E premte, 29.03.2024, 09:42 AM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Aty dhe atje ku nuk hyri Krishti

E hene, 10.08.2009, 06:48 PM


Meditim për shekullin tonë
    
ATY DHE ATJE KU NUK HYRI KRISHTI

Nga Mehmetali REXHEPI

Ndoshta një ditë do të dëshmohet prania e kryqit, më parë se gjetiu, tek Ilirët… Andaj, pse të mos pohojmë: herët u ngërthye në shpirtrat e paraardhësve tanë simboli i urtisë, mirësisë e flijimit njerëzor - Jezu Krishti e krishterimi. Aq sa dimë, themi, jo vetëm u përqafua, por për  vazhdimësinë ilire u bë bartës dhe frymëpërçues i rregullave të krishterimit, qoftë përmes Shën Palit, Shën Jeronimit, Shën Albanit e apostujve tjerë, që emblemëtohen në ikonografinë e krishterë, në ngrehina e objekte kulti, të shumtat të rrënuara nga barbaria e lashtë dhe e vonshme.
Mandej, gjithë duke vijuar në kapërcejtë e kthesa epokale të njerëzimit: edhe shenjtërit tanë ngërthyen e zbërthyen frymën e shenjtë për ndriçimin e udhës nga do të ecte njeriu.
Shmangien e shpëtimin nga mëkatet në jetën fizike e shpirtërore dhe përgatitjen për mirësi, mëshirë e paqe, gjithnjë për të ushqyer te njerëzit besim e përshpirtërinë, për udhë të dinjitetshme, të amshuar, drejt ringjalljes në shpirtra e trupa të tjerë, sikur ringjallja e Krishtit…
Lakmia për troje, burime, pasuri e pushtet, për luks mbi gjakun e djersën e tjerëve, gjakimi epshor, terratisën mendjet njerëzore, aq sa shpien në përplasje e dallgëzime të ashpra, tragjedish të egra e të pakuptimta me viktima gjithëfarëshe, kësisoj mëkatet mbuluan breza të tërë…
Virusi i së keqes vijoi të sëmurë koka timonierësh për vendosje të ligjshmërisë së tiranisë, absolutizmit e despotizmit: përplasjet qindvjeçare, kryqëzatat, luftërat botërore e lokale, terrorizmat klasik e të sofistikuar! Atëbotë, në shpirtrat e prijësve djajtë kishin kryqësuar e rikryqësuar për miliona herë shëmbëllesa të Jezuit.
Mjerisht, edhe sot njeriu ende nuk është larë plotësisht nga mëkatet që i bëri e po i bën Njeriut. Dhe fryma e Krishtit vazhdon flijimin e pleksur në pasuesit e devotshmërisë së Tij. Aty ku mungon ajo frymë devotshmërie, aty, këtu dhe atje ku nuk hyri Krishti, kurthëron djalli dhe në këmbëz gishti…
Edhe në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë fryma e shenjtërve ringjallet ndër ne, për t’i dhënë botës sublimën e përvujtërisë, mirësisë e flijimit, stërmbesën e Shën Gjergj Kastriotit, Gonxhen tonë, që bota e quajti Nënë, shenjtëreshën e ditëve tona - Nënën Tereze.
Pikërisht, atëherë kur njeriu filloi ta harronte njeriun, Zoti ia dhuroi botës “Mesinë” e bamirësisë e të përvujtërisë njerëzore, të lumën Tereze.
Kjo është dhuntia e madhështisë, një dhuratë e gjenisë sonë për gjininë njerëzore.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora