E shtune, 20.04.2024, 10:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Abazi: Vlerat edukative të mësimeve të Naimit për gjuhën shqipe

E enjte, 13.08.2009, 06:39 PM


Vlerat edukative të mësimeve të Naimit për gjuhën shqipe

Nga Prof. Dr. Nexhat Abazi*

Teksa shënojmë 100-vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit, poetit tonë të madh, mësuesit të Rilindjes, humanistit dhe pedagogut të shquar, theksojmë disa aspekte të mësimeve të tij, lidhur me vlerat edukative të gjuhës shqipe në shkollë dhe jashtë saj.

Sikurse shumë pedagogë të famshëm botërorë (Kuintiljani, Komenski, Pestaloci,  Ushinski etj), poashtu edhe Naimi ynë, në mendimet dhe shkrimet e tyre kujdes të veçantë i kushtojnë gjuhës amtare (shqipe), duke e vënë atë si bazë kryesore të edukimit.  Prandaj, gjuha nuk është vetëm element i identifikimit të kombit, por edhe mjeti më efikas për përvetësimin e diturive, edukimit dhe arsimimit.

            Prej këtu del edhe parimi kryesor didaktik i Naimit, se mësimi në shkollë duhet të zhvillohet në gjuhën amtare e assesi në gjuhën joamtare osmane siç vepronte pushteti i atëhershëm osman. Pikërisht edhe për këtë luftoi Naimi tërë jetën.

Krahas gjuhës amtare, ai nuk i nënçmonte gjuhët e tjera, të huaja. Ishte i bindur thellë se përvetësimi i gjuhëve të huaja ka rëndësi të madhe në zhvillimin intelektual të njeriut dhe në jetën praktike, por mësimi i tyre duhet të fillojë më vonë. Duke bërë një krahasim  ndërmjet përvetësimit të gjuhëve të huaja dhe gjuhës amtare, Naimi shkruan: “At ta dha mëma jote,/Bashkë me qumshtit të sajë,/Pa të tjerat në botë/I ke mësuar më pastaj”

Në këto vargje vërehet qartë edhe parimi i gradualitetit në mësim, gjatë përvetësimit të gjuhës amtare dhe gjuhëve të huaja. Gjuhën tonë të bukur dhe vlerën e saj komunikative e edukative ai nuk e çmon vetëm për nga tingujt e bukur dhe muzikaliteti, por edhe për nga vlera kulturore, historike dhe pedagogjike. Prandaj, atë, jo vetëm që duhet ta flasim bukur, por në radhë të parë - duhet ta shkruajmë.

Lidhur me këte ai na porosit: “Të shkruajmë gjuhën tënë/Kombin ta ndriçojmë,/Gjithë ç’është e çka qenë/Ngadalëzë ta mësojmë” (Gjuha jonë).

Këto vargje nuk janë vetëm porosi e tij për tërë shqiptarët, por edhe një argument i shëndoshë për përpjekjet që ai bëri për ta shkruar gjuhën shqipe dhe për ta arsimuar  kombin e vet. Një vit pas vdekjes së Naimit, në gazetën e tij “Albania”, në vitin 1901,  Faik Konica shkruante: “Gjuhtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër, në persishte e në shumë gjuhë të tjera, mendje lëruar e ndjesë - hollë... U kufizua pra gjithënjë në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar...”.

Megjithëse u shkollua në shkolla të huaja dhe në gjuhë të huaja (sikurse shumë rilindas të tjerë), Naimi jo vetëm që nuk u asimilua, por vazhdimisht i rritej dhe zhvillohej ndjenja kombëtare dhe vetëdija e lartë për popullin. Me këtë ai ngrihet në nivelin më të lartë kombëtar, sepse për gjuhën dhe kombin ai luftoi tërë jetën.

Derisa Ushinski gjuhën e vet amtare e krahason me një lule e cila gjithënjë lulëzon dhe kurrë nuk vyshket, Naimi për gjuhën shqipe thotë: “Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!/Sa shije ka e hije,/Ç’e bukur edhe lirë,/Si Gjuhë Perëndije!” (Gjuha jonë).

            Në funksion të përvetësimit të kësaj gjuhe të bukur dhe të zhvillimit të mësimit në gjuhën amtare, Naimi edhe i shkroi librat e parë shqip si tekste shkollore, të cilat mëse një shekull u përdorën dhe përdoren në shkollat shqipe, kudo që janë. Në veprën e parë kushtuar Naimit, nga Mali Kokojka, botuar në Sofje më 1901 theksohet rëndësia e teksteve shkollore të Naimit: “Me këte qëllim, Naimi le vjershat për të cilat qe lindur dhe merr pendën për të shkruar libra për dituritë... që hynë fort shumë në punë nga shkaku që hodhë themel e gjuhësë dhe fjalëvet diturake” - (fq. 32).

Pikëpamjet e Naimit mbi rëndësinë e gjuhës amtare dhe vlerave të saj edukative do t’i sistemojmë në disa pika: Gjuha, kombi dhe mëmëdheu janë kategori të përjetshme, ato gjithëmonë jetojnë dhe kurrë nuk vdesin: “Se njerëzit gjithë vdesin,/Po jeta s’mbetet e shkretë,/Gjuha, mëmëdheu mbesin,/Të patundura përjetë” - (Korça).

Prandaj, detyrë e shqiptarëve është që ta ruajnë, ta zhvillojnë, ta pasurojnë gjuhën amtare dhe të mësojnë në gjuhën amtare. Gjuha duhet të jetë në funksion të zhvillimit kulturoro - arsimor të kombit. Gjuha amtare ka rëndësi të madhe arsimore e edukative, prandaj duhet të jetë bazë e mësimit. Nëpërmjet saj nxënësit më lehtë e përvetësojnë mësimin, zhvillojnë të menduarit, aftësitë intelektuale dhe vlerat kulturore. Gjuha amtare në shkollë duhet të zërë vendin kryesor, sepse prej saj varet përvetësimi i diturive dhe i gjuhëve të huaja. Gjuha amtare pra duhet të jetë “zonjë” e të gjitha të tjerave. Duke qenë mjet kryesor i edukimit, detyrë e edukatorëve, prindërve, arsimtarëve dhe gjithë të tjerëve është që ta kultivojnë dhe zhvillojnë gjuhën amtare në të gjitha mjediset ku veprojnë. “Gjuha bashkon kombin, e ndriton, e nxjerr nga errësira, shpirtin e mendjen e lartëson,  vetijat i zbukuron, vetëdijen e njohjen e lulëzon, vëllazërinë e shton, miqësinë e shumëzon” - thotë Naimi (Mësime).

Prandaj, gjuha amtare është mjeti kryesor për realizimin e qëllimit të edukatës në shkollë. Prindërit dhe edukatorët duhet të përpiqen që tek fëmijët ta zhvillojnë gjuhën qysh në moshën parashkollore. Në funksion të zhvillimit të saj duhet të jetë eshe pasurimi i fjalorit, i cili është një ndër kushtet për përvetësimin e lexim - shkrimit. Në këtë drejtim potencohet fuqia edukative e fjalëve të urta popullore, kashë e lasheve, tregimeve dhe përrallave për fëmijë, sidomos fabulave. Naimi la të shkruar një thesar të pasur të fjalëve të urta dhe fabulave të shqipëruara në vargje, të cilat kanë përmbajtje të shkëlqyera edukative - arsimore dhe porosi të qëlluara didaktike. Me qëllim që të ndihmojë zhvillimin e mësimit në gjuhën amtare, Naimi u vu në shërbim të shkollave të para shqipe, duke hartuar tekstet e para shkollore. Ata u botuan për herë të parë në Bukuresht në vitin 1886, që pastaj prej vitit 1887 të përdoren në mësonjëtoren e parë të Korçës, në shkollën e Çupave (1891) si dhe në shkollat e tjera, të cilat u hapën në periudhën e Rilindjes. Filloristëve Naimi u kushtoi “Vjershat për mësonjëtoret e para”, “Historinë e përgjithshme”, “Historinë e Shqipërisë”, etj. Në këto tekste kishte brendi të pasura dhe të llojllojshme nga natyra, gjeografia, historia, biologjia etj, kurse prindërve, edukatorëve,  arsimtarëve dhe të rinjve ua kushtoi librin “Mësime”, i cili ka vlera të larta edukative.

Gjatë hartimit të librave të leximit për mësonjëtoret e para, Naimi u përpoq që të përfshijë tekste dhe pjesë me vlera artistike dhe letrare me porosi të fuqishme edukative. Ai zgjodhi, përshtati dhe shqipëroi shumë fabula nga Lafonteni dhe Ezopi, të cilat ishin karakteristike për rrethanat e atëhershme historike dhe kulturoro-arsimore. Krahas këtyre,  ai shkruajti edhe shumë vjersha për të vegjlit, të cilat me bukurinë artistike, përmbajtjet dhe vargjet e rimuara edhe sot lexohen me kënaqësi nga nxënësit e shkollave shqipe. Nëpërmjet gjuhës, Naimi shihte mjetin më të bukur për bashkëpunim mirëkuptimin dhe afirmimin ndërmjet popujve të Ballkanit. Ai i porosiste shqiptarët që të bashkëpunojnë dhe të jetojnë në paqë e dashuri me popujt e tjerë. Në poemthin lirik “Dëshir’ e vërtetë e  Shqiptarëve”, shkruan: “Duam me fqinjët, gjithënjë të rrojmë, të jetojmë, me sllav, grek e këdo, me dashuri të shkojmë”. Këto vargje dëshmojnë qartë se Naimi ishte ndërtues i përsosur i “urave” për bashkimin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve të ndryshëm.

Së fundmi, dëshiroj të potencoj se tërë shkrimet dhe veprat e Naimit kanë vlera të larta artistike, estetike, letrare, pedagogjike, historike, filozofike etj. Ato kanë porosi të qëlluar edukative dhe ndikojnë fuqishëm në formimin intelektual, moral, estetik dhe patriotik të personalitetit të njeriut, prandaj edhe lexohen me kënaqësi nga njerëzit e të gjitha moshave.

Autori është ligjërues në Universitetin Shtetëror të Shkupit “Kirili dhe Metodi” dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora