Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Krahët e mi (Cikël poetik)

| E merkure, 12.08.2009, 07:32 PM |


Vangjush Ziko

KRAHËT E MI
 
GDHIHEM E NGRYSEM ÇDO DITË

Gdhihem e ngrysem çdo ditë
Me shtëpitë,pallatet e larta.
Ato ndezin dhe shuajnë dritat,
Unë hap edhe mbyll qepallat.
Edhe zogjtë flenë të qetë.
Edhe drurët puthitin fletët.
Veç,ndryshoj prej tyre pakëz
Se në ëndërr rri zgjuar natën,
Sepse dielli edhe hëna e jetës
Vijnë rrotull në boshtin e zemrës.
 
DO DESHA

Do desha të mbetesha ai që jam.
Do desha të kisha aq sa kam.
Me vete nuk desha të marr asgjë,
Të gjitha mbi tokë dua t'i lë...
Vetëm një gjë do marr me vete,
Gënjeshtrën e bukur të kësaj jete,
Që të mos veli ju e dalldisi,
Ëndrra parajse më kot mos stisni.
 
MASKA

Të vegjël lojtëm me symbyllët.
U rritëm.Vumë maskë.
Nuk di.Përse fshehim fytyrën
Dhe lemë maskën të flasë.
 
Maska nuk është burrëri,
Qoftë për mashkull.Qoftë për femër.
Ajo s'na bën as perëndi
Dhe as idhull të rremë.
 
Fytyrën,mbase,zbukuron,
Apo na bën seriozë.
Loti që faqes së saj kullon
S'ia lan dot shpirtit blozën.
 
PAS ËNDRRËS

Sa herë gdhihem çdo mëngjes,
Më duket se u ktheva nga një udhë.
Herë flokët i kam lagur me vesë,
Herë thinjët veshur me brymë...
 
Them,pse s'u zgjova më shpejt!
Ah,them,sa mirë të mbetesha në gjumë!
 
BARDHEGRI

Gri e reve.E bardh'e dëborës.
Njëra me tjetrën po konkurojnë.
E grinjta lart.
E bardha poshtë,
Porsi imazhi kokëposhtë.
Porsi mbi dhe' çdo gjë sëprapthi,
Poshtë i drejti dhe lart i prapti.
E bardha shkelet,e bardha ndotet
Nga ne hijet e kësaj bote.
 
GABIMI IM

Gabimi im është i thjeshtë,
Do ta quaja shumë njerëzor.
Kam një huq,iu besoj njerëzve
Dhe mbetem shumë herë bosh.
 
Nuk e di,mbase,harrojnë,
Mbase,s'iu duhet kjo miqësi.
Me shifrën zero e shumëzojnë
Atë që quhet dashuri.
 
Dhe unë prapë iu besoj.
Dhe prapë bie në gabim.
I lumtur jam që nuk shteron
Kjo dashuri në shpirtin tim.
 
KRAHËT E MI

Zogjtë kanë krahë.Insektet,gjithsesi.
Avionët kanë krahë metalikë.
Unë,veç krahëve si çdo njeri,
Kam krahët e mi poetikë.
Janë krahë fjalësh dhe emocionesh,
Krahë letre të zakonshme,
Krahë ëngjëjsh,qiellorësh
Sa të thjeshtë,aq madhështorë,
Me ta shkoj atje ku dua,
Ju marr edhe juve me mua,
Ju shpie atje në ato shtigje
Ku dielli i zemrës sime digjet.
.
Toronto, pranvere-vere, 2009