Mehmetali Rexhepi: Aty dhe atje ku nuk hyri Krishti
| E hene, 10.08.2009, 07:48 PM |
Meditim për shekullin tonë ATY DHE ATJE KU NUK HYRI KRISHTI Nga Mehmetali REXHEPINdoshta një ditë do të dëshmohet prania e kryqit, më parë se gjetiu, tek Ilirët… Andaj, pse të mos pohojmë: herët u ngërthye në shpirtrat e paraardhësve tanë simboli i urtisë, mirësisë e flijimit njerëzor - Jezu Krishti e krishterimi. Aq sa dimë, themi, jo vetëm u përqafua, por për vazhdimësinë ilire u bë bartës dhe frymëpërçues i rregullave të krishterimit, qoftë përmes Shën Palit, Shën Jeronimit, Shën Albanit e apostujve tjerë, që emblemëtohen në ikonografinë e krishterë, në ngrehina e objekte kulti, të shumtat të rrënuara nga barbaria e lashtë dhe e vonshme.Mandej, gjithë duke vijuar në kapërcejtë e kthesa epokale të njerëzimit: edhe shenjtërit tanë ngërthyen e zbërthyen frymën e shenjtë për ndriçimin e udhës nga do të ecte njeriu.Shmangien e shpëtimin nga mëkatet në jetën fizike e shpirtërore dhe përgatitjen për mirësi, mëshirë e paqe, gjithnjë për të ushqyer te njerëzit besim e përshpirtërinë, për udhë të dinjitetshme, të amshuar, drejt ringjalljes në shpirtra e trupa të tjerë, sikur ringjallja e Krishtit…Lakmia për troje, burime, pasuri e pushtet, për luks mbi gjakun e djersën e tjerëve, gjakimi epshor, terratisën mendjet njerëzore, aq sa shpien në përplasje e dallgëzime të ashpra, tragjedish të egra e të pakuptimta me viktima gjithëfarëshe, kësisoj mëkatet mbuluan breza të tërë… Virusi i së keqes vijoi të sëmurë koka timonierësh për vendosje të ligjshmërisë së tiranisë, absolutizmit e despotizmit: përplasjet qindvjeçare, kryqëzatat, luftërat botërore e lokale, terrorizmat klasik e të sofistikuar! Atëbotë, në shpirtrat e prijësve djajtë kishin kryqësuar e rikryqësuar për miliona herë shëmbëllesa të Jezuit.Mjerisht, edhe sot njeriu ende nuk është larë plotësisht nga mëkatet që i bëri e po i bën Njeriut. Dhe fryma e Krishtit vazhdon flijimin e pleksur në pasuesit e devotshmërisë së Tij. Aty ku mungon ajo frymë devotshmërie, aty, këtu dhe atje ku nuk hyri Krishti, kurthëron djalli dhe në këmbëz gishti…Edhe në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë fryma e shenjtërve ringjallet ndër ne, për t’i dhënë botës sublimën e përvujtërisë, mirësisë e flijimit, stërmbesën e Shën Gjergj Kastriotit, Gonxhen tonë, që bota e quajti Nënë, shenjtëreshën e ditëve tona - Nënën Tereze.Pikërisht, atëherë kur njeriu filloi ta harronte njeriun, Zoti ia dhuroi botës “Mesinë” e bamirësisë e të përvujtërisë njerëzore, të lumën Tereze.Kjo është dhuntia e madhështisë, një dhuratë e gjenisë sonë për gjininë njerëzore.
Gusht 2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.