E premte, 19.04.2024, 10:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (VII)

E marte, 11.08.2009, 07:51 PM


Vargje të shkruara në gusht (VII)

Nga Përparim Hysi
             
1.Zogë

Zogë,moj zogë,e kullundrisur
Pse s'më thuaj për ku je nisur?
Kur të shoh,ashtu, ujdisur
Mëndja ime çakërdisur

Ai sy aq i stolisur
Një qepallë e kolisur
Keqas mua më ka dongëdisur
S'po mbledh mëndjen e shtëllizur.

Ajo buzë,moj,e ormisur
Edhe gjoksi i azdisur
Seç më bëjnë si të krisur
Mëndja iku.Arrratisur...
               
14 gusht 2001
             
2.Një gjethe

Një gjethe që ra nga pema
Tek këmba ime dha frymë
Unë nuk e di se çfarë ndjeva
Për vete mendova një grimë

Kështu një ditë do të bie
Si kjo gjethe që ra nga pema
Pema do lëshojë gjethe të re
Unë do të zhdukem nga skena.
                 
14 gusht 2001
             
3.Ndeshja

Sa lehtë është me tjetrin të ndeshesh
Shkaku a preteksti gjendet sakaq
Je gati me tjetrin të përleshesh
Sherrin sikur ke pritur dhe aq

Mjafton që t'i thuash:-Ke hundën të madhe!
Apo të të thotë:-Je llafazan!
Fillon zallamahija e madhe
Tak-fap sherrxhinjtë në sheshmejdan.

Ca më  shumë,po u fute në politikë
Zëre se ke shkelur mbi një minë
Të del përbri një kokëshinik:
-A ti do me sha Salin?!!!  *

Sikur ti,vërtet,digjesh për Fatosin**
Ky tjetri po u "djegërka" për Salinë
Ky sherr pa shkak më sjell karagjozin
Që për të qeshur me sforco bën njerëzinë

Por ja që ne,shqiptarët,e kemi lehtë për t'u ndeshur
Dhe është për të qarë dhe jo për të qeshur...

*Sali Berisha
**Fatos Nano
                          
26 gusht 2001
                  
4.Çast në plazh

Të ka pjekur dielli i jugut;mënd je bërë lulëkuq
Sa më iku delli i turpit,t'i ngul sytë si i paturp.
Lulëkuq je në fytyrë dhe në gushë edhe më poshtë
Sytë t'i ngul si një qafir,se unë pakëz jam"kodosh"

Ti më sheh që s't'i ndajë sytë;sa nuk më kërcejnë nga vëndi
Mbi sup hedh një napë si sitë(tash më shumë më kap mua jermi).
                          
26 gusht 2001
                     
5.*   *  *

Afrova dorën tek dora jote
Ti dorën time e mbërtheve fort
Pra,prisje sulm dhe jo mbrojtje
Ndaj unë sulmova drejt asaj porte...
                     
30 gusht 2001
                    
6.Mozaik nga tranzicioni

Një nxënësi im që braktisi klasën e gjashtë
Ai që në shkollë apo kudo s'linte dy gurë bashkë
Doli i "shkathët" në këtë tranzicion
Para me grushte "fiton" në emigracion.

Ke parë ti që na ngriti një vilë
Me portë të madhe;dhe muret me grilë
Dhe para vilës na ngre një pishinë
Se di të rrojë,tani,ky ish nxënësi im.

Se ç'bën a ku bën,as fare s'e di
(kam rënë në një"boss" që më do shumë ai?!!!)
Kështu thotë nxënësi im,dreqi e merr vesh
Si derr i kënaqur,shpie gojën vesh më vesh.
                       
30 gusht 2001
                 
7.Mbërdhin Poeti*

Mbrëdhin dhe në gusht Poeti
U"plevitos" që kur qe i ri
Se për të u "kujdes" shteti
Kot s'e mbylli nën frengji.

S' e lanë të vazhdonte shkollën
(I rrezikshëm,u shpall ai)
Në ara e kanale të hiqte"njollën"
Kështu kish vendosur "nëna" parti.

U ftoh,u plevitos Poeti
E shoh tek ecën mbledhur grusht
Me hije është bërë i shkreti
Me xhaketë e shoh dhe në gusht.

Do të ngrohë shpirtin e mardhur
Dhe trupin e brishtë do të ngrohë
E shoh,para kohe,të plakur
Dhe mallkoj  të ligën,mortajën kohë**...

*Sefedin Metushi
** regjimi i Enver Hoxhës.
                      
30 gusht 2001
               
8.Trup e shpirt i drobitur

Trup e shpirt i drobitur
Ja,tek ecën,i menduar
Dhe kostumin të roitur
Ky njeri që është i çmuar.

Copëra vargjesh seç përtyp
Siç përtyp vetminë e vetë
Jeta e tij është mu në zgrip
Se më kot nuk është poet.

Diktatura nuk e deshi
Dhe e pa me synë e njerkës
Dhe demokracia që erdhi
Pse e la prapë pas"letrës?!"...
             
30 gusht 2001
             
9.Mbi karelën e makinës

Mbi karelën e makinës vura duartë që të shkruaj
Kujtesën kam bërë bisturi dhe gërvish me të në kohë
Në kam vuajtur në atë kohë,përse tani prapë të vuaj
Bisturia pret e pret dhe ndjej dhimbje sa bëj "oh!"

Se zbulohen plagë të vjetra;sa çudi:janë nën korë!
Bisturia u heq korën ,edhe plaga zë maiset
Se nuk kam se çfarë bëj tjetër;unë,një kurbetçi i gjorë
Nëpër dhimbjet e kujtesës;nëpër plagë zë englendisem.
                        
11 gusht 2001

10.Po gris copëra shpirti

Copëra prej shpirtit po gris
Siç gris një rrobë të vjetër
Një fati i mbrapsht m'u kondis
(Mos vallë,s'meritoja fat tjetër?!)

Në copërat e shpirtit që gris
Gris tërë jetën time
Kjo jetë aq keq m'u kris
Siç kriset një xham vitrine.

Një copë qe fëmijëria ime
Ajo kur ecja zbathur
Pastaj është "copa" e rinisë sime
Kur aq keq më kanë"rrahur"  *

M' u dhimbën këtë copa të dyja
M'u dhimbë gjithë ajo kohë e çmuar
Dhe zë më kap nostalgjia
Jam gati t'ia thërres me të qarë.

Tani veç një copë më ka mbetur
Kjo  është pleqëria;tani jam kokëbradhë
Dhe veç një merak më ka mbetur:
Si s'vesha gjatë jetës,makar,një rrobë të bardhë?!...
.............
Apo ndoshta kur të hyj në varr?!....
*nga lufta e kllasave
                         
11 gusht 2001


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora