E enjte, 28.03.2024, 09:18 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: A mund të lirohemi ndonjëherë nga përshëndetjet në gjuhët e huaja?!

E merkure, 12.08.2009, 08:59 PM


Në mbrojtje të gjuhës dhe traditës sonë:

A MUND TË LIROHEMI NDONJËHERË NGA PËRSHËNDETJET  NË GJUHËT E  HUAJA?!

Nga Demir KRASNIQI

Edhe sot, në shekullin e 21-të, kur kemi dy shtete të pavarura dhe sovrane shqiptare , kur kemi me dhjetëra universitete e kolegje kombëtare, akademi të shkencave dhe arteve , institucione albanologjike dhe të gjitha të mirat tjera që i duhen një populli dhe një kombi për t’ i  ruajtur traditat, gjuhën, kulturën dhe vlerat e veta kombëtare , ne , si duket as se si nuk po mund të edukohemi në frymën e pastër kombëtare dhe as se si nuk po mundemi që të lirohemi njëherë e përgjithmonë nga ndikimet e kulturave të popujve tjerë , në veçanti nga ndikimet e ish popujve okupatorë të trojeve etnike shqiptare !
    Ndikime të këtilla , kemi ende në çdo pore të jetës sonë, si në gjuhë, ashtu edhe në kulturë në përgjithësi , por kësaj radhe do të ndalemi tek përshëndetjet të cilat në shumicën e rasteve , ende i bëjmë në gjuhët e huaja , edhe pse i kemi me bollëk fjalët tona përshëndetëse të cilat janë aq të ëmbla dhe tingëllojnë aq bukur !

Mirë se erdhe dhe mirë se u gjeta !

Këto dy fjalë përshëndetëse që janë kaq të ëmbla dhe tingëllojnë kaq bukur në gjuhën amtare shqipe , tek një numër i madh i krahinave shqiptare të Kosovës, Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë , as sot e kësaj dite nuk janë në përdorim të së folmes popullore , në rastet kur presim ndonjë mysafir , mik, shok , apo dashamirë , i cili vjen për të na vizituar !
    Në vend që mysafirin tonë , ta përshëndesim duke i dëshiruar mirëseardhje në gjuhën amtare shqipe :”Mirë se  erdhe!”, apo: “Mirë se na erdhët!”, në të folmen tonë popullore , në vazhdimësi priten mysafirët me fjalën përshëndetëse turke:”Hosh gëlden”, apo “Hosh gëldiniz”!, me ç’ rast mysafiri do t’ ua kthejë :”Hosh bolldën!”
Madje, pjesa dërmuese e përdoruesve të këtyre fjalëve të huaja përshëndetëse , duke mos e njohur gjuhën turke, e deformojnë shprehjen :”Hosh gëlden”, duke e shqiptuar gabimisht:”Hosh gjolldën!”
Çka është edhe më e çuditshme nga ana e konsumuesve permanent të këtyre shprehjeve përshëndetëse, është fakti se edhe po deshi dikush që t’ a përshëndes mysafirin në gjuhën shqipe , mysafiri në shumë raste do të ndihej në veti si i tallur dhe si i pa përshëndetur ?!
Krahas terminologjisë së përshëndetjeve  në gjuhën turke, në mentalitetin e shumicës së popullatës sonë, është ngulitur thellë edhe përshëndetja në gjuhën arabe:”Selamun alejkum” dhe “Alejkum selam”, përshëndetje këto që shumica prej nesh, as që e di se çfarë kuptimi në të vërtetë kanë?!
Fill pas këtyre dy shprehjeve me të cilat përshëndetën mysafirët tek ne, menjëherë pason në vazhdimësi nga të gjithë mysafirët e pranishëm shprehja tjetër arabe: ”Merhaba!”, me të cilën mysafirët paraardhës i drejtohen mysafirit që do të vjen  në odë pas tyre ! Kjo shprehje është e ditur se e ka kuptimin “Mirë se erdhe!” Mirëpo, në mentalitetet e rretheve të ndryshme, po qe se dikush i thotë dikujt në gjuhën shqipe :”Mirë se erdhe!”, nuk do të mirëpritej nga të pranishmit tjerë dhe do të konsiderohej si përshëndetje e vërtetë serioze !?
Shprehjet përshëndetëse në gjuhën arabe:”Selamun alejkum”,”Alejkum selam” dhe “Merhaba”, më së tepërmi përdorën në rastet e ceremonive dhe ritualeve të vdekjes, qoftë në ditën e varrimit, qoftë në ditët e ngushëllimeve, qoftë në ceremonitë e Qelimeve! Këto përshëndetje bëhen më shumë sa për t’ ua mbarua qejfet hoxhallarëve dhe hanxhinjve të cilët zakonisht janë të ulur në krye të vendit dhe ata e mbajnë tymonin komandues gjatë të gjitha ceremonive e ritualeve fetare !
Zhargoni i përshëndetjeve të tilla , nuk do të ishte i çuditshëm në rastet kur dëgjohen nga njerëzit e moshuar dhe të pa shkolluar , por kur këtë zhargon e dëgjon nga goja e disa intelektualëve me alamet titujsh shkencor, atëherë nuk ka se si të mos iritohet njeriu dhe të mos zhgënjehet nga keqpërdorimet dhe dhunimet që i bëhen pamëshirshëm gjuhës amtare shqipe !
Një shprehje tjetër urimi, në gjuhën turke , e cila ka marrë përmasa mbi të gjitha hapësirat shqiptare , është ajo e tipit :”Jasha! Jasha!”
Këtë shprehje urimi e cila ka kuptimin :”Rrofsh! Rrofsh!”, na e kanë servuar dhe shti në përdorim grupet muzikore, këngëtarët e estradës, nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore . Shprehje kjo, të cilën artistët e estradës dasmore e kanë importuar nga kultura turke dhe rome , për t’ ua rritur mendjen dasmorëve dhe për t’ i nxitur ata që t’iu dhurojnë sa më shumë para “bakshishte”(dhurata) !
Duke e shfrytëzuar mentalitetin e ulët të disa personave të pasur dhe të etur për t’ ua përmendur emrin përmes mikrofonave dhe altoparlantëve, para masës së dasmorëve, këngëtarët dasmorë në vazhdimësi brohorasin emrat e tyre në këtë stil:”Jasha ! Jasha Hafiz pasha! I ke xhepat shumë të trasha !” Ose :”Jasha Hafiz , jasha!”
Dhe fill pas këtyre brohoritjeve të mëdha publike , Hafizi dhe Hafizat tjerë që do t’ u  përmendet emri përmes mikrofonit, do t’ i nxjerrin portofolet e tyre “të trasha” dhe do t’ i  qerasin këngëtarët me para deri në centin e fundit të xhepit të tyre, vetëm e vetëm që para masës së dasmorëve të tregohen se janë “kavalierë” dhe “pasanikë”!
Pra, siç po shihet degradimi , nëpërkëmbja dhe asimilimi i vlerave tona kulturore , jo rrallë shpërblehet edhe me para !



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora