varre kanë humbur në pyll!”

 

Ndër mijëra vargje sonte shëtis

T’mikut që zjarr fjala e kallë,

I çmendur dukem, belbëzoj, mërmeris

“T’vdekurit duken se janë të gjallë!”

 

Kështu kaloi nga libri në libër

Nga fjala n’fjalë e vargu n’varg –

Këndon zogu, tingëllon një timbër.

 

Dukem i trembur prej qoftëlargut

Jetës i rri afër, jetës i rri larg –

Është prapë Fillimi gjëmë e pragut!

 

 

 

XIII. (Prapë fillimi)

 

 

Është prapë Fillimi gjëmë e pragut

As flaka as tymi më nuk shihen,

Nga stepat erdhen bishat e Gulagut

Në diell Kosove s’kanë ku fshihen.

 

Shqipet maleve po vallëzojnë

Ylbere stolisin shtatin bjeshkët,

Sa bukur Kosovën e hijeshojnë

Në flatrim digjen zemrat-eshkët!

 

Grykave ulërijnë bisha histerike

Mish e gjak n’Kosovë duke varrosë

Me vete marrin mallkimet biblike.

 

Në cep Kosove dielli tani rrezon

Gjaku i djemve n’themele murosë –

Si fanar në furtunë dritë lëshon!

 

 

XIV. (Fllad vere)

 

 

Si fanar në furtunë dritë lëshon

Po po, gjaku i shqipeve krenare,

Fllad i verës fytyrat ledhaton

E zemrat e nënëlokeve kosovare.

 

Ato ruajnë kujtimet dhe mallin

Gushëpëllumbat murosë n’lavdi,

Përvlojnë zemrat, djegin, kallin

Shqipet dykrenshe n’Kosovë stoli.

 

Fllad i këngës m’i stolis kujtimet

Ëndrra t’mbyllura n’guaca t’veta –

“Jeta ia kërkon vdekjes krimet!”

 

Shqipet n’ball kurora shekullore

“Dikush mbledh ëndrrat e veta” –

Dridhje drite – Rini diellore!

 

 

 

 

XV. (Magjistrali)

 

 

Dridhje drite – Rini diellore

Ike nga vdekja Heshtje e kallur,

Nëpër tymra fjalë engjëllore

Mall ndër tela këngë e çmendur.

 

Edhe Gunaci po çmallet Bacalok

Hej, Fatin tim nuk e nënshkruaj!

Mallkim gjaku jeta jonë ad-hok

E bëj vdekjen Kosovë nuk druaj!

 

Tash as në tokë dhe as në qiell

Dronë s’ia kemi Orës as Agut

Idhull Dukagjini Zog dhe Diell!

 

Në krah shkrepash Gjaku që vlon

Është prapë fillimi gjëmë e pragut

Si Fanar në furtunë dritë lëshon!

 

Shkurt 2000, Prishtinë

(Botohet edhe tash, për nder të 80 – vjetorit të lindjes së Din Mehmetit)

_____________

*). Vargjet në thojza janë të poetit Din Mehmeti

 

Për ZSH: Skënder R. Hoxha