E enjte, 18.04.2024, 12:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Ramadan Rexhepi

E shtune, 15.08.2009, 02:23 PM


Bilall Maliqi

RAMADAN REXHEPI, SHKRIMTAR

                            PRESHEVA E KONTRASTEVE

 

Pas një kohe të gjatë të qëndrimit në mëgrim, shkrimtari Ramadan Rexhepi kohë më parë vizitoi vendlindjen.Ishte  mbushur me plot emocione, dhe njiherit  i shpalosi planet e tij në aspektin letrar sa ishte në Suedi, për jetën kulturore atje, dhe për shumë gjëra tjera rreth krijimeve.Sa ishte në vendlindje ne biseduam me shkrimtarin lidhur me këto pika që i cekëm më lart dhe ai me kënaqësi iu përgjegj pyetjeve tona…

 

 

Z Rexhepi ju një kohë të gjatë keni mërguar në Suedi, na tregoni shkaqet e shkuarjes suaj, në cilin vit dhe kur erdhët na i përshkruani emocionet tuaja, ku pas shumë viteve përsëri eredhët në Preshevë?

 

-Unë me të vërtetë nuk kam qenë gjatë në Preshevë, por meqë po  pyesni për shkaqet e mia psova atëherë po ju them se kam qenë një individualist mjaft i madh, bile po ta shikoni si lajkmotiv të Kumbonareve kam patur një frazë ku individin e kam krahasuar me diell dhe kam cekur se çdo diell ngroh në formën e vet.Kam shpresë se shumica prej kolegëve të mi, lexuesve të mi qysh atë kohë pakëz e diktuan  përse e kisha fjalën, por koha ishte e tillë që e kuptuan apo nuk e  kuptuan të gjithë duheshin ta lexonin përmes rreshtave atë frazë, përndryshe duke mos patur pas botimit të Kumbonareve unë e pashë se çdo formë  krijuese dhe çdo mundësi krijuese ishte e kufizuar.T’ua them të drejtën kisha dy shkaqe kryesore dy nga tre tregimet që i kisha shkruar vura re se redaksinë e “Jetës së Re “ e kapi paksa frika, i anashkalonte, përpiqeshin të më japin shpjegime, t’i përpunoj, gjë që më dha shkas ta kuptoj se diçka nuk ishte në rregull, andaj duhesha t’i kurseja redaksinë edhe redaktorët, para së gjithash ta kurseja Esad Mekulin që ishte një mësues i mirë për të gjithë neve.Sa i përket atij shkakut të dytë mund të them se e kisha kuptuar fare mirë, unë punoja edhe para se ta shkruaja tregimin për Kumbonaret punoja në konceptin e një romani i cili më pastaj mori titullin “Udhëkryqi”, i cili është ende i pa botuar.

 

Ramadan Rexhepi
Ramadan Rexhepi
PRESHEVA NËPËR KOHË

 

Tërhiqni  një diagonale –Presheva dikur dhe sot?

 

-Presheva dikur ishte një Preshevë e vogël, simpatike, një Preshevë ku secili e njihte secilin, por një Preshevë që jetonte pakëz në hijen e ankthit dhe frikës.Pamarrë parasysh që popullata ishte kështu si sot nëntëdhjetë e shumë më tepër përqind shqiptare , frika e ankthi nga pushtetarët ishte e atillë që ishin shumë të kujdesshëm.Presheva e atëhershme mund të them se ishte Presheva e emigrimit masiv të shqiptarëve për Turqi, pra një fenomen që e kishte prekur një pjesë të popullatës e cila së pari duhej të dyndej në Shkup e nga Shkupi për Turqi, këtë temë si dhe tema tjera kam ngritur në romanin “Udhëkryqi”, kjo më ka shtyrë të merrem me këtë çështje sepse dymbëdhjetë familje tona të mëdha nga Sllupçani kanë emigruar për Turqi  e sot fëmijët e tyre nuk dinë të flasin shqip për të cilën gjë unë ndiej dhimbje të madhe.Presheva sot-është Preshevë e mijëvjeçarit të ri do thosha Presheva e automobilave, makinave, rrugëve të ngushta e papërgatitur për këtë zhvillim-Preshevë e kontrasteve.

 

 KUMBONARET

 

Në vitin 1963 revista letrare “Jeta e re” botoi përmbledhjen me tregime “Kumbonaret”.Ky libër nga kritika letrare shquhet me vlera të qëndrueshme artistike letrare,.Na thuani diç më shumë?

-Sa i përket vlerave letrare t’ua them të drejtën kjo do ketë lidhje me një fenomen për të cilin nuk e kam vrarë kokën përpara, por kam filluar ta vras tash.Përpara nuk e vrisja kokën për arsye se në parim të punës unë kisha të arrijë vlera letrare të cilat në një formë a tjetër do të maten me vepra tjera p.sh., ne kishim disa prozatorë si Ramiz Kelmendi , Rexhai Surroi, Sinan Hasani, këta ishin gjenerata më të vjetër se unë, unë isha fare i ri .Unë duhesha të shkruaj diçka që nuk ishte shkruar eksperimentoja të gjejë një stil timin.Kam kërkuar forma tjera që të shkruaj më shumë për lexuesin duke qenë se gjithë jetën time kam qenë edukator, shkrimet i kam ushtruar si hobi.Nuk kam qenë kurrë shkrimtar i paguar, kam qenë fare i lirë dhe çkado që kam shkruar kam shkruar ashtu çka mu ka dukur më drejt, por gjithnjë duke patur parasysh lexuesin  që të shkruaj kuptueshëm, eventualishtë të shkruaj me fraza të shkutëra.


Në kohën sa ishit në mërgim  na përshkruani jetën tuaj krijuese , meqenëse  te shumica e krijuesve  temë qëndrore dhe inspirim bazë është vendlindja.Na thuani me anë të shkrimeve sa jeni afër vendlindjes?


-Mërgimi është një plagë e rëndë për çdo mërgimtarë.Mërgimi dua të them se është një plagë e tillë që e godet çdo njeri .Unë ua bëjë të qartë se asnjëherë nuk kam qenë azilantë as në Suedi.Në Jugosllavi unë i kam takuar elitës kam qenë shumë i privilegjuar e vetmja që nuk më ka pëlqyer është shtypja që u është bërë popullit tim.Mua askush nuk më ka burgosur , as nuk më ka ndjekur eventualisht ndoshta kam qenë pakëz i izoluar e cenzuruar por kjo nuk është shkas që të kërkosh azil, i tillë kam mbetur qytetarë i Preshevës.Mendimet e mia  i  kam shfaqur gjithmonë hapur të shprehë mendimin tim.Më pyetët për inspirimin njeriu duhet të ikë nga vendlindja që ta dojë shumë vendlindjen.Kjo sëmundje e gjithë shkruesve shfaqen së pari te Naimi, po të mos ishte Naimi nuk do të shkruante “Bagëti e bujqësi”, nuk do të shkruante për gërgjet, brigjet etj., po të mos ishte Faik Konica nuk do të shkruante për mallin e atdheut e disa skica shumë të bukura.Këtë fenomen e kemi edhe te arbëreshët.Dua të them se edhe unë kështu e kam përjetuar mërgimin, këtë po e them se krijuesi atje  nuk ka lexues, pra  për krijuesin mërgimi është i zorshëm.


Çka mendoni në vendin ku jetoni dhe veproni, sa është e organizuar jeta kulturore e shqiptarëve të mërguar atje?


-Deri në vitin 1996 shqiptarët kanë qenë goxha mirë të organizuar.Kishte përpjekje të forta që të ruhet kultura, botonim edhe revisten “Qëndresa”.Pas kësaj periudhe ka filluar një afarizëm në Shoqata kulturore, me hapjen e kufinjve aktivitetet kulturore morrën tjetër kahje.Ka këngëtarë, ka shoqata të ndryshme por gjithnjë me atë qëllim që organizuesi të ketë përfitime ekonomike.Kjo fazë nuk ka qenë e mirë për shijen time.Unë atje fillova një emision të titulluar “ABC”, i cili ishte dy orë në javë ngritnim tema të ndryshme, kulturore, politike etj., sipas rendit alfabetik, p.sh., A-si Asdreni, pastaj merrnim ekspertët që e njihnin Asdrenin.Pra çdo javë ndrroheshin emisionet sipas rendit alfabetik B-buletini etj., me ato jam marrë deri në vitin 2001.Pas 2001-shit kam qenë jashtë proceseve.Dua të them se megjithatë një tip i kulturës po zhvillohet atje.


T’i kthehemi edhe një herë jetës tuaj krijuese , pas librit të me tregime “Kambanarët”, më 1996 në revisten “Qëndresa”, organ i bashkësisë së shqiptarëve në Suedi botuat dramën “Tokë e qiell së bashku” si dhe librin e udhëpërshkrimeve” “Kohë me gjemba” në vitin 2004.A keni provuar pendën tuaj në poezi?


-Në poezi jo, kur kam qenë tepër i ri ndoshta kam shkruar, të gjithë më thonë se në fillim kam shkruar edhe poezi, por të botoj apo të merrem me poezi jo, ato ishin poezi të moshës rinore.Unë shumë shpejt u dhashë pas prozës, siç e dini unë fitova dy çmime në prozë dhe kjo ishte ajo që unë të merrem kryesisht me prozë në të ardhmen.Për mua nuk ka qenë me rëndësi të botoheshin librat e mia, porse për mua ka qenë me rëndësi të shkruaj mos ta harrojë zanatin e shkrimit.Siç e dini viteve të ’90-ta  kam bërë një roman “Dilemat e Emrush Dokës”, pastaj kam shumë artikuj të cilat i kam shtjelluar në emisionin ABC.Kam mbajtur pastaj shënime, reflektime nëpër udhëtimet në Turqi, ShBA etj.Kohëve të fundit po merrem me një temë që prek diçka individuale mbi arbreshët ku posa të kthehem do t’ua jap shënimet lexuesve përmes internetit Presheva komit etj., një pjesë e tyre janë botuar në Monde albanezo të Palermos redaktor ka qenë Zef Skiroi ,një pjesë e tyre nuk janë botuar askund besoj se do të rregullohen edhe këto.


Z.Rexhepi jeni kryeredaktor i revistes “Qëndresa” në Malme të Suedisë, na thuani sa kanë qasje të rinjtë krijues që janë atje me punimet e tyre?


-Si t’ju them ne Qëndresën e kemi ndërprerë për shkaqe financiare.Shteti Suedez nuk është i gatshëm të japë mjete që të botohen revista të huaja për shumë arsye.Suedezët janë mësuar se revistat mbahen nga lexuesit, në qoftëse lexuesi e blenë e lexon dhe kështu revista e paguan vetveten.Lexuesit e vërtetë gjinden në këtë trevë nuk janë atje.Lexuesit e atjeshëm nuk kanë edhe shumë kohë të merren me letërsi.Të gjithë ata ushtrues të artit të shkrimit qoftë poezi, qoftë prozë  nuk kanë vështirësi të shkruajn dhe t’i botojnë.Problemi është ku t’i gjejmë lexuesit?...

 

Ju keni mërguar në kohën e komunizmit atëherë kur në shkrimet e shkrimtarëve ekzistonte njëfarë cenzure nga ana e pushtetarëve të atëhershëm-na përshkruani jetën krijuese atëherë dhe sot?

 

-Në kohën e atëhershme e kam fjalën për vitet e ’60-ta në Kosovën socialiste e cila ishte provincë ekzistonte në kolektivet punuese një grup përgjegjës që i bënte shikimet se çka po botohet.Gjithmonë ishte një grup ideologjik që kontrollonte çdo gjë që dilte në faqet e gazetave sepse unë kam punuar edhe si gazetar, kjo ndodhte edhe në revistat letrare. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri sepse çka shkruhej nëpër gazeta dy faqe shkruhej se çka thotë partia për artin :çka thotë shoku Stalin, shoku Lenin dhe së fundit çka thotë edhe shoku Enver.Kushtet për të punuar për një ideologji ishin shumë të vështirta.Sot është shumë lehtë të jesh shkrimtar, bile mund të jesh shumë shkrimtar i mirë në qoftë se kemi mjete financiare për të botuar.Në agun e këtij mijëvjeçari shqiptari ka shkelur në një rrugë të re, shqiptarit më nuk ka forcë t’ia merr të drejtën e fjalës.

 

Çka mendoni për një “vlim” të shtypit të librave kohëve të fundit , dhe sa po ka qasje reale kritika letrare në përgjithësi?

 

-Që botohen shumë libra nuk prishë punë për arsye se herëdo-kurëdo do kristalizohen pa marrë parasyshë se një krijues boton një libër apo dy libra, kjo është një dëshirë e brendshme ti japë vrull fjalës së vet.Në qoftëse me të parën apo me të dytën nuk ka sukses ndoshta zbulon diçka tjetër, një formë tjetër fillon të shkruaj.Nëse vetë “vlimi” nuk e lëndon ekonomikisht autorin nuk prishë punë.Nuk është keq që botohen shumë libra, keq është të mos kemi libra.Nga kritika letrare autori përmirëson kualitetin e shkrimitNëse krijuesi ulet t’i shkruaj dy vargje ai është prapë në interes të kombit, ky është mendimi im.

 

Në të ardhmen a do të keni ardhje më të shpeshta në vendlindje?

 

-Pamarë parasyshë vështirësitë e mia, distancën,  dua të them edhe moshën se më nuk jam djalë i ri, unë do të vi me gjithë dëshirë në qoftëse ekzistojnë mundësi e ftesa të tilla, të vij  t’i takoj lexuesit të nbajë një seri ligjeratash për letërsi.Unë kam mbaruar studimet në Suedi dhe një shkëmbim mendimesh me profesorët do të ishte më se e nevojshme sepse lidhur me atë si mendohet në atë shtet dhe si mendohet këtu në atdhe.Pres të vij shtatori dhe të shohim se çka mundemi të bëjmë.

 

Ardhmëria krijuese e Ramadan Rexhepit?

 

-Momentalisht po merrem me dy gjëra nuk e di se sa kohë më marrin, jam i palodhshëm nganjëherë e filloj një tregim me disa faqe, por rritet.Një punim që e kam e kam quajtur gjuha e nënës, e kam studiuar të folurit e nënës sime e cila me rrënjë është nga Tërnoci jo për hirë të asaj që t’i thej rregullat e drejtshkrimit që i kemi pranuar të gjithë, por për hirë të asaj që shumë e vlefshme për ne preshevarët është të shkruajm diçka aristike, por në të folurit tonë.Kam patur shenime mbi jetën e viteve 1970 në Universitetin e Opsaldit, duke qenë se ato ishin shikime individuale të miat të cilat nuk ishin në kahje me pozitarët dhe udhëheqësit e fakulteteve, kam përshkruar një ambient krejt tjetër të cilën duhet në gjuhën shqipe ta riformuloj, por më mirë është ta dyndë në shek. 15-të.,  ku personazhi pakëz ndërron ambientin, ballafaqohet me shumë ambiente here pas here shumë tragjike, pra brumi është që ka ndodhur ndonjëherë. Kjo është shetitje për lexuesin që të kthehet pakëz në mesjetë.Këto pra janë përeafërsisht problemet me të cilat po merrem kohëve të fundit.

 

Z. Rexhepi ju jeni njohës i disa gjuhëve të botës, na thuani diç më tepër?

 

-Unë nuk kam qenë i vetëdishëm sa i përket aftësisë sime t’i përvetësoj gjuhët aq lehtë .Në fazën kur unë jam rritur neve niveli i shkollave ishte aqë  ulët mungesa e profesorëve ishte aq e madhe saqë mund të them se për fillim do të ishim gjysmak në gjuhën tonë.Ne kishim dialektin e preshevës po flas për veten time, një dialekt që është mjaft me kodra e lugina sa i përket gramatikës, i papërpunuar në një formë a tjetër ishte gjuha e folur e preshevës, kështuqë gjuhën e parë letrare që e kisha pranë vetes ishte serbishtja për fat të keq, libra shqip kishte shumë pak edhe ato pak libra shqip që i lexonim ishin aq të ndaluara sa që duheshim t’i fshihnim në gji .Do të ishte një nder për mua ta ceku se unë ia di për nderë në radhë të parë në Preshevë Z.Adem Ahmetit, tek i cili herë pas here merrja hua ndonjë libër.Adem Ahmetin kurrë se kam harruar e kam respektuar gjithmonë meqë është ende gjallë dua të shfaq mirënjohjen time për ato pak libra që i merrja hua dhe i lexoja.Kthehemi te gjuhët, gjuhë të huaj në fillim për mua ishte serbishtja, megjithate duke e mësuar serbishten me sa duket unë e kapa teknikën se si mësohet  gjuha huaj, sepse gjithnjë e pyesja veten si është në shqip.Njeriu mjafton t’i dij gjërat elementare se si mësohet gjuha, kshtuqë frengjishten më shumë e mësova këtu nëPreshevë sepse atëbotë jepja frengjisht në shkollë.Me shkuarjen time në Prishtinë fillova ta studioj anglishten, ndërsa kur shkova në Suedi  mësova edhe gjuhë tjera sepse metodikën e dija.Atje mësova gjermanishten, spanjishten, rusishten, suedishten.Mendoj që njeriu është mirë që të mësojë sa më shumë gjuhë të huaja.

 

Marrë nga libri me intervista  “Ide të trazuara”



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora