E shtune, 20.04.2024, 09:42 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Vexhi Buharaja

E diele, 09.08.2009, 02:52 PM


Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)
VEXHI IBRAHIM BUHARAJA (1920-1987)


Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

         Vexhi Buharaja një figurë e shquar në shumë lëmi, një intelektual i veçant në Shqipni, besimtar, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, studiues, hulumtues, njohës i dhjetë gjuhëve, gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore…           

    Lindi me 12 Maj 1920, në mahallën “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituni, në Berat e  nëpër Shqipni…
       Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Menjëherë e vazhdoi shkollimin në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku në vitin 1940 ka diplomuar, ishte një nga studentët më të dalluar…
    Posa diplomoi, në moshën 20 vjeçare, u punësue në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuejshme fetare, ditunore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë.   
    Në vitin 1944 u largue nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, në Berat, tek familja e tij.
       Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë, në vitin 1946, komunistët e pa fe, pa Zot, pa atdhe, e burgosin, duke e akuzue se bënte propaganda kundër qeverisë, qeverisë komuniste të Shqipërisë…
      Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, si ish i burgosur politik ende konsiderohej prej udhëheqësve të  partisë si armik…U detyrue edhe punë të rënda fizike me punue vetëm sa për të mbijetue…
       Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive ju bëri ballë. Ky njeri i madh, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, orientalist, studiues, hulumtues, u pranue në punë si mësues… !
       Në vitin 1965 e pranuen në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Vexhi Buharaja me punën e tij hulumtuese, kërkimore shkencore dha rezultate madhështore. Puna që bëri në Institutin e Historisë ia zbuloi shumë fshehtësi  Shqipërisë…   
       Vexhi Buharaja me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, i mblodhi, i tuboi i përktheu shqip, i transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmane-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkrue studimin me titull:
     “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexue si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968…  
       Ka përkthye një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin
“Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartue nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”.   
       Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthye nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthye veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët” të poetit Naim Frashëri. Këto vepra të përkthyera nga Vexhi Buharaja janë vlerësuar si perlë në letërsinë artistike shqiptare.
       Ka përkthye nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i krahasuar me Shekspirin, madje i mbiquejtur “Shekspiri i Lindjes”. Prof. Eqrem Qabej kur e lexoi “Gjylistanin” e vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën dhe tha:
       ”Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.”
      Përveç qindra përkthimeve të dokumenteve historike, përveç përkthimeve të kryeveprave letrare botërore, përveç përkthimeve të veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkrue e botue edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj….  
      Në muajin maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja, ky intelektual atdhetar, dijetar, njohës i dhjetë gjuhëve, gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore, ky poet, shkrimtar, përkthyes, historian, studiues, hulumtues, u pushue nga puna, u dëbue nga Instituti i Historisë në Tiranë si njeri i “padëshirueshëm”!   
      Diktatura komuniste, që në vitin 1946 e arrestoi, e burgosi, e persekutoi, e përbuzi, e nënçmoi, e dënoi… dhe në vitin 1975, pas një veprimtarie me rezultate madhështore, edhe nga puna në Institutin e Historisë këtë shkencëtar të madh e dëboi…
      Ndrroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 Korrik 1987, në moshën 67 vjeçare, por pas tri vjetësh ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare…
      Vexhi Buharaja, në gjithë krijimtarinë e vet, në radhë të parë mbet poet. Në konkursin letrar që u shpall me 1 Janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai e fitoi çmimin e parë. E fitoi me poezinë “Përpara Tomorrit”    
      Ja disa vargje nga poezia “Përpara Tomorit” e shkruar nga Vexhi Buharaja, fituese e çmimit të parë në konkursin letrar që u organizua në Tiranë, në vitin 1942:  
“Zog i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuz’e mallit po valvitet, trete helmin, ligjero!
Thuaja si ia thot’ bariu, kur dëgjon zën’ e gugashit.
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh, si qesh një shtizë hënë përmbi faqen e dëborës,
Ndrit, si ndrin një fije ari, mu në buzën e kurorës...”
      Pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipni, menjëherë, emri dhe vepra e Vexhi Buharasë u përtëri, hyri në histori…
     Për jetën dhe veprën e Vexhi Buharasë studiues e historianë organizuen Sesione Shkencore në Berat e Tiranë.
Me 20 Dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), kurse me 6 Korrik 1994, Biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”.
    Në vitin 1995, historiani Ahmet Kondo, ish punonjës shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë,  e shkroi një monografi me titull: “VEXHI BUHARAJA, njeriu, poeti, dijetari 1920-1987, shtypur në shtypshkronjën “SHPRESA”, Tiranë, 2005, ndërsa e botoi Shtëpia botuese “EUGEN” Berat, 1995.
     Në vitin 2008, në Tiranë, u botue libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull” shkruar nga Yzedin Hima, me të cilën autori mbrojti me sukses gradën shkencore Master në fushën e studimeve letrare, pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës…            
               
     Poeti nga Fieri, Përparim Hysi, e ka thurrur bukur një poezi, që i kushtohet jetës, veprës, vdekjës dhe lavdisë së tij:

VEXHI  BUHARAJA *

O Vexhi Berati, Vexhi Buharaja!
Pse më dukesh vallë, më i lartë se kalaja?!
Ishe aq i ditur si një erudit
Përmbys seç rrije mbi enciklopeditë.

Kopshti ku "kullosje" për ty qe Orienti
Si qikllop xhindosej, keqas Polifemi**
E të maskarojë, e të përçudnojë
Thuaj se dituria jote keqas e verboi.

Ti s'e ule kokën; eremit Kur'ani
Fryt i punës tënde na qe "Gjylistani"
Sa vepra të tjera që mbetën me kyç
Sa dhe "Shahnameja" dritën s'e pa hiç ***

Ty që qe i ditur (të presë veç fatura)
Me të tillë biçimë mbushur diktatura.
Ike para kohe se të vranë krenarinë
Por i gjallë, mes të gjallës, ti e ke lavdinë.

*Njohësi më i mirë apo i vetmi i persishtes
**Enver Hoxha
***vepër e Firdusit që s'u botua.
15 shkurt 2003
---------------------------

      Të gjitha këto lëvdata, e shumë të tjera që nuk u përmendën, dëshmojnë për vlerat e Vexhi Buharasë, njeri besimtar, dijetar, atdhetar, shkenctar…
     Në varrin e Molierit (1622-1673) francezët kanë shkruar këtë epitaf:
     “Lavdia e tij s’ka nevojë për lavdin tonë, por lavdia jonë ka nevojë për te”.
                         Amin! Ashtu qoftë! Ashtu u baftë!



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora