Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suzana Kuqi: Dragoi im

| E marte, 11.08.2009, 07:08 PM |


 

                                                                   Suzana Kuqi

 

 

  D R A G O I    I M

 

 

      Ku gjenden përrallat ?

      ka një në çdo send

      në dru , në tavolinë

      në gotë , në trëndafil

      Përralla rri aty brenda

      prej kohësh

      e nuk flet

      është si një bukuroshe e fjetur

      e duhet ta zgjosh

      Por nëse një princ

      apo një poet

      nuk vjen ta puthë...

      fëmija përrallën

      më kot e pret..

   

 

Xhani Rodari

 

                                Pylli i zi dhe kalorësi ynë

 

 

                 Një kalorës me  pelerinë të errët e kapele të rrasur mbi koke që mbulon fytyrën e tij por nuk fsheh dot flokët e gjatë e të zez, del si hije nga pylli akoma i përgjumur që përkëdhelet nga drita e parë e agimit. Në këtë çast magjik të zgjimit të gjithësisë duket si një figurë fantastike e mbushur plot me mister e trishtim dhe bjen në kontrast të plotë me horizontin që ka filluar të ndizet  e ngjyen me ar sipërfaqen e lumit që rrjedh aq qetë sa duket sikur fle. Kali në ngjyrë  kafe përfiton nga ky çast e fillon të shuajë etjen. Heshtje. Kalorësi duket sikur ka ngrirë mbi shpinë të kalit, as edhe ajri nuk lëviz e duket sikur respekton trishtimin e dhimbjen e tij. Lotë të nxehtë rrokullisen mbi faqet e tij burrërore. Kush ka thënë se burrat nuk  qajnë... Papritmas një trok i zhurmshëm kuajsh vjen nga pylli dhe kalorësi ynë duket sikur shkundet. Kali i shqetësuar lëvizi e me flegrat që fërgëllonin tek ndjente rrezikun, u ngrit kas, hingëlliu e u bë gati për t’u lëshuar me vrap . I zoti shtërngoi frerët duke e detyruar të ulej dhe një çast u duk i pavendosur se ç'të bënte. Kur zhurma erdhi e u bë më e fortë, nguli thembrat në barkun e kalit e rendi drejt lumit. Një pyll akoma më i errët e priste në bregun tjetër...

                                              

 

                                                               - & -   

 

              Sapo ai u zhduk në të, pesë kalorës të tjerë ja behën  e qëndruan po në atë vend ku kish qëndruar kalorësi ynë pak më parë. Kuajt ishin të nxehur e të djersitur. Ju afruan bregut të lumit dhe kuajt filluan të shuajnë etjen. Kalorësit ishin të zemëruar, bërtisnin njëri tjetrit duke treguar shenjat që kish lënë kaloresi i parë në tokë e pastaj ndoqën me sy bregun tjetër, ku dukeshin ende të freskëta gjurmët e kalit të tij. U ndez një diskutim, tre donin ta ndiqnin pas, por dy të tjerët ngulnin këmbë të ndalonin aty dhe të ktheheshin prapa. Papritmas një  kalorës tjetër me kalë të zi e flokë të bardhë u shkëput nga pylli dhe u afrua. Dëgjoi të gjithë me rradhë dhe në fund tha:

                  - "Kthehemi.Atë që kemi filluar ne do ta mbarojë pylli i zi."

 

 

                                     

 

                                                            - & -

                 I Zi quhej pylli, por kur dielli ngrihej lart rrezet e tij  bënin të shkëlqenin gjethet e lisave të mëdhenj e të fuqishëm me një ngjyrë te gjelbër paksa të errët por shumë të bukur. Ato zgjatnin degët  e tyre, i gëzoheshin rrezeve të para të mëngjesit dhe dukej sikur përshëndesnin dhe falenderonin ditën e re. Gjethet e pemëve ishin gjithmonë të gjelbërta, dukej sikur gjelbërimi buronte në këtë vend dhe kjo binte me shumë në sy në dimër kur pylli përkarshi ishte i zhveshur dhe pemët e tij dukeshin si dordolecë qesharakë që dridheshin nga era e të ftohtët e dëborës së bardhë.Toka, ajo pak që mund të shihej nga bregu tjetër, ishte e errët dhe ndjehej nga larg kundërmimi i mirë i dheut të lagësht e të freskët edhe në muajt më të nxehtë të verës. Ishte i bukur si një pyll ëndrrash apo përrallash por askujt nuk ja mbante të vinte këmbë në të. Për sa kohë mbahej mënd në fshatrat përreth , kush kish kaluar lumin e kish hyrë në të, ose ish gjetur më pas i vdekur  poshtë fshatit në breg të lumit i sjellë nga rryma ose ... por më mirë i vdekur se sa i katandisuar si ata të paktë që kishin dalë gjallë. Vetëm pak, shumë pak vetë kishin hyrë, dhe këta numëroheshin me gishtat e një dore. Kush nuk ishte kthyer, mendohej i vdekur. Pra në këtë pyll kish hyrë edhe kalorësi ynë dhe tashmë konsiderohej dhe ky si i tillë...

 

 

                                                  

 

                                                             - & -

 

                  Pasi u fut brenda në pyll aq sa mendoi se nuk e shihnin më nga ana tjetër, Gjini sepse kështu quhet  kalorësi ynë, zbriti nga kali dhe filloi të ecte më këmbë derisa lodhja i këputi gjunjët e u shemb përdhe. Dhimbja e pushtoi të tërin tek pa duart e lyera me gjak. Ishte gjaku i Marikës së bukur. E kish lënë atje nën hijen e atij lisi të madh ku  takoheshin përherë. Përse ajo shpatë kish goditur Marikën dhe jo atë? Përse ja kish mbathur dhe e kish lënë atje? Do të ish më mirë të kish vdekur me të . Por ajo i                                                                                                                                                                                                     kish thene:-" Ik Gjin! Ik e jeto edhe për mua!" Po ç'e donte jetën pa të? Ai i la rrugë të lirë dhëmbjes dhe u shkreh në vaj. Ngashërimet e tij ngriheshin lart e shuheshin në degët e dendura të pemëve. Përreth kish vetëm qetësi, as zogjtë nuk cicërinin, dëgjonin në heshtje dhëmbjen e madhe të kësaj qënjeje të çuditëshme që kish hyrë ashtu papritur në teritorin e tyre. Diku dhëmbja dhe lodhja e raskapitën dhe Gjinin e zuri gjumi duke pëshpëritur emrin e të dashurës mes dënesave që po shuheshin...

 

 

 

                               

                                         Shtojzavallet...

                                                  

                                                           

               Tri vasha me flokë të gjatë e të shndritshëm që ju zbrisnin valë valë deri në fund të këmbëve, të bukura si yje, veshur me fustanë të bardhë, lëshonin një dritë të bardhë si qumështi përreth. Dukeshin sikur ishin bërë prej drite dhe ajri.  Kishin qëndruar pak më larg Gjinit dhe e vështronin me keqardhje. Lotët, si margaritarë të vegjël rrëshqisnin faqeve të fildishta të vashës me flokë të zinj si korbi.

            - "C'po ndodh me ty motërzë ?"- pyeti vashëza me flokë të verdhë si drita e diellit në mengjes.Tingulli i zërit të saj ishte  një mori cicërimash të bukura.

            -" Vallë e njeh motërzë ?"- pyeti vashëza me flokë të kuq si rrezet e diellit ne perëndim kur duket sikur merr flakë e ndez horizontin.

            -" Po motërza, e kam parë dhe e kam dëgjuar kur i binte fyellit e i këndonte të dashurës së tij. I bjen aq bukur sa shpesh kam qëndruar e jam fshehur ndër degë të lisit e shpirtin ma ka mbushur me gëzim. Gjin e quajnë dhe Marika, vashëzën e dashur të tij. Familja e vajzës është në gjak me familjen e tij dhe e kërkonin për ta vrarë, por ajo e deshi dhe e takonte fshehur atje tek ai lisi i madh e i lashtë i pyllit tjetër. Shtriga e fshatit i zbuloi dhe e kallëzoi tek vëllezërit e saj. Pesë janë, nuk janë djem të këqinj, por e dini gjaku është gjak për ta. Kur e pikasën se kishin rënë në kurth ishte shumë vonë. Marika u hodh para duke e mbuluar me trupin e saj kështu  shpata që qe nisur për të marrë jetën e djaloshit, plagosi atë. Do ta kishin vrarë këtë djalë të shkretë, por aq u hutuan ata tek panë se shpata e tyre kish prerë një grua, sa  e humbën toruan. Kështu, ajo përfitoi nga rasti dhe e urdhëroi të largohej.  Ajo, shtriga e mallkuar nuk ju kish thënë se ishte motra e tyre ajo që shihej me Gjinin...

          -" I shkreti, "- pëshpëriti flokëarta, -"keq i ka punët. Herët a vonë do t'i shkojë pranë në qiell".

          -"Jo, - ja preu flokëzeza, - ajo nuk është në qiell. Ai e din të vdekur, por jo. Eshtë ende gjallë, një fëmijë ka në bark e nuk e din. Unë e kam fshehur ...-zëri i saj erdhi e u pakësua sepse hasi vështrimin qortues të motrës së madhe.

         -"Sa herë të kam thënë të mos përziesh në punët e njerëzve? - e qortoi ajo. - Asgjë e mirë nuk vjen prej tyre dhe veç telashe i hap vetes. Prit po do ta shohësh se ç'do të të thonë kur ta marrin vesh...

        -"Të lutem motër, mos u thuaj! - zëri i ëmbël u drodh dhe ajo ngjau me dritën e qiririt që lëkundet nga era.

    Vashëza flokartë ju afrua Gjinit, i cili pas gjithë asaj dite të lodhëshme e të dhimbëshme kish rënë në gjumë të rëndë. I erdhi rrotull dy a tri herë, i kaloi lehtas dorën përmbi flokë, veprim ky që e bëri Gjinin të buzëqeshte në gjumë. Kushedi ç'kujtim të ëmbël i pat zgjuar. Vashëza tek pa këtë nënqeshje u zbut. U mendua një çast dhe pastaj tha:

           -"Mirë, nuk do t'u them.Për mbi të gjitha do të mundohemi ta ndihmojmë, si thua ti motërzë? Do ta vemë në provë. Ndoshta është kalorësi që na duhet"- ju kthye flokëflakës. Tjetra vuri buzën në gaz e pohoi me kokë. Befas filloi të qeshte kumbueshëm.:

          -" E pse jo, do të zbavitemi", -shtoi ajo. Pastaj u kapën  për dore dhe u tretën në errësirën që kish pushtuar pyllin. Tashmë ishte bërë natë dhe kalorësi ynë ka rënë në një gjumë të rëndë e të trazuar dhe herë pas here dëgjohet ndonjë ngashërimë e vogël që prish heshtjen e natës  e të këput shpirtin...

 

 

                                                 

 

                                                            - & -

 

                Gjini fjeti tërë atë ditë dhe natën në vazhdim. Cicërimat e gëzuara të zogjve , që nuk mund të rrinë gjatë të trishtuar, jeta e tyre është tepër e shkurtër për këtë, e zgjuan Gjinin i cili në fillim nuk kuptonte se ku ndodhej. Si gjithmonë mendimi i parë ishte për Marikën që  nderi një nënqeshje të ëmbël në tiparet e tij të bukura por papritmas kujtimi  i atyre syve që mbylleshin e i atyre buzëve të bukura që i thonin "ik,ik", e bënë të ngashërehej sërish. Hingëllima e lehtë e kalit që i erdhi pranë e fërkoi turirin  në supin e tij i tërhoqi vëmendjen. E përkëdheli lehtas dhe u ngrit. Desh ta kalëronte por pastaj ndryshoi mendim. I hoqi frerin, e përkëdheli, E donte shumë këtë kalë që nëna mezi ja kish blerë duke mbledhur grosh pas groshi, duke qëruar sytë deri vonë mbi gjergjef pas punës së rëndë e raskapitëse në arë. Nëna... një duf i tërë dhimbjeje e brerjeje ndërgjegjeje e pushtoi të tërin. Nëna e tij e mirë, fill e vetme që e priste në shtëpi atë  që ish drita e syve të saj, që kish jetuar çdo çast me zemër të dridhur se mos ja vrisnin të birin siç kishin vrare të shoqin dhe dy kunetërit e saj me vjehrrin... Ajo e urrente atë familje që kish qënë shkak i gjithë këtyre morteve ndaj ai nuk i kish treguar per Marikën. E dinte se kjo do t’a lëndonte. Po tani si e kish hallin fill e vetme, kush do të kujdesej për bagëtinë, kush do t'i çonte për t'i kullotur? Kish qenë mëndjelehtësia e tij që kish shkaktuar tërë këto fatkeqësi. Përse vallë e kish bërë, përse nuk kish qenë i kenaqur me atë copë pylli qe i kishin caktuar për të kullotur bagëtinë dhe me atë kasolle që tani i dukej aq e dashur atje në mes të pyllit, atje nuk mund ta ngiste askush, ashtu ishte rregulli. Ama me të vënë këmbën jashtë këtij teritori ata kishin të drejtë ta vrisnin. Dhe ai e kish ditur këtë që kur ishte fëmijë. Përse nuk e kish respektuar, a nuk e kish respektuar vallë nëna e tij që nuk rrezikonte po të largohej por kish hequr dorë dhe nga vizitat që mund ti bënte familjes së saj vetëm për hatër të të birit? Mund edhe të ish martuar përsëri e të kish bërë fëmijë të tjerë, por ajo e desh shumë të birin, i kish kushtuar jetën atij. Dhe përfundimi...e kish humbur. Tërë ajo sakrificë... Gjini u ndie  shumë keq. Më mirë të kish vdekur atje nën degët e atij lisi së bashku me Marikën, kështu  nëna e tij do të mund ta qante një  herë  e mirë dhe t’i bënte respektin e fundit, ndërsa kështu do ta qante çdo ditë e çdo natë me atë fill torturues shprese se do ta shihte përsëri. Por ai e dinte se nuk mund të dilte gjallë nga ky pyll. Edhe babai i tij kish hyrë në të e nuk ishte kthyer më... Përse, përse kish vepruar kështu? Fajin që ndjente, si një qyrk të rëndë plumbi ja veshi vetes dhe ndjente zemrën t’i shtërngohej me dhëmbje në krahëror. Goditi  lehtë me pëllëmbë ijen e kalit dhe i pëshpëriti në vesh: "Ik, ik dhe ti e fati të ndihmoftë !" Pastaj vazhdoi më këmbë me torbën hedhur në krahë. Nuk peshonte shumë, kish në të një copë bukë misri me pak gjizë, një copë prasi dhe një shishe me dhallë kosi nga qumështi i dhive të tij. Një vakt i përgatitur me dashuri nga duart e nënës. Ish dhe një fyell i pështjellë në një copë të mëndafshtë, kujtimi i vetëm i babait të tij . Ai kish qënë shumë i vogël kur e kish parë për herë të fundit dhe pothuaj nuk e mbante mënd. Përse  ja bëra këtë nënës? Dhe përgjigja ishte aty, ishte në gjakun që i rridhte ndër dej si ujët e lumit që rridhte aty pranë të cilin ai e dëgjonte por nuk e shihte, se ai ishte i gjallë dhe i ri dhe jeta e pasioni i rinisë e kishin përfshirë të tërin dhe ... gjallë nuk do të ishte edhe për shumë kohë, por i ri... i tillë do të vdiste. Por nuk e dinte se si, këtë do ta zbulonte më pas. Shpejtoi hapin, sa më shpejt aq më mirë...

 

 

                                           

 

                                               

 

                          ... kalorësit, gruaja, shqiponja...

        

 

                    Gjashtë kalorësit u kthyen me trok të shpejtë tek lisi i madh që ndodhej në mes të pyllit për të parë se cila kish qenë ajo grua që ju kish prishur punë. Nuk ishte zbardhur ende, por drita ishte e mjaftueshme që ata të vërenin se ndën lis nuk kishte njeri. Ata nuk e vunë re Dilen, shtrigën e fshatit që u fsheh pas trungut të një peme e po i vështronte me sy të përskuqur nga urrejta." Do të vijë dhe rradha juaj", mërmëriste ajo me vetvete, "do të vijë dhe unë do t’i pjek në zjarr zemrat tuaja derisa të pëlcasin e pastaj do ti ha. Ashtu siç kam ngrënë zemrat e Gjikvet, që më vranë burrin dhe dy djemtë, pastaj ato të Frangajve, ato të Gjetajve, do të ha zemrat e burrave të gjithë fshatit, le të provojnë nuset, nënat e motrat ato që kam vuajtur unë... Isha unë që e shpura vajzën tuaj afër kufirit të pyllit të Gjinit që të degjonte sa bukur i binte fyellit e të dashurohej me të, të dilte nga burgu i tij e ta vrisnit, megjithëse për këtë mjeshtri e padroni im më qortoi e nuk e di sepse, përherë ka qenë i kënaqur me punët e mia...Dhe i thoni vetes burra, nuk ishit të zot të vrisnit as edhe një grua. Ha, ha ,ha sa do t'ju vijë keq se keni vrarë motrën tuej, dhe ti plak flokëbardhë bijën tënde që të falte aq gëzim, pale kur ta marrësh vesh se ishte e dashura e armikut tënd e të ka tradhëtuar... Por meqë punët rrodhën kështu unë desha ta lë gjallë, e ju të hanit bukën me turp… Por Ai më ka dhënë urdhër ta vras, ti çaj barkun e ti marr fetusin e t'ja çoj... Ha, ha , ha, një bastard i vogël nuk do të ishte keq për krenarinë tuaj e ju do të luteshit që më mirë të vdisnit se sa... Dhe tani vini rrotull si budallenj pasi nuk po gjeni dot gjë, por mos u lodhni kot. Ajo Zana e kish bërë të padukëshme por jo për mua, pastaj ju mund ta shtypnit me kuaj se nuk do ta shihnit dhe unë e kam vënë atje lart, e keni mbi kokë e nuk e shihni dhe ajo do të vdesë ... Gjynah, një vajzë aq e bukur dhe e mirë, më jepte përherë për të ngrënë  kur vinte e më gjente tek kroi i fshatit, më jepte bukën e saj e agjëronte tërë ditën kur shkonte me dhi... por unë nuk doja bukën e saj, nuk më lehtësonin dhimbjet, desha gjakun,ah sa të mirë e ka shijen! Ajo lëpiu gishtat, kish mbledhur pikat e gjakut përtokë e  nuk kish lënë asnjë gjurmë. Kalorësit shihnin përreth të habitur. Shiheshin qartë gjurmët e përleshjes dhe të kuajve por tjetër... hiç. Më në fund plaku që ishte kërrusur duke vërejtur vendin u çua e tha:

             - "Duket punë e magjepsur. Më mirë ikim!"

 Të gjashtë u hodhën mbi kuaj dhe u nisën. Papritur diçka i tërhoqi vëmëndjen Markut, vëllait më të vogël, diçka i pikoi mbi sup dhe ai vëreu se ishin pika gjaku. Ngriti kokën dhe pa me habi se nga gjethet e lisit pikonte gjak. Dielli u ngjit lart dhe rrezet e tij shkëlqyen degët e sipërme të lisit dhe ai dalloi diçka. Zbriti nga kali dhe me shpejtësi filloi të kacavirej në pemë. Babai i thirri nga poshtë dhe e urdhëroi të zbriste por ai vazhdoi të ngjitej me gjak të ngrirë nga misteri, dhe zemërdridhur nga ajo thirrje e dëshpëruar për ndihmë që e perceptonte me tërë shqisat e tij, sa më lart ngjitej. Kish diçka të njohur në të, diçka të shtrenjtë që ai e kish shumë për zemër, e zemra i dridhej siç i ish dridhur sa herë që kur ishte i vogël e kujdesej për motrën e tij...Nuk kish mundësi, motra e tij ishte në shtëpi dhe tani nuk ishte ngritur ende nga shtrojet, ai e dinte se nuk i pëlqente të ngrihej herët në mëngjes, ndihej pak e lodhur këto kohët e fundit dhe ai kish qenë i shqetësuar. Kish frikë se mos ishte e sëmurë ose ndonjë plakë dashakeqe e kish hëngër më sysh... Jo, jo nuk ishte motra e tij, po përse zemra e tij dridhej kështu sa i bënte t'i këputeshin krahët e gjunjët... Edhe pak, edhe dy degë të tjera dhe arrij por...si ta kap,duket vërtet trup gruaje por sikur  ishte prej mjegulle... Mos vallë dikush po më bën ndonjë lojë? C'më tërheq aq lart? Po babai me vëllezërit ç'kanë që bërtasin aq shumë? Ja arrita, degën tjetër më mbetet veç të zgjas dorën e ta prek... Mblodhi të gjitha fuqitë, drejtoi trupin duke rregulluar këmbët për të mbajtur ekuilibrin mbi degën e lisit që ju duk mjaft e fortë sa për të mbajtur peshën e dy vetëve dhe zgjati duart duke i vendosur njërën ndën kokë dhe tjetrën ndën shpinën e asaj figure. Zemra ju hodh përpjetë nga gëzimi, ishte e prekshme, nuk ishte prej ajri e mjegulle. Rregulloi më mirë këmbët dhe filloi ta zvendoste ngadalë.

           -"Mark!!!"- zëri i babait tashmë ishte kthyer në një ulërimë, por ai nuk mund të kthente kokën e të përgjigjej.Tërë vëmëndja e forca e tij ishin përqëndruar tek ai trup që pak nga pak u shkëput nga dega e pemës e ra në krahët e tij. Befas një hije e zezë e mbuloi të tërin. Ngriti kokën i hutuar të shihte se ç'ish por ndërkohë dy kthetra të fuqishme që e gjetën në befasi, ja rrëmbyen trofenë nga duart dhe  mbi kokë i ra pelerina e zezë e madhe e gruas duke e pështjellë të tërin e ja mbuloi shikimin. Ai e flaku tej por ishte tepër vonë. Ajo që pa më tej e la me gojë hapur. Një shqiponjë e madhe  largohej me shpejtësi drej majës së malit. Në kthetra mbante trofenë e tij. I pafuqishëm u ul mbi degën e pemës duke shtërnguar fort pelerinën dhe ndjeu një aromë të njohur që nuk mund ta ngatërronte. Pak më tej dicka shkëlqente. Zgjati dorën dhe tërhoqi një zinxhir të artë me një medalion në formë  luleje. Ja kish dhuruar ai motrës. E pështeti mbi zemër dhe një ulërimë dhëmbjeje shpërtheu nga gryka e tij që bëri t’u ngrinte gjaku  burrave poshtë.

            -"Mark!"- dëgjoi ai zërin e shqetësuar të të atit por nuk mund të përgjigjej, dhëmbja e kish pushtuar të tërin. Vëllezërit   zbritën nga kuajt dhe filluan të ngjisnin me shpejtësi degët e pemës për t’i ardhur në ndihmë vëllait të vogël që duhej të ishte në  rrezik të madh.Ulërima e tij erdhi duke u pakësuar dhe kur ata u afruan pushoi. Të shqetësuar më shumë për heshtjen që pllakosi ata  shpejtuan. Gjini i ndjeu, palosi me nxitim pelerinën dhe e fshehu në një zgavër që shqoi aty pranë ndërsa medaljonin e rrasi thellë në xhepin e këmishës së trupit.Vëllezërit e gjetën të ulur mbi degë me kokën ndër duar dhe sy të përlotur.

             -" Na ngrive gjakun he burrë"- dëgjoi zërin e ashpër e qortues të vëllait të madh, por sado që u mundua të ishte i ashpër zëri tradhëtonte ndjenjën e  frikës që kish ndjerë. Pasi ndenjën pak në heshtje, kohë për të marrë frymë filluan të zbrisnin një e nga një, e pastaj në heshtje u hipën kuajve e u drejtuan për në shtëpi. Babai nuk i foli fare,  duhej ta qortonte, por zemra nuk ja ndjente pas asaj që kish përjetuar atë moment që e kish menduar në rrezik. Ai i donte bijtë e tij, aq shumë sa ishte i detyruar të vriste për ta .Kurrë nuk do të donte t’i bënte keq as edhe një mize...I kaloi ndër mend Gjini dhe nëna e tij. E shkreta grua, si e ka hallin që pret të birin në shtëpi. Mendimi se nuk e kish vrarë me dorën e tij ja lehtësoi pak shpirtin. Nuk do të kish dashur ta vriste, kish patur rast dhe nuk e kish bërë. Por frika se ai mund të vriste ndonjë nga djemtë e tij dhe …turpi nga fshati që donte  të zbatohej zakoni. Cfarë zakoni, duhej të ishin ata që të kishin frikë dhe jo Gjini. Ishte rradha e tij për t'u hakmarrë e t'i merrte një nga djemtë por dhe zakoni ishte ndryshuar. Ai ishte më i fortë kish pesë djem ndërsa ai ishte vetëm një...Zakoni, si njerëzit, ishte gjithnjë me më të fortin. Ai mbajti hapin e kalit dhe la t’i kalonin përpara një e nga një djemtë e tij dhe zemra i mbushej nga krenaria dhe dashuria. Ishin të fortë, të rinj e të bukur. Ishin gjithë ç'ka kish më vlerë për të, pale po të mendonte të bijën, atë vajzë që edhe hëna fshihej ndër re kur e shihte se ja kalonte për bukuri. Ai shpirt delikat dhe i dhëmbshur, ajo menyrë se si të vjen rrotull e të shërben...Doda se kështu quhet plaku, psherëtiu tek mendoi se kish ardhur koha të vendoste për t’a martuar të bijën. Të shumtë ishin trimat që e kishin kërkuar, djem të mirë e me prokopi por asnjë nuk ja mbushte syrin, asnjë nuk ishte i denjë per loçkën e zemrës së tij. Por duhej të vendoste dhe shpejt, vëllezërit nuk ishin martuar sepse prisnin më parë të bëhej nuse ajo, megjithëse ishte më e vogla. Kish qenë edhe kërkesë e tij. Asnjë nuse sado e mirë që të ishte nuk ja vlente të ishte kunata e saj, shpirti do ti errësohej nga cmira dhe  xhelozia . Nesër, mendoi, tek Marku kaloi bri tij  pa e vështruar në sy, nesër do t’i mbledh të gjithë djemtë e do të shqyrtojme kërkesat. E di që do tu vijë keq e  më shumë Markut që e ka patur gjithnjë kujdes, por kjo punë nuk pret më. Do të bëj dasëm të madhe. I dha kalit dhe doli në krye. Marku e ndoqi me bisht të syrit dhe u mundua të mbante lotët e dhëmbjes për të motrën. Ishte i mpirë dhe i trullosur. Nuk ishte se kish kuptuar shumë se ç'kish ndodhur, dinte vetëm se kish humbur të motrën dhe se motra kish...një ndjenjë e vagullt xhelozie i shpoi krahërorin. Si mund t'ja falte këtë, kjo ishte tradhëti. Ajo mund t'i kish treguar se ç'bënte dhe ai në mos do ta kishte ndaluar do ta mësonte se si të ruhej e të mos e zbulonin. Sa pak besim kish patur tek vëllai i saj. Kish mbetur prapa dhe dëgjoi vëllezërit që i thirrnin që të shpejtonte hapin. Asnjë nuk e di përveç meje, mendoi, dhe asnjë nuk ka për ta ditur. Nderi i motrës së vdekur e kërkonte kështu. Por kush tha se ka vdekur? Arësyeja i thosh se po,  zemra nuk ja pranonte. Ai do ta kërkonte, do ta gjente e gjallë a vdekur do ta kthente në shtëpi. Po ku? Ku do ta kërkonte? Sado që mundohej të shtjellonte mendimet e të gjente një shteg ... Një hije e zezë rrëshqiti pas një peme dhe ai ndali kalin një çast e pastaj vazhdoi përsëri. Ishte një hije e parëndësishme, e ç'mund ti bënte ajo pas gjithë asaj që i kish ndodhur atë natë. Le të ikte në punë të vet. Ai kish gjëra më të rëndësishme për të bërë, duhej të gjente motrën. A mund ta ndihmonte për këtë? Ai  u drejtua nga ana ku e kish pikasur e nguli thembrat në barkun e kalit për të nxituar. E pa përsëri tek largohej me shpejtësi këtë herë pa u fshehur siç dukej nuk dyshonte se e ndiqte njeri. Marku mbajti kalin, tashmë dinte ku ta kërkonte e ta gjente. Kish njohur Dilen...

 

 

 

 

 

 

                 Marika dhe përbindëshi …Gjini dhe pylli i çuditshëm…

 

                                                 

 

                     Marika filloi të vinte në vete dhe pati ndjesinë se ndodhej në ajër. I dukej sikur e kishin futur në një djep të ngushtë, shumë të ngushtë për të, që e shtërngonte dhe i shkaktonte dhëmbje. Nuk pati kohë të mendonte më shumë pasi ju duk sikur djepi u ça dhe po binte poshtë. Ajo hapi sytë me  tmerr por nuk dalloi asgjë tjetër veç një mjegull të bardhë e të lagësht që i kalonte me shpejtësi nëpër trup e ngjitej lart duke i dhënë një ndjesi të freskët lehtësimi që zgjati shumë pak. U përplas përtokë me një zhurmë të shurdhër dhe dhimbja që ndjeu në të gjitha qelizat e trupit të saj e bënë të humbte ndjenjat përsëri.

 

 

                                                   

 

                                                            - & -

 

                    Gjini ecte kuturu nëpër pyll.Sa më në thellësi hynte aq më shumë e çudiste larmia e tij. Kish pemë të bukura që nuk i kish parë kurrë më parë. Po kështu dhe shkurret e lulet që rriteshin mbi barin e gjelbër ishin nga të gjitha ngjyrat. Le të mos përmëndje pastaj  zogjtë. Kish lauresha, dallëndyshe, bilbila që cicëronin  e kish dhe zogj të tjerë të bukur që nuk ua njihte emrat. Edhe gjethet ishin me ngjyrë të ndryshme, kish pemë me gjethe  të gjelbërta, por dhe në ngjyrë të kuqe apo të verdhë, apo në ngjyrë vjeshte. Kish shumë lisa. Vende vende pemët hapeshin e zbulonin luadhe të vogla ku rrezet e diellit ngrohnin bimësi nga më të habitshmet dhe në hauzet e vogla që ishin në mes tyre notonin peshq të bukur të artë. Sa më shumë hynte në pyll aq më i bukur ish. Diku pa zogj fare të vegjël që kishin veshur ngjyrat e luleve e në fillim i kujtoi për flutura. Drerë me brirë të gërshetuara, dhi të egra, kuaj të bardhë, të murrmë, me trupa të vegjël, mesatarë e të mëdhenj sa nuk ja kish marrë mendja se mund të kish. Pastaj ishin ata me vija të zeza e të bardha. Por ai u rrinte larg, kish frikë. Imazhi i fytyrës së merakosur së nënës  që e priste pranë vatrës, i shkaktonte dhëmbje. Ai duhej të kthehej! Po si? Mundohej të kalonte nëpër mend tërë c'kish dëgjuar për këtë pyll, por u bind se nuk dinte asgjë. Sa më shumë që i forcohej mendimi se duhej të kthehej në shtëpi aq më shumë i shtohej frika se nuk do t'ja dilte. E kush ish kthyer vallë i saktë? Një sakat pa tru,i  budallallepsur ishte gjëja  e fundit që mund t'i uronte vetes e po ashtu edhe së ëmës. Papritmas diçka u shkëput nga dega e një peme dhe si një gur u përplas për tokë. Ai mbajti frymën. Cdo gjë e trembte, cdo gjë i fuste frikën dhe e bënte të dridhej. Dëshira për t’u kthyer në shtëpi i kish kthyer dëshirën për të jetuar, ndaj duhej të bënte kujdes. U afrua me ngadalë dhe vuri re se ishte një dallëndyshe që përpëlitej mbi bar me një krah të thyer. E mori në dorë duke bërë kujdes që të mos i binte përtokë tek përpëlitej e përpiqej t’i ikte. Ndjeu zemrën e zogut tek rrihte furishëm nga frika dhe filloi t’i fliste me zë të butë për t’i ndjellë besim e ta qetësonte. Diku dallëndyshja u duk sikur u qetësua por më shumë mundësi kish që t’i ishin mbaruar fuqitë dhe Gjini e dinte këtë. Duke mbajtur me një dorë zogun me tjetrën hapi torbën e tij e nxorri fyellin. Mori mandiljen e mëndafshtë me te cilin ishte mbështjellë e duke e kapur me dhëmbë e tërhoqi derisa grisi një fashë. Pastaj sistemoi krahun e zogut duke u munduar ti shkaktonte sa më pak dhëmbje dhe e lidhi. Pas kësaj e sistemoi në një degë peme të mbrojtur nga era dhe u nis përsëri...

 

 

                                              

 

 

                                                      - & -

 

                 Kur erdhi sërish në vete, Marika  mallëkoi fatin e saj që nuk kish vdekur më parë. Pranë saj një përbindësh që asaj ju duk sa një mal nuk ja shqiste sytë e  nxirrte ca tinguj të tmerrshëm. Sapo hasi atë vështrim Marika i mbylli sytë menjëherë me shpresë se ajo gjëja e shëmtuar nuk e kish vënë re se ishte zgjuar. Por më kot. Ndjeu se ajo ju afrua e filloi ta nuhaste  nga këmbët e deri tek koka. Pastaj ju kthye përsëri duke e nuhatur e ndaloi sipër barkut të saj. Marika ishte tepër e tmerruar për t’i mbajtur sytë mbyllur. I hapi dhe u lemeris kur pa tërë atë kokë të madhe veshur me  lëkurë të ashpër që dukej e mbuluar si me  luspa në ngjyrë plumbi e që ishte e madhe  gati sa ajo. Flegrat gjigante dridheshin me nervozizëm e ajo ndjente frymëmarrjen e rëndë që i ngjalli krupën. Befas përbindëshi ngriti kokën lart, ulëriu dhe bashkë me ulërimën shpërtheu zjarr nga goja dhe flegrat e hundës së tij. Eshtë kuçedra, mendoi ajo duke kujtuar përrallat që i kish treguar gjyshja. Fakti që i kish gjetur një emër  përbindëshit nuk e lehtësoi por ja shtoi më shumë frikën. Sytë e mëdhenj në ngjyrë te gjelbër të errët cuditërisht të bukur, e panë me përbuzje. Ai hapi gojën e stërmadhe e Marika vërejti dhëmbët e mëdhenj e të mprehtë që po i afroheshin. Mbylli sytë. “Zot, bëj t’i japë fund sa më shpejt”! Dridhej e gjitha. Ndjeu dhëmbët ta preknin në trup e t’i rrëshqisnin anash pa e prekur. Një herë, dy, tre, e pastaj tek mbylleshin por nuk kishin kafshuar atë por xhamadanin. Pastaj e tërhoqi dhe e rrotulloi derisa e ktheu përmbys duke i shqyer rrobat me dhëmbë. Marika rrasi fytyrën mbi tokë e kafshoi dheun nga tmerri. Tani ndjente frymën e dihatjen e tij pranë veshit dhe dhëmbët që i preknin qafën. U bë njësh me tokën. Dëgjoi kërcitjen e dhëmbëve që u mbyllën. Këtë herë kapën jakën e këmishës së saj dhe ja shqitën me forcë. Ajo klithi. Një hungërimë shurdhuese ju përgjigj. Pas kësaj një gjë e lagësht ja pështolli tërë shpinën duke i ngjallur një neveri që i hyri deri në palcë. Po e lëpinte. Kjo ishte gjuha e tij." Të lutem më vrit !" foli ajo me një fill zëri.Ndjeu gjuhën e tij afër qafës dhe një lëng i verdhë i rrodhi supeve.Humbi ndjenjat...

 

 

                                              

 

 

                                                       - & -

 

                 Gjini e kish humbur sensin e kohës. Ecte nëpër pyll dhe megjithëse merrte drejtime të ndryshme përfundonte përsëri tek një burim uji të kulluar që ushqente një përrua të vogël. Ndoqi edhe përroin por pas nja dy orësh vërejti se humbiste ndën një grumbull gurësh të bardhë dhe ai mbeti sërish në mes të pyllit. Pak nga pak po errësohej. Diku ju bë sikur dëgjoi një rënkim të dobët. Mori nga ajo anë. Në një lëndinë, një drenushe e vogël kish rënë në  lak dhe nuk i kishte punët mirë. Kushedi sa kohë kish aty dhe ishte duke ngordhur. Befas dëgjoi ulërima që  afroheshin. Nuk pat dyshim,ishin ujqër. Nxorri shpatën, u përkul duke vënë një gju në tokë pranë drenushës dhe priti. Pa tek  dolën nga pylli, dy ujq të murrmë, njëra duhej të ish ulkonjë. Sytë ju shkrepëtinë dhe u hodhën mbi drenushën. Ai ngriti shpatën dhe goditi ulkonjën e cila ulëriti fort ndërsa ujku tjetër ja mbathi nën thellësi të pyllit. Cliroi drenushën nga laku por ajo ishte dobësuar aq shumë sa nuk mund të ecte. Ndoshta do të ish më mirë t’a vriste, të ndizte  zjarr e ta piqte. Ky mendim i ngacmoi nervat e stomakut e filloi të ndjente uri. Fundja o ai o ujku. Ju afrua përsëri dhe ngriti shpatën por shikimi i trembur i syve të saj ja ngrinë krahun në ajër. “Unë nuk e di nëse do të jetoj ende nesër edhe po të ha mish drenushe, ndërsa ajo po shpëtoi sot mund të jetojë edhe nesër”. E mori, e hodhi në kurriz dhe u drejtua nga dëgjohej zhurma e ujit. E lëshoi buzë përroit dhe  e shikoi tek shuante etjen. Pak nga pak drenusha e mori veten dhe filloi të qëndrojë më këmbë. "Mos ik tani, ik nesër!"- i tha ai duke vënë torbën ndën krye dhe i lodhur siç ish, e zuri gjumi menjëherë .

 

 

                                          

 

                            ….Veprimet e çuditëshme te Markut….

 

                Puna e parë që bëri Marku kur hyri në shtëpi, shkoi drejt e në dhomën e së motrës duke patur kujdes të mos e pikaste njeri.U habit kur pa se shtrati nuk ishte bosh ,dikush ishte ndën mbulesë e kish mbuluar  kokën e ai u kujtua se ajo gjithmonë e mbulonte kokën kur flinte. Tërhoqi me një fill shprese mbulesën dhe gjeti dy jastëkë të vënë për së gjati. I mori dhe i futi jastëkët në sëndukun që ndodhej poshtë  dritares dhe nga xhepi nxorri një trumcak të vogël që kish kapur rrugës. I këputi kokën dhe bëri që gjaku të pikonte mbi shtrat pastaj përdhe deri poshtë dritares të cilën e hapi me kujdes dhe fërkoi parvazin me trupthin e trumcakut të ngordhur. Pastaj bëri ca rrëmujë në dhomë e doli duke patur kujdes se mos e shihte kush. Shkoi tek pusi e lau duart e fytyrën me ujë të freskët. Të gjithë do të mendonin se Marikën e kish grabitur dikush natën, bile dhe e kishin plagosur. Të gjithë do ta kërkonin. Hodhi krahëve gunën që kish lënë aty afër dhe rrasi qeleshen mbi kokë. Dita tashmë ish hapur krejt , dielli ishte ngritur lart e gjithë shtëpia ish zgjuar. Ishte ora që ngrihej dhe Marika e babai e priste ti bënte kafenë e mëngjesit, i shijonte nga dora e saj. Hyri në dhomën e oxhakut e gjeti babanë e vëllezërit të ulur mbi  çiltet përreth dhomës.

           -"Eja Mark se ty po të prisnim", -dëgjoi babanë t'i thoshte."- Sot do të bisedojmë e do të zgjedhim burrin e Marikës nga trimat që kanë kërkuar dorën e saj. Nëse biem dakort muajin që vjen do të bëjmë dasëm".

 Marku uli kokën e mposhti  dënesën që ju ngrit nga krahërori. Të ishe menduar më parë baba, mendoi me vete, të patëm thënë që nuk është më e vogël, shoqet e saj janë me burra e fëmijë sot. E shkreta motër!

            -"Shko e thirre!- babai ju drejtua nënës që qëndronte më këmbë.

Ajo doli e heshtur nga dhoma e ata dëgjuan hapat e saj nëpër shkallët e gurta të kullës, një trokitje të lehtë, zhurmën e derës që u hap dhe ...Ato klithma që nuk dukeshin më  njerëzore i bënë të brofnin të gjithë përpjetë e të ngjisnin shkallët nga dy e nga tre...

 

                                                

 

 

 

                                           

 

                                          …jam Dragua…

 

                  Kur u zgjua Marika dielli ishte në të perënduar. Përbindëshi i kish kthyer kur shpinën. Qëndronte i qetë e i palëvizur e dukej sikur po sodiste e shijonte rrezet e fundit të diellit të ditës. Ajo u çua më këmbë e për çudi nuk ndjeu më dhëmbje në shpatull. Vështroi supin e zhveshur dhe aty ku kish patur plagën që i rridhte gjak ishte veç një vijë e hollë në ngjyrë të trëndafiltë. Kontrolloi  më poshtë shpinës, por nuk kish gjë. Ish shëruar.Por kjo nuk kish rëndësi, duhej t'ja mbathte prej andej. Rrëmbeu këmishën e shqyer të hedhur përdhe dhe e hodhi mbi trup. Nuk ish se i mbulonte shumë, por më mirë se pa gjë. Pasi pa rrotull shqoi xhamadanin pranë bishtit të përbindëshit. U afrua në majë të  gishtave që të mos tërhiqte vëmëndjen e tij  dhe e mori. Ai nuk e kish ndjerë, ndoshta do të kish fat e do të ikte pa e vënë re. U kthye pas  mbeti shtang. Pamja që shtrihej poshtë këmbëve të saj e la pa frymë, nuk kish parë kurrë diçka kaq të bukur. Pyje e kodra të gjelbëra shtriheshin nga të gjitha anët e liqene të kaltër si pasqyra të bukura shkëlqenin mes tyre, ndërsa në fund shtrihej një masë e madhe e pafund uji që ndizej nga rrezet e diellit që po zhytej në të. Në fillim u tremb, kish frikë se dielli do të mbytej e nuk do të dilte më, ajo ish mësuar ta shikonte tek humbte pas atij mali. Aq e kish humbur mëndjen sa kish harruar se ku ish. Vërtet ku ish? Përpara kish këtë pamje të mrekullueshme, ndërsa prapa ishte një grykë që vinte e zgjerohej në një shpellë të madhe e të errët. “Ik”, i tha vetes dhe u afrua më shumë drejt daljes. Por kur arriti në cep ngriu nga tmerri. Poshtë mali zbriste thikë, sa ajo nuk e shihte fundin. Shpresa e humbur e bëri t’i mbusheshin sytë me lot.Vështroi përbindëshin dhe për herë të parë shqoi se kish krahë, krahë më të mëdhenj se ato të shqiponjave. Pra ajo nuk mund të ikte dhe askush nuk mund të vinte e t’a nxirrte prej andej nëse nuk kish krahë. Dëshpërimi e pushtoi  tek mendoi se edhe nëse kjo kuçedër nuk do ta hante siç kish menduar më parë, do të ish e detyruar të rrinte tërë jetën ndën robërinë e saj. Më mirë  e vdekur mendoi dhe u afrua me guxim drejt humnerës. Dy hapa dhe një dhe... papritmas një bisht i gjatë dhe i trashë që asaj i vinte deri në brez i zuri rrugën dhe me një goditje që i dha e hodhi dhe e përplasi disa metra prapa. E shtrirë përdhe dhe e dërrmuar Marikës ju duk vetja aq e shkretë sa u shkreh në vaj e qau fatin e saj një copë herë. Të paktën të dinte diçka për Gjinin, a ish ende gjallë  apo vëllezërit e saj e kishin copëtuar me shpata. Nëse ish gjallë, ku ish tani dhe si e kish hallin. Papritmas ndjeu ftohtë dhe uri. Ky ish një ngushëllim, të paktën do të vdiste nga të ftohtët e uria. U mblodh kruspull duke u dridhur e dhëmbët filluan ti kërcisnin. Kjo  i tërhoqi vëmëndjen përbindëshit që ktheu kokën drejt saj.

           "-Ke ftohtë?"- dëgjoi një zë si bubullimë.Ajo brofi më kembë e vështroi perreth por ishte errësirë e nuk pa asgjë.

            "-Ke ftohtë ?"- këtë herë zëri ishte më i ulët e megjithatë bëri të jehojë tërë shpella.

            -"Po"- u përgjigj ajo me një fill zëri. Përbindëshi ktheu kokën nga ana e shpellës e volli zjarr mbi një grumbull shkarpash që ishin në brendësi të saj të cilat u ndezën . Marika u afrua pranë zjarrit duke ndërur duart përpara për t'i ngrohur. Ai lëvizi dhe hyri më thellë në shpellë e më pas u kthye me disa shpendë të vrarë ndër dhëmbë. U ul aty në hyrje të shpellës ku kish qëndruar  në fillim e filloi t’i hante një e nga një e asaj i hyri krupa tek dëgjonte kërcitjen e kockave në gojën e tij. Papritmas  diçka e goditi në këmbë dhe ajo u hodh përpjetë, por u qetësua kur pa se ish një rosë e vogël lumi që ja kish hedhur ai.

             -”Duhet të hash!"- bubulliu përsëri. Ajo rrëmbeu rosën, i hoqi puplat dhe e vuri mbi zjarr për ta pjekur. Ish aq e uritur sa nuk mundi të presë sa të piqej mirë dhe filloi të hante. Ndjente se ai nuk ja ndante sytë.

             -" Uji është pak më thellë"-bubulliu ai  duke e lëvizur kokën në drejtim të shpellës. Marika që po vdiste nga etja rrëmbeu një degë  të ndezur nga zjarri dhe me hap të dridhur mori për në brendësi të shpellës. Dhe vërtet pasi bëri disa  hapa dëgjoi zhurmën e ujit që rridhte. Ishte një burim i vogël, një vijë uji që rridhte nga zemra e shkëmbit. Pështeti buzët në të dhe piu pa marrë frymë derisa shoi etjen. U kthye pranë zjarrit dhe ja nguli sytë flakës. E ngrënë, e pirë dhe në të ngrohtë nuk ndihej dhe aq keq. Vështroi me bisht të syrit përbindëshin dhe frika ju kthye përsëri. Po sikur të jetë kuçedër si e kam hallin?

             -"Jam dragua , "- dëgjoi ajo bubullimën e fundit për atë natë dhe gjumi e zuri tek mundohej të kuptonte se ç'ish në të vërtetë kuçedra dhe ç'ish dragoi, dhe si kish mundësi që ai dinte ç'kish ajo në mëndje. Nuk dinte asgjë. Dinte vetëm se kuçedra hante mish njeriu sipas përrallave të gjyshes ndërsa per dragoin nuk i kujtohej asgjë. Si gjithmonë e keqja na ngulitet një herë e mirë në tru.                

 

 

                                             

 

 

 

                                     …nisin kërkimet…

 

                Marku dëgjonte në heshtje urdhërat që jepte babai. Zemra i shtërngohej në krahëror tek vërente dhimbjen e madhe që kish shtrembëruar tiparet e buta të të jatit, por nuk mund të fliste. U dërguan lajmëtarë në të gjithë anët e vendit dhe kërkimet kishin filluar. U lajmëruan të gjithë pretenduesit që kishin kërkuar dorën e motrës së tij dhe pak para perëndimit të diellit oborri i shtëpisë u mbush me djem të rinj e trima që prisnin urdhëra. Të gjithe ishin treguar të gatshëm e ishin bashkuar për atë shkak për të cilin i kishin ndenjur larg  njëri tjetrit. Jo vetëm kaq, kishin marrë me vete dhe shokët e tyre më të mirë. Tashmë ajo që kish rëndësi ishte të gjenin vashën që kish ushqyer ëndrrat e tyre vitet e fundit, atë lule të bukur që kish shpërthyer në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare , me të cilën, secili e donte të zbukuronte vatrën e tij. Kë do te zgjidhte nuk kish më rëndësi, ajo ndodhej në rrezik. Familja e Markajve ishte familje e madhe e respektueshme e me pasuri të konsiderueshme në toka e gjë të gjallë, si edhe flitej se kishin një sënduk të madh me  florinj.

              - " Nisuni trima, më sillni time bijë! Kush do ta gjejë, le ta gëzojë atë dhe gjysmën e pasurisë sime!" - ishin fjalët e plakut Dodë. Pas kësaj të gjithë u nisën e u shpërndanë në pesë grupe duke patur secili në krye njërin prej vëllezërve.

 

 

                                             

 

                                                      - & -

                                                                

                   Marku u nis me grupin e tij, i cili mori drejtimin e malit që shtrihej pas pyllit të zi dhe meqënëse nuk mund të hynin në këtë pyll, menduan t’i binin përreth e ta ngjisnin malin nga ana tjetër. Grupet e tjerë u shpërndanë në katër anët e tjerë të vendit, edhe pse Marku kish ngulur këmbë të shkonin të gjithë në atë drejtim, por kur e pyetën se përse ngulte këmbë, hoqi dorë. Nuk mund t'u thosh se ajo që kish rrëmbyer shqiponja e ishte larguar në atë drejtim, ishte motra e tyre. Muzgu kish filluar të binte ngadalë dhe pas një copë udhe ai u fsheh në pyll duke lënë te tjerët të iknin përpara. Priti sa errësira mbuloi gjithshka dhe u kthye përsëri në drejtim të fshatit. I ra rrotull, pasi shtëpia e Diles ishte nga ana tjetër e fshatit dhe ju afrua ngadalë. Lidhi kalin pas një peme e vazhdoi më këmbë. U afrua tek dritarja, xhamat ishin shumë të pistë por megjithatë e lejonin të shikonte. Nën dritën e llambës së vajit që më shumë nxirrte tym se dritë, ai pa Dilen të xhveshur lakuriq tek lyente trupin e shëmtuar e të fishkur me lëngun e zi të një kusie të vogël të zezë që e kish lënë afër vatrës. Sa e shëmtuar ish! Markut ju përzien zorrët e i erdhi për të vjellë. Donte të hynte brenda e ta bënte t'i tregonte gjithë ç'dinte për të motrën. Fakti që ish lakuriq e përmbajti dhe mendoi se do të ishte më mirë të priste që të vishej. Mirëpo, dukej se plaka nuk kish ngut. Pasi u lye e tëra, ndezi dhe një llambë tjetër vaji dhe pastaj ndezi zjarrin në vatër dhe ndërkohë që flaka ngjitej lart ajo u shtri mbi një pllakë guri që dukej si shtrat  e ra në gjumë. Përveç zhurmës së lehtë të bagëtisë që flinte në një dhomë me plakën, cdo gjë ra në heshtje. Marku shtyu kanatin e dritares që u hap pa shumë vështirësi, ajo nuk kujdesej për ta mbyllur, fundja kush guxonte të shkelte në shtëpinë e saj. Kërceu brenda duke mbajtur në dorë shpatën e ngritur lart për çdo rast. Pa hedhur mirë hapin dëgjoi një klithmë të egër dhe diçka i nguli thonjtë në pulpën e këmbës së djathtë, e gërrici dhe me  një kërcim doli në anën tjetër të kasolles. Ai mbajti frymën i frikësuar se mos kjo e kish zgjuar plakën e ju afrua në majë të gishtave me shpatën e ngritur mbi kokën e saj. Plaka flinte me gojë hapur e atij ju përzie tek pa dhëmbët e pakët  të shtrembër e të verdhë të pisët që e bënin të dukej akoma edhe më  e shëmtuar. Papritmas një  tym i zi e kutërbues filloi të dilte nga goja e saj e të ngrihej si një bollë e trashë ndër trarë që e trembi dhe ai me dy kërcime u gjet përsëri jashtë dritares  me zemrën që i rrihte fort nga frika e tmerri. Jo, shpata nuk i bënte punë por edhe nuk donte të ikte, megjithëse e dinte se një rrezik i madh i kanosej aty. U bë njësh me murin prej balte të kasolles dhe nguli syri tek një vrimë që shqoi aty afër. Ajo që pa e dëgjoi e la me gojë hapur...

                                                

 

 

 

 

                              

                                                         - & -

 

                Pasi bënë një copë udhë, grupi i kalorësve e vuri re mungesën e Markut. Ndaluan e pritën një copë herë se mos kish ngelur prapa, por ai nuk dukej. Atëherë u kthyen  e filluan ta kërkonin nëpër pyll  duke e thirrur por nuk u përgjigj njeri. Ndaluan në një lëndinë të vogël e filluan të diskutonin nëse duhej të ktheheshin prapa në shtëpi të tij për të parë se mos ishte kthyer atje e të siguroheshin nëse ishte mirë. Por këtë mendim e larguan, nëse nuk e gjenin atje do të bënin më shumë merak plakun Dodë. Në fund vendosën të vazhdonin rrugën me merak në zemër duke uruar që ai të ishte mirë dhe të bashkohej së shpejti me ta.

 

 

                                                

 

                                  

 

 

 

                                               Shtriga

 

            Pas disa çastesh bolla e zezë prej tymi zbriti poshtë dhe... Marku zgurdulloi sytë, tashmë në kasolle nuk ishte një, po dy plaka identike, njëra ishte shtrirë në atë pllakën e gurit që i sherbente si shtrat e dukej sikur  flinte, tjetra qëndronte më këmbë përpara vatrës duke u folur flakëve me fjalë, që ai i hutuar siç ish nuk po i kuptonte. Nuk vonoi shumë dhe nga vatra një tjetër hije e zezë filloi të dilte e shpërndahej duke mbushur tërë dhomën e pastaj mori formën e një burri  veshur me të zeza e një kapuc i zi i mbulonte kokën e një pjesë të fytyrës, kështu që Marku nuk i dallonte dot tiparet e tij, veç një mjekrre të zezë sterrë që i zbriste deri në brez. Plaka ra në gjunjë e u përkul derisa balli i  preku tokën.

             -"Shtrigë, nuk i zbatove urdhërat e mia"!- një zë i tmerrshëm bëri të trembej gjëja e gjallë që flinte brenda kasolles që u zgjuan e filluan të lëviznin nga të gjitha anët. Pulat e rosat filluan të fluturonin nëpër dhomë duke kakaritur, gomari rrotullohej  duke pëllitur me sa kishte fuqi ndërsa Marku u detyrua të largonte veshin që kish ngjitur pas murit se aty prapa mungërima e lopës vinte e llahtarëshme. Kjo i dha bezdi burrit me të zeza i cili hapi krahët dhe në atë moment ngjau me një lakuriq gjigant nate e shpërtheu me zë akoma më të tmerrshëm.

            -"Ngordhshi"! - Dhe në moment çdo gjë që lëvizte brenda kasolles u përplas përtoke e pllakosi heshtje.

           - Desha fetusin e asaj gruaje.

           - Më fal imzot, shqiponja e rrëmbeu dhe e çoi tej, drejt malit të dragoit, -u përgjigj shtriga me zë të dridhur.

           - Aaaaa- ulërima ishte e padurueshme, - domethënë ka rënë në dorë të atij që nuk duhej ta zotëronte!

           - Dyshoj imzot, gruaja ishte duke vdekur, me të vdekur ajo vdes edhe ajo çka ka në bark.

           - Kjo duhet vërtetuar. Po djali?

           - Hyri në pyllin e zi .

           - Kjo nuk do të thote se ai ka vdekur. Ai duhej të kish vdekur.

           - Më fal imzot!

 Nga ku ishte Marku dallonte lotët e qurret që dilnin nga hunda e kërrusur e plakës e binin përtokë. Dridhej e tëra si një purtekë, por kjo nuk i ndolli as edhe një fije mëshire për të.

            - Djalin mund ta marrë nën mbrojtje shoqëria e pyllit dhe kjo më hap shumë telashe. Nesër mbrëma dua zemrën e nënës së tij këtu, do të vij e do ta marr. Vetëm me të mund ta lidh pas vetes. Jepi shtrigë, nisu e vepro, e këtë herë nuk dua as edhe një gabim sado të vogël!

Me të thënë këto fjalë u shndërrua në mjegull të zezë e u zhduk në oxhak. Plaka, që dridhej si purtekë, u ngrit e i erdhi rrotull dhomës duke qarë gjënë e ngordhur dhe ashtu e qaravitur u shndërrua në tym e u fut dhe ajo në oxhak e Marku e pa tek ngrihej lart e largohej mbi majat e pemëve...

 

 

                                              

 

                                                  - & -

 

                  Marku nuk dinte se ç'të bënte.T’i vihej prapa e të shkonte të shpëtonte nënën e Gjinit, pasi ishte i sigurtë që për të bëhej fjalë, do të arrinte tepër vonë. Të shkonte në shtëpi e të kërkonte ndihmë...n uk bënte, duhej të tregonte gjithë sa ç'dinte. E ndau mëndjen të priste aty. E pastaj a do ishte në gjendje t’a mundte këtë plakë të fëlliqur? Vetëm mendimi se do t’i duhej t’i dilte përballë e mbushte me mornica. Ai ishte i fortë, mund të kalëronte për ditë të tëra, mund të mundte me shpatë tre trima së bashku, por këtu nuk bëhej fjalë për forcë krahu dhe ai nga këto gjëra nuk merrte vesh. Përgjonte me bisht të syrit trupin e plakës së shtrirë mbi rrasën e gurit dhe mendoi të shkonte e ta grinte me shpatë. Po me tjetrën çdo të bënte që ishte akoma dhe më e rrezikshme? Koha kalonte dhe ai nuk dinte se ç'të bënte. Kërceu përsëri dritaren dhe hyri brenda. Duke u dridhur ju afrua me shpatën e ngritur lart. Të vriste një herë këtë këtu, pastaj me tjetrën shihte e bënte. Jashtë u dëgjua një zë këndezi, dita nuk ishte larg dhe ajo duhej të kthehej nga çasti në çast. Atëhere le ta kryejmë këtë punë. Bëri një hap prapa, u mbush me frymë, mori në shenjë qafën e pështirëshme të plakës dhe ...Një tingull që i ngjante  fërshëllimës së gjarprit erdhi nga ana e oxhakut dhe ai me bisht të syrit vërejti bollën e zezë që i afrohej nga prapa . I tmerruar u  hodh përpara por këtë çast macja se nga biu dhe  ju ngatërrua nëpër këmbë duke e penguar e gërricur dhe ai ra mbi plakën e shtrirë mbi pllakën e gurit. Kontakti me të i ngjalli aq neveri sa ai kërceu nga ana tjetër duke e rrotulluar padashje plakën e shtrirë së prapthi. Hija e zezë që herë fryhej e herë ngushtohej fërshëllente akoma më fort duke u përkulur drejt tij dhe ai i tmerruar lëshoi shpatën e zuri veshët me duar.

              -"Ktheje siç ish"-ulërinte ajo, ndërsa ai nuk kuptonte.C’duhej të kthente? Hija ulej mbi trupin e plakës e kërkonte me dëshpërim të hynte brenda por nuk mundte pasi aty ku me parë ishte goja tani haste një palë thembra të shëmtuara e të pista. Markut filloi t’i kthehej arësyeja. Mori shpatën e goditi macen që kish ngrirë duke parë veprimet e së zonjës. Ja këputi kokën  dhe e futi në gojën e hapur të plakës në momentin që hija po përpiqej të futej në të. Fërshëllima zuri  të dobësohej derisa u shndërua në një zë të përvajshem e hija u shtri mbi plakën pa mundur të futej brenda në trup. Sapo rrezja e parë e diellit preku çatinë e kasolles trupi mori flakë e mbi rrasën e gurit mbeti veç një dorë hi i errët e i shëmtuar. Marku i mbushur me mllef nga tmerri që kish kaluar , bëri një gjë që nuk do ta kish bërë kurrë më parë mbi hirin e një të vdekuri. Zbërtheu pjesën e përparme të tirqeve e bëri ujët e hollë mbi të. Pastaj kaloi dritaren e u fut në pyll, ndaloi ndën një hije peme e u shemb përdhe nga lodhja dhe e zuri gjumi.

 

 

                                                   

 

                                               Doda

 

 

                            Doda e kish gdhirë tërë natën zgjuar ulur pranë vatrës por pa u kujdesur për ta mbajtur ndezur. Nga lart i vinin tingujt e zërit të gruas që vajtonte vajzën e rrëmbyer përkulur mbi pajën që e kishin qëndisur së bashku tërë këto vite me dashuri e merak. Shtëpia ishte e shkretë, asnjë zhurmë e lëvizje përveç gjësë së gjallë në oborr. Ajo shtëpi që Doda ish mësuar ta shihte plot me djem që i jepnin gjallëri e forcë dhe me nurin e vajzës që e zbukuronte, tani heshtëte dhe ai u ndie i vetmuar. C'fund  kish bërë e bija dhe ç'fund do të bënin djemtë e tij. Ai vriste e vriste mendjen dhe mendimi i mbetej gjithnjë në një pikë fikse: Gjini! Nuk duhej të ish nisur për të vrarë atë djalë, qielli e mbronte. A nuk i kishin vënë pengesë ku kish hasur shpata e djalit të madh? A nuk u kishte ikur? Po ajo shqiponja e madhe? Nuk kish punë të pastër këtu, ishte punë e nëmur dhe kish qenë budalla  që kish dëgjuar atë mbrëmje fjalët e Diles. Ajo i kish thënë se e dinte  ku ta gjente dhe se njerëzit qeshnin pas shpinës së tij. Po,po kish diçka që ai nuk e dinte por ndoshta nëna e Gjinit  dinte më shumë. Vetmia po i merrte frymën ndaj u çua e shaloi kalin e tij të zi. Do të shkonte ta pyeste. Ngau kalin që ja dha vrapit e u ndal tek gardhi i shtëpisë së Gjinit. Nuk kish qenë kurrë atje, dhe ajo mund ta shihte nga dritarja e kasolles, ti bënte pritë pas dere e ta vriste, ose ai do të ish i detyruar ta vriste për tu mbrojtur. Të vriste nje grua!? Sa turp! Mendoi një herë të kthehej prapa por imazhi i shtëpisë mbetur shkretë dhe të qarat e gruas së tij të mirë që i kish falur pesë djem trima e një vajzë të bukur si drita, e bëri t’i therrte zemra. Do të shkoj përpara, mendoi, le të bëhet ç'të bëhet. Zbriti nga kali e kërceu gardhin si të ish djalë i ri. Kaloi me një frymë largësinë që e ndante nga dera pa i vënë veshin pulave që kakaritnin e i ngatërroheshin nëpër këmbë dhe trokiti. Herën e parë lehtas dhe meqenëse nuk i përgjigjej njeri, më fort. Askush nuk u përgjigj dhe duke menduar se ajo mund të ishte pas dere dhe e priste më sopatë a diçka tjetër në dorë, i dha një shqelm të fortë derës që u hap duke u përplasur pas murit. Hyri brenda dhe pa se nuk kishte njeri pas dere, ndaj bëri përpara në gjysmëerrësirën e kasolles. Ishin dy shtretër, njëri ishte bosh dhe atij i theri në zemër tek mendoi se duhej të ishte i Gjinit, ndërsa në tjetrin ishte shtrirë një trup i vogël e imcak. Duke menduar se mund të ish ndonjë kurth ai nxorri shpatën duke e shtërnguar fort në dorën e djathtë dhe me tjetrën kapi cepin e mbulesës në fund të shtratit dhe e tërhoqi me forcë. Ajo që zbuloi e zuri më në befasi se një kurth...

 

 

                                                                        

 

                                           Zemra e nënës...                   

 

                 Ndërkohë rrezet e ëmbla të diellit kishin gjetur rrugën mes gjetheve të pemës e kishin një copë herë që lodronin mbi fytyrën rinore të Markut, ndërsa milingonat kishin filluar ta gudulisnin në qafë. Marku u zgjua dhe u ul ndenjur. Ku je motër? Ishte ky mendimi i parë që i pushtoi trurin. Nga sa kish dëgjuar natën e shkuar, shtriga kish thënë se duhej të kishte vdekur ndërsa ai tjetri nuk ishte i sigurtë dhe për këtë seç kish shtuar por ai i shurdhuar nuk kish mundur ta dëgjonte. Ndau mendjen të shkonte edhe një herë tek kasollja e Diles se ndoshta atje diç mund ti kujtohej e ti kthjellonte mendimet, megjithëse këmbët nuk donin t’i bindeshin të ecnin në atë drejtim. Atëhere i fishkëlleu kalit që po kulloste disa hapa më tutje dhe e kalëroi. Hyri me kujdes brenda kasolles me frikë se ndoshta shtriga ishte ringjallur dhe i punone ndonjë rreng. Tamfi i erës së rëndë që ngrihej nga trupat e ngordhur të kafshëve i ra rëndë në stomak. Jo nuk kish asgjë që mund ti mësonte ndonjë të re. Mori të dalë por sytë i hasën në një torbë të zezë të hedhur pranë vatrës. E hapi dhe pa  një zemër që pulsonte akoma si të ish e gjallë. I trembur, e  lëshoi përtokë e ja dha vrapit drejt daljes.

         - ”Mos ik"- dëgjoi një zë të ëmbël që e bëri të shtangej në vend por nuk u kthye, ktheu vetëm kokën në gadishmëri për t'ja dhënë vrapit sërish. C'ish ky zë, kurrë nuk e kish dëgjuar, mos vallë një rreng tjetër?

        -Mos ik të lutem!- këtë herë u bind se zëri vinte nga trasta,- Të kërkoj vetëm një nder .

       - Kush je? - pyeti ai me gjysmë zëri pa lëvizur vendit, akoma me majat e këmbëve drejt daljes.

      - Jam zemra e një nëne!

E Gjinit, kujtoi ai diskutimin e shtrigës me atë burrin e zi.

      - C'kërkon nga unë?

      - Asgjë që nuk mund ta bësh. Vec ndiz pak zjarr e më vendos mbi të derisa të digjem krejt. E pastaj në se don të më bësh edhe një nder tjetër...

       -Cfarë?- pyeti ai.

      - Merr hirin e ma shpërnda në lëndinën pas kasolles sime.

Marku heshti. Nuk kish as dëshirë dhe as kohë ta bënte këtë, i kërkohej shumë pas gjithë asaj nate të tmerrshme.Ai duhej të gjente të motrën.

        - Të lutem !- zëri ishte përgjërues.-Ti nuk e din se çfarë mund të bëjë ai me mua. Unë tashmë kam vdekur dhe nuk dua të bëhem shkaktare të vdesë im bir... Apo mos po i drejtohem personit të gabuar? - psherëtiu.

         -Nga e din? - pyeti i habitur Marku. Një zemër nuk ka sy për të parë, thjesht do të ketë dëgjuar zhurmën e hapave te tij, por ajo nuk ka as veshë mendoi pas pak dhe i erdhi inat me veten e tij.

        - Kur je e vdekur din gjëra që nuk mund t’i dinë të gjallët. Ti ke zemër të mirë Mark, edhe pse je armiku i tim biri, dhe do ta bësh këtë për mua.

Marku nuk foli. Ju afrua vatrës  e ndezi zjarrin. Kur flakët u gjitën lart, ai hodhi në të zemrën që rrihte akoma dhe priti aty derisa u dogj dhe u bë hi. Pastaj mori një lugë  e mblodhi me kujdes hirin në shaminë e tij të xhepit. E futi në gji dhe spërkati kasollen me vajin e llambës e i vuri zjarrin. Doli, kërceu mbi kalë dhe rendi drejt kasolles së Gjinit. I erdhi rrotull e doli nga pas të dilte në lëndinën për të cilën i kish folur zemra. Edhe një herë nuk po u besonte syve e shtangu mbi kalë ...

   

 

                                            

                                                  - & -

                                                           

                Ajo që pa Doda, ish një grua me krahëror të hapur ku në vend të zemrës ishte një zgavër. Këmbët nuk e mbajtën dhe u lëshua ndenjur përtoke duke fiksuar tiparet akoma të bukura të kësaj gruaje që nuk e kish parë asnjëherë në fytyrë. E kish përfytyruar ndryshe. Frika dhe urrejtja e kishin bërë ta imagjinonte të shtrembur dhe të shëmtuar. Ashtu siç do të më ketë imagjinuar edhe ajo, mendoi. Një dorë e vogël e rrudhur  nga mosha dhe e vrarë nga lodhja e punëve të përditëshme varej e binte poshtë shtratit e prekte truallin. Ai e kapi dhe u ngrit në gjunjë.

               "-Jam Dodë Marku",- u prezantua ai por nuk mori përgjigje dhe as nuk e priste një të tillë. Pastaj vuri buzët mbi të duke shtuar

               "-Më fal zonjë për hatanë që të kam bërë. Ja kam bërë edhe vetes".- Ndenji dhe një copë herë pastaj u ngrit e filloi të kërkonte rreth e rreth dhomës. Nuk gjeti atë që deshi. Doli jashtë e  u drejtua drejt grazhdit, kalë nuk kishte dhe ai e dinte këtë, por gjeti një palë vegla me të cilat punohet ara. I mori dhe doli nga prapa shtëpisë ku shtrihej një lëndinë e vogël e filloi të gërmonte. Kur gropa që hapi ju duk mjaft e thellë u kthye në kasolle dhe e pështolli trupin pa jetë të gruas me mbulesën e shtratit, e hodhi mbi kurriz dhe e çoi në lëndinë. E hapi  mbulesën për ta shikuar edhe një herë atë fytyrë që tani ndën rrezet e diellit ju duk e njohur. Pështeti kokën mbi gjunj duke u sforcuar të kujtonte se mos e kish parë diku. Dhe ja tek pa dy vashëza të bukura që lozin e qeshin në një lëndinë duke bërë kurora lulesh e duke ja varur njëra tjetrës në qafë mes kukurizmash. Njëra ishte Besa, gruaja e tij dhe tjetra ...tjetra ishte kjo grua e shkretë. Këtë çast kuptoi pse gruaja e tij kish qenë gjithnjë kundër marrjes së gjakut dhe e kish penguar gjithmonë për të vrarë Gjinin, duke nxjerrë gjithsaherë shkaqe të pakuptueshme dhe shpesh e kish lutur t'ja falte gjakun atij fëmije. Kish qenë shoqja e saj e fëmijërisë, ndërsa ai kish qenë aq i verbër...E mbuloi sërish trupin e gruas dhe e vendosi ngadalë poshtë në freskinë e lagështirën e varrit të sapohapur  duke mërmëritur disa lutje që thuheshin në kësi rastesh e me mendje mallëkonte këtë zakon të egër e të pashpirt që i detyronte të vrisnin djem të rinj. E mbuloi me dhe dhe gjeti disa gurë me të cilët  rrethoi varrin me shpresën se Gjini do të kthehej një ditë e do ti vinte lule mbi varr. Kur mbaroi, pa Markun që rrinte si i ngrirë në majë të kalit dhe e shikonte me habi.

            - C'bën këtu bir?!-zërin e kishte të butë.

            - Duhet të kryej një amanet baba! - Ai zbriti nga kali, nxorri shaminë nga gjiri, e hapi dhe shpërndau një grusht të vogël hiri mbi varr. Pastaj u kthye dhe i hipi përsëri kalit.

             - Mbeç me shëndet baba! Po iki të gjej motrën!- dhe u nis. Doda e ndoqi me sy nga prapa dhe zemra i hovi nga dashuria për të birin.

             -Mark!- thirri Doda. Marku ktheu kalin.

            - Urdhëro baba!

            -Mark, nëse e gjen Gjinin, mos e vrit! Lajmëro dhe vëllezërit e tu. Thuaj..-atij ju mek zëri nga lotët që i zunë grykën, - gjakun ja kemi falë. Eshtë amaneti im!- Dodës ju këput koka në krahëror.

Marku zbriti nga kali dhe e përqafoi fort të jatin. Pastaj ra në gjunjë e i kërkoi ta falte, se ai shumë gjëra nuk ja kish thanë. Por plaku nuk e la të mbaronte. U përkul dhe e puthi në ballë.

       -Paç bekimin tim bir! Dhe dashurinë e vëllezërve të tu. Janë dy gjëra që do të të vlejnë në këtë kohë që dhe Zotat na kanë braktisur.

 

 

                                                

 

                                                 - & -

 

               Kur u zgjua Marika dielli ishte ngritur lart.Vuri re se ishte vetëm. Asnjë gjurmë të përbindëshit të djeshëm, megjithëse përsa i përket  kësaj nuk mendonte se ishte i keq. Ndoshta vetëm nga trupi e pamja dukej përbindësh, por dicka i thosh se një shpirt i mirë kish bërë fole aty. I erdhi rrotull shpellës dhe zbriti deri tek burimi ku shoi etjen,  pastaj u kthye sërish në grykë të shpellës dhe këtë herë shijoi me tërë shqisat e saj bukurinë e pamjes që i shpalosej para syve. Po shtëpia e saj ku ish, po vellezerit c'bënin, nëna si e ka hallin pa mua që nuk mund t'i jap një dorë në punët e shtëpisë? Po shtëpia e Gjinit? Gjin ku je, klithi shpirti i saj, je gjallë apo ke vdekur? Po të ishte e sigurtë se kish vdekur ishte gati të hidhej poshtë e të bëhej copë e çikë, nuk kish ç'e donte jetën pa të. Po, po të ishte gjallë dhe të ish duke e kërkuar? Po vëllezërit e saj ku ishin? Jo , ajo nuk u mbante mëri për atë që kishin bërë, fundja e kish ditur gjithnjë rrezikun. Befas një hije e madhe e mbuloi të tërën dhe ajo dëgjoi frushullimën e krahëve të mëdhenj që lëviznin me hijeshi por pas një casti u mbajt fort pas cepit të shkëmbit që të mos e shtynte poshtë ai shkulm ere që u krijua. Tek e pa përsëri aq të madh e të shëmtuar u rrënqeth. Megjithatë kurajoze sic ish foli:

      -Mirëdita!

Dhe meqë nuk mori përgjigje përsëriti:

      -Mirëdita Dragua!

Por ai nuk ja vari. Ajo e përshëndeti për së treti herë por ai qëndronte pa lëvizur, veç ngriti pak kokën drejt qiellit dhe lëshoi disa tinguj që asaj ju dukën të inatosur, kështu që hoqi dorë e nuk foli më. Pas pak një shqiponjë kaloi mbi ta dhe hodhi ca dru, një tjetër hodhi  dy pata të mëdha. Dragoi  shfryu e ndezi drutë ndërsa ajo mori e qëroi patat e pastaj duke sajuar nje  tip helli i poqi mirë e mirë por nuk vuri gjë në gojë ani se uria e kish marrë aq sa filloi ti dhimbte koka. Kur nuk kishte se c'të bënte më u shtri përmbys mbi shkëmb duke kundruar pamjen që tashmë ishte bërë akoma më tunduese, copëza resh si copa tyli të holla, që asaj i kujtonin copëza nga paja e saj të thurura me gjilpërë e fije të hollë, stolisnin pyjet e gjelbëra ndërsa retë në qiell merrnin forma nga më të ndryshme e të habitëshme. Papritmas vuri re se ai ish shumë afër, ndërsa ajo kish patur kujdes t’i rrinte larg. Me ngadalë u largua edhe më shumë e i ngriu gjaku kur e pa përsëri të afrohej. U largua deri sa ndjeu shpatullën të prekte shkëmbin, kish arritur në cep e nuk mund të largohej më, ndërsa ai ish sërish aty pranë, gati sa nuk e cikte. Mbajti frymën dhe ndenji gjithë frikë. C’donte prej saj? Ktheu kokën e filloi ta shikonte pa ja ndarë sytë. Ai rrinte me sy të mbyllur, pa lëvizur, dhe ashtu nën rrezet e diellit mund ta merrje shumë mirë për një shkëmb me formë të çuditëshme. Dukej qartë se ndjehej tmerrësisht vetëm. Në këtë moment ai hapi e mbylli  sytë dhe ajo kapi një dritëz qesëndie në to. Mori guxim e preku këmbën e tij që ndodhej pranë saj e që ngjante me një kthetër të madhe shqiponje. Në fillim e preku me një gisht e pastaj vendosi në të tërë dorën. Ai nuk lëvizi e nuk dha asnjë shenjë por asaj ky kontakt i dha siguri. Mund të ishte edhe përbindësh por asaj nuk do ti bënte keq, përkundrazi...

 

 

                                                 

 

                                                        - & -

 

                   Ajo e humbi sensin e kohës dhe u shndërrua edhe vetë në një copë guri, e palëvizur, tek kundronte magjinë e perëndimit të diellit. Edhe një herë u frikësua  se mos dielli mbytej atje larg në atë vijë të gjatë e të shkëlqyeshme uji dhe mbajti frymën derisa ai u kredh i tëri.Fill pas kësaj ndjeu të ftohtë dhe u mat të çohej kur zëri i tij bubulloi:

        - Mirëmbrëma !

E gjetur në befasi u tremb,  brofi më këmbë, një këmbë i rrëshqiti, humbi ekuilibrin dhe... e ndjeu veten tek fundosej në ajër me fytyrë nga qielli. “Gjin, të dua”, pëshpëriti ajo tek hapi krahët e pajtuar tashmë me mendimin se do të vdiste pas pak. Hapi sytë për të parë yjet e shndritshëm të muzgut. Pa dragoin që u hodh pingulthi, ju ndez një rreze e çmendur shprese e cila u shua kur ai precipitoi me shpejtësi pranë saj dhe ajoe humbi nga sytë. Lotë dëshpërimi i mjegulluan shkëlqimin e yjeve. Do të vdes...Befas ndjeu krahun e tij ta mbështillte e u mblodh kruspull në ngrohtësinë e tij teksa humnera largohej. Dragoi qëndroi në hyrje të shpellës dhe e vendosi me kujdes, ashtu të kruspullosur, mbi shkëmb.

          - Të faleminderit! - tha ajo pasi e mori veten.

          - Sa për dijeni, unë mund të flas vetëm pas perëndimit të diellit.

Marikën e bënte të dridhej cdo tingull i zërit të tij dhe veshët i kumbonin.

           - Nuk mund të flasësh me zë më të ulët?- ju lut ajo.

           - Do te mundohem, por nuk e di sa mund të arrij. Kam kohë që nuk flas me njerëz, eh para se ti të  bije këtu as që e kisha menduar se do të flisja sërish me ta. Por nuk mund të thuash kurrë, kurrë,  eh…- psherëtiu ai, megjithatë zëri ishte pak më i ulët dhe asaj i erdhi për të qeshur pasi shihte se si sforcohej duke mbledhur qafën e duke shtrembëruar trupin gjigant. Megjithatë nuk e dha veten e vazhdoi.

           - As unë nuk doja të vija këtu. Nëse jam e padëshëruar mund të më kthesh në shtëpinë time.

         - Do ta bëja me dëshirë, siç do të të kisha shkyer copë copë e të të hidhja poshtë. Por siç duket fati ka shkruar gjëra të tjera për ty e për mua. Kam frikë se për një kohë të gjatë duhet të durojmë praninë e njëri tjetrit.Tani merr e ha diçka se në gjendjen që je nuk mund të rrish pa ngrënë.

          -Për ç'gjëndje e ke fjalën?

          - Do ta marrësh vesh kur t’i vijë koha. Tani ha dhe fli!- shfryu ai dhe ndërkohë ndezi një turrë drush që ishin më në brendësi të shpellës. Marika mori dy patat e pjekura, i shkëputi nga një kofshë secilës e i mbajti për vete,  pjesën tjetër ja vuri atij përpara , e pastaj u ul pranë zjarrit e filloi të hajë në heshtje. Vërtet i çuditshëm ky miku i saj i ri i padëshiruar. Duhej ti mbante inat që i bërtiste ashtu por ajo nuk ishte e zonja të rrinte hidhëruar gjatë. I ktheu kurrizin zjarrit e u ul përkarshi tij pa ja ndarë sytë. Kur ai filloi të hante i tha:

           -"Të bëftë mirë."

Nuk mori përgjigje por shqoi përsëri atë shkëndijë qesëndie në sytë e tij dhe  vuri buzën në gaz. Pothuaj e kish zënë gjumi kur dëgjoi:

           -" I kishe pjekur mirë. Kish kohë që nuk haja mish të pjekur".

Ajo kukurisi dhe mbuloi fytyrën me duar. Sa keq që të nesërmen duhej të priste  perëndimin e diellit...

 

 

                                                    

 

                                                           Mankthi

 

                    Gjinin e kish zënë gjumi buzë përroit të vogël me drenushen pranë. Një copë qiell i vogël, aq sa e lejonin pemët e mëdha, me yje të shndritëshme e një hënë të bukur e të plotë  po i bënte shoqëri. Por siç dihet, hëna nuk mund të rrijë shumë në një vend e vazhdoi rrugën e saj, e me tu zhdukur pas majave të pemëve, një qenje me formë njeriu  u vendos ngadalë mbi trupin e Gjinit e filloi ti marrë frymën ngadalë. Dhe do ta kishte mbytur nëse drenusha nuk do të kishte kërcyer përpjetë e nuk do ti kish dhënë një shkelm  në kokë Gjinit, duke e zgjuar. Me t’u zgjuar Gjini, qenia misterioze rrëshqiti me shpejtësi por ai  pat kohë ta kapë dhe ta mbërthejë fort pas këmbëve edhe pse ndihej i dobët e ishte qull në djersë. Duart i rrëshqisnin e  po e humbiste, një këmbë i shpëtoi por ai mbërtheu me të dy duart këmbën tjetër dhe e mbajti fort edhe pse tani ajo gjëja po e tërhiqte rrëshqanthi nëpër pyll. Gjini ndjente fytyrën t’i çirrej keq nëpër shkurre. Desh ta lëshonte por ndjeu dihatjen e rëndë të atij tjetrit dhe kuptoi se ai po lodhej dhe kjo i dha guxim. E shtërngoi më shumë derisa ai u rrëzua përtokë. Atëhere mblodhi forcat e i kërceu në kurriz e ju ul mbi shpinë, duke i bllokuar krahët me këmbë. Nxorri nga xhepi copën e shamisë së mëndafshtë, e grisi më dysh dhe me njërën copë i lidhi krahët nga prapa dhe me tjetrën këmbët pa ja vënë veshin kundërshtimeve të tij dhe pastaj e ktheu mbi kurriz. U habit kur  pa atë fytyrë të imët aq të zbehtë sa dukej e tejdukshme, por ajo që i bëri më shumë habi ishin sytë që kishin të njëjtën ngjyrë me  atë të lëkurës. Ju duk aq e shpifur sa pështyu.

         - Më liro, të lutem, mos më bëj keq!- i foli përvajshëm qenia e çuditëshme.

        - Më thuaj një arësye se pse duhet ta bëj?- i tha Gjini që edhe pse tani i dukej i parrezikshëm ai burrë i vogël , nxorri shpatën.

Kur pa këtë veprim, tjetri  filloi të dridhej e dukej akoma  më i padëmshëm e i mjerë.

           - Të të vijë keq për mua të mjerin, unë nuk i bëj keq askujt,- zëri ishte aq i përvajshem e bindës sa një moment Gjinit i erdhi turp e vuri shpatën në brez. Mendoi ta lironte, por plagët që kish marrë në fytyrë filluan t’i digjnin e ai u kujtua se sa forcë kish patur ai, ndaj mendoi se do të ishte ndonjë dredhi.

         -Jo, nuk të liroj, do të të mbaj lidhur!

        - E kam për ty, do të pendohesh por do të jetë tepër vonë.

        - Ani,- tha Gjini- e di se do të pendohem por ty nuk të lë, e nuk do të lë asnjeri të të lirojë. Fundja kohë kam boll e nuk kam punë tjetër.

Tjetri filloi të qajë e të lebetitet  por ai bëri sikur nuk e dëgjoi. Pasi qau një copë herë,

papritmas filloi të qeshte me të madhe dhe kjo e gjeti Gjinin aq të papërgatitur sa nuk dinte ç'ti thoshte.

          - Tani më thuaj çfarë don nga unë ?

          - Unë, nga ti?! Asgjë! - ja priti Gjini.

         - Jo ,jo dicka duhet të duash, nuk ke ndonjë dëshirë të...

         - Unë nuk ja them gjithkujt dëshirat e mia e aq më tepër ty.

         - Përse?

         - Sepse ti doje të më mbysje.

         - Ke të drejtë po unë këtë punë kam, mbys njerëz .

         - C’të kanë bërë këta njerëz që i mbyt?

         - Asgjë.

         - E atëhere përse?

         - Përse? Eshtë  histori e gjatë dhe kam aq shumë kohë që nuk ja kam treguar kujt, sa më duket se edhe vetë e kam harruar e nuk ma ka qejfi ta kujtoj tani. Do të kisha dëshirë të dëgjoja historinë tënde. Si të quajnë dhe ç’don në këtë pyll?

           - Mos bre burrë, historinë time? Mua më quajnë Gjin dhe ty s'ka ç’të duhet se ç'bëj unë në këtë pyll.

           -  Mua më quajnë Mankth dhe mbys njerëzit që gjej natën në gjumë.

           - Atëhere e ke hak vdekjen! -  tha Gjini duke ngritur shpatën.

           - Prit o njeri! - klithi Mankthi. - Prit! unë mund të bëj diçka për ty edhe se nuk ma ka qejfi. Unë mund të të plotësoj një dëshirë, ç'të duash më kërko, e pastaj më le të lirë, unë nuk do të të ngas më.

Gjini që kish rrokur shpatën për ta vrarë ndenji në mëdyshje. E përse ta vriste, fundja ai nuk kish për të dalë i gjallë nga ky pyll, por para se të vdiste kish dëshirë...

             - A më bën të flas me të vdekur?

            - Unë kujtova se do më kërkoje para e pasuri, por për të folur të bëj me kë të duash, të gjallë a të vdekur.Veç mendohu mirë, se unë plotësoj vetëm një dëshirë. Mund të flasësh vetëm me një person, pastaj do më çlirosh. Për ta bërë këtë duhet të më çosh tek burimi, atje ku krijohet ai pellgu i vogël me ujë të kulluar. Mbi sipërfaqen e tij do të  shohësh personin me të cilin don të flasësh. Dhe tani më zgjidh.

               - As mos të të shkojë ndër mend!- ja priti Gjini dhe e mori e hodhi mbi kurriz,-tani më drejto rrugën. 

                   

 

 

                                                  

                                                  - & -

                                                  

                    Kishin mbërritur pranë burimit dhe rrinin të dy të përkulur mbi pellgun me ujë të kulluar i cili kish një bukuri magjepsëse. Yjet qëndisnin sipërfaqen e tij dhe Gjini një çast nuk dinte nëse ishin yjet e qiellit që pasqyroheshin në të, apo një copëz qielli ishte shkëputur e ish vendosur aty. Me zemër të thyer u kujtua se nuk kish ardhur aty për të soditur.

          - A mund të më thuash se ç'po bëjmë këtu?- pyeti tjetrin duke menduar se po i punonte përsëri ndonjë rreng.

         - Atë e din ti, thuaj me kë duhet të flasësh.

        - Me Marikën,- foli Gjini duke ja ngulur sytë sipërfaqes së ujit e duke e pritur të shfaqej në të.

        -Për këtë duhet të më zgjidhësh.

        -Cfarë?!

       - Vetëm duart se ndryshe nuk të ndihmoj dot.

Një moment mbeti mëdyshas se nuk i besonte por tashmë dëshira për të parë e dëgjuar edhe një herë të vetme të dashurën e zemrës së tij, ishte torturuese, e pastaj çfarë ndryshonte për të. Nëse nuk provonte...Ja zgjidhi pa fjalë duart dhe la që tjetri t'ja merrte  të tijat e t'ja zhyste në ujë, sipërfaqja e të cilit u lëkund për pak çaste e pastaj u lëmua si pasqyrë.

        - Mos i lëviz! Thirr  emrin e saj! - e urdhëroi ai.

         - Marikaaa!

Uji lëvizi përsëri , e përsëri u qetësua. Pastaj në të u duk një zjarr  bubulak. Të ndriçuar nga flakët e tij pa Marikën që flinte përdhe me rrobe të shqyera e ndjeu frymëmarrjen e saj të lehtë. Zemra filloi t’i rrihte me tërbim e i dukej sikur do t’i çante krahërorin.

        - Marika! Marika! Marika! A më dëgjon?

Vajza u ngrit në fillim ndenjur e pastaj brofi më këmbë e u kthye nga drejtimi që i vinte zëri .

        - Gjin ku je?- dëgjoi ai zërin e saj që i vinte si  jehonë.

        - Je gjallë  Gjin ?!

Një zë i tmerrshëm u dëgjua dhe një gjë e stërmadhe u ngrit pas saj. Ai shikoi vashën të nisej vrap drejt tij e pastaj të hidhej e të binte poshtë e prapë poshtë në humnerë.

           -Joooo! - ulëriu Gjini dhe u hodh në ujë për ta pritur të mos binte e vritej por ajo që gjeti qe veç ujë që i binte deri në fyt. Filloi të kërkojë pëllëmbë për pëllëmbë tërë pellgun por nuk kish asgjë. Atëhere doli shpirtvrarë e filloi të shkulte flokët e të çirrte faqet nga dëshpërimi. Ajo kish qenë gjallë dhe ai ishte bërë shkak ...Nuk e vuri re se tjetri tashmë kish ikur.

 

 

                                             

 

                                                       - & -

 

                  Marikën e kish zgjuar zëri i Gjinit dhe kish rendur drejt tij pa menduar se poshtë, në vend të tij, e priste humnera. Sa hap e mbyll sytë ajo e gjeti veten sërish në ajër tek binte poshtë me shpejtësi. Sa keq, do të vdes tani që e di se është gjallë, mendoi ajo. " Të dua Gjin"- bërtiti ajo dhe mbylli sytë për të mos parë kur të përplasej. Dy kthetra të fuqishme e mbërthyen dhe ajo ndjeu se po e ngjisnin ngadalë e pastaj e vendosën me kujdes mbi truallin e gurtë të shpellës. U çua më këmbë dhe kokëulur ju afrua zjarrit. Dridhej e tëra nga tmerri i kaluar disa çaste më parë. Nuk kish guxim ta shikonte atë që e kish kujtuar përbindësh dhe tani i kish shpëtuar jetën për së treti herë. I vinte turp se ishte treguar mendjelehtë. Por mendimi se Gjini ishte  gjallë e po e kërkonte i ngrohi zemrën. Shpresa i trazoi shpirtin dhe gjumi ju tret. Vështroi me bisht të syrit  dragoin që rrinte në buzë të shpellës, dhe zemra ju mbush me mirënjohje. Ju afrua dhe pështeti ballin pas këmbës së tij, aty ku duhej të ishte gjuri .

            -Të faleminderit.-i tha.

            -Ishte nder për mua - ja ktheu ai dhe për çudine e saj zëri i tij nuk i vrau veshët e ishte më i butë, pothuaj njerëzor.- Veç mos e bëj ves.

            - Cfarë?

            - Të hidhesh kaq shpesh nga shkëmbi.

Përsëri ajo dritë qesëndie.

            -Natën e mirë! - tha ajo dhe u largua drejt zjarrit.

           - Natën e mirë dhe pafsh ëndërra të bukura, - ju përgjigj ai.

 

 

 

                                                    

 

 

                                                     Marku

 

 

              Marku udhëtoi tërë atë ditë,tërë atë natë dhe ditën e natën tjetër dhe arriti grupin e trimave tëtij. Puna e parë që bëri, u tha atyre se babai i tij i kish falur gjakun Gjinit dhe  nëse do ta hasnin në rrugën e tyre, të mos ngrinin dorë mbi të. Kjo i vuri në mendime  kalorësit e tij që nuk folën tërë rrugës. Natën ndaluan në një shpat e u rregulluan për të fjetur. Marku ra top në gjumë siç ishte i lodhur por dicka e zgjoi. Ju duk sikur po dëgjonte zëra burrash që flisnin  ulët. Mprehu veshët dhe vuri re se nuk ishte gabuar,  ishin zërat e shokëve të tij. U bë kurioz. La gunën aty ku ish dhe vetë u fsheh pas trungjeve të pemëve duke u afruar ngadalë pa u vënë re. Ata ishin ulur rreth zjarrit e flisnin duke kthyer kokën here pas here nga vendi ku flinte ai. Një ndjenjë dyshimi i therri përbrenda. Kurrë nuk i kish pëlqyer Ndini, kalorësi që kish ardhur me të për të gjetur të motrën, dhe kërkesa e tij per dorën e saj para një viti nuk kish bërë tjetër veç kish rritur mospëlqimin e tij dhe këtë nuk e kish fshehur. Mos po i punonte ndonjë rreng prapa krahëve? Vuri dorën në brez ku mbante shpatën dhe u përgatit për çdo gjë. Tashmë ishte fare pranë tyre kur Ndini e vuri re dhe i tha:

         -Na fal Mark, nuk deshëm të të prishnim gjumin.

        - Falë qofsh, por çfarë është ajo që ju len pa gjumë?

        - Ti e din se unë jam në gjak me Zefin e fshatit të jugut, por me thanë te drejtën mua ai djalë më pëlqen dhe nuk kam pasë dëshirë me e vra. Kam pasë rast, e kam ba sikur nuk e kam pikas. Por nga ana tjetër, më vjen turp me e falë, do më quanin frikacak. Doda  është burrë me një barrë mend e ja ndiejnë fjalën të gjithë, e fali gjakun. Dua me e falë edhe unë.

          - E pse jo? - ja priti Marku që e dinte se grupet ishin bërë në bazë të familjeve që ishin në gjak. Cdo grup kish marrë drejtime të ndryshme kështu që nuk kishin mundësi me u vra.

          - Dua të kthej prapa një kalorës që të shkoje e ti thotë Zefit se tash e tutje jemi vëllezër.

          - Mirë ban, kështu që lajmëron edhe vëllezërit e mi për Gjinin. Natën e mirë trima.

          - Të mirë e bafsh!

Marku u kthye tek guna e tij dhe e zuri gjumi menjëherë. Ishte lajm i mirë dhe i çuditshëm ky. Por a nuk kishte parë gjëra edhe më të çuditëshme këto ditë?

 

 

                                                          

 

                                               

 

        

                                                     - & -

 

        Ditët kalonin njëra tjetrën. Ndërsa Gjini rrotullohej nëpër pyll, vëllezërit e Marikës ishin hapur nëpër vise të largëta e të huaja e po e kërkonin, Marku kish dalë prapa malit të Dragoit e pak ditë e do të fillonte t’a ngjiste edhe pse rruga ishte e vështirë se nga kjo anë mali ishte i veshur me pyje shumë të dendura dhe ata nuk mund të ecnin kalëruar por më këmbë e duhej t’i tërhiqnin kuajt nga freri. Atë mengjes që do fillonin t’i ngjiteshin malit i arriti një kalorës dhe i lajmëroi se një ushtri kalorësish të zinj po i afrohej vendit të tyre. Rrugës ata digjnin e prisnin çfarë u dilte përpara dhe familjet e tyre ishin në rrezik. Ai tha se edhe vëllezërit e tjerë ishin lajmëruar dhe po ktheheshin në shtëpi. Grupi i kalorësve ndaloi dhe e pleqëruan këtë punë. Do të ish më mirë të ktheheshin e të luftonin këtë ushtri, të mbronin shtëpitë e familjet e tyre. Marku nuk foli e kuptoi se kishin të drejtë. Por ai u tha se nuk kthehej dot, do të vazhdonte rrugën, të kërkonte motrën e tij ndërsa vëllezërit e tjerë do të luftonin. E përshëndetën të gjithë me rradhë të nëntëmbëdhjetët  duke i uruar fat e rrugë të mbarë e u nisën. Ish gati mesditë kur Marku nisi ti ngjitej malit.

         

        

                                                  

 

                                                    - & -

 

                     Ishte akoma errësirë kur Marika u zgjua  nga një ëndërr e keqe. Kish parë babanë e nënën  të ulur pranë vatrës, të plakur e të dobësuar, ndërsa një re e zezë dhe e dendur rrinte pezull mbi çatinë e shtëpisë. Zjarri në vatër po shuhej dhe asnjë prej tyre nuk kujdesej për të. Ajo kish hyrë në dhomë por nuk e kishin vënë re dhe ajo duhej t’i thosh dikujt se një rrezik ishte atje përjashta, ndaj rendi në të gjitha dhomat për të gjetur ndonjërin prej vëllezërve por ishin të gjitha bosh dhe thirrjeve të saj nuk ju përgjigj njeri.Atëhere mori një krah shkarpash dhe ja hodhi zjarrit që u gjallërua. Doli në oborr të merrte dru të tjera dhe kur ngriti kokën vuri re se ajo masë e zezë ishte ngritur më lart por nuk ishte larguar. Mbushi krahët me dru dhe i çoi  brenda por zjarri i konsumonte drutë me shpejtësi dhe ajo vazhdonte e i sillte nga oborri brenda e i hidhte në vatër me furi , derisa e këputur nga lodhja dhe dëshpërimi u përplas përdhe me tmerrin se zjarri po shuhej dhe një e keqe e madhe po i ndodhte prindërve të saj. Mendimi  se kish qenë vetëm një ëndërr e qetësoi disi, por ajo ashtu e qullur në djersë siç ish, ndjeu ftohtë. Ku ishin vëllezërit e saj, çkish ndodhur me ta?

                - Ish ëndërr e keqe?

Ai zë i fortë. Megjithëse nuk qe aspak armiqësor, e gjeti në befasi dhe ajo u drodh.

               - Shumë. Po ti nuk  fle?

Disa tinguj që ngjanin më shumë me një mori bubullimash e bënë të brofte më këmbë dhe u kthye nga ai e tmerruar. Papritmas ai pushoi.

               - Më fal nuk doja të të trembja. Kisha harruar se ç'efekt bën e qeshura ime tek njerëzit. Jo unë nuk fle kurrë.

              -Përse?

              - Sepse unë shikoj qiellin.

Ajo u afrua dhe filloi të shikonte qiellin e mbushur me yje.Vërtet ishte një pamje magjike që e la pa frymë në fillim por veç kësaj nuk dalloi ndonjë gjë të veçantë. Ajo nuk kuptonte se si mund të rrish zgjuar çdo natë e të shohësh të njëjtën pamje sado magjepsëse qoftë ajo.

               - E di se ç'mendon por me kohë do të kuptosh.

Marika ja nguli përsëri sytë qiellit.Yjet ju dukën  njësoj, të shndritshëm e të bukur, por njësoj. Befas i erdhi gjumë dhe mendoi se do të ishte më mirë të shkonte e të shtrihej  pranë zjarrit, por zëri i dragoit që i foli sërish ishte më i shtruar dhe ajo ndjeu pasion e dashuri në të.

          - Shikoje mirë e me kujdes qiellin dhe më thuaj se ç'vëren në të?

Ajo e vështroi një copë herë të mirë qiellin e mbushur me yje por nuk dalloi asgjë të veçantë.

          - A nuk i sheh yjet si janë vendosur?

         - Si?

         - Përdor pak fantazi, nëse qiellin do ta mendoje si një copë të çmuar mëndafshi të cilën e ke vendosur në gjergjef për ta qëndisur, dhe dikush tjetër ka vizatuar në të këta yje, që tani për ty nuk kanë kuptim, ti çfarë figure do të plotësoje?

Ajo mbylli sytë duke sjellë nëpër mend të gjitha gjërat e bukura që kish parë, kaloi nëpër mend fushat e luadhet në të cilat ishte rritur, pyjet, përrenjtë që rridhnin, ujin e kulluar të burimit, dëgjoi dhe zhurmat e tyre dhe shpirti ju mbush me mall e sytë ju përlotën. Pa shtëpinë e saj, lëndinen ku takohej me Gjinin, rrugën që të çonte në shtëpinë e tij ku ajo nuk kishte vënë këmbë kurrë, kujtoi pemën e mollës me kokrra të arta që shndrinin nën rrezet e diellit, ah, diçka po i krijohej në mend, ose më mirë ajo pema me shegë të kuqe që asaj i pëlqenin aq shumë ...

             -Një pemë ,-tha me gjysmë zëri se kish frikë se e bënte sërish të qeshte dhe e qeshura e tij nuk i kishte pëlqyer fare.

             - Të lumtë! Eshtë një pemë e cila ka  yjet për fruta, trungun nuk mund ta imagjinosh nëse nuk rrin e i sheh përnatë siç i shikoj unë. Veç ndryshe nga ato të qëndisurat, yjet nuk rrinë në një vend por lëvizin. Vetëm nëse din ligjet e lëvizjes së tyre mund të dallosh trungun.

Marika nuk foli por po vriste mendjen të kuptonte ku ishte trungu.

             -Unë jam rojtar i yjeve dhe i ligjeve që i lëvizin, kam një shikim shumë më të mprehtë se ju, e nuk fle kurrë. Tani shiko pak më me kujdes nga kjo anë, atje ku është ai vel i artë yjesh, çfarë dallon para dhe pas saj?

Ajo ngriti përsëri kokën lart e vëreu me kujdes e u mundua të krijonte të gjitha figurat imagjinare që mundte derisa qafa filloi t’i dhembë.  Ndjente sikur dikush po e godiste në tëmbla jo fort por me insitim duke i shkaktuar një dhëmbje të madhe koke, dhe atë çast pa atë. Fryma ju mor nga emocioni, ajo dalloi kokën, trupin,krahët e mëdhenj e të fuqishëm, bishtin,qëndisur i tëri me yje të ndritshëm. Ishte ai, dragoi i saj. Psherëtiu,sa i bukur që ish, dhe padashur u lëshua dhe pështeti kurrizin pas këmbës së tij. Nuk kish më frikë prej tij. Befas një fashë flake shpërtheu nga flegrat e hundës së tij dhe ajo ngriti kokën e ja qepi sytë me guxim. Sytë e tij ishin më të shndritshëm se zakonisht dhe asaj   ju duk se ai ishte i mallëngjyer. U mbështet edhe më shumë pas tij dhe një ndjesi qetësie e prehjeje e pushtoi të tërën e sytë po i mbylleshin. Nuk kishte rënë akoma në rrjetën e  gjumit, kur ndjeu diçka të ngrihej lart ngadalë e ta mbështillte. Ishte krahu i tij dhe ajo ndjeu ngrohtësi.

          

 

                                               

 

 

               

                                                - & -

 

                            Ishte ende errësirë kur Gjinit ju bë sikur  dikush  këndonte me një zë aq të bukur e melodioz saqë gjumi i doli përnjëherësh dhe ai u ngrit të shikonte se kush ish. Kish fjetur pranë burimit mbi një shkëmb të lëmuar që i ngjante një shtrati të ngushtë e të gjatë, ndaj dhe ishte shtrirë mbi të. Nga ana tjetër një vashë e bukur si dielli me flokë të gjatë të artë  që lëshonte një dritë të butë e të bukur që dilte nga tërë palat e fustanit të bardhë e lanë me gojë hapur. Nga aty ku ishte nuk e dallonte dot në fytyrë dhe lëvizi drejt saj por papritmas një tjetër vashë  po aq e bukur si e para por me flokë të gjatë të bukur të kuq ju fanit pranë dhe pa i lënë kohë as të habitej i foli me zë po aq melodioz:

        - Bëj kujdes or bir njeriu, mos e shih në sy!

Ai ktheu kokën për ta parë në fytyrë por ajo ktheu kokën nga ana tjetër.

        - As mua mos më shih në sy!

        - Kush jeni?- bëlbëzoi ai.

        - Jemi zanat e burimit.

 Zana me flokë të artë kish pushuar së kënduari dhe u afrua pranë e lëvizte sikur shkiste lehtë mbi tokë. Ecën me hap ere, mendoi Gjini dhe ja nguli shikimin këmbëve të saj të zbathura duke bërë habi se si kish mundësi të ekzistonin këmbë të tilla kaq të vogla, delikate e të bukura.

         - Shikomë në sy! - e urdhëroi ajo, pa e humbur magjinë e zërit.

Gjini nuk ja ndau sytë këmbëve të saj dhe mbante kokën ulur.

          - Si nuk ke turp?- foli flokëzjarrta,- i pate premtuar motrës se nuk do t’i bëje keq.

          - Ndërsa ju më keni fshehur krëhërin që pata lënë këtu. Përse? Unë nuk kam lejuar kurrë të më prekin shtratin tim, asnjë, dhe nuk kam ndërmend ta le këtë djalë pa ndëshkuar.

Flokëzjarrta nxorri nga mënga e fustanit një krëhër të artë dhe ja zgjati.

       - Ja tek e ke, e hoqa mbrëmë. Nuk mund ta ija që djaloshi ta shkelte .

       - C’farë ka aq të veçante ky i huaj që duhet të vijë e të na prishë rregullin e qetësinë?

Papritmas një tjetër vashë u fanit. Njësoj e bukur si të tjerat por kish flokë të zinj e të shkëlqyeshëm që i zbrisnin deri afër thembrave. Ajo ndaloi para Gjinit .

         - As mua mos më shiko në sy! - foli ajo me zë të ëmbël .

         - Nuk keni faj ju, por ishte shtrati im që ka dhunuar! - foli me inat flokëarta, - prandaj dua diçka si shpërblim.Më ke thënë se i bie bukur fyellit dhe tani dua t’i bjerë për mua.Nëse më ke gënjyer motër, mjerë ai. Një copë shkëmbi të shëmtuar do ta bëj, ku edhe zogjtë do të kenë frikë të ulen mbi të.

Gjini rrinte shtang me sytë e ngulur përdhe. Një çast, vetëm një çast të shkurtër, sa hap e mbyll sytë, po t’i ngrinte e t’i shikonte e dinte se nuk  do të lëvizte më prej andej. Kjo i dukej vdekja më e shëmtuar që mund të bënte. Kish imagjinuar të vdiste në dhjetra mënyra të tjera, i prerë me shpatë nga ndonjë trim, i copëtuar nga kthetrat ose panxhat e ndonjë bishe të egër, i hedhur në ndonjë greminë si e dashura e tij, por jo kështu, pa patur as edhe një mundësi të luftonte e të vdiste siç u kish hije trimave.

                  - Si ja kërkon një gjë të tillë tani që është  i plagosur në shpirt nga humbja e të dashurës? Kij pak mëshirë motër!- zëri i flokëzezës ishte lutës.

                 - Ashtu! Kush më flet për mëshirë? Pse nuk i thua se ajo nuk ka vdekur por e ke lënë ta besojë një gjë të tillë?

                 - Ajo ka vdekur, - zëri i Gjinit u ndërpre nga një ngashërimë,- vdiq duke u hedhur  në një humnerë, e pashë aty, - tha ai duke treguar me gisht pellgun e ujit të kristaltë.

                  - Jo Gjin, nuk ka vdekur, nëse kjo të lehtëson.

                  - Kjo më gëzon, - foli ai dhe nxorri fyellin nga gjiri e filloi ti bjerë. Zemra i gufonte në krahëror dhe ai i këndoi së dashurës së tij që e priste, i këndoi diellit që pas pak do të lindte, zogjve e pemëve që fëshfërinin ëmbël nën flladin e freskët mëngjesor dhe atyre vashave të bukura që rrinin dhe e dëgjonin në heshtje. Kur mbaroi vari kokën në krahëror dhe me zemër të ngrirë priti vendimin e tyre. Por ato nuk po fisnin dhe atij zemra ju ngushtua nga dhembja e frika. Po të mos u kishte pëlqyer si i binte fyellit? Tani që Marika ishte gjallë donte të jetonte dhe ai, dhe kjo dëshirë ishte aq e madhe sa i bënte t’i vërshonte gjaku ndër dej me aq zhurmë sa në fillim nuk kuptoi se ç'i thanë. Pa flokëzezën që ju afrua dhe i zgjati një zinxhir të argjendtë me dy brirëza të vogla që atij ju dukën brirëza dhie në ngjyrë të fildishtë.

             - Vare në qafë  Gjin!- e urdhëroi ajo.

Ai i vari në qafë pa kundërshtuar edhe se dyshimi e brente nga përbrenda, por a kishte rrugë tjetër?

              - Tash mund të na shohësh në sy, veç ki parasysh, se po i humbe nuk je më i mbrojtur. Tani diçka më gazmore duam të dëgjojmë nga fyelli yt se kam dëshirë të kërcej!-  e urdhëroi flokëarta.

              - Motërzë !!!- e qortuan njëherazi dy të tjerat.

Por Gjini mori fyellin e filloi ti binte përsëri, asaj valleje që i pelqente aq shumë Marikës. Dhe ndërsa dielli po lindte, ai shikonte këto tri krijesa të magjishme që kërcenin lehtë dhe aq bukur sa lëvizjet e tyre e mallëngjyen e ai megjithëse u lodh, nuk pushoi derisa rrezja e parë e diellit e përshëndeti dhe ato u shkrinë me ajrin duke vallëzuar.

       

        

                                                  

 

                                               

                                                     - & -

 

               Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe vëllezërit e Marikës  me trimat e tjerë ishin kthyer e po përgatiteshin për të luftuar ushtrinë e zezë që po afrohej. Marku ngjitej me mundim malit të lartë dhe rruga sa vinte e vështirësohej pasi moti po ftohte dhe era e fortë dhe e acartë lajmëronte dimrin. Ai tashmë dyshonte se do të arrinte dot deri në maje përpara se dëbora dhe akulli do ta bënte të pamundur ecjen e tij dhe atij do t’i duhej të gjente ndonjë guvë ku të fuste kokën e t’i shpëtonte gjallë dimrit të egër. Gjini  sillej rrotull nëpër pyll për të gjetur rrugën për tu kthyer në shtëpi  por më kot, në mbrëmje këmbët e çonin prapë pranë burimit të kristaltë ku ish i detyruar ti biente përsëri fyellit , gjë që në fakt nuk i vinte keq dhe e bënte me qejf duke gëzuar shoqërinë e këtyre zanave magjepsëse. Ndërsa Marika tani flinte më shumë ditën ndërsa natën zinte vend pranë dragoit duke dëgjuar e mësuar misteret e ligjeve të qiellit dhe të yjeve. Ditë pas dite, javë pas jave ajo nuk vuri re se po shëndoshej nga pak dhe befas një dite në të rënë të muzgut ndjeu se diçka i lëvizi në bark. E trembur dhe e çuditur rendi tek dragoi dhe i tregoi çka kish ndjerë. Ai qeshi, me atë të qeshurën që asaj nuk i pëlqente aspak por ajo që dëgjoi e la me gojë hapur:

              - Do të bëhesh nënë! - ja preu ai shkurt dhe ndenji në heshtje duke e lënë atë të përpëlitej në mendime e pyetje torturuese. Atë natë nuk i foli më, edhe sepse i vinte keq tek shikonte atë dragua të madh e të fuqishëm që digjej nga dëshira e padurimi për t’i treguar asaj tërë të fshehtat e misteret që i kish ruajtur në shekuj, por inati që nuk i kish treguar që në fillim gjendjen e saj e tërbonte. Pastaj pse e mbante aty kur e dinte se ajo priste fëmijë, me çfarë do ta ushqente dhe do ta vishte? Si mund të rriste atje në majë të malit një krijesë të vogël e të pafajshme, ku përveç robërisë së një shpelle të gurtë nuk kish ç'ti ofronte tjetër. Filloi të qajë e dëshpëruar fatin e keq të sajin por me shumë qante fatin e femijës së saj që së shpejti do të dilte në dritë. Veç një gjë e ngushëllonte, që këtë  nuk e dinte njeri dhe babai i saj nuk do të turpërohej para njerëzve të fshatit. Në këto mendime dita zbardhi dhe ajo kish kohë deri në mbrëmje të mendonte e të përgatiste fjalët që donte t’ja përplaste në fytyrë atij përbindëshi, që e meritonte me të vërtetë të quhej ashtu...

 

        

         

                                                   

 

                                                             - & -

 

           Të nesërmen shqiponjat nuk pushuan së fluturuari rreth shpellës së tyre. Cfarë nuk prunë aty, shpendë të çdo lloji, një qingj që ish ende gjallë të cilin Marika e mori përnjëherë në krahë dhe e vendosi pranë zjarrit duke vrarë mendjen se me çfarë do ta ushqente pasi aty bar nuk kishte. Blegërima e tij i ngjalli përsëri mallin e shtëpisë dhe ajo u shkreh në vaj disa herë. Dragoi ish larguar herët në mëngjes dhe nuk u duk tërë ditën dhe afër mbrëmjes ajo filloi të shqetësohej se mos i kish ndodhur gjë. Aq i madh u bë ky shqetësim sa ajo nuk pyeti për të ftohtit dhe u ngul në hyrje të shpellës me sytë të ngulur në horizont. Dhe ja tek e pa që po vinte. Diçka kish në kthetrat e tij që ai i vuri me kujdes mbi tokë pranë saj, por ajo nuk ja hodhi sytë e rendi drejt tij. Ishte aq e vogël në krahasim me të e nuk mund të arrinte deri sipër, ndaj hapi krahët e përqafoi një nga këmbët e tij, pa jua vënë veshin flakëve që dilnin me zhurmë nga flegrat e hundës së tij e atij i duhej të ngrinte kokën lart për të mos e djegur dhe asaj i erdhi për të qeshur.Gjithë ç'kish menduar ti thosh tashmë e kish harruar.

 

                - Paqe?- tha ai.

                - Paqe!- u përgjigj ajo.

                - Tani shiko se ç'të kam sjellë.

Ajo u kthye dhe pa se ishin dy sëndukë të mëdhenj. U afrua dhe hapi njërin. Ishte i tëri i mbushur me rroba të bukura e të ngrohta  të punuara me aq mjeshtëri, sa nuk dukeshin të vërteta. Si një fëmijë që i gëzohet lodrave ajo filloi t’i nxirrte një e nga një  duke i shikuar me kujdes. Fytyra nuk e fshehu kënaqësinë e saj, sytë i shkëlqenin dhe kulmi ish kur në fund të sëndukut gjeti një kuti të mbushur me stoli të çmuara, gjerdanë e unaza të punuara me mjeshtëri e të zbukuruara me gurë të çmuar. Kishte dhe një kurorë të vogël  të artë të veshur me rubinë të kuq. Hodhi mbi krahë një pelerinë të kuqe të qëndisur me fije ari, mbi kokë vuri kurorën e filloi të rrotullohej e pastaj të kërcente lehtë atë vallen që i pëlqente aq shumë Gjinit. Ku është, mendoi, sa do të doja të ishte tani këtu me mua, të gëzohej edhe ai e t’i thoja se së shpejti do të bëhet baba. Si do të reagonte? A do gëzohej apo dëshpërohej si unë? Dëshpërimi po bënte prapë fole në shpirtin e saj dhe hapi ju ngadalësua.

                - Hape dhe tjetrën! –dëgjoi dragoin prapa krahëve.

Ajo hapi sëndukun tjetër dhe mbeti me gojë hapur. Ishin teshat më të bukura që mund të ishin bërë ndonjëherë për fëmijë të vegjël. U ul aty në shesh e i nxorri një e nga një e lozte me to. C'nuk kish aty si për djem dhe për vajza të vogla .

                - Atëhere ti që je i ditur nuk e din akoma se çfarë është fëmija im, djalë apo vajzë?

               - Po të ta them nuk do të zemërohesh përsëri?

              -  Jo, nuk kam pse të zemërohem.

              - Janë dy, djalë dhe vajzë.

Asaj i ranë teshat nga duart. Tërhoqi këmbët zvarrë zvarrë pranë zjarrit e ja nguli sytë flakës. Nuk dinte ç'të bënte, të dëshpërohej apo të gëzohej nga ky lajm i ri. Të dëshpërohej se do të ishin dy fatkeqë që ajo nuk dinte se si do ti rriste aty apo... mendimi se do ishin dy  motër e vëlla që do ta donin njëri tjetrin, e gëzoi dhe asaj i shkëlqyen sytë. Dëgjoi zhurmën e flakës që shpërtheu sërish nga flegrat e hundës së atij që rrinte pak larg e bënte sikur nuk e kish mendjen tek ajo. Kjo i forcoi bindjen se ai e dinte se ç'mendonte ajo, dhe për më shumë se ç'ndjente në shpirt. Po si? E përse jo, a nuk dinte ai ligjet e yjeve e të qiellit, ai ishte i ditur. Ju kujtua se në fund të sëndukut të dytë i kish zënë syri një libër me fletë pergamene por meqë nuk dinte të shkruante e të lexonte nuk e kish prekur. Askush nuk u mesonte nga këto gjëra vashave në fshatin e saj. Atëhere përse ja kish sjellë aty? Përgjigja i shkrepi si vetëtimë në mendje, ajo u çua e nxorri librin e rëndë e të madh nga sënduku e me të në dorë shkoi e u ul pranë tij dhe e hapi. Ai filloi t’i mësonte gërmat e para. Dëshira për të mësuar hodhi rrënjë në shpirtin e saj dhe ajo nuk ngopej së dëgjuari dhe thithte me etje çdo tingull që dilte nga ajo gojë e stërmadhe .

 

 

                                                     

 

 

                                                        - & -

                 Marku ngjiste me mundim malin. Akoma nuk kishte arritur në pjesën e zhveshur te tij por pemët kishin filluar të rralloheshin dhe ishin më të ulëta. Flokët i zgjateshin mbi supe dhe mjekrra i ishte rritur ndërsa rrobat i kish të çjerra. Ishte  dobësuar pasi hante atë pak gjë që mund të gjuante rrugës. E ndiente se fuqitë po e linin por nuk mund të kthehej prapa. Atëhere filloi të kërkonte një vend për të mbrojtur kokën kur të fillonte të ftohtët e madh. Pasi kërkoi disa ditë më në fund gjeti një guvë, të cilën pasi e pa me kujdes mendoi se ishte e përshtatëshme. Hyrja nuk ishte shumë e madhe dhe  brenda ajo kthehej nga e djathta duke krijuar kështu një kënd të mbrojtur nga era. Pasi vendosi të rrinte në të, mblodhi shkarpa e degë të thata pemësh dhe i grumbulloi brenda. Gjëja më e mirë ishte se jo shumë larg guvës, ishte një burim i vogël uji, burim i thënshin  pasi currili ishte aq i vogël sa i duhesh të priste një copë herë sa ti mbushej caliku por kjo i mjaftonte tani për tani. Por si do ta kish hallin kur të fillonte ngrica? Fundja do të kish dëborë dhe akull. Mblodhi dhe gjetht të thata të pemësh dhe i shtroi për tokë në cepin më të largët të guvës e përgatiti një vend për të fjetur. Më pas doli të gjuante aty përreth për të siguruar pak ushqim dhe fati e ndihmoi se hasi në nja dy dhi të egra të cilat e lodhën mjaft për t’i gjëmuar por më në fund arriti t’i kapte të gjalla e i futi në guvë pas stivës së druve. Kështu  nuk mund  t’i iknin. Gjuajti shpendë të egër të cilët i pastroi mirë e mirë dhe i vari të kullonin e të thaheshin mirë e mirë në erën e fortë e të ftohtë. Mblodhi  dru të tjera e i stivoi në atë mënyrë sa e zuri hyrjen. La vetëm një të çarë  nga ku mund të hynte e të dilte ai dhe kali. Kur mbaroi këto punë bora kish zbardhur tërë sa i hante syri dhe ai ndau mendjen të rrinte brenda e të priste derisa të ndërronte stina e të ngrohej moti.

  

                   

                                           

 

 

 

                                                          

                

                                              - & -

 

 

                                  Zanat filluan të miqësoheshin me Gjinin, bënin edhe shaka por sapo ai hapte gojën e i pyeste për Marikën, ndërronin bisedë dhe ai ndjehej keq. Cdo ditë ecte nëpër pyll për të gjetur ndonjë shteg që mund ta nxirrte pranë lumit, por më kot . Nuk arriti kurrë ta gjente, megjithëse zhurmën e freskinë e ujit e dëgjonte. Sa herë që e ndjente afër, fare afër, dhe ai mendonte se pas pak hapash do të haste në të, një mjegull e bardhë e mbulonte dhe ai humbte rrugën e endej kot pa patur as edhe idenë më të vogël se ku desh të shkonte as edhe përse, biles në këto çaste harronte Marikën, nënën, dhe po të mos ishte për drenushën e vogël që i dilte përpara e ai e ndiqte, nuk mund të gjente as edhe lëndinën e vogël të zanave ku derdhej përdhe dhe e zinte gjumi. Vetëm në mëngjes i kthehej kujtesa. Kështu që pasi dëgjonte zhurmën e ujit të lumit ai kthehej menjëherë pas e ruhej se mos e zinte më ajo mjegulla e bardhë. Mendimi se nuk kish më asnjë lajm  nga Marika e dëshpëronte dhe ai filloi të kërkonte Mankthin e endej nga mëngjesi në mbrëmje nëpër pyll duke e kërkuar e thirrur. Por asgjë. Pyeti zanat dhe ato filluan të qeshnin dhe i spjeguan se ai nuk i dilte askujt përpara kur ishte zgjuar, por i hidhej përsipër njerëzve në gjumë. Atëhere ai filloi të flinte nëpër pyll, aty ku shkurret ishin më të dëndura e ku i dukej vend më i përshtatshëm që ta zinte Mankthi, por më kot. Ndërkohë koha filloi të ftohet e një ditë pa se kish filluar të binte dëborë. Por ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte se ajo sapo prekte majat e pemëve shkrihej dhe sa më thellë hynte në pyll aq më ngrohtë bënte. Atëhere u kthye përsëri tek lëndina e zanave ku ishte përherë verë e  nuk u çudit për këtë. E përse duhej të çuditej, a nuk ishte ky pyll  një vend i magjepsur? Ato e këshilluan të ngrinte një kasolle të vogël prej druri aty pranë dhe u zbavitën shumë duke parë se si e ndërtonte dhe i jepnin këshilla të ndryshme. Ju deshën disa ditë për ta bërë dhe e lanë edhe të mburrej se ja kish dalë në krye të bënte diçka,e në fund me një përplasje duarsh ja  bënë të zhdukej. Gjini mbeti me gojë hapur e u dëshpërua. Por pastaj me një përplasje tjetër shuplakash dhe … ai nuk u besoi syve... para tij qëndronte kasollja më e hijshme e më e bukur që kish parë ndonjëherë.

             - Të pëlqen?- e pyetën.

             - Shumë, por ju lutem mos i përplasni më duart.

             - Jo, nëse ti i bjen po aq bukur fyellit sa kemi bërë ne kasollen .

Dhe Gjini duke parë  derën e vogël të gdhendur e të praruar imagjinoi sikur hapej e Marika shfaqej në të, nxorri fyellin e i ra aq bukur sa i la me gojë hapur...

    

                     

                                                  

                

 

                                                        - & -

 

                                 Marika shikonte flokët e dëborës që binin e zbardhnin pejsazhin që shtrihej para saj deri larg diku afër detit, i cili tashmë dukej ngjyrë gri. Ishte më bukur se ...se në përrallë. Barku kish filluar t’i rritej dhe lëvizjet brënda tij i ndjente më të shpeshta. Tani nuk afrohej shumë tek cepi i shkëmbit ku fillonte humnera, kish frikë se rrëshqiste e binte e përsa ishte e çuditëshme nuk i vinte aq keq për vete se sa për ato qenje që rriteshin brenda saj  po t’i ndodhte gjë e keqe. Gjinin e mendonte, por tani për tani e kish vënë me kujdes në një skaj të zemrës dhe pjesen më të madhe të mendimeve të saj e zinin ato krijesa të mrekullueshme që do te lindnin e ajo do të ishte e detyruar të përballonte vështirësitë e lindjes e të rritjes së tyre vetëm. Eshtë edhe ai, mendoi duke e vështruar me bisht të syrit tek qëndronte i rëndë e i fortë si një shkëmb pranë saj. Tani nuk i fliste sepse ai nuk mund t’i përgjigjej ditën e duhej të priste natën për të dëgjuar zërin e tij, por nga ana tjetër nuk kish nevojë ta bënte këtë. Ashtu siç ajo lexonte  librin , ai lexonte mendimet e ndjenjat e saj. Ndërsa ajo nuk mundte, ishte munduar shpesh të hynte në mendimet e tij dhe nuk kish mundur. Pastaj kish kuptuar se ishte ai që ngrinte një barrierë  të lartë e të fortë ku ajo ishte munduar të gjente ndonjë të çarë.  Por sado ishte munduar, nuk kish mundur dhe kish hequr dorë. Kushedi se ç'ka brenda, mendoi, një thesar, një tempull dijesh që nuk don të m’i besojë mua. Megjithatë, ishte e kënaqur me ato pak thërrime që i hidhte ... Sa bukur është aty poshtë, mendoi, më ka marrë malli të shoh shtëpinë e njerëzit e mij. Veç të shoh oxhakun që nxjerr tym e të sigurohem që janë mirë.Por prej këtu ku jam nuk shihet. Fshati im ndodhet pas atij mali të vogël e për të arritur aty... Një erë e ftohtë e përfshiu të tërën dhe ajo e ndjeu ndjeu të ftohtët edhe se ishte veshur trashë e pelerina e mbulonte të gjithën e kish vënë kapuçin. Një shqiponjë kaloi dhe hodhi një lepur. I shkreti mendoi, por keqardhja mbaronte aty, pasi nuk ish ajo që e kish vrarë ndaj e mori dhe u fut në brendësi te shpellës. Filloi ta rripte. Pastaj lëkurën e mori me kujdes , e shtriu dhe pasi e mbërtheu në shkopinj e linte të thahej. Me to bënte shtresa e mbulesa që e mbanin ngrohtë. Ndoshta një ditë do të ish në shtëpi të saj dhe nuk do të kish nevojë për to, por tani për tani, ishte aty dhe duhej të përshtatej për të përballuar jetën.        

        

   

    

                                                                              

 

 

                                                                            - & -

 

                        Marika mori librin, u ul pranë dragoit por nuk e hapi. Ndjenja e mallit që e kish pushtuar  e kish plogështuar të tërën. Era ishte fashitur e dëbora kish pushuar.

Qielli ishte i pastruar nga retë dhe frutet e pemës së qiellit feksnin, drita e tyre dukej akoma më e bukur në këtë ajër të pastër.Tani ajo e dinte se cili prej tyre perëndonte e cili jo. Vetëm yjet e dragoit që përshkonin pothuaj tërë kupën e qiellit nuk perëndonin dhe ajo u mahnit me yllin e madh që ishte në qendër të tij, ishte më i shdritëshmi nga  gjithë të tjerët. Por sikur kish filluar të ndryshonte pozicion, netë më parë ishte më në të majtë. C'po ndodhte vallë me gjithësinë? Ky mendim e bëri të qeshte. Kam filluar të mendoj me fjalët e tij, ai i kish mësuar se ç'ish gjithësia dhe ajo tashmë e shihte veten si një grimcëzë të vogël, shumë ,shumë të vogël të saj, por kjo nuk e dëshpëronte. Rëndësi kish se edhe ajo ish pjesë e saj, sado e vogël që ish.

            - Ke dëshirë të fluturosh?- dëgjoi zërin e tij.

            - Nëse do të kisha një palë krahë, - ja ktheu ajo.

            - Krahët i kam unë.

Ajo u kthye dhe e vështroi në sy duke pritur të gjente aty atë dritë qesëndisëse .

           - E kam me të vërtetë, nëse ke dëshirë dhe guxim mund të hipësh mbi kurrizin tim . Veç duhet të mbahesh  fort  e unë do të bëj kujdes të fluturoj ngadalë.

Ajo nuk i zinte besë veshëve të saj.Megjithatë nuk priti t’i thosh dy herë e brofi me këmbë.

           - Jam gati, por më premto se do të fluturojmë mbi shtëpinë time.

           - Ndërsa ti bëj kujdes të mos i flasësh askujt e të tërheqësh vëmendjen. Asnjë nuk duhet të na shohë.

           - Të jap fjalën!

           - Vishu trashë se mos ftohesh!

Ajo rendi dhe hodhi sipër edhe një triko të trashë të leshtë, u pështoll e tëra me një pelerinë të trashë të zezë e u kthye me një frymë. Ai u ul e u afrua sa mundi pranë tokës duke marre një pamje qesharake por ajo nuk qeshi. Emocioni ishte shumë i madh dhe ajo kish... një fluturim për të bërë. Filloi të kacavirej me shpejtësi kurrizit të tij edhe se barku e pengonte. Më  në fund ja doli mbanë e qëndronte drejt në këmbë mbi të.

           - Afrohu pranë kokës dhe zër vend afër qafës!

Ajo bëri duke u lëkundur disa hapa dhe u ul duke u munduar të ulej si mbi kalë por ai ishte aq i madh sa nuk mundej t’i hapte këmbët aq shumë. Pastaj mendoi se mund të rrinte shtrirë mbi bark, por barku  i rritur i merrte frymën. Si t'ja bënte? Rrëshqiti poshtë e gërmoi në sendet e teshat që nuk i përdorte, të cilat i kish sistemuar në një cep të shpellës e doli që andej me një litar liri të gjatë e të trashë. Pastaj u kacavjer sërish lart, ju afrua  kokës së dragoit dhe i zgjati një cep të litarit të cilin ai e kapi me dhëmbë dhe duke kthyer kokën ja kaloi nga ana tjetër duke e lënë t’i binte poshtë nofullës. Marika u mundua pak sa e kapi cepin. U ul këmbëkryq me trupin drejt dhe pasi e kaloi litarin dy herë përreth belit të saj, i lidhi fort të dy cepat duke bërë disa nyje. Tashmë ishte e lidhur me të.

            - Nisu!!!

            - Ndën urdhërat tuaja!- u përgjigj ai dhe u çua më këmbë. Kjo e bëri Marikën të lëkundej fort një herë majtas pastaj djathtas por nuk e trembi. Shtërngoi fort me të dy duart litarin dhe e tërhoqi siç tërhiqen frerët e kalit.

             - Nisu!!! - bërtiti  hareshëm ajo.

Një palë flatra gjigante u ngritën e u ulën e ajo ndjeu se po ngrihej  në ajër. Ajo që po i ndodhte ishte aq e bukur, aq e madhërishme se ajo i harroi brengat e problemet e veta, atë çast ishte njeriu më i lumtur në botë.

 

 

 

                                                     

 

                                                       - & -                                                        

 

                   Fluturuan edhe netë të tjera kur koha ishte pa re. Marika pa fshatin e saj, pa tymin që dilte nga oxhaku i shtëpisë së saj dhe kjo e bindi se punët nuk shkonin dhe aq keq në atë shtëpi. Një natë i kërkoi dragoit të qëndronte e të rrinte  pezull mbi çati e dëgjoi zërat e vëllezërve, por meqë nuk mund të uleshin shumë nuk i kuptoi fjalët. Por nejse edhe me kaq ishte e kënaqur. Po të mos ishte ashtu me atë bark të fryrë do t’i ish lutur dragoit t’a linte të zbriste ose edhe do të ish hedhur edhe se e dinte se do të vritej keq, por... nuk mundte, dhimbja e turpi që do t’u shkaktonte babait e nënës së saj ... Pastaj kalonin më tej e ajo vështronte vise të reja të cilat as që i kish shkuar ndër mend  më parë se ekzistonin. Shtëpi të ndryshme nga ato të fshatit të saj. Pa qytete,  pallate,  karroca të bukura që kalonin nëpër rrugë. Një natë, në majë të një kështjelle, pa një vashë të bukur veshur me rroba të ngjashme me ato që kish në shpellë. Pastaj pa detin, e nuk kish fjalë të përshkruante magjinë e tij, që edhe pse ishte natë ai ish aq i bukur tek ngjyhej me dritën e hënës. Edhe se tani e dinte se dielli nuk mbytej në det, asaj i pëlqente ta imagjinonte si shtratin e tij ku ikte të binte në gjumë kur ishte i lodhur, shtrat aq të butë e të bukur nuk kish ku të gjente. Netët e vrenjtura, kur errësira ish e thellë e nuk shihej ndonjë gjë e madhe hapte librin e studjonte. Tash kish mësuar jo vetëm të lexonte e të shkruante, por edhe të hidhte në pergamenë ato që shihte gjatë fluturimit. Një natë, tek po kalonin mbi një pyll ju duk sikur dëgjoi tingujt e një fyelli e zemra filloi t’i rrihte me rrëmbim. Ishte fyelli i Gjinit dhe kjo ishte kënga e saj e prefruar.

                - "Gjin"! -  ulëriti ajo me sa kish në kokë duke harruar premtimin që kish bërë.                                                    !               - “Gjin”!!!-  Befas dragoi u kthye me të shpejtë e nxitoi të arrinte në shpellë.  Megjthëse u zemërua e nuk e mbante vendi nga inati që dragoi nuk ndenji dhe pak aty e ta linte të dëgjonte  fyellin e Gjinit, syrit të saj nuk i shpëtoi një hije e zezë e stërmadhe që i ndoqi pas. Kur ata mbërritën në shpellë, hija u kthye. Që nga ajo natë, dragoi nuk e mori më me vete dhe e porosiste se në rast se do të vërente  ndonjë gjë të dyshimtë, të futej thellë në shpellë, të zbriste e të fshihej atje ku ishte burimi i ujit.

                    

 

  

                                              

 

                                                           - & -

                    Ishin  mbledhur rreth vatrës, e duke kundruar flakët e zjarrit, i tregonin babait se ç'kishin bërë tërë atë ditë, siç e kishin  zakon. Doda dëgjonte e megjithëse i bëhej zemra mal tek shihte këta djem të fortë e trima që i mbushnin dhomën, mendjen e kish gjithnjë tek Marku dhe e bija. I kish humbur dhe nuk dinte nëse do t’i shihte më. Ai u përhumb në mendimet e veta dhe ata ndërprenë bisedën. Një vel trishtimi u end fytyrave të trimave. Por ai e kaloi shpejt këtë çast përhumbjeje dhe u buzëqeshi. Duhej t’i gëzonte sa i kish, secili kish vendin e vet në zemrën e tij e cila dridhej sa herë kujtohej se lufta po trokiste në portat e atdheut e ata do të iknin të luftonin ushtrinë e zezë. Megjithëse dimri e kish gozhduar atë ushtri të keqe atje larg, të gjithë e ndjenin se me ndryshimin e stinës do të ndryshonin dhe gjërat e tjera dhe jo për mirë. Biseda bëri rrugë përsëri dhe Doda bëri kujdes të mos i dorëzohej sërish dhëmbjes që e mbante fshehur në gji...

 

 

 

                                                    

 

                                                    - & -

 

                       Gjini ndjeu ftohtë dhe u zgjua. Ishte natë vonë dhe atë mezi e kish zënë gjumi pasi zanat kishin ditë që nuk ishin parë e ai ishte në merak për to. Përse bënte kaq ftohtë? Ai filloi të dridhej dhe mendoi të çohej e të bënte disa hapa jashtë, ndoshta ngrohej pak. Doli dhe filloi të ecte përreth kasolles së bukur. Pranë pellgut të ujit të kristaltë shqoi një figurë. Kush të ish? Zanë jo, se ato lëshonin dritë, ndërsa ky, apo kjo, dukej si një grua e zakonshme. U afrua me të shpejtë, fustani dhe xhamadani që i shtërngonte belin ishin të njohura për të...  ajo ishte Marika. Nuk e shihte ende në fytyrë se i kish kthyer shpinën. Gjini zgjati dorën, por para se ta prekte figura u kthye dhe ai pa me habi se nuk kish qenë grua, por një burrë i veshur kokë e këmbë me të zeza e një pelerinë me kapuç e mbulonin të tërin, ndërsa mjekrra e zezë i derdhej deri në brez. Kapuçi i mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës. Kjo është gjë e mirë, mendoi, se kushedi sa të shemtuar do ta ketë. Ky ishte një rreng që i punonin zanat, për këtë ishte i sigurtë ndaj dhe filloi të qeshte.

                - Sikur ta dije se çfarë i ka ndodhur nënës tënde nuk do të qeshje kështu!- zëri ishte i fortë, i ftohtë, i rëndë, si të ishte prej plumbi.

                - Cfarë i ka ndodhur nënës sime?- Gjini pushoi së qeshuri  dhe ju afrua më shumë.

               - Eja! Shikoje vetë!- foli tjetri dhe preku sipërfaqen e pellgut me majën e mprehtë të një shpate.

Gjini u afrua ngadalë dhe gjunjët ju prenë. Pa kasollen e tij e në mes të saj pranë shtratit të nënës së tij, ndodhej Doda me shpatë xhveshur e në shtrat dergjej nëna e tij me krahëror të çarë. Në vend të zemrës, ish një gropë të madhe e zezë.

              -Joooo! - ulëriu Gjini duke rënë në gjunjë e duke kapur dhe me duar e duke e hedhur mbi ujë nga ku pamja u zhduk menjëherë.

              - Shiko dhe këtë!- e urdhëroi tjetri  duke futur përsëri tehun e shpatës në ujë.

Gjini ktheu kokën nga ana tjetër. Ajo ç’ka kish parë kish qenë shumë e dhimbshme dhe ai nuk dinte se çfarë kish që mund ta bënte të vuante më tepër.

               - Shiko! -  këtë herë zëri ish aq i fortë e urdhërues sa e trembi.

U kthye me pahir. Tani ishte një kasolle tjetër, e ndyrë, me vatër të zezë ku kish zjarr. Pranë saj qëndronte më këmbë një burrë me një gjë të çuditëshme në duar. Prit, ai është Marku, ndërsa ajo që mban në duar është një... zemër... njeriu, një zemër që rreh akoma, është ende e gjallë...është zemra e ...

              -  Zot! Jooo!- ulërima e tij çau qiellin.

              - Nuk kam më se ç'të të tregoj. Nëse don të marrësh hak, eja me mua dhe unë do të të ndihmoj.

             - Tani!-Gjini brofi më këmbë.

             - Por me një kusht. Pasi të mbarosh punë me ta do të bësh ç'të të them unë!

             - C'të duash ti!

             - Shpejt atëhere, toke dorën këtu !

Gjini zgjati dorën për të tokur dorën e burrit me mjekërr të zezë. Befas, sikur mbinë nga dheu, mes tyre u shfaqën zanat. Gjini nuk i kish parë kurrë kaq të zemëruara. Ato u kapën përdore dhe krijuan një brez drite të fuqishme mes tij dhe të panjohurit. Por nuk ishte vetëm dritë se Gjini u përpoq ta zgjaste edhe më shumë dorën për të tokur dorën e atij tjetrit por nuk mundi, dukej sikur kish takuar në një gjë më të fortë se guri.

           -Largohu Gjin!- e urdhëroi flokëarta, por ai nuk luajti  vendit.

           -Largohu tutje!

Por Gjini as që kish ndërmend. Vuri re se dora e atij tjetrit pak nga pak po e kalonte atë pengesë e afrohej drejt tij. Gjini bëri përpara. Papritmas, ato ngritën lart duart e lidhura  e bërtitën:

            - Dritë e qiellit! Bjer mbi kokën e të paudhit!

Gjini shtangu. Nuk ish  zëri i ëmbël melodioz i tyre, ishte një klithmë, ishte britma e bishës së plagosur, ishte gjëmimi i  rrufesë, ishte zhurma shurdhuese e ortekut kur shkëputet nga mali. Pas saj ai pa disa yje të qiellit të shkëputen e  të binin me shpejtësi e të bashkoheshin me njëri tjetrin duke formuar një gjarpër të zjarrtë që sulmoi mbi kokat e tyre. Një forcë e madhe e shtyu pas, por ai arriti të shohë se ai tjetri ishte zhdukur para se ai send i zjarrtë të takonte tokën ku kish qëndruar më parë ai.

 

 

 

                                                          - & -

                  Gjini ishte  futur në kasolle e nuk u përgjigjej thirrjeve të tyre, të cilat bëheshin sa vinin  e më të forta e ngulmuese. As nuk e kish ndërmend, e mbanin rob këtu që prej disa muajsh ndërsa nënën ja kishin prerë dhe i kishin marrë  zemrën. Pale kur mendonte se Marika e priste kushedi se ku dhe nuk e dinte se ç'rrezik i kanosej edhe asaj. Dikush i dha një mundësi për t’u hakmarrë dhe ato ja hoqën. Përse duhej të rrinte aty? Mos vallë duhej ta ngryste jetën si gaztor i tyre? Më mirë ta kishin shndërruar në gur që ditën e parë, vuajtjet e turpi i tij do të kishin marrë fund.

               - Dil Gjin se do ta shkatërrojme kasollen!- dëgjoi ai por nuk doli, fundja aq i bënte për një copë kasolle. Le ta zinte brenda e ta vriste.

               - Dil se duam të flasim e të të shpjegojmë!

               - Cfarë?- bërtiti ai nga brenda.

               - Përse të mbajmë këtu!

Kështu po, u bind Gjini dhe doli. Ato rrinin të tria rrëzë lisit të madh i cili ishte më i madhi i gjithë pyllit. Por  atë e kishin ndaluar t’i afrohej, ashtu siç e kishin ndaluar të vriste shpendët e kafshët e pyllit, dhe atij i mbetej të gjuante e të ushqehej veç me lepuj e barishte. Lepujt, i kishin thënë, mund t’i vriste sepse shtoheshin shumë. Kur ishte me fat i linin të gjuante ndonjë kafshë fatkeqe që si ai kish rënë në rrjetën e këtij pylli.

                 - Përse nuk ma keni thënë më parë?

                 - Se nuk i kish ardhur koha.

                 - Po tani?

                 - Tani koha po shtërngon, ca gjëra duhet t'i dish.

                 - Po dëgjoj, por mos kujtoni se do të besoj të gjitha sa ç'më thoni.

                 - Mirë Gjin, si të duash,por më parë na dëgjo, - zana flokëzezë ju afrua, - i shikon pemët që kanë filluar të zverdhin gjethet? Do të thuash se është normale. Nuk është normale për pyllin tonë. Ti e sheh se janë shumë lisa,  ky këtu është më i madhi e më i fuqishmi, është zemra e drurëve të pyllit, por edhe ai po dorëzohet. Tani dua të të tregoj një histori që ti në daç besoje. Një ditë, i paudhi  ju lut zotave  t’i bënin një vend në gjithësinë që kishin krijuar. Ata nuk ja dëgjuan lutjen për një kohë të gjatë, por i paudhi nuk u lodh duke u lutur, ndërsa veshët e tyre u lodhën. Atëhere vendosën t’i caktojnë vend në një pyll, por vetëm në periudhën kur pylli të ishte krejt i zhveshur nga gjethet. Kështu që i paudhi, a nuk e di se me ç'emër do ta quash ti, zuri vend në të e pastaj filloi të përhapej në pyje të tjerë e të tjerë derisa ju afrua njerëzve e bëri fole në zemrat e tyre e i shkretoi ato. Njerëzit u bënë të këqinj e as nuk e kuptuan këtë. Ndërsa pemët e dëshpëruara nuk dinin ç'të bënin e shkuan e u këshilluan me lisin i cili është druri  më i fuqishëm dhe më i ditur. Ai u tha se  nuk do t’i lëshonte gjethet deri në fund të dimrit, derisa shkurrja e parë e pyllit të vishet me gjethe. Në këtë mënyrë, pylli nuk do të mbetej kurrë pa gjethe e i paudhi nuk do të kishte vend në të. Por ndryshe nga pylli, njerëzit nuk kanë kuptuar ose nuk duan të kuptojne asgjë. Kanë bërë ligje, zakone të shëmtuara sipas mësimeve të të paudhit që veç dhimbje e vuajtje sjellin. Dhe fuqia e të paudhit u rrit, e ai zgjeroi kufijtë e ne u ngushtuam gjithnjë e më shumë derisa arritëm të mbyllemi në këtë pyll. Rreziku na kanoset përsëri. Një ushtri e zezë ka rrethuar pyllin e po shterron lumin. Brenda një kohe të shkurtër pylli ynë do të marrë fund. E bashkë me të, ç’do gjë e mirë dhe e bukur .

             - Kjo është përrallë!

             - Edhe ashtu mund ta quash, por kjo nuk përjashton se ka të vërtetë brenda.

             -Nuk ka asgjë të vërtetë!

             -Siç nuk ka zana të vërteta? Apo nuk ka në të vërtetë një sy të kaltër uji që mund të të tregojë se ç'ka ndodhur ose po ndodh, apo se nuk ka Mankth...

           - Mjaft me këto! Ju jeni gënjeshtare!

           - Nuk të kemi gënjyer kurrë.

           - Po nëna ime? Ju e keni fajin që më mbajtët këtu. Po të isha pranë saj nuk do t’i kish...

           - Gjin,- foli me zë të ulët flokëzeza,- më vjen keq por nuk je i drejtë. Ishe ti që e le vetëm nënën tënde, dhe po të mos ishe futur këtu do të të kishin vrarë vëllezërit e Marikës e prapë nuk do të ishe pranë saj.

           - Unë nuk bëj asgjë për ju nëse më parë nuk më lini të shkoj e të vras ata që më kanë vrarë nënën.

          - Ti nuk e din se kush e ka vrarë.

          - E di,- briti Gjini duke zënë kokën me duar,- e pashë aty! – ai tregoi me gisht syrin e kaltër të ujit.

         - Ke parë vetëm atë që ka dashur të të tregojë ai. Nuk të kemi treguar, e kemi bërë vetëm për të mos dëshpëruar. Por meqë ti nuk beson, eja dhe shiko se si ka vdekur nëna jote!

Gjini tërhoqi këmbët zvarrë e me pahir  deri në buzë të pellgut që ndën rrezet e diellit që po lindte,  dukej vërtetë si një sy i kaltër i shndritshëm. Pa nënën e tij që ishte ulur pranë vatrës me fytyrë të merakosur e po e priste, befas një grua e zezë  e rrëmbeu me forcë dhe e hodhi mbi shtrat,  i çau krahërorin, futi në të dorën e kur e nxorri mbante... një zemër... Pastaj pa Dodën që hyri brenda dhe zbuloi trupin e saj, më pas e mbështolli me mbulesë e pasi hapi një varr në lëndinë e varrosi. Pa Markun që hyri në një kasolle e gjeti përtokë një trastë ku gjeti zemrën e nënës së tij, dëgjoi zërin e saj tek i lutej ta digjte që të mos e përdornin... Gjini nuk mund të shikonte më se si digjej aty ajo zemër që përpëlitej ende, shtërngoi kokën me duar e ja dha ulërimës...

              

 

 

                                                           

 

                                                   - & -

 

                         Lajmet që vinin nga larg ishin të shëmtuara. Flitej se ku kalonte ushtria e zezë bari nuk mbinte më. Dhe njerëzit, ata që mbeteshin gjallë, ishin të sëmurë e bëheshin të këqinj. Vajza të reja zhdukeshin pa nam e nishan. Asnjë nuk e dinte se nga vinte kjo ushtri dhe ç'kërkonte. Grupe njerëzish të dëshpëruar e të trembur linin shtëpi e katandi, arrinin ç’do ditë e kërkonin strehë në fshatin e Dodajve e në fshatrat përreth. Por edhe këtu rronin me frikë në zemër. Cdo ditë që gdhinte, mund të ishte e fundit e jetës së tyre. Trimat e vendit u mblodhën e shkuan të këshilloheshin me Dodën. U bë një kuvend i madh ku morën pjesë të gjithë, trimat e fshatit dhe ata të ardhurit nga larg. Dodës i erdhi keq për tërë ata djem të rinj që ndoshta nuk do të arrinin kurrë moshën e tij e nuk do ta gëzonin jetën. E dinin edhe vetë se  pak shanse kishin për të fituar por më në fund vendosën të ndaleshin aty e të përballeshin me ushtrinë e huaj. Nuk kishte përse të vazhdonin të iknin. Nëse duhej të vdisnin, do të vdisnin aty, si burra, në shesh të mejdanit.

 

 

 

                                                   

 

                                                                - & -

 

                    Gjini i lodhur e i shkatërruar shpirtërisht nga ç'kishte parë në syrin e kaltër, e kaloi ditën duke u endur kuturu nëpër pyll. Nuk po kërkonte më rrugën për në shtëpi, nëna, e cila me praninë e saj  ngrohte atë vatër familjare nuk ishte më. Bukuria e magjishme e  atij pylli nuk i bënte më përshtypje. Në mbrëmje u gjend përsëri në luadhin e tij, por kasollja,  nuk ju duk fare mikpritëse. Të tria zanat ishin ulur buzë ujit e rrinin të heshtura. Vuri re se po rrinin mbi një sëndyk të praruar. Kur e panë, u ngritën në këmbë dhe hapën sëndukun.

           - Afrohu Gjin, kemi diçka për ty!- tha flokëarta.

Ai u afrua ngadalë dhe pa të shdrinin nën dritën e hënës një shpatë e artë e një hark i praruar. I mori në dorë. Syri nuk i kish zënë kurrë armë kaq të bukura.

          - Janë të tuat Gjin.Vetëm me një kusht.

          - Cili është ky kusht?- pyeti ai i habitur, edhe i thonin se ishin te tijat edhe…

          - Duhet…- Gjini nuk po i dëgjonte më. Nga pylli ja behu një burrë trupmadh, me lëkurë të pjekur nga dielli, pothuaj lakuriq vetëm me një cohë të bardhë rreth belit që i zbriste deri një pëllëmbë sipër gjurit. Ai ju afrua me të shpejtë dhe Gjini vuri re muskujt e skalitur që i spikasnin nën lëkurë e cila shkëlqente sikur të ishte lyer me vaj. Burri rrezatonte forcë e Gjini mendoi se po të donte ai mund t'ja thyente kockat një e nga një dhe vetja ju duk fare i vogël e i pafuqishëm tek shihte se nuk i arrinte as deri tek supi.

            - Mos u tremb, nuk është këtu për të të vrarë por për të të stërvitur, - i foli flokëzeza.

            - Në sënduk është një veshje luftëtari, por vetëm pasi të jesh stërvitur e bërë aq i fortë sa duhet. Tani shko të flesh Gjin, ditë të lodhëshme ke përpara e ne nuk do të vimë më derisa të jesh gati.

            - Gati!?Për çfarë? -  pyeti Gjini.

 Nuk mori përgjigje. Ato përplasën shuplakat e u zhdukën ndërsa ai rrinte e shikonte atë burrë që i kishin lënë aty e që nuk tregonte as edhe  dëshirën më të vogël për të folur me të por sodiste rreth e rrotull. Gjini hyri në kasollen e tij dhe për çudi gjumi e zuri menjëherë. Ndërsa tjetri u shtri përtokë e fjeti para derës së kasolles.

 

 

 

                                                    - & –

 

                  Ndërsa vëllezërit e Marikës kishin mbledhur trimat e vendit e të ardhur nga vise të tjera e stërviteshin çdo ditë, Doda merrej me organizimin e kësaj ushtrie të vogël, Gjini djersinte e rraskapitej nga mëngjesi  në mbrëmje nën urdhërat e dyluftimet me burrin e fortë e të madh sa një div. Mësoi të përdorte më mirë shpatën, mësoi të gjuante me hark dhe të mundej me të trup më trup. Shpejt ja mori dorën edhe shpatës edhe harkut, ato dukeshin sikur ishin bërë për të. Me tepër lodhej kur mundej trup me trup, por pas shumë e shumë ditësh rraskapitëse e falë teknikave  që i mësoi ai , arriti ta verë përfund. Herën e parë nuk e besoi as vetë, herën e dytë kujtoi se ai e la vetë, por herën e tretë tek e pa të djersitur e tek dihaste kuptoi se ishte bërë me të vërtetë i fortë. Atëhere shkoi e hapi sëndukun. Gjeti një palë sandale prej lëkure të punuara bukur e me mjeshtëri , një fustanellë, një kemishë, një xhamadan të qëndisur bukur me fije ari, një mburojë të praruar dhe një qeleshe të bardhë si dëborë, të cilën pat frikë se mos e bënte pis kur e mori në duar. I veshi dhe pa se çdo gjë i rrinte për bukuri. Pa rreth e rrotull dhe vuri re se ishte vetëm. U afrua tek syri i ujit dhe në sipërfaqen e lëmuar të tij, si në një pasqyrë, pa  një djalë të ri e të bukur. Zemra ju gufua e ju bë mal kur mendoi  se ishte ai që pasqyrohej në të. Për një moment harroi pse ishte aty, harroi nënën e vdekur, Marikën, brengat e hallet. Sa i bukur që ish dhe sa armë e veshje të bukura që kish. E kush nuk do ta kish zili. Ndjenja e kënaqësisë dhe e mburrjes për vetveten e mbushi të tërin ndërsa rrinte e kundrohej mbi syrin e kaltër. Pak nga pak  armët filluan të humbnin shkëlqimin dhe një djalë i veshur me zhele që e vështronte nga pasqyra e ujit, e bëri të vinte në vehte. Nuk ishte ky qëllimi i tij. Nuk ish bërë trim e i fortë për të qenë i bukur, punë të tjera e prisnin dhe ai ish gati. Nxorri fyellin e filloi t’i bjerë ndërsa shihte se armët filluan të shkëlqenin sërish. Pas pak të tria zanat u shfaqën dhe e rrethuan.

            - Eja me ne Gjin!- e urdhëruan.                                                    

 

 

 

                                                          

 

             

                                                                 - & -

            Marika shikonte e trishtuar peisazhin që shtrihej poshtë malit. Lumenjtë dalëngadalë po thaheshin e liqenet sa vinin e  zvogëloheshin. Një brez i zi, si një bollë e trashë e neveritëshme pështillte tërë vendin e vinte e afrohej gjithnjë e më tepër duke u ntrashur gjithmonë e më shumë, ndërsa tokat që linin prapa mbeteshin të shkreta e liqenet thaheshin. Duhej të kishte ardhur pranvera por nuk kish akoma as edhe një shenjë të saj, dhe ajo dyshonte se në ato toka të largëta ku kish kaluar ajo gjë e zezë mund të vinte më. Edhe aty rreth trishtimi ndihej në ajër. E ndjente në përplasjen e krahëve të shqiponjave që u binin ushqim apo sende të tjera. Asaj nuk i mungonte asgjë, nga teshat deri tek orenditë. Kish tryeza e  sixhade që shtronin shpellën. Por kishin sjellë dhe lajme të këqia që ajo nuk i dinte por ja kishin komunikuar dragoit dhe ajo e ndjente. Trishtim kishin dhe sytë e tij, aq trishtim sa asaj i mbusheshin sytë me lotë kur i shihte. Barku i ishte rritur mjaft dhe ajo kish filluar ta ndjente veten të rëndë. Ai e kish ndaluar të sforcohej fizikisht, ndërsa mësimet ishin bërë me insistuese, ai ngulmonte t’i fuste në tru shumë gjëra  dhe tashmë kish mësuar ligjet e qiellit e të yjeve, të tokës e ujit, dinte se ç'ishte rrufeja, si shkaktoheshin tërmetet, ç'ishin vullkanet që villnin zjarr, si krijoheshin retë e shiu, bora e breshëri, si lindte një syth dhe ç'e bënte një pemë të thahej, si krijohej një embrion dhe si lindte e vdiste një krijesë, në ç'stad ishin krijesat në barkun e saj dhe dhimbjet që do të kish kur ti lindte. Kishte dhe shumë gjëra të tjera për të mësuar. Një pafundësi. Ndjeu ftohtë dhe pështolli krahët rreth trupit të saj dhe instiktivisht duart i rrëshqitën mbi bark. Kish dy ditë që nuk ndiente asnjë lëvizje dhe ky mendim e alarmoi. Zoti im, mendoi, ndërsa muzgu po binte përreth duke e bërë më të zymtë pamjen aty poshtë, ruaji krijesat e mia!

            - Beson në Zot ?- dëgjoi dragoin që i rrinte përkrah .

            - Po!- ja ktheu ajo pasi u mendua një copë herë.

            - Edhe pas gjithë atyre dijeve që të kam dhënë.

            - Po!

            - Në cilin Zot beson, në atë të Diellit, të Tokës, të Qiellit, të Ujit,të …

            - Tek të gjithë.

            - Ashtu!?

            - Po .

Ai qeshi aq fort sa ajo zuri veshët me duar.

             - Më fal, harrova që njerëzit kanë frikë nga e qeshura ime.

             - Nuk kam frikë, më shurdhon!

             - Po tjetër në kë beson?

             - Në atë që nuk ma ke mësuar ende. Në atë të shpirtit.

Dragoi nuk foli një copë herë.

             - Përse beson akoma, të kam mësuar sekretet e shumë gjërave.

             - Sepse këto jane gjëra që arësyeja i pranon. Arësyeja... është mizore, truri, - e ajo vuri dorën mbi ballë,- llogarit mundësitë e ato shpesh nuk i kemi, ai dorëzohet .-  Por kjo këtu... - ajo vuri dorën mbi zemër, - të bën të ndjesh, të vuash, të luftosh... edhe kur nuk  i ke mundësitë, të jep shpresë.

             -Shpresë!? Për çfarë? E di mirë se ç'dëshëroni ju njerëzit. Toka, shtëpi, bagëti, para, pasuri, pushtet, e jeni të pangopur, aq sa vrisni njëri tjetrin, sa vëllai vret vëllanë për një pëllëmbë tokë, se edhe kur i luteni zotave e bëni për interesat tuaja dhe vetëm kur keni nevojë... Ndryshe nuk ju bjen ndërmend për ta, vetëm kërkoni e kërkoni prej tyre , kurrë nuk i dëgjoni...

             - Mjaft!- briti Marika dhe shpërtheu në dënesë. Përse ja thosh këto asaj? Ajo vërtet ishte veshur si princeshë dhe në mes të shpelles ishin sëndyqe të tëra me xhevahire por asaj aq i bënte për to. Kish më për zemër ato dy copë dhi e kujdesej për to se do ta ndihmonin për të ushqyer të vegjëlit e saj, donte me shumë atë qenush të vogël që nuk i ndahej e i rrinte pranë se kish nevojë për të, për  një dorë që ta përkëdhelte e t’i falte pak ngrohtësi e dashuri. Malli për shtëpinë e familjen e saj i pushtoi shpirtin deri në dhëmbje. Dhe ai i fliste për tokë e pasuri. C'i duheshin asaj ato veshje të mëndafshta të qëndisura me gurë të çmuar e ar, ajo më mire të kishte veshur një thes e të kishte pranë Gjinin e saj. Ato orendi sado të bukura që zbukuronin shpellën sikur të ishte pallat princi, ato pasqyra bakri e argjendi... do të preferonte një sofër dhe një sergjen në një kasolle në mes të pyllit. Por edhe atje nuk do të ish e lumtur se do t’i mungonte ai, përbindëshi, dhe e meriton këtë emër që më torturon duke më thënë këto gjëra,mendoi ajo. Ajo kish filluar ta donte edhe se ishte aq i madh e i shëmtuar. Do ta donte dhe atë atje, do ta priste çdo mbrëmje e do t'i piqte tërë pulat e rosat që do të deshte e do të rrinte deri natën vonë me Gjinin e fëmijët e saj duke e dëgjuar ...

            - Bën mirë që beson në Zot!- zëri i dragoit ishte i shtruar.

            - Pra beson dhe ti? Si është? E ke parë?

            - Besoja. Por kur gjërat të shkojnë vërtet shumë keq, aq keq sa fillon të të mungojë zemra, fillon të mos e besosh më  dhe e humbet. Dhe kur e humbet... çdo gjë nis e bëhet më e zezë...

 

 

 

                                                 

 

 

 

                                                - & –

 

                 Gjini i ndiqte pothuaj duke rendur. Ato ishin të lehta si ajri dhe nuk ecnin po rrëshqisnin. Ditën ishin  pothuaj të tejdukëshme. Ecnin në një shteg që ai nuk e kish shkelur më parë. Këtu bimësia ishte më e gjelbër e ngjyrat e luleve më të ndezura. Diku mbajti hapin për të shikuar ndonjë lule, diku një kafshë apo shpend që nuk i kish vënë re më parë e i tërhiqnin vëmendjen, por pastaj i duhej t'ja jepte vrapit për të arritur zanat. Pak nga pak pylli po rrallohej dhe përpara tij u hap një peisazh mahnitës. Një luadh i madh, shumë i madh dhe një liqen me ujë të kristaltë  i rrethuar me lisa të gjatë e të bukur. Lëndina ishte e mbushur me kafshë të bukura që kullosnin e degët e pemëve ishin plot me shpendë të bukur e shumëngjyrësh që cicëronin. Ai mbeti me gojë hapur. Nëse do të kish parajsë, duhej të ishte kështu, si kjo. Vetëm njerëz nuk kish aty. Ai dalloi drenushën e tij e cila i erdhi pranë dhe e la t’a përkëdhelte. Zanat zunë vend mbi një shkëmb të vogël buzë liqenit dhe thirrën njëherësh:

           - Nëna jonë, nëna jonë,nëna jonë!

Papritur  sipërfaqja e ujit u valëzua lehtë dhe mbi të filloi të ngrihej një tjetër zanë akoma më e bukur, me flokë ngjyrë argjendi që i zbrisnin deri tek thembrat e këmbëve. Hijeshia e lëvizjeve të saj tek rrëshqiste mbi ujë ishte e mahnitëshme. Erdhi drejt tyre dhe u ndal para Gjinit duke e shikuar nga koka tek këmbët.

             - Mirëdita bija. Mirëdita Gjin!

             - Mirëdita! - u përgjigj ai me gjysëm zëri.

             - Më kanë thënë se je djalë i mirë dhe mund të na ndihmosh. Por përpara duhet të të vemë në provë.

Gjini rrinte me kokë ulur dhe nuk dinte ç'të thoshte.  C'provë duhej të jepte? Nga pylli dolën dy burra  të mëdhenj si diva  me muskuj të skalitur. Ishin të veshur njësoj si ai që e kish stërvitur, me nga një fund të shkurtër të bardhë dhe në duar mbanin shpata e në sup u varej harku me trastën e shigjetave. Nuk e kish marrë ende veten nga habia kur ata e sulmuan njëherësh. Gjini i zënë në befasi u spraps, u pengua në një rrënjë peme e u rrëzua përdhe. U mat t’u thërriste e t’u thonte që kjo që po bënin  nuk ishte e drejtë. Si mund të luftonin dy me një? Por sapo desh të hapte gojën një shpatë i vetëtiu mbi kokë dhe atij ju desh të rrokullisej për t'ju shmangur. Shpata u ngul  në tokë duke e munguar vetëm për një fije. Brofi më këmbë dhe filloi të mbrohej, këta nuk bënin shaka dhe ai nuk mund të ankohej, a nuk kishte kërkuar të vdiste duke luftuar? E në donin ta vritnin le të lodheshin përpara, nuk do ta kishin të lehtë. Nëpër mend i kaloi mendimi se zanat ja kishin punuar këtë rreng, e kishin përgatitur për t’u ndeshur e për të dhënë shfaqje për to. Vuri re se rrotull ishte mbushur plot me figura të tjera që ndiqnin me interes ndeshjen. Kjo ja ndezi më shumë inatin. U hodh përpara me vrull e me një të goditur ja hodhi tej shpatën njërit prej tyre dhe pastaj u sul dhe e rrëmbeu. Tani kish dy shpata dhe kjo i dha më shumë zemër e sulmoi tjetrin. Ndeshja ishte shumë e fortë, disa herë mendoi se e kish të humbur davanë. Gjunjët filluan t’i priteshin nga lodhja dhe trishtimi. Ndjeu shpatën e tjetrit t’i prekte krahun e majtë dhe  gjakun t’i rridhte poshtë krahut. Pa pikat e gjakut të tij tek binin mbi bar dhe kjo e ndezi më shumë. Flaku tej shpatën që ja kish rrëmbyer divit  dhe mbërtheu të tijën me të duart, injoroi dhimbjen e krahut të plagosur e priti goditjen që i vinte nga lart. Ishte aq e fortë sa shpatat nxorrën shkëndija. I tërbuar nga dhimbja e poshtërimi i dha menjëherë një goditje tjetër të shpejtë. Shpata e tjetrit fluturoi tej. Ngriti shpatën për ta goditur por tjetri u pengua duke u prapsur e ra përtokë. Tashmë ishte në dorë të të tij. Ju hodh sipër divit duke menduar se ku do t'ja jepte goditjen vdekjeprurëse. Ngriti krahun por e mbajti pezull në ajër. Jo!  Ai nuk do t'jua jipte këtë kënaqësi, nëse donin ta vritnin atë burrë, le ta vrisnin vetë. U drejtua nga ajo anë nga ishin zanat e hodhi shpatën pranë këmbëve të tyre. Mori të largohej drejt pyllit kur divi tjetër e ndoqi pas dhe ju hodh përsipër. I gjetur sërish në befasi u rrëzua përmbys, fytyra ju ngjesh pas tokës  dhe ndjeu gojën t’i mbushej me dhe. Mblodhi forcat e duke shtyrë fort shpatullën e djathtë e kthye duke e hedhur poshtë atë që i kish kërcyer mbi shpinë. Tash filluan të ndesheshin trup me trup. Nuk e pati të vështirë ta vinte poshtë, por ndërkohë me bisht të syrit pa dy të tjerë që po i afroheshin ngadalë. Një dallëndyshe kaloi mbi kokën e tij dhe i lëshoi një rrip të mendafshtë. E rrëmbeu dhe duke e kthyer kundërshtarin e tij me fytyrë drejt tokës ja lidhi duart prapa. Nuk pat kohë as të mendonte se rripi i mëndafshtë do të ish aq i fortë sa të mos këputej, kur ju hodhën sipër dy të tjerët e po i merrnin frymën. Drenusha e tij ju vinte rrotull e pastaj ndaloi duke e parë drejt e në sy duke përplasur njërën nga thundrat përtokë. Kish diçka atje, dhe nuk ish më shumë se dy hapa larg.Një copë e ashpër litari, një copëz shumë e vogël por atij i mjaftoi të kuptonte se ç’ish. Mblodhi forcat e shtyu njërin prej tyre që shkoi e ra po në atë vend ku më parë kish qëndruar drenusha. Divi  mori të ngrihej por koka e tij mbeti në lak. Dha e mori por nuk po lirohej dot e divi tjetër e humbi toruan një çast duke e vështruar e në mëdyshje në duhej ta ndihmonte apo jo. Gjini shfrytëzoi këtë sekondë e ju hodh sipër. E vuri me shpatulla  në tokë dhe i hipi sipër në gjoks deri sa i mori frymën. Më pas e ktheu përmbys e pasi grisi mëngën e këmishës të krahut nga ku i rridhte akoma gjak, i lidhi duart e këmbët. U çua me mundim e pa i hedhur sytë në drejtimin ku ishin zanat mori për nga pylli.

                 - Gjin kthehu!- ishte zëri i nënës zanë.

Por ai vazhdoi të ecte pa e kthyer kokën. Aq i bënte tani për to, e kishin zhgënjyer, e kishin mashtruar. Nuk donte ti shihte më kurrë.

                  - Gjin kthehu!- ishte zëri i tri zanave të tij. Por ai bëri sikur nuk i dëgjoi dhe vazhdoi të ecë. Papritur dëgjoi një rënkim të njohur dhe ktheu menjëherë kokën. Njëri prej kundërshtarëve të tij kish rrëzuar drenushën dhe mbante shpatën gati për ta goditur. Sytë e saj mbushur me ankth e frikë i ngushtuan zemrën.Nuk ishte nevoja ta thërrisnin prapë, sa hap e mbyll sytë ishte pranë drenushës dhe i hoqi shpatën nga dora divit. Doli në mes të sheshit e duke parë tërë turmë  njerëzish, burra e gra, zana, a shtojzavalle ai nuk po merrte më vesh asgjë se ç’ishin.

                  -C'kërkoni nga unë! - briti me sa kish në kokë.

                  - Ke për të bërë garën e harkut. - i tha zana flokëzezë e i zgjati harkun me trastën e shigjetave të cilat ai i kish humbur gjatë luftimit. Në anën tjetër vuri re se tre divat ishin vënë në rresht përballë pemëve ku kishin varur sofra të drunjta të vizatuara me rrathë. Në duar mbanin harkun e prisnin atë. Pa u ngutur u afrua dhe u vendos në rresht me ta. Zana flokëzezë i qëndroi pranë dhe urdhëroi:

                  -Gati!

Të katërt rrëmbyen nga një shigjetë nga trastat që kishin në sup dhe tendosën harqet duke shënuar tabelat.

                 - Qëllo!-briti zana aq fort sa të tre e lëshuan fillin e tendosur njëherazi. Të katër tabelat ishin qëlluar në qendër. Herën e dyte një fllad i lehtë i lëkundi tabelat ndaj ishte më vështirë të merrje shenjë në to. Tri prej tabelave u qëlluan afër qendrës ndërsa njëra jo, por nuk ishte e tija. Herën e tretë që tendosën harqet era ishte më e fortë e bënte që tabelat të rrotulloheshin rreth tyre.

          - Gati!- përsëriti zana flokëzezë,- gjuani kur ta shihni të mundur .

Gjini mbajti frymën dhe priti sa tabela u rrotullua dhe dy herë të tjera e llogariti kohën e volitëshme. Ndjeu të fërshëllenin shigjetat e kundërshtarëve të tij por nuk ja vuri veshin.Tendosi harkun me sa forcë kish dhe kur tabela kish filluar të shfaqte vijat e saj gjuajti. Mbylli sytë e priti pa marrë frymë. Kur i hapi  pa se vetëm ai kish goditur në tabelë. Nuk ishte në qendër, ishte pak në të majtë por aq i bënte, e kish goditur. Ndjeu ta duartrokisnin dhe kjo ja përkëdheli sedrën por nuk e dha veten. U afrua ngadalë dhe vendosi harkun e trastën e shigjetave pranë këmbëve të zanave.

                - Merri Gjin! Janë tuajat.- i thanë ato njëzëri.

                - Për të bërë çfarë? - ja preu ai. - Nëna më ka vdekur kur më mbanit rob në pyllin tuaj, të dashurën e kam humbur dhe nuk e di në se është gjallë apo jo. Duhet të luftoj por përse e për çfarë? Sa për tu zbavitur gjeni ndonjë tjetër.

                 -Po tregohesh i padrejtë Gjin !- ishte nënëzana. - Ishe ende shumë i ri kur hyre në këtë pyll e u bëre burrë i fortë e luftëtar në pak ditë. Je dhe shumë i bukur e me zemër të madhe si yt atë.

                 - Im atë!?- Gjini zgurdulloi sytë.

Papritmas një burrë u shkëput nga grupi i njerëzve e po i afrohej. Ai nuk e mbante mend babanë e tij, kish qenë shumë i vogël kur e kishte parë  për herë të fundit. Por ai burrë që vinte drejt tij ,mënyra se si ecte, si e shikonte nuk kish dyshim...

 

 

 

                                                  

 

 

                                                 - & -

                      Marika u tmerrua kur një shqiponjë hodhi aty një burrë të veshur me të zeza kokë e këmbë. Dragoi, pasi e vështroi veç një çast në sy, i dha një goditje me bisht dhe e hodhi në ajër. Pa patur kohë që ajo të hapte gojë e t'i thonte se nuk hidheshin njerëzit ashtu, ai shfryu zjarr  dhe e dogji në ajër. Burri i veshur me të zeza u dogj në çast, mbeti veç pak avull që u zhduk menjëherë e pas një sekonde asnjë gjurmë e tij. Sikur të mos kish ekzistuar. Ajo vrapoi në buzë të humnerës për të parë se mos ndoshta trupi ishte akoma duke rënë poshtë, por asnjë shenjë.

                 - Pse e bëre? - ju kthye dragoit. Ai nuk mund të përgjigjej, ishte akoma ditë .Por me bisht ngadalë e me kujdes e shtyu në thellësi të shpellës dhe ajo kuptoi se duhej të rrinte atje. Tërë pjesën tjetër të ditës, nuk i mbeti tjetër veç të numëronte ato figura të zeza që shfaqeshin e digjeshin sa hap e mbyll sytë. Kush ishin ata e përse ai i digjte ashtu? Kjo nuk i pëlqente aspak. Mori librin e u ul në një cep e filloi të lexonte.  Puna e saj tani për tani ishte mësimi, ashtu i kish thënë ai, po ai ç'punë po bënte ashtu..?

 

 

 

                                                         - & -

                    Marku, i zbehtë, i paqethur e i parruar, ndau mëndjen të nisej. Dimri ish në të dalë por pranvera nuk dukej ende. Dëbora poshtë  kish shkrirë, ndërsa në majë të malit  ku duhej të arrinte shkrinte shumë vonë . Duhej të priste verën po ai nuk kish kohë. Sipas llogarive të tij, motrës i binte të lindte së shpejti dhe ai nuk e dinte se si e kish hallin. Bile nuk e dinte as në ishte ende gjallë, por këtë mendim e largonte shpejt nga koka pasi i ligështonte shpirtin. Lëshoi kalin që ish katandisur kockë e lëkurë dhe pasi i ra me pëllëmbë vitheve i pëshpëriti në vesh që të ikte në shtëpi. Megjithëse ishte i bindur që nuk e kish kuptuar, u habit që kali mbeti pas e nuk e ndoqi.Veç sytë e tij e ndiqnin, ata sy të mëdhenj e të bukur që shprehnin trishtim. Markut i erdhi keq për të që po e linte vetëm por rruga ishte shumë e rrëpirë dhe kali mund të rrëshqiste e të binte e të bëhej copë copë para syve të tij. Vazhdoi rrugën me mundim duke u kacavjerrë shkrepave e duart i rrëshqisnin për shkak të dëborës që shkrihej sapo  preknin gishtat e tij. Dëgjoi nga larg hingëllimën e kalit e kur ktheu kokën pa që ngrihej kas e  shkofëtinte dheun me këmbë. Ndoshta sepse e kish kokën të ulur për të parë kalin poshtë, pasi tërë vëmëndjen ja kish përpirë shqetësimi për të ai nuk e vuri re se një hije e zezë po i afrohej. Kur e pikasi ishte tepër vonë.  Nuk pati kohë as të nxirrte shpatën. Një palë kthetra e mbërthyen si një morsë dhe dora i kish mbetur  mbërthyer pas millit të shpatës.Vështronte poshtë i tmerruar tek ngrihej përherë e më lart me gjak të ngrirë se mos e lëshonte nga çasti në çast. Nuk kish dyshim, ishte një shqiponjë si ajo që kish rrëmbyer të motrën. Nëse nuk e hidhte poshtë, kish shans ta çonte ndoshta drejt e tek ajo. Ky mendim i dha zemër. Kur ndjeu se shqiponja po ulej zemra filloi ti rrihte me furi. Motërzë, pëshpëriti, po vij tek ti.Ndjeu se morsa e kthetrave filloi të lirohej dhe u përgatit për rënien. Pati vënë re hyrjen e një shpelle dhe shkëmbin që zgjatej mbi greminë, të gjërë e të sheshtë. Megjithatë nuk e ruajti dot ekuilibrin e u rrëzua kur këmbet i prekën tokën. Por u ngrit shpejt. Para syve të tij hapej i tërë peisazhi që e la me gojë hapur. Mbeti një çast duke e soditur por shpejt u kujtua për të motrën.

            -"Marikaaa!"- thirri me sa zë pati në kokë dhe u kthye nga hyrja e shpellës e zëri i mbeti në grykë. Ngriu nga tmerri. Një përbindësh i madh, sa një mal, ju duk atij, e priste duke hungërruar e nxirrte tym nga hundët. Ndjeu zemrën t’i lëshohej e tirqet t’i lageshin...      

 

 

 

 

 

                                                         - & -

                     Marika po dremiste kur dëgjoi  zërin e Markut që e thërriste në emër. Brofi më këmbë, u turr me vrap e u hodh mbi bishtin e dragoit tamam në kohë. Një çast më vonë dhe Marku do të kish fluturuar në humnerë. E pështolli në krahë e u ngjit pas tij aq fort, sa po të godiste Markun do të kish fluturuar dhe ajo. Dragoi ngriti bishtin lart e vështronte me bisht të syrit Marikën  që e thërriste,  por ai bënte sikur nuk e dëgjonte. Marku tek pa motrën e tij në atë gjendje dhe e mendoi në rrezik mori zemër e nxorri shpatën për t’i ardhur në ndihmë. Dragoi hungëriu sërish e zjarri që nxorri nga goja përfshiu shpatën e Markut e cila i përcëlloi duart këtij të fundit ndaj e hodhi tej.

         - Eshtë im vëlla! - ulëriu Marika. Dragoi uli  bishtin ngadalë. Atëhere vajza ju hodh në qafë të vëllait i cili e përqafoi fort dhe shpërthyen të dy në dënesa. Sipër tyre shpërtheu një vrull flake që e trembi Markun por tashmë ajo e dinte se ai po psherëtinte i mallëngjyer. I bëri shenjë të afrohej. Dragoi uli kokën sa mundi ndërsa ajo kërkoi ndihmën e të vëllait i cili e ngriti lart dhe ajo duke u mbajtur tek dhëmbët e dragoit u zgjat duke i dhënë një të puthur aty ku mendoi se ishte maja e hundës. Pastaj mori për dore të vëllanë dhe e tërhoqi në brendësi të shpellës, kishin shumë gjëra për t’i thënë njëri tjetrit. Dëgjuan  një copë herë psherëtimat e dragoit derisa u dëgjua një zhurmë më e fortë dhe ajo kuptoi se kishin arritur miqtë e zi të paftuar. Futi kokën në gjoksin e Markut e filloi të qeshte e të qante nga  gëzimi...

                                  

 

                         

                                                     

                                                            - & -

 

                    Gjini shikonte me habi burrin që po i afrohej. Ishte vërtet babai i tij apo ishte ndonjë lojë tjetër? Kur ndodhej veç disa hapa larg, nxorri shpatën nga milli.

               -Ndal! - i thirri.

Tjetri nuk u ndal por vazhdoi t’ afrohej. Sytë i kish të mbushur me lot.

               -Biri im! – tha ai.

               -Mos më quaj ashtu.Më parë më provo se je im atë.

Burri nxorri nga palat e veshjes një fyell të ngjashëm me atë të Gjinit dhe filloi ti binte. Ishte një melodi të cilën Gjini e njihte. I binte aq bukur sa në pyll çdo gjë tjetër heshti .Edhe zogjtë pushuan cicërimat e tyre. Tingujt ishin të trishtë e të ëmbël njëkohësisht. Një zemër që qante dhe gëzohej njëherësh, dhe mall shumë mall. Gjini ndjeu se zemra ju dobësua e po e linte. Futi shpatën në mill dhe i ktheu shpinën, nuk donte t’a shihnin me lotë në sy. Papritmas lëndina u errësua. Ngriti kokën dhe pa një shqiponjë të madhe që u afrua e u ul në mes të lëndinës. Shqiponja të tjera fluturonin  fare afër. I ati i Gjinit ju afrua shqiponjës që ishte ulur me një fre të mëndafshtë në dorë të cilin ja kaloi në qafë. Pastaj  kërceu mbi shpinë të saj sikur po kalëronte një kalë. Shqiponja hapi krahët dhe u ngrit fluturim lart. Gjini e ndiqte i mahnitur.

               -Eshtë rradha jote Gjin! - dëgjoi ai të atin t'i thërriste.

               - Jepi Gjin!- i pëshpëriti zana fokëzezë në rrëzë të veshit.

Gjini nxorri fyellin e tij e filloi t'i binte të njëjtës melodi që pat kënduar i ati duke vështruar babain e tij që largohej e ngjitej lart. Pas pak një shqiponje tjetër, pak më e vogël  se e para, u afrua e u ul pranë tij. Zana i zgjati një kordon të mëndafshtë e ai e mori dhe me zemër të dridhur ju afrua shpendit të madh. Hasi vështrimin e atij syri të madh e të zi e një moment pati frikë. Me një të rënë të sqepit mund ta linte në vend, vështrimi ishte i ftohtë e mosbesues. Mori fyellin e i ra sërish. E donte me gjithë shpirt këtë shqiponjë edhe pse i shtinte frikë. Ishte e bukur e madhështore. Donte ta bënte shok e mik. Le të fluturonte një herë me të, pastaj edhe të vdiste. Futi fyellin në gji dhe kaloi lehtas dorën sipër puplave të saj. Ishin të mëdha e të ashpra por të ngrohta e ai filloi ta përkëdhelte. Pak nga pak sytë e zinj e humbën ftohtësine e atij ju dukën të ëmbël e mikpritës.

          - Tani!- i pëshpëriti zana .

Gjini u hodh mbi të me zemrën që i çante krahërorin nga frika e emocioni. Dridhej i tëri. Shqiponja hapi krahët e ai mbajti frymën. Ndjeu ajrin t’i kalonte anash. Lëshoi frenat e  pështeti krahërorin pas trupit të shpendit. Zemra dalëngadalë ju qetësua dhe ai e pa veten sipër reve. Drejtoi trupin dhe vuri re se nuk e kishte aspak të vështirë të qëndronte mbi të. Dhe kuptoi se kjo shqiponjë madhështore dhe e bukur i përkiste e tëra atij...Ai kish lindur për të kalëruar shqiponja...

                

 

      

                                                   

 

                                                     - & -

   

                Marku i lodhur pas gjithë atyre  peripecive dhe atyre që kish parë e dëgjuar atë ditë kish rënë në gjumë si i vdekur. Qielli ishte plot me yje dhe një hënë e bukur e plotë lante me argjend lëkurën e dragoit, ndërsa Marika e kundronte pa ja hequr sytë. Sikur të mund të hynte në mendjen e zemrën e tij. Të dinte se ç'mendonte e ndjente tek sodiste yjet e natës. Kish brengë në sytë e tij të cilët shkëlqenin ethshëm. Sikur ta ndante me të këtë brengë ndoshta mund ta ndihmonte. Përse nuk i hapej? U ul përtokë e pështeti kurrizin pas bishtit të tij. Nuk qëndronte dot shumë më këmbë. Barra e kish rënduar e i dhimbte shpina. Si do të ishin fëmijët e saj? Si do t'i quante? Po ky pse nuk po i fliste?

              - Natë e bukur sonte,- theu heshtjen ajo.

Një hije e zezë u afrua një çast e u largua me shpejtësi. Ndodhi aq shpejt sa ajo nuk pati kohe as të ngrihej e të fshihej.

               -C'ishte ajo? -pyeti.

               -Një gjë e keqe.

Kaq gjë e kish kuptuar.Duhej të ishte shumë e keqe, dukej sikur edhe ai kish frikë prej saj.

               - Po, edhe unë kam frikë,- tha ai.

               - Cfarë është ajo ,nga se ke frikë? Përse nuk më tregon? Ti lexon mendjen time si një libër ndërsa unë...

               - Cfarë të të tregoj? A nuk i ke mjaft ato që të kam mësuar?

               - Jo, nuk më ke mësuar asgjë.

               - Ashtu!

               - Cfarë je dhe çfarë bën këtu? Je i fortë si një shkëmb por ke frike dhe nga unë.

               - Unë!? Nga ti? Mos më bëj për të qeshur.

               - Të lutem mos qesh se më vret veshët. Përse nuk më tregon për brengën që ke brenda?

               - Mjaft! - zëri tregonte zemërim. - Kështu e keni ju njerëzit, të afroheni, të gatshëm për të ndihmuar, dhe pastaj... Dëgjo, shko bjer e fli më mirë nëse nuk ke tjetër muhabet për të bërë.

Marika e ofenduar gëlltiti lotët e u çua. Mirë më thotë, mendoi, ç'më duhet mua. Shkoi e u shtri pranë Markut dhe pasi u pëepëlit një copë herë në mendimet e saj e zuri gjumi.

 

 

 

                                                    

 

                                                         - & -

                 Ata ishin ulur të gjithë mbi lëndinë e vetëm nënazanë qëndronte më këmbë .Flokët e argjendta i derdheshin valë valë deri në fund të këmbëve dhe tingujt e zërit i ngjanin  tingujve të një këmbane të argjendtë, të fortë, të pastër e të kulluar. Megjithëse fytyra e saj ishte e bukur si drita, shqetësimi ndihej në tërë figurën e saj, edhe dritëza që rrezatonte dridhej lehtas. Gjini vështronte me bisht të syrit tërë ato qënje që ja kishin prezantuar thjesht si shoqëria e pyllit. Kish zana, kish burra, kish gra biles edhe fëmijë. Prapa tij dy vajza të vogla i preknin xhamadanin e kukurisnin mbyturazi. Ai zgjati dorën prapa për t’i kapur por sa hap e mbyll sytë ato u zhvendosën disa metra më larg e i ati vuri buzën në gaz.

       - Mos u gënje nga pamja e tyre e jashtme, - i pëshpëriti në vesh. Ndërkohë zëri i nënëzanës ishte bërë më i fortë e kumbues .

        - Keq i kemi punët. Pyllit tonë po i vjen fundi dhe bashkë me të edhe ne. Zotat nuk i dëgjojnë më lutjet tona. Janë të zemëruar. As nuk flasin më me ne. As dragoi .I zemëruar me Zotat dhe njerëzit ai është tërhequr në shpellën e tij. Kuçedrat nuk kanë shpërthyer ende por trupat e tyre të fryrë kanë zënë burimet e ujit...

C'po më dëgjojnë veshët, pyeste veten Gjini. Paska dragoj dhe kuçedra!?

         - Në këtë pikë duhet të kërkojmë ndihmën e njerëzve.- shtoi ajo.

         - Kurrë! - ja priti një burrë plak, mjekrra e bardhë e të cilit zbriste  deri në tokë,-janë pikërisht njerëzit shkaktarët e gjithë kësaj fatkeqësie. Më falni, por me gjithë respektin që kam për ju nënë e madhe, unë nuk do ta ulja kurrë veten t'ju kërkoja ndihmë atyre.

          - E di plak i moçëm por nuk kemi zgjidhje tjetër. Ata na kanë futur në këtë telash dhe u takon atyre  të na ndihmojnë të dalim.

          - Ata vrasin e i bëjnë keq njëri tjetrit, janë të përçarë e shpirtin e kanë të helmuar. Si mund të shpresosh që mund të bësh dy nga ata bashkë? Në vend që të luftojnë për ne, do të vriten me njëri tjetrin.

           - Rreziku që ju kanoset, ka filluar t'i bashkojë.

          - E di. Por ç'mendon se do të bëjnë kur të kalojë rreziku?

          - Këtë nuk e di.

          -Më mirë të vdesim një herë e mirë tani, e shpejt, se sa të vdesim ngadalë nga mizoritë e tyre më vonë!

Një pëshpërimë e lehtë u ngrit mbi lëndinë. Shumë ishin dakort me plakun dhe nënëzana e kuptoi se po humbiste terren.

         - Mirë atëhere, nëse doni të rrimë këtu e të presim vdekjen duke ndenjur duarkryq, rrimë. Por nëse kemi qoftë edhe një shpresë të vetme...

        - Për ç'shpresë e ke fjalën?- ja priti i irrituar plaku.

        - Se ka njerëz me zemër të mirë.

        - Dhe me besë!-briti Gjini.

Gjini u skuq kur ndjeu shikimet e të gjithëve ngulura tek ai. Edhe vetë nuk e dinte ku e kish gjetur guximin të fliste. Fundja kush ishte ai, një njeri i thjeshtë, jeta e të cilit zgjaste më pak se një e qindëta e jetës së tyre, ndoshta edhe më pak. Po sa jetonin ata?

          - Spjegohu Gjin!- e urdhëroi nënazanë.

          - Mjafton tu marrësh besën burrave, tu marrësh fjalën...

         - Fjalë, fjalë, fjalë!...-shpërtheu plaku i zbardhur.

         - Fjalë dhe zemër, o plak i urtë, - i erdhi Gjinit në ndihmë nënazanë.

Plaku heshti.Uli kokën e u mendua një çast.

          - Ke të drejtë nënë e madhe. Zemra është ajo që na mungon. E kemi hedhur tej kohë më parë kur na shkaktonte dhembje.

          - Jo vetëm dhëmbje. Ne jemi e mira dhe e bukura pa zemër, ndërsa ajo që na kanos, është e keqja dhe e shëmtuara pa zemër. Mos të harrojme se origjina jonë ka qenë një zemër e mirë dhe e tyre një zemër e keqe. Le tua lemë në dorë njerëzve këtë punë. Zemra e tyre të zgjedhë. Dhe zemra e tyre të vendosë.

            - Nuk mjafton. Magjia jone është dobësuar, ndërsa e atyre është forcuar. Njerëzit janë të pafuqishëm para magjisë.

            - Do të kërkojmë ndihmën e dragoit.

            - Ai as që do të të dëgjojë kur ta marrë vesh se je lidhur me njerëzit.

           - Ndoshta jo. Ndoshta ka ndryshuar. Ka muaj që ka marrë nën mbrojtje një vajzë .

           - Atëhere nuk di se ç'të them. -foli me zë të ulët plaku i habitur.

 

 

 

                                                               

 

                                                        - & -

                       Marikës i  doli gjumi nga dhimbjet. Mesi i dukej sikur po i çahej dhe mezi u ngrit më këmbë. Hodhi me mundim disa hapa duke u pështetur pas faqes së gurtë të shpellës, një gulsh dhimbjeje e la pa frymë dhe ajo rënkoi. Thirri dragoin por ai nuk u përgjigj.Tamam tani që kam nevojë për të, mendoi, nuk është këtu. Dhimbja u duk sikur u largua dhe ajo vazhdoi të hidhte hapat me vështirësi. I mungonte ajri. Duhet të dal në hyrje të shpellës dhe do ta pres atje. Dhimbja e sulmoi përsëri dhe ajo u përkul përpara e priti derisa ta lironte. Tashmë edhe pak e do të dilte në ajër të pastër. Kockat po i çaheshin. Po ai është aty, përse nuk më përgjigjet? Dragoi qëndronte më këmbë dhe ajo mori guxim. Por një zë gruaje e bëri të mbante hapin. Kush ishte aty me të ? Marika mbyti rënkimin që i shkaktoi një valë tjetër dhimbjeje. Kuroziteti filloi t’a gërryente. U afrua duke u bërë njësh me faqen e shpellës që të mos binte në sy.

           - Jam penduar dhe kam ardhur të të kërkoj falje.Vër dorën në zemër për mua!- Zëri ishte aq lutës dhe përgjërues sa  të këpuste shpirtin. Ndërsa ai rrinte i heshtur si një shkëmb pa ja hedhur sytë. Marika u afrua edhe ca sa mund t’a dallonte atë grua. Ishte aq e bukur sa asaj nuk i kishin zënë sytë një bukuri të tillë që të linte pa frymë.

-                    - Për hir të dashurisë sonë!-shtoi ajo.

Marika zgurdulloi sytë. Tashmë i kish harruar dhembjet .

            - Përse ke ardhur? - shpërtheu papritmas ai.

            - Për ty!

            - Kot e ke marrë mundimin. Ik ndryshe do të të vras, dhe do ta bëj me kënaqësi!

            - Nuk është e vërtetë. Po të doje të më vrisje, e kishe bërë me kohë.

Një shkulm flake shpërtheu në ajër dhe Marika kuptoi që ai ishte shumë i zemëruar. Nën dritën e flakës, ajo vuri re se gruaja ishte akoma më e bukur sa i ish dukur në fillim e mendoi se si kish mundësi të zemëroheshe me një bukuri të tillë.

             -Nuk e kam bërë, por mund ta bëj tani!

             - C'më dëgjojnë veshët i dashuri im! - u qa ajo.

             - Mos më quaj ashtu! - shfryu ai.

             - Përse jo, unë të dua akoma, sa më shumë kalon koha kuptoj gabimet e mia. Të lutem, bëje per mua, e fillojmë nga fillimi.

             - As nuk bëhet fjalë!Ti ke ndryshuar.

             - Të jap fjalën, do të jem ajo që kam qënë. Do t'i braktis të gjitha, nuk kanë më vlerë për mua. C'nuk do të jepja të rrija edhe një natë të vetme pranë teje, të kundroj yjet si dikur. - psherëtiu ajo.

Dragoi nuk u përgjigj. Një copë herë mbretëroi heshtja. Diku lart një yll u shkëput e ra. Atë çast Marika shqoi një re të zezë që rrinte pezull në ajër aty afër, fill ku mbaronte shpella.

               - Dikur ishte dikur. Tani është tani. Nuk e bëj dy herë të njëjtin gabim. Ik!-Zëri i tij shungëlloi aq fort sa shpella oshëtiu.

               - Nuk iki.Të paktën më jep tim bir. Ki mëshirë për mua!-gruaja shpërtheu në dënesë.

              - Kurrë!- ulëriu ai.

Gruaja që deri atëhere ishte në gjunjë duke u lutur brofi më këmbë.

             - Dua tim bir!- zëri i saj ishte i fortë e kanosës.

             - Eshtë edhe im bir!

             - Unë jam nëna!

             - Një nënë që nuk është e denjë për tim bir. Ik para se të të bëj shkrumb! –Një valë e fuqishme zjarri shpërtheu nga goja e tij por asaj i kaloi sipër  kokës dhe nuk e preku. Marikës ju drodhën gjunjët e desh ra por Marku i cili ishte zgjuar  e qëndronte pas saj e mbajti. Një hije frike kaloi mbi fytyrën e gruas së bukur.

             - Erdha të më japësh tim bir me të mirë. Do të pendohesh! Me të mirë a me të keq unë do ta marr!

Flaka shpërtheu përsëri më e fortë dhe kësaj here i kaloi fare pranë. Në çast reja e zezë mori formën e një kali të madh të zi me flatra të zeza dhe sa hap e mbyll sytë ajo kërceu mbi të dhe u larguan me shpejtësi.

 

 

 

                                                  

 

                                                                  - & -

                  Marika mori të kthehej pranë zjarrit në thellësi të shpellës. Dhimbjet tani kishin pushuar dhe ajo e ndjente veten më mirë, por gjumi nuk e zinte duke kaluar nëpër mend gjithë sa kishte parë e dëgjuar. Për ç'fëmijë e kish fjalën ajo? A mos vallë ajo kish qenë në këtë shpellë përpara Marikës dhe kish lindur... Atëhere edhe femijët e saj ishin në rrezik. Prandaj e mbante këtu. Atij nuk i interesonte Marika por fëmijët që do të lindte. Po ç'i bënte pastaj, ku i çonte? Një gjë ishte e sigurt, aty nuk i mbante. Filloi të përpëlitej me shpirt të trazuar .Dëgjoi se ai po e thërriste dhe u çua. Marku flinte. Cudi, si nuk e kishte dëgjuar dragoin që thërriste të motrën. Bëri disa hapa dhe dëgjoi se e thirri sërish, dhe befas kuptoi se ishte vetëm ajo që e dëgjonte.  Zëri nuk kumbonte në shpellë, por brenda kokës së saj. Shpejtoi hapat dhe u gjend pranë tij.

            - Më bëj pak shoqëri të lutem, nata po më duket pa fund, - ai rrinte pa lëvizur  e asgjë nuk linte të kuptonte se po  fliste. Gojën e kish të mbyllur. Ajo fërkoi sytë se mos po shihte ëndërr. Kërkoi shikimin e tij por ai tretej tej mospërfillës.Megjithatë ju përgjigj.

              - Edhe mua.

Pasoi një heshtje e gjatë dhe ajo filloi të kundronte qiellin e ndezur nga yjet.Tashmë dinte emrat e shumë prej tyre, dinte dhe rrugën e tyre. Mendimi se fati i saj ashtu si dhe i të tjerëve ish shkruar nga to e bëri të zemërohej. Kush i kish shkruar këtë fat pa e pyetur? E kish bërë të dashurohej me të vetmin djalë që nuk duhej, e kish rrëmbyer nga krahët e tij dhe e kish degdisur në këtë majë mali ku vetëm shqiponjat e mëdha vinin e të bënin vizitë. E kishin detyruar t'i bënte shoqëri një dragoi që ajo as që e dinte se ekzistonte më parë dhe për më tepër kish filluar ta kish përsëri frikë. Cdo të bënte ai kur fëmijët e saj të lindnin? Do t'ja rrëmbente, do t'ja fshihte si asaj gruaje të mjerë? Sa e bukur ishte ajo grua...

           - Po, është shumë e bukur! - dëgjoi ajo zërin e tij brenda kokës së saj dhe kuptoi se ai po komunikonte me të përmes mendimit.

           - Eja këtu, vendose dorën mbi ballin tim! - ai uli kokën sa mundi .

           - Përse?

           - Vetë ma ke kërkuar!

Ajo u zgjat dhe e preku. Befas muri i padukshëm u zhduk e ajo ndjeu se po lexonte mendjen e shpirtin e tij. Pa brengë, brengë te madhe e të zezë, pa gruan e bukur pas saj. Kish qenë një princeshë, ndoshta më e bukura e më e zgjuara në botë, por që nuk kish mundur të martohej me princin e saj. Ai kish zgjedhur motrën e saj, më pak të bukur por që i kish siguruar fronin e mbretërisë së babait të saj. Princesha kish kthyer sytë nga dragoi, kish qarë me zemër të copëtuar dashurinë e humbur.  Dhe kish prekur shpirtin e tij, e ai e kish ndihmuar të kalonte brengën duke i falur miqësinë e tij. Jo vetëm kaq, ai ish dashuruar marrëzisht pas kësaj krijese të bukur e fatkeqe. Ishte dashuruar aq sa kish hequr barrierën e shpirtit e  mendjes duke i falur tërë zemrën e njohuritë e tij. Dita ditës ajo bëhej më e fortë, kish mësuar të ngrinte atë mur të padukshëm që nuk i lejonte atij të shihte qëllimet e saj. Si një nxënëse e mirë, e zellshme dhe e duruar, kish thithur tërë atë dituri, të perfeksiononte magjinë e tij e ai nuk e kish vënë re. Nuk dinte se ç'përgatiste në zemrën e saj hakmarrëse, nuk kish vënë re lakminë e pashuar në sytë e saj të bukur e të shkëlqyer, nuk kish kuptuar gënjeshtrën në buzët e saj të ëmbla tek i fliste për dashuri .Dhe ish mbyllur në shpellë ku  priste çdo natë princeshën e tij tek vinte mbi shalën e një kali të bardhë me flatra, veshur në të bardha. Nuk e kish menduar se ditën vishej me të zeza, e punë akoma më të zeza bënte. Kish vrarë të motrën e mbante nën pranga ish të dashurin. Kish marrë fronin. Kish vrarë princër të tjerë e u kish marrë pasuritë. E prapë nuk kish të ngopur. Kërkonte më shumë, kërkonte një fëmijë prej tij. Marika pa dragoin të fluturonte lart në qiell drejt yllësisë së tij, të shkrihej me të e pastaj të zbriste poshtë në formën e një djali të bukur yll e të bënte dashuri me princeshën. E pasi kish mbetur shtatzënë,  princesha e bukur ishte zhdukur. E ai e kish pritur aty përnatë, një djalë i bukur e i hijshëm, me shpirt të trazuar e zemër të dridhur se mos i kish ndodhur gjë së dashurës. Ajo nuk po vinte. Ai nuk donte të ish më një djalë por një dragua i fuqishëm të shkonte e të kërkonte të dashurën. Shpirti i tij i plagosur kish fluturuar përsëri ndër yje, në shtëpinë e tij, ish kthyer përsëri dragua. E kish kërkuar por ngado gjente veç tmerrin e lemerinë që ajo kish lënë pas. Një ushtri magjistarësh të zinj e njerëzish të këqinj kish mbledhur rreth vetes. Nuk e perceptonte dot ku ndodhej pasi ajo kish ngritur barrierën .Por një natë të largët perceptoi djalin e tij që po lindte. Kish sulmuar natën, kish shembur murin e kështjellës e kish marrë djalin e tij të porsalindur. Marika nuk e pa dot se ç’pamje kish fëmija, ishte i mbështjellë. Mirë kish vepruar dragoi. Nuk mund t'ja linte fëmijën e tij asaj. Ajo e donte veç për qëllimet e saja të liga. Me atë fëmijë, ajo bëhej më e fortë, e paprekshme dhe shumë më e rrezikshme...

 

 

 

                                            

 

                                                        - % -

                  Marika tërhoqi dorë prej ballit të tij e u mbush me frymë.Sa e trishtueshme kjo histori, dhe ajo që mendonte se ishte fatkeqe. Sytë ju mbushën me lotë.

                 - E keqja është se me të humba zemrën time. Humba besimin në vetvete dhe tek njerëzit. U bënë shekuj që nuk dua t’i shoh me sy. Humba besimin edhe tek Zoti dhe e mallëkova. Por atij nuk ju bë vonë, m’u largua e më braktisi, e unë e humba.

                 - Përse sa vjeç është ajo? Dukej aq e re.

                 - Ka magjinë, atë që ja mësova unë. Eshtë shumë e zonja.

                 - Ku është djali yt?

                 - Përse don ta dish?

                 - Ashtu kot.

                 - Gjërat nuk duhet të dihen ashtu kot. Unë e di se ti ke frikë për fëmijët e tu, por nuk ke përse. Ata do të jenë të tutë dhe do të rriten me ty nëse gjerat do të marrin për mirë.

                 - Për mirë!? Përse thua kështu? Po më tremb.

                 - Lakmia e saj është e pashuar. I don të gjitha.E për këtë i duhet im bir.

                 - Nuk e merr dot, ti nuk do ta lejoje.

                 - Eshtë bërë shumë e fuqishme. Ke vënë re se pyjet po vyshken e lumenjtë po thahen? Nga çdo rrënjë peme që vyshket, nga çdo përrua e lumë që than, nga çdo njeri që bëhet i keq, merr fuqi. Merr fuqi dhe krijesa e lemerishme që e ka nxjerrë nga thellësitë e tokës ku e kishin varrosur të parët e mi, i ka dhënë jetë dhe po e rrit. Shpirtëra të këqinj, aq të këqij sa nuk i pranon as ferri, përbëjnë ushtrinë e saj e njerëzit nuk i vrasin dot. E rrethi po ngushtohet gjithnjë e më shumë. C'botë po i përgatit tim biri, asaj krijese që është gjysëm dragua e gjysëm njeri? Më mirë të mos kishte lindur...

           

        

 

                                                    

 

                                                 - o -

                     Gjini ndiqte drenushën që e udhëhiqte mes pyllit. Ishte nisur herët në mëngjes pasi kishte marrë porositë e fundit nga nënazanë dhe pak para perëndimit të diellit u gjend në kufirin e pyllit. Por lumi nuk ishte më, kish mbetur një va i vogël të cilin po të bënte kujdes mund ta kalonte pa i lagur këmbët duke kaluar mbi gurët që gjendeshin në shtratin e tij. U kthye për të përshëndetur drenushën me sy të ëmbël e të bukur kur i tërhoqi vëmendjen një hingëllimë e lehtë. Ishte kali i tij që e kish lënë të lirë ditën e parë që kishte hyrë në pyll. Zemra i gufoi nga gëzimi, ishte kali që i kish blerë e dhuruar nëna e tij.Veç në vend të frerit të vjetër kish një të ri dhe një shalë të bukur që do t’i kish hije dhe një princi. I fërkoi jelen dhe i pëshpëriti fjalë ledhatuese në vesh. Kali fërgëlloi. Gjini i kërceu sipër dhe u nis drejt pyllit të zhveshur përkarshi. Cudi, mendoi, pranvera ka hyrë por nuk shoh as edhe një syth nëpër pemë. Kanë të drejtë ata, një e keqe e madhe ka pushtuar dhenë.  Grupe burrash të armatosur shihte rrugës, por asnjë nuk e kish ndaluar për ta pyetur kush ishte e nga vinte. Ishin shumë dhe sa më shumë i afrohej shtëpisë së Markajve aq më të shumtë bëheshin. Rrinin rreth zjarreve të ndezur e kuvendonin. Nuk ndaloi të dëgjonte se çfarë flisnin, koha nuk  priste. Ish pothuaj mesnatë kur u gjend para shtëpisë së Markajve. Drita e dobët e pishtarit që dukej nga dritarja dhe zërat që vinin prej saj i dhanë të kuptonte se ende nuk kishin rënë për të fjetur. Ngriti dorën për të trokitur në portë dhe mbeti një çast në mëdyshje. I kishin thënë se ata ja kishin falur gjakun, por a mund të besonte? E vështirë të hiqte nga mendja një frikë që ja kishin ushqyer me qumështin e gjirit të nënës. Por po të mos e kalonte atë prag porte, nuk kish për t’a mësuar kurrë. I ra portës me pëllëmbë me sa fuqi që kish e priti që t'ja hapnin.

 

 

 

 

                                                     

 

                                                     - & -

                      Djemtë e Dodë Markut ishin  mbledhur rreth zjarrit e pasi i kishin treguar babait se ç'kishin bërë gjatë ditës po bëheshin gati të binin për të fjetur. Dita kish qenë e lodhëshme e po u hapej goja për gjumë. Kur papritmas dikush goditi fort në portë dhe ata panë njeri tjetrin në sy, mos dikush priste njeri atë orë të vonë. Nëna plakë, akoma më e plakur këto muajt e fundit u çua dhe e hapi. Një trim i ri e i bukur kaloi pragun e hyri brenda në dhomë.

                  - Mirëmbrëma burra!-përshëndeti ai.

                  - Mirëmbrëma trim! -ja ktheu Doda , ndërsa të tjeret po e shikonin me habi e vrisnin mendjen ku e kishin parë këtë djalosh.

                  - Jam Gjin Gjini, i biri i Gjonit,- u prezantua ai.

Të katër djemtë brofën më këmbë e po e shihnin me sy të habitur sikur po shikonin një fantazmë.

                  - Ulu Gjin! Toke dorën këtu! -  Doda i zgjati dorën e Gjini ja shtërngoi fort.

                  - Paske dorë të fortë. Uluni  bre djem dhe tokeni dhe ju dorën me Gjinin.

Ata bënë si ju tha i ati. Nëna e tyre i solli një copë bukë me djathë e pak qepë në një tabaka. Gjini hëngri i uritur ndërsa ata e shikonin gjithnjë e më të habitur me guximin e tij që kish ardhur drejt e në shtëpinë e tyre. Më pas, Gjini piu një brokë dhallë që ja zgjati përsëri nëna e Marikës dhe e falenderoi.

                   - C'e mirë të ka sjellë trim në këtë orë të vonë të natës? -  pyeti plaku.

                  - Asgjë e mirë Dodë Marku.Veç lajme të këqia.

                  - Nga po i sjell Gjin? A nuk ishe në pyllin e zi?- e pyeti më i madhi i djemve.

                  - Po.

                  -Si dole prej andej? -foli përsëri i madhi.

                  -Askush nuk del i gjallë prej andej- ja preu i dyti.

                  - Kush del gjallë, del veç budallë - foli i treti.

                  - Veç mos je ndonjë fantazmë -vazhdoi i katërti.

                  - Mjaft!- u dëgjua zëri i fortë e urdhërues i Dodës që ngriti dorën lart.-Fol ç'kërkon nga ne Gjin!

                  - Dua ndihmën dhe besën tuaj.

Ata ngrinë të tërë. Besën. Besa ishte e shtrenjtë, i jepej një miku... epo mirë le ta zemë se nuk është armik, por a mund t’i zinin besë? Mos po u punonte ndonjë rreng? Dodës ju ngushtua zemra në kraheror kur e mendoi këtë.

                   - Na trego një herë, përse të duhet besa dhe pastaj do ta shqyrtojmë këtë punë.

                   - Ato që do t'ju tregoj do t'ju duken të çuditëshme. Dhe ndoshta nuk do të më besoni .Gjëra të çuditëshme më kanë ndodhur, edhe unë nuk i besoja. Tani unë duhet të të vë në provë Dodë Marku. Do të tregoj një histori. Nëse  nuk është e vërtetë, unë do të çohem e do të dal nga ajo portë e nuk do t'ju shqetësoj më. Nëse është e vërtetë, duhet të më besoni dhe të më jepni atë çfarë kërkoj.- Gjini pushoi së foluri duke e parë plakun drejt e në sy.

                    - Vazhdo!- i tha ai.

                    - Të kam parë ty Dodë Marku që ke hyrë në kasollen time e ke gjetur nënën time më krahëror të çarë ku mungonte zemra. I ke puthur dorën asaj gruaje të shkretë  të vdekur e më pas e ke varrosur në lëndinen prapa kasolles. Ke qarë mbi varrin e saj.-zëri i Gjinit vinte duke u mekur.

Djemtë e gruaja i kishin ngulur sytë Dodës. Të habitur ata prisnin që ai ta mohonte këtë përrallë pa kuptim të sajuar nga ky i lojturi që kish dalë nga pylli i zi. Për çudinë e të gjithëve Doda uli kokën e foli me zë të ulët:

                  -Si e ke marrë vesh Gjin? Asnjë nuk e din përveç Markut. Mos e ke takuar gjë atë? Din se ku ndodhet?

                  -Jo, nuk e kam parë. Di, që Marku gjeti zemrën e nënës sime, e dogji, dhe hirin  e shpërndau mbi varr sipas porosisë së saj.

                  - Pashë që shpërndau hi, por nuk e dija se ç'ish.

Gjini u çua në këmbë e pastaj ra në gjunjë para atij plaku. Me lot në sy i mori dhe i puthi dorën.

                  - Të falemnderës për ç'ka ke bërë për nënën time!

 Doda u mallëngjye e sytë i shkëlqyen por i përmbajti lotët. Nuk u kishin hije burrave. Qëroi zërin duke u kollitur lehtë.

                  - Cohu Gjin e ulu pranë meje. E tani na trego se ç'të ka ndodhur në pyllin e zi dhe për çfarë e don besën tonë të burrave.

Gjini filloi të tregonte  që nga ajo natë që e kishin sulmuar për ta vrarë e në vazhdim duke e lënë mënjanë me kujdes Marikën.

                                 

 

     

 

                                                       - & -

                            Një siluetë e bardhë drite u shfaq papritmas dhe e shkëputi Marikën nga mendimet. Ajo brofi më këmbë.

              -Mos e shiko në sy!- e urdhëroi dragoi

              - Mund të flas në prani të saj? - dëgjoi ajo zërin më të kulluar e melodioz që kish dëgjuar ndonjëherë.

              - Po!- u përgjigj i qetë dragoi .

Marika e mahnitur shikonte flokët e argjendtë që zbrisnin deri në tokë. Fustani me një bardhësi farfuritëse i mbulonte tërë trupin dhe ajo mund të shihte veç dy duar të mrekullueshme e dy këmbë me gishta të vegjël të bardhë e të shndritshëm.

              - Kam ardhur të kërkoj ndihmën tënde mik i vjetër. Siç e din jemi të gjithë në rrezik. Një ushtri njerëzish është mbledhur e ka rrokur armët për të luftuar. Por nuk kanë armët që u duhen.

              - I beson këta njerëz?

              - Nuk na mbetet tjetër.- në zërin e saj ndihej dëshpërim.

              - Edhe nëse fitojnë njerëzit, ju prapë nuk keni siguri, mund të jetë prapë se prapë fundi juaj.

              - E di. Por ndoshta mësohemi sërish të jetojmë me ta. Një herë e një kohë ishte kështu.

              - Shumë e vështirë,- psherëtiu dragoi dhe u duk një fjollë e hollë tymi.

Ata heshtën. Horizonti kish nisur të ndizej me ngjyrat e agimit.

              - Mund të jetë dhe fundi yt.- theu heshtjen ajo.

              - E di. Por koha ime tashmë po mbaron.

              - Do të jetë yt bir.

              - Këtë do ta mendoj më vonë.

              - Atëhere do të na ndihmosh?- ajo nuk e fshihte padurimin.

              - Nëse keni vendosur kështu... Nuk mund t’ju lë në baltë.

Nënazanë u gjunjëzua.

              - Të faleminderit Miku im.

Pastaj u çua më këmbë dhe nga palët e fustanin nxorri një gërshërë të madhe të artë dhe e vendosi pranë këmbëve të tij. Ndenji një copë herë duke kundruar së bashku me dragoin peisazhin që shtrihej poshtë këmbëve të tyre nën dritën e ditës së re që po lindte.

               - Eshtë kaq bukur! - pëshpëriti ajo.

               - Dhe shumë mëkat që t’ua lemë ta shkatërrojnë.-  pastaj shtoi .-Eshtë dhe  shumë e vështirë të mendosh se një ditë duhet të ikësh e ta lesh këtë vend përgjithmonë.

 

 

 

                                                    

 

 

            

                                                                 - & -

 

         Shqiponja hapi kthetrat dhe e lëshoi Markun aq papritur sa ai u gjend sa gjatë e gjerë përtokë dhe i dhimbën tërë kockat e kurrizit. Kur u çua më këmbë e gjeti veten në mes të një lëndine të mbushur me njerëz e kafshë në lëvizje. Askush nuk ja vuri veshin. Të gjithë ishin të zënë me punë. Aty afër një pellgu me ujë të kulluar në ngjyrë të kaltër disa burra po punonin në një kudhër. Një vajzë e vogël ju afrua dhe i vari në qafë një kordon ku ishin lidhur dy brirëza të vogla dhie dhe u largua pa i thënë as edhe një fjalë. Një vashë e bukur sa lëshonte dritë, me flokë të kuq si flaka ju afrua dhe e vështroi me buzë në gaz. Marku fërkoi sytë, nuk kish parë kurrë gjë më të bukur. Ajo i zgjati dorën por ai me gojë hapur pickoi krahun e tij, mos vallë ishte në ëndërr? Ajo qeshi dhe e kapi për dore.

         - Eja me mua Mark,ty po të prisnim!

Ai e ndoqi pas pa ja shqitur sytë dhe ajo e shoqëroi afër kudhrës. Ai pa me habi  se ishin katër vëllezërit e tij. Briti nga gëzimi dhe ata kur e panë ju hodhën në qafë.Të mallëngjyer për vëllain e vogël që e kishin menduar të humbur, nuk i përmbanin dot lotët. Ai i pyeti për nënën dhe babanë dhe ata e siguruan se ishin mirë.

         - C'po bani këtu? - i pyeti më pas ai.

         - Armët që kemi nuk na bëjnë punë, - i thanë ata. - Ushtria që na ka sulmuar është e magjepsur e nuk vritet me to.

         - Po çfarë armësh po bëni, nuk shoh të keni bërë armë këtu,- tha Marku duke parë përreth.

         - Presim të na bien lëkurën e dragoit. Duhet ta shkrijmë me hekurin e ta shuajmë me ujin e këtij pellgu.

Atëhere Marku u kujtua për trastën që mbante akoma në krah.Tri ditë kish prerë copa prej lëkurës së dragoit me një palë gërshërë të arta. Dhe e kish pasë shumë të vështirë, duart i ishin bërë plagë. Hoqi trastën nga krahu e jua zgjati.

          - Kjo është ajo që po prisni.

          - Ke parë dragoin?- thirrën ata njëzëri.

          - E kam parë.

          - Si është? Ku rri? Cfarë bën?

Markut ju mblodh një lëmsh në grykë. A mund t’u thosh se dragoi ishte atje lart e mbante peng motrën e tyre që priste fëmijë? Jo, më mirë jo.

Por ndoshta ata e dinin.

           - Keni ndonjë lajm nga Marika? - pyeti ai me një fill zëri.

           - Jo, - u përgjigj vëllai i madh duke ulur sytë përtokë për të fshehur brengën.- Kur të mbarojë kjo luftë do të nisemi të gjithë ta kërkojmë. Por ti mos u mërzit Mark, do ta gjejmë.

Jo, tha me vete Marku, nuk mërzitem se unë e kam gjetur. Nuk guxonte t'i shihte në sy e filloi të shikonte tutje. Atëhere spikati Gjinin që po fliste me tri vasha të bukura e flokëgjata. Gjaku filloi t’i ziente nga urrejtja e inati. Gjini nuk e kish vënë re ende. U sul drejt tij e pas një çasti e kapi për krahu e tërhoqi, e goditi aq fort me grusht në fytyrë, sa Gjini i shkretë sa hap e mbyll sytë ra përtokë me hundët që i kullonin gjak. Ai u mat t’i hidhej sipër e ta godiste përsëri  por ndërkohë vëllezërit e kishin arritur dhe e mbanin me forcë nga krahët.

           - Mos! Babai ja ka falur gjakun!-i briti vëllai i madh.

Po Marku nuk qetësohej. Dhe ai ja kish falur gjakun por nuk i falte dot turpin që i kish bërë së motrës .Dhe nuk do t'ja falnin as ata kur ta merrnin vesh.

U shkëput me forcë nga vëllezërit dhe e sulmoi përsëri por ndërkohë Gjini ishte ngritur më këmbë e kish filluar të mbrohej nga goditjet e tij që i binin sipër si breshër.

           - Mark, biri im! -dëgjoi ai zërin e babait dhe e la Gjinin e u kthye nga i vinte zëri. Ra në gjunjë para tij duke ja pushtuar këmbët me të dy krahët.

         - Baba!

         - Ngrihu Mark e jepi dorën Gjinit!

         - Kurrë !- tha Marku.

         - Ta kërkoj unë!

         - Baba, ti nuk e din se ç'ka bërë ai!- briti Marku.

Djemtë u mblodhën rreth tij të habitur.

         - Fol Mark, ç'ka bërë? - e pyeti Doda.

         - Pyete më mirë vetë!- briti i dëshpëruar Marku të cilit nuk ja mbante zemra t’i thosh ato që dinte.

         - Gjin!-urdhëroi Doda.

Gjini qëndronte më këmbë i zbehtë e nuk fliste. Marku e humbi durimin e i briti.

         - Përse nuk i thua Gjin se ajo grua që kemi prerë me shpatë atë natë ishte motra jonë!

Doda u lëkund e desh ra.

          - Mos o Zot! Kam vrarë time bijë? - rënkoi ai duke kapur kokën me duar.

          - Jo baba. Nuk e ke vrarë. Eshtë atje lart në shpellë me dragoin dhe pret të lindë fëmijën e tij!- ulëriti Markun duke treguar Gjinin me gisht.

Katër vëllezërit nxorrën shpatat nga milli, u afruan ngadalë dhe e rrethuan Gjinin. Por ai as që i shikonte. Lajmi se Marika ishte gjallë, e kishte lumturuar. Ndjeu rrezikun por nuk luajti vendit. Tri zanat me nënëzanën në krye, rrinin aty pranë dhe vështronin pa ndërhyrë. Gjini ra në gjunjë.

              - Më vrisni bre burra,veç thojini asaj se e kam dashur dhe e dua mbi çdo gjë tjetër!- tha ai dhe uli kokën.

Ata ngritën njëkohesisht shpatat për ta qëlluar. Kish guxim t’u thosh edhe këto fjalë.

             - Ndalni!-oshëtiu zëri i Dodës.

Ata qëndruan shtang me shpatat në ajër e nuk po i besonin veshëve. Doda u afrua ngadalë, i zbehtë e i zgjati dorën Gjinit.

            - Cohu Gjin! - foli ai me zë të ulët. - Në duhet të vdesësh, do të vdesësh në luftë e jo nga dora jonë. E nëse do të jetosh, gëzoje time bijë.

Ai e ndihmoi Gjinin të ngrihej dhe nuk i përfilli dufet e zemërimit të bijve të tij.

           - Nuk është e drejtë baba!- foli njëri.

           -Turpi që na ka bërë lahet vetem me gjak! - ja priti një tjetër.

           - Zakoni nuk na lejon ...

           - Mjaft!- briti Doda duke ngritur dorën lart dhe ata heshtën përnjëherë.

            - Mjaft! - përsëriti Doda.

            - Po nderi i motrës? - u hodh Marku,- Jemi pesë djem. Do të qeshin me ne.

           - Nga sot do të jeni gjashtë!

Ata shtangën një çast e pastaj futën shpatat në mill e filluan të largohen duke i kthyer shpinën Gjinit.

           - Merreni dhe Gjinin me vete! -i urdhëroi Doda.-Tash është vëllai juaj!

Ata ndalën dhe e pritën. Ai u afrua e qëndroi pranë Markut.

          - Të lutem më thuaj si është?- ju lut me lotë në sy.

          - Ty nuk të them asgjë!- i shfryu ai.

          - Në këtë pikë bën mirë të na e thuash të gjithëve, - tha Doda që ishte afruar.

E Marku që nuk kish  nga t'ja mbante  më u ul këmbëkryq mbi bar e priti që të tjerët të zinin vend rreth tij. Pastaj duke parë në sy të jatin, filloi të tregonte nga momenti që një palë kthetra e kishin mbërthyer dhe e kishin ngritur lart...

 

 

 

                                            

 

                                                             - 0 -

                    Puna vlonte në lëndinën e pyllit të zi të cilin askush nuk e quante më me këtë emër. Doda ishte kthyer në fshat dhe merrej me organizimin  e ushtrisë së trimave të cilët  i kishte zgjedhur me kujdes. Pesë djemtë e tij farkëtonin shpatat e bënin shigjetat me majë të përgatitur nga metali i përzier me lëkurën e dragoit. Disa trima të zgjedhur vinin e i ngarkonin mbi kuaj e i çonin në fshat.  Drenusha të vogla ju udhëhiqnin rrugën. Nëse ndonjëri nuk shkonte pas tyre humbiste në pyll dhe e gjenin pas disa ditësh tek endej i ç’orientuar. Ushtria e zezë po afrohej dhe nuk kishin shumë kohë. Një grup trimash kish shkuar e ish përballur me pararojën e saj e kishin provuar se armët funksiononin. Nën goditjen e shpatave, heshtave e shigjetave të tyre ushtarët e zinj  merrnin flake e prej tyre mbetej veç një fjollë tymi. Kjo u kish dhënë guxim e shpresë edhe se ushtria e zezë ishte shumë e madhe e sa vinte e shtohej. Marika pikëllohej kur shihte hijen e zezë që zvarritej duke u afruar  e mbulonte si një qilim i madh i zi  ç'të gjente përpara. Dragoi i thosh të mos trembej e shqetësohej shumë se kjo i bënte dëm në atë gjendje që ishte. Së shpejti do të jesh nënë, duhet të kesh qumësht për të ushqyer fëmijët e tu që të rriten të fortë e të shëndetshëm,i thosh ai. Cdo natë, ai i hapte portat e mendjes e të shpirtit te tij duke i mësuar asaj të fshehtat e misteret e magjisë. Marika ndjente se po bëhej më e fortë në mendje dhe në shpirt.

            - Përse m’i mëson këto gjëra?- e pyeti një natë kur ai po i mësonte formulën se si mund të mundte një dragua, - nuk ke frikë se e përdor kundër teje?

            - Jo, përderisa do të jem një dragua i mirë - u përgjigj thjesht ai.

            - Ku ta di unë se si je?- qeshi ajo

            - Thjesht e din. Mos e vrit mëndjen për këtë.

            - Nuk jam aq e fortë dhe e ditur akoma.

            - Përkundrazi je shumë e fortë. Por asnjë nuk e din derisa fati ta provojë.

Ajo qeshi. Fati. Që e kish hedhur aty, një vajzë naive e të paditur, e tani dinte aq shumë... E për çfarë i hynte në punë kaq dituri kur nuk kishte pranë njerëzit që  donte e ua ndjente mungesën? Ajo ishte gati t’i ndërronte të gjitha këto veç për një mbrëmje pranë vatrës së zjarrit të shtëpisë. Do t'i kish ndërruar për një natë të vetme nën lisin e pyllit pranë shtëpisë me Gjinin... Ju kish bërë keq të gjithëve, aq keq sa nuk kishte as edhe një zot që ta ndihmonte të dilte nga kjo gjendje. Zot, ku je, mendoi ajo dhe dyshoi se nuk kish, nuk ekzistonte. Ku ishte Zoti tani që kjo hata e zezë po i afrohej vendit të saj? Që po shfaroste ç’ti dilte përpara? Ai duhej të ishte aty e duhej ti ndihmonte.  Zot, thirri ajo me vete, e ndjeu se zëri i kumboi brenda shpirtit, na ndihmo!

           - Mos harro se unë dëgjoj ç’ka mendon, - dëgjoi dragoin t’i fliste dhe  ndjeu shikimin e tij qesëndisës.

           - Tallesh me mua që kërkoj ndihmën e Zotit?

           - Mendon se të duhet Zoti tani që din kaq shumë?

           - Po. Kur dija më pak e ndjeja më pranë e nuk ndjeja nevojën per t’a gjetur. Nuk mund të di kurrë mjaft. Sa më shumë që mësoj aq më shumë vërej se ka gjëra që nuk i di. Kjo më trazon shpirtin, më len pa gjumë, më shton urinë...

           - Urinë!? Për çfarë?

           - Për dije. Dua të di aq shumë sa ta gjej ku është ai Zot që i ka krijuar të gjitha këto, qiellin, tokën, mua, zemrën e shpirtin tim që më bëjnë të vuaj e të gëzohem. Dua ta gjej e ta pyes përse më ka shkruar këtë fat. Dakort, di se si jam bërë, prej se jam bërë, por nuk di shpirtin kush ma dha e kush do të ma marrë. E nëse nuk e gjej, nëse nuk është një.....

            -Zot?- pyeti ai e filloi të qeshte.

Ajo u zemërua e nuk i ktheu përgjigje.

           - Mos u zemëro. Ke të drejtë, por Zotin mos e kërko shumë larg. Nuk të duhen tërë këto që ke mësuar për ta gjetur. E the vetë, e kishe më pranë kur nuk dije asgjë.

           - Përse më është larguar?

           - E ke larguar vetë. Ke dyshuar në të. Zotin dhe farën e dyshimit i kemi të gjithë brenda vetes që kur lindim. Janë pjesë e jona. Zotin e largojmë me dashje apo pa dashje, varet se si na trajton fati. Dikush nga injoranca, dikush se humbet besimin në të e lë të rritet fara e dyshimit. Jeta është e mbushur me ngjarje e emocione, me vuajtje e gëzime që mbushin zemrën tonë, e ne nuk i lëmë vend atij. Kur ndihemi të fortë e të ditur mendojmë se nuk kemi më nevojë për ndihmën e tij. Fillojmë të mos u bindemi rregullave të tij, por bëjmë tonat.E kur ja kemi nevojën bëjmë therror qënie të pafajshme, e ai është i lodhur nga kjo hipokrizi. Të kam mësuar se kombe të tërë janë zhdukur në luftë e janë vrarë në emër të tij. Duhet të kesh zemër të madhe, shumë të madhe, për t’i bërë vend .Dhe ti e ke .Nuk e ke larguar ende. Problemi është të dish ta kërkosh, dhe ta falësh. Mos harro se ai shpesh është i padrejtë në fatet që na cakton. Por duhet falur siç na fal ne ai. Kur të arrish të kuptosh këtë do ta gjesh.

           - Me të vërtetë?

           - Po. Por më parë duhet të gjesh gjuhën me të cilën t’i flasësh. 

           - Ti e din?

           - Po. Por secili ka gjuhën e tij me të cilën flet me Zotin. Unë dhe Ai, e kemi ndërprerë bisedën në një pikë. E nëse e fillojmë duhet ta fillojmë aty ku e kemi lënë . E unë nuk e ndjej ende veten aq të fortë sa ta përballoj e të bëj ç’ka më kërkon.

           - Cfarë?

           - Më ka kërkuar tim bir! -zëri i tij ishte i shuar.

Marika heshti. I erdhi keq për dragoin . Si mund të japësh tët bir. Fëmijët e saj nuk kishin lindur ende, por mendimi i parë i mëngjesit dhe i fundit përpara gjumit i përkisnin atyre krijesave që ishin mish i mishit të saj, gjak i gjakut të saj.

             - Përse? -pyeti pastaj.

             - Im bir... ishte një gabim, dhe mund të jetë shumë i rrezikshëm . Ai më pat paralajmëruar.

Marika heshti prapë një hop.

             - Lutu,- tha ajo,- lutju atij të të falë. Lutju të të falë edhe tët bir.

             - Ti mendon se nuk e kam bërë? Por ai është i shurdhër nga ai vesh.

            - Atëhere nuk ke shpresë ,-psherëtiu ajo.

            - Me thënë të drejtën një farë shprese e kam. Ndoshta është zbutur.

            - Ku e sheh?

            - Tek një vashë fatkeqe, të plagosur për vdekje që m’a ka hedhur në strofkullën time.Je ti shpresa ime, Marika.-foli ai dhe ajo u drodh .          

 

      

 

                                                      

 

                                                     - & -

 

                        Marika ishte shtrirë në hyrje të shpellës e po ngrohej nën rrezet e diellit pranveror. Koha po i afrohej për të lindur, e ndjente. E dinte se ç'e priste, dhimbjet i kish provuar atë natë që princesha e bukur dhe e panjohur kish ardhur aty, por kish qenë një alarm i rremë. Dremiste kur filloi të ndjente ftohtë. Hapi sytë e pa që dielli kish zënë të zihej e të errësohej. Dragoi pranë saj kish filluar të rënkonte. Ajo brofi në këmbë duke kryqëzuar krahët rreth barkut si për ta mbrojtur. Me errësimin e diellit rënkimet e dragoit u bënë më të forta dhe ajo zuri veshët me duar. Pastaj pllakosi errësirë e plotë për një farë kohe që asaj ju duk e gjatë pafundësisht ndërsa dragoi pas një ulërime të fundit heshti dhe ajo ndjeu se ai nuk ishte më i vetëdijshëm por nuk dinte se ç'të bënte për ti ardhur në ndihmë. Dielli filloi të zbulohej pak nga pak. Ndjeu një dhimbje të fortë therrëse ne mes, por e injoroi e rendi tek ai. U zgjat e i preku ballin duke i thirrur me sa fuqi që kishte e duke thënë një nga ato lutje që i kish mësuar, por ai nuk përmendej. Dielli tashmë ishte zbuluar krejt e shkëlqente në qiell . Ajo ra në gjunjë e u lut me lot në sy:

              - Zot! O Zoti im !

Një zhurmë shurdhuese si një gjëmim rrufeje nga ana e lindjes së qiellit i tërhoqi vëmendjen. Pa se ishin një grumbull resh të ngarkuara që po  lëviznin me shpejtësi. U ngrit e qëndroi drejt më këmbë e duke ngritur duart lart sa mundi briti me tërë fuqinë e zërit:

               - Zot! Ndihmoje dragoin tim!

Retë tashmë kishin arritur mbi kokën e saj e filluan të shkarkojnë shiun. Ajo nuk lëvizi nga vendi edhe se uji e lagu të tërën e dridhej nga të ftohtët. Mundohej të komunikonte me dragoin. Edhe se ai i kishte barrierat e mendjes e shpirtit  të hapura, ajo gjente vetëm boshllëk në to.  Nuk kishte agjë. Zoti nuk e kish ndihmuar. E kotë që t'i lutej. Befas një rrufe ra mbi kurrizin e dragoit e ajo e verbuar nga drita dhe e shurdhuar nga zhurma u përplas përdhe.U zvarrit deri tek këmba e tij dhe e preku. Papritmas lëkura e dragoit u drodh dhe asaj i rrahu zemra. Nuk kish vdekur, ishte ende gjallë.

          -Forca zgjohu! - u mundua të komunikonte me të.

Ai u drodh përsëri.

           - Forca!- i ulëriu ajo.

           - Mos ulërit aq shumë, - dëgjoi ajo brenda saj,-e din që të dëgjoj edhe kur flet pa zë.

Ajo zuri të qante nga gëzimi. U çua më këmbë dhe ndjeu përsëri t’i çahej mesi e mezi qëndronte më këmbë por nuk e dha veten.

             -Si ndjehesh? - e pyeti ajo me ankth.

             -Unë mirë, po ti?- e pyeti ai.

Por ajo e dinte se ai nuk ishte mirë por nuk donte ta shqetësonte.

             - Ka lidhje me eklipsin e diellit? - pyeti përsëri ajo.

             - Cfarë?

             - Dobësia jote.

             - Po, por mos u shqetëso. Nesër mbrëma do të jem mirë. Mjaft që të pushoj pak.

Ajo nxorri padashur një britmë të shkurtër. Dhimbja në mes ishte shumë e madhe.

              - Me sa po shoh nuk paskam për të pushuar,- tha dragoi .

              - Përse?

              - Ndërrohu , hiqi këto rroba të lagura e vër kusinë me ujë të ngrohet. Bëj gati pelenat. Unë po ndez zjarrin.-Ai i shfryu grumbullit të druve që ishte në mes të shpellës. Ishte veç  një fill i hollë flake ai që doli nga goja e tij.

 

                                  

            

                                                     

        

 

                                                   - & -

 

    Kur dielli filloi të errësohej, të gjithë e lanë punën e drejtuan sytë nga qielli. Pas pak errësira pllakosi tërë lëndinën. Dallohej veç drita që lëshonin zanat të cilat fërgëllonin lehtë, si një pishtar që mund të shuhej nga çasti në çast. Doda ra në gjunjë e filloi të lutej:

        - Zot ki mëshirë për ne!

Pak nga pak dielli zuri të nxirrte një vetull të shndritëshme e të hapej pak nga pak . Së bashku me të u çelën dhe fytyrat e njerëzve të cilët brohoritën të gëzuar. Për një moment kishin menduar se e kishin humbur përgjithmone diellin e tyre.Veç fytyrat e zanave ishin të merakosura por asnjeri nuk i vuri re. Zana me flokë të kuq si flaka ju afrua Markut.

           - Thërriti vëllezërit e tu dhe Gjinin. Në të rënë të muzgut duhet të jeni të gjithë këtu!

           - Zor se i gjej deri në muzg, dy prej vëllezërve të mij kanë shkuar të shohin nënën, ndërsa dy të tjerë kanë shkuar në fshatin fqinj për të çuar armët e fundit. Nesër në mëngjes do të jenë këtu.

           - Nisu Mark dhe bjeri këtu! Kemi nevojë për ju sonte.

Marku hodhi tej veglat që kish në dorë, thirri me një të vërshëllyer kalin dhe u nis.

         

              

            

                                                    

 

 

 

 

                                                      - & -

 

              Dhimbjet e Marikës u bënë më të forta e më të shpeshta. Ajo ishte shtrirë në mes të shpellës e merrte frymë me vështirësi. Trupin sikur po ja çanin me shpatë. Dragoi ish shtrirë në hyrje të shpellës e kish kthyer kokën nga ajo.

             - Duro dhe pak - i komunikonte ai,- kur të të them unë.

Ajo ish mbuluar me djersë. Kish gati dy orë që përpëlitej mes dhimbjesh dhe forcat po e linin.

             - Guxim bre burrneshë, mos u dorëzo!

             - Bëj diçka!- ju lut ajo.

Ai nuk u përgjigj.

             - Katil!- briti ajo.

             - Në fakt diçka duhet bërë. Mbyll sytë e thuaj formulën që të mbron nga magjia e zanave.

            - Nuk e mbaj mend. Po vdes!-briti ajo pasi një e therrur tjetër i kaloi nëpër trup.

            -Atëhere ta them unë, ti përsërite pas meje.

Me lotë në sy përsëriti fjalët që i tha ai. Sapo e mbaroi tri figura rrëzëllitëse e rrethuan e ajo u tremb, duke mposhtur dhëmbjen u ngrit më këmbë e desh t’ja jepte vrapit. Por sapo bëri hapin e parë dhimbja e la pa frymë dhe e bllokoi. Nuk pat kohë as të mbushej me frymë kur një valë tjetër dhimbjeje e sulmoi.

           - Tani!Jepi!Fort!- gjëmoi ai.

Ajo u shtërngua e ndjeu se diçka e ngrohtë dhe e lagësht i rrëshkiti e ju shkëput nga trupi. Pa qenë në gjëndje të lëvizte mendoi me tmerr se fëmija do të binte për tokë e do të vritej.Tri palë duar të bardha e të shndritëshme u zgjatën dhe e pritën atë trupth të vogël të gjakosur.

           - Forca edhe një herë!

Nuk ishte nevoja t’ja thoshte. Ajo pa trupthin tjetër të binte mbi ato duar të bardha dhe sytë ju errën e ju duk sikur po binte në greminë e pas e ndiqnin të qara fëmijësh.

 

 

 

 

                                                   

 

                                                 - & -

 

                   Kur erdhi në vete, ishte shtrirë pranë zjarrit bubulitës .Në krah të djathtë kish dy bohçe të vogla. Ajo u ngrit mbi bërryl e i vështroi. Ishin dy fytyra të trëndafilta, të vockëla, të mrekullueshme. Ishin fëmijët e saj. U ngrit ndenjur e i mori me kujdes secilin në një krah. Zemra ju mbush me krenari e gëzim. Një fill i hollë flake ndriçoi hyrjen e shpellës. Eshtë i mallëngjyer, mendoi ajo. I vuri vocrrakët me kujdes poshtë mbi shtroje dhe shkoi  u ul duke u mbështetur pas trupit të dragoit. Nuk kish nevojë për fjalë. Heshtja thosh më shumë. Shikoi qiellin e ju duk sikur yjet ishin akoma më të shndritshëm, ndriçonin ethshëm e i përcillnin shqetësim.

           - Si ndjehesh? – e pyeti ajo. Megjithëse nuk kish nevojë ta pyeste, të gjitha qelizat e trupit të saj perceptonin  ankth. U përpoq t’i lexonte mendimet, por ai kish ngritur barrierë e ajo nuk i hynte dot në mëndje.

           - Përse nuk më tregon se ç'të shqetëson?

           - Pusho, të duhet pushim.

Ajo psherëtiu. Ndjehej vërtet shumë e lodhur e i vinte gjumë. Më mirë po shkoj të fle, mendoi.

            - Dua që të mësosh edhe një formulë!

            - Tani?

            - Po. Nëse do ta lë për nesër, kam frikë se do të pendohem e nuk ta mësoj më.

Marika u bë kurioze.

             -C'është?

             - Formula e plotë që duhet për të vrarë një dragua.

Ajo heshti një cast.

             - Përse? Je i vetmi dragua që njoh dhe dyshoj të ketë të tjerë.

             - Ke të drejtë, nuk ka të tjerë. Mund të jem i fundit...

             - Nuk do ta përdorja kurrë kundër teje.

             - Ndoshta... Bën mirë t’a mësosh. Ta kërkoj unë.

Ajo u ngrit me zor në këmbë e preku ballin e tij me dorën e djathtë e mbylli sytë duke hapur tërë mëndjen e saj për të thithur formulën. Pastaj u lëshua përsëri përtokë .

              - Do të mundohem ta harroj.Nuk mund ta përdor kurrë kundër teje.

              - Këtë e di!- qeshi ai duke i hedhur atë shikim qesëndisës. Papritur u dëgjuan të qara fëmijësh.

              - Shko, bëhu nënë e mirë, e ushqe fëmijët e tu. Nuk është punë për dragonj, - i tha ai.

           

            

       

                                                  

 

                                                             - % -

 

 

                Një mjegull e hirtë mbuloi tërë pyllin e papritmas të gjithë e ndien veten të lodhur. Me të rënë muzgu, Marku me  vëllezërit e Gjinin ishin aty, por sapo mbërritën u shtrinë dhe i zuri gjumi. Zanat e shqetësuara vinin rrotull lëndinës e drita që lëshonin ato sa vinte e dobësohej. Uji i pellgut humbi kthjelltësinë,u bë i turbullt.

             - Ka nëmur pellgun,- tha flokëzeza.

             - Nuk shihet asgjë, - tha flokëarta.

             - Don të na gjejë në befasi, - tha flokëzjarrta.

             - Rrini gati të zgjoni trimat! - u tha nënazanë.

Përveç njerëzve, tërë shoqëria e pyllit, shpendë, kafshë, nimfa, ishin të shqetësuar e rrinin në gatishmëri. Shqiponjat fluturonin ngadalë duke ruajtur qiellin. Magjia e zezë kish filluar sulmin. Mund të ishte nata e tyre e fundit...

 

 

 

                                                 

 

                                                      - & -

 

             Marika kish vënë nga një vocrrak në secilin prej gjijve të saj e ndjente qumështin e saj që vërshonte e ushqente ato gojë të njoma. Një ndjenjë dhëmbshurie e kish pushtuar  dhe nuk vinte re  dragoin, i cili i kish kthyer shpinën qiellit e i vështronte. Diku të vegjëlit u ngopën e lëshuan. Një nina nana ju ngrit nga shpirti në buzë dhe u këndoi lehtas. Si kish jetuar deri tani pa ato dy qenie të vogla? Tash e tutje asgjë nuk kish kuptim pa to. Ngriti sytë dhe pa dragoin.

          - Të falemnderës!- i tha.

          - Përse?

          - Që më shpëtove jetën! Pa Gjinin e familjen time kisha menduar se do të ish më mirë të kisha vdekur.

          - E di.

Ajo desh të shtonte se ai kish qenë një mik i mirë për të, por fjala i ngeci në grykë. Një gjë e stërmadhe dhe e zezë që ju duk pa formë zbriti pa zhurmë në hyrje të shpellës, prapa dragoit. Ai pa tmerrin e pasqyruar në sytë e saj dhe u kthye me rrëmbim. Por ish vonë. Tri koka të mëdha e sulmuan nga ana e majtë e tri palë nofulla me dhëmbë të mëdhenj e të tmerrshëm u hapën e u mbyllën mbi trupin e tij. Ai rënkoi e me një të rënë të bishtit i largoi, por ndërkohë tri koka të tjera e sulmuan nga e djathta. Këtë herë rënkimi ishte më i fortë. Marika rrëmbeu në krahë vocrrakët e i shtërngoi pas krahërorit.

           - Merr skeptrin dhe kurorën që janë poshtë shtrojës! Ke dhe një hark me shigjeta!- ndjeu t’i komunikonte ai. Ngriti shtrojën e pa një skeptër e një kurorë të artë, një hark të fildishtë e një trastë të mëndafshtë me shigjeta me majë të artë. Ndërkaq sulmi i përbindëshit të huaj ishte bërë më i furishëm. Një kokë më e madhe e sulmonte përballë dragoin duke u munduar ta kafshonte në qafë. Ishin shtatë koka që e sulmonin papushim e nuk i lenin kohë të mbrohej. Dragoi i gjakosur kish filluar të dihaste nga dhimbjet dhe lodhja. Marika rendi në brendësi të shpellës, vendosi  të vegjlit që kishin filluar të qanin përtokë pranë burimit të ujit, e u kthye.

         - C'të bëj? Nuk di t’i përdor! -  briti ajo.

 Ai rënkonte nga plagët e shumta që merrte.

         - Vër kurorën e mbaj skeptrin në dorë. Merr dhe fëmijët!

         - Nuk di të perdor harkun!

         - Do të mësosh!

Ajo vuri kurorën, rrëmbeu skeptrin e vrapoi sërish e mori fëmijët. Vuri një brez të gjerë e pasi e lidhi fort rreth belit të saj vendosi vocrrakët brenda tij. Ata pushuan menjëherë së qari. Kontakti me trupin e nënës i qetësoi. Vari trastën me shigjeta  në sup, ndërsa harkun e vari në qafë. Kur u kthye pa me tmerr se dragoin po e linin fuqitë e po rrëzohej. Mblodhi të gjitha forcat e saj e u mundua t'ja përcillte atij. Por më kot, forcat e saj ishin aq të pakta dhe ai ishte aq i dobët e i sëmurë që pas eklipsit të diellit, sa nuk i ndjeu fare. Asaj filluan t'i këputeshin gjunjët nga lodhja.

          - Ruaji forcat për vete! - rënkoi ai.

Ajo filloi të qante. E shihte tek mundohej të mbrohej dhe zemra ju ça

nga dhëmbja e dëshpërimi. Ishte dragoi i saj, ai i cili po vritej. Ishte vetë ajo që po vuante e ndjente tërë plagët që merrte ai. Forcat e lanë. Zemra i rrihte me rrëmbim e sa nuk po i çante krahërorin. Pranë zemrës së saj ndjeu trokitjet e dy zemrave të vogla. Kjo i dha forcë, ishin tri zemra që rrihnin njëherësh... Jo, nuk do të mbaronte kështu, përderisa zemrat e tyre do të jetonin, do të jetonte edhe ai. Kishte ende shpresë. Solli nëpër mend e tha formulën që e bënte të komunikonte me shpirtin e tij.

              -Forca! - thirri pas saj, - Merr zemrën time!

Befas dragoi u ngrit e me një ulërimë te tmerrshme volli zjarr të fuqishëm që e detyroi përbindëshin të zprapsej. Një ulërimë e dytë më e fortë pasoi të parën dhe një flakë akoma më e madhe e sprapsën edhe më. Dragoi bëri përpara, hapi krahët e u ngrit në ajër e u largua fluturim. Përbindëshi e ndoqi pas. Tani luftimi bëhej në ajër akoma më i fortë se në tokë. Nën shkëlqimin e dritës së hënës, Marika dalloi një siluetë gruaje mbuluar  me një pelerinë me kapuç të zi e cila qëndronte në shpinë të përbindëshit. Edhe se nuk e shihte në fytyrë e kuptoi se cila ishte. Marikën e la sërish zemra. Dragoi e ndjeu dhe u dobësua .Tani nuk  luftonte më por po përpiqej të largohej për të shmangur goditjet vdekjeprurëse. Me tmerr, ajo pa se fluturimi i tij po bëhej më i ngadaltë ndërsa përbindëshi e ndiqte pas me tërbim. Edhe pak e do ta arrinte. Marika mbuloi sytë me duar për të mos parë se si po vdiste dragoi i saj.

 

 

 

                                                         - & -

 

                     Shqiponjat filluan të rrotulloheshin rreth lëndinës e  klithnin.

               - Zgjojini! - thirri nënazanë. - Kanë sulmuar dragoin!

Tri zanat shkuan e i zgjuan burrat që kishin rënë në gjumë të rëndë. Ata u çuan të habitur e fërkonin sytë. Mjegulla nuk i linte të shihnin, ndaj zanave ju desh t’i merrnin përdore e t’i udhëhiqnin tek shqiponjat.

                - Na nderoni burra! - u tha nënazanë.

Përgjumësh kalëruan shqiponjat të cilat u ngritën menjëherë lart. Sapo kaluan mjegullën u doli gjumi, ju përtërinë forcat e ju mpreh shikimi. Ishin shtatë, pesë vëllezërit e Marikës, Gjini dhe babai i tij. Shqiponjat rrihnin krahët me furi e fluturonin aq shpejt sa ata e kishin të vështirë të rrinin drejt mbi to e rrezikonin të binin. Klithmat e shqipinjave që vinin e forcoheshin ju shtinë lemerinë.  C'kish ndodhur vallë? Shpejt panë dy përbindësha që luftonin mbi kokat e tyre e villnin zjarr e flakë. Ata fërkuan sytë me habi e tmerr. Si mund të mateshin me ta? Ku po i çonin? Njëri prej përbindëshave  dukej se e kishte të humbur davanë, mundohej veç të mbrohej, por më kot. Shtatëkrerëshi e kishte vënë përpara e nuk e linte të merrte frymë. Shqiponjat fluturonin në vijë të drejtë, por kur u afruan u ndanë secila në drejtim të një koke të shtatëkrerëshit. Nuk kishte kohë për të menduar, ata zhveshën shpatat e u bënë gati të sulmonin. Kur u afruan aq sa ju arrinte krahu sulmuan njëherazi. Sulmin e parë shtatëkrerëshi nuk e ndjeu fare. Shqiponjat dukeshin si zogj të mëdhenj para tij ndërsa burrat si insekte. Shqiponjat u kthyen prapa për tu hedhur përsëri në sulm. Ndërkohë që ishin larg Gjini nxorri harkun e gjuajti, po ashtu edhe të tjerët, ndërsa kur afroheshin vringëllinin shpatat. Por më kot, lëkura e përbindëshit ishte shumë e fortë e nuk çahej. Por të pakten i kishin tërhequr vëmendjen dhe e kish lënë për një çast dragoin.

                 -Burra! - thirri Marku,- ta sulmojmë nga poshtë, poshtë nofullës!

Shqiponjat u lëshuan poshtë e pastaj u kthyen vrik lart. Secila kish shënjuar një kokë. Kur u afruan ata vunë shpatat në brez e rrëmbyen heshtat. Kur ju afruan përbindëshit u ngritën më këmbë  duke shtërnguar heshtat fort me të dyja duart  e shënuan poshtë nofullave. Atje lëkura ishte më i butë e heshtat hynë në mish. I shtynë heshtat me forcë. Majat e tyre kaluan në nofullën e sipërme e hynë brenda kokës në tru. Përbindëshi u drodh në ajër e pas pak filloi të lëshohej poshtë. Shqiponjat u lëshuan poshtë me shpejtësi e ata nuk patën kohë të tërhiqnin heshtat e tyre. Trimat u kapën fort me të dy duart pas trupit të tyre që të mos binin. Pasi u lëshuan një copë herë duke krijuar një rreth, shqiponjat u hapën në të gjitha drejtimet  tamam në kohën që shtatëkrerëshi i madh po binte mbi to duke e shmangur. Ata panë se si përbindëshi duke lëshuar një ulërimë të tmerrshme e të zgjatur shkoi e ra poshtë në humnerë. U dëgjua një përplasje e cila bëri të tundej dheu. Një çast mbretëroi qetësi. Por shqiponjat nuk u ndalën e morën fluturim në drejtim të majës së malit. Përbindëshi tjetër ish ulur e kish qëndruar në hyrje të një shpelle të madhe. Po tani? Mos vallë duhej të vrisnin edhe atë? Heshtat nuk i kishin më. Bënë gati harkun me shigjetat dhe po prisnin rastin të gjuanin kur të afroheshin. Befas, u duk sikur shqiponjat hasën e u përplasën në një mur, aq e madhe ishte tronditja, sa ata gati ranë prej tyre. Nuk mund të afroheshin më shumë. Shqiponjat filluan të fluturonin përreth duke klithur të shqetësuara, gjë që i bëri burrat të dridheshin. C'ishte ajo që i pengonte? Befas dalluan një kal të madh të zi me flatra të mëdha e një kalorës po aq të zi mbi shpinë të tij. Fytyrën nuk ja shihnin se ju kish kthyer shpinën. Kali po fluturonte drejt shpellës e kur ju afrua, kalorësi u ngrit e qëndroi drejt e më këmbë mbi shpinë të kalit, ngriti duart  drejt qiellit e filloi të fliste. Ata dëgjuan një zë të bukur e të kulluar gruaje, e cila fliste një gjuhë të pakuptueshme për ta. Zëri vinte duke u ngritur gjithnjë e më shumë, e edhe pse ishte i bukur, ata ndjenë t’u ngrijë gjaku ndër deje e zemra t'ju ftohej nga tmerri, guximi i la. Dragoit ju prenë gjunjët, u shtri përtokë  e mbështeti kokën në shkëmbin e ftohtë të hyrjes së shpellës...

 

 

 

                                                      

 

                                                        - & -

 

             Marika, pasi mbajti pak çaste sytë mbyllur me duar, i zbuloi e trishtuar. Nuk i kish hije të vepronte kështu. Nëse dragoi duhej të vdiste, ajo duhej ta shikonte se si. Nuk do t'i humbte çastet e fundit të jetës së tij. Nuk do ta shikonte më kurrë dragoin e saj të dashur. Papritmas ajo pa shqiponjat që u sulën e i erdhën në ndihmë, zemra i rrahu fort nga shpresa e gëzimi. Pastaj dalloi njerëz që kalëronin mbi shpinën e tyre. Hyri sërish në komunikim me dragoin e filloi ta orientonte se  nga duhej t’i priste  goditjet. Majtas, djathtas, sipër, poshtë. Nga larg ajo i dallonte më mirë të shtatë kokat e përbindëshit dhe e paralajmëronte. Mundi të shmangte goditjet e fundit të cilat do të ishin vdekjeprurëse. Pa se si përbindëshi u gremis poshtë, por ndjeu se dragoi ishte përsëri në rrezik. Fuqitë e kishin lënë e pas pak do të binte e do të gremisej poshtë ku do të bëhej copë e thërrime.

              -Kthehu ! – e urdhëroi ajo,- në paç perëndi kthehu!

Dhe dragoi u bind. Ju afrua shpellës e ul ngadalë e qëndroi në hyrje të saj. Kur befas një kalë i zi me flatra të zeza që dukej akoma më i kobshëm nën dritën e argjendtë të hënës, u ngrit e qëndroi pezull në ajër, jo shumë larg prej tij. Me tmerr, Marika dalloi gruan e bukur që u ngrit mbi të e të thoshte formulën e shkatërrimit të dragoit. Pa dragoin e saj të rrëzohej ngadalë.

            - C'të bëj?-klithi Marika.

            - Formulën e jetës!- zëri i tij vinte duke u dobësuar.

Ajo brofi e doli para tij. Ngriti skeptrin lart e filloi të fliste para se gruaja me te zeza të mbaronte formulën e saj. Dora dorës që zëri i Marikës forcohej, dobësohej zëri i saj, derisa u ndërpre. Marika e përsëriti tri herë dhe pa se ajo po tërbohej nga zemërimi. Ku ishin shqiponjat, përse nuk afroheshin t’u vinin në ndihmë?

Pastaj tha me vete formulën që e bashkonte me dragoin dhe tani ishin një. Ajo nuk do të dorëzohej, nëse do të vdiste ai le të vdiste dhe ajo. Shtërngoi vocrrakët në gji, sa pak i kish gëzuar. Nëse fati i saj ish shkruar kështu, kështu le të bëhej. Pa gruan e bukur që ngriti duart lart drejt qiellit e dëgjoi lutjen që bëri. U drodh, e dinte se ç'kërkonte të bënte dhe nuk u habit kur një yll u shkëput si një lëmsh i zjarrtë e zbriti e qëndroi mbi duart e saj.

             - Harkun!- dëgjoi ajo dragoin.

Ajo mori harkun në dorë e tërhoqi një shigjetë nga trasta që kish varur në shpinë. Tendosi fort harkun e priti. Kish patur të drejtë ai, ajo dinte ta përdorte edhe se nuk kish prekur kurrë një të tillë më parë. Sapo gruaja e bukur hodhi në drejtim të tyre lëmshin e zjarrtë, ajo lëshoi shigjetën duke e goditur në qendër. Lëmshi i zjarrtë shpërtheu në ajër duke ndriçuar përreth me një mori ngjyrash e copëra të tij u përplasën faqes së malit përreth shpellës duke bërë të dridhej i tërë mali, e shkëmbinj të mëdhenj u shkëputën e filluan të binin poshtë me zhurmë. Gruaja e bukur filloi të hidhej përpjetë nga zemërimi e të ulërinte në mënyrë që të kallte datën.

              -C'thotë?

              - Asgjë me kuptim.Eshtë  e tërbuar e tërbimi është pika e saj e dobët.

Por në këtë çast një yll tjetër më i madh se i pari u shkëput nga lart dhe një lëmsh tjetër i zjarrtë po vinte drejt tyre. Marika e gjetur në befasi e vonoi hedhjen e shigjetës dhe e goditi kur ndodhej fare afër. Lëmshi shpërtheu, copërat e tij këtë rradhë goditën shkëmbinjtë që ndodheshin fare pranë dhe shpella filloi të dridhej, paretet e saj prej guri filluan të plasariteshin e të hapeshin. Aq e fortë ishte lëkundja e tokës, sa Marika rrezikonte të humbte ekuilibrin. Pa u qetësuar lëkundja, një yll tjetër filloi të shkëputej e të binte nga lart.

               - Merr shenjë kalin dhe thuaj lutjen e shkatërrimit të pjellave të natës!

Marika shënoi ballin e kalit por kur lëshoi fillin e harkut shpella u lëkund sërish e ajo  humbi ekuilibrin. Si pasojë e kësaj  shigjeta shkoi e u ngul në një nga flatrat e kalit, tamam kur lëmshi i zjarrtë po arrinte në dorë të gruas së bukur. Kali u mënjanua nga ana    e flatrës së goditur  e hingëlliu, por dëmi nuk ishte shumë i madh. Por gruas e cila  humbi një çast ekuilibrin, i shpëtoi lëmshi i zjarrtë nga dora, i ra poshtë e përfundoi në humnerë. Përplasja e lëmshit të zjarrtë me rrëzën e malit e bënë malin të gjëmonte e ulërinte si një bishë e plagosur. Tavani i shpellës filloi të rrëzohej vende vende. Nuk mund të rrinin më aty. Ajo pa shqiponjat të afroheshin e shigjetat të binin mbi kalin e zi si breshër.

              - Të thashë që tërbimi është pika e dobët e saj. Ka harruar të mbrohet. Lutjen shpejt!

Marika hapi këmbët që të ruante ekuilibrin e me duart drejt qiellit duke ju lutur me zemër Zotit ta ndihmonte, formoi fjalët e lutjes. Pa kalin të mbyllte ngadalë flatrat e të zvogëlohej. Dragoi tashmë ishte ngritur më këmbë e  hapi flatrat e tij tek shihte kalin të zbriste poshtë së bashku me gruan e bukur.

                - Ku shkon, rri këtu me mua!- briti Marika.

                - Kam ndenjur mjaft me ty dhe ishte nder i madh për mua. Po ua lëshoj vendin shqiponjave, do të jetë vendi i tyre.

                - Të lutem!- u përgjërua ajo me lot në sy.

                - Të kisha patur dy zemra do të rrija me ty. Po kam patur vetëm një e ja kam falur asaj.

                - Po yt bir?

                - Ja kam lënë në dorë Zotit. Lamtumirë Marikë!-  dragoi hapi krahët e u ngrit lart në ajër e pastaj u drejtua si shigjetë poshtë në humnerë. Arriti kalin që po binte ngadalë duke dhënë shpirt, zgjati një krah e pështolli siluetën e brishtë të gruas dhe e pështolli në krahëror. Marika ndjeu formulën e vdekjes së dragoit që po e bënte vetë ai. Ndjeu vuajtjen e dëshpërimin e tij, zhgënjimin dhe zemrën e tij të ndezur nga dashuria, pastaj… ndjeu dy zemra të dashuruara dhe... përplasjen e zhurmëshme dhe heshtjen e paqtë që pasoi. Kish mbetur aq e hutuar dhe e pikëlluar sa nuk po vinte re dyshemenë e shpellës që po çahej poshtë këmbëve të saj.

                 - Marika!- zëri i fortë i Markut e përmendi.

Shkëputi sytë nga humnera e pa shqiponjat që fluturonin fare pranë saj, njohu vëllezërit e saj. Gjaku i vërshoi e i gufoi zemrën.

                - Gjin!

Ai u hodh pranë saj dhe e përqafoi.

                - Shpejt, nuk ka kohë! -u briti Marku.

                - Eja! - i tha Gjini, -hip mbi shqiponjën time.

                - Gjin, merri ti këta!- ajo hapi brezin e nxorri dy bohçe të vogla. Gjini mbeti me gojë hapur.

                - Marika?!

                - Shpejt!- ulëriti Marku ndërsa një copë shkëmbi u rrokullis pranë këmbëve të tyre. Gjini rrëmbeu vocrrakët e kërceu mbi shqiponjën e tij, ndërsa Marika kërceu mbi shqiponjën e Markut. Shqiponjat u vunë fluturim, kur Marika briti.

                 - Kthehu Mark, kam harruar diçka!

                 - Nuk mundem motër është me rrezik.

                 - Kthehu! Dua të marr librin!

Marku e dinte sa rëndësi kish libri për të, por nuk mund të rrezikonte.

                - Në paç perëndi Mark, kthehu!- u lut ajo me lot në sy. Marku duke mallëkuar veten që nuk kish ditur kurrë t’u rezistonte atyre lotëve ktheu shqiponjën. Të tjerët kur e vunë re, ju vunë pas duke e sharë e bërtitur. Me t'ju afruar hyrjes së shpellës Marika kërceu në të pa marrë parasysh rrezikun se aty çdo gjë po kthehej mbrapsht. Rendi drejt vendit ku ishte libri, e gjeti dhe e rrëmbeu. Ndërsa kthehej me vrap u pengua e ra. Kur ngriti kokën mbeti pa mend. Para saj një vezë sa një bostan, kështu ju duk asaj, në ngjyrë të fildishtë e me njolla myshku të gjelbërta ishte plasaritur e po hapej.

                - Shpejt! - ulërinin të gjithë.

Ajo u çua e mori edhe atë e vrapoi drejt shqiponjës. Sapo lanë shpellën, dëgjuan një zhurmë si bubullimë e kur kthyen kokën panë se shpella ishte rrëzuar e gjitha e nuk kish mbetur asnjë shenjë që të tregonte se kish ekzistuar më parë. Shqiponjat u ngjitën lart, mbi majën e malit dhe i erdhën rrotull disa herë para se të merrnin drejtimin e pyllit. Marika ndjente ndën brezin e saj kërcitjen e lëvozhgës së vezës që po hapej. Ngriti sytë drejt qiellit e pëshpëriti me zë të ulët.

              - Zot më fal për çka po bëj!

              - C’farë po thua!? – Marku ktheu kokën drejt saj.

Marika nuk u përgjigj por ngriti sytë lart e shqyrtoi qiellin. Kërkoi yllësinë e dragoit. Nuk ishte më , ishte ndarë në dy pjesë, ai yll i shndritshëm që më parë ishte në zemër të tij kish lëvizur për në veri.

Pas pak shqoi lëndinën e i tërhoqi vëmendjen një lis i madh e bukur. Sa të zbres do të shkoj e do të shtrihem nën atë lis, tha me vete dhe ju hap goja për gjumë. Ishte e lodhur dhe e raskapitur.

 

      

             

                                                      - & -

 

 

                     Marika nuk ishte gabuar. Kishte qenë biri i dragoit të saj. Ishte mrekulluar kur e kishte parë të dilte nga veza, i ngjante dragoit të saj, por ishte shumë i vogël dhe... shumë i bukur. Lëkurën e kishte në ngjyrë të fildishtë, me ca njolla të vogla ngjyrash të ndryshme, shkëlqente nën rrezet e diellit. Zanat nuk e kishin pritur mirë lindjen e asaj qenie me gjak të përzier, gjysëm dragoi e gjysëm njeri. Por Marika kish ngulur këmbë ta mbante aty në kasollen e Gjinit në lëndinë, për sa kohë që do të ishte i vogël e deri sa të rritej. Dhe e kish rritur me bijtë e saj, me Besën që ish vajzë bukuroshe dhe e hijshme dhe me Arbrin, djalin e bukur e çapkën. Luanin të tre bashkë dhe ishin shumë të prapë por prapësitë më të mëdha i bënte dragoi i vogël, që Marika e kish quajtur Drag, por të tjerët të inatosur me prapësitë e tij e quanin dreq. Marika zemërohej shumë kur e thërrisnin ashtu. Ndryshe nga dragoi i saj, Dragu ishte shumë llafazan, fliste edhe gjatë ditës, ndërsa Marikën e thërriste nënë siç e thërrisnin fëmijët e saj. I shkreti, atë kish parë të parën kur kish dalë nga veza dhe ajo ish përkujdesur për të. Pastaj, duke jetuar në shoqërinë e pyllit ku kishte qënie nga më të çuditëshmet, as që i kish shkuar ndër mend se nuk mund të ishte nëna e tij e vërtetë. Duhet t'ja them një ditë, por është ende i vogël, mendonte Marika, kur të rritet. Dhe do t'i tregoj për babanë e tij. Duhet të jetë krenar për të. Për nënën... do ti them se nuk e kam  njohur. Dragu ishte  rreth tre vjeç kur një ditë që ishte pak i ftohur, u kollit dhe i doli zjarr nga goja. I shkreti, ishte trembur e llahtarisur aq shumë sa Marika mezi kish mbajtur të qeshurit. Kish vrapuar tek ajo e ish fshehur poshtë fundit të saj, por një e kollitur tjetër e desh i kish vënë flakën dhe asaj. Pastaj ishte mësuar ta kontrollonte disi, por sa herë që dikush i binte më qafë, i villte zjarr para fytyrës.

            - Eshtë me rrezik ta mbajmë këtu!- i kish thënë një ditë nënazanë Marikës.

            - Eshtë im bir! - ja kish kthyer ajo. - Nëse duhet të largohet ai, do të largohemi të gjithë!

            - Atëhere edukoje siç duhet. Nuk dua që natyra e nënës së tij të ngrejë krye. E ke menduar se ç'përbindësh do të bëhet po t’i ngjajë asaj?

Marika kish ulur kokën e nuk ishte përgjigjur. Nënazanë kishte të drejtë. Po sikur t’i ngjante me të vërtetë së ëmës? Si e kishin hallin? C’të bënte me Dragun? A do të kish zemër ta largonte e ta braktiste... aq më tepër ta vriste...? Kish dalë e ish ulur nën hijen e lisit duke bluar këto mendime, por nuk gjente zgjidhje. E dëshpëruar kish rënë në gjunjë e i ish lutur Zotit. Do të bënte siç do t’i thosh ai. Dhe ai i kish folur. Ajo e kish dëgjuar në fëshfërimën e lehtë të gjetheve të lisit. Në fillim ishte hutuar e nuk kish kuptuar gjë,  pastaj kish qarë nga gëzimi. Kish gjetur, kish zbuluar gjuhën me të cilën i fliste Ai. Kish patur të drejtë dragoi i saj. Për të komunikuar me Zotin duhej më parë të gjente gjuhën me të cilën i fliste. Për Marikën ai kish zgjedhur gjuhën e gjetheve të lisit. U vuri veshin fëshfërimave e i dëgjoi me kujdes. Ju lut me lot në sy që të mos ja largonte Dragun. E Zoti e këshilloi ta rriste e ta edukonte, ta bënte një dragua të mirë. Që nga ajo ditë Marika shkonte shpesh tek lisi. Lutej e kërkonte këshilla. Njerëzit e morën vesh dhe i drejtoheshin asaj për probleme të ndryshme. Ajo lutej e merrte këshilla për ta. Lajmi mori dhenë e filluan të vinë njerëz nga të katër anët e vendit. Mblodhi fëmijët e fshatit e u mësoi shkrim e këndim. Zgjodhi vajzat më të zgjuara të vendit e u mësoi se si të komunikonin me lisin që fliste. Ndërkohë fëmijët e saj rriteshin e bashkë me ta edhe dragoi i vogël. Brenda pak kohe, u bë një dragua i madh e shumë i bukur dhe nuk i pëlqente më të rrinte  në pyll. Kish ngritur fole në majë të malit. Marikës i mungonte shumë. Por nga ana tjetër, dhe Dragu nuk mund të rrinte gjatë pa e parë atë. Por më shumë ai nuk rrinte dot pa parë  Besën dhe Arbrin. Vinte ç'do ditë, i merrte mbi shpinë të tij e bridhnin fluturim…

 

 

Imperia , li 22 Agosto 2007