E enjte, 28.03.2024, 01:38 PM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Ndërrimi jetë i një vajze 23 vjeçare e bën shkëmbin te përlotet, jo nënën. Po kur nëna është zonja Liri Belishova, duhet gjykuar më gjerë

E shtune, 08.09.2007, 11:36 AM


Shkruar nga:  Mërgim Korça

Mërgim Korça
Er’e marrë.   Er’e fryrë nga drejtime skajshmërisht të kundërta.   Shumator’e erërave një vorbull cikloni.   Ai më rrëmbeu dhe në kahun antikóhë më vuri para një kaleidoskopi ku n’atë çmëndurí vizionesh shikoja një stativ mikrofoni të cilin dora e Bedri Spahiut e kishte drejtuar të godiste të pandehurin Kol Tromara, para trupit gjykues të Gjyqit Special të prillit 1945.   (Kuptohet lehtë si ai sillesh në qelit’e hetuesisë).  Tek mundohesha të mbahesha, kaleidoskopi u shkund !  U zhduk Bedriu dhe fytyr’e çpërfytyruar, ashtu të përçudnuar siç ia kish vënë në prehër t’ëmës jo Zoti, por djalli vetë, mu faneps Aranit Çela !   E kuqja  mbizotruese e kaleidoskopit, në aureolë gjaku e kish rrethuar kriminelin që farkëtonte në kudhrën e tij dëshmí të nxjerra mes britmash nga të pandehurit që ai torturonte me hekura të skuqur !   Dënime me pushkatim an’edhe kënd vëndit !   Zhdukeshin sistematikisht intelektualët më të shquar !   Asgjësoheshin klerikët !   Shkundej kaleidoskopi e ç’të shikoja ?   Zaj Fundon, ideologun e komunizmit shqiptar, i cili helmin bolshevik ia futi rinisë intelektuale shqiptare, qe strehuar në familjen e vëllezërve Kryeziu në Gjakovë.  Në shtatorin e vitit 1944, me urdhër të Enver Hoxhës, ai u muar me dhunë nga një togë e Brigadës 18-të që kryesohej nga Petrit Dume, e nxorën në Kukës dhe … të zhytur në një pellg gjaku mbas torturash të tmerrëshme, këta kriminelë të Enver Hoxhës i a dhanë vdekjen  makabre!   E vrau Enver Hoxha  se  kish  guxuar Fundua të deklaronte botërisht “ … Komunizmi që ne e idealizuam si Krishti, ia kaloi edhe Satanait nga ligësitë”.   Mirëpo tashmë qe vonë.   Far’e keqe e mbjellë prej tij tashmë kish mbirë !    Kish mbir’e qe zhvilluar !   E kish marrë pushtetin dhe me të gjithë mllefin e akumuluar prej shekujsh në genet e dështakëve këta po zbatonin urdhërin e Koçi Xoxes të vrisnin e të prisnin derisa t’i zhduknin reaksjonarët !   
Ndërkohë, në kahun kohor orar, jashtë sallave të gjyqeve terroriste, i shquaja turmat e popullit, me pankarta e portretet e komandantit, Koçi Xoxes, të Liri Belishovës,  Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, e Petrit Dumes, (komandantit famëkeq e terrorist të Batalionit Hakmarrja), e me radhë të Nako Spiros me shokë, ulërinin me zë të çjerrë në plumb armiqtë !  E së rishmi shikoja ngado që e ktheja vështrimin, të vrarë, të vrarë e të vrarë.   Po zhdukej ajka intelektuale e Atdheut !   Po mbas tyre ?   Kush e kish radhën ?  Po ata terroristë por tanimë, mbas dy viteve, i u kthyen të gjithë dishepujve të Zaj Fundos e të Zef Malës që i u ngjitën maleve si nacional-çlirimtarë kurse tashti si grupe deputetësh, partísh borgjeze etj. etj. e morën plumbin ballit tashmë si tradhëtarë !    E vorbulla më çmëndi.   E kisha përshtypjen sikur brënda  kaleidoskopit po rritej niveli i gjakut të viktimave.   E shikoja se si Nako Spirua e akuzonte Riza Danin si tradhëtar.   E prap fytyrat e urryera e të përgjakura të Koçi Xoxes, Bedri Spahiut e Aranit Çelës me shokë më dilnin në plan të parë :  pushkatime mbas pushkatimesh mbillnin !  
Nuk durova dot më.   E flaka kaleidoskopin.   Për një çast mu duk se vorbulla u largua duke më zbritur mua qetësisht në tokë.   Por nuk ishte e thënë.   Kaleidoskopi i vërvitur në qoshen e dhomës kish qenë i mveshur me numrat e ndryshëm të Gazetës Panorama.   E gazetës nuk i u shmanga dot.   Fletët e saja u shpërbënë dhe u radhitën në faqet e mureve të dhomës sime.    I a mbusha mëndjen vetes të mos i lexoja.    Dhe ashtu bëra.   Shkova në dhomën tjetër e ... faqet e gazetës nuk më ndoqën nga pas.   Rashë të flija.   MIrëpo gjumi u pa se qe kthyer në një llahtarë të vërtetë.   Ndërsa kaleidoskopin e kisha në dorë t’a flakja, siç edhe bëra, gjumi më rrëmbente në krahët e tij dhe jo që nuk më linte t’a shkundja si kaleidoskopin, por përkundrazi, më përqëndronte në ato pika që babai i psikanalizës, Sigmund Freudi, i quan në veprën e tij me famë botërore Kuptimi i Ëndërrave, (Traumedeutung), gërshetimi në mes skenave reale që çfaqen gjatë ëndërrave, me përmbajtjen e fshehur, së cilës ai që e sheh ëndërrën do t’i lidhë.   Kur më dilte gjumi kthjellohesha dhe e kuptoja qartë se simbas Freudit, paravetëdija që është bashkësía e kujtimeve, çfaqjeve, dëshirave, me pak fjalë faktorët psihikë që momentalisht ndodhen në gjëndje letargjíe, si pasoj’e një sforcimi të vogël mund të kthehen e të bëhen të vetëdijshëm ku, vetëdija identifikohet me ndërgjegjen tonë ose, e thënë ndryshe, identifikohet me të gjitha veprimet tona ditore të ndërgjegjëshme.  
E kësisoji, mes ëndërrash edhe periudhash zgjimi të ndërkëmbyera ... u gdhi edhe dita e sotme.    Kisha një dhimbje koke të fortë.    Truri më thosh ... harroji ç’ke lexuar.   Mos e mundo veten.   Kurse nga ana tjetër zemra, hiç racionale por e mbushur deri në shkapërderdhje me dhimbje të mëdha, s’më linte rehat.   Ulu, më thosh, mos shkruaj siç ndjej unë se ... dhimbja mbase më bën edhe të padrejtë.   Por thirri trurit racional e pa mllefe, shtjelloji disa nga faktet që më shumë të mundojnë.   Mendoje padrejtësínë njerëzore dhe shprehu.   E di që do të vuash të mos e shkelësh paanësínë.   Vuaj por shkruaj, dije se ndokuj do t’i vlejnë të vërtetat ...
Dhe unë, i nisur nga pika që e mbushi kupën dhe e krijoi atë ciklon ndjenjash, u mundova t’i rikujtoj pikat kulmore q’e shkaktuan vorbullën e mendimeve dhe ndjenjave që më rrëmbyen aq egërsisht.  
Së pari dhe në krye, si figurë qëndrore, është e ndjera vajz’e re 23 vjeçare Drita Çomo për nder të kujtimit të së cilës Qendra Ndërkombëtare e Kulturës e organizoi mbrëmjen me rastin e 8 Marsit.   Me sinqeritetin më të madh dua t’a pohoj trishtimin e jashtëzakonshëm që më ka ngjallur përgjatë viteve, sa herë më binte rasti t’a kujtoja ndarjen nga jeta në lulen e rinisë të së ndjerës Dritë,  duke i ditur edhe disa rrethana që pjesëmarrësit në mbrëmje mbase kalimthi i kanë dëgjuan kurse unë jam dëshmitar i gjallë i atyre rrethanave. 
Sapo lexova se si Rajmonda Bulku, (me baban’e së cilës vazhdojm’edhe e ruajmë miqësínë qëkur ishim dhjetëvjeçarë), e kishte paraqitur në mënyrë tejet prekëse se si shkëmbeheshin rrugës shoqet e klasës me Drita Çomon, buzëqeshnin po ... nuk guxonin të ndalonin e të takoheshin dhe kujtesa e ime më çoi shumë vite mbrapa në shtëpin’e komandant Skënderit  në Cërrik kur Rajmonda vajz’e ré erdhi në shtëpi dhe i tha t’et se Drita, e bija e Liri Belishovës, ishte e sëmurë, (si duket ishin fillimet e sëmundjes që aq egërsisht i a këputi jetën në vazhdim),  dhe asnjë nga shoqet e shkollës nuk guxonte t’i shkonte në shtëpi për t’a parë.   Skënderi, ky burrë fisnik sa më s’bëhet, i tha të bijës ... ti shko e takoje. Është fatkeqësí e madhe sëmundja që ajo ka.   Në të thënçin gjë, thuaju se më ka thënë babi !   Skënderi më shikoi drejt’e në sy, duke parë ai në syt’e mi shqetësimin tim për të si edhe pasojat eventuale që mund të kishte dhe vazhdoi pak a shumë ... e di që Liria kurrën e kurrës nuk do t’a bënte një gjë të tillë për mua, edhe sikur të më kishte patur mik edhe të afërtë, kur ishte në pushtet.   Por unë, me këtë veprim që ndërmarr, dua t’a edukoj t’ime bijë ...
Vazhdoj tashti me ungjin e së ndjerës Drita Çomo, me Bardhyl Belishovën.    Dy javë të shkuara lexova një intervistë të tijën e dhënë ajo me shumë dinjitet njeriu të ndershëm dhe me personalitet.   Un’e kujtoj B.Belishovën as më shum’e as më pak por vetëm si shok klase kur ishim të rinj.  Kjo është edhe arësyeja që nuk e kujtoj as formalisht me cilësorin “zotëri”.  Ishte nxënës i mirë.   E veçanta e tij se shquhej për mirësjellje dhe as që kurrë ndonjë herë nuk shfaqi prirje lufte klasash.   Mos t’a dije, nuk e merrje vesh se ai ishte i vëllai i ... shoqes Liri Belishova.   E që nga ai i largëti vit 1945 kurrë më nuk e kam takuar.   Kjo arsyeja që me shumë interes e lexova intervistën e tij.  
Nuk ka se si të mos e vlerësojë njeriu pohimin e tij madhor tek thotë se është një tmerr i vërtetë që tekstet e historisë vazhdojn’e mbahen po ata të hartuarit gjatë diktaturës dhe se komunistët duan t’i ruajnë akoma mitet e krijuara prej tyre :  ata duan t’a mbajnë shoqërinë shqiptare t’indoktrinuar, thekson ai !   Me sa drejtpeshim shprehet ai tek tregon se si ai vetë ka qenë një idealist i regjimit socialist por edhe shton se ... fatkeqësisht kjo ëndërr rezultoi që ishte utopike, aq më keq një utopí shumë tragjike. Ai e quan me plot gojën genocid klasor persekutimin e klasave të përmbysura si edhe vazhdimin e persekutimit të shtresës së pasur me gjithë bijt e saj.   Me një objektivitet të veçantë B.Belishova pohon edhe se shtetin modern europian e krijoi Ahmet Zogu dhe jo Enver Hoxha.  
Vërtet intervistën e drejtoi me kompetencë intervistuesi A.Bica, por B.Belishova secilës pyetje i jep një ngjyrë skajshmërisht personale, aq të ndershme e deri në  ekstremum tronditëse tek pohon ... mua personalisht ai sistem më bëri të jetoj një jetë jo dinjitoze, më bëri të mohoj  veten ... më  bëri  pa  personalitet ... më bëri që të vë interesat e revolucionit mbi të vërtetën ... !     E ndjek me vëmëndje Bardhyl Belishovën  që merr mbi vete faje që as fare nuk i takojnë atij por të gjithë kategorisë që e gjeneroi atë,  duke theksuar se sa e padrejtë është që veteranët e luftës vlerësohen duke u rritur pensjonet e duke u dhënë mjekimet falas, në një kohë që të përndjekurit politikë vazhdojn’e shikohen me syrin diskriminues si të persekutuar edhe e përqëndron ai pastaj fajin në mënyrë specifike ndaj intelektualëve të regjimit totalitar.   E përgjatë këtij shtegu ai vjen në përfundimin logjik se tragjedi e madhe është se si akoma një pjes’e mirë e shqiptarëve ... e kanë ende në shpirt Enver Hoxhën.   Dhe lexuesi i këtyre radhëve mbase mendon se ky ësht’edhe pohimi madhor i B.Belishovës.   Jo, zotërinj.   Nuk e quan ai fajtor vetëm Enver Hoxhën dhe për gjithçka vetëm atë.   Ai vazhdon duke trajtuar fajtorët si edhe ata që ndërgjegjen e tyre duhet t’a kenë të trazuar, duke filluar nga mbështetësit e regjimit, shkrimtarët e artistët, historianët e kalemxhinjtë të cilët duan që krimet e bëra, imoralitetin e mbjellë, dyfytyrësínë e servilizmin, çnjerëzoren si edhe mungesën e personalitetit, vese këta aq të shëmtuar e të neveritshëm, dhe i godet të gjithë të mësipërmit se të tëra këto shfaqje duan t’i lenë në errësirë !  Këtu tashti edhe pohimi madhor i B.Belishovës tek përkufizon : Totalitarizmi nuk kufizohet vetëm me burgosjet, internimet e dënimet me vdekje, ai shpif dhe ndyen emrin, reputacionin dhe opinionin e fituar duke i poshtëruar si armiq të tij.  Ata të parajsës historike i dërgon në ferr dhe anasjelltas. 
E lexoj këtë intervistë dhe para syve të mi rritet pambarimisht shtati i Bardhylit.   Ai mbase edhe më ka harruar.   Nuk ka asnjë rëndësi.   Rëndësí të madhe merr fakti që Bardhyl   Belishova jep një leksjon të madh formimi karakterial si edhe kuraje civile !   Me pohimet e tija ai bëhet një etallon me të cilin gjthsecili duhet t’a krahasojë veten :  i djathti apo i majti, i pashkolluari si edhe akademiku, letrari i secilit nivel apo politikani, e gjithashtu aq edhe më shumë, udhëheqësit politikë !  
E vazhdojmë tashti trajtimin me pjesëmarrësen mbi të cilën u përqëndrua e gjithë vëmëndja e asaj mbrëmje, zonjën Liri Belishova.   E ndjej të nevojshme paraprakisht t’i a bëj të qartë lexuesit se në qoftë se Qendra Ndërkombëtare e Kulturës do të ishte treguar krejt’e çiltër dhe paanësisht e drejtë, kurrë nuk do të më kishte përfshirë vorbulla e atij cikloni shpirtëror  që më detyroi të ulem edhe t’i hedh në letër kujtimet e si pasojë pastaj ndjenjat e doemos edhe në vazhdim mbresat që më kanë lënë intervista e Bardhyl Belishovës, përshkrimi i plenumeve të K.Q. teksa goditeshin  gjeneralët  e  ushtrisë  si armiq të popullit, e deri tek mbrëmja me rastin e 8 Marsit  2007.    Shkëndía që i dha shkas ciklonit ishtë pohimi i trishtë i B.Belishovës tek thotë :
“ Të përndjekurit politikë vazhdojn’e shikohen me syrin diskriminues si të persekutuar !”
Sikur Qendra Ndërkombëtare e Kulturës të ishte kujtuar e të kishte pasë organizuar një tubim përkujtimor ... se dikur na kishte qenë një malësore q’e kishin internuar shtatzanë në barakat e kampit famëkeq të Tepelenës ku u dha jetë dy binjakëve, e ndëkohësisht i a kishin pushkatuan të shoqin.   E në vazhdim,  nga paushqimi si edhe nga të ftohtit, e pabesa kosore e vdekjes u a kishte rrëmbyer edhe jetët dy vocërrakëve të pafajshëm, njerit në një mëngjes të ftohtë dimri e tjetrit në mbrëmjen e po asaj dite.   E t’ish me kaq kjo histori e trishtë, do të qe mall.   Por nëna e re u çmënd !   Nuk kanë si mos t’i kujtojnë edhe sot e kësaj dite  ish bashkëvuajtësit e saj ende të gjallë, ato ngjarje.   I kujtojnë ata edhe sot, mbas kaq dhjetvjeçarësh dhe i mbyt vaji e ngashërimi kur vazhdojn’e tregojnë se si nusja nënëzezë vrau edhe veten e saj !  
Nuk e ka qëmtuar këtë tragjedí Q.N.K. ?   Dakord.  Po nuk i ka rënë në vesh asnjerit nga përfaqësuesit e asaj qendre se si ata operativë të sigurimit që nuk e lanë zonjën Belishova t’ia lagte buzët së bijës më gjatë, por e shkëputën prej saj në grahmat e fundit të jetës së bijës fatkeqe, (ose shokët e atyre operativëve), mbasi e torturuan për vdekje dhe viktima nuk pranoi që s’pranoi të bëhej informator i tyre, ashtu i lidhur siç qe dhe i gjakosur i sollën dhe i përplasën në qelí të bijën 19 vjeçare e i thanë një evgjiti enkas të sjellë aty :  përdhunoje në sy t’et !   Dhe viktima u dorëzua :  e nënshkroi mjerani atë fletë turpi !    Me të tilla ngjarje tamam rrëqethëse ësht’e mbushur plot e përplot historia e kohës diktaturës.  
Edhe një, një të vetme do t’ua tregoj.   E zgjodha këtë se jo vetëm protagonistja e zhvillimeve shum’ e denjë do të kishte qenë të kujtohej me rastin e 8 Marsit, por nga ana tjetër edhe ju, zotërinj të Q.N.K., jeni bashkëkohës të ngjarjes se ajo u zhvillua në kohën kur presidenti dhe udhëheqësi i P.P.Sh., Ramiz Alia, kishte kohë që po e bënte më njerëzore fytyrën e pushtetit që ai drejtonte, (siç pretendohet edhe sot e kësaj dite nga ithtarët e tij).  
Ishte viti 1987 kur në Grabjan të Lushnjes arrestohet Mehdi Çeliku.  E akuzojnë si spiun të rekrutuar nga M.Cani, një 87 vjeçar që banonte në Canada !(?)   I arrestuari i mjerë mundohej me çdo kusht t’u rezistonte torturave që i bënin gjatë hetuesisë për t’a pranuar fajësínë.   Mirëpo hetues Zamiri Stefani dinte edhe një më shumë se ai.   E thirri të shoqen e Mehdiut të mjerë dhe e detyroi t’i dilte dëshmitare në gjyq të shoqit e t’a denonconte se si ai vërtet ishte spiun i M.Canit.   E shkreta Adelinë.   Nuk mjaftonte se në njerin krah kishte tri vajza edhe një djalë në shtëpi që po përballeshin me hallet e jetesës në Grabjan nën hijen e të qënit bijt’e një spiuni, por u vu edhe përpara përzgjedhjes në mes jetës së varfër, por me ndér ose jetës së varfër edhe e turpëruar.   Dhe Adelin’ e mjerë nuk zgjodhi as njerën e as tjetrën.   Ajo zgjodhi vdekjen, por me ndér :   ajo e vari veten !   
Qëmtimi i këtij rasti nuk do as hulumtime nëpër arkiva e as shpluhurosje mbamëndjesh njerëzore.   Ilir Çeliku, jetimi i të ndjerëve Adelinë edhe Mehdi Çeliku, është sot gjykatës pranë Gjykatës Tiranës.   Katër hapa mund të bëheshin për t’a marrë informacionin dhe mbrëmja e 8 Marsit 2007 mund të kthehej në një mbrëmje shumë më domethënëse e njëkohësisht edhe shumë më qetësuese për shpirtrat e njerëzve të pranishëm në sallë por edhe lexuesve të kronikës në vazhdim !    
Mos kujtoni se shkruaj me mllef, zotërinj drejtues të Q.N.K.   Jo zotërinj.   Nuk është zemra ime, por është truri i paanshëm që ma drejton dorën.   Prandaj thellojuni në pohimin që bën i ungji i së ndjerës Drita Çomo kur thotë të mos lihen në errësirë këto krime.  
Krahas fatkeqësisë Liri Belishovës mos i harroni edhe ato të palës tjetër.   Kijeni parasysh se kur e pyesin zonjën L.Belishova në se kishte patur dijeni lidhur me krimet e tmerrëshme që bëheshin kur ajo ishte anëtare e Byrosë Politike, ajo sqaron :  “ ... Ne u edukuam  me urrejtje :  armiqtë e klasës duheshin luftuar pamëshirë, duheshin likuiduar ... Megjithatë unë, kur më lindnin mendime kritike për atë që bënte partia jonë, shteti ynë i diktaturës së proletariatit, përpiqesha t’i mbysja, i quaja herezi ... “   Pra, sa kohë që goditej pala tjetër, shoqja Lirí ishte e vetëdijshme lidhur me krimet që bëheshin dhe nuk ka se si të qëndrojë vetëmbrojtja e saj tek shprehet lidhur me mosdijen nga ana e saj se si kishte vepruar diktatura e kuqe në Bashkimin Sovjetik  apo se ajo nuk kishte patur dijeni se ç’kishte shkruar Orwelli !(?)   
Në qoftë se këto nuk i dini, mësojini e veproni me paanësí.   Po t’i kini ditur por për një arësye ose një tjetër nuk keni vepruar, nuk është kurrë vonë të veproni drejtësisht e në mënyrë të paanëshme.   Nuk do të zgjatem me zonjën Belishova vetë por edhe një moment kuptimplotë dua t’ju a kujtoj.   Kur u pyet zonja Belishova se cili ishte qëndrimi i saj lidhur me pozicionimin e delegacionit tonë në Bukuresht të kryesuar nga Hysni Kapo, ajo pohon se : “ Para se të shkoja në Kinë unë isha për rrymën e filluar nga Kongresi i XX-të i P.K. të B.S. por zyrtarisht, këtë qëndrim unë nuk e shprehja, përkundrazi kur fillova të kem rezerva isha shumë e kujdesshme, përpiqesha që në diskutimet e mia etj. të mos lija të kuptohej që kisha rezerva.   Me të gjitha mënyrat jam përpjekur që të evitoja dënimin, i cili nuk do të ishte vetëm për mua, por do të merrte në qafë njerëzit e mi më të dashur ...”   Konformiste zonja Belishova deri në vetmohim !
Prandaj jo rastësisht titullin këtij shkrimi i a vura : 
      

NDËRRIMI JETË I NJË VAJZE 23 VJEÇARE E BËN SHKËMBIN TË PËRLOTET, JO NËNËN.
Me këtë titull si edhe me keqardhjen e shprehur në vazhdim lidhur me fatkeqësin’e Drita Çomos, i bëj të ditur si Liri Belishovës e gjithashtu edhe lexuesit, se e distancoj veten nga zonja Belishova por, e kuptoj plotësisht dhimbjen e saj legjitime si nënë.  Gjithashtu sot nuk ishte rasti t’ia kujtoja zonjës Belishova ngjarjet e lartpërmendura që ajo nuk ka se si t’i dinte sepse vetë qe shprehur ... kur je në parajsë nuk e di se si është ferri.   Shtysa e vetme që t’a bëj një punë të tillë është nxitja për t’i thënë të vërtetat ashtu siç janë.   Pa zbukurime !   Pa makijazh !  Ndjej dhimbje për zonjën Belishova si nënë ?  Deri në kulm !   Kam respekt për të si ish drejtuese nga kryesoret e vëndit ?   Aspak !   Përkundrazi, kam përçmim për mungesën e karakterit si dhe për këmbënguljen e saj në justifikimin e fajeve të saj !    Zonja Belishova edhe në fjalën e saj gjatë mbrëmjes përkujtimore shprehet : “... unë e kam duruar hidhërimin e padurueshëm të vdekjes së Dritës dhe jo vetëm të saj, por edhe dhimbjen për Nakon dhe Maqon, për Fatmirin dhe për Bardhylin, të gjithë viktima të atij pushteti për të cilin unë luftova, sakrifikova rininë time. Kam duruar të dashur miq, duke menduar se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë, kanë një jetë të dytë.”
Të vërteta pohimet e ngjarjeve.   Nakon e detyroi E.Hoxha të vriste veten kurse Maqon e kalbi në burg.   Po ashtu vuajtën edhe vëllezërit e saj.   Por këtu duhet ndaluar e të bëhet diferencimi thelbësor mes udhëheqësve gjatë luftës si edhe mbas marrjes së pushtetit, dhe vëllezërve që gjatë luftës ishin veç pionierët e Debatikut.   Këta të fundit nuk i lidh asgjë me si u zhvilluan ngjarjet e nuk duhet spekulluar me emrat e tyre.   Ata nuk patën asnjë meritë e doemos edhe më pak faj, lidhur me vendosjen e diktaturës.   Ndërsa, për sa kohë punuan,  të nderuar qenë, me sa kam dëgjuar, me sjelljet e tyre në vazhdim. 
Kurse zonja Belishova së bashku me Nako Spiron edhe me bashkëluftëtarin Maqo Çomo vërtet luftuan, por nën mësimet e Miladinëve edhe Mugoshëve qenë zjarrvënësit e luftës vëllavrasëse civile.   Bashkëpunuan në krime nga më të shëmtuarit që të viheshin themelet e atij pushteti gjakatar.   Mbas vendosjes diktaturës i mbështetën me të gjithë rrëmbimin e tyre gjyqet për zhdukjen e intelektualëve si edhe klerikëve më të shquar të kombit tonë.  Në vazhdim, akoma gjak kullojnë sot fjalimet sulmuese të tyre në t’ashtuqujturin Kuvënd Popullor kundra shokëve të tyre të ngushtë të luftës bashkë me të cilët e vendosën diktaturën në fuqi, e doemos sot, së bashku me ta, duhet t’a ndajnë para historisë edhe përgjegjësínë se sollën në pushtet një nga mini-diktaturat më përbindëshe që ka parë bota !   E ata ish shokë armësh e pastaj edhe deputetë, kaluan në plumb, kurse zonja Belishova me gjithë ish bashkëshortët e saj, e kaluan edhe një provë besnikërie para E.Hoxhës !   Pastaj, i shtyrë nga mëndjemadhësía e tij proverbiale si edhe nga etja për pushtet, i erdhi radha Nako Spiros të ... vriste veten.   Po zonja Belishova, në vënd që të pendohet sinqerisht e t’i tregojë të vërtetat, edhe sot e kësaj dite jo që vazhdon e thotë se të shoqin i a kishin vrarë shovinistët jugosllavë me në krye Tito – Rankoviçin por, duke menduar se njerëzve akoma mundet t’ua shplajë trutë si dikur kur ishte e gjithpushtetëshme, pohon fjalët e fundit që i kishte thënë Nako Spirua : “... nuk më mbetet asnjë rrugë shpëtimi.  Ma mbylli derën Ambasada Sovjetike, ma mbylli derën edhe Enver Hoxha.   Ësht’e qartë si drita e diellit se E.Hoxha edhe K.Xoxe jo që ishin kolaboracionistë të jugosllavëve, por së bashku edhe me Nako Spiron ishin edhe të sovjetikëve.   Por ësht’e qartë gjithashtu se tek i ngarkuari me punë i Ambasadës Sovjetike në Tiranë, në ato rrethana të caktuara kohore, ndikimi i E.Hoxhës ishte padyshim më i madh se i N.Spiros e kur Gagarinovi nuk e priti më, si herët e tjera ... Nakua e pa se prapaskenat e tija, para mjeshtrit të prapaskenave E.Hoxhës, nuk ecnin më dhe ... u detyrua të vetëvritet !   Duan komente këta fakte ?   Vijmë tashti edhe te epilogu i të gjithë shtjellimit të paraqitur më sipër. Zonja Belishova, në fjalën e falënderimit drejtuar pjesëmarrësve në ceremonínë që Q.K.N. organizoi  për të si e ftuar nderi me rastin e përkujtimit të së bijës, së ndjerës Drita Çomo, ajo bëri pohimin :
“Kam duruar të dashur miq, duke menduar se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë, kanë një jetë të dytë”.   
Edhe me këtë pohim madhor të sajin zonja Belishova, së paku mua, më fut në një shteg të ndërlikuar pylli me të panumurta të panjohurat.    Vërtet ateistja e përbetuar u kthye dhe u bë besimtare, besimtare e themeltë ?    Apo si konformiste e së gjithë jetës, e cila kurrë nuk guxoi as t’i lejonte vetes të mendonte ndryshe nga vija e partisë, edhe tashti thotë se beson në jetën e përtejme duke menduar se ... po qe kështu, qar’e kam.   Ose mendon se me që e bija ndërroi jetë aq dhimbshëm dhe aq e re, pa patur akoma rast të bënte mëkate, ajo pra me sigurí  prehet në Parajsë, e kësisoji duke deklaruar zonja Belishova se tashmë beson, për hatrin e së bijës shpreson se Perëndía do t’a marrë në krahët e Tij, kur t’i vijë koha, e t’a bashkojë me të bijën.   E kësisoji i përhumbur duke u munduar t’i jap një zgjidhje logjike enigmës Belishova, veç kur kapitem i lodhur në gjumë dhe ... ëndërra më merr me vete ëmbël në krahët e saja dhe parasysh më del profesor Mark Dema, mësuesi im i dikurshëm aq i shquar i letërsisë, (mbase njohësi më i mirë shqiptar i Dantes dhe veprës së tij, i kalbur ai pastaj burgjeve të diktaturës), i cili më thotë ëmbël, ëmbël ... a je kah na e reciton more Korça treshen- strofë të parë- të s’tridhet’e tretës kângë të t’nândit rreth të Ferrit Dantes ?   Mos u huto, nj’at strofë ku Konti Ugolin rrashtën e krés i a shkyen mikanmikut - tradhtarit Ruxher .   E unë, si t’isha së rishmi 58 vite të shkuara, i a fillova :
E hoqi gojën nga e tmerrshmja gjellë
        dhe buzët si i fshiu mirë e mirë
        te lesht’e kokës që kish ndukur thellë,
profesori ngriti dorën e unë ndalova ... ndërsa ai vazhdoi :   shko te treshja- strof’e shtatë- se me kujtue due shka Ugolini spjegon e mandej te e njizet’e gjashta kalo e mandej ndalu.   E unë në ëndërr, sikur dje t’i kisha mësuar :
Por që asgjë pa ditur mos të mbesë,
        do të tregoj si vdiqa prej këtij,
        që të kuptosh kush ish ky i pabesë.
----------------------------------------------------------------
Këto si thotë, sytë i çakarrit,
        mbërthen të shkretën kafkë përsëri,
        në kockë si një qen me dhëmbë ia ngjit.
Un’ e mbaroj vargun e profesorin në sy e kundroj.   Miratim kërkoj unë për recitimin ndërsa ai të flasë ia nis ... e n’atë përhumbje në mes gjumit dhe realitetit e dëgjoj profesor Markun tek profetizon ... ç’prej atyne qi farën e komunizmit e mbollne e prej nxânsash të tyne ata u vrane ... te ata qi n’fuqí diktaturën’e prûne e prej shokësh të tyne u vrane ... te ata qi n’përmjet krimesh n’kâmb’e majtne at mizore dhunë e prej pjellave të tyne, t’madhnuem tashmâ ... ata u vrane e deri te  brêz’i fûndit qi gjall’e mbajti deri n’çapërlitje (shkërmoqje) at diktaturë, me n’krye ç’prej Luciferit (Satanajt) qi katërdhet vjete veç skena, mbrapaskena e krime organizoi e deri kah t’i vijnë dita dhelpnës kriminale n’duer të t’cillit diktatura tashmâ u çapërlit, të tânë jam kah i shof herë Ugolina e herë Ruxhera tue ia hângër rrashtat tash e mbrapa njênitjetrit !  
Kaq profesori më tha e ndërsa ai u zhduk në veshë vazhdoja e dëgjoja ...
                     ... tue ia hângër rrashtat tash e mbrapa njênitjetrit !

9 Mars 2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora