E premte, 19.04.2024, 02:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Podrimja: Poet i revoltës

E diele, 09.08.2009, 12:20 PM


Ali Podrimja
Ali Podrimja
Poet i revoltës


Nga Ali Podrimja

Ndoshta e çuditshme ta filloj këtë tekst rreth interesimit të Xhevahir Spahiut për fatin e gjuhës, kur në veprën e tij shtron edhe shumë probleme qenësore për kombin. Arsyet janë të shumta, pse veproi kështu në këtë moment jo aq lakmues. Dua të potencoj se gjuha është shenjë e parë e identitetit, por a mjafton ajo të mbetet vetëm shenjë?

Poezitë “Gjuha shqipe” dhe “Tek rrënja e fjalëve” prekin këtë çështje. Në mes tyre frymon bota jonë shpirtërore e materiale, rindërtohet dhe ruan vijimësinë e vet historike, kur herë-herë ngjarjet kanë intensitet mjaft dramatik nga kohët më të hershme (poezitë për Krujën e për figurat historike), ngadhënjimi i së resë me plot reflekse të një lirizmi sugjestiv (poezitë për vendlindjen, dashurinë dhe detin), diskursi ironik për ruajtjen e pasurisë shpirtërore-kombëtare nga njollat e errëta që i nxjerr jeta margjinave, ironizimi i mediokërve, shpifësve, servilëve, kalkulantëve, mikroborgjezëve, që si “shpëtimtarë” të kombit fshihen prapa lustrës e komoditetit familjar dhe rrënojnë në emër të shqiptarisë e deri te një poezi arketip e të shprehurit të moçëm shqiptar (Çbane) apo nga mitologjia kombëtare (Anës gjakut qan Ajkuna).

Forca krijuese e kuptimore është vazhdimisht në lëvizje, në ngritje dhe ngacmon kërshërinë e lexuesit-interpretit. Poezia e këtij poeti, njërit ndër më të talentuarit e poezisë sonë të modernitetit, mahnit me sensibilitet e qasje. Duke u përballur me përmbajtje, ide, figura dhe mesazhe hetohet se shkrimin e poezisë nuk e pranon si vargnim, por si mjeshtri, art, nevojë të domosdoshme shpirtërore-shoqërore-historike të një krijuesi të angazhuar e të njëmendtë në kohë krizash e shqetësimesh traumatike. Atë që na rrëfen narratori lirik, e thotë pa ngurrim e halë në gjuhë, dëshmi për guximin e potencialin krijues të vetë poetit.

Do ta përmend poezinë “Gjuha shqipe” që si mbështetje ka fjalët e rilindësit P. N. Luarasi “Mblidhmani gjakun” që na kujtojnë tonin elegjiak e burrëror të një kënge popullore përdrinas. Në të parë, kjo poezi duket e zakonshme, mezi arrin t’i ketë 14 vargje; nuk e ka atë zjarrin e patosin, as kumbimin madhështor të Naimit apo të rilindësve të cilët me aq flakë këndonin për gjuhën shqipe. Mirëpo, në vete poezia ngërthen histori të dhembshme njerëzore, dramën e rilindësve që poshtë e lart vraponin tek ngrinin zërin e protestës për të ruajtur emrin, hapësirën, identitetin; aty shpaloset jeta jonë e viktimizimit, posaçërisht e intelektualit tonë që nëpër bodrumet mesjetare të Euroazisë ua gjetëm shpesh eshtrat dhe fjalët e shkapërderdhura.

Tek lexojmë këtë poezi përjetojmë dhe tragjedinë tonë që nuk prajti. Dëgjohen plumba vdekjeprurës, vringëllima të thikës; përbirohet vdekja mureve të plasaritura; vizualisht na bëhet se shohim montime e çmontime të ndryshme në trupin e gjuhës sonë, por poeti beson se“Thelbi i mbeti” edhe kur të huajt deshën të na zhbinin.

Për ta kuptuar më mirë këtë dhembje mjafton t’i shfletojmë veprat e të shëtisim nëpër biografitë e rilindësve; mjafton të vëmë veshin e të dëgjojmë zëra lashtësie, mureve të kullave, rrasave të varrezave të shpërndara anembanë Atdheut. Ose t’i kujtojmë përpjekjet prometeane të diasporës, këndej e tej detit, vlerën dhe rëndësinë e gjuhës do ta kuptonim më mirë, atë fuqinë shpirtërore që njeriun e bën të harrojë edhe vetveten në çastet vendimtare; do ta kuptonim atëherë edhe udhëtimin e mundimshëm në kohë-hapësirë. Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe shenjë e identitetit, para dreqit e të birit, gur hapësinor i qenies, i Atdheut. “Gjuha shqipe”, është një kënaqësi estetike, është e ngritur në një metaforë martiri, po edhe të një krenarie kombëtare. Me disa vargje poeti arrin të na thotë një histori të tmerrshme jo vetëm për gjuhën. I bindur thellë se me bjerrjen e gjuhës e të kulturës, me humbjen e saj nis edhe çrregullimi i qenies kombëtare, asimilimi, vdekja e kujtesës, harrimi. Revolta e poetit na duket e arsyeshme.

Poezia e Xhevahir Spahiut do të ishte e thatë, e pashpirt po qe se do të ishte vetëm regjistrim i fakteve dhe po qe se do të mungonte dora e artistit, e cila nga trupi i saj hedh elemente të tepërta; poeti bën përzgjedhjen e gjithë asaj që para tij parakalon. Është konciz në atë që e thotë, ka dendësi vargu, e shpirtëzon dhe mesazhi na është më se njerëzor. Teksti na shpie te poezia aforistike, që shënon kulmin e një krijimi, ëndërr për krijuesit e njëmendtë.

Poezia “Tek rrënja e fjalëve” disi mbyll udhëtimin imagjinativ. Është njëra ndër poezitë më të bukura të shkruara në kohën tonë të modernitetit. Nuk mund të mos them sa herë shfletoj veprën e këtij poeti ndalem te kjo poezi: pse kam mall për njërin ndër lëvruesit më të mëdhenj të gjuhës shqipe, prof. Eqrem Çabejn, dhe pse poeti ka arritur të na jep poezi vërtet me vlera të mëdha. Leximi i parë: Portreti i Eqrem Çabejt, ndriçuesit e arkitektit të fjalës shqipe; pra portreti i studiuesit të njëmendtë i cili vetëdijeson qenien tonë vihet në lëvizje dhe në kërkim të përhershëm të fjalës, semantikës së saj. Derisa në poezinë “Gjuha shqipe” ngre çështjen e martirizimit për ruajtjen e identitetit, në poezinë “Tek rrënja e fjalëve” ka objekt trajtimi lashtësinë e gjuhës të shikuar nga këndi i ndërtimit të qenies sonë, gjurmimit të etnisë, autoktonisë. Leximi i dytë bën të niset nga zgjimi asociativ i kësaj poezie metaforë. Mbarimin e udhëtimit të studiuesit, konkretisht vdekjen e prof. Eqrem Çabejt, poeti nuk e pranon, do të ishte barazi me asgjënë. Largimin e Çabejt nga mesi ynë apo siç thotë poeti, zbritjen e hulumtuesit tek rrënja e fjalëve, ku shkallëzohet drama, koncepti i poezisë na shfaqet si vazhdimësi e një mesazhi. Prof. E. Çabej, thotë poeti, iku atje “drejt ashtit të dheut, atje ku nis shqipja dhe brumi i vullkaneve”. Vajti, pra, t’ua gjejë fillet e lashtësisë fjalëve “përtej Iliadës”. Çabej shkoi “të ngrehë shtëpinë përgjithnjë, tek rrënja e fjalëve”..., vargje këto plot asociacione për t’ua pasur lakmi edhe poetët në zë të të sotmes.

Në poezinë shqipe Xhevahir Spahiu solli imazhe rrëqethëse të Arbërisë kur fqinjët nuk pranin tek grimconin trupin e saj. Në vitin 1998, tek ngjitesha maje Tomorit, kisha përshtypjen se gjendesha përballë portave të rënda të antikitetit tonë, ku duhej trokitur. Në të vërtetë, unë kisha zgjuar perënditë. Njërit ia kisha lënë edhe syzat e diellit te një krua, ku sillte grigjën për të pirë ujë të bekuar. Aty diku ishte.


(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora